 |  |
K R E U IX
ZHVILLIMI I IDEOLOGJISË DHE I KULTURËS SË
RILINDJES KOMBËTARE
(VITET 80 TË SHEK. XIX - 1912)
Epoka e Rilindjes karakterizohet nga zhvillimi i një
ideologjie e kulture të re me karakter kombëtar
e demokratik, nga përpjekjet që rilindësit
e shquar bënë për ruajtjen dhe lëvrimin
e gjuhës shqipe, për zhvillimin e letërsisë
dhe çeljen e shkollave në gjuhën amtare si
mjete për ngritjen e ndërgjegjes politike të
popullit shqiptar e afirmimin e tij kombëtar.
Një hov të mëtejshëm në këtë
periudhë të Rilindjes mori zhvillimi i mendimit
politik, shoqëror e filozofik, që u përpunua
nga iluministët e mendimtarët më të shquar
në bazë të përgjithësimit të
përvojës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
dhe të luftës së armatosur të popullit
shqiptar kundër robërisë osmane e politikës
pushtuese të shteteve fqinje. Ky mendim politik e shoqëror
dhe në tërësi programi politik i Rilindjes
u përgjigjeshin detyrave të bashkimit e të
çlirimit kombëtar, që objektivisht shtroheshin
për zgjidhje para shoqërisë shqiptare. Por
ato karakterizoheshin gjithashtu nga një frymë e
theksuar demokratike, shprehnin aspiratat e gjithë popullit
për liri, pavarësi dhe përparim ekonomiko-shoqëror
e politik të vendit.
Një rol të madh në përpunimin e mendimit
politik e shoqëror të Rilindjes luajtën shtypi
patriotik dhe letërsia artistike, që morën
gjithnjë e më shumë karakter politik, përmbajtje
kombëtare e frymë luftarake.
1. MENDIMI POLITIKO-SHOQËROR, SHKRIMI
DHE SHKOLLA SHQIPE
Pashko Vasa (1825-1892)
Radhitet ndër njerëzit e mëdhenj të Rilindjes
që hodhën themelet e ideologjisë së saj
dhe u shquan në fushën e mendimit e të veprimit
politik dhe në atë të krijimtarisë letrare.
U lind në Shkodër ku kreu mësimet e para. Pasi
kreu studimet e mesme në Venedik, punoi si sekretar i
konsullatës britanike në Shkodër, por shpejt
e braktisi atë detyrë dhe rreth vitit 1847 u hodh
në Itali, ku mori pjesë në luftën çlirimtare
të italianëve kundër zgjedhës së
huaj. Por lufta e sakrificat e tij për çlirimin
e Italisë u shpërblyen me intriga e përndjekje
që e çuan në burg. I zhgënjyer, shtrëngohet
të vendoset në Stamboll, ku më pas zuri vende
me rëndësi në administratën osmane. Por
kjo nuk e pengoi të lidhej me lëvizjen atdhetare
të shqiptarëve dhe të bëhej një nga
figurat kryesore të saj. Veprimtarinë më të
dendur e zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin
Kristoforidhin u përpoqën për krijimin e një
shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe
për zgjimin e vetëdijes kombëtare. Në
vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahas Abdyl
Frashërit, u shqua si një nga figurat kryesore të
Komitetit të Stambollit. Më 1878 ai u gjend në
Kosovë. Duke qenë në epiqendër të
ngjarjeve, që shënuan fillimin e një epoke
të re në historinë e përpjekjeve të
shqiptarëve për liri e për shtet të pavarur
kombëtar, ai u bë një nga veprimtarët
më aktivë për organizimin e Lidhjes dhe për
njohjen ndërkombëtare të çështjes
shqiptare. Me anë të disa memorandumeve drejtuar
qarqeve diplomatike angleze e austro-hungareze dhe sidomos
me anën e memorandumit të njohur të 20 qershorit
1878, shkruar padyshim me dorën e tij dhe drejtuar përfaqësuesve
të shteteve pjesëmarrëse në Kongresin
e Berlinit, Pashko Vasa, ndër të parët politikanë
e diplomatë shqiptarë, i bëri të pranishëm
opinionit ndërkombëtar faktin se po lind një
çështje e re, çështja shqiptare.
Është autor i disa veprave me karakter politik e
historik, me të cilat mbrojti çështjen shqiptare
dhe përpunoi bazat e ideologjisë kombëtare.
Ndër to veçohet vepra E vërteta mbi
Shqipërinë dhe shqiptarët, botuar në
frëngjisht në Paris, më 1879, në të
cilën, krahas të dhënave historike për
popullin shqiptar dhe për qëllimet e luftës
së tij, parashtroi me një forcë të rrallë
kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare.
