 |  |
K R E U VI
SHQIPËRIA NË KOHËN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
(1443 - 1468)
1. RIMËKËMBJA E SHTETIT TË KASTRIOTËVE
DHE
FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË LEZHËS
Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
deri më 1443
Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija
i parafundit në familjen me shumë fëmijë
të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër
djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe
pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën,
Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar
i një shteti të rëndësishëm, që
shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të
Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në
perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë
qenë Prizreni. Këtu duhet të ketë lindur
edhe Gjergji.
Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve
i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve
osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon
Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve
një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe
më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua
si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur
osmanët pushtuan Krujën (në fillim të
vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e
Kastriotëve.
Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin
osman rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë,
pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore
ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë
e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë,
veprat e të cilëve shërbejnë si burime
më të rëndësishme për njohjen e historisë
së Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci,
Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu.
Edhe në jetëshkrimin më të hershëm
për Gjergj Kastriotin, të hartuar rreth viteve 1481-1482
prej Martin Segonit, tregohet se ai u dërgua i vogël
peng, u rrit dhe u edukua pranë oborrit të sulltanit.
Të njëjtën gjë njoftojnë edhe kronistë
e historianë të huaj, bashkëkohës me Skënderbeun,
si italianët F. Filelfo, I. Potani, R. Volaterani, bizantini
L. Halkokondili, shumica e autorëve osmanë të
shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare,
u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane,
në Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një
periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e
iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët.
Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë
e zotërve të nënshtruar për t'u përgatitur
e edukuar në frymën osmane si komandantë të
zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht
shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman
ndeshte në qëndresën e popullsisë, si
dhe në vendet nga ata kishin ardhur.
Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të
veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve
të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit,
Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë
dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të
huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë
i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë
dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e
shpatës e të armëve të tjera.
Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur
iu vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në
fushata të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në
Azi të Vogël, gjatë të cilave fitoi një
përvojë të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën
e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot
ushtarake të sistemit feudal osman dhe përparoi
shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita
e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
Funksionet si kuadër osman për vite të tëra
Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur
me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri
i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet
në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve
të tij në dokumente të vitit 1426 për
çështje pronësie. Në këtë
kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve
dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë
subash i Krujës dhe qëndroi në këtë
post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438, kur
në zeametin përkatës është shënuar
se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në fillim, kur u hartua
regjistri kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432), zeameti
i subashit të Krujës është regjistruar
me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në
fund të vitit 1438 në postin e subashit të
Krujës, Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer
me vonesë në Krujë, sepse Skënderbeu përmendet
në Shqipëri edhe më 7 dhe 10 korrik të
vitit 1439. Nuk dihet se cilët fshatra formonin timarin
e tij në Shqipëri, kur ai ishte në postin e
një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa fshatra
të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku
midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve
30 Skënderbeu pati në zotërim një timar
të madh, me të paktën nëntë fshatra.
Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të
drejta të plota me anëtarët e tjerë të
familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve.
Prandaj emri i tij është shënuar gjatë
viteve 20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet
e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin
1426 në një aktblerje nga Kastriotët të
një pirgu pranë manastirit Hilandar në malin
Athos dhe në një aktdhurimi të dy fshatrave
të Kastriotëve për manastirin e Hilandarit,
si dhe në mars të vitit 1438 kur Stanisha dhe Gjergji
kërkuan qytetarinë e Venedikut dhe më vonë
(korrik 1439) edhe atë të Raguzës. Qytetaria
veneciane e raguzane kërkohej që, në rast shkatërrimi
e dëbimi nga zotërimet e veta prej osmanëve,
familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto
vende.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri
si kuadër osman Skënderbeu punoi aktivisht për
mbrojtjen e interesave të familjes së tij. Kështu,
sipas një dokumenti osman pa datë, kur Gjon Kastrioti
ra në konflikt me osmanët dhe humbi krahinën
e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu u kërkoi autoriteteve
osmane që ta merrte si zeamet këtë krahinë.
Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të
madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej
nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin.
Kjo rrugë ishte shumë e rëndësishme për
veprimtarinë ekonomike e tregtare të shtetit të
Kastriotëve. Më 1437-1438 Skënderbeu u bë
qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës dhe siguroi
për këtë një feud të madh prej dhjetëra
fshatrash. Ky gradim ndikonte shumë në forcimin
e pozitave ekonomike e politike të zotërimeve të
Kastriotëve që shtriheshin në lindje e në
veri të vilajetit të Krujës.
Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar
jetës fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit
e tjerë drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati
i tyre, Gjon Kastrioti, ishte i sëmurë dhe vdiq
në maj të vitit 1437. Të dy vëllezërit
i kushtuan vëmendje ruajtjes e forcimit të marrëdhënieve
me Venedikun e Raguzën, prej të cilave arritën
më 1438 e 1439 të siguronin të drejtat e privilegjet
që kishte patur ati i tyre me ato dy vende. Ata vepruan
bashkërisht deri kur vdiq Stanisha më 1446.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më
në tokat shqiptare. Në këtë kohë
në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë
e aksioneve ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit.
Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti
i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej
me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol
të Bullgarisë.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri
si funksionar osman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del
me emrin mysliman (Iskënder) në dokumentet osmane,
kurse në ato perëndimore ka përdorur vetëm
emrin e krishterë Gjergj, gjë që shpreh lidhjet
e tij me parinë drejtuese shqiptare.
Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut
e të Raguzës në fund të viteve 30, në
një kohë kur Skënderbeu po përparonte
në karrierën politike si kuadër i Perandorisë
Osmane, tregojnë se ai e shikonte të ardhmen jo
në kuadrin e karrierës së një funksionari
osman. Përkundrazi, praninë e tij në radhët
e kuadrove osmane, ai e gjykonte si diçka të përkohshme.
Në kushtet kur së bashku me të vëllanë,
Stanishën, kishin marrë drejtimin e zotërimeve
të Kastriotëve, largimin e tij nga posti i subashit
të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg Shqipërisë,
Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një "gradim",
por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj
tij.
Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në
shkollën e iç-ogllanëve e në vende të
huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë
osmane, Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen
e tij, me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi
për vite të tëra në atdheun e vet, ku
u brumos dhe u formua në mjedisin e luftës së
shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj osman
dhe të disfatave të para që osmanët pësuan
në Shqipëri gjatë kryengritjeve të viteve
30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut në
nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri
për të ngritur lart flamurin e luftës kundër
pushtuesve osmanë, ishte rrjedhojë e përvojës
jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës
së shqiptarëve.
Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor
1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve
osmanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve
të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente
të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe
fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare
spahinj të vrarë, spahinj që, për të
shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa
e përhershme kundër pushtuesve osmanë dhe rrethanat
e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në
fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40
të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë
të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve
të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të
Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit
të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439.
Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë
edhe përfaqësuesit më të lartë të
universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu,
patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët
bizantinë e sllavë më në zë. Në
korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të
dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror
të të dy kishave nën supremacinë e Papatit.
Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve
ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri
dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve
shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe
të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet
e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin
ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin
shumë të copëtuara e të përçara,
në luftën kundër armikut të përbashkët,
pushtuesve osmanë, luftë që filloi të
propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve
kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre
islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat
ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve
antiosmane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin
e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit,
trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë,
Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në
mësymje dhe përkohësisht arritën të
ndalnin përparimin e osmanëve drejt Evropës
Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme,
të përbërë prej hungarezësh, polakësh,
rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në
thellësi të Ballkanit dhe në shtator të
vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë
trupave osmane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit
ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti
lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e
me forca të tjera politike të kohës për
zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht
veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili
nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën
drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët
kundër osmanëve sapo trupat e J. Huniadit të
marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë
shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan
të përshtatshme për fillimin e luftës.
Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi
lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit
e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht
të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës,
që të strehohej familjarisht në atë qytet
po qe se do thyhej prej trupave osmane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi
forcat osmane në lindje të zotërimeve të
tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të
Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në
jetën politike të Shqipërisë dhe patën
jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte
përgatitjet për vijimin e luftës kundër
osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e
tij, sipas porosisë që kishin bërë në
Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve,
që t'u printe luftëtarëve të tij në
betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor
Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t'i shiste bombarda,
armë këto që i duheshin për çlirimin
e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat
e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i
biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar
në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë
që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat
e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat
e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një
ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e
shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga
zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të
komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën
në thellësi të Ballkanit dhe filluan Fushatën
e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të
vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore
shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve
të krahinave ku kalonin për të luftuar së
bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë
Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej
nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër,
serbë, boshnjakë".
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi
të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën
të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin
në thellësi të zotërimeve osmane gjatë
një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari,
duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë
5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë
në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një
muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë
të dytë në Pirot (në juglindje të
Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe
prej kushteve natyrore të stinës, në fillim
të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit
arriti në Budapest me një efektiv disa herë
më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve,
kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë,
ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën
politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444,
me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur,
u rimëkëmb Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443,
ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte
detyrën e funksionarit të lartë osman, atë
të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave
osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin
e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim
të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin
më të përshtatshëm për çlirimin
e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra
bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën
e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti,
Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen
e shtetit të Kastriotëve, që, siç është
shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy
pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati",
që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të
kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh.,
nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje
deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice),
kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në
Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren,
që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej
zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më
e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të
Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të
parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë,
Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe
të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme
dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe
shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme
të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë
ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të
Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më
të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në
veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më
i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë),
që është edhe sot, emrin e të cilit ka
pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen
e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte
Kërçovën me rajonin e Gostivarit në
dokumentet mesjetare del e emërtuar Rruga Kërçovë-Dibër
dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të
Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të
saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet
në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia
Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare
(dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky
duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër
i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë
e zëvendësuan me fjalën përkatëse
të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një
e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës
së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit.
Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë
ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë
përdorën një emërtim osman (vilajeti ose
nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia
administrative në perëndim të saj (nahija e
Dibrës). Në këtë të fundit, edhe
pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte
asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër
me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra
e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor
me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën
verilindore të Dibrës së Sipërme, në
veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë,
ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që
vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të
liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc,
emër që e mban ende sot krahina e luginës së
lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet
së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për
në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka
etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në
Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen
e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme
gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë,
ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe
u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën
kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në
lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura
në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës)
dhe, në lindje të saj, në kështjellën
e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit
për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup.
Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte,
ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle.
Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe
e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut.
Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një
rrugë tregtare shumë të rëndësishme,
që kalonte në rajonin më të pasur të
zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore
me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë.
Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet
e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet osmane,
që gjendeshin të shpërndara në viset e
tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim
të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave
osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe
të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim
të Krujës një grup luftëtarësh, duke
i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më
pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër
i vogël luftëtarësh, u nis vetë për
në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve
ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së
saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane
të Krujës si i riemëruar në detyrën
e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar
në fund të viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu
futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët
e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim
me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të
lirë ushtarët osmanë që të largoheshin
nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin
e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh
do të vihej në krye të trupave osmane për
të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443,
krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur
dhe, siç shprehet Barleci, "të gjithë
kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte
zëri i ëmbël i lirisë". Në prani
të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës
së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve.
Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu
u mbajti banorëve të Krujës një fjalim
të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar
lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve
për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu
iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët
nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë
e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë,
në shpatat e në ushtat tuaja".
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës,
u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të
papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov
të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi
plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në
gjendje frike e paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim
edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë
në bisedime me banorët e zotërimevë të
Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që
kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre
ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme
për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave
të tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet
për çlirimin e një vargu kështjellash
të tjera në afërsi të Krujës. Së
pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave
në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë
dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare
që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët
e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën
e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj
Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin
e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit),
të ngritur në veriperëndim të Manastirit
dhe që kishte një pozicion shumë strategjik
për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin
e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre.
Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve
ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella
më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare
në hapësirat e Dibrës së Sipërme.
Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori
për herë të parë në zotërim
të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës
(malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e
rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja
e së cilës kalonte përgjatë luginës
së lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në
viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë
e Epërme kështjellën e Jeliçës
(Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit
duhet ti kenë marrë Spanët, kurse rajonin
e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi)
nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën
e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen
e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë
e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të
tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën
deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e
përgjithshme antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë
e Poshtme. Turqit, - shkruante në dhjetor të
vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një
tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të
Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen
të fortifikohen". Por, me gjithë situatën
shumë të favorshme, për mungesë organizimi
të qëndresës antiosmane nga fisnikët vendas,
kështjellat kryesore të Shqipërisë së
Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën
në duart e osmanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët
u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në
viset e çliruara, të cilat i shndërruan në
baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan
me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin
zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë.
Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte
shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt
nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait
të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në
qendër të viseve të lira, shtrihej në
vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në
lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri
të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet
e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve,
të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në
gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica,
krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës
(Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri
të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do
të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet
e katër familjeve të rëndësishme: të
Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të
Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej
osmanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha
kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë.
Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë
Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në
afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë
Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte
ngjarjen më të rëndësishme në luftën
e gjatë e të ashpër që shqiptarët
kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër
Perandorisë Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë
një pjese të rëndësishme të shqiptarëve
të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan,
të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan
përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve
të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.
Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare
(2 mars 1444)
Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme
të vitit 1443, ishte një fitore historike që
duhej mbrojtur e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme
shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në
Shqipëri, kishin treguar se fuqisë ushtarake më
të madhe të kohës, Perandorisë Osmane,
nuk mund t`i bëhej ballë pa bashkimin e forcave
të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe
pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme
shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër
ai e kuptoi se për shqiptarët nuk do të kishte
perspektiva për mbrojtjen e viseve të lira, duke
qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer
copëtimin politik të vendit në një varg
zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë
organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte
burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit,
si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh
të brendshëm me atë të ndërmarrë
në rrafsh ndërkombëtar.
Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të
parë e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi
mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm,
ku të përfaqësoheshin drejtuesit e zotërimeve
të pavarura dhe fisnikë të tjerë të
vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht me
ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos
që të mbahej në Lezhë një kuvend
i fisnikëve shqiptarë.
Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve,
të klerikëve apo të pleqve, ishin një
traditë e njohur kombëtare e shqiptarëve e
trashëguar ndër shekuj, nëpërmjet të
cilave realizohej bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve.
Një kuvend me një përfaqësi kaq të
gjerë kombëtare, që u vendos të mbahej
në Lezhë nga shqiptarët, është i
pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm
për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi
me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë
të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet
e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta
ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht
me ato të Kastriotëve. Për më tej, duke
qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin
mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që
mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë
për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në
drejtim të marrëdhënieve me Republikën
e Venedikut. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një
thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën
kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë
i drejtonin me këtë rast Republikës së
Shën Markut.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2
mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë.
Në të morën pjesë udhëheqës
të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si
dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë
shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti,
Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën
dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë
e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër
djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë
Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të
tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë
Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë
fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi
bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend
dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë
e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit
diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për
realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel
të të cilit vunë institucionin më të
rëndësishëm kombëtar, atë të
besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik
më të lartë vendimmarrës të fisnikëve
shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të
bëhej në formën e një besëlidhjeje
politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve
të lira dhe fisnikëve të tjerë të
vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare
e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e
ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse
si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë
Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i
cili do të mblidhej herë pas here për çështje
të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit
realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm
i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët
dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm
i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej
nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato
të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm
në rast lufte. Ushtria e përhershme formohej me
luftëtarët që fisnikët shqiptarë
dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm
sipas një kuote të caktuar për secilin, si
dhe nga ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu.
Këta formonin bërthamën kryesore të ushtrisë
së përhershme, e cila vazhdimisht ishte në
gatishmëri luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave,
veçanërisht atyre të brezit kufitar lindor
nga vinin zakonisht ushtritë osmane. Detyra kryesore
e ushtrisë së përhershme ishte mënjanimi
i sulmeve të befasishme të trupave osmane mbi viset
e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit të tyre
në thellësi të vendit, derisa të mobilizohej
ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën më
të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes
dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin
përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve
të ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme
përfshiheshin të gjithë banorët e viseve
të lira që ishin në gjendje të përdornin
armët. Në rast nevoje ushtria e përbashkët
mbronte vendin nga pushtuesit osmanë e veprimet armiqësore
të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet
e secilit anëtar të Besëlidhjes.
Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së
ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi
vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej
një arkë e përbashkët. Fondet monetare
të saj do të formoheshin nga ndihmat në të
holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të
jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga
të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që
kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së
lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia e drithit,
e metaleve etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë
politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët
të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve
osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të
organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një
udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj,
edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance
politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës
u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt
bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një
pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare,
pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që,
në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre
dhe Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte
në zotërimet e të tjerëve, por të
ishte si "i parë ndërmjet të barabartëve".
Secili prej anëtarëve të Besëlidhjes kishte
trupa të veçanta për të mbrojtur zotërimet
e interesat e veta dhe ruante të drejtën të
kishte marrëdhënie vetjake me vende e forca të
tjera politike jashtë Besëlidhjes. Realisht vendimet
e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një pozitë
të veçantë ndaj fisnikëve të tjerë
shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon Muzaka,
në kushtet e rrezikut të pushtimit osman, ishin
të detyruar "t`i bindeshin" atij.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm
Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë
vendimtare në luftën kundër pushtimit të
huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të
vrullshëm të procesit të bashkimit politik
dhe shpirtëror të banorëve të krahinave
të ndryshme shqiptare.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të
jetës politike e ushtarake të vendit jo rastësisht.
Për këtë ndikuan: roli i veçantë
i tij në organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme
të vitit 1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve
(që ishte në qendër të viseve të
lira dhe nëpër të kalonin rrugët më
të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore
me jugoret dhe lindoret me perëndimoret), zotërimi
prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin
gjeografik më të përshtatshëm për
administrimin e të gjitha viseve të çliruara,
dhe për të hyrë në kontakte të shpejta
me shtetet e huaja antiosmane, si dhe lidhjet e shumta farefisnore
e martesore të Kastriotëve me shumë familje
fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët, Stres
Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët),
Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë
Skënderbeut që bëri të mundur daljen e
tij në krye të jetës politike e ushtarake të
Shqipërisë. Më tepër se cilido anëtar
tjetër i Besëlidhjes Shqiptare, Skënderbeu
kishte të gjitha cilësitë për drejtimin
me sukses të luftës. Ai i njihte shumë mirë
mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake të
vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët
e kuadrove ushtarakë osmanë e kishte bërë
Skënderbeun njohës po aq të mirë të
fuqisë, organizimit dhe të artit ushtarak të
osmanëve.
2. FITORET E BESËLIDHJES SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN
E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një
bazë të gjerë e të fuqishme organizative,
juridike e morale forcimit të aftësisë mbrojtëse
dhe të gatishmërisë luftarake të vendit.
Barrën kryesore për realizimin e saj Kuvendi ia
ngarkoi Skënderbeut.
Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua
organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës
të vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha
fshatrat e zotërimeve të Kastriotëve për
të regjistruar ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat
e luginat nga mund të sulmonte ushtria osmane, caktoi
informatorë që të vëzhgonin e të
njoftonin menjëherë lëvizjet e armikut, ndërmori
meremetimin e kështjellave dhe pajisjen e tyre me luftëtarë
e armatime. Vëmendje të veçantë i kushtoi
mbrojtjes së ballit lindor të viseve të çliruara,
prej nga mund të futeshin për në thellësi
të tyre ushtritë osmane. Në fund të pranverës
së vitit 1444 mbaruan përgatitjet ushtarake dhe
Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë
që ishin të gatshëm për të mbrojtur
vendin.
Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë
Qendrore e të Sipërme, që formonin një
nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor,
si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë,
përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme,
e cila i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet
politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen
e qarqeve drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan
shqetësim në oborrin osman.
Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman
në tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është
burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani
ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij
më të shquar. Ky duhet të ketë qenë
subashi i Shkupit, Ali Beu. Në krye të disa mijëra
vetave, në qershor të vitit 1444, ai iu drejtua
rajonit më të pasur të çliruar nga Skënderbeu
dhe që ishte më afër Shkupit, Dibrës së
Poshtme.
I informuar me kohë për lëvizjen e trupave
osmane, Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti
një ushtri prej afro 8 mijë kalorësish e 7
mijë këmbësorësh dhe e drejtoi për
në Dibrën e Poshtme. Në afërsi të
tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut. Ishte
beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara
shqiptare dhe për komandantin e tyre.
Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi
në një fushë të palokalizuar të Dibrës
së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet
veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi
me emrin simbolik beteja e Torviollit dhe po kështu si
datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit
1444.
Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë
të hapur dhe e rreshtoi në formë harku të
ndarë në tri pjesë. Në rreshtat e parë
të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe
pas tyre këmbësorinë. Për të drejtuar
zhvillimin e betejës, ai qëndroi me luftëtarët
e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të
djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi), kurse ato
të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa trupave
të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh
nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit.
Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura
forcat e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka
e Hamza Kastrioti.
Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë
të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën
ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë,
në kohën kur forcat e grupimit të qendrës
me Skënderbeun në krye sulmuan trupat e Ali Beut.
Kur armiku ende nuk kishte hedhur në betejë të
gjitha forcat, trupat e tij u sulmuan befasishëm nga
pas prej luftëtarëve të Gjin Muzakës e
të Hamza Kastriotit. E goditur nga të gjitha anët,
së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduara
nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua, pësoi
humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht.
Ajo la në fushën e betejës shumë të
vrarë e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht
dhe arritën një fitore të shkëlqyer. Në
atë betejë, shkruante M. Barleci, "luanët
komanduan luanët".
Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë
në Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi
besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e
Besëlidhjes dhe te lufta e drejtë e tyre për
mbrojtjen e lirisë. Ajo i dha shtysë luftës
antiosmane të popujve të Ballkanit, që filloi
të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim të madh
në oborrin e sulltanit.
Në këto rrethana Murati II u përpoq të
rregullonte marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë
e të Polonisë, Vladislavin IV, të cilit i kërkoi
paqe, dhe më 12 korrik 1444 u nënshkrua në
Seged traktati i saj me një afat dhjetëvjeçar.
Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë javë, sepse,
i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane, Vladislavi
IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një
ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi
në thellësi të Ballkanit deri në Varna.
Vladislavi IV e filloi betejën në kundërshtim
me mendimin e Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444
ushtria e tij u shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi
mbeti i vrarë në këtë betejë, kurse
J. Huniadi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë
hungareze. Fitorja pranë Varnës i dha mundësi
sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta për
të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit,
kundër Shqipërisë u sulën njëra pas
tjetrës dy ushtri osmane, të cilat u pritën
prej shqiptarëve në një luginë të
ngushtë në rajonin e Mokrës, me sa duket në
luginën e lumit Treskë, përgjatë të
cilit kalonte traseja e një prej rrugëve më
të shkurtra për lëvizjen e ushtrive osmane
nga Shkupi në thellësi të tokave të lira
shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë
osmane, që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të
hynte në luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe
e shpartalloi. Pa kaluar shumë kohë erdhi po në
atë luginë një ushtri e dytë e komanduar
nga Mustafai. Pasi ngritën fushimin, trupat osmane filluan
plaçkitjen dhe shkretimin e vendit. Në kohën
kur një pjesë e tyre ishte larguar për të
plaçkitur, Skënderbeu goditi kampin armik, ku
ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe arriti një
fitore të re të shkëlqyer. Po këtë
fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër
osmane, e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat
e Skënderbeut, të radhitura përballë saj,
e thyen në Oronik të Dibrës së Sipërme,
në lindje të Strugës, dhe zunë rob komandantin
osman.
Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare
nën udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi
të madhe për jetën politike të vendit.
Ato forcuan besimin e shqiptarëve se të bashkuar
mund të përballonin me sukses fuqinë ushtarake
të Perandorisë Osmane, rritën autoritetin e
Skënderbeut si komandant i talentuar, si dhe dashurinë
e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh ndërkombëtar
ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës
së tij një rol të veçantë në
luftën kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë
atë në lidhje me forcat e tjera antiosmane të
kohës, si me Hungarinë, me shtetet italiane dhe
me vende të tjera. Jehona e luftës fitimtare të
shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke zënë
vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve
politike të larta të kohës, si papa Nikolla
V, mbreti Alfonsi V i Napolit etj.
Konflikti me Venedikun (1447-1448)
Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të
fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun
e Mesdheut dhe zotëronte një numër qytetesh
e qendrash të rëndësishme ekonomike të
Ballkanit e më gjerë. Në këtë kuadër
një vend të veçantë e rol parësor
kishin zotërimet e Republikës së Venedikut
në Shqipëri.
Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve
që kishte në tokat shqiptare, bënte që
Republika e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë
vëmendje të veçantë ruajtjes së
këtyre zotërimeve dhe forcimit të pozitave
të veta në to. Për këtë qëllim
ajo shfrytëzoi gjendjen politike të krijuar në
Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi i këtij viti
e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë
e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës,
të Janinës e të Kaninës, që ende
mbaheshin nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat
e krijuara nga vdekja e sundimtarit të kështjellës
së Dejës, Lekë Zaharisë, nëpërmjet
nënës së këtij, Boksës, që ishte
motër e Tanush Dukagjinit, në shtator të vitit
1444 Venediku mori Dejën, Shasin si dhe ndonjë kështjellë
tjetër të paidentifikuar të tij. Zotërimi
i Dejës kishte për Venedikun rëndësi të
shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të ardhura jo të
pakta si qendër doganore në kryqëzim të
rrugëve të rëndësishme tregtare. Në
plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte
zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe
ishte për Republikën, siç shprehej vetë
Senati, "hapi i parë" për të hyrë
në viset e çliruara shqiptare.
Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme
të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut
nga viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar
në qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim,
dhe në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait,
Stanishës, i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë
veneciane. Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë
e strategjikë të Republikës së Venedikut
në Shqipëri ishin pjesë e interesave jetikë
të saj në tërë pellgun e Mesdheut Lindor,
ku kishte një numër të madh zotërimesh
dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin
e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët
osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi
të dorës së parë dhe herë pas here
ajo nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446
etj. Një politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë
pushtuese të sulltanëve dhe dëmtonte luftën
e ballkanasve kundër pushtuesve osmanë. Prandaj
ishin të pashmangshme kundërshtitë midis Besëlidhjes
së Lezhës dhe Venedikut.
Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare,
Skënderbeu qysh në fund të vitit 1443, deklaroi
se "ishte trashëgimtar i Balshës dhe donte
vendet që kishin qenë të tij", një
pjesë e të cilave tashmë ishin nën zotërim
venecian. Që në fillim të shek. XV interesat
e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në rajonin
verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare
e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi
në bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në
Ulqin. Prandaj ai e martoi një vajzë të tij
me sundimtarin e rajoneve të Kotorrit e të Gentës,
Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin). Gjoni tregtonte
drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre
interesave, Skënderbeu do ti kërkonte më
pas Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë
me to, rajonin bregdetar përkatës, që të
ishte sa më afër zotërimeve të kunatit
të tij. Në këtë kohë zotërimet
e Stefan Gjurashit njohën një zgjerim të madh
dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri në Medun.
Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve nuk e kërkonte
vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht e
gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës.
Nevojat e luftës antiosmane për mjete ekonomike,
për forca njerëzore e për zotërimin e
kështjellave, që kishin rol parësor në
mbrojten e vendit, kërkonin që edhe qytetet e kështjellat
shqiptare, të cilat ishin nën Venedikun, të
integroheshin me viset e lira shqiptare.
Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër
Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për
fillimin e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur
forcat ushtarake të Venedikut luftonin në Lombardi
kundër trupave të dukës së Milanos, që
ishte aleat i mbretit të Napolit, Alfonsit V. Në
kuadrin e përgatitjeve ushtarake, Skënderbeu i kërkoi
Alfonsit V, në vitin 1447, anije lufte që t'i përdorte
për rrethimin e qyteteve bregdetare që ishin nën
zotërimin e Venedikut, si të Durrësit etj.,
por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut
duhet të ketë shërbyer kështjella e Dejës.
Ajo kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë
dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444,
Deja kaloi në duart e Venedikut. Çështja
e zotërimit të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje
Nikollë Dukagjin, që përkohësisht e mori
atë gjatë kryengritjeve të viteve 30 të
shek. XV, me Lekë Zaharinë, që e mori atë
më pas, dhe me nënën e këtij, Boksën
e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin, që
ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini
ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës,
gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve
me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana,
në vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi
Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve
të saj që t'i shpallej luftë Republikës
së Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën.
