 |  |

Dr. Zef Mirdita
Përmbledhje
Fishta është kolos i mendimit dhe letërsisë
shqipe, i cili me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake,
intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar historinë
e popullit shqiptar. Ky françeskan ka qenë apostull
i atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër,
për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion,
por një jetë intenzive. Gjatë jetës së
frytshme të tij, ai e themeloi Shoqërinë Letrare
Bashkimi, ishte drejtor i gjimnazit françeskan
në Shkodër, kryetar i Kongresit të Alfabetit, anëtar
i Komisisë Letrare Shqiptare, udhëheqës i dërgatave
shqiptare në Paris dhe Washington, deputet dhe nënkryetar
parlamenti, përfaqësues i Shqipërisë në
konferencat ballkanike, MESHTAR dhe LETRAR. Veprimtaria e tij e
gjithanshme u shpërblye me dekorata nga Austria, Turqia, Papa
Pio XI, Greqia, Urdhëri Françeskan, ndërsa Akademia
Italiane e zgjodhi për anëtar. Mirëpo, përderisa
të huajt e dekoruan, ndërsa emrin dhe veprat e tij i studiuan
në katedrat e tyre albanologjike dhe ballkanologjike, ky vigan,
në Shqipëri, gjatë regjimit komunist u ndalua për
plotë 50 vjetë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe eshtrat
ia zhvarrosën dhe ia hudhën në bërllog. Këtë
ia bënë atij që Shqipërinë e kishte koncipuar
dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të
gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze
dhe përkatësia regjionale. Atij që gjithnjë
e ka theksuar nevojën e unitetit kombëtar dhe vëllazërisë,
ide kjo që e përshkon kryeveprën e tij, Lahutën
e Malcis. Lajtmotivi i këtij vigani ka qenë: Për
Fe dhe Atdhe. Sa i përket vlerës estetiko-letrare të
veprës së Fishtës, ajo është e shumëfishtë,
qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjedhshmëria
e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia. Ai me shikimin
realistik të vetin nuk e idealizon shqiptarin, por e përshkruan
ashtu si është, me të gjitha të metat dhe virtytet,
me meritat dhe fajet. Në veprën e tij vërehet edhe
nota edukative, sepse ai e qorton shqiptarin që të lirohet
nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon
kah rruga e qytetërimit evropian, ku edhe e ka vendin, gjeografikisht
dhe historikisht. Gjithashtu e udhëzon që ti tejkalojë
ndasitë regjionale dhe fetare, ndërkaq të përqafojë
ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin. Satira
e tij është karakteristike për një shkodran.
Me fjalë tjera, ai me të i ka luftuar pseudointelektualët,
pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët. Habit fakti i aktualitetit
të kësaj satire edhe sot e kësaj dite. Një njeri
i tillë pra, është zhvarrosur dhe për plot 50
vjetë është njollosur, përbuzur, përdhosur
dhe ndaluar, mirëpo pa sukses. Ai nuk ka mundur të dëbohet
nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.
Të flitet për P.Gjergj Fishtën, e sidomos me
rastin e përkujtimit të 60 vjetorit të vdekjes së
tij, nuk është as lehtë, e nuk është as
thjeshtë. Sado që është nderë e madhe,
më e madhe është përgjegjësia.
Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një
kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të
bëjmë me një figurë madhështore, e cila
me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale,
politike dhe letrare - e ka sintetizuar tërë historinë
e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull
të atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër,
për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i
çastit apo i rastit, por ka qenë një jetë
intenzive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare
për fatin e kombit shqiptar.
U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në
Zadrime. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin
sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do
ta zëvendësojë me emrin Gjergj.
Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, P.Leonard De
Martini. Me të parë zotësinë e e Zefit të
vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në
Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis
për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreevo,
i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me P.Grga
Martiæ-in dhe me Silvije Strahimir Kranjèeviæ-in,
të dy këta poetë të mëdhenjë kroatë.
Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë
të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në
Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.
Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën
e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të
Mirditës.
Së bashku me abatin e Mirditës, Mons.Preng Doçin,
Don Ndoc Nikën dhe P.Pashk Bardhin e themeloi Shoqërinë
Letrare Bashkimi.
Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan
në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që
ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën
shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të
Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të
cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet
të gjuhës shqipe. Më 1916 është anëtar
i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për
detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës
shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në
krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi
i Lezhës, Mons.Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye
të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për
ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë,
nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.
Më 1921 zgjedhet për deputet të grupit të Shkodrës,
në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjedhet
nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështje
Financiare.
Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat
ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932),
ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në
New York.
Në periudhën 1935-1938, kryen detyrën e provincialit
të Provincës Shqiptare Françeskane.
Për veprimtarinë e tij të gjithanshme ka qenë
i dekoruar me dekorata nga Qeveria Austriake me Ritterkreuz(1912),
nga Qeveria Turke me Mearf Kl, II. Në vitin 1925,
Papa Piu XI e nderon me medalen Al merito, kurse më
1931, Qeveria Greke e dekoron me rendin Phoenix. Më
1939, Urdhëri françeskan e dekoron me titull Lector
jubilatus honoris causa, ndërkaq Akademia Italiane e
zgjodhi për anëtar të vetin, për çka,
përveç insinuatave të tjera, kritikët e pendave
enveriane e karakterizojnë si fashist dhe armik të popullit!
A nuk është kjo tragjiko-komike!?
Më 31 dhjetor 1940, pushon së rrahuri zemra e këtij
vigani të letrave shqiptare, apostullit të unitetit të
kombit shqiptar.
Mirëpo, përderisa emri dhe veprat e tija ishin të
pranishme në katedrat albanologjike dhe ballkanologjike të
Evropës, në Shqipëri, të cilën e deshti
me tërë qenien e vet dhe të cilës ia kushtoi
vargjet më të bukura, u ndalua për plot 50 vjet.
Me ndalimin e veprave të tija u gjymtua gjuha shqipe, të
cilës ky poet ia këndoi himnin më të bukur që
është shkruar ndonjëherë në gjuhën
shqipe:
Porsi kanga e zogut tveres
Qi vallzon nblerim të Prillit,
Porsi i ambli flladi i erres,
Qi limon gjit e drandafillit,
Porsi vala e bregut tdetit,
Porsi gjâma e rrfés zgjetáre,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtú â gjuha e jonë shqyptare. @1
Për 50 vjet u ndalua të dëgjohet mallkimi i poetit
drejtuar atyre që këtë gjuhë shqiptare e përbuzin:
Prá, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim sia len ai fmis,
Edhé atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore
Qi ngjuhë thuej, kúr sâsht nevoja,
Flet e tveten len mbas dore. @2
Për plot 50 vjet u ndalua këndimi i himnit më
të bukur që Fishta ia kushtoi Flamurit Kombëtar:
Porsi fleta e Éjllit tZotit
Po rrehe Flamuri i Shqypnis e
thrret tbijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë tushtris. @3
Plot 50vjet e akuzuan se bëri përçarje në
popull, atë i cili po këtë popull e fton të
bashkohet:
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!
A ngadhnyesé a tgjith déshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë! @4
Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti
e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna
Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës
françeskane të Gjuhadolit, përkundër ndalesës
së kolonelit De Philipps, sundimtarit të qytetit të
Shkodrës.
është e njohur se njerëzit e mëdhenj vdesin
në kohë të duhur! Falë Zotit, kjo ndodhi edhe
me Pater Gjergj Fishtën. Sepse, po ti kishte pritur njësitë
e kuqe të ngarkuara me idetë e internacionalizmit proletar,
por edhe antishqiptar, jo vetëm që e kishin masakruar,
por as varri nuk iu kishte ditur, siç ka qenë rasti
me shumë sivëllezër të tij françeskanë.
Megjithatë, ajo që nuk i ndodhi për së gjalli,
e pësoi për së vdekuri. Mënia dhe urrejtja ndaj
tij ishte aq e madhe, sa që edhe e zhvarrosën dhe eshtrat
ia hodhën në bërllog!
Nuk është kjo hera e parë që mizoria e tillë
barbare ushtrohet mbi fatosat e vdekur shqiptarë!