Programi që projektoi Pashko Vasa në këtë
vepër për të ardhmen e Shqipërisë
është një program kombëtar, iluminist,
që ka në themel të tij idenë e bashkimit
të të katër vilajeteve shqiptare në një
vilajet të vetëm, dhe të forcave të gjalla
të kombit, idenë e zhvillimit të potencialeve
krijuese të popullit, të shfrytëzimit të
burimeve ekonomike të vendit, zhvillimin e arsimit, të
kulturës e të shkollës shqipe. Pashko Vasa
është një reformator dhe një statist vizionar
kur shkruan se është e domosdoshme që ti
jepet Shqipërisë një organizim i fortë,
homogjen, kompakt, në pajtim me nevojat e saj dhe me
karakterin e popullsisë së saj, që të
vihet në gjendje, me anë reformash radikale, për
të zhvilluar forcat e veta intelektuale, pasurinë
dhe fuqinë ushtarake.
Në këtë vepër janë shkrirë argumenti
shkencor i historianit, shpirti i poetit dhe forca e propagandistit
të ideve kombëtare, i cili pasi parashtron fakte
për lashtësinë e shqiptarëve, për
tiparet e karakterit të tyre burrëror e të
panënshtruar, shpreh vendosmërinë e këtij
kombi për të jetuar i lirë në trojet e
veta. Ne do të parapëlqenim ta qanim Shqipërinë
të vdekur, - shkruan ai, - sesa ta shihnim të copëtuar
në dobi të fqinjëve. Nuk duam që populli
shqiptar të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket
e veta, gojëdhënat e veta dhe gjuhën e vet.
Penës së Pashko Vasës i përkasin edhe
dy veprat historike në frëngjisht: Skicë
historike për Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë
(1872) ku përshkruan pashallëkun e Shkodrës
nën Bushatllinjtë dhe Bosnja e Hercegovina
gjatë misionit të Xhevdet Efendiut (1865).
Pashko Vasa ishte një nga themeluesit e veprimtarët
më aktivë të Shoqërisë së
të shtypurit shkronja shqip. Ai është
autor i disa veprave që u shërbenin përpjekjeve
shkencore për shkrimin e shqipes dhe për mësimin
e saj. Më 1878 ai pati botuar në frëngjisht
një libër me titull Alfabeti latin i zbatuar
në gjuhën shqipe, ku paraqet projektin e vet
për një alfabet të shqipes. Me këtë
libër ai përuronte debatin e gjatë për
çështjen e alfabetit, si një nga pikat kyçe
për një zhvillim të njësuar gjuhësor
e kulturor e për pasojë edhe politik të shqiptarëve.
Si një nga anëtarët më aktivë të
Shoqërisë së të shtypurit shkronja
shqip, Pashko Vasa është edhe një nga
bashkautorët e të parës vepër të
botuar prej saj, i Alfabetares së gjuhës shqipe,
që hidhte bazat e literaturës didaktike të
shkollës kombëtare shqipe. Atje ai botoi prozën
Shqypnia dhe Shqyptarët, e cila u drejtohej
shqiptarëve që duhej të mësonin historinë
e tyre.
Autor i disa veprave letrare në gjuhë të huaj,
i prozës memorialistike në italisht Burgu
im (1850), i romanit me temë nga jeta shqiptare
Barda e Temalit (1890) në frëngjisht,
i lirikave italisht Rose e spine (Trëndafilë
dhe gjemba, 1873), ai mbeti i njohur si poet me veprën
poetike Mori Shqypni të krijuar më 1880
në ditët e Lidhjes së Prizrenit. Poezia qarkulloi
si fletë fluturuese dhe i mrekulloi atdhetarët me
forcën e ideve e të artit të saj. E ndërtuar
mbi bazën e kontrastit poetik midis të kalurës
së lavdishme të shqiptarëve dhe mjerimit ku
i kishte hedhur robëria osmane, vjersha tingëllon
si një kushtrim lufte. Ajo është një manifest
poetik i Rilindjes, një nga kryeveprat e poezisë
shqipe të kohës. Por mbi të gjitha ajo mbeti
një pikë referimi për të gjitha kohët
me idenë e bashkimit të shqiptarëve të
të tri besimeve, duke vënë mbi fetë shqiptarinë
që autori e quan fe të shqyptarit.
Ky laicizëm i ndërgjegjes kombëtare është
një nga arritjet e mëdha të