Anëtarët e Besëlidhjes e miratuan kërkesën
e Skënderbeut. Në nëntor të vitit 1447
"ushtria e fuqishme e Skënderbeut", siç
shpreheshin qeveritarët venecianë, filloi luftën
dhe sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të
tjera në rajonin e Shkodrës. Aksioni i tyre qe i
fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut që, për
të përballuar gjendjen, të vinte në përdorim
mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime ushtarake
në zotërimet e veta në Shqipëri dhe shpalli
se, personit që mund të vriste Skënderbeun,
do t'i jepte një shpërblim të lartë e
të përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët
e vet të përçanin forcat vendase, sidomos
të shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu
dhe të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte
shqiptarët për t'i futur këta në një
luftë në dy fronte njëkohësisht.
Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të
rrethuar Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të
Besëlidhjes Shqiptare iu drejtuan zonës së
Shkodrës, që ishte zotërimi më i rëndësishëm
i Venedikut në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin
e Shkodrës mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat
e tij. Pasi kaluan lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët
u ndeshën me ushtrinë mercenare veneciane të
komanduar nga Daniel Juriç Sebençini dhe korrën
një fitore të shkëlqyer. Pas kësaj ata
iu drejtuan Shkodrës dhe Drishtit. Për të mbështetur
vazhdimin e veprimeve luftarake shqiptarët ndërtuan
një kështjellë mbi gërmadhat e Ballecit,
që gjendej në rrëzë të malit Maranaj.
Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të
zotërimeve veneciane, u përkrah fuqishëm nga
banorët e këtyre viseve, të cilët shpërthyen
në kryengritje dhe u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes.
Zotërimet veneciane në Shqipëri, siç
shprehej Senati i Venedikut për situatën e krijuar,
ishin në "flakën më të madhe".
Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare t'i shtrinte
veprimet luftarake dhe të futej në thellësi
të këtyre zotërimeve.
Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në
zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë
shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në
drejtim të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar
veprimet me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit
(Cërnojeviçi), si dhe të mbretit të
Bosnjës, Stefan Tomasheviqit, të komanduara nga
Stefan Maramonti.
Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë
nuk qëndroi gjatë në zonën e Tivarit.
Ai kaloi në krahinat lindore të vendit për
të përballuar ushtrinë osmane që, edhe
nën nxitjen e Venedikut, erdhi në këto çaste
në Shqipëri për t'i vënë forcat shqiptare
midis dy zjarreve. Në zonën e Shkodrës Skënderbeu
la Hamza Kastriotin me një pjesë të forcave
për të vazhduar rrethimin mbi Dejën e Drishtin.
Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet
ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti
të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin
në bregun e djathtë të lumit të Bunës.
Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut
në lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga
trysnia ushtarake e shqiptarëve dhe i dha mundësinë
të përforconte mbrojten në zotërimet e
veta.
Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës
(Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane
në Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan
shqetësim të madh në oborrin osman. Për
këtë arsye sulltan Murati II vendosi të vihej
vetë në krye të ushtrisë osmane për
shkatërrimin e forcave shqiptare. Me nxitjen e Venedikut,
ai e filloi fushatën në një çast shumë
të përshtatshëm për të, kur shqiptarët
ishin të zënë në luftën me Republikën
e Shën Markut.
Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu
bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës
në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë
kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të
vinte armiku.
Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të
Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga
vetë sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte
edhe i biri 21-vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti
II, iu afruan brezit kufitar të viseve lindore me qëllim
që të hynin në thellësi të viseve
të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin
osman dhe t'i jepnin fund njëherë e mirë qëndresës
shqiptare.
Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet
e saj mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit),
që ishte baza kufitare më e rëndësishme
në pjesën jugore të ballit lindor të viseve
shqiptare të çliruara, e cila do hapte rrugën
për ripushtimin e Ohrit. Osmanët qysh në fillim,
kur në fund të shek. XIV e pushtuan për herë
të parë Sopotnicën, e riemërtuan Demir
Hisar.
Nëpërmjet zotërimit të kështjellës
së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën
kontrollin e tyre rrugë ndërkrahinore shumë
të rëndësishme (që lidhnin luginën
e Vardarit dhe rajonet e Përlepit e të Manastirit,
të cilat ishin nën pushtimin osman, me viset e lira
shqiptare në perëndim të tyre) si rruga Velesh
- Kërçovë - Rahovnik (Dibër) - Deti
Adriatik, rruga Përlep - Kërçovë - Rahovnik
- Deti Adriatik, rruga Përlep - Resnjë - Ohër
- Strugë - Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir
- Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit.
Gjithashtu Sopotnica gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për
zotërimin e rrugëve ndërkrahinore bëri
që sulltan Murati II të përdorte gjithë
fuqinë e vet ushtarake për rimarrjen e saj. Prandaj
lufta për Sopotnicën është pasqyruar gjerësisht
në veprën e M. Barlecit për Skënderbeun,
si dhe nga kronistë e historianë bizantinë
e osmanë, madje edhe në këngët popullore
shqiptare e sllave. Kronisti bizantin Laonik Halkokondili,
si burimi më i hershëm që flet për këtë
ngjarje, e përmend kështjellën me emrin Sfeti,
qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës
së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad
(sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej
me manastiret e kishat e shumta që ishin në rajonin
e Sopotnicës. Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin
e tij edhe te kronistët e historianët e tjerë
osmanë, emri i kështjellës është
ngatërruar me atë të Koxhaxhikut. Kështjella
e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë
rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe
ruante një rrugë dytësore krahinore, atë
Strugë - Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e
një kështjelle të tillë, pa rëndësi
strategjike, nuk mund të angazhoheshin të gjitha
forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Ngatërrimi
i emrit të Demir Hisarit me atë të Koxhaxhikut
nga Oruçi e autorë të tjerë osmanë
nuk është thjesht vetëm një rastësi,
por ky ngatërrim është bërë sepse
emrin e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë
tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit
të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet
përjashtuar mundësia që në fillim me emrin
e Koxhaxhikut osmanët të kenë emërtuar
përkohësisht edhe vetë kështjellën
e Sopotnicës.
Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës,
sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin
e saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga
prifti matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën
për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm,
duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave
osmane.
Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës
e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën
komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit
vepronte në rrethinat e saj. Skënderbeu organizoi
sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër
rrethuesve të kështjellës dhe luftëtarët
shqiptarë depërtuan edhe në kampin e ushtrisë
osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme.
Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi
për aq kohë, sa osmanët arritën të
zbulonin dhe të prishnin kanalin e furnizimit të
kështjellës me ujë të pijshëm, gjë
që e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve.
Etja e detyroi garnizonin e kështjellës të
hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte ofertën
e tij për t'u larguar i lirë bashkë me armët,
me kusht që të dorëzonte kështjellën.
Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448
Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit
bizantin L. Halkokondili, banorët e Sopotnicës u
masakruan, prandaj, rrëfen ai, Getia iu dorëzua
vetë osmanëve, pa bërë qëndresë.
Emri i Getias nuk gjendet në burimet e tjera historike,
prandaj duhet të jetë Ohri. Ky qytet disa herë
ka kaluar në duart e shqiptarëve dhe të osmanëve
gjatë shek. XV dhe vetëm në fund të viteve
60 do të pushtohej përfundimisht nga sulltan Mehmeti
II, i cili do t'u njihte banorëve të tij disa privilegje.
Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës,
e bashkë me të e Ohrit, ishte një humbje e
rëndë për shqiptarët dhe dobësonte
sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të
lira. Megjithatë, bllokimi për një kohë
relativisht të gjatë i trupave osmane në Sopotnicë
dhe lajmet për përgatitjen ushtarake kundër
osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e detyruan
Muratin II të ndërpriste luftën kundër
shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës
së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë
Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë
të pashlyeshme në vetëdijen historike të
shqiptarëve që banonin në zotërimet e
Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës
Gjorgj Golemi (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve
popullore për këtë personazh të lavdishëm
të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm
historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës.
Mishërimi i saj në krijimtarinë popullore është
një përmendore për luftën heroike të
shqiptarëve gjatë shek. XV.
Paqja me Venedikun (tetor 1448)
Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye
në frontin e luftës kundër Venedikut.
Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të
mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të
J. Huniadi, anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare
mblodhën Kuvendin dhe vendosën që një
ushtri e fuqishme e tyre të bashkohej me forcat e Huniadit
për të organizuar një fushatë ushtarake
të përbashkët kundër pushtuesve osmanë.
Për realizimin e këtij projekti të përbashkët,
ushtria e J. Huniadit do të marshonte drejt viseve verilindore
shqiptare, ku të bashkohej me rreth 20 mijë luftëtarë
shqiptarë që do t`i komandonte vetë Skënderbeu.
Përballë perspektivës që hapte zhvillimi
me sukses i një fushate ushtarake të përbashkët
shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime
me Republikën e Venedikut për t'i dhënë
fund konfliktit të armatosur dhe për të normalizuar
marrëdhëniet me të.
Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan
në kampin ushtarak të Skënderbeut, të
vendosur pranë Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare
e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë
Dukagjini, ndërsa Republikën e Venedikut e përfaqësonte
qeveritari i Shkodrës, Paulo Loredani, dhe i dërguari
i posaçëm i saj, Andrea Venerio.
Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua
më 4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika
e Venedikut do të mbante zotërimet e saj në
tokat shqiptare, duke përfshirë edhe Dejën,
me disa kushte: Skënderbeut do t'i paguante çdo
vit 1 400 dukate, disa anëtarë të Besëlidhjes
Shqiptare do të kishin prej Republikës privilegje
e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin e Skënderbeut
e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore për kripën
e stofrat që mund të blinin në Durrës
etj.
Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan
nga Venediku. Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë
1 400 dukatet e vitit të parë, që sipas traktatit
do t'i merrte brenda 15 ditëve që të përgatitej
për fushatën ushtarake të përbashkët
me J. Huniadin. Ai iu drejtua edhe Raguzës për një
hua në të holla që të përgatitej
ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Me gjithë përgatitjet intensive për luftë
të përbashkët me hungarezët kundër
osmanëve, forcat shqiptare nuk arritën të merrnin
pjesë në betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi,
nuk lejoi ushtrinë shqiptare që të kalonte
nëpër rrugët e zotërimeve të tij.
Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u gjendën vetëm
përballë ushtrisë osmane në betejën
që u zhvillua më 18 tetor 1448 në afërsi
të Prishtinës, të cilën e humbën.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të
4 tetorit 1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e
Venedikut nuk u shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini
në mesin e viteve 50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur
mbështetjen e pashpallur të Skënderbeut (i
cili ndërkohë, sipas qeveritarëve venecianë
në Shqipëri, synonte për vete Drishtin dhe
Tivarin), arritën të merrnin kështjellën
e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën
ato për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku
nënshkruan traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.
Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit I (korrik-tetor
1450)
Fushata ushtarake e sulltan Muratit II kundër Shqipërisë
gjatë vitit 1448 nuk dha përfundimet e dëshiruara
prej tij. Ishte e natyrshme që, pas fitores së vitit
1448 kundër ushtrisë së Huniadit, sulltani
do të kërkonte shkatërrimin e forcave shqiptare.
Në mars të vitit 1449 ai pushtoi qytetin e Artës
dhe zotërimet e despotit të Artës, Leonardit
I (IV) Toko (1448 - 1479), që kishte lidhje me Skënderbeun,
u reduktuan në Shqipërinë e Poshtme në
Angjelokastër, Vonicë e Varnacë, si dhe në
ishujt Leukadë, Qefaloni e Xantë. Prandaj Skënderbeu
i përshpejtoi masat për forcimin e mbrojtjes së
vendit. U riparuan kështjellat, të cilat u përforcuan
edhe me luftëtarë e armatime.
Për fuqizimin e mbrojtjes së viseve lindore, ushtria
shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u përpoq të
çlironte kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradin).
Në këtë aksion morën pjesë me repartet
ushtarake të tyre edhe Gjergj Arianiti, Moisi Arianiti
(Golemi) e Zahari Gropa. Sopotnica u sulmua nga forcat shqiptare
gjatë vitit 1449, por nuk e morën dot. Përpjekjet
e sundimtarëve shqiptarë për të rivendosur
pushtetin e tyre në rajonet e Sopotnicës e të
Ohrit nuk reshtën.
Për forcimin e aftësisë mbrojtëse të
vendit, rëndësi kishin edhe marrëdhëniet
me Venedikun. Në prill të vitit 1449 Skënderbeu
dërgoi në Venedik përfaqësuesit e vet
për t`i kërkuar Senatit të Republikës
ratifikimin e traktatit të paqes të tetorit 1448,
si dhe autorizimin që ai të mobilizonte luftëtarë
nga banorët e zotërimeve veneciane në Shqipëri.
Gjithashtu Skënderbeu i kërkoi Republikës së
Shën Markut të përforconte Shkodrën e
zotërimet e tjera për të penguar kalimin nëpër
to të ushtrive osmane që të mos sulmonin prapa
krahëve forcat shqiptare. Këto kërkesa Senati
i Venedikut i pranoi, kurse nuk pranoi bashkëpunimin
ushtarak me Skënderbeun, që do të çonte
në prishjen e traktatit të paqes së nënshkruar
me sulltan Muratin II.
Sulmi i trupave osmane kundër Shqipërisë nuk
vonoi. Në vitin 1450 sulltan Murati II ndërmori
një fushatë ushtarake shumë të fuqishme,
duke angazhuar në të gjithë ushtrinë e
Perandorisë. Sipas burimeve të kohës, që
përmendin Rrethimin I të Krujës, numri i trupave
osmane arrinte në l00 mijë veta. Por, sipas rrëfimeve
të bashkëkohësve që kanë njohur nga
afër organizimin e ushtrisë osmane, numri maksimal
i trupave të rregullta që mund të merrte pjesë
nëpër beteja larg viseve të tyre ishte rreth
30 mijë veta.
I njoftuar me kohë për lëvizjen e ushtrisë
armike, Skënderbeu përfundoi masat mbrojtëse.
Në vende të sigurta malore dhe në qytetet e
fortifikuara bregdetare ai strehoi popullsinë e paaftë
për luftë, grumbulloi bagëtinë dhe prodhimet
bujqësore në vende të sigurta. Në vjeljen,
grumbullimin dhe transportimin e prodhimeve bujqësore
në ndihmë të popullsisë vuri ushtrinë.
Prodhimet bujqësore të paarrira u asgjësuan,
që armiku të mos kishte mundësi furnizimi me
to.
Skënderbeu mobilizoi popullsinë e aftë për
luftë dhe organizoi një ushtri të fuqishme.
Forcat ushtarake ai i ndau në tri pjesë. Nën
komandën e Kont Uranit vendosi në kështjellën
e Krujës 1 500 luftëtarë vullnetarë të
sprovuar. Mijëra të tjerë i organizoi në
formë çetash që të vepronin në
të gjithë vendin, sidomos pranë rrugëve
për të penguar furnizimin e trupave armike me ushqime
e mallra të tjera, duke sulmuar sidomos karvanet e furnizimit
të tyre. Nga këto më të rëndësishmet
ishin forcat e Gjergj Arianitit, që do të vepronin
kryesisht përgjatë Rrugës Mbretërore (Egnacia).
Detyra më e rëndësishme iu caktua 8 mijë
luftëtarëve që u vunë nën komandën
e drejtpërdrejtë të Skënderbeut. Këta
do të qëndronin kryesisht në rrethinat e Krujës
dhe do të sulmonin pa ndërprerë ushtrinë
osmane që të mos e lejonin atë të përqendrohej
me të gjitha forcat kundër mbrojtësve të
kështjellës së saj.
Gjatë verës së vitit 1450 u grumbulluan në
Manastir rreth 30 mijë veta, që ishte numri maksimal
i të gjitha forcave ushtarake të Rumelisë e
të Anadollit, të cilat mund të grumbulloheshin
dhe të merrnin pjesë në luftime larg vendbanimeve
të tyre. Ata u vunë nën komandën e sulltan
Muratit II, i cili, ashtu si para dy vjetësh në
Sopotnicë, kishte me vete edhe të birin 23-vjeçar,
sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II. Në fund të
muajit korrik 1450, sulltan Murati II iu drejtua viseve të
lira shqiptare. Trupat osmane ishin të pajisura me mjete
ushtarake të shumta e nga më modernet për kohën,
duke përfshirë edhe metal për derdhjen e topave.
Ushtria osmane ndoqi Rrugën Mbretërore (Egnacia).
Gjatë marshimit në drejtim të viseve perendimore
trupat osmane u gjendën nën sulmet e pandërprera
të luftëtarëve të Gjergj Arianitit që
vepronin në formën e çetave. Ushtria osmane
kudo ku kaloi, vinte në dukje kronisti bashkëkohor
bizantin L. Halkokondili, "dogji, duke i vënë
zjarrin çdo gjëje që takonte". Ajo depërtoi
në thellësi të vendit, iu drejtua Krujës
dhe i ngriti çadrat në fushën që shtrihej
në perëndim të saj. Nënkuptohet se një
pjesë e viseve lindore të zotërimeve të
Kastriotëve e të Arianitëve, nëpër
të cilat lëviznin ushtritë pushtuese, përkohësisht
kaloi nën kontrollin osman.
Përballë ushtrisë së fuqishme osmane,
sulltan Murati II mendoi se shqiptarët ishin ligështuar,
prandaj u kërkoi mbrojtësve të kështjellës
së Krujës dorëzimin e saj pa luftë. Ai
i propozoi Kont Uranit një shumë të madhe të
hollash dhe mbrojtësve paprekshmëri gjatë largimit
nga kështjella. Por këto oferta u refuzuan prej
shqiptarëve. Atëherë Murati II urdhëroi
pushtimin me luftë të kështjellës së
Krujës. Pranë mureve të saj osmanët derdhën
topa të fuqishëm. Me to u rrahën muret kështjellës,
një pjesë e të cilave së bashku me portën
e hyrjes u dëmtua. Pas bombardimit osmanët u vërsulën
drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën në
"murin" e pamposhtur të mbrojtësve të
saj, të cilët me luftën dhe qëndresën
e tyre, nuk i lanë të hynin në kështjellë.
Nga jashtë Skënderbeu me luftëtarët e
vet godisnin pareshtur dhe befasishëm ushtrinë armike,
nga drejtime të ndryshme, ditën e natën, dhe
shpesh e sulmonin atë njëkohësisht në
disa drejtime. Me ta bashkëvepronin edhe mbrojtësit
e Krujës. Shpesh këta dilnin nga kështjella
dhe sulmonin befasishëm ose u kundërpërgjigjeshin
goditjeve të trupave osmane.
Duke parë humbjet e mëdha të ushtrisë
së tij prej luftëtarëve të Skënderbeut,
sulltan Murati II urdhëroi asgjësimin e tyre, duke
i ndjekur kudo edhe nëpër male. Por ekspeditat malore
u shkaktuan trupave osmane humbje të rënda. Gjendja
e tyre filloi të përkeqësohej gjithnjë
e më shumë edhe nga mungesa e ushqimeve dhe e mallrave
të tjera, sepse karvanet e furnizimit që vinin nga
Lindja nuk mund të qarkullonin për shkak të
sulmeve shfarosëse të çetave të shumta
shqiptare. Nevojat e ushtrisë për ushqime e mallra
të tjera, sulltan Murati II u përpoq t'i plotësonte
duke u furnizuar prej tregtarëve venecianë nëpërmjet
Durrësit e Shkodrës. Skënderbeu protestoi pranë
qeveritarëve të Republikës së Venedikut
dhe, pasi tregtarët e saj vazhduan të furnizonin
me mallra trupat osmane, atëherë ushtria shqiptare
nisi sulmet kundër karvaneve të tyre.
Lufta nën muret e Krujës vazhdoi gjatë katër
muajve. Osmanët e mbajtën vazhdimisht të rrethuar
kështjellën e Krujës dhe e sulmuan shumë
herë atë për ta pushtuar, por mbrojtësit
e saj qëndruan deri në fund. Ushtria osmane, sipas
burimeve historike, pati me mijëra të vrarë.
Pasi humbi shpresat për mposhtjen e shqiptarëve,
Murati II kërkoi të arrinte një marrëveshje
paqeje me Skënderbeun, por ajo u refuzua. Duke pasur
një ushtri të demoralizuar dhe të lodhur, në
mesin e muajit tetor 1450, me fillimin e stinës së
shirave dhe afrimit të dimrit, sulltan Murati II e ndërpreu
fushatën ushtarake. Gjatë rrugës së kthimit,
derisa kaluan tokat shqiptare, ushtritë osmane u shoqëruan
nga goditjet e pandërprera të luftëtarëve
shqiptarë. Me disfatën e rëndë ushtarake
që pësoi nën muret e Krujës, mbylli jetën
në vitin 1451 Murati II, një nga sulltanët
më të shquar, që me luftëra të vazhdueshme
zgjeroi mjaft kufijtë e Perandorisë Osmane.
Lufta për mbrojtjen e Krujës më 1450 ishte
një nga fitoret më të shkëlqyera të
shqiptarëve kundër fuqisë ushtarake më
të madhe e më agresive të kohës. Fitorja
pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe në
vende të ndryshme të Evropës. Brenda vendit
ajo forcoi më tej besimin e shqiptarëve për
vazhdimin me sukses të luftës çlirimtare
dhe ndikoi në rritjen autoritetit të Skënderbeut
si udhëheqës ushtarak e politik i vendit që
po mbronte lirinë e tyre. Nga ana tjetër, ajo tregoi
domosdoshmërinë e zgjerimit të frontit të
luftës antiosmane, duke përfshirë edhe shtetet
e tjera evropiane. Në rrafsh ndërkombëtar ngjarjet
e vitit 1450 ndikuan në rritjen e vlerësimit për
rolin e shqiptarëve si faktor parësor në kuadrin
e përgjithshëm të luftës antiosmane që
zhvillohej nga vende të ndryshme. Në opinionin e
përgjithshëm evropian Skënderbeu vlerësohej
si një nga personalitetet më të shquara të
kohës. Ky opinion gjendet i shprehur edhe në një
letër që, me rastin e fitores së vitit 1450,
Senati i Raguzës i dërgoi heroit shqiptar: "nuk
gjejmë fjalë të mjaftueshme për të
lavdëruar e admiruar madhështinë e pabesueshme
të shpirtit tuaj, mençurinë e burrërinë
tuaj të pashoqe ... Ju qëndruat me forca të
pakta kundër një armiku të panumërt turqish
... Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë
princat, për të gjithë kombet e emri juaj le
të konsakrojë një famë të përjetshme!"
Përpjekjet për çlirimin e viseve jugperëndimore
në bashkëpunim me Mbretërinë e Napolit.
Beteja e Beratit (26 korrik 1455)
Luftimet e vitit 1450 për mbrojtjen e Krujës sollën
dëme e vështirësi të ndryshme, të
cilat duheshin kapërcyer. Pas largimit të ushtrive
osmane, Skënderbeu ndërmori masa për rivendosjen
e pushtetit të tij në viset lindore të vendit,
ku kishte potencialin kryesor ekonomik e njerëzor. Realizimi
i një detyre të tillë kërkonte mbështetjen
e gjithanshme të Gjergj Arianitit dhe bashkërendimin
e veprimeve ushtarake me të. Prandaj Skënderbeu
forcoi lidhjet me Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën
e tij në vitin 1451.
Skënderbeu i kushtoi vëmendje forcimit të mëtejshëm
të sistemit mbrojtës të vendit. U ndërmorën
punime për riparimin e përforcimin e kështjellave.
Përpara hyrjes kryesore të kështjellës
së Krujës u bënë ndërtime të
veçanta parapritëse për të mbrojtur
muret e saj prej goditjeve të artilerisë. Në
vijim të punimeve në sistemin mbrojtës dhe
rreth 20 km (30 mijë hapa sipas M. Barlecit) larg Sfetigradit,
diku në rajonin e Mokrës, ndoshta në rrjedhjen
e mesme të lumit Treska dhe në jug të krahinës
së Poreçes, shqiptarët ndërtuan kështjellën
e Modrishës (Modrishta) për të penguar kalimin
e trupave osmane në thellësi të vendit nëpërmjet
rrugës Shkup-Kërçovë. Ndërkaq shqiptarët
kishin arritur të rimarrin qytetin e Ohrit dhe rajonin
e tij. Gjatë periudhës së Skënderbeut,
më të shumtën e viteve Ohri ka qenë nën
zotërimin e shqiptarëve, prandaj një lagje
e tij për shekuj ka mbajtur emrin e Skënderbeut.
Ekspeditat ushtarake osmane kundër Shqipërisë
nuk vonuan të rifillonin. Sulltan Mehmeti II që
hipi në fronin osman në vitin 1451, pas vdekjes
së babait të tij, dërgoi kundër Shqipërisë
dy ushtri gjatë vitit 1452.
Ushtria e parë e përbërë prej disa mijë
luftëtarësh nën komandën e Hamza Beut,
pasi kaloi Mokrën u fut në luginën e Modrishës
dhe filloi të ngjitej e lodhur në drejtim të
kështjellës, lartësitë rreth së cilës
ishin zënë natën në fshehtësi prej
ushtrisë shqiptare. Kur pjesa kryesore e ushtrisë
osmane ishte në ngjitje, Skënderbeu urdhëroi
këmbësorinë e vet që ta sulmonte. Pozicioni
i favorshëm i luftimit për shqiptarët, që
sulmonin nga lart poshtë, i dëmtoi rëndë
forcat armike. Ndërkohë kalorësia shqiptare
me Skënderbeun në krye dhe Hamza Kastriotin kaloi
me të shpejtë në luginë dhe u ndërpreu
rrugën e tërheqjes forcave armike, të cilat
pësuan një katastrofë të vërtetë.
Shumica e tyre u vranë dhe shumë të tjerë
ranë robër bashkë me komandantin e tyre Hamza
Beun.
Disa muaj më vonë kundër Shqipërisë
u dërguan mijëra ushtarë të tjerë
osmanë të komanduar nga Debrea. Skënderbeu
vendosi t'i sulmonte befasisht. I shoqëruar nga Hamza
Kastrioti e Moisi Golemi (Arianiti), në krye të
6 mijë kalorësve marshoi gjatë natës me
shpejtësi drejt vendndodhjes së kampit armik. Meqë
forcat osmane diktuan afrimin e shqiptarëve, Skënderbeu
i sulmoi ato menjëherë e nga drejtime të ndryshme
dhe i shpartalloi keqas, duke vrarë dhe komandantin e
tyre, Debrenë. M. Barleci rrëfen se beteja u zhvillua
në fushën e Pollogut që, sipas tij, kufizohej
me qytetin e Shkupit dhe me Mokrën. Sipas përshkrimit
të tij, vendbeteja duhet kërkuar diku në rrjedhjen
e poshtme të lumit Treskë ose në pjesën
veriperëndimore të fushës së Shkupit që
kufizohet me Dervenin. Në burimet historike të shek.
XV emri i Pollogut ndeshet vetëm për një fshat
të vilajetit të Manastirit.
Mbrojtja e viseve shqiptare të çliruara dhe e
ardhmja e tyre vareshin në një farë mase nga
situata politike dhe ushtarake në Shqipërinë
e Poshtme dhe Lindore, që ishin nën pushtimin osman.
Dëbimi i pushtuesve nga këto rajone ishte një
kërkesë e domosdoshme dhe e përbashkët
e të gjithë shqiptarëve, kudo që banonin
në vise të çliruara apo edhe të pushtuara.
Pas luftimeve të vitit 1450, Skënderbeu dhe fisnikët
e tjerë shqiptarë u përpoqën energjikisht
të gjenin rrugët sa më të frytshme për
të përballuar kërcënimin osman. Në
këtë drejtim ata u përpoqën të forconin
lidhjet me vendet e tjera, që t`i angazhonin këta
në luftën antiosmane. Skënderbeu i kërkoi
Republikës së Venedikut që, nën komandën
e tij, të vendoste në Krujë një numër
ushtarësh të saj. Por kjo kërkesë, që
e angazhonte Venedikun në luftën antiosmane, nuk
u pranua prej Senatit të tij, i cili, për më
tej, më 1451 ripërtëriu me sulltanin e ri,
Mehmetin II, traktatin e paqes që ishte nënshkruar
me Muratin II.
Synimi i shqiptarëve për çlirimin e viseve
jugore të vendit, gjeti mbështetjen e mbretërisë
së Napolit, e cila nëpërmjet tokave shqiptare
mund të sulmohej lehtësisht prej trupave osmane.
Prandaj mbreti Alfonsi V synonte të shtrinte influencën
e vet në Ballkanin Perëndimor. Ai u lidh me shumë
sundimtarë të këtyre viseve dhe u premtoi atyre
përkrahje materiale, me kusht që të njihej
si kryezot i krahinave që do të çliroheshin
me ndihmën e tij.
Si forcë kryesore për dëbimin e osmanëve
nga Ballkani, Alfonsi V shihte shqiptarët. Në një
projekt drejtuar Papës në vitin 1451, ai e konsideronte
të mjaftueshëm dërgimin prej tij të një
mijë ushtarëve për të ndihmuar Skënderbeun
e fisnikët e tjerë shqiptarë për çlirimin
e viseve jugperëndimore që ishin nën pushtimin
osman. Shqiptarët u përpoqën të siguronin
nga mbreti Alfonsi V ndihma në ushtarë dhe në
mjete luftarake tepër të nevojshme sidomos për
marrjen e kështjellave dhe çlirimin e viseve të
pushtuara.