Dihet se turqit e herrshëm e zhvarrosën trupin e Skënderbeut
dhe nga kockat e tija, siç shkruan Marin Barleti, bënë
hamajli për ushtarë. Po ashtu, turqit e herrshëm
e zhvarrosën trupin e Pjetër Bogdanit, argjipeshkvit të
Shkupit, nismëtarit të prozës shqipe, dhe eshtrat
e tija ua hodhën qejve në sheshin e Prishtinës, aty
ku sot ndodhet ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.
O kohëra, o zakone të fëlliqta!
Kështu pra u veprua me Pater Fishtën, i cili nuk e deshti
Shqipërinë vetëm si emër gjeografik! Ai Shqipërinë
e ka koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë
të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga
ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale, që është
plagë e rëndë e trashëguar nga okupatori shumëshekullor
osmano-turk.
Pikërisht për ta shëruar këtë plagë,
poeti thekson nevojën e vëllazërimit, unitetit kombëtar,
ide kjo që e përshkon tërë kryeveprën e
tij Lahuta e Malcis. Nuk është e rastit që ai këtë
ideal dhe mendim të vetin e dëshmon përmes protagonistëve
të besimit muhamedan, si Oso Kukës, Ali Pashë Gusisë,
Marash Ucit etj. Sepse, siç thotë Ernest Koliqi: Shqipnija
(ndërsa unë do të kisha thënë shqiptarizmi)
vetëm atëherë mundet mu njehun fatbardhë,
kur breznija e ré, tue pasë menden e sterhollueme si
mâ i miri perendimuer, ta ket zemren e thjeshtë e bujare
si Marash Uci e Oso Kuka. @5
Fishta, vërtetë i qorton muhamedanët, me qëllim
që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë
se feja e kombi nuk janë një, andaj edhe i konsideron
për vëllezër. Si të kuptohet ndryshe përgjegjja
e Patër Gjonit dhënë Mark Milanit:
Unë zotni nushtri kam dalë
Jo me Turq, por me Shqyptarë,
Turq a tkshtenë, si janë gjithmarë
Pse si tkshtenë, si muhamedan
Shqypnin sbashkut tgjith e kanë. @6
Përgjegjja e tillë për Mark Milanin si edhe për
të gjithë ata që mendonin ashtu, ka qenë jo
vetëm befasi, por edhe shpullë e rëndë, për
shkak se një prift katolik mund ti bëhej ndihmë
Turkut, duke i lënë pas dore kryqalitë
sllavë dhe bujarin e tyre, që, së fundi, ishte edhe
vetë gjysmëshqiptar, siç thotë Pater Gjergji:
Me kryq ndorë e me kryq nballë,
Turkut ndihmë ti me na i dalë?
E tue njoftë per G o s p o d a r
Knjaz Nikollen, trim bujar,
dér dikú edhe ky Shqyptar! @7
Kështu, derisa Kelmendasit dëgjonin thirrjen e Gusinjanëve
myslimanë të sulmuar nga ana e malaziasve, thonin:
Lpifshin kryet e xjerrshin syt
Ti haj dreqi Turq e Shkje, 8
dhe vazhdonin më tej, pa ndonjë ndjenjë më të
thelluar:
se e kemi festen e Bajrakut e
duhet njëherë me shkue në shtëpi ,
e me shtrue petlla e raki. @9
Mirëpo, Pater Gjoni, në fund të meshës u
thotë: Çohi, o bij të Skanderbegut Turq e tKshtenë,
mos tu dajë feja! @10
Sepse:
Vllaznit tonë i kem n siklet! @11
Këto kushtrime nuk janë vetëm të Pater Gjergj
Fishtës, por janë të tërë klerit katolik!
Pater Gjergj Fishta, me një kulturë të gjithanshme
e të thellë, dhe pse mos të thuhet, me një kulturë
perendimore dhe evropiane, ndonëse i ka qortuar vëllezërit
shqiptarë, pavarësisht, muhamedanët apo të krishterët,
kurrë nuk ka anuar kah Evropa.
Për të Evropa, nuk ka qenë tjetër, pos një
lavire e vyshkur, vërtetë, me emër e krishterë,
por me vepra e pa Tenzonë.