Për të konkretizuar bashkëpunimin shqiptaro-napolitan,
fisnikët shqiptarë nënshkruan me oborrin napolitan
disa traktate bashkëpunimi, siç ishte ai i 26
marsit 1451, i nënshkruar nga përfaqësuesit
e Skënderbeut, traktati i 7 qershorit 1451, i nënshkruar
nga përfaqësuesit e Gjergj Arianitit, si dhe traktate
të tjera të nëshkruara nga përfaqësuesit
e Muzak Topisë, të Gjon Muzakës etj. Në
të gjitha këto traktate si problem qendror ishte
çlirimi i viseve të Shqipërisë së
Poshtme. Sipas tyre, viset që do të çliroheshin
me ndihmën e trupave napolitane, do të njihnin si
kryezot të tyre mbretin Alfonsi V (traktati i 26 marsit).
Në traktatin e 7 qershorit ishin shënuar gjithashtu
mënyra se si do të ndaheshin viset shqiptare, pasi
të çliroheshin. Gjergj Arianiti do të merrte
Kaninën, Vlorën me rrethinat dhe do të gëzonte
një sërë të drejtash mbi qytetin dhe krahinën
e Beratit. Përfaqësuesi i Gjergj Arianitit, që
nënshkroi traktatin, do të merrte krahinën
e Vagenetisë (Çamërisë). Në kuadrin
e këtyre përpjekjeve u përfshinë edhe
Simon Zenebishi me të birin, Alfonsin, të cilët
qenë kthyer nga emigracioni dhe u vendosën në
zonën bregdetare pranë Butrintit.
Shqiptarët që banonin në viset e pushtuara
e vazhduan në forma të ndryshme luftën kundër
osmanëve edhe nën ndikimin e fuqishëm të
ngjarjeve që zhvilloheshin në pjesën e çliruar
të vendit. Në dokumentet osmane të atyre viteve
përmenden në rajonet e pushtuara fshatra të
tëra shqiptare si kryengritëse e rebele, spahinj
të zhdukur e që kishin braktisur timaret, spahinj
që nuk pranonin të merrnin pjesë në fushatat
ushtarake kundër tokave të lira shqiptare, spahinj
shqiptarë të cilësuar si "tradhtarë"
që ishin bashkuar me luftëtarët dhe me prijësat
shqiptarë, si me Gjergj Arianitin etj.
Si rrjedhojë e qëndresës që zhvillohej
në Shqipërinë e Poshtme, disa krahina malore
si Kurveleshi, Himara, Këlcyra, Leskoviku e ndonjë
tjetër, prej kohësh qëndronin thuajse krejtësisht
të lira. Në vitet 50 u çlirua zona bregdetare
pranë Butrintit, me qendër kështjellën
e Kastrovilës (Çamëri). Në të u
vendosën trashëgimtarë të familjes sundimtare
të Zenebishëve që përpiqeshin të
zgjeronin zonën e lirë. Gjatë viteve 1452 e
1453 Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) organizoi disa
aksione të suksesshme kundër ushtrisë së
Gjergj Brankoviçit, zgjeroi zotërimet e tij deri
në Moraçë dhe shtiu në dorë Medunin.
Për të lehtësuar zbarkimin e trupave napolitane,
që do të merrnin pjesë në luftë për
çlirimin e viseve shqiptare, u krijua një lidhje
detare e veçantë me mbretërinë e Napolit.
Për këtë qëllim në jug të Durrësit
u rindërtua kështjella e Kepit të Lagjit (kalaja
e Turrës). Pas disa vitesh, po për të lehtësuar
komunikimin nëpërmjet detit me vendet e tjera, Skënderbeu
ndërtoi një kështjellë në Kepin e
Rodonit.
Si qendër e parë për t`u çliruar në
bashkëpunim me forcat napolitane u mendua jo rastësisht
Berati, që ishte kufitar me krahinat e lira. Çlirimi
i tij, si qendër shumë e fortifikuar, krijonte rrethana
shumë të favorshme për dëbimin e pushtuesve
nga krahinat e tjera në lindje, në perëndim
e në jug të Beratit dhe do të sillte izolimin
e një baze tjetër shumë të rëndësishme
ushtarake e administrative të pushtuesve, Kaninën,
duke i prerë kësaj rrugët e komunikimit tokësor
me viset e tjera që ishin nën pushtimin osman.
Aksioni për çlirimin e Beratit jo rastësisht
përkoi dhe u zhvillua i ndërvarur me përpjekjet
energjike të sulltan Mehmetit II dhe të administratës
qendrore osmane për shtrirjen e konsolidimin e pushtimit
osman në rajonet lindore e veriore të viseve të
lira shqiptare, si dhe në rajonin e Fushë-Dardanisë
dhe të pjesës jugore të luginës së
Moravës. Përpjekje intensive për pushtimin
e këtyre rajoneve osmanët i ndërmorën
sidomos gjatë viteve 1454-1455, pasi ata kishin marrë
më 29 maj 1453 Konstandinopojën, e cila konsiderohej
e papushtueshme prej fortifikimeve të fuqishme që
kishte. Rënia e saj tronditi forcat antiosmane të
kohës, kudo që ato vepronin, dhe shënoi fundin
e Perandorisë Bizantine. Përkrah forcave osmane
në luftën për pushtimin e Konstandinopojës
mori pjesë edhe ushtria e Gjergj Brankoviçit.
Në vitin 1454 sulltan Mehmeti II rrethoi qytetin më
të rëndësishëm e më të fortifikuar
të Kosovës pas Shkupit, Novobërdën, emri
i së cilës njihej mirë në vendet e tjera
për prodhimin e arit e të argjendit. Pas një
bombardimi 40-ditor me topa të mëdhenj dhe premtimit
se mbrojtësve e banorëve të saj u garantohej
jeta, Novobërda u dorëzua më 1 qershor 1455
dhe me këtë mori fund periudha e lulëzimit
të saj si qytet. Novobërda u braktis masivisht dhe
një pjesë e banorëve ndoshta u vranë.
Sipas një regjistri osman të vitit 1455, në
roje të fortesës së Novobërdës si
specialistë armësh të ndryshme, si hekurpunues,
marangozë e muratorë, që kujdeseshin për
mirëmbajtjen e saj, ishin gjithsej 27 kryefamiljarë
të krishterë dhe 60 familje myslimane. Këta
të fundit ishin vendosur në Novobërdë,
duke ardhur nga rajone të ndryshme të Rumelisë,
për të garantuar praninë e pushtetit osman
aty.
Lajmi për rënien e Novobërdës, një
qytet ky që njihej shumë edhe jashtë kufijve
të Shqipërisë, qe tronditës dhe u prit
me shqetësime edhe në vende të tjera, si në
Hungari, në Itali etj. Pas marrjes së Novobërdës,
osmanët pushtuan edhe qytete të tjera të Fushë-Dardanisë.
Gjatë verës së vitit 1455, 12 mijë luftëtarë
shqiptarë dhe 500 ushtarë të mbretërisë
së Napolit rrethuan Beratin dhe nisën sulmet për
marrjen e tij. Forcat osmane, që gjendeshin në kështjellë,
hynë në bisedime me shqiptarët për dorëzimin
e saj dhe kërkuan paraprakisht një armëpushim
prej një muaji, kërkesë që u pranua vetëm
për 15 ditë. Ata shpresuan jo më kot që
ushtritë osmane do t'u vinin në ndihmë, sepse
ato tashmë ishin të lira pas marrjes së Novobërdës.
Duke vlerësuar pozitën kyçe të Beratit
dhe rrjedhimet që do të kishte humbja e tij, sulltani
largoi nga Fushë-Dardania mijëra ushtarë osmanë
dhe i nisi për të sulmuar forcat shqiptare që
kishin rrethuar kështjellën e Beratit. Në krye
të tyre vuri tre komandantë të shquar, njohës
shumë të mirë të viseve shqiptare, të
cilët më parë kishin qenë këtu si
sanxhakbejlerë: Isa Beun, Hamza Beun dhe Sebalian. Për
të mos u diktuar prej luftëtarëve shqiptarë
që mbanin të rrethuar kështjellën e Beratit,
ata nuk i kaluan trupat nga rruga e zakonshme e luginës
së Shkumbinit, por u grumbulluan në Manastir dhe
ndoqën rrugën që të çonte në
fushën e Korçës. Duke udhëtuar nëpër
lugina e rrugë që ishin larg qendrave kryesore të
banimit dhe që thuajse nuk përdoreshin më,
trupat osmane u futën natën në kështjellën
e Beratit, pa u vënë re prej luftëtarëve
të Muzak Topisë dhe ushtarëve napolitanë
që ishin vendosur në atë drejtim nga kalonte
rruga e marshimit të osmanëve.
Në pasditen e 26 korrikut 1455 pesë mijë luftëtarët
e Muzak Topisë dhe 500 ushtarët napolitanë,
kur ishin fare të shkujdesur e të shpërndarë,
u sulmuan prej ushtrisë osmane dhe u asgjësuan thuajse
tërësisht. Sapo u njoftuan për sulmin e papritur
të ushtrisë osmane, Skënderbeu dhe Gjergj Arianiti,
që me 7 mijë luftëtarët e tyre ishin larg
e në drejtimin e kundërt me vendin e betejës,
shkuan menjëherë në ndihmë të Muzak
Topisë, por, kur ata arritën në fushën
e luftës, gjithçka kishte përfunduar. Për
më tepër trupat e Skënderbeut e të Gjergj
Arianitit u gjendën të rrethuara dhe beteja rifilloi.
Në sajë të heroizmit masiv të luftëtarëve
të tyre dhe sidomos të Skënderbeut, që
u sul i pari mbi rrethuesit dhe veproi në betejë
njëkohësisht si komandant e si ushtar, shqiptarët
përballuan sulmin osman, arritën të çanin
rrethimin dhe u larguan nga fusha e betejës. Shfarosja
e ushtrisë së Muzak Topisë në betejën
e Beratit ishte humbja më e rëndë që pësuan
shqiptarët gjatë luftës 25-vjeçare nën
udhëheqjen e Skënderbeut.
Edhe pas ngjarjeve të Beratit, shqiptarët nuk hoqën
dorë nga synimet për çlirimin e viseve të
pushtuara. Në dokumentet e vitit 1456 del se Skënderbeu
i vazhdoi lidhjet me Zenebishët, që përpiqeshin
të zgjeronin zonën e çliruar në viset
bregdetare të Shqipërisë së Poshtme, me
qendër Kastrovilën, ndërkohë që forcat
e Mbretërisë së Napolit, pasi dëbuan osmanët,
morën Himarën. Skënderbeu ndërmori aksione
për çlirimin e kështjellave të tjera,
që kanë mbetur anonime në dokumentet e kohës.
Dy vjet pasi e kishte humbur, Skënderbeu u rimori osmanëve
me forcën e armëve, në vitin 1457, qendrën
e rëndësishme doganore e tregtare të Myzeqesë,
Pirgun, që gjendej në grykëderdhjen e lumit
Seman. Bashkëpunimi i Skënderbeut me banorët
e viseve të pushtuara ishte tepër i ngushtë
dhe vazhdoi deri në fund. Në mesin e viteve 60 përmenden
lidhjet e Skënderbeut me despotin e Artës. Marrëdhënie
të tilla Skënderbeu vendosi edhe me shqiptarët
e viseve të largëta, duke përfshirë edhe
ata të Moresë (Peloponezit), të cilët,
kur kaluan në Italinë e Jugut e në Sicili edhe
këtu, në vendbanimet e reja, ruajtën ndër
shekuj kujtimin për Heroin Kombëtar dhe për
ngjarjet e lavdishme të shek. XV, dëshmi kjo e lidhjeve
të tyre me luftën e bashkëkombësve të
udhëhequr nga Skënderbeu.
Fitorja e ushtrisë shqiptare në Ujëbardhë
(1457)
Pas betejës së Beratit të vitit 1455, gjendja
e brendshme politike e Shqipërisë u keqësua
përkohësisht. Asgjësimi i forcave të Muzak
Topisë në Berat shkaktoi lëkundje e frikë
te disa fisnikë shqiptarë, ndonjë prej të
cilëve kaloi edhe në anën osmane, siç
ishte rasti i Moisi Golemit (Arianitit) dhe i Hamza Kastriotit.
Moisi Golemi (Arianiti) i kishte zotërimet në Dibrën
e Sipërme dhe kufitare me viset e pushtuara. I trembur
nga disfata e Beratit dhe i bindur se bashkëpunimi me
pushtuesin nuk do të mbështetej prej banorëve
të zotërimeve të veta, ai iku fshehurazi në
oborrin osman. Për këtë akt Moisiu u shpronësua
dhe zotërimet e pasuria e tij kaluan në duart e
Skënderbeut. Sulltan Mehmeti II i ngarkoi atij drejtimin
e një ushtrie për t`i dhënë Skënderbeut
goditjen përfundimtare pas ngjarjeve të Beratit,
të cilat ishin dobësuar fuqinë ushtarake të
shqiptarëve. Në fund të pranverës së
vitit 1456, ushtria osmane e drejtuar nga Moisiu arriti në
fushën e Oronikut pranë Ohrit dhe në betejën
që u zhvillua aty, u thye keqas prej forcave të
Skënderbeut. Pa kaluar shumë kohë, i penduar
për bashkëpunimin me osmanët, Moisiu u kthye
në Shqipëri për të luftuar besnikërisht
deri në vdekje përkrah Skënderbeut, i cili
e fali dhe i riktheu menjëherë pronat e pasuritë
e konfiskuara.
Lëkundje të tilla u shfaqën edhe tek anëtarë
të rrethit familjar të Skënderbeut, të
cilët ky i ndëshkoi ashpër. Ai shpronësoi
Gjergj Stres Balshën, djalë i motrës së
tij, i akuzuar për bashkëpunim me osmanët.
Kulmin kjo veprimtari e arriti me bashkëpunëtorin
e ngushtë e nipin e Skënderbeut, Hamza Kastriotin.
Me sa duket, në këtë qëndrim ndikoi edhe
humbja e shpresave prej tij për të qenë trashëgimtari
i Kastriotëve, meqenëse Skënderbeut i lindi
djalë. Hamzai kaloi në anën e osmanëve
në një nga vitet më kritike të periudhës
së luftërave të Skënderbeut.
Me vdekjen e J. Huniadit në vitin 1456 u shua qëndresa
e hungarezëve, një nga vatrat më të fuqishme
të luftës antiosmane në Ballkan. I çliruar
nga presioni hungarez, sulltan Mehmeti II e përqendroi
vëmendjen kundër Shqipërisë, i nxitur
edhe nga premtimi i Hamza Kastriotit se me një ushtri
të fuqishme mund t'i jepte grushtin përfundimtar
Skënderbeut.
Në korrik të vitit 1457 u fut në tokat shqiptare
një ushtri e fuqishme osmane (për të cilën
burimet e kohës japin një numër të ekzagjeruar
prej 80 mijë vetash) nën komandën e Isa bej
Evrenozit, i cili sapo kishte fituar një pozitë
krejt të veçantë administrative për
kontrollin e drejtpërdrejtë të rajoneve periferike
lindore e veriore të viseve që ishin nën kontrollin
e Skënderbeut dhe të fisnikëve të tjerë
shqiptarë. Në këtë fushatë atë
e shoqëronte Hamza Kastrioti, që ishte një
njohës shumë i mirë i ushtrisë shqiptare
dhe i artit të saj luftarak. Prandaj Heroi shqiptar ndoqi
kësaj here një taktikë krejt të re.
Skënderbeu me luftëtarët e vet si zakonisht
zuri shtigjet në trevat lindore të Dibrës,
ku priti afrimin e ushtrisë osmane. Pas disa ndeshjeve
të parëndësishme me të, ai e shpërndau
përkohësisht masën kryesore të luftëtarëve
shqiptarë dhe u tërhoq në mënyrë
të tillë që armiqtë të bindeshin
se i kishin shpartalluar shqiptarët dhe se Skënderbeu
ishte braktisur prej luftëtarëve të vet. Kjo
manovër e tij pati sukses të plotë aq sa, më
31 korrik 1457, qeveritari venecian i Durrësit e njoftonte
dukën e Republikës se: "i madhërishmi
Skënderbe ka marrë malet për të shpëtuar
kokën dhe e kanë braktisur të gjithë".
Trupat osmane u futën në thellësi të vendit,
zbritën në zonën e Matit dhe nuk ranë
në gjurmët e luftëtarëve shqiptarë,
gjë që i bindi se ushtria shqiptare vërtet
ishte shpartalluar. Më 2 shtator të vitit 1457,
kur ushtarët osmanë po pushonin të shkujdesur
në fushën e Ujëbardhës, pranë Mamurasit,
Skënderbeu, pasi grumbulloi dhe organizoi me shpejtësi
forcat e veta, e goditi befasisht ushtrinë armike në
disa drejtime. Të ndodhura në gjumin e mesditës,
pa armë e me kuaj të pashaluar, trupat osmane pësuan
një katastrofë të plotë. Shumica e tyre
u vranë e ranë robër në duart e shqiptarëve.
Fitorja i befasoi bashkëkohësit, të cilët
shkruanin ato ditë se "Skënderbeu me një
grusht ushtarësh theu, mposhti dhe dërrmoi një
ushtri të pamasë turqish", "thuhet se
më tepër se 30 mijë turq u vranë ose u
zunë rob prej tij" etj., etj. Midis robërve
të shumtë ishte edhe Hamza Kastrioti, të cilin
Skënderbeu e futi në burgjet e Italisë dhe
më vonë e lejoi që të shkonte për
të banuar në Turqi.
Fitorja në betejën e Ujëbardhës pati rrjedhime
pozitive të shumanshme politike dhe ushtarake në
Shqipëri. Ajo ishte një goditje vendimtare kundër
lëkundjeve në gjirin e aristokracisë shqiptare
dhe ndikoi në forcimin e pushtetit politik të Skënderbeut
mbi gjithë viset e lira shqiptare. Pas disfatës
së rëndë të vitit 1457 në betejën
e Ujëbardhës, sulltan Mehmeti II ndërpreu përkohësisht
sulmet kundër Shqipërisë dhe vetëm në
vitet 60 do të dërgonte kundër saj ushtri të
fuqishme.
Regjistrimet kadastrale osmane të viteve 50
Angazhimi gjatë viteve 1448 dhe 1450 kundër Skënderbeut
i të gjithë potencialit ushtarak të Perandorisë
Osmane nën drejtimin e vetë sulltan Muratit II bashkë
me të birin e tij, sulltanin e ardhshëm Mehmetin
II, synonte nënshtrimin me çdo kusht të viseve
të lira shqiptare. Në këto rrethana ai ngriti
mbi lumin Vardar urën e gurtë të Shkupit. Masa
energjike ndërmori në këtë drejtim, pas
ardhjes në pushtet, sulltani i ri, Mehmeti II.
Ekspeditat ushtarake kundër viseve të lira shqiptare
gjatë viteve 1452-1455, ky sulltan i bashkëshoqëroi
edhe me regjistrimet kadastrale të rajoneve të gjera
shqiptare. Madje në luftën për nënshtrimin
e viseve shqiptare gjatë vitit 1455 u angazhua edhe vetë
sulltan Mehmeti II, kampi i të cilit, në mesin e
muajit qershor 1455, ishte vendosur në fshatin Reçan
të Prizrenit, por këtë qytet nuk e mori dot.
Në fillim të vitit 1456 osmanët pushtuan përkohësisht
Medunin.
Për të mbajtur viset e lira shqiptare nën goditje
ushtarake të pandërprerë, sulltan Mehmeti II
krijoi një njësi administrative të veçantë
në një pjesë të konsiderueshme të
tyre me afro 240 hase e timare përgjithësisht të
mëdha dhe i shënoi në një regjistër
kadastral të veçantë. Në të u përfshinë
rajonet e Gostivarit e të Tetovës, të Kaçanikut
bashkë me një pjesë të rajonit të
Shkupit, të Rrafshit të Dukagjinit (pa qytetet e
Prizrenit e të Pejës, sepse osmanët nuk kishin
mundur ti pushtonin), të Zveçanit (Mitrovicës),
të Plavës e Gucisë, të Jeliçes
(Sanxhaku) etj., duke përfshirë edhe një pjesë
të Bosnjës Jugore. Me këtë organizim të
veçantë, që nuk pati jetë të gjatë,
synohej të shkëputeshin e nënshtroheshin rajonet
lindore e veriore të viseve të lira shqiptare, duke
ia dhënë ato nën zotërim Isa Beut, që
ky të vepronte energjikisht për zotërimin e
tyre.
Zeameti i Isa Beut prej rreth 150 fshatrave shtrihej në
të gjitha krahinat e njësisë administrative
të drejtuar prej tij, që duhej t`i jepnin afro 800
000 akçe. Me zeamete të tjera u pajisën familjarët
e tij, madje edhe gruaja. Pjesa dërrmuese e timareve
iu shpërnda personave të afërm me Isa Beun
dhe që i shërbenin atij. Ky ishte apogjeu zyrtar
i fuqisë ekonomike, politike e ushtarake të Isa
Beut si funksionar i lartë osman.
Faktikisht pushteti i tij nuk u shtri mbi viset e sipërpërmendura,
madje as në vilajetin e Kalkandelenit (Tetovës)
që ishte më afër Shkupit dhe më i begati
nga rajonet e tjera, popullsia e të cilit i paguante
afro 500 000 akçe tatime Isa Beut e njerëzve të
tij. Në këtë vilajet, ndër të tjerë,
kishin haset e tyre gruaja e tij dhe djali i tyre, Mehmet
Çelebiu, si dhe përfaqësues të famijeve
të njohura fisnike shqiptare, si Hasan bej Zenebishi,
që ishte subash i vilajetit të Kalkandelenit, Jusuf
çelebi Muzaka (të cilit për pak kohë
iu dha në zotërim hasi i djalit të Isa Beut),
Kasem Dukagjini etj. Megjithëkëtë detyrat e
tyre si funksionarë osmanë ata nuk i ushtruan dot
për ndonjë kohë të gjatë, sepse ai
rajon mbeti thuajse vazhdimisht nën kontrollin e Skënderbeut.
Banorët e rrjedhjes së sipërme të lumit
Vardar kanë ruajtur në kujtesë faktin se osmanët
i pushtuan këto vise pas shumë luftimesh që
zgjatën vite të tëra. Mbrojtësit e kështjellës
së Sobrit, që kontrollonte rrugën Shkup-Tetovë,
përmenden vazhdimisht si të vrarë. Si rrjedhojë,
edhe numri i familjeve myslimane të qytetit të Tetovës
erdhi duke u pakësuar, ndërkohë që rritej
numri i tyre në Shkup, i cili mbeti nën pushtimin
e pandërprerë osman. Në këtë kohë
në Shkup u bënë shumë ndërtime, midis
të cilave u dalluan mjaft vepra të rëndësishme
arkitekturore dhe artistike. Gjatë shek. XV u ndërtuan
vepra monumentale të gjinive të ndryshme, si ndërtime
mbrojtëse dhe inxhinierike, ndërtimet e kultit dhe
ndërtime të arkitekturës popullore si çarshi,
hane, banesa etj. Midis këtyre veprave shquhen Ura e
gurtë në lumin Vardar (Shkup), xhamitë e sulltan
Muratit II, të Isa Beut, Mustafa Pashës etj., banjat
publike të Isa Beut e të Daut Pashës, ujësjellësi
i Mustafa Pashës, hanet e Sulës e të Kapanit
etj.
Për të kompensuar pozitën administrative, politike
dhe ekonomike të projektuar për Isa Beun, por që
nuk pati sukses, ai u emërua subash i vilajetit të
Shkupit, siç e tregon një shënim i shkruar
në muajin qershor të vitit 1457 në regjistrin
kadastral përkatës. Ndërsa subashi i mëparshëm
i Shkupit kishte një has që i jepte më pak
se 100 000 akçe të ardhura vjetore, Isa Beut iu
dha një has që i siguronte afro 240 000 akçe
në vit, të ardhura këto shumë më
të vogla nga ato të postit të mëparshëm.
Krahas njësisë administrative në zotërim
të Isa Beut, sulltani krijoi gjatë vitit 1455 në
rajonin e Fushë-Dardanisë e më gjerë një
njësi administrative të dytë, të emërtuar
"Vilajeti i Vukut", sipas emrit të ish-sundimtarit,
Vuk Brankoviçit. Ky vilajet kishte 8 nahije dhe afro
180 timare. Nahijet më të mëdha për nga
numri i fshatrave ishin Labi (Llapi) me 229 fshatra, Vuçiterni
me 137, Morava me 128, Topolnica me 81, Klopotniku me 42 dhe
Prishtina me 40 fshatra. Gjatë vitit 1455 u ndërmorën
regjistrime kadastrale osmane edhe në rajone të
tjera, si në Sanxhakun Shqiptar etj.
Regjistrimet e mësipërme mbetën për shumë
vjet akte formale. Prandaj më 1458, 1459 dhe 1463 u angazhua
sërish vetë sulltan Mehmeti II për nënshtrimin
e rajoneve të mësipërme, duke pushtuar, ndoshta
përkohësisht, Prizrenin në vitin 1458, më
pas Lipjanin, Vuçiternin dhe në vitin 1463 Pejën.
Gjatë viteve 1454-1456 pushtohet thuajse krejtësisht
Despotati serb i Gjergj Brankoviçit, i cili ishte lidhur
ngushtësisht me oborrin osman, si nëpërmjet
vasalitetit ashtu edhe lidhjeve martesore. Në dhjetor
të vitit 1456 vdiq si i mërguar në Hungari
Gj. Brankoviçi dhe pas dy vjetësh, në janar
të vitit 1458, vdiq edhe djali e trashëgimtari i
tij Llazari. Në mars të vitit 1458 osmanët
pushtuan kryeqytetin e Rashës, Smederevën, por po
atë muaj banorët i dëbuan pushtuesit nga qyteti
i tyre. Djali i mbretit Thoma Tomasheviq të Bosnjës,
Stefani, u martua me vajzën e Llazar Brankoviçit
dhe, me ndihmën e oborrit hungarez e si vasal i tij,
u shpall despot i Rashës në mars të vitit 1459.
Kundërveprimi osman qe i menjëhershëm dhe despoti
Stefan në qershor të atij viti e braktisi përfundimisht
shtetin serb të Rashës dhe në vitin 1461 u
bë mbret i Bosnjës.
Gjatë vitit 1463 sulltan Mehmeti II ndërmori fushata
ushtarake shumë të fuqishme për nënshtrimin
e Ballkanit; pushtoi Bosnjën, Morenë (Peloponezin)
dhe emëroi masivisht timarlinj të rinj në viset
shqiptare për t`i rivendosur ato nën pushtetin e
tij. Për të mbajtur të nënshtruar Bosnjën,
sulltani u përpoq të vendoste nën kontrollin
e tij kështjellat pranë rrugëve kryesore që
të çonin në Bosnjë, si Zveçanin,
Jeliçën (Pazarin e Ri) etj. Edhe pse për
ruajtjen e këtyre kështjellave sulltan Mehmeti II
caktoi spahinj të rinj, ai realisht nuk arriti t`i fuste
nën kontroll të plotë rajonet e ish-njësisë
administrative, që në vitet 50 ia kishte dhënë
Isa Beut për t`i administruar.
Skënderbeu vazhdoi të përkujdesej për
viset veriore shqiptare. Në fillim të muajit shtator
të vitit 1464, ai i nisi trupat e veta në drejtim
të Sjenicës, në viset e ish-Despotatit të
Rashës, dhe u ndesh me trupat osmane, të cilat i
shpartalloi përfundimisht. Ky aksion ushtarak i suksesshëm
i Skënderbeut u ndërmor në kuadrin e rigjallërimit
të bashkëpunimit të tij me Hungarinë.
Nga fundi i vitit 1463 deri më 1465 mbreti Matia Korvini
i Hungarisë ndërmori një varg aksionesh luftarake
kundër osmanëve në Bosnjë dhe arriti të
çlironte Bosnjën Veriore.
3. FORMIMI I SHTETIT TË BASHKUAR SHQIPTAR NËN DREJTIMIN
E
GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut
Kryengritja fitimtare e nëntorit të vitit 1443 dhe
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë i mbajtur në
mars të vitit 1444 në Lezhë, sollën ndryshime
rrënjësore në organizimin administrativ, politik
e ushtarak të viseve të çliruara shqiptare.
Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të
gjerë politik e ushtarak të vendit në formën
e një aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë
të aristokracisë shqiptare. Organi më i lartë
qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i fisnikëve.
Organe të përhershme të Besëlidhjes ishin
kryetari i saj, ushtria dhe arka e përbashkët, në
krye të të cilave u caktua një njeri i vetëm,
Skënderbeu.