Uh! Evropë, ti kurva e motit
Qi i rae mohit besës së Zotit
Po á ky a sheji i gjytetnis
Me da token e Shqypnis
Per me mbajt klysht e Rusis? @12
Sdo mend se Fishta ka qenë i vetëdijshëm
se feja e të huajit e ka bërë të vetën
në trungun e kombit shqiptar. Megjithatë, ai nuk e nënçmon
as mendimin dhe as besimin e vëllezërve shqiptarë.
Mirëpo, ai është kundër shfrytëzimit të
ndjenjave fetare për dobi vetanake apo partiake. Për të
është më se e qartë se identifikimi i fesë
me komb është jo vetëm anakronik, por edhe jo shkencor.
Madje, edhe për nga aspekti politik, një identifikim i
tillë shkon në dëm të integritetit etnogjeopolitik
të popullit shqiptar. Prandaj, ai përpiqet, madje edhe
kërkon që të tregohet mënyra se si erdhi deri
te kjo ndasi fetare, e cila, për fat të keq, mund të
shfrytëzohet në dëm të unitetit kombëtar.
Këtë më së miri e ka sqaruar dhe dëshmuar
Ismail Kadare, i cili në mes tjerash thotë: Turqizimi
i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese
tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare
me atë fetare, dëshmonte se ndjenja patriotike e një
pjese të shqiptarëve, ka qenë jo aq e fortë
siç paraqitej. @13
Dhe kur Fishta tregon se nga buron ky rrezik lidhur me integritetin
etnogjeopolitik të shqiptarëve, nuk do të thotë
se është kundër besimit muhamedan. Ai, në të
vërtetë, mu ashtu si secili shqiptar i sinçertë,
nuk mund të pajtohet me identifikimin e fesë me kombin.
Sidoqoftë, nuk duhet mohuar se lajtmotivi i Fishtës
në veprimtarinë e tij shkencore e arsimore, kulturore
e politike, fetare e letrare, ka qenë: Për fe dhe atdhe.
Që të kuptohet kjo sintagmë, duhet pasur parasysh
disa fakte.
Së pari, ai ka qenë meshtar dhe kuptohet se në veprimtarinë
e vet nuk ka mundur ta len mënjanë aspektin fetar.
Së dyti, dihet se Shqipëria, si për nga aspekti gjeografik,
ashtu edhe për nga aspekti historiko-kulturor i mirëfillt,
i takon arealit kulturor evropian, gjegjësisht kristian.
Së treti, krishtenizmi, veçanërisht katolicizmi,
është njëri nga argumentet e pakontestueshme, që
flet në dobi të autoktonisë së shqiptarëve
në trojet ku jetojnë sot. @14 Edhe atëherë kur
Fishta e cek katolicizmin në relacione ndërkombëtare
atë e bën për hir të mbrojtjes së integritetit
të territorit shqiptar dhe për njohjen e pavarësisë
së Shqipërisë. Kjo shihet qartë nga përmbajtja
e telegramit të cilin në italishte nga Parisi ia dërgon
Pater Palë Dodës më 16 shtator 1922 dhe në të
cilin thotë sa vijon: Ndërkaq vizita ime në
Washington pati për rezultat njohjen e Shqipërisë
nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të
gjitha përpjekjet e mëparshme të qeverisë sonë
dhe të Vatrës mbetën pa ndonjë përfundim
të mirë. Unë pata sukses. Kjo u bë me një
ndërhyrje të senatorëve katolikë, të cilëve
ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar,
që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipërinë.
@15
Së katërti, dihet se qysh në shekullin XV, siç
thotë Fan Noli: Katholicizma nga njëra anë i jipte
Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe
nga ana tjetër e lidhte me botën e krishterë evropiane.
@16
Prandaj, edhe, siç thotë Ismail Kadare: Sështë
e rastit që goditja më e egër (në kohën
e sundimit enverian /sic! Z.M./) iu bë katolicizmit si fesë
më evropiane. @17
Nuk duhet heshtur se besimi është një faktor tejet
i rëndësishëm dhe i ngulitur në trashëgiminë
kulturore dhe shpirtërore të një populli. Dhe me
kultivimin e kësaj trashëgimie, njëherësh kultivohet
edhe kultura e mirëfillt e një populli. E për shqiptarët,
kultivimi i trashëgimisë dhe i kulturës ka një
rëndësi jashtëzakonisht të madhe, lidhur me
dëshminë e autoktonisë së tyre në kohën
kur orekset imperialiste të fqinjëve rriteshin gjithnjë
e më tepër në dëm të integritetit territorial
të trojeve shqiptare. Prandaj, çdo përpjekje e
mohimit të trashëgimisë kulturore të mirëfillt,
nuk është asgjë tjetër veçse një
etnokulturocid. Për një gjë të tillë, historia
në kohë të caktuar i hakmerret popullit! Pikërisht
për këto arsye, Fishta ka luftuar dhe vepruar nën
sintagmën
Për fe dhe atdhe!
Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprave të
Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë
për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjedhshmëria e
fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia.
Duhet theksuar se Fishta, me shikimin realistik të vetin, duke
i soditur fenomenet e jashtme të ngjarjeve, thellësisht
depërton në brendi të jetës aktuale të
shqiptarit dhe kështu ai e ndriçon vetë qenien
etnike të popullit. Vëzhgimi i tij depërton thellë
në zemrën e popullit, nga edhe e dëgjon, vlerëson
intenzitetin e pulsit dhe të ndjenjave, me qëllim që
të mësojë se sa është ky popull i gatshëm
ta shkundë trashëgiminë e mentalitetit të imponuar
gjatë sundimit otoman. Ai nuk e idealizon shqiptarin. E përshkruan
ashtu çfarë është: me të gjitha virtytet
dhe të metat, meritat dhe fajet; i përshkruan veçoritë
si: zemërgjerësinë, mosbesimin dhe hakmarrjen. Për
Fishtën, shqiptari është individualist, madje shpesh
herë edhe sektar, por që anon kah toleranca fetare, kuptohet
nga prirja e mitit të gjakut dhe gjuhës së përbashkët.
Me një admirim të mrekullueshëm, Fishta e këndon
dhe e lavdëron virtytin arkaik të shpirtit shqiptar, ndonëse
nuk e idealizon. Fishta e lartëson krenarinë e shqiptarit
duke e udhëzuar dhe nxitur që një herë e përgjithmonë
të heq zgjedhën e huaj dhe të jetojë i lirë
në Shqipërinë e lirë. Fishta në veprat
e veta e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi,
pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga
e qytetërimit evropian, ku edhe ka vendin e vet, si gjeografikisht,
ashtu edhe historikisht.
Të gjitha personazhet dhe protagonistët në veprat
e tija, janë shqiptarë të thjeshtë me të
gjitha cilësitë inative, veset dhe gjestet pozitive, apo
negative. Fishta, me një lehtësi të mrekullueshme,
kalon nga theksi lirik në atë epik dhe satirik.
Këndimi i ngjarjeve të së kaluarës, për
Fishtën ka qenë në funksion të ndriçimit
dhe shpjegimit të rrjedhave të kohës.
Lahuta e Malcis, kryevepër e P.Gjergj Fishtës, është
poemë heroike në të cilën është shkrirë
me një harmoni të pashembullt historia me legjendën,
elementi njerëzor me atë hyjnor. Në këtë
poemë është skalitur epopea e popullit shqiptar,
pavarësisht nga hapësira gjeografike, apo ajo kohore.
Në të vërtetë, ai në këtë poemë
e ka mishëruar tërë qenien e vet, jo vetëm si
poet, por edhe si akter politik dhe kulturor. Protagonistët
e veprës Lahuta e Malcis, si Oso Kuka e Marash Uci, Cur Ula
e Ali Pashë Gusia, Dedë Gjo Luli etj., nuk janë gjë
tjetër veçse alternacione të Pater Gjergj Fishtës.
Mendimet, ndjenjat dhe qëllimet e tyre janë identike me
ato të Pater Gjergj Fishtës. E këto nuk janë
gjë tjetër veçse shprehje e çlirimit të
atdheut. Madje edhe në shembulltyrat e tija fantastike, të
cilat përherë i sheh dhe i adhuron, siç janë
Zanat, Orët, Kulshedrat e Drangojt, ai e identifikon karakterin
e tyre, ndonëse në mënyrë imagjinative, me atë
të shqiptarit, po edhe me atë të vetin.