Vendimet e Kuvendit i dhanë mbështetje ligjore e
morale pozitës së veçantë të Skënderbeut,
si kryetar i Besëlidhjes, në marrëdhëniet
me fisnikët e tjerë shqiptarë. Këtë
pozitë ai e shfrytëzoi për të bashkuar
sa më organikisht viset e lira shqiptare, nëpërmjet
forcimit të pareshtur të autoritetit të pushtetit
të tij. Si kryetar i Besëlidhjes ai ushtronte të
drejtën për t'i thirrur ose jo në Kuvend anëtarët
e saj.
Për nevojat e mbrojtjes e të vijimit të luftës,
anëtarët e Besëlidhjes pranuan krijimin e organeve
qendrore, të përqendruara në një dorë
të vetme, në atë të Skënderbeut.
Vendimet e Kuvendit i ngarkonin ata me detyrime politike,
ushtarake e ekonomike. Kështu, në luftë kundër
Venedikut gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë
edhe personalitete drejtuese, të cilëve nuk u ishin
cenuar drejtpërdrejt interesat nga pushtimi venecian,
si Gjergj Arianiti. Në këtë luftë dhe
në bisedimet për nënshkrimin e traktatit të
paqes, Skënderbeu ishte figura qendrore e palës
shqiptare, edhe pse nën pushtetin e Venedikut nuk ishin
përfshirë zotërime të Kastriotëve,
siç kishte ndodhur me ato të disa fisnikëve
të tjerë.
Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët i ruanin
të gjitha të drejtat e mëparshme mbi zotërimet
e veta. Kjo bënte që në qëndrimin e tyre
të shfaqeshin edhe dukuri të tilla, si mospërmbushja
e detyrimeve të caktuara në Kuvend, mospjesëmarrje
në luftë, lëkundje ndaj vështirësive
e presioneve të pushtuesve osmanë, mosmarrëveshje
me njëri-tjetrin, mbajtja e ushtrive jashtë kuadrit
të Besëlidhjes etj.
Me kalimin e viteve u bë gjithnjë e më e domosdoshme
të kapërceheshin sa më parë dobësitë
e brendshme, të cilat pengonin zhvillimin me sukses të
luftës. Detyra e mbrojtjes së viseve të lira
shqiptare kërkonte që mobilizimi i banorëve
në to dhe ruajtja e kështjellave të mos mbeteshin
në duart e zotërve të veçantë.
Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të
shqiptarëve e favorizonte shumë autoriteti i madh
gjithnjë në rritje që Skënderbeu kishte
te bashkëkombasit e vet, tek i cili këta shihnin
drejtuesin e aftë dhe komandantin e talentuar, që
vazhdimisht po u sillte fitore.
Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut
ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet
të përbashkët të fisnikëve shqiptarë,
të cilët i kishin fituar dhe i mbanin zotërimet
e tyre në sajë të fitoreve që po korrte
ushtria e Besëlidhjes. Duke ruajtur përgjithësisht
të drejtat ekonomike feudale, zotërimet e tyre e
humbën gradualisht autonominë politike dhe u njësuan
me ato të Kastriotëve. Duke kujtuar këto ndryshime,
Gjon Muzaka shkruante se shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve
të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu
ndodhte ngaqë ky "kishte në dorë ushtrinë,
dhe ata kishin gjithnjë turkun mbi krye". Ata ishin
të varur nga Skënderbeu, sepse nuk ishin të
fuqishëm dhe pa përkrahjen e tij nuk mund të
përballonin dot furinë osmane. Integrimi në
një shtet të përbashkët nuk i dëmtonte
rëndë interesat e tyre ekonomike. Duke përmbushur
detyrimet ndaj pushtetit qendror të Skënderbeut,
fisnikët ruanin të drejtën e administrimit
të pronave të veta po nëpërmjet aparatit
të tyre të mëparshëm administrativ dhe
ekonomik, i cili tani konsideroj si pjesë e aparatit
shtetëror të përbashkët, të drejtuar
nga Skënderbeu. Fisnikët shqiptarë kaluan kështu
në vartësinë e zakonshme feudale ndaj kryezotit
të tyre, Skënderbeut.
Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për
afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të
qëndrueshëm të zotërve të fuqishëm
shqiptarë e rrjedhimisht, të të gjithë
vendit. Ndër to më të rëndësishmet
ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri
të zakonshme këto në shoqërinë feudale.
Martesa të tilla ishin bërë që në
kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën,
familja e së cilës, sipas M. Barlecit, jetonte në
Pollog (me këtë ai emërtonte rajonin që
shtrihej nga qyteti i Shkupit në lindje deri në
krahinën e Dervenit në perëndim, ndoshta edhe
rajonin në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë).
Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut
ishin martuar me anëtarë të familjeve më
të fuqishme të kohës: Mara me Stefan Gjurashin
(Cërnojeviçin), Jella me Stres Balshën, Angjelina
me Vladan Arianitin, vëlla i Gjergj Arianitit, Vlajka
me Gjon Muzakën. Veç këtyre, Heroi shqiptar,
i cili qysh në vitin 1443 e kishte cilësuar veten
si trashëgimtar të Balshajve, bëri lidhje martesore
të tjera. Vetë u martua me Donikën, vajzën
e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën
e martoi me Muzak Topinë. Zotërimet e Arianitëve
e të Topiajve kishin një rëndësi të
veçantë strategjike për mbrojtjen e vendit,
sepse nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnacia)
dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të
Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme,
nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të
futeshin në thellësi të tokave të lira
shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre,
Krujën. Lidhjet martesore të shumta lehtësuan
veprimtarinë politike të Skënderbeut për
integrimin sa më të plotë të viseve shqiptare
nën pushtetin qendror të tij. Edhe në radhët
e këtyre familjeve kishte individë të pakënaqur
nga forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut.
Kështu, p.sh., në vitin 1455 Muzak Topia ankohej
për mosmarrëveshjet që kishte me kunatin e
vet, Skënderbeun.
Shprehje e qëndrimeve divergjente ndaj procesit të
forcimit të pushtetit qendror të Skënderbeut
ishin edhe përpjekjet e ndonjë përfaqësuesi
të familjeve aristokrate shqiptare për të pasur
lidhje vetjake me vende të tjera, si me Napolin, Venedikun
etj. Këto qëndrime shfaqeshin sidomos kur tek ata
dobësohej besimi se shqiptarët mund të përballonin
vetëm luftën me ushtrinë osmane. Kështu,
p.sh., pas rënies së Sopotnicës (1448) dhe
Rrethimit të Parë të Krujës (1450), disa
nga anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës
kërkuan individualisht mbështetjen e përkrahjen
e vendeve të tjera, duke nënshkruar me ta një
numër traktatesh. Krahas traktatit të 26 marsit
1451, që dy ambasadorë të Skënderbeu e
nënshkruan në emër të tij dhe të
"familjarëve të tij e të baronëve
të Shqipërisë" me mbretin Alfonsi V të
Napolit, traktate të ngjashme lidhën pas disa muajsh
me mbretin e Napolit ambasadori i Gjergj Arianitit (7 qershor
1451), përfaqësuesit e Muzak Topisë, Gjon Muzakës
etj. Për të neutralizuar prirjet decentralizuese
që po rishfaqeshin në radhët e fisnikëve
shqiptarë pas fushatave ushtarake osmane të viteve
1448 dhe 1450 dhe për të ruajtur bashkimin politik
të vendit, Skënderbeu forcoi lidhjet familjare me
personalitetin politik më të rëndësishëm
shqiptar pas tij, Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën
e tij, Donikën.
Krahas lidhjeve vetjake me shtetet perëndimore, pati
edhe raste që ndonjë nga fisnikët shqiptarë
hyri në marrëveshje me osmanët, siç
vepruan Muzakajt më 1451 dhe Dukagjinët më
1452 e më pas. Zotërimet e Muzakajve, si kufitare
në jug me viset e pushtuara, ishin vazhdimisht të
konfrontuara me osmanët, kurse ato të Dukagjinëve
kontrollonin rrugët tregtare që sillnin të
ardhura të mëdha nga qarkullimi i mallrave ndërmjet
rajoneve bregdetare dhe fushave verilindore (të Rrafshit
të Dukagjinit e të Fushë-Dardanisë), që
ishin vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve
osmane, derisa më 1455 filloi ripushtimi i rajoneve verilindore
e veriore të viseve të lira shqiptare.
Lëkundjet në gjirin e aristokracisë shqiptare
u thelluan edhe më tej pas disfatës së vitit
1455 në betejën e Beratit. Duke e gjykuar si të
pashpresë vazhdimin e mëtejshëm të luftës
kundër osmanëve, Moisi Arianiti (Golemi), Gjergj
Stres Balsha (djalë i motrës së Skënderbeut)
dhe Hamza Kastrioti (djali i vëllait të tij) kaluan
në bashkëpunim të hapur me osmanët.
Shpartallimi prej Skënderbeut i lëkundjeve dhe tendencave
separatiste, që arritën deri në bashkëpunim
të hapur me pushtuesit osmanë, u bë faktor
i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin
e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe
krijimin e një shteti të vetëm shqiptar. Në
këtë proces u përfshinë edhe rajonet periferike
jugore e veriore të vendit, ku shtriheshin zotërimet
e Arianitëve dhe të Dukagjinëve. Integrimi
i tyre në shtetin e Skënderbeut u bë më
vonë se në viset e tjera dhe në fillim të
viteve 60 mund të quhej i kryer.
Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut mbi zotërimet
e Arianitëve eci më lehtë se mbi ato të
Dukagjinëve. Në këtë proces ndikonin lidhjet
martesore të familjes së Skënderbeut me Arianitët
dhe sidomos fakti që zotërimet e këtyre ishin
kufitare dhe qenë vazhdimisht nën kërcënimin
e pushtimit osman. Pushteti qendror shtetëror u forcua
aq shumë mbi Arianitët saqë, pas vdekjes së
Gjergj Arianitit, më 1461, djemtë e tij ishin të
detyruar të përmbushnin urdhrat e Skënderbeut.
Djali i madh i Gj. Arianitit, Thomai, në emër të
tij dhe të dy vëllezërve më të vegjël,
në qershor të vitit 1461, u pranua në audiencë
nga duka i Venedikut me letërekomandimin e Skënderbeut.
Ndaj një vartësie të tillë të plotë,
e ëma e tyre, që ishte edhe vjehrra e Skënderbeut,
në fund të vitit 1463 do t`u shprehte pakënaqësinë
e saj shteteve të tjera.
Më e vështirë qe rruga e përfshirjes së
zotërimeve të Dukagjinëve në shtetin e
Skënderbeut. Deri më 1455, kur sulltan Mehmeti II
filloi veprimet intensive për pushtimin e Fushë-Dardanisë
e të Rrafshit të Dukagjinit, zotërimet e Dukagjinëve
nuk i kishin ndier dhe aq pasojat shkatërrimtare të
sulmeve osmane, sepse ende kufizoheshin me vise të papushtuara
dhe lidheshin me to me rrugë tregtare që sillnin
të ardhura të rëndësishme doganore. Prandaj
Dukagjinët, veçanërisht gjatë viteve
1450-1455, ndoqën një politikë deri diku të
veçuar nga ajo e Besëlidhjes, duke u afruar edhe
me osmanët për shkak të interesave ekonomike
e tregtare. Skënderbeu përdori mjete të ndryshme
që t'i largonte ata nga osmanët, duke kërkuar
edhe ndërmjetësinë e shteteve të huaja,
si të Papatit etj. Në vitin 1452 ai nënshkroi
një akt bashkëpunimi me Pal e Nikollë Dukagjinin.
Me pushtimin prej turqve të Fushë-Dardanisë
dhe të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit
gjatë viteve 1455-1462 edhe zotërimet e Dukagjinëve
u dëmtuan rëndë dhe iu ekspozuan tërësisht
të njëjtit rrezik. Në këto kushte Dukagjinët
i ndërprenë lidhjet me osmanët dhe në
fund të viteve 50 ata dalin të lidhur plotësisht
me pushtetin qendror të Skënderbeut. I pakënaqur
nga kjo vartësi, Lekë Dukagjini do të ankohej
më 1463 se "nuk donte të ishte nën Skënderbeun".
Por një proces i tillë ishte i pashmangshëm
dhe i domosdoshëm në kushtet e luftës kundër
rrezikut të përbashkët, pushtimit osman. Në
dokumentet e viteve 60 gjithnjë e më shumë
flitet për shtetin e Skënderbeut.
U arrit kështu të përfshiheshin në një
shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare.
Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumenjve Devoll
e Seman dhe përfshinin në veri kështjellat
e Jeliçës (Pazarit të Ri) e të Zveçanit
(Mitrovicës) bashkë me rajonet e tyre. Në perëndim
shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin
në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe
në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të
Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim
po të këtij qyteti.
Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira shqiptare
në një shtet të përbashkët u pasqyrua
edhe në raportet publike midis fisnikëve shqiptarë,
si dhe me vendet e tjera. Ndërprerja e veprimtarisë
së pavarur politike të fisnikëve shqiptarë
ka gjetur shprehjen e vet edhe në dokumentet e kohës,
ku emrat e tyre, me kalimin e viteve, dalin gjithnjë
e më rrallë dhe, që nga fillimi i viteve 60,
thuajse nuk do të përmenden më. Në dokumentet
e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtuese
e jetës politike të vendit. Nga "zot"
i Krujës, që përmendet në vitet 40, ai
do të cilësohet më pas "zot i Arbërisë"
dhe më 1464, me rastin e ardhjes së papa Piut II
në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun.
Përfshirja e të gjitha viseve të lira shqiptare
në një shtet të vetëm u pasqyrua edhe
në marrëdhëniet e tij me oborrin osman. Prandaj
në vitin 1463 sulltan Mehmeti II nënshkroi traktat
paqeje vetëm me Skënderbeun dhe ai ishte i detyrueshëm
edhe për fisnikët e tjerë shqiptarë, siç
dëshmojnë p.sh. mirë dokumentet e kohës
që kanë shënuar pakënaqësinë
e trashëgimtarëve të Gj. Arianitit për
të përmbushur detyrimet që rridhnin prej tij.
Rreziku i përhershëm osman mbi jetën e shqiptarëve
ndikoi që, në procesin e formimit të një
shteti të vetëm shqiptar në të gjitha
viset e lira, të vepronin kryesisht faktorët e mirëkuptimit.
Bashkimi dhe përfaqësimi i familjeve të mëdha
aristokrate shqiptare në një shtet të përbashkët
u shpreh edhe në lidhjet martesore ndërmjet tyre,
veçanërisht me Kastriotët, në simbolet
shtetërore që lidheshin me të, si dhe në
individualitetin kombëtar të tij dhe në traditën
historike vendase.
Organizimi shtetëror
Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që
u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh
në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror
administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve
dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të,
sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh
historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Organet drejtuese
të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet
e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi
duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të
gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ
dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë
u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare
u përfshinë kështu në një administratë
të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një
monarkie feudale.
Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore
dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit,
Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli
i Luftës.
Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme
dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore.
Për pushtetin e tij do të flitet më poshtë.
Kuvendi i Fisnikëve shqiptarë ishte institucioni
më i lartë vendimmarrës i shtetit shqiptar.
Si organ pushteti ai mblidhej herë pas here për
çështje shumë të rëndësishme
dhe që kishin të bënin kryesisht me pjesëmarrjen
e shqiptarëve në luftë përkrah apo kundër
vendeve të tjera dhe me nënshkrimin me to të
traktateve të paqes. Kuvendi i Fisnikëve qëndroi
si institucion deri në fund të jetës së
Skënderbeut dhe nëpërmjet tij ruhej bashkimi
i shqiptarëve.
Këshilli i Lartë ishte organ i përhershëm
këshillimor pranë kryetarit të shtetit, që
shprehte interesat e fisnikëve shqiptarë. Anëtarët
e tij ishin bashkëpuntorët më të ngushtë
të Skënderbeut, si Pal Engjëlli, Kont Urani,
Tanush Topia, Moisi Golemi (Arianiti) etj. Këshilli i
Lartë shqyrtonte çështje të rëndësishme
të jetës së brendshme të shtetit shqiptar
dhe të marrëdhënieve të tij me vendet
e tjera.
Këshilli i Luftës kishte një veprimtari të
kufizuar dhe mblidhej kryesisht gjatë aksioneve luftarake
për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm
të ushtrisë shqiptare, Skënderbeun. Në
të bënin pjesë komandantët e reparteve
ushtarake.
Krahas organeve të mësipërme, që formonin
pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit
shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore,
që merreshin më çështje organizative,
ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës
së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë
në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte
sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat,
si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje
krahinore e kishtare.
Emërtesat e funksionarëve e të nëpunësve
të administratës shtetërore përgjithësisht
ishin trashëguar prej terminologjisë së administratave
shtetërore lindore (bizantine e sllave) dhe perëndimore
(anzhuine e veneciane), që kishin vepruar më parë
në Shqipëri. Po kështu ndodhte edhe me hierarkinë
kishtare dhe aparatin administrativ të saj në Shqipëri,
ku ushtronin veprimtarinë e tyre kisha katolike dhe ajo
ortodokse bizantine e sllave.
Në shtetin e bashkuar shqiptar fisnikët i ruajtën
deri në një farë mase të drejtat e mëparshme
mbi zotërimet e tyre dhe kryenin detyrën e logothetëve
të dikurshëm të administratës shtetërore
bizantine, duke vepruar si mëkëmbës të
kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ata kishin nën
varësinë e tyre aparatin administrativ e ushtark
të krahinave që ishin përfshirë nën
juridiksionin e tyre. Aparati administrativ i një krahine
zakonisht kishte në krye një vojvodë. Nën
varësinë e tij ishin: qefalitë, që ishin
komandantët e garnizoneve të kështjellave,
psarët, që ishin nëpunës të administratës,
si dhe proniarët e krerët, të cilët si
feudalë të vegjël, kishin për detyrë
të vilnin taksat për vete e për pushtetin qendror
dhe të shkonin në luftë.
Pranë kryetarit të shtetit, Skënderbeut, ishte
edhe një aparat ekonomiko-financiar për administrimin
e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit,
që drejtohej nga protovestiari dhe ndihmësi i tij,
ruajtësi i thesarit (thesaureri).
Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu
kishte një aparat të veçantë të
përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët
apo të ngarkuarit (oratorët). Kancelarët përpilonin
në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme,
si traktate që do të nënshkruanin me vende
të tjera, akte përfaqësimi për personat
e ngarkuar me misione të ndryshme, diploma dhe akte publike
etj. Shkresat e dala nga administrata e shtetit shqiptar,
disa prej të cilave janë ruajtur në arkivat
evropiane deri në ditët tona, dëshmojnë
për kulturën e lartë humaniste të Skënderbeut
dhe të oborrtarëve të tij. Ambasadorët
dhe oratorët e tij Skënderbeu i pajiste me autorizime
të veçanta dhe kështu ata kishin të
drejtë ta përfaqësonin atë dhe të
përfundonin e të nënshkruanin në emër
të tij, si kryetar shteti, traktate të rëndësishme
me mbretërit e kryetarët e shteteve të huaja.
Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin
klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin
me themel gjuhët e huaja, si latinishten, italishten,
turqishten, greqishten etj.
Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte
në krye të piramidës shtetërore me të
drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte
Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin
1464 Skënderbeu do të kurorëzohej mbret prej
papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo e kreut
të kishës. Ceremonia për marrjen e skeptrit
mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të
organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të
vetë papa Piut II në krye të ushtrive evropiane,
si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu.
Të drejtat e një monarku si kryetar shteti Skënderbeu
i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë
shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit
e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë
me vendet e tjera. Ai ishte në krye të të gjitha
strukturave të aparatit shtetëror, të cilat
zbatonin urdhrat e tij. Ashtu si monarkët e tjerë
të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete,
si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore
e të pasurive të tjera personave që dalloheshin
në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin
e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë
etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor,
regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas
së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.
Po ashtu si organet e mësipërme shtetërore
vendimore, këshillimore, ushtarake, ekonomiko-financiare
dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera, edhe
aparati gjyqësor ishte nën varësinë e
kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ai ushtronte
të drejtën e dënimit me burgim, me konfiskim
pasurie, me gjoba etj., si dhe të faljes së nënshtetasve
të vet për fajet dhe shkeljet e ligjeve.
Si një monark pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm.
Kur ai largohej nga atdheu dhe shkonte me misione të
rëndësishme në vendet e tjera, meqenëse
djalin e kishte të mitur, të drejtat e tij si kryetar
shteti i ushtronte e shoqja, Donika. Ajo ndihmohej në
kryerjen e detyrave shtetërore prej këshilltarëve
të oborrit. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut
dhe emigrimit në Itali të pasardhësve të
tij, atyre iu ruajt e drejta e trashëgimisë për
shumë kohë në Shqipëri. Kur djali i Skënderbeut,
Gjoni, dhe më pas i nipi, Gjergji, arritën moshën
madhore, u mirëpritën nga bashkëkombasit e
tyre, si trashëgimtarë të ligjshëm, kur
u rikthyen në Shqipëri dhe nisën luftën
për rimëkëmbjen e shtetit të Skënderbeut.
Gruaja dhe pasardhës të tij u trajtuan si familje
mbretërore në oborret italiane dhe në atë
spanjoll pas emigrimit nga Shqipëria.
E drejta dhe simbolet shtetërore
Shteti shqiptar mbështetej mbi të drejtën feudale,
që ishte një e drejtë privilegji, laike e kishtare,
e një shoqërie të shtresëzuar e të
diferencuar nga ana ekonomike, politike e kulturore. E drejta
në Shqipëri ishte një trashëgimi historike
që kishte individualitetin e vet kombëtar. Korpusi
i legjislacionit të saj nuk ka ardhur i plotë deri
në ditët tona. Janë ruajtur fragmente nga statutet
e qyteteve shqiptare dhe kohët e fundit është
zbuluar i plotë Statuti i Shkodrës. I shkruar gjatë
shek. XV, ky statut na njeh me normat që rregullonin
jetën e brendshme të qyteteve dhe më gjerë
me organizimin e shoqërisë shqiptare gjatë
epokës së Skënderbeut.
E drejta që vepronte në Shqipëri gjatë
periudhës së Skënderbeut ishte e zhvilluar
dhe përfshinte një varg normash në fusha të
ndryshme të jetës së asaj shoqërie. Sipas
tyre prona, veçanërisht ajo mbi tokën, trashëgohej
në vijën mashkullore dhe, në mungesë të
djemve, në vijën femërore. Kur vajza martohej,
asaj i jepej si prikë një pjesë e pasurisë
atërore, në para ose si prona, të cilat noterizoheshin
në emër të saj. Krahas kësaj trashëgimie
ligjore, njihej edhe trashëgimia me testament. Në
fushën e pronësisë mbi tokën, nëpërmjet
akteve normative e kontratave përcaktoheshin llojshmëria
dhe sasia e detyrimeve në të holla, në prodhime
në natyrë dhe në punë angari që kishin
fshatarët pa tokë ndaj pronarëve, pronarët
ndaj zotërve të tyre si dhe ndaj shtetit etj. Po
kështu, me punëtorët dhe specialistët
e mjeshtërive të ndryshme, të ndërtimit,
të armëve etj., bëheshin kontrata sipërmarrjeje,
ku përcaktoheshin afatet kohore të shërbimeve
dhe pagesat e tyre.
Normat e së drejtës në kohën e Skënderbeut
parashikonin edhe masa shtrënguese ndaj veprave penale
kundër jetës, shëndetit, pasurisë dhe
interesave të individëve të veçantë,
të bashkësive shoqërore dhe të institucioneve
shtetërore. Masat ndëshkimore ndaj veprave penale
ishin të larmishme e të shkallëzuara. Personat
që drejtpërdrejt ose tërthorazi dëmtonin
pronën e të tjerëve, që nuk përmbushnin
detyrimet ndaj zotërve të tyre dhe që braktisnin
pronat e këtyre, detyroheshin të zhdëmtonin,
ndryshe ndëshkoheshin edhe më rëndë.
Në kushtet e jetës së trazuar politike dhe
ushtarake të Shqipërisë gjatë shek. XV
parashikoheshin dënime të rënda, si shpronësime,
burgime dhe dënime me vdekje ndaj personave që braktisnin
luftën apo që kalonin në anën e kundërshtarëve
të zotërve të tyre. Mbartësit e qëndrimeve
të tilla Skënderbeu, i cili si Kryetar shteti ishte
njëherazi edhe gjykatësi më i lartë i
vendit, i ndëshkoi rëndë edhe kur ato u shfaqën
në gjirin e familjarëve të tij. Kështu,
p.sh., një nipin e vet, që u bashkua me osmanët,
e burgosi, kurse një të dytë e ekzekutoi. Krahas
masave ndëshkimore, njihej edhe falja e dënimit.
Kur Moisi Golemi (Arianiti) u kthye i penduar pranë Skënderbeut,
ky i riktheu pronat që i kishte konfiskuar Moisiut, kur
u bashkua me osmanët.
Shtresëzime të legjislacionit mesjetar gjenden edhe
në të drejtën dokesore shqiptare, që është
një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë
ndërthurur tradita e vetorganizimit shoqëror lokal,
në shkallë fshati e më gjerë, me legjislacionin
shtetëror të kohës, i cili mbarte norma të
trashëguara edhe nga e drejta romake dhe ajo bizantine.
Prandaj e drejta dokesore njihet me emërtimin osman kanun,
që do të thotë ligj. Edhe në vendet e
tjera ballkanike, siç e dëshmon kodi i Stefan
Dushanit, e drejta dokesore e popujve të tyre ka qenë
në themel të Korpusit legjislativ shtetëror
të shkruar, që sanksiononte marrëdhëniet
juridike ekonomike e politike të nënshtetasve me
shtetin dhe kryetarin e tij.
Disa norma të së drejtës dokesore kanë
evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin
e shoqërisë shqiptare. E drejta dokesore gjithnjë
ka qëndruar si bosht për ruajtjen e unitetit kombëtar
të shqiptarëve. Ajo qëndronte e vepronte në
moralin dhe në jetën e shqiptarëve mbi dallimet
shoqërore, mbi besimet e ndryshme fetare që ata
kishin, kurse elementin jo shqiptar e drejta dokesore e përjashtonte
nga një barazi e tillë. Në të nuk mungonin
edhe elementë lokalë dallues, por ishin dytësorë
në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare
të së drejtës dokesore. Kësaj i nënshtrohej
kushdo në Shqipëri, madje edhe e drejta kishtare
(kanonike), që njihej mirë për konservatorizmin
e saj dhe për masat e ashpra ndëshkimore, të
cilat i kërkonte të merreshin ndaj personave që
shmangeshin nga normat kishtare. Nuk mungojnë dokumentet
mesjetare dhe të periudhave më të vonshme që
përmendin raste të shumta, kur klerikët shqiptarë
të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë
çështjeve të tilla, zgjidhja e të cilave
nuk përputhej me normat e të dy të drejtave
(dokesore dhe kishtare), gjithnjë kanë respektuar
e vepruar sipas së drejtës dokesore, duke shkelur
atë kishtare.
Në rajone të gjera të Shqipërisë,
që gjatë shek. XV kanë qenë pjesë
e viseve të lira shqiptare, e drejta dokesore jo rastësisht
ka arritur të njihet deri në ditët tona me
emërtimet "kanuni i Skënderbeut", "kanuni
i Lekë Dukagjinit" etj. Kjo dëshmon se e drejta
dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë
natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore
dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve
gjatë shek. XV. Prandaj, edhe për këtë
arsye, veprimtaria politike dhe legjislative e Skënderbeut
gjeti mbështetje të gjerë shoqërore, përpos
faktit që pushtimi osman u rrezikonte interesat ekonomikë
e pronësorë, fetarë e kulturorë, politikë
etj., të gjitha shtresave të shoqërisë
shqiptare.
Vend të veçantë në të drejtën
dokesore shqiptare kishte institucioni i besës. Besa
ishte kult kombëtar aq sa ka zënë vend edhe
në korrespondencën e fisnikëve shqiptarë
me shtetet e huaja dhe fjala shqipe besë
e këtij institucioni është huazuar edhe nga
gjuhët e popujve fqinjë. Në një letër
të vitit 1420 drejtuar Republikës së Raguzës,
në vend të emrave Zot e Krisht që përdoreshin
si formulë përbetimi, Gjon Kastrioti ka vënë
fjalën besë: Besa ime, e zotit Gjon, dhe e
bijve të mi për çdo tregtar ... i kam dhënë
besën kujtdo që vjen në tokën time në
Shufada se, në rast se i bëhet ndonjë dëm
ose ndonjë e keqe, ... do të paguaj unë, zoti
Gjon, ose bijtë e mi. I biri i tij, Skënderbeu,
ka shkruar në vitin 1460 : Të mbajmë
besën, për mbrojtjen e së cilës kemi përballuar
rreziqe të mëdha, edhe pse gjithnjë kam qenë
përpara një vdekjeje të sigurt.
Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë
gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve
të mëparshëm të mesjetës ka qenë
ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të
shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë
qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat,
sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë
të shkruara. Këto dëshmojnë më së
miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në
Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi
legjislativ të shkruar.
Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut,
kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në
traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Skënderbeu
krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar.
Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen
e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë,
që te osmanët ishte Iskander (Skënder në
gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleci,
emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur
në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik
Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të
lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të
lashtë (sinonim i emrit arbër gjatë
mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet
shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën
dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie),
të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja
e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet
e mësipërme dëshmojnë për formimin
e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej
në traditën vendase për t'i dhënë
një frymë sa më kombëtare shtetit të
tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit
osman.
Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik
kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në
të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare.
Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë
(Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar
në vulën e në shkresat zyrtare të tij,
si dhe në letrat e kancelarive të huaja që
i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar.
Shkresat zyrtare të Skënderbeut, që njihen
deri tani dhe që kanë dyllin me gjurmën e vulosjes
së tyre, tregojnë se kryetari i shtetit shqiptar
ka pasur dy vula zyrtare, që kishin madhësi e simbole
të ndryshme.
Vula e madhe zyrtare e Skënderbeut ishte në formë
rrethore me diametër 41 mm dhe perimetër afro 125
mm. Në qendër ajo kishte shqiponjën dykrenore
dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet
krerëve të saj. Anash vula kishte rrethin me shkronja
të mëdha GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Në
krye të rrethit të vulës ishte shenja e diellit
me tetë rreze, që ndante fillimin dhe mbarimin e
emërtimit GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Shenja e diellit
me tetë rreze ka qenë simbol shtetëror i Aleksandrit
të Madh të Maqedonisë. Nën krerët
e shqiponjës dhe mbi krahët e saj kishte inicialet
D AL të fjalëve Dominus Albaniae. Këto iniciale
të fjalëve Dominus Albaniae, që përbënin
titullin zyrtar të Skënderbeut, tregonin pozitën
juridike të tij (Dominus) si kryetar shteti, si dhe emrin
e shtetit (Albania), ku ai ushtronte pushtetin e tij.
Vula e vogël e Skënderbeut ishte skalitur në
gurin e çmuar të unazës personale të
tij. Ajo kishte formë tetëkëndëshe me
përmasa maksimale 9 mm gjatësi dhe 7 mm gjerësi.
Simbolet e saj ishin marrë nga mitologjia e lashtë
pellazgjike. Në gurin e vulës së vogël
ishin skalitur dy figura të mitologjisë pellazgjike:
mbretëresha Leda dhe Zeusi i Dodonës i shndërruar
në mjellmë.
Si simbole më përfaqësuese për shtetin
shqiptar Skënderbeu përdori shqiponjën dykrenore
me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa,
simbole këto që ishin mjaft të njohura në
mjedisin shqiptar. Këto simbole ishin edhe në stemën
dhe në flamurin shtetëror. Në një katolog
venecian stemash është vizatuar në mes të
viteve 60 të shek. XV stema e Kastriotëve, kur djali
i Skënderbeut, Gjoni, mori titullin fisnik venecian.
Gjithashtu stema ruhet e gdhendur në varrin monumental
të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që
gjyshja e tij, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë
në vitin 1500. Shqiponja e zezë dykrenore, siç
e ka treguar M. Barleci, ka qenë e vendosur edhe në
qendër të flamurit të Skënderbeut që
fushën e kishte të kuqe.
Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i
Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve,
që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët
dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol
të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa
ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt.
Ylli me gjashtë cepa duhe të ketë qenë
vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës
në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues
kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.
Vula me shqiponjë, si simbol shtetëror i Skënderbeut,
del se është përdorur për herë të
parë në letra që janë shkruar gjatë
mesit të viteve 50 dhe ndoshta jo rastësisht. Në
të njëjtën kohë me vulën duhet të
jetë përdorur edhe flamuri me fushë të
kuqe dhe shqiponjën dykrenore në mes, që e
ka patur Perandoria Bizantine. Nëpërmjet këtyre
simboleve synohej që të shprehej uniteti i viseve
të lira shqiptare dhe të tregohej se pas pushtimit
të Konstandinopojës prej turqve më 1453, shqiptarët
ishin forca kryesore antiosmane që luftonte në ish
zotërimet e Perandorisë Bizantine. Këto simbole
të reja pushteti të përdorura nga Skënderbeu
pasqyrojnë procesin e krijimit të një shteti
të vetëm në tokat e lira shqiptare.
Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar u bë Kruja.
Ndonëse në hapësirat e këtij shteti kishte
qytete të tjera më të mëdha e më
të rëndësishme si qendra ekonomike, si Prizreni
e Ohri, për shkak të pozicionit të vet gjeografik
shumë të favorshëm Kruja u bë kryeqendra
administrative e viseve të lira shqiptare. Nëpërmjet
rrugëve të shumta tokësore e detare që
kryqëzoheshin pranë saj, Kruja, si qendër administrative,
kishte komunikimin më optimal me të gjitha viset
shqiptare dhe me shtetet e huaja.
Ushtria shqiptare dhe arti i saj ushtarak
Përballimi me sukses i luftës kundër pushtuesve
osmanë kërkonte në radhë të parë
krijimin e një ushtrie të aftë dhe me cilësi
të lartë luftarake.
Si njohës i mirë i ushtrisë osmane, i organizimit
dhe i armatimit të saj, Skënderbeu, që në
fillim, vuri në qendër të vëmendjes organizimin
dhe fuqizimin e forcave ushtarake të vendit, që
të ishin në gjendje të përballonin një
kundërshtar aq të fuqishëm.
Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 u vendos
që, me kontributin e pjesëmarrësve të
tij, të krijohej një ushtri e përbashkët.
Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët
që i mobilizonte vetë Skënderbeu, si komandant
i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat
ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare kishin karakter
federal, sepse fisnikët shqiptarë, jashtë ushtrisë
së përbashkët që ishte nën komandën
e Skënderbeut, mbanin një numër jo të
vogël forcash ushtarake. Këto trupa, gjatë
procesit të formimit të shtetit të bashkuar
shqiptar, u shkrinë me forcat e ushtrisë së
përbashkët.
Masa e luftëtarëve vinte kryesisht nga radhët
e fshatarësisë. Ajo mbante një qëndrim
të papajtueshëm ndaj pushtetit osman dhe ishte në
gatishmëri të tillë të përhershme
luftarake aq sa, siç shprehej Barleci, "burrat
me njërën dorë lëronin arat dhe me tjetrën
mbanin shpatën". Fshatarësia u bë burim
i pashtershëm forcash njerëzore për formimin
e një ushtrie të madhe popullore, të fuqishme,
me shpirt të lartë vetëmohimi, të panjohur
në kushtet e luftërave të zakonshme feudale.
Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme
dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm
gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershme
ishin ndarë në dy njësi kryesore. Njëra
përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës
të armatosur lehtë, të cilët stërviteshin
prej Skënderbeut dhe shërbenin si gardë personale
e tij. Pjesa tjetër ruante fortesat dhe kështjellat
e vendit, si dhe brezin kufitar lindor. Trupat në viset
kufitare lindore i komandonte Moisi Arianiti (Golemi) dhe,
sipas M. Barlecit, përbëheshin nga 2 mijë kalorës
dhe 1 mijë këmbësorë. Masën kryesore
të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët
që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës
sipas parimit "burrë për shtëpi".
Kur rreziku ishte tepër i madh, mobilizoheshin të
gjithë banorët që mund të luftonin. Kur
bëhej mobilizimi i përgjithshëm, forcat ushtarake
shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë
luftëtarë, duke formuar një ushtri të
madhe për kohën.
Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut,
që ishte komandant i përgjithshëm. Për
t'u konsultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij
qëndronte Këshilli i Luftës, i përbërë
nga komandantët më të shquar, të cilët
zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve. Kishte
edhe komandantë që dilnin nga radhët e njerëzve
të thjeshtë, të cilët drejtonin formacionet
e ndryshme luftarake, sidomos kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm.
Pjesëmarrja e gjerë e shqiptarëve në ushtrinë
e Skënderbeut la gjurmët e veta në taktikën
dhe armatimin e saj. Në kushtet e vendit tonë mori
përhapje të gjerë lufta guerile, formë
tradicionale kjo e luftës së fshatarësisë
në epoka e vende të ndryshme. Ushtria shqiptare
përbëhej nga kalorësia, që përgjithësisht
ishte e pakoracuar, prandaj lëvizte me shpejtësi,
dhe nga këmbësoria. Luftëtarët e saj përgjithësish
kishin armatim të lehtë dhe nuk mbanin armatime
të rënda si ato që përdoreshin në
ushtrinë feudale të kohës. Skënderbeu
e mbështeti strategjinë dhe taktikën ushtarake
në trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve
të tij, në traditën luftarake të shqiptarëve,
në njohjen prej tij të organizimit e të artit
ushtarak të armikut etj.
Ushtria shqiptare kishte si detyrë parësore moslejimin
e trupave osmane që të futeshin në thellësi
të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar
vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës
i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i veçantë.
Pasi trupat osmane pushtuan Stefigradin, shqiptarët,
pa vonesë, ngritën në viset lindore një
bazë tjetër ushtarake e të fortifikuar, kështjellën
e Modrishës. Zakonisht ushtritë armike sulmoheshin
e shpartalloheshin në zonat kufitare. Kur ushtritë
osmane ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të
shkatërroheshin në brezin kufitar, Skënderbeu
ndërmerrte masa energjike për të përballuar
zhvillimin e luftimeve në thellësi të vendit.
Popullsia e paaftë për luftë largohej prej
zonave që mund të shkeleshin prej ushtrive armike
dhe strehohej përkohësisht nëpër vende
malore e të sigurta, duke marrë me vete bagëtinë,
rezervat ushqimore e sende të ndryshme. Materialet e
prodhimet, që nuk mund të transportoheshin, asgjësoheshin
me qëllim që trupave pushtuese t'u hiqej mundësia
e përdorimit të tyre. Ndërkohë kështjellat
përforcoheshin, duke i furnizuar me luftëtarë,
armatime e rezerva ushqimore.
Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi
të vendit, luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin
të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër
të forcave shqiptare. Gjatë tërheqjes ata sulmonin
pareshtur trupat osmane, ngadalësonin marshimin e tyre,
duke u shkaktuar dëme të mëdha.
Kur arrinin të depërtonin në thellësi
të vendit, synimi kryesor i trupave osmane ishte pushtimi
i Krujës, që ishte kryeqendra administrative dhe
ushtarake për viset e lira shqiptare. Në këto
raste Skënderbeu i organizonte veprimet luftarake në
mënyrë të tillë, që pesha kryesore
e luftimeve të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës,
por mbi luftëtarët që vepronin jashtë
saj. Me shumicën e ushtrisë ai qëndronte jashtë
kështjellës dhe organizonte me to, ditën dhe
natën, sulme të pandërprera e të befasishme,
që u shkaktonin dëme të rënda forcave
pushtuese. Vëmendje të veçantë i kushtonte
Skënderbeu edhe prerjes së rrugëve të
furnizimit të armikut. Sulmoheshin karvanet që vinin
nga lindja për të furnizuar ushtrinë osmane
me ushqime e sende të tjera të nevojshme, si dhe
ato që vinin nga drejtime të tjera. Këtë
detyrë e kryenin sidomos çetat e armatosura.
Skënderbeu i kushtoi kujdes edhe organizimit të
zbulimit. Zbuluesit shqiptarë gjendeshin kudo, në
krahinat fqinjë, në zonën ku marshonte, qëndronte
e vepronte ushtria armike dhe në qendër të
Perandorisë Osmane,. Nëpërmjet tyre siguroheshin
të dhëna të karakterit strategjik, operativ
e taktik që kishin të bënin me kohën e
ardhjes së ushtrisë armike, me madhësinë
e organizimin, si dhe me lëvizjen e veprimet luftarake
të saj etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare,
kur kjo futej në vise të pushtuara. Ata organizoheshin
në grupe, lëviznin në largësi të
caktuara ndërmjet tyre dhe kontrollonin mirë terrenin
për të shmangur pritat e armikut, dërgonin
shpejt në drejtim të Skënderbeut informacionin
e grumbulluar.
Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për
të shpartalluar ushtrinë armike ishin të larmishme
e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes
me sulmin, të mësymjes së ushtrisë së
rregullt me goditjen e çetave, të ndeshjeve ballore
me sulmet e befasishme, duke futur në përdorim si
këmbësorinë ashtu edhe kalorësinë
e armatosur lehtë. Në çdo luftim Skënderbeu
përpiqej ta parashikonte ecurinë e tij, sulmonte
e hapte beteja në kushte që i dukeshin më të
përshtatshme. Ai gërshetoi dhe përdori gjerësisht
manovrën e shpejtë të forcave të veta
me sulmet e befasishme mbi ushtritë armike në çdo
kohë, ditën dhe natën, duke i shoqëruar
këto në mënyrë të përsosur me
prita e kurthe të ndryshme.
Skënderbeu kishte aftësi të jashtëzakonshme
ushtarake. Ai ishte në të njëjtën kohë
strateg dhe ushtar, hartonte e ndryshonte në përshtatje
me situatat planin e luftës, udhëhiqte ushtrinë
dhe njëkohësisht luftonte edhe vetë.
4. MARRËDHËNIET NDËRKOMBËTARE TË
SHQIPËRISË
NË KOHËN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
Marrëdhëniet e Skënderbeut me vendet e
Evropës Juglindore
Shtetet e Evropës Juglindore, të prekur nga i njëjti
agresor, kishin detyrë të përbashkët përballimin
e rrezikut osman. Lufta kundër të njëjtit armik
i afroi ato dhe i bëri aleatë të natyrshëm.
Si rrjedhim, me kohë u vendosën lidhjet ndërmjet
shteteve, principatave e zotërimeve të tjera të
kësaj pjese të Evropës.
Krijimi nga Skënderbeu i një fronti lufte të
organizuar e të fuqishme, e nxori vendin tonë në
ballë të forcave antiosmane. Shqipëria gjithnjë
e më tepër shikohej nga bashkëkohësit
si një fuqi e rëndësishme, e dorës së
parë, që ushqente shpresa për dëbimin
e osmanëve nga viset e pushtuara të Evropës.
Prandaj me kohë u krijuan lidhje ndërmjet vendeve
të kërcënuara nga i njëjti rrezik, pushtimi
osman.
Në këtë kuadër dallohen marrëdhëniet
e shqiptarëve me Hungarinë. Deri më 1456, kur
vdiq Janosh Huniadi, Hungaria luftoi me vendosmëri kundër
pushtuesve osmanë dhe ishte kështu aleati më
i rëndësishëm i shqiptarëve. Të dyja
palët, duke goditur të njëjtin armik, secila
në sektorin e vet, lehtësonin barrën e njëra-tjetrës.
Bashkëpunimin ndërmjet tyre Skënderbeu dhe
Huniadi u përpoqën ta shtrinin deri në organizimin
e fushatave ushtarake të përbashkëta, me gjithë
vështirësitë që rridhnin nga largësia
e madhe që ishte midis vendeve të tyre. Kështu
ndodhi më 1448, me ekspeditën ushtarake të
Huniadit në Fushë-Dardani dhe më 1456 me atë
të Beogradit. Burimet historike të kohës tregojnë
se Skënderbeu ndërmori masa energjike për të
marrë pjesë në ato dy beteja përkrah Huniadit,
respektivisht me 20 mijë dhe 30 mijë luftëtarë.
Por vështirësitë që vinin nga largësia
e madhe ndërmjet vendeve të tyre dhe nga qëndrimi
i sundimtarëve fqinjë, vasalë të sulltanit,
që nuk e lejuan ushtrinë e Skënderbeut të
kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të
tyre, penguan realizimin e këtyre projekteve. Pas vdekjes
së Huniadit, Hungaria përkohësisht u tërhoq
nga veprimtaria aktive ushtarake dhe rrjedhimisht u dobësuan
lidhjet e saj me Shqipërinë. Ato u rigjallëruan
në mesin e viteve 60, kur trupat hungareze arritën
të çlironin Bosnjën Veriore.
Marrëdhëniet e Skënderbeut me sundimtarët
sllavë të shteteve fqinjë qenë më
të kufizuara se me Hungarinë. Një bashkëpunim
pati me ta kryesisht gjatë luftës kundër Venedikut
në vitin 1448, kur krahas shqiptarëve vepruan edhe
reparte ushtarake të mbretit të Bosnjës, Stefan
Tomasheviqit. Kundër rrezikut kryesor, pushtuesve osmanë,
nuk u arrit ndonjë bashkëpunim i shqiptarëve
me ta, sepse synonin të ruanin vasalitetin e tyre me
sulltanët osmanë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi,
pengoi kalimin nëpër zotërimet e tij të
luftëtarëve të Skënderbeut që të
bashkoheshin me forcat hungareze. Pas betejës që
trupat hungareze zhvilluan më 18 tetor 1448 në Fushë-Dardani,
despoti serb përndoqi ushtrinë e shpartalluar hungareze
dhe arrestoi Huniadin. Kurse mbreti i Bosnjës, Stefan
Tomasheviqi, bashkoi trupat e veta me ushtrinë osmane,
që në prill të vitit 1456 u dërgua kundër
Skënderbeut. Nuk do të vononte që vetë
ata, më parë se të tjerët, t'i ndienin
pasojat negative të vasalitetit nënshtrues të
tyre. Megjithëkëtë duke vlerësuar rrjedhimet
negative që sillte zgjerimi i pushtimit osman, Skënderbeu
i ndihmoi ata në çastet më të vështira.
Me rënien e plotë të Despotatit të Rashës
në duart e osmanëve, despoti i saj, Stefani, djalë
i Gjergj Brankoviçit, erdhi në vitin 1459 në
Shqipëri dhe u strehua disa vjet pranë Skënderbeut,
me të cilin u bë edhe baxhanak, duke u martuar me
vajzën e Gjergj Arianitit, Angjelinën. Vendosja
e tij në Krujë dhe lidhjet martesore që krijoi
me drejtuesin kryesor të qëndresës shqiptare
dëshmojnë më së miri se lufta e shqiptarëve
i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për dëbimin
e osmanëve nga viset e tyre. Në pranverë të
vitit 1463, kur ushtritë osmane filluan pushtimin e Bosnjës,
Skënderbeu u tregua i gatshëm ta ndihmonte atë.
Por ndërsa pritej miratimi i Republikës së
Venedikut për të lejuar kalimin e luftëtarëve
shqiptarë nëpër rrugët e zotërimet
e saj, ushtritë osmane e pushtuan Bosnjën.
Me qytetin e Raguzës, që kishte lidhje të ngushta
me Hungarinë dhe, për të ruajtur paprekshmërinë
e qytetit prej osmanëve, e cila u paguante një tribut
të madh vjetor sulltanëve, shqiptarët kishin
lidhje tradicionale e të vazhdueshme. Si qytet-shtet
tregtar kryesor i brigjeve lindore të detit Adriatik,
Raguza kishte një veprimtari të gjallë tregtare
në viset e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë
etj. Tregtarët raguzanë vinin në bregdetin
shqiptar për të shitur mallrat e tyre dhe për
të marrë prodhime të ndryshme bujqësore
e blegtorale, metale, lëndë ndërtimi, kripë
etj. Shqiptarët blinin në Raguzë kryesisht
armë dhe mjete të tjera luftarake. Me pozitën
gjeografike dhe qëndrimin politik të saj, Raguza
ishte një pikë shumë e rëndësishme
ndërlidhjeje ndërmjet shqiptarëve dhe vendeve
të tjera të Evropës. Prandaj ajo mbante një
qëndrim të pavendosur ndaj pushtuesve osmanë
dhe në ndonjë rast, të pafavorshëm për
forcat antiosmane. Skënderbeu gjeti në Raguzë
një mbështetje të gjerë morale për
luftën e popullit të vet, si dhe një përkrahje
të vogël ekonomiko-financiare. Dhe, për më
tej, për të mos zemëruar osmanët, në
çastet më të vështira për shqiptarët,
Senati i Raguzës nuk pranoi kërkesën e Skënderbeut
për të zbritur në këtë qytet, në
nëntor të vitit 1466 dhe në prill të vitit
pasues, gjatë nisjes e kthimit të tij nga Italia.
Pa dyshim edhe me shtete e zotërime të tjera të
Gadishullit Ballkanik, Skënderbeu ka patur marrëdhënie,
por për shkak të mungesës së dokumenteve
ato kanë mbetur të panjohura.
Lidhjet e Shqipërisë me shtetet italiane
Lufta e popujve të Evropës Juglindore, në ballë
të së cilës qëndronin shqiptarët,
pengoi vërshimin osman në drejtim të Evropës
Qendrore e Perëndimore dhe mbrojti kështu zhvillimin
ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të këtyre
vendeve. Për këtë rol të luftës së
shqiptarëve, si pengesë e fuqishme për kalimin
e osmanëve në Evropën Perëndimore, ishte
plotësisht i ndërgjegjshëm edhe vetë Skënderbeu.
Më 1460 ai i shkruante një princi italian: "në
qoftë se unë do të thyhesha, me siguri Italia
do ta ndiente dhe si rrjedhim, ai zotërim që ju
thoni se është juaji do të ishte i turqve".
I nisur nga kuptimi realist se rreziku ishte i përbashkët,
si për vendet e Evropës Juglindore, të kërcënuara
drejtpërdrejt nga pushtimi osman, ashtu edhe nga vendet
e tjera evropiane, dhe duke vlerësuar drejt rëndësinë
e bashkëpunimit ndërkombëtar, Skënderbeu
u kushtoi vëmendje marrëdhënieve me vendet
që ende nuk ishin rrezikuar drejtpërdrejt nga osmanët.
Vëmendje të veçantë u kushtoi Skënderbeu
marrëdhënieve të tij me Venedikun, Papatin,
Napolin etj., si për afërsinë e këtyre
shteteve me tokat shqiptare, ashtu dhe për interesat
e synimet që këto vende kishin në drejtim të
Ballkanit.
Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të
krijuar në vendet që ishin në luftë me
osmanët, Republika e Venedikut shtiu në dorë
një sërë qytetesh e krahinash në Ballkan,
nga të cilat siguronte të ardhura të rëndësishme
dhe kushte të favorshme për zhvillimin e tregtisë
në tërë pellgun e Mesdheut e më gjerë.
Ajo përdori rrugë e mjete të ndryshme për
ruajtjen dhe për forcimin e pozitave të veta në
këto rajone, prandaj herë pas here nënshkruante
traktate paqeje me sulltanët osmanë (si më
1419, 1430, 1446, 1451, 1454), duke u dhënë atyre
tribut të përvitshëm, për të siguruar
paprekshmërinë e zotërimeve të veta në
Ballkan, duke përfshirë edhe ato që kishte
në tokat shqiptare. Më vonë, sidomos gjatë
viteve 60, kur u dëmtuan rëndë zotërimet
e interesat tregtarë të Republikës së
Venedikut nga pushtimet osmane në Peloponez, qe vendosur
një afrim e bashkëpunim më i madh ndërmjet
Skënderbeut dhe Venedikut. Shprehje e këtij afrimi
është edhe dhënia e titullit "fisnik venecian",
më 1463, prej dukës Kristofor More, djalit të
Skënderbeut, Gjonit, i cili ende ishte fëmijë.
Papati u përpoq aktivisht të ruante pozitat e besimit
kristian në Ballkan që po dëmtoheshin rëndë
prej pushtuesve osmanë, bartës të një
besimi fetar tjetër. Veprimtarinë shpirtërore
e politike të Papatit në drejtim të Ballkanit
e lehtësoi Koncili XVII ekumenik, i mbajtur në fund
të viteve 30 të shek. XV, në Ferrarë,
ku u vendos bashkimi i të dy kishave kristiane nën
drejtimin e Papës.
Në Shqipëri mungonte një kishë kombëtare,
që predikimi të bëhej në gjuhën shqipe.
Në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore ushtronin
veprimtarinë e tyre kishat katolike, ku meshohej latinisht,
dhe kishat ortodokse të ritit sllav dhe, në një
hapësirë më të kufizuar, ato bizantine.
Kurse në Shqipërinë e Poshtme ushtronin veprimtarinë
e tyre kishat bizantine, në të cilat meshohej greqisht.
Gjuha që përdorej në kishat e Shqipërisë
ishte e pakuptueshme për banorët vendas, prandaj
në përgjithësi pozitat e besimit fetar ishin
të dobëta dhe për këtë Barleci, që
vetë ishte prift katolik, shkruante se "shqiptarët
janë më tepër luftëtarë sesa fetarë".
Mungesa e shërbimit fetar ishte aq e theksuar në
Shqipëri sa që në Krujë, vihej në
dukje më 1453, nuk kishte "as prift dhe as diakon
katolik". Në këto rrethana një nga bashkëpunëtorët
më të ngushtë të Skënderbeut, peshkopi
i Durrësit, Pal Engjëlli, shkroi në gjuhën
shqipe më 8 nëntor të vitit 1462 formulën
e pagëzimit, që prindërit t'i pagëzonin
vetë fëmijët e tyre.
Në kushte të tilla të pafavorshme të veprimtarisë
fetare në Shqipëri, bashkimi politik i shqiptarëve
nga Skënderbeu vlerësohej pozitivisht prej Papatit,
si një proces që fuqizonte frontin e luftës
antiosmane dhe lehtësonte shërbimin fetar e përhapjen
e katolicizmit. Papët e vlerësuan shumë luftën
antiosmane të shqiptarëve, e mbështetën
moralisht, e propaganduan gjerësisht atë, i dhanë
Skënderbeut titujt Mbrojtës i krishterimit dhe Kapiten
i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë.
Papët kërcënuan me shkishërim çdo
prirje separatiste e afrimi me osmanët, që u shfaq
te disa fisnikë shqiptarë, si te Dukagjinët
në vitin 1452 etj. Nuk mungoi përkrahja financiare
e Papatit për luftën shqiptare, sidomos në
vitet 60, por gjithsesi ajo qe larg kërkesave të
mëdha për mbajtjen në këmbë të
qëndresës së shqiptarëve. Vend qendror
dhe rol të veçantë i dhanë papët
rolit të ushtrisë së Skënderbeut në
projektet e tyre për organizimin e një lufte të
përbashkët në shkallë evropiane për
shkatërrimin e Perandorisë Osmane, që ata e
propagandonin si një kryqëzatë fetare.
Skënderbeu u përpoq që vendet e tjera të
merrnin pjesë aktive në luftën antiosmane,
të siguronte përkrahje e ndihmë ushtarake e
materiale për luftën e popullit të tij. Për
këtë qëllim ai i kërkoi Republikës
së Venedikut më 1451 të vendoste në Krujë
një garnizon ushtarak për ta përfshirë
atë në luftën antiosmane. Kjo kërkesë
në atë kohë ishte në kundërshtim
me politikën veneciane, prandaj Senati e hodhi poshtë
atë.
Në këtë drejtim disa përfundime pozitive
arriti Skënderbeu në marrëdhëniet e tij
me mbretin e Napolit, Alfonsin V. Ky mendonte se duke u dhënë
shqiptarëve e ballkanasve të tjerë një
përkrahje të vogël ushtarake e materiale, do
të dëboheshin osmanët nga Ballkani dhe nën
kurorën e tij mund të krijohej një shtet i
madh mesdhetar. Për këtë qëllim, në
fillim të viteve 50 Alfonsi V lidhi një numër
traktatesh me përfaqësuesit e disa zotërve
shqiptarë dhe të viseve të tjera të Ballkanit.
Në bazë të këtyre ai zotohej se do të
dërgonte ushtarë që të luftonin për
çlirimin e viseve të Ballkanit, me kusht që,
pas çlirimit të tyre, si kryezot të njihej
Alfonsi V, kurse fisnikët vendas do të qeverisnin
në to si vasalë të tij.
Në zbatim të traktateve të nënshkruara
gjatë vitit 1451, Alfonsi V dërgoi në Krujë
një garnizon të vogël ushtarak dhe në
vitin 1455 disa qindra ushtarë për çlirimin
e viseve shqiptare që ishin nën pushtimin osman.
Trupat napolitane u vunë nën urdhrat e Skënderbeut,
i cili ishte komandant i përgjithshëm i tyre dhe
zot i qytetit të Krujës. Pas betejës së
Beratit të vitit 1455, i informuar mirë për
vështirësitë e mëdha që kishte zhvillimi
i luftës kundër ushtrive osmane, Alfonsi V hoqi
dorë nga synimet e tij në drejtim të Lindjes
dhe tërhoqi nga Shqipëria ushtarët dhe përfaqësuesit
e vet. Meqenëse me ndihmën e trupave napolitane
nuk u çlirua asnjë zonë e Shqipërisë,
Skënderbeu nuk bëri ndonjë homazh ndaj tij,
siç e parashikonte traktati i vitit 1451. Skënderbeu
dhe Alfonsi V qëndruan deri në fund aleatë.