Veçoria tjetër, madje tejet e rëndësishme,
e krijimtarisë së Fishtës, është ajo se
ai në të gjitha veprat e veta epike, lirike, melodramatike
apo satirike, ka notën edukative, me qëllim të tejkalimit
të ndasive regjionale apo fetare.
Së këndejmi, përshkrimi i bukurisë së malësores,
në shembulltyrën e Tringës, qoftë për nga
fisnikëria, bujaria dhe bukuria, është diçka
e pakrahasueshme, madje antologjike në letërsinë
shqipe. Mirëpo, në simbolikën Fishtiane, të
gjitha veçoritë e personazheve, nuk janë gjë
tjetër, veçse bukuria e Shqipërisë, malet,
fushat, lumenjtë. Kështu, poeti, Shqipërisë
i këndon:
Por nji fushë mâ e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal mâ bukur srri,
Mâ i kulluet nji lum sdiktohet,
Moj Shqypni, porsi i ké ti. @18
Fishta me idealet e veta të larta, humane e patriotike,
përpiqet që tia ngulit shqiptarit ndjenjën
nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin, me qëllim që
të jetë i gatshëm për të luftuar për
liri dhe pavarësi të atdheut. Në të vërtetë
rreth këtij boshti, ndërlidhen të gjitha episodet
e ngjarjeve historike, të kënduara në Lahutën
e Malcis, që nga Lidhja e Prizrendit (1878), e deri në
Konferencën e Londrës (1913), kur edhe njihet autonomia
e Shqipërisë.
Tematika kombëtare trajtohet në Anzât e Parnasit,
satirë kjo atdhetaro-shoqërore dhe në Gomarin e Babatasit,
poemë dramatiko-satirike. Gjuha e satirës së tij
është therrëse, thumbuese, plot ironi dhe sarkazëm,
që njëherësh është karakteristikë
e të folurit të qytetit të Shkodrës. Fishta,
përmes këtyre satirave lufton kundër pseudointelektualëve,
pseudoperendimorëve dhe pseudoshqiptarëve. Ja se çthotë
Fishta për njerëz të tillë:
E qe se, matherë u dishmuen liberala, okcidentala,
konstitucionala, republikaj, demokratë; me Këshille të
Nalta, me Parlamente suverene, me Qeveri të përkohshme,
të përtashme, të pesëditshme, me kisha e xhamia
autoqefale; ndërsa kombi cofte ujet (urie), dergjej gazepit,
na qojshin përfaqësuesa e ministra në Romë,
Londër, Paris, Athinë, Belgrad, Varshavë, -po, edhe
në Varshavë e sdi se ku njeti, - për me i diftue
botës së qytetnueme se Perendia kishte ba mrekulli mbi
ne e se na, ndoshta gjaksë tue qenë, me pre fëmijën
në djep; shumëkush nesh hajduta, me të vjedhë
zhallogën prej opanget; fanatikë, me djegë katundin
për nji qime mjekrre, për nji thak brezi; analfabetën
95 %; njerëz të papunë, që vdisshim ujet mbi
visare tona; madje edhe beglerë, bajraktarë, agallarë,
myltazima e krunde të nji despotizmi ma të randë,
të nji tiranie ma të dhunshme, të nji individualizmi,
ekskluzivizmi, aziatizmi ma të neveritshëm, ishim ba sod
volterianë, laburista, socialista, konservatorë, popullor,
pëparimtarë
E na u ngrimë, u shtanguem krejt,
kah shifshim tue lujtë këtë pantomimë të
pahijshme mbi kurriz të ngratit popull shqyptar
@19
Ndonëse satirat e tija janë refleks i shoqërisë
shqiptare të asaj kohe, e cila posa kishte dalur nga letargjia
kulturore, politike dhe sociale pesëshekullore osmano-turke,
ato, me porositë dhe përmbajtjet e tyre, janë aktuale
sot e kësaj dite. Ja pra, ky është Pater Gjergj Fishta,
i cili për plot gjysëm shekulli, qe i përdhosur,
i njollosur dhe i përbuzur, me karakterizime të një
spiuni, të një të shituri,
të një trathtari, të një antishqiptari,
të një antikombëtari dhe të një
fashisti. Të gjitha këto nofka ia mveshën
Fishtës, i cili Shqipërisë i këndon:
Tfalem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un ngji tând tue rrnue,
Tue gzue tpamt tând, tue thjekë at
ajr tkullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri. @20
Çtë thuhet në fund?