Pas vdekjes së Alfonsit V, në vitin 1458, i biri,
Ferranti I, hoqi dorë plotësisht nga ideja për
t'u shtrirë në drejtim të Ballkanit dhe për
rrjedhim marrëdhëniet e Mbretërisë së
Napolit me Shqipërinë përkohësisht u dobësuan.
Ndihma ushtarake e Skënderbeut për Mbretërinë
e Napolit
Për të gjallëruar marrëdhëniet me
Mbretërinë e Napolit Skënderbeu e gjykoi të
nevojshme t`i jepte ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand
në luftën që kishte shpërthyer midis tij
dhe kundërshtarëve të vet politikë, që
ishin baronët e Italisë së Jugut. Këta
ishin bashkuar me princin francez Rene të Anzhuinëve,
i cili pretendonte fronin e Mbretërisë së Napolit.
Me këtë hap Skënderbeu shihte mundësinë
për të siguruar më pas ndihmë për
qëndresën e shqiptarëve prej mbretit Ferdinand
dhe aleatëve të tij, papa Piu II dhe dukës
së Milanos, Françesk Sforcës, të cilët
formonin bllokun politik më të fuqishëm në
Itali. Këta ishin propaganduesit kryesorë të
idesë për organizimin e një fushate ushtarake
antiosmane me pjesëmarrjen e shumë shteteve, duke
përfshirë edhe vendet e tyre.
Në shtator të vitit 1460, pasi bëri armëpushim
me osmanët, Skënderbeu dërgoi në Itali
grupin e parë të luftëtarëve të drejtuar
nga i nipi, Koiko Stres Balsha. Zbarkimi i trupave shqiptare
në Itali shkaktoi tronditje të thellë në
radhët e kundërshtarëve të mbretit Ferdinand.
Një nga kundërshtarët kryesorë të
mbretit, princi i Tarantit, Xhovan Antonio de Orsini, i kërkoi
Skënderbeut të hiqte dorë nga përkrahja
për mbretin Ferdinand, duke i shkruar me një farë
ironie se lufta në Itali do të ishte për të
e pasuksesshme. Në përgjigjen e tij të 31 tetorit
1460, me kulturë të gjerë prej humanisti, duke
evokuar historinë e lavdishme të popullit të
vet, Skënderbeu i ka shkruar princit të Tarantit
se "në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë,
ne quhemi epirotë. Duhet ta dini se në kohë
të tjera, paraardhësit tanë kaluan në
vendin që ju mbani sot dhe patën bërë
luftime të mëdha me romakët dhe, nga sa dimë,
në të shumtën e herës u ndanë me
nder sesa me turp".
Në fund të gushtit të vitit 1461, në krye
të 2-3 mijë luftëtarëve, Skënderbeu
u nis vetë për në Itali dhe zbarkoi në
Barletë, ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand, bashkë
me një pjesë të ushtrisë së vet.
Luftëtarët shqiptarë, me Skënderbeun në
krye, me të zbritur në tokën italiane, filluan
sulmet energjike e shumë të shpejta, duke shkaktuar
panik në radhët e forcave kundërshtare. Këta
hoqën dorë nga rrethimi i Barletës, filluan
tërheqjen drejt jugut, arritën në Andria dhe,
pasi lanë pas Barin, u vendosën në Akuaviva.
Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme
për të shtënë në dorë qendrat
e fortifikuara, që mbaheshin nga kundërshtarët
e mbretit Ferdinand. Pasi la në roje të Barletës
një pjesë e trupave, me të tjerët Skënderbeu
marshoi në veri të saj, çliroi Sant Anxhelon
dhe San Xhovani Rotondon dhe u rikthye në Barletë.
Pas kësaj, të përforcuar edhe me reparte italiane
dhe duke ndjekur forcat kundërshtare, luftëtarët
shqiptarë zbritën deri në jugperëndim
të Barit, në Altamurë, dhe u futën në
zotërimet e princit të Tarantit. Përballë
gjendjes shumë të vështirë ushtarake,
Xhovan Antonio de Orsini hyri në bisedime me Skënderbeun
dhe kërkoi që ky të ndërmjetësonte
për të lidhur paqe me mbretin Ferdinand. Ndërkohë
udhëheqësi shqiptar organizoi arrestimin e komandantit
të qytetit të Tranit, i cili nuk pranoi të
bashkohej me mbretin Ferdinand, dhe, pas kësaj, i gjithë
garnizoni i atij qyteti iu dorëzua Skënderbeut.
Luftëtarët shqiptarë i dhanë një
ndihmë të vyer ushtarake mbretit Ferdinand për
të shpartalluar kundërshtarët e vet dhe ajo
ndikoi në gjallërimin e marrëdhënieve
të Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit
dhe aleatët e saj. Duke vlerësuar ato ditë
rëndësinë e kësaj ndihme, duka i Milanos,
Françesk Sforca, i ka shkruar Skënderbeut në
fund të shtatorit të vitit 1461 se "ne kemi
po atë detyrim ndaj madhërisë suaj, siç
e ka edhe ajo madhëri (Ferdinandi) ... dhe që tani
e përgjithmonë po afrohemi për të gjitha
kënaqësitë, nevojat dhe nderet e të sipërthënit
zotërisë suaj, si një vëlla i mirë
e i përzemërt". Në shenjë mirënjohjeje
për këtë ndihmë, mbreti i Napolit i dhuroi
Skënderbeut feudet e Monte Sant Anxhelos e të San
Xhovani Rotondos, si dhe një pension vjetor prej 1 200
dukatesh. Për të kryer formalitetet e nevojshme
feudale për pronat që iu dhuruan dhe për të
nxitur interesimin e shteteve italiane për fillimin e
një lufte të përbashkët antiosmane, gjatë
muajve mars e prill të vitit 1464 Skënderbeu shkoi
vetë në Napoli.
Skënderbeu krijoi lidhje edhe me shtete të tjera
italiane, si me Dukatin e Milanos, Mantovën, Sienën
etj., madje edhe me vende të largëta evropiane si
me dukatin e Burgonjës, por ato nuk ishin aq intensive
si me Napolin, Venedikun e Papatin. Marrëdhëniet
me Milanon e me Burgonjën lidheshin kryesisht me projektet
për organizimin e një fushate të përbashkët
antiosmane, pjesëmarrës të së cilës
parashikohej se do të ishin edhe ato. Me Spanjën
dhe me vendet e Evropës Qendrore, si me Poloninë
etj., lidhjet ishin rrjedhim i sundimit në to i po atyre
dinastive që ishin përkatësisht edhe në
Napoli dhe në Hungari.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e
Evropës i forcuan edhe vizitorët e vullnetarët
e huaj që erdhën nga vende të ndryshme, deri
nga Franca e nga Anglia, dhe luftuan në ushtrinë
e Skënderbeut. Ndër ta përmendet më 1457
anglezi Xhon Njupor.
Lidhje krijoi Skënderbeu edhe me vende përtej kufijve
të Evropës. Dokumentet e kohës përmendin
p.sh. marrëdhëniet e tij me emirin Ibrahim të
Karamanisë në Azinë e Vogël. Ibrahimi
në një projekt të tij për luftë të
përbashkët kundër Perandorisë Osmane një
vend qendror i dha aksionit të shqiptarëve.
Vendi i shqiptarëve në projektet e fushatave
ushtarake evropiane
Politika pushtuese e sulltanëve osmanë gjatë
shek. XV shkaktoi në Evropë një shqetësim
gjithnjë në rritje. Përballë këtij
rreziku forcat largpamëse të kohës kërkuan
organizimin në shkallë evropiane të një
lufte të përbashkët për të ndalur
vërshimin e mëtejshëm të ushtrive osmane
dhe për t'i dëbuar ato nga viset e pushtuara të
Ballkanit. Këto kërkesa u përhapën sidomos
pas pushtimit më 29 maj 1453 prej sulltan Mehmetit II
të kryeqytetit të Perandorisë Bizantine, Konstandinopojës,
të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë
Osmane dhe i vuri emrin Istanbul (Stamboll). Tani frika ndaj
rrezikut të pushtimit osman u bë më e përgjithshme
dhe përfshiu edhe sundimtarët e disa vendeve evropiane.
Në këto rrethana filluan të hartoheshin projekte
për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, nëpërmjet
një lufte të përbashkët, me pjesëmarrjen
e shumë vendeve. Papët e propaganduan këtë
ide gjithnjë e më shumë, duke i dhënë
një veshje fetare si një "kryqëzatë
kundër të pafeve". Por në këtë
periudhë kushtet për një veprim të tillë
nuk ishin të favorshme, sepse shtetet e Evropës
dhe sidomos ato italiane ishin të përçara
e në grindje me njëra-tjetrën. Në projektet
që hartoheshin barra kryesore për realizimin e tyre
u lihej popujve që luftonin dhe kryesisht shqiptarëve
dhe hungarezëve.
Në planet strategjike të mbretit të Napolit,
Alfonsit V, parashtruar papa Nikollës V me rastin e konferencës
së shteteve italiane, që u zhvillua nga vjeshta
e vitit 1453 deri në pranverën e vitit 1454, si
dhe në projektet e mëvonshme, luftëtarëve
të Skënderbeut u caktohej një rol i rëndësishëm
në fushatën e përbashkët kundër osmanëve.
Po kështu u vlerësua qëndresa e shqiptarëve
edhe në dietat perandorake të shteteve gjermane
të mbajtura në Ratisbonë, Frankfurt dhe Viner-Noishtad,
si dhe në dietat hungareze, të mbledhura gjatë
viteve 1454-1455.
Edhe emiri i Karamanisë, Ibrahimi, në projektin
e tij për luftë të përbashkët kundër
sulltan Mehmetit II, drejtuar në mesin e viteve 50 papës
dhe mbretit të Napolit, u jepte një vend qendror
shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu.
Ai kishte projektuar një ofensivë të madhe,
që do të shpërthente njëkohësisht
në tokë dhe në det, si në Azi ashtu edhe
në Evropë. Kundër ushtrive osmane, sipas projektit
të tij, do të angazhoheshin me forca tokësore
në Evropë shqiptarët dhe hungarezët, në
Azi vetë Ibrahimi, kurse në det do të vepronte
një flotë e fuqishme evropiane. Ibrahimi i jepte
veçanërisht rëndësi bashkërendimit
të operacioneve që do të zhvilloheshin në
frontin shqiptar dhe në atë danubian prej hungarezëve
për t'i vënë forcat osmane, që gjendeshin
në Ballkan, ndërmjet dy zjarreve.
Idesë për organizimin e një "kryqëzate
kundër të pafeve" në shkallë evropiane
iu dha një vend i gjerë në propagandën
e Papatit pas vitit 1455, kur u bë papë Kaliksi
III dhe sidomos në kohën e pasardhësit të
tij, Piut II. Me nxitjen e këtij të fundit, në
vitin 1459, u organizua në Mantovë të Italisë
një kongres ndërkombëtar. Në të morën
pjesë një numër i konsiderueshëm sundimtarësh
evropianë dhe u vendos që të fillonin përgatitjet
për fillimin e një luftë të përbashkët
kundër pushtuesve osmanë. Por ndryshe nga deklaratat
e premtimet, pjesëmarrësit nuk u angazhuan seriozisht
në organizimin e kësaj fushate dhe rrjedhimisht
ajo u shty nga viti në vit.
Në projektin e papa Piut II, që u parashtrua me
atë rast, ushtria e përbashkët evropiane parashikohej
të kishte 40 mijë veta. Gjysma e tyre, 20 mijë
ushtarë, do të grumbulloheshin në Itali e në
vende të tjera evropiane dhe me papën e dukën
e Burgonjës në krye do të zbarkonin në
Raguzë për t'u bashkuar me forcat shqiptare. Kurse
pjesa tjetër prej 20 mijë vetash do të përbëhej
nga luftëtarët e Skënderbeut. Të gjitha
këto trupa prej 40 mijë vetash do të formonin
frontin qendror. Si komandant i përgjithshëm i ushtrisë
së përbashkët shqiptaro-europianoperëndimore
papa shpalli Skënderbeun, të cilit me këtë
rast do t'i jepte skeptrin mbretëror si dhe zotërimin
e Maqedonisë, pasi ajo të çlirohej. Në
projektin e papës parashikohej që në frontin
e Danubit të vepronin hungarezët, kurse në
Greqi dhe në det flota ushtarake e shteteve italiane.
Vendimet e Kongresit të Mantovës Skënderbeu
i pa me interes të veçantë. Por shpresat
për realizimin e projektit të papa Piut II nuk vazhduan
gjatë, sepse pjesëmarrësit kryesorë të
Kongresit të Mantovës kishin mosmarrëveshje
dhe nuk u angazhuan seriozisht për të. Shumë
prej tyre e propaganduan fushatën e përbashkët
antiosmane, me qëllim që të nxirrnin sa më
shumë përfitime materiale për vete. Për
këtë, një vëzhgues i këtyre ngjarjeve
Gerard de Kolis, në mesin e viteve 60, shkruante se "zotërinjtë
kanë nxjerrë të holla nga popujt e tyre me
pretekstin e kësaj ndërmarrjeje dhe pastaj i kanë
futur në xhep për dobinë e tyre". Në
këto rrethana, kur nuk po bëhej asnjë përgatitje
për organizimin e luftës së përbashkët
në shkallë evropiane, Skënderbeu pranoi propozimin
e sulltan Mehmetit II dhe në pranverë të vitit
1463 lidhi me të një paqe me afat 10-vjeçar,
e cila nuk vazhdoi gjatë. Menjëherë pas saj,
vetë sulltan Mehmeti II u vu në krye të trupave
osmane për pushtimin e rajoneve të Shqipërisë
së Epërme e të Ballkanit.
Në fund të vitit 1463 Skënderbeu veproi energjikisht
për të nxitur përgatitjet për fillimin
e fushatës së përbashkët antiosmane. Për
këtë qëllim, në pranverë të
vitit 1464 ai shkoi vetë në Napoli dhe dërgoi
ambasadorë në Romë dhe te duka i Milanos, i
cili kishte deklaruar se për të filluar luftën
do të dërgonte në Shqipëri 2 mijë
kalorës dhe 1 mijë këmbësorë. Skënderbeu
kthehet në Shqipëri me përshtypjen se më
në fund lufta e përbashkët do të shpërthente.
Në gusht të vitit 1464 ai u nis në Raguzë
për të pritur ushtritë evropiane që do
të vinin nga Ankona. Por në Ankonë u grumbulluan
pak forca dhe me vdekjen aty të papa Piut II, më
14 gusht të vitit 1464, dështoi përfundimisht
organizimi i fushatës ushtarake të përbashkët
në shkallë evropiane kundër pushtuesve osmanë.
Në këto rrethana po bëhej gjithnjë e më
i përgjithshëm mendimi se me luftën e tyre
shqiptarët mbronin jo vetëm vendin e tyre, por edhe
lirinë e vendeve të tjera, sepse, siç është
shprehur në vitin 1464 mbreti i Hungarisë, Matia
Korvini, sulltani ndërmjet Shqipërisë donte
të kalonte "si nëpër një urë"
për të pushtuar vendet e tjera. Personalitete të
shquara e largpamëse të kohës kërkuan
fuqizimin e qëndresës së shqiptarëve,
duke i ndihmuar ata nga ana financiare. Humanisti i shquar
italian Françesk Filelfo, në shtator të vitit
1464, i shkruante papës se Skënderbeu dhe mbreti
i Hungarisë duheshin ndihmuar me të holla, që
ata të përgatisnin ushtri të fuqishme tokësore
për shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Por
këto kërkesa largpamëse nuk u realizuan.
Në fund të vitit 1464 papa Pali II hartoi një
projekt financiar në "përkrahje" të
luftës antiosmane. Papa nëpërmjet tij kërkonte
që vendet e ndryshme, sipas premtimeve që i kishin
bërë në Kongresin e Mantovës paraardhësit
të tij, papa Piut II, të derdhin mjetet financiare.
Për të nxitur realizimin e projektit financiar të
tij, papa Pali II deklaroi me këtë rast se po vinte
100 mijë dukate në përkrahje të atyre
që luftonin.
Pas dështimit të përpjekjeve për organizimin
e fushatës së përbashkët evropiane, Skënderbeu
u përpoq që të fuqizonte mbrojtjen e vendit
dhe të vinte nën drejtimin e tij, një front
sa më të gjerë antiosman. Ai iu drejtua vendeve
që rrezikoheshin drejtpërdrejt prej sulmeve osmane
po të mposhtej qëndresa shqiptare. Skënderbeu
i kërkoi Republikës së Venedikut të vinte
nën komandën e tij forcat ushtarake që ajo
kishte në zotërimet e saj në Shqipëri.
Qysh nga fillimi i viteve 60, Venediku ishte angazhuar në
luftë me osmanët, prandaj tani u kushtonte vëmendje
të veçantë përpjekjeve të Skënderbeut
për forcimin dhe mbrojtjen e vendit, duke përfshirë
edhe zotërimet veneciane. Republika pranoi që Skënderbeu
të ishte komandant i përgjithshëm edhe për
trupat e saj në Shqipëri. Në përforcim
të garnizonit shqiptar të kështjellës
së Krujës, Skënderbeu vendosi aty një
numër të kufizuar ushtarësh venecianë
si dhe ushtarë napolitanë, të cilët mbreti
Ferdinand i dërgoi në ndihmë të tij.
Përpjekje bëri Skënderbeu që të merrte
një pjesë nga 100 mijë dukatët që
papa Pali II i kishte deklaruar se i kishte vënë
në dispozicion të luftës antiosmane. Gjatë
viteve 1465-1467, që ishin vite kulmore e më të
vështirat e luftës së shqiptarëve, papa
Pali II i dha Skënderbeut rreth 6 650 dukate, që
realisht ishte një shumë e vogël parash në
krahasim me nevojat e mëdha të luftës së
shqiptarëve. Kurse nga shtetet e tjera evropiane kjo
ndihmë qe edhe më e paktë.
5. BETEJAT E MËDHA SHQIPTARO-OSMANE TË VITEVE 60.
QËNDRESA E SHQIPTARËVE TË MORESË
Fitoret e ushtrisë shqiptare në vitet 1462-1465
Pas humbjes së rëndë që pësuan në
betejën e Ujëbardhës të vitit 1457, ushtritë
osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre
mbi viset e lira shqiptare. Në vitin 1460, para se Skënderbeu
të dërgonte grupin e parë të luftëtarëve
të tij në ndihmë të mbretërisë
së Napolit, ndërmjet tij dhe oborrit osman u nënshkrua
një armëpushim që vazhdoi dy vjet. Pas kthimit
të Skënderbeut më 1462 nga ekspedita ushtarake
e Italisë, luftimet me ushtritë osmane rifilluan
me intensitet.
Ndërkohë sulltan Mehmeti ndërmori veprime intensive
për zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan dhe
gjatë vitit 1463 i udhëhoqi vetë trupat për
nënshtrimin e Bosnjës dhe të Moresë (Peloponezit).
Madje, për rivendosjen e zgjerimin e pushtimeve në
Fushë-Dardani, Rrafshin e Dukagjinit, Jeliçe (sanxhak)
etj., qysh gjatë viteve 1458-1462 ushtritë osmane
u futën në Rrafshin e Dukagjinit dhe, ndoshta përkohësisht,
morën Prizrenin (1458), Pejën (1463) dhe qendra
të tjera të rëndësishme. Sipas dokumenteve
autentike, kur ushtritë osmane pushtuan Bosnjën
më 1463, po këtë vit në kështjellat
e Fushë-Dardanisë, Rrafshit të Dukagjinit dhe
të Jeliçes (sanxhaku), si mbrojtës të
tyre u caktuan persona të tjerë, sepse nuk ekzistonte
më asnjë nga mbrojtësit që ishin vendosur
në vitin 1455. Ato rajone kishin qëndruar të
lira. Edhe pas vitit 1463 pushteti osman mbeti formal dhe
i pakonsoliduar në rajonet e Shqipërisë së
Epërme.
Gjatë viteve 60 sulltan Mehmeti II angazhoi në luftime
kundër shqiptarëve komandantët e zonave kufitare,
duke i përforcuar ato edhe me trupa të tjera.
Gjatë vitit 1462, sipas M. Barlecit, shqiptarët
shpartalluan njëra pas tjetrës tri ushtri osmane.
Së pari ato u ndeshën në të njëjtën
kohë me dy ushtri osmane. Ushtria e parë e komanduar
nga Sinan Beu, pasi hyri në Mokër, u sulmua befasishëm
në të gjitha drejtimet, prej ushtrisë së
Skënderbeut dhe u shpartallua. Pa humbur kohë, shqiptarët
iu drejtuan ushtrisë së dytë, të komanduar
nga Hasan Beu, që ishte vendosur në afërsi
të qytetit të Ohrit, e goditën atë në
befasi dhe e thyen, duke zënë rob edhe komandantin
e saj. Kur luftëtarët shqiptarë po merrnin
rrugën e kthimit për në Krujë, ata u njoftuan
se një ushtri e tretë e komanduar prej Isuf Beut
po marshonte nga Shkupi në drejtim të Shqipërisë.
Skënderbeu vendosi të hynte menjëherë
në betejë dhe ta sulmonte ushtrinë osmane atje
ku ajo nuk e priste. Me shpejtësi luftëtarët
shqiptarë largohen nga rajoni i Ohrit, i drejtohen Kërçovës
dhe vijojnë rrugën që kalonte përgjatë
lumit Treska për të arritur në afërsi
të Shkupit, ku e sulmojnë befasishëm ushtrinë
osmane dhe e shpartallojnë atë.
Në të dalë të vjeshtës së vitit
1462, një ushtri e katërt e komanduar nga Karaxha
Beu u nis kundër viseve të lira shqiptare dhe e
vendosi fushimin e vet në fushën e Livadhit, pranë
qytetit të Ohrit. Skënderbeu e sulmoi atë në
çastin kur gjendej e papërgatitur për luftë,
por moti me shi bëri që të ndërpritej
zhvillimi i betejës. Kjo u dha mundësi trupave osmane
të tërhiqeshin pa pësuar humbje të rënda.
Pas disfatave të njëpasnjëshme gjatë vitit
1462, sulltan Mehmeti II i propozoi paqe Skënderbeut,
në një kohë kur ky i kishte humbur shpresat
për organizimin e një lufte të përbashkët
antiosmane në shkallë evropiane. Prandaj, në
pranverë të vitit 1463, ndërmjet tyre u nënshkrua
në Shkup traktati i paqes me afat 10-vjeçar. Por
paqja nuk pati jetë të gjatë, sepse sulltani
gjatë vitit 1463 u përpoq të rivendoste pushtetin
e tij në rajonet e Rrafshit të Dukagjinit, të
Sanxhakut, si dhe arriti të pushtonte Bosnjën dhe
Morenë. Skënderbeu nuk mund të pajtohej me
veprime të tilla që rrezikonin të ardhmen e
tij si sundimtar i pavarur, gjë që është
pasqyruar edhe në dokumente të vitit 1463 që
flasin për gatishmërinë e tij për të
ndihmuar Bosnjën.
Luftimet rifilluan në gusht të vitit 1464, kur një
ushtri e komanduar nga Sheremeti u vendos pranë qytetit
të Ohrit. Luftëtarët shqiptarë iu drejtuan
Ohrit dhe kur arritën në afërsi të tij,
Skënderbeu dërgoi 500 kalorës në drejtim
të ushtrisë osmane për ta mashtruar që
t'i ndiqte nga pas, deri në vendin ku qëndronin
të fshehur luftëtarët shqiptarë. Sipas
parashikimit të Skënderbeut, ushtria osmane u vu
në ndjekje të kalorësve shqiptarë dhe
kur arriti në pritën, që shqiptarët e
kishin ngritur mjeshtërisht, ajo pësoi një
katastrofë të plotë, duke humbur shumicën
e ushtarëve. Në fillim të muajit shtator të
vitit 1464, ndërkohë që ushtria hungareze kishte
çliruar rajone të tëra të Bosnjës
Veriore, Skënderbeu i nisi trupat e veta të drejtim
të viseve të ish-Despotatit serb të Rashës
dhe, në rajonet pranë Sjenicës, u ndesh më
11 shtator me një ushtri osmane, të cilën e
shpartalloi.
Pas këtyre disfatave sulltan Mehmeti II, sipas M. Barlecit,
ngarkoi Ballaban Beun që të drejtonte ushtritë
osmane për mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Nisur nga posti real ushtarak i tij, Ballaban Beu duhet të
ketë qenë shoqëruesi kryesor dhe krahu i djathtë
i komandantëve të ushtrive osmane, sepse si vendas
ai njihte mjaft mirë rrugëkalimet nëpër
viset shqiptare dhe mjedisin shqiptar.
Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit,
me titullin pashë (Ballaban Pasha), ishte shqiptar dhe
kishte një karrierë ushtarake të gjatë
në shërbim të Perandorisë Osmane. Në
regjistrin kadastral osman të Sanxhakut Shqiptar të
vitit 835 h. (1431-1432) ai përmendet si timarli i katër
fshatrave të vilajetit të Krujës, kurse dy
vjet më pas emërohet dizdar i saj dhe gjatë
viteve 1437-1439 do të ishte vartës i Skënderbeut
kur ky u emërua si subash i Krujës. Ballabani përmendet
aty si "gulam-i mir" dhe me cilësimin "i
vogël" (Ballaban-i kyçyk), që është
në përshtatje me përshkrimin që M. Barleci
i bën fizikut të tij: "nga shtati ishte i shkurtër
dhe i pakët". Pas çlirimit të Shqipërisë
në vitin 1443 Ballaban Beu emigroi familjarisht. Në
mesin e viteve 60 dy djem të tij, Hamzai dhe Hiziri,
përmenden si timarlinj në Maqedoninë Lindore
(në lindje të Serezit). Ballabani përmendet
ndërkohë si "ish-dizdar i Krujës",
gjë që tregon se sulltani, kur e ngarkoi me detyrën
që të shkatërronte forcat e Skënderbeut,
i kishte premtuar së paku edhe postin që kishte
pasur në vitet 30. Më pas, në tetor të
vitit 1466, Ballabani përmendet si zotërues i një
timari të madh në rajonin e Tetovës. Para se
të vendosej këtu, Ballaban Beu duhet të ketë
pasur në zotërim prona diku në rajonet që
shtriheshin në lindje të Ohrit, sepse në afërsi
të këtij qyteti ai do të zhvillonte luftimet
me forcat e Skënderbeut.
Ballaban Beu ishte njohës shumë i mirë i terrenit,
prandaj atij iu besua shoqërimi, ndoshta për raste
të veçanta edhe drejtimi i forcave osmane për
shkatërrimin e Skënderbeut, ish-epror i dikurshëm
i tij. Ai u përforcua vazhdimisht me trupa të freskëta
dhe në luftimet e pandërprera përdori gjerësisht
sulme të befasishme dhe dredhi të shumta. Si detyrë
kryesore ai duhet të ketë pasur pushtimin e qytetit
të Ohrit.
Ndeshjen e parë me trupat e Ballabanit, sipas M. Barlecit,
shqiptarët e zhvilluan në fushën e Falkalit
(Valkalit) pranë malit Bigë (Furkë) në
afërsi të Ohrit në vitin 1464. Plani i tij
fillestar, që t'i sulmonte natën e në befasi
shqiptarët, dështoi. Me gjithë dëmet e
rënda që pësuan forcat e tij, nëpërmjet
pritave që kishte ngritur Ballabani, arriti të dëmtonte
komandën e ushtrisë shqiptare. Në kundërshtim
me porositë e Skënderbeut, komandantët e reparteve
shqiptare, duke ndjekur ushtrinë e shpartalluar osmane,
u shkëputën shumë nga bashkëluftëtarët
e tyre dhe ranë në pritën e armikut. Tetë
komandantë të shquar, duke përfshirë edhe
Mosi Golemin (Arianitin) u kapën prej ushtarëve
osmanë. Skënderbeu bëri përpjekje të
mëdha për lirimin e tyre duke i propozuar sulltanit
shuma të mëdha të hollash dhe lirim të
robërve osmanë. Por ai nuk pranoi dhe urdhëroi
që, komandantët shqiptarë, pas torturave të
tmerrshme, të ekzekutoheshin duke i rrjepur të gjallë.
Pak më parë, në fillim të vitit 1461,
kishte vdekur edhe Gjergj Arianiti që, pas Skënderbeut,
kishte qenë personazhi më i rëndësishëm
i luftës antiosmane të shqiptarëve.
Edhe pas humbjes së këtyre personaliteteve të
jetës politike e ushtarake të vendit, shqiptarët
e vazhduan me vendosmëri luftën kundër trupave
osmanë. Në Oronik të Dibrës së Sipërme,
pa u parë nga rojet shqiptare, Ballabani e afroi ushtrinë
e vet pranë luftëtarëve shqiptarë për
t'i gjetur në befasi. Në sajë të vigjilencës
së Skënderbeut, i cili i zbuloi vetë forcat
armike, luftëtarët shqiptarë u hodhën
menjëherë në luftë dhe e fituan betejën.
Pas kësaj, në krye të një ushtrie të
re, Ballabani u përpoq gjatë tre muajve t'i zinte
në befasi shqiptarët, por kur u bind se një
sulm i tillë ishte i pamundur, u ndesh me ta në
fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë
të Ohrit dhe trupat e tij u thyen keqas.
Pas këtyre luftimeve, Ballabani u përpoq t'i shkatërronte
forcat shqiptare, duke i goditur ata njëkohësisht
nga dy drejtime të kundërta. Prandaj në verë
të vitit 1465 u nisën në të njëjtën
kohë kundër Shqipërisë dy ushtri, njëra
në drejtim të Ohrit dhe tjetra kundër Krujës.
Duke u informuar me kohë për lëvizjen e tyre,
luftëtarët shqiptarë marshuan me shpejtësi,
së pari në drejtim të ushtrisë që
komandohej nga vetë Ballaban Beu dhe e shpartalluan krejtësisht
atë po në fushën e Falkalit (Valkalit). Pas
kësaj shqiptarët u kthyen në drejtim të
viseve perëndimore për t'u ndeshur me ushtrinë
e dytë, të komanduar nga Jakupi, një tjetër
shqiptar ky, që e njihte mirë vendin. Për të
mos u diktuar nga trupat e Skënderbeut, gjithnjë
sipas rrëfimit të M. Barlecit, ushtria e Jakupit
mori rrugët e Shqipërisë së Poshtme, që
ishte e pushtuar, kaloi nëpër Berat dhe vijoi marshimin
në drejtim të Krujës, e cila veç rojeve
të kështjellës, nuk kishte luftëtarë
të tjerë shqiptarë që të ndesheshin
më ushtrinë e Jakupit. Skënderbeu, pasi shpartalloi
më parë forcat e Ballabanit i drejtoi luftëtarët
e tij kundër ushtrisë së Jakupit, që ishte
vendosur në fushën e Tiranës. Në luftimet
që u zhvilluan në rajonin e Kasharit, forcat osmane
pësuan një disfatë të rëndë,
duke mbetur i vrarë edhe komandanti i tyre.
Pas pesë betejave të ashpra, që luftëtarët
e Skënderbeut zhvilluan gjatë një viti me ushtritë
osmane të drejtuara nga Ballaban Beu, edhe pse shqiptarët
kishin dalë fitimtarë, sulltan Mehmeti II mendoi
se tashmë ata ishin të lodhur e të dobësuar
në një masë të tillë, sa që
nuk do të mund të përballonin një goditje
vendimtare të të gjitha forcave ushtarake të
Perandorisë Osmane.
Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit II (1466).
Kërkesat e Skënderbeut ndaj shteteve italiane
Në gjysmën e parë të viteve 60 kufijtë
e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u
zgjeruan. Brenda saj u përfshinë Bosnja Jugore dhe
Peloponezi. I ndodhur në kushte të favorshme si
asnjëherë tjetër, sulltan Mehmeti II, i mbiquajtur
"Pushtuesi" (Fatihu), kërkoi të mposhtej
me çdo kusht qëndresa heroike shqiptare dhe të
dilte në detin Adriatik. Ai parashikoi ta bënte
atë nëpërmjet një fushate ushtarake të
tillë, që do të ishte më e fuqishmja nga
të gjitha ato që ishin organizuar deri atëherë
kundër shqiptarëve.
Me kohë erdhën në Shqipëri njoftimet për
përgatitjen që po bënte oborri osman për
organizimin e një fushate ushtarake shumë të
fuqishme kundër Shqipërisë. Ndërkohë
shqiptarët ndërmorën masa energjike për
fuqizimin e mbrojtjes së vendit, përforcuan kështjellat,
fortesat etj. Kujdes të veçantë ata i kushtuan
mbrojtjes së qytetit të Krujës. Garnizoni i
kështjellës u vu nën komandën e Tanush
Topisë dhe u pajis me mjete të shumta luftarake
dhe me ushqimet e nevojshme për të përballuar
një rrethim sa më të gjatë. Popullsia
e paaftë për luftë, bagëtitë, pasuritë
e ndryshme u vendosën nëpër malësi e vende
të sigurta.
Në pranverë të vitit 1466, në krye të
të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë
Osmane, sulltan Mehmeti II mori rrugët në drejtim
të Krujës. Pasi arriti në fillim të muajit
maj në Manastir, iu drejtua viseve të lira shqiptare,
duke marshuar nëpër Rrugën Mbretërore
(Egnacia). Kur ushtria osmane hyri në viset e lira u
gjend nën sulmet e pandërprera të çetave
të shumta shqiptare, të cilat kishin zënë
grykat dhe shtigjet. Me vështirësi të mëdha
e me humbje të ndjeshme, ajo arriti të vendosej
në fushën pranë Krujës.
Përballë taktikës së Skënderbeut,
sulltani e ndau ushtrinë e vet në dy pjesë.
Njëra e pajisur me të gjitha mjetet luftarake të
kohës, duke përfshirë edhe topa, rrethoi Krujën.
Tjetra mori urdhër të ndiqte e të asgjësonte
ushtrinë shqiptare që vepronte jashtë kështjellës
nën komandën e Skënderbeut, si dhe çetat
e shumta që sulmonin karvanet e furnizimit.
Sulltan Mehmeti II u kërkoi mbrojtësve të kështjellës
së Krujës dorëzimin e menjëhershëm
dhe, pas kundërshtimit të tyre, ai urdhëroi
marrjen e saj me luftë. Sulmet e furishme që ndërmorën
trupat osmane, mbrojtësit e Krujës i përballuan
me sukses. Detyrën atyre ua lehtësonin goditjet
e furishme dhe shpartalluese të luftëtarëve
që vepronin jashtë kështjellës nën
komandën e Skënderbeut. Ata i bashkërendonin
veprimet e tyre me kundërsulmet e mbrojtësve të
Krujës. Duke përshkruar këto luftime, M. Barleci
shkruante se "Skënderbeu me forca e ushtri të
fuqishme e sulmonte çdo ditë fushimin e Mehmetit
II dhe nuk i linte për asnjë çast të
qetë... lëshohej pa pushim mbi të dhe, si një
përrua që zbret nga malet pas shirave të mëdha
mbyt dhe rrëmben çdo gjë me vete, po ashtu
edhe Skënderbeu lëshohej pa pushim mbi fushimin
turk, herë nga njëra anë, herë nga ana
tjetër, e trondiste atë kudo, i shkaktonte armikut
vrasje, dëme dhe humbje shumë të mëdha".
Kudo që vepronin luftëtarët shqiptarë,
si sulmues nën drejtimin e Skënderbeut, nëpër
çetat, apo si mbrojtës të kështjellave,
treguan trimëri të papërshkruar, që la
gjurmë të pashlyeshme edhe te armiqtë dhe u
përjetësua në veprat e historianëve të
vjetër osmanë. Njëri prej këtyre, Idriz
Bitlisiu vinte në dukje me këtë rast se shqiptarët
"janë nga natyra trima e guximtarë sa nuk ka
ku të vejë më. Në sulm e në qëndresë
janë shumë të rrëmbyeshëm e të
patundshëm. Shigjetat e shiut të vuajtjeve e të
fatkeqësive ata i presin me kraharorët e tyre të
hapur dhe nuk vënë kurrë para armikut mburojën
e dobësisë e të përuljes". Kurse
Qemal pasha Zade ka shkruar për këto ngjarje se
edhe "luftëtari më i dobët i arbërve
është nga më trimat e fushës së luftës,
tamam sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar.
Ai nuk ka as kalë, as mjete lufte, por ka në vend
të kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima,
ka ushta maja e të cilave është plot helm si
thumbi i grerëzave, ka edhe një hark prej druri
e bashkë me të disa shigjeta, por megjithatë
ai është më i fortë se hekuri".
Pas më se dy muaj luftimesh të ashpra, sulltan Mehmeti
II u bind edhe këtë herë se Kruja nuk mund
të pushtohej me forcën e armëve. Prandaj ai
mendoi nënshtrimin e saj nëpërmjet një
rrethimi të vazhdueshëm derisa uria t'i detyronte
mbrojtësit e Krujës të dorëzoheshin. Këtë
detyrë ia ngarkoi Ballaban Beut, duke i lënë
nën komandë një pjesë të ushtrisë.
Krahas rrethimit të kështjellës së Krujës,
ata do të ushtronin një presion të pandërprerë
mbi të gjitha viset e lira shqiptare. Për të
mbështetur veprimtarinë luftarake të trupave
të Ballabanit, furnizimin e tyre me mjete lufte dhe me
ushqime, si dhe për të shkëputur nga trungu
i shtetit shqiptar një pjesë të tij, Mehmeti
II vendosi që të rindërtohej plotësisht
e të fuqizohej fortesa e lashtë e Valmit në
luginën e lumit Shkumbin. Punimet u bënë në
prani të sulltanit dhe vazhduan me vrull një muaj
të tërë. Ato përfunduan në korrik
të vitit 1466. Për të shprehur rëndësinë
e veçantë që kishte kjo fortesë për
zhvillimin e mëtejshëm të luftës, sulltani
i vuri emrin Ilbasan (Elbasan) d.m.th. "vend që
sundon".
Në korrik të vitit 1466 sulltan Mehmeti II bashkë
me pjesën më të madhe të ushtrisë
mori rrugën e largimit nga Shqipëria. Në fund
të korrikut ata ishin në Manastir dhe vijuan rrugën
në drejtim të Përlepit, Shtipit e Plovdivit
për të arritur në Stamboll. Pas largimit nga
Elbasani ushtria osmane pushtoi përfundimisht qytetin
e Ohrit. Banorët e tij luftuan për mbrojtjen e qytetit
të tyre, prandaj sulltan Mehmeti II arrestoi dhe i internoi
në Stamboll kryepeshkopin e Ohrit, Dorotheun, bashkë
me shumë fisnikë e klerikë të tjerë
të qytetit. Me premtimin se nuk do t'i trazonte, sulltan
Mehmeti II arriti të shtinte në dorë me mijëra
e mijëra njerëz që ishin strehuar në një
rajon malor të quajtur Kidna. Gjithnjë sipas rrëfimit
të M. Barlecit, si hakmarrje për disfatën e
pësuar, sulltani masakroi barbarisht afro 8 mijë
veta të strehuar në atë rajon malor. Por edhe
masakra të tilla nuk i ligështuan shqiptarët.
Këta i vazhduan luftimet edhe pas largimit të sulltanit,
duke mbrojtur Krujën dhe u përpoqën të
shtinin në dorë kështjellën e Elbasanit,
e cila bashkë me Ohrin u krijoi mundësi osmanëve
të kontrollonin lëvizjet nëpër Rrugën
Mbretërore (Egnacia). Gjendja ekonomike e vendit ishte
përkeqësuar dhe uria po i kërcënonte shqiptarët.
Duheshin siguruar ndihma në ushqime, në armë
etj.
Luftimet e vitit 1466 në Shqipëri, ishin të
përmasave të mëdha dhe të një rëndësie
të veçantë edhe për fatin e Italisë
e të vendeve të tjera evropiane. Prandaj ato tërhoqën
vëmendjen e tyre, sepse, siç thuhej ato ditë,
trupat osmane "ishin në dyert e Italisë"
dhe po të binte qëndresa shqiptare, ajo do të
ishte viktimë e tyre.
Në këto rrethana, në fund të majit 1466
u mblodhën në Romë ambasadorët e shumë
shteteve italiane. Me këtë rast Papa u kërkoi
që të bashkoheshin jo vetëm forcat e shteteve
italiane, por edhe të vendeve të tjera evropiane,
për të përballuar sulmin e mundshëm të
ushtrisë osmane mbi Italinë. Kjo situatë e
rrezikshme për shtetet evropiane duhej t'i nxiste ato
që t'u dërgonin shqiptarëve ndihma ekonomike
dhe ushtarake.
Për të përballuar gjendjen shumë të
rëndë të vendit të vet, Skënderbeu
iu drejtua për ndihmë shteteve italiane. Ai dërgoi
në Venedik të birin, Gjonin, ndërsa në
nëntor të vitit 1466 u nis vetë për në
Napoli e në Romë. Ai qëndroi në Itali
deri në fund të marsit të vitit 1467, ndërkohë
që trupat osmane mbanin të rrethuar Krujën.
Misioni i djalit të Skënderbeut në Venedik
nuk dha përfundimet që priteshin, sepse ndihmat
për shqiptarët shiheshin atje si shpenzime të
shumta e të paleverdisshme. Megjithëkëtë,
për të ndihmuar Skënderbeun Republika e Shën
Markut kishte dërguar pranë tij një numër
ushtarësh, ndërkohë përpiqej të rifillonte
bisedimet për paqe me osmanët.
Komandanti i trupave osmane në Shqipëri, Ballaban
Beu, ndoqi me vëmendje veprimtarinë diplomatike
të Skënderbeut në Itali dhe u përpoq që
ky të dështonte në misionin e vet. Osmanët
i kërcënuan vendet e tjera dhe e detyruan Senatin
e Raguzës të ndalonte ardhjen e Skënderbeut
në këtë qytet gjatë udhëtimit për
në Itali. Ndërkohë përfaqësues të
Ballaban Beut shkuan në oborrin napolitan për të
penguar ndihmat për shqiptarët. Me sa duket Ballabani
deri diku ia arriti këtij qëllimi, sepse gjatë
muajve nëntor-dhjetor 1466, kur Skënderbeu ishte
në Napoli, nuk siguroi ndonjë ndihmë të
rëndësishme prej oborrit napolitan.
Pas Napolit, i shoqëruar me pak kalorës, Skënderbeu
shkoi në Romë. Banorët e saj i rezervuan atij
një pritje aq masive, madhështore e triumfale, saqë
nuk ishte parë ndonjëherë në atë
qytet. Kjo pritje ishte shprehja më e qartë dhe
e sinqertë e ndjenjave të vërteta të popullit
italian për luftën e popullit shqiptar dhe udhëheqësin
e tij. Papa organizoi për Skënderbeun ceremoni zyrtare,
por ndihma materiale e tij qe e vogël për nevojat
e ngutshme të shqiptarëve, gjë që e bëri
të pakënaqur komandantin shqiptar. Në çastet
e largimit të tij nga Roma, shkruanin ato ditë bashkëkohësit,
Skënderbeu u shpreh plot sarkazëm se "më
parë do të donte të bënte luftë me
kishën sesa me turkun", dhe "nuk besonte se
mund të gjendej shpirtvogëlsi më e madhe në
botë sesa te këta priftërinj". Pas një
qëndrimi dymujor Skënderbeu u largua nga Roma dhe
u kthye sërish në Napoli, ku qëndroi gjatë,
por nuk siguroi ndonjë ndihmë efektive. Edhe mbreti
Ferdinand i Napolit, ashtu si Venediku, përpiqej të
shmangte rrezikun osman mbi shtetin e tij, jo aq me veprime
efektive ushtarake sesa me anën e bisedimeve sekrete
për paqe me sulltan Mehmetin II.
Rrethimi III i Krujës (1467).
Vdekja e Skënderbeut (17 janar 1468)
Në mars të vitit 1467, kur Skënderbeu gjendej
në Itali, nëpunësit osmanë kryen regjistrimin
e popullsisë e të tokave në një rajon
të kufizuar të viseve të shkelura prej tyre
për të vendosur në to sistemin feudal ushtarak
të timareve. Ky regjistrim dëshmon mirë për
pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në
luftë. Sipas tij, dhjetëra fshatra ishin shkatërruar
dhe braktisur nga popullsia, kurse shumica e fshatrave të
tjera kishin mbetur me pak banorë dhe kishin nga një
familje deri në dhjetë. Kjo pamje e shkretuar e
vendit ishte shkaktuar nga rrënimet e luftës dhe
masakrat e pushtuesve. Ajo lidhej edhe me largimin e popullsisë
shqiptare, të paaftë për luftë, në
vende të sigurta e të paarritshme për armiqtë,
ndërkohë që të tjerë gjendeshin në
radhët e njësive luftarake të Skënderbeut.
Për më tej dhuna e pushtuesit dhe uria detyroi të
emigronin nga Shqipëria në vendet e tjera, kryesisht
në Itali, me mijëra e mijëra shqiptarë.
Regjistri tregon se osmanët kishin arritur përkohësisht
të shtinin në dorë një numër kështjellash
të Skënderbeut, që kontrollonin rrugët
e komunikimit të Krujës me viset që shtriheshin
në lindje të saj, si Stelushin, Gurin e Bardhë,
Koxhaxhikun e Rahovnikun (Dibrën). Gjithashtu ai dëshmon
se, në atë kohë, ndërmjet shqiptarëve
dhe osmanëve ishin zhvilluar luftime të ashpra në
tri rajone kryesore: në atë të Krujës,
të Koxhaxhikut (në luginën e Drinit të
Zi dhe në juglindje të Dibrës) dhe të
Rekës (në verilindje të Dibrës). Në
këto rajone shumë fshatra ishin braktisur tërësisht
nga banorët për shkak të luftimeve të
ashpra që ishin zhvilluar pranë tyre. Ndërkohë
osmanët u përpoqën të vinin nën kontrollin
e plotë të tyre edhe rajone të tjera, prandaj
vijuan riregjistrimin kadastral të tyre, në rajonet
e Tetovës, të Kërçovës etj. Krahas
premtimit për postin e dizdarit të Krujës,
në tetor të vitit 1466 sulltani i kishte dhënë
në zotërim Ballaban Beut një timar të
madh në rajonin e Tetovës, me qëllim që
të luftonte sa më energjikisht për nënshtrimin
e atyre viseve.
Në ditët e para të prillit të vitit 1467,
Skënderbeu u kthye në atdhe nga Italia. Në
gjirin e popullit të vet, si gjithnjë, ai gjeti
besimin e patundur, dashurinë e pakufishme dhe gatishmërinë
e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e
vendit të tyre.
Skënderbeu organizoi menjëherë një ushtri
të fuqishme prej 16 mijë luftëtarësh.
Rradhët e saj vazhdimisht shtoheshin, sepse, siç
tregonte një raguzan, arbërit vërshonin
drejt Skënderbeut.
Me këto forca, më 19 prill 1467, Skënderbeu
sulmoi papritur dhe shpartalloi krejtësisht një
ushtri që shkonte në përforcim të trupave
osmane që mbanin të rrethuar Krujën. Komandanti
i saj, i cili ishte vëllai i Ballabanit, Jonima, bashkë
me të birin, ranë rob në duart e shqiptarëve.
Pas katër ditësh, më 23 prill, luftëtarët
e Skënderbeut marshuan me shpejtësi në drejtim
të Krujës. Këta, duke bashkërenduar veprimet
e tyre me kundërsulmet e garnizonit të kështjellës,
e futën ushtrinë osmane ndërmjet dy zjarreve
dhe e shpartalluan keqas. Gjatë betejës Ballaban
Beu u vra nga një mbrojtës krutan i kështjellës,
Gjergj Aleksi. Ai u varros në Petrelë.
Trupat osmane u tërhoqën të shpartalluara dhe
shqiptarët çliruan kështjellat që u
pushtuan gjatë rrethimit të dytë të Krujës.
Skënderbeu rrethoi edhe kështjellën e Elbasanit,
por, duke mos pasur artileri, nuk e mori dot.
Me këto fitore shqiptarët i dhanë fund rrethimit
të dytë të Krujës, duke u shkaktuar humbje
të rënda forcave ushtarake të Perandorisë
Osmane. Megjithëkëtë sulltan Mehmeti II nuk
hoqi dorë nga synimi i tij për ta mposhtur sa më
shpejt qëndresën shqiptare.
Pa kaluar një muaj nga shpartallimi i trupave të
Ballabanit, në fund të majit të vitit 1467,
sulltan Mehmeti II erdhi përsëri në Shqipërinë
me të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë
Osmane. Kur u futën në luginën e Shkumbinit,
trupat armike u goditën prej luftëtarëve shqiptarë.
Duke përshkruar zhvillimin e kësaj beteje, historiani
osman Ibn Kemal shkruante se pranë Bushekut (në
juglindje të Elbasanit) "arbërit e ndezën
zjarrin e luftës, morën në duart e tyre ushtat,
të cilat u ngjajnë gjarpërinjve helmues dhe
qëndruan në grykat e shpellave. Ata luftuan deri
kur erdhi koha e mbrëmjes ... Kur lufta pushoi, u grumbulluan
të gjithë në një vend dhe në mëngjes
dolën si një lumë nga lugina dhe u vërsulën
menjëherë mbi ushtrinë e Anadollit". Beteja
ishte e ashpër. Asnjëra palë nuk mundi të
sigurojë fitoren. Lidhur me këtë ngjarje kronisti
bizantin Kritobuli vinte në dukje se "sulltani pasi
urdhëroi ushtarët që të grabisnin e të
plaçkisnin ... la maleve pjesën më të
madhe dhe më luftarake të ushtrisë ... kurse
ai duke qëndruar bashkë me pjesën tjetër
të ushtrisë, plaçkiste vise të tjera
të vendit, duke marshuar me ndalesa dhe duke ngritur
fushime". Pas këtyre veprimeve, sulltani me pjesën
kryesore të ushtrisë rrethoi Krujën duke menduar
se mbrojtësit e saj, të lodhur nga rrethimi i mëparshëm
njëvjeçar, nuk do t'u bënin dot ballë
goditjeve të reja. Trupat osmane sulmuan gjithashtu Durrësin
dhe qendra të tjera të fortifikuara.
Ashtu si në rrethimet e mëparshme të Krujës,
Skënderbeu me pjesën kryesore të trupave shqiptare
qëndroi në rrethinat e saj dhe prej andej organizoi
vazhdimisht sulme mbi forcat osmane, që mbanin të
rrethuar kështjellën, e cila mbrohej si edhe më
parë nga garnizoni i saj nën komandën e Tanush
Topisë.
Përballë vendosmërisë së patundur
të shqiptarëve për të mbrojtur me çdo
kusht lirinë e vendit, i bindur plotësisht se me
forcën e armëve nuk mund të mposhtej qëndresa
shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të përdorte
tani, me përmasa shumë më të gjera se
më parë, mjetin më ekstrem: shfarosjen në
masë të popullsisë.
Jo vetëm te kronistët bizantinë e osmanë,
si bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, por
edhe në letërkëmbimin e atyre ditëve dhe
në dokumente të tjera të kohës, përmenden
në mënyrë të veçantë masakrat
e ushtrive osmane gjatë vitit 1467 në Shqipëri.
Në to vihen në dukje "mizoritë e pashembullta
të sulltanit, i cili as për siguri e as për
dhimbje nuk të fal dhe nuk ka mëshirë",
që "po bën në Arbëri një mijë
dhunime, vrasje e mizori dhe po djeg e shkatërron një
popull të tërë". Këto veprime shtazarake
shfarosën me mijëra e mijëra njerëz, mijëra
e mijëra të tjerë u detyruan të linin
trojet e tyre e të merrnin rrugët e mërgimit,
por, megjithëkëtë, ai nuk arriti të thyente
vullnetin dhe qëndresën e një populli të
tërë, që luftonte për të mbrojtur
lirinë e vendit të vet.
Në mbarim të verës, trupat osmane me sulltan
"fitimtarin" në krye, të rraskapitura
dhe pa asnjë shpresë fitoreje, morën rrugën
e kthimit të ndjekura këmba-këmbës prej
luftëtarëve shqiptarë. Si rrjedhojë e
humbjeve të rënda, që pësuan trupat osmane
gjatë viteve 1466-1467, sulltan Mehmeti II u detyrua
të hiqte dorë për disa vjet nga plani i tij
për pushtimin e Shqipërisë nëpërmjet
fushatave të mëdha ushtarake.
Pas largimit të trupave osmane, si detyrë e ngutshme
përpara vendit qëndronte përballimi i rrënimeve
dhe vështirësive të shumta të shkaktuara
nga lufta. Për masat që duheshin marrë në
këtë drejtim, në janar 1468 Skënderbeu
thirri në Lezhë Kuvendin e fisnikëve të
vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur
nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare
u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave
armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua
pranë lumit të Kirit. Këtë herë shqiptarët
luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në
atë kohë u sëmur. Pas disa ditësh, më
17 janar 1468, në Lezhë, pushoi së rrahuri
zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi
një pikëllim të rëndë e të papërshkruar
në mbarë popullin shqiptar. "Me vdekjen e tij,
- theksohej ato ditë në Senatin e Venedikut, - arbërit
kanë rënë në një ngashërim dhe
tronditje të madhe".
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu u varros në katedralen
e Shën Kollit të Lezhës, po në atë
vend ku ai themeloi Besëlidhjen Shqiptare.
Qëndresa antiosmane e shqiptarëve të Moresë
në shek. XV
Si rezultat i emigrimeve masive, që vazhduan gjatë
gjithë gjysmës së parë të shek. XV,
Morea (Peleponezi) kishte në këtë kohë
një popullsi shqiptare mjaft të dendur. Ngulimet
shqiptare qenë të shpërndara në të
gjitha hapësirat e Moresë, në Akne, Korint,
Argi, Arkadi, Meseni, Bardhuni, Majnë e në Lakoni.
Dokumentet veneciane dhe regjistrat osmanë të kësaj
kohe japin të dhëna mjaft interesante për shpërndarjen
e ngulimeve shqiptare në More, për organizimin e
bashkësive shqiptare, veprimtarinë prodhuese të
tyre, për marrëdhëniet e tyre me autoritetet
vendase etj. Sipas tyre në mjaft zona shqiptarët
përbënin popullsinë dërrmuese. Kështu,
sipas një regjistri osman të gjysmës së
dytë të shek. XV, del se 155 qendërbanime ndër
198 që kishin nahijet e Kallandricës, Sandamerit,
Grebenesë e të Hllamucit, në Morenë veriore
e të mesme, ishin të banuara nga shqiptarë.
Raporte të ngjashme demografike ndeshen edhe në
zona të tjera, në Korint, Arkadi, Majnë, Meseni,
Lakoni etj. Mbi bazën e një pranie të tillë
masive të banorëve shqiptarë, zona të
tëra në More cilësohen shpesh nga burimet e
kohës si vende të arbërve.
Qendërbanimet e shqiptarëve të Moresë
kishin në shumicën e tyre emra karakteristikë
shqiptarë që pasqyronin ose emrin e origjinës
së banorëve ose emrin e familjes kryesore të
bashkësisë. Ndër emrat më tipikë
të këtyre qendërbanimeve përmenden të
tilla si: Lëndina, Mali, Lumi, Ripësi, Balta, Buzë-Mazi,
Golemi, Kryekuqi, Zoga, Lalushi, Mansi, Voriboba, Floka, Këmbëthekra,
Matringa, Muzaka, Belushi etj.
Qendërbanimet shqiptare të Moresë ishin të
karakterit bujqësor dhe blegtoral. Ato përbëheshin
nga territori i banuar dhe nga sipërfaqja e arave, ullishteve,
kullotave, pyjeve etj. Për shfrytëzimin e tyre,
ashtu si banorët e tjerë, shqiptarët duhej
t`u paguanin detyrimet përkatëse zotërve ligjorë
të tokës, që ishin sipas rastit Perandoria
Bizantine, despotët e Moresë, princët latinë
të Akesë apo të Athinës, Republika e Venedikut
ose, në fund, edhe sulltani osman. Gjithsesi detyrimi
kryesor që shqiptarët duhej t'u ofronin sundimtarëve
të vendit, ishte shërbimi ushtarak, që kryhej
nga burrat e aftë për luftë, kryesisht në
mbrojtjen e kështjellave në rast rreziku. Nga shek.
XV fillojnë të bëhen gjithnjë më
të shpeshta në More repartet e luftëtarëve
profesionistë shqiptarë (stratiotët). Këto
ishin njësi të kalorësisë së lehtë
që ndonjëherë përfshinin disa mijëra
luftëtarë. Nën komandën e një kreu
stratiotët shqiptarë siguruan për një
kohë të gjatë mbrojtjen e kështjellave
nga sulmet osmane. Repartet e stratiotëve ngriheshin
mbi bazën e përkatësisë së njëjtë
etnike, por në to luanin rol edhe lidhjet familjare.
Pjesëtarët e tyre ishin shpeshherë anëtarë
të një ose më shumë grupeve familjare.
Një gjë e tillë i bënte repartet e stratiotëve
njësi vërtet të qëndrueshme dhe koherente.
Moment i rëndësishëm i këtij kohezioni
qe figura e komandantit të stratiotëve (capo stratioti).
Ky gëzonte një autoritet të padiskutueshëm,
që rridhte si nga prejardhja ashtu dhe nga virtytet dhe
lavdia e tij luftarake.
Stratiotët shqiptarë u bënë kështu
protagonistët e qëndresës kundër invazionit
osman në More.