Vërtetë, Fishtën e njollosën, e përbuzën,
e ndaluan në shkolla dhe universitete, ndonëse, në
tekstet shkencore ka qenë i pranishëm, por pa emër
@21 , megjithatë nuk mundën ta dëbojnë nga zemra
dhe nga ndjenjat e popullit.
Nga frika se varri i tij do të jetë vendfrymëzim
i idesë së Shqipërisë së lirë, të
cilën ide përherë e pat në zemër, madje,
siç këndon vetë poeti, edhe për së vdekuri:
Dersa tmuendem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, skam me tharrue,
Edhe nvorr me tpermend kam. @22
Shërbëtorët e atyre kundër të cilëve
Fishta tërë jetën luftoi, e zhvarrosën. Të
gjitha këto marrëzira mbetën të kota. Fishta,
siç thotë Lasgush Poradeci, mbeti shkëmb i tokës
dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. @23
Dhe tani, kur po e përkujtojmë 60 vjetorin e vdekjes së
P.Gjergj Fishtës, po e përkujtojmë faktin se poeti
i kombit mbetet gjallë përherë, sepse, Kanga e tij
- siç thotë Ernest Koliqi - ska mu shue
deri sa gjaku arbnuer të vlojë në një zemër
arbnore, pse ajo do të jetë pasqyra e nji qytetnimi vërtet
shqiptar si sot ashtu në kohnat mâ të lashta. @24
________
1 Gjergj FISHTA, Gjuha Shqype, në Mrizi i Zânavet, Shkodër
1941, fq. 5.
2 Po aty, fq. 6.
3 Po aty, fq. 15.
4 Po aty.
5 Cit. ap. Filip NDOCAJ, Mbi vlerën dhe rëndësinë
e veprës së Gjergj Fishtës, në Jeta e Re, 11-12
(Prishtinë 1990), fq. 1600.
6 Gjergj FISHTA, Lahuta e Malcis, XXI, v. 285-289 (Romë 1958),
fq. 408.
7 Po aty, v. 260-272, fq. 407.
8 Po aty, v. 169-171.
9 Po aty, v. 214-215.
10 Po aty, v. 449-450.
11 Po aty, v. 355.
12 Te Kisha e Shnjonit; Lahuta e Malcis, XIII, v. 40-44, fq. 211.
13 Ismail KADARE, Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit
të tretë, në Kombi. Rrugët e bashkimit kombëtar.
Onufri. New York 1997, fq. 223.
14 Ilir ZHILLA, Shqipëria dhe katolicizmi. Nyeja lidhëse
e kombit tonë me Evropën, në Rilindja 25 prill 1993,
nr. 11 (261), 8, fq. 4.
15 Zef MIRDITA, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren-Zagreb
1998, fq.377.
16 Fan NOLI, Vepra 4, Tiranë 1989, fq. 491.
17 Ismail KADARE, Nga një dhjetor në tjetrin. Kronikë,
këmbim letrash, persiatje. Artheme Fayard. Paris 1991, fq.
158-159, 259; I njëjti: Kombi, fq. 222.
18 Gjergj FISHTA, Atdheut, në Mrizi i Zânavet, Shkodër
1941, fq. 9.
19 Zef MIRDITA, vep. e cit., fq. 372.
20 Gjergj FISHTA, Shqypnis, në Mrizi i Zânavet, Shkodër
1941, fq. 4.
21 Zef V. NEKAJ, Fishta pa emén në tekstet e shkollavet
të Shqipnis, në Shejzat, V/11-12 (1961), fq. 487-489.
22 Gjergj FISHTA, Atdheut, në Anzât e Parnasit, Shkodër
1941, fq. 9.
23 Lasgush PORADECI, Gjergj Fishta lirik, në Jeta e Re, 11-12
(Prishtinë 1990), fq. 1546.
24 Ernest KOLIQI, Qytetnimi Shqiptar, në Hylli i Dritës,
VIII/1 (1932), fq. 2.
|
 |
 |