Në fillim të shek. XV Peloponezi vazhdonte të
ishte i copëtuar politikisht midis sundimtarëve
të ndryshëm. Pjesa veriore e tij ndahej ndërmjet
princit gjenovez Asani II Açajuoli, kurse pjesa jugore
qeverisej nga despotët bizantinë të familjes
perandorake të Paleologëve. Nga ana e vet, Republika
e Venedikut kontrollonte një numër kështjellash
strategjike të shpërndara gjatë bregdetit,
siç ishin ato të Koronës, Modonit, Nauplionit
etj. Burimet e kohës njoftojnë se në zona të
gjera të Peloponezit, si në Arkadi, Bardhuni, Mainë
etj., kishte bashkësi të tëra shqiptare që
qëndronin më vete e qeveriseshin nga krerët
e tyre. Një numër akoma më i madh fshatrash
shqiptare ishin nën juridiksionin e sundimtarëve
të huaj të Peloponezit. Shqiptarët përbënin
gjithsesi forcën kryesore ushtarake të këtyre
sundimtarëve. Kjo është arsyeja që shqiptarët
e Peloponezit, pavarësisht nga statusi i tyre, u bënë
këtu faktori kryesor i qëndresës antiosmane.
Ballafaqimi i parë i shqiptarëve të Peloponezit
me osmanët u bë në vitin 1432. Komandanti turk
i Thesalisë, Turhan Pasha, kreu atë vit një
inkursion që preku deri viset qendrore të Peloponezit.
Ndërkohë që despotët bizantinë dhe
sundimtarët e tjerë të Peloponezit nxituan
të binin në ujdi me Turhan Pashën, shqiptarët
i bënë këtij një qëndresë të
ashpër. Qendra e saj u bë Davi, lokaliteti i Arkadisë
së banuar nga popullsi e dendur shqiptare. Pas betejash
të përgjakshme, forcat osmane mundën të
fitojnë epërsi e t'i thyejnë shqiptarët
në një sulm vendimtar. Shumë prej këtyre
mbetën të vrarë. Turhan Pasha urdhëroi
të thereshin deri tek i fundit kryengritësit shqiptarë,
që u zunë rob e që ishin rreth 800 veta, dhe
me kokat e prera të tyre u ngritën pirgje.
Në vitin 1444 shënohet një tjetër moment
i rëndësishëm i qëndresës antiosmane
të shqiptarëve të Moresë. Kësaj radhe
kundër osmanëve u ngrit edhe despoti Konstantin
Paleologu, i cili shpresonte të shfrytëzonte rastin
për të shtrirë sundimin e tij në krejt
Peloponezin, madje edhe përtej tij. Në fakt tentativa
e tij gjeti përkrahje jo vetëm te shqiptarët
e Peloponezit, por edhe tek ata të Beocisë, Atikës
e Thesalisë. Autoriteti i sulltanit në këto
vende u godit rëndë dhe në fund të vjeshtës
vetë sulltan Murati II u nis me një ushtri të
madhe kundër kryengritësve. Pasi shkatërruan
murin mbrojtës të istmit të Korintit (Eksamilin)
që ndante Peloponezin nga kontinenti, ushtritë osmane
u derdhën duke e shtruar vendin në zjarr e hekur.
Despoti Konstandin i trembur nga reagimi i egër i Sulltanit
nxitoi të kërkojë ujdi me të, duke pranuar
të bëhej vasal i tij si dhe duke dhënë
një tribut tepër të rëndë. Sidoqoftë
edhe pas kësaj fushate, osmanët ende nuk vendosën
të instalonin garnizone ushtarake në Peloponez,
në Atikë e në Beoci, siç kishin bërë
në Thesali e Maqedoni.
Ballafaqimi me osmanët nxori në pah edhe kontradiktat
midis shqiptarëve dhe sundimtarëve greko-bizantinë
të Peloponezit. Ndërsa të parët i tërhiqte
në qëndresën antiosmane dëshira për
të ruajtur lirinë dhe pronat e veta, të dytët
bashkoheshin me të për të ruajtur e zgjeruar
privilegjet e zotërimet e tyre. Qëllimet egoiste
i shtrëngonin këta të kërkonin me rastin
më të parë kompromis me pushtuesin.
Kundërshtia e motiveve dhe e interesave çoi pashmangërisht
në konflikt të hapur midis despotëve greko-bizantinë
dhe shtetasve të tyre shqiptarë. Në vitin 1453
shqiptarët e Peloponezit të udhëhequr nga Pjetër
Bua dhe Teodor Buhali, ngritën krye kundër despotëve
Dhimitër e Thoma Paleologu. Me kryengritësit shqiptarë
u bashkua dhe princi i Akesë, Centurion Zakaria. Shqiptarët
i ofruan shërbim Venedikut nëpërmjet qeveritarit
venecian të Koron-Madonës. Senati e urdhëroi
këtë që "t'i mbante arbërit me shpresë,
duke i nxitur e dhënë kurajo për të luftuar
trimërisht". Por vetë nuk u angazhua, përkundrazi.
Në korrik 1454 Venediku dërgoi një legat në
More, i cili kishte për detyrë që të paqëtonte
shqiptarët me despotët. Megjithatë, shqiptarët
nuk dëgjuan të merreshin vesh me despotët Paleologë.
Ata vendosën të njihnin si sundimtar të vendit
Manuel Kantakuzenin, rival i të parëve. Burimet
duan të thonë se Manueli dhe gruaja e tij për
të vendosur këtë aleancë u detyruan të
merrnin emrat shqiptarë Gjin e Kuqe. Pavarësisht
se Buhali u zu rob gjatë një beteje, kryengritësit
shqiptarë e rrezikuan rëndë pushtetin e despotëve
Paleologë. Të dëbuar nga një pjesë
e mirë e zotërimeve të tyre, këta iu drejtuan
për ndihmë Turhan Pashës, i cili dërgoi
menjëherë trupat e tij në Peloponez. Forcat
e bashkuara osmano-greke u drejtuan më së pari në
kështjellën e Bardhunies, ku shqiptarët ishin
strehuar bashkë me familjet e tyre. Pas disa ditë
luftimesh, këta u përpoqën të çajnë
rrethimin, por pa sukses. Sipas historianit Halkokondili,
turqit zunë rob rreth 10 mijë veta, më të
shumtët ishin gra e fëmijë. Në Leondari,
në luftë me forcat osmane, ra komandanti shqiptar
Petro Buziqi. Paskëtaj forcat greko-osmane morën
edhe fortesat e Itonit e të Aetosit, duke shtypur edhe
kësaj here shqiptarët kryengritës. Një
pjesë e mirë e këtyre u detyruan të pranojnë
përsëri sundimtarët e vjetër.
Pas kësaj fushate u pa qartë se pengesa kryesore
që u kundërvihej osmanëve në Peloponez
ishin popullsitë e atjeshme shqiptare. Despotët
bizantinë, në grindje me njëri-tjetrin e me
sundimtarët e tjerë, ranë përfundimisht
në gjendjen e vasalit të sulltanit. Ky i la ata
akoma për ca kohë në krye të zotërimeve
të tyre me kusht që të paguanin një haraç
të rëndë dhe të mbanin nën fre shqiptarët
e pabindur. Dhimitër e Thoma Paleologu nuk ishin në
gjendje të plotësonin as njërin e as tjetrin
nga këto kushte. Në prill të vitit 1458 vetë
sulltan Mehmeti II u vu në krye të një ushtrie
që në 15 maj kaloi fortifikimet e Heksamilit, të
cilat mbronin kalimin e istmit të Korintit e u derdhën
në Peloponez. Despotët Paleologë nisën
me ngut një ambasadë për te sulltani, për
t'i dorëzuar një pjesë të haraçit
e për t'i dhënë provë të besnikërisë
së tyre. Por kësaj radhe Mehmeti II kishte vendosur
ta nënshtronte përfundimisht Peloponezin e t'i jepte
fund sundimit të despotëve bizantinë. Prej
Korintit, ushtria osmane depërtoi drejt jugut dhe u ndal
nga shqiptarë vendas të prirë nga kreu i tyre,
Dhoksi. Pas një qëndrese të ashpër, mbrojtësit
shqiptarë pranuan ta dorëzojnë kështjellën
kundrejt premtimit se ata dhe familjet e tyre nuk do të
pësonin gjë. Megjithatë sulltani vuri një
garnizon osman në kështjellë dhe mori me vete
300 fëmijë si pengje.
Prej Tarsit ekspedita osmane iu drejtua kështjellës
së Fliundit, ku ishin grumbulluar shqiptarët dhe
grekët e rrethinave. Përballë qëndresës
së pamposhtur të të rrethuarve, osmanët
tentuan t'i bindin ata të dorëzohen duke u prerë
burimet e ujit. Historiani Halkokondili tregon se gjendja
e të rrethuarve u bë aq e rëndë, saqë
ata u detyruan të therin kafshët në mënyrë
që me gjakun e tyre të shuanin etjen dhe të
gatuanin bukën. Ndërkohë trupat jeniçere
zbuluan një shteg të mureve të paruajtur, u
derdhën nëpër të dhe dogjën e plaçkitën
qytetin. Pothuaj krejt popullsia vendase u masakrua.
Paskëtaj osmanët iu drejtuan kështjellave Akriv
dhe Rupel; dy ditë me radhë mbrojtësit e Rupelit,
që ishin gjithashtu shqiptarë, u mbrojtën me
vendosmëri. Por më në fund, përballë
epërsisë absolute të forcave osmane ata vendosën
të dorëzohen. Gjithë popullsia e Rupelit, me
gra e fëmijë, u shpërngulën me forcë
në Stamboll. Vetëm 20 shqiptarë që kishin
luftuar më parë në Tars kundër sulltanit
e që me të njëjtin qëllim kishin ardhur
edhe në Rupel, iu nënshtruan hakmarrjes së
Mehmetit II. Ky urdhëroi që t'u thyheshin gjymtyrët
me gjyle hekuri.
Prej këndej trupat osmane vazhduan marshimin e tyre drejt
jugut dhe rrethuan fortesën malore të Pazenikit.
Fillimisht ata u përpoqën ta marrin me forcë
këtë fortesë, por mbrojtësit shqiptarë
të saj i thyen sulmet e njëpasnjëshme të
osmanëve. Paskëtaj sulltani mendoi t'i bindë
shqiptarët ta dorëzojnë me dëshirë
fortesën e për këtë qëllim përdori
si ndërmjetës Manuel Kantakuzenin, që gjatë
kryengritjes së vitit 1454 ishte njohur nga shqiptarët
si despot, në vend të Thomait e Dhimitrit. Por shqiptarët
deklaruan se nuk kishin ndërmend t'i venin pas ish-prijësit
të tyre në rrugën e bashkëpunimit me sulltanin.
Përfundimisht, Mehmeti II u shtrëngua të hiqte
rrethimin e Pazenikit e të merrte rrugën e kthimit
drejt veriut. Përpara se të kapërcente istmin,
Mehmeti II vendosi të pushtonte me çdo kusht fortesën
e Korintit, të cilën trupat e tij e mbanin të
rrethuar që nga fillimi i fushatës. Mbrojtësit
e kështjellës, ndër të cilët shumë
shqiptarë, u rezistuan trimërisht bombardimeve e
sulmeve të pafund të osmanëve. Kur sulltani
u bë gati të ngrinte rrethimin e të kthehej
në Stamboll, disa fisnikë të qytetit me peshkopin
grek në krye i çuan atij fjalë se mbrojtësit
ishin në pikën e fundit të qëndresës,
duke qenë se tashmë u ishin mbaruar të gjitha
rezevat ushqimore. Ky lajm e bëri sulltanin të kthejë
mendje e të sulmojë më me egërsi kështjellën
e rrethuar. Më 6 gusht 1458 komandanti i kështjellës
Mateo Asanes ua dorëzoi atë osmanëve, pasi
u këshillua me zotërit e tij, despotët Thoma
e Dhimitër Paleologu. Bashkë me Korintin këta
u detyruan t'i lëshojnë sulltanit pjesën më
të madhe të zotërimeve të tyre, Patrasin,
Voshticën, Kalavriten etj., si dhe t'i japin atij një
tribut vjetor prej 3 mijë dukatësh. Ndërkohë
Mehmetit II i ishte dorëzuar edhe qyteti i Athinës.
Gjatë kthimit për në Stamboll, sulltani bëri
një vizitë në qytetin e famshëm, i pritur
me nderim nga kleri që i dorëzoi në mënyrë
solemne çelësat e qytetit.
Ngjarjet e vitit 1458 e prishën përfundimisht aleancën
e shqiptarëve me despotët e paqëndrueshëm
të Peloponezit, të cilët këtej e tutje
sundonin si vasalë të thjeshtë të sulltanit
në zotërimet e pakta që ky u la në Peloponez.
Madje shumë shpejt dy vëllezërit Paleologë
hynë në luftë me njëri-tjetrin për
shkak të këtyre zotërimeve. Në këtë
luftë civile Dhimitri kërkoi bashkëpunim me
krerët shqiptarë me ndihmën e të cilëve
mori kështjellat e Karitanicës, Bardhunies, Kastricës,
Kallamatës, Zarnatës, si dhe gjithë krahinën
e Mainës, në ekstremin jugor të gadishullit.
Mehmeti II dërgoi qeveritarët e Thesalisë dhe
të Peloponezit për të shuar kryengritjen, por
këta s'mundën përveçse arritën
disa fitore të pjesshme e të paqëndrueshme.
Edhe paskëtaj krerët shqiptarë të kështjellave
vazhduan të mos t'i bindeshin as sulltanit e as despotëve
bizantinë. Ndaj në prill 1460 Mehmeti II iu drejtua
përsëri Peloponezit me një ushtri të madhe.
I shoqëruar nga trupat e komandantit osman të vendit,
shqiptarit Hamza Zenebishi, në maj të atij viti
ai pushtoi kryeqytetin e saj, Mistran. Despoti Dhimitër
Paleologu u dorëzua te sulltani. Prej këndej sulltani
pushtoi me sulm kështjellat e Bardhunies e të Kastricës,
ku humbi shumë jeniçerë. Mbrojtësit
e Kastricës, 300 shqiptarë, u zunë e u therën
deri tek i fundit, ndërsa komandanti i tyre, Primo Koka,
u sharrua dy copësh.
Përballë barbarisë së ekspeditës
osmane, banorët e Leondarit dhe të viseve të
tjera të Lakonisë u grumbulluan në fortesën
e papushtueshme të Gardhiqit. Gardhiqi ishte feud i familjes
shqiptare Bakali. Nën udhëheqjen e Manuel Bakalit,
shqiptarët i hodhën poshtë ofertat e Mehmetit
II për të dorëzuar pa luftë kështjellën.
Por mungesa e ushqimeve dhe e ujit në kushtet e një
popullsie të mbingarkuar e të një vape rraskapitëse
i detyroi mbrojtësit e kështjellës t'u dorëzohen
osmanëve. Sulltani i përsëriti edhe këtu
në Gardhiq skenat e tmerrit të Kastricës. 6
mijë veta të lidhur këmbë e duar u therën
në sheshin e kështjellës. Kësaj radhe
nuk u kursyen as gratë e fëmijët. Vetë
kështjella u rrafshua me tokën. Historiani bizantin
Kritobuli pohon se me këtë ndëshkim makabër,
Mehmeti II synonte t'i trembte shqiptarët e Peloponezit
në mënyrë që të mos ngriheshin më
kundër tij. Manuel Bakali, Krokodejl Klada e disa krerë
të tjerë të qëndresës mundën
t'i shpëtojnë masakrës e të strehohen
gjetkë. Ndërkaq në dorë të osmanëve
ranë edhe kështjella të tjera, si Kiparisia,
Karytaina, Andrusa e Itome. Ekspedita osmane përshkoi
gjithë pjesën jugore të Peloponezit, duke kursyer
vetëm zotërimet e Venedikut, me të cilin sulltani
kishte nënshkruar atë kohë paqe. Përfaqësuesi
i fundit i pushtetit të vjetër në More, despoti
Thoma Paleologu e braktisi vendin dhe u strehua në Korfuz.
Paskëtaj ekspedita osmane iu drejtua viseve veriperëndimore
të Moresë, ku mori fortesën Klumacion dhe rrethoi
kështjellën e Kalavrites. Komandant i kësaj
ishte shqiptari Doksja, i cili sipas kronistit Sfrance "nuk
pyeste as për despotin, as për sulltanin e as për
vetë Zotin". Por në fund edhe kjo kështjellë
u mor dhe mbrojtësit e saj shqiptarë me Doksjen
në krye u masakruan mizorisht. Pas përleshjesh të
përgjakshme Mehmeti II pushtoi dhe kështjellat Grevenon,
Kastrimenon, Salmenikion e së fundi dhe Korintin, ku
ndërkohë kishin gjetur strehim shumë shqiptarë
të ikur nga zonat e tjera të Peloponezit. Këta
u mashtruan nga premtimi i sulltanit se do t'u falte jetën
e pasurinë dhe ia dorëzuan atij kështjellën.
Po ashtu si dhe më parë, Mehmeti II e shkeli fjalën
e dhënë dhe urdhëroi të ekzekutohen të
gjithë luftëtarët shqiptarë.
Në përfundim të kësaj fushate Mehmeti
II e ktheu Peloponezin në një tokë të
pushtuar. Turqit proceduan në regjistrimin e tokave dhe
në vendosjen e sistemit të timarit. I kësaj
kohe është një regjistër osman i Peloponezit,
që pasqyron regjistrimin e një sërë zonave
të Peloponezit verior e qendror, si Kallandrica, Sandemiri,
Grebenea, Hlumca e Vomiro. Në regjistër figurojnë
listat e 198 qendërbanimeve, nga të cilat 155 janë
përcaktuar shprehimisht si shqiptare. Regjistri në
fjalë është i pari i natyrës së tij
që dëshmon intensitetin e ngulimeve shqiptare në
Peloponez.
Për të shuar çdo tentativë kryengritjeje,
ata bënë rrafsh me tokën një numër
fortesash dhe detyruan të vendoseshin në fushë
mjaft bashkësi shqiptare që jetonin në vise
malore. Megjithatë, në Peloponez vazhduan të
qëndrojnë edhe paskëtaj të ndezura vatrat
e qëndresës antiosmane, sidomos në krahinat
e mbrojtura malore, si qe ajo e Manit.
Sidoqoftë, në pikëpamje të sovranitetit
shtetëror, pas shkatërrimit të Despotatit bizantin
pothuajse gjithë Moreja hyri nën sundimin osman.
Mbeteshin vetëm një numër kështjellash,
të cilat vazhdonin të ishin zotërim venecian.
Midis Venedikut e sulltanit ishte akoma në fuqi paqja
e vitit 1454. Por ndryshimi i situatës luftarake në
More ashtu si dhe gjetkë i vuri zotërimet e Venedikut
nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të
invazionit osman. Ndaj Republika e Lagunave filloi të
merrte masa serioze për mbrojtjen e zotërimeve të
saj moreate. Një numër i madh stratiotësh shqiptarë
u pajtuan në shërbim të Venedikut, duke iu
shtuar atyre që ishin rekrutuar nga komandantët
venecianë qysh më parë. Atyre iu besua mbrojtja
e kështjellave të Koronit, Modonit, Argosit, Nauplionit
etj. Të tillë qenë Krokodejl Klada dhe Pjetër
Bua, të cilët ishin dalluar në betejat e mëparshme
kundër osmanëve. Përveç tyre në
shërbim të Venedikut hynë formacionet e stratiotëve
shqiptarë të komanduara nga krerët e familjeve
Bakali, Menalja, Rali, Buziqi, Manasi. Familjeve të stratiotëve
shqiptarë Venediku u dha toka e kullota në afërsi
të kështjellave, ku ata mund të strehoheshin
në rast rreziku. Atyre iu krijuan edhe lehtësira
fiskale.
Akti i parë i konfrontimit midis osmanëve dhe venecianëve
në More filloi me sulmin kundër zotërimit venecian
të Argosit në prill 1463. Osmanët e morën
thuajse pa luftë kështjellën falë tradhtisë
së një prifti grek. Pas luhatjeve të gjata,
më 28 korrik 1463 Venediku i shpalli luftë Portës.
Trupat veneciane ripushtuan Argosin e rrethuan Korintin, por
shumë shpejt sulltani dërgoi në More një
ushtri të madhe nën vezirin e madh Mahmud Pashën.
Ky ripushtoi një numër kështjellash që
kishin kaluar nën venecianët. Inkursionet osmane
u shtrinë deri në kështjellën e Koronit
e Modonit, por këto mundën të rezistojnë.
Mahmud Pasha me anë të premtimeve arriti të
tërheqë me vete edhe një pjesë të
shqiptarëve të Lakonisë e të Mainës
në jug të vendit e t'i bindë të vendoseshin
në zonën osmane. Në Nauplion ndeshën gjithashtu
në një qëndresë të ashpër të
garnizonit të kështjellës, bërthamën
e të cilit e përbënin stratiotët shqiptarë
të udhëhequr nga Pjetër Bua. Por edhe këtej
osmanët u detyruan më në fund të tërhiqeshin
pa mundur ta pushtojnë.
Angazhimi i Venedikut në luftë me sulltanin bëri
që shqiptarët e Peloponezit të afroheshin në
masë e të luftonin nën flamurin e tij.
Në zotërimet e Venedikut erdhën shqiptarë
nga zonat e tjera të Moresë që ishin nën
pushtimin osman. Kështu, në mars 1466, fisniku shqiptar
i myslimanizuar Hamza Bua Shpata, nga fisi i njohur i Shpatajve,
kaloi në anën e Venedikut, duke u rikthyer në
fenë e krishterë e duke dorëzuar kështjellën
e Oksivunit dhe territoret përreth. Bashkë me të
kaluan në anë të Venedikut edhe 50 familje
të tjera shqiptare.
Gatishmëria e shqiptarëve të Moresë për
të luftuar për mbrojtjen e lirisë kundër
osmanëve, dëshmohet më së miri nga një
raport i proveditorit venecian për Morenë, Xhakomo
Barbarigo, i shkruar në muajin korrik 1465: "...
Së fundi u takova me të nderuarin Mihal Rali Trimin
(djalin) e me fjalë të zgjedhura i bëra të
ditur se nëse do të vinte të shërbente
me njerëzit e tij te ne, do t'i jepeshin 80 dukatë
në vit si provizion. Por ai m`u përgjigj se babai
i tij ishte ndër fisnikët kryesorë të
Moresë dhe se ai, i biri, nuk binte më poshtë
të atit nga karakteri. Ndaj, edhe pse ishte në ngushticë
ekonomike, kishte vendosur t'i shërbente Sinjorisë
me shpenzimet e veta pa shpërblim derisa kjo luftë
të merrte fund".
Stratiotët shqiptarë të Moresë u angazhuan
në veprimet luftarake kundër osmanëve edhe
jashtë Moresë. Kështu, në verën e
vitit 1477, nën komandën e Dhimitër Bokalit,
300 stratiotë shqiptarë nga viset e Koronës,
u dërguan në Shqipëri për mbrojtjen e
Krujës. Një tjetër stratiot i shquar shqiptar
nga Morea, Krokodejl Klada, mori pjesë më 1481 në
kryengritjen e fuqishme antiosmane të Himarës dhe
u shqua si një ndër krerët kryesorë të
saj në krah të Gjon Kastriotit.
Paqja e 25 janarit 1479 midis Venedikut e Portës së
Lartë ndikoi në keqësimin e gjendjes së
shqiptarëve në përgjithësi dhe të
marrëdhënieve të tyre me Republikën e
Venedikut. Kjo, nga njëra anë, nuk përfshiu
në paqe edhe gjithë ata fisnikë shqiptarë
që gjatë konfliktit veneto-osman kishin mbajtur
barrën kryesore të luftës. Nga ana tjetër,
pa pyetur fare vendasit, ajo u dorëzoi osmanëve
një numër zotërimesh si në Shqipëri,
ashtu dhe në More. Në këtë të fundit,
në bazë të Traktatit të Paqes, osmanët
duhet të merrnin krahinën malore të Mainës,
që kishte qenë një nga vatrat kryesore të
qëndresës shqiptare.
Në kushtet e reja, Venediku nuk ngurroi t`i braktiste
luftëtarët shqiptarë e të miqësohej
me osmanët. Në verën e vitit 1480 komandanti
osman i Moresë i propozonte Venedikut hapur të përzinte
stratiotët shqiptarë në shërbim të
tij: "Nëse ju i dëboni arbërit nga ky
vend, midis nesh nuk do të ketë më grindje",
i shkruante ai proveditorit venecian. Edhe pse një gjë
të tillë Venediku s'mund ta bënte për
shkakun se që të gjitha kështjellat e tij në
More mbroheshin nga stratiotë shqiptarë, ai i udhëzoi
vazhdimisht proveditorët e vet në More që të
shmangnin çdo lloj konfrontimi të stratiotëve
shqiptarë me forcat osmane.
Kjo politikë e re e Venedikut ndaj Portës së
Lartë nuk u pranua nga mjaft krerë shqiptarë,
që ishin rekrutuar në trupat e Sinjorisë pikërisht
për të luftuar kundër invadorëve osmanë.
Pavarësisht nga paqja e re midis Venedikut e Portës,
ata vazhduan të luftojnë kundër forcave osmane.
Pati ndër ta që e braktisën shërbimin
për llogari të Venedikut. Kështu veproi p.sh.
kreu stratiot Teodor Bua, që braktisi kështjellën
e Nauplionit e në krye të stratiotëve të
tij, sulmoi osmanët në afërsi të Argosit.
Paskëtaj ai i bashkoi forcat e tij me ato të stratiotëve
të njohur Krokodejl Kladës në Mainë. Së
bashku, ata formuan një forcë të madhe goditëse
që i shqetësoi si venecianët, ashtu dhe osmanët.
"Ata po turbullojnë paqen që kemi me sulltanin",
i relatonte atë kohë qendrës qeveritari venecian
i Moresë.
Venecianët u angazhuan përpara qeveritarit osman
të Moresë se do të bënin çmos për
të kapur "rebelët". Dy krerët shqiptarë
u dënuan me vdekje në mungesë. Qeveritari venecian
dërgoi për këtë qëllim reparte me
stratiotë të tjerë shqiptarë. Por në
fund ai i raportoi Senatit në Venedik se shqiptarët
rebelë qe e pamundur të kapeshin, qoftë sepse
ata gjenin strehim të sigurtë ndër fshatrat
shqiptare, qoftë se stratiotët e tjerë, që
ai dërgoi në ndjekje të rebelëve, refuzuan
të ndesheshin me ta, pasi siç thoshin "qenë
të një kombi".
Sidoqoftë, shumë stratiotë shqiptarë,
ndër ta dhe Krokodejl Klada, pas paqes veneto-osmane
të vitit 1479 u detyruan ta braktisnin Morenë. Një
pjesë e të ikurve u vendos në ishujt Hidra,
Specia, Poros, Kulluri (Salamina) etj., ku ende sot flitet
gjuha shqipe. Të tjerë u vendosën së bashku
me familjet e tyre në Mbretërinë e Napolit.
Kujtimi i këtij eksodi drejt Italisë, që përkoi
dhe me eksodin masiv nga Shqipëria të po kësaj
kohe, ruhet akoma sot në vargjet e këngës së
hershme të arbëreshëve të Italisë:
"O e bukura More". Të tjerë stratiotë
të zotërimeve të Venedikut në More u tërhoqën
prej këndej dhe u përdorën prej saj në
frontet e tjera, sidomos në Italinë e Veriut. Në
betejat e atjeshme, stratiotët shqiptarë shkëlqyen
për virtytet e tyre luftarake. Kronisti frëng Filip
de Komini, që shoqëroi mbretin Karl VIII gjatë
fushatës në Itali, më 1495, pati rast të
njohë në fushën e betejës stratiotët
shqiptarë që luftonin në anën e Venedikut.
"Ata janë luftëtarë të guximshëm,
që u hapin punë ushtrive armike", - shkruan
ai në kujtimet e tij.
Mjaft stratiotë shqiptarë hynë në shërbim
të komunave të ndryshme italiane e të sovranëve
të ndryshëm të Evropës, duke kontribuar
kështu në përforcimin e një imazhi heroik
të luftëtarit shqiptar të krijuar në Evropë
falë luftërave të shqiptarëve nën
udhëheqjen e Skënderbeut. Figura të tilla stratiotësh,
si ajo e Merkur Buas apo e Manol Bleshit u kënduan edhe
në epikën historike.
Me gjithë eksodin e madh të shqiptarëve nga
Morea e nga viset e tjera greke gjatë fazave të
ndryshme të pushtimit osman, dokumentet e mëvonshme
të shek. XVI-XVIII dëshmojnë, se popullsia
shqiptare në More mbeti mjaft e dendur. Ende në
fund të shek. XVIII, një autor e quan Morenë
"Arbëria greke" (Albania Greca).
|
 |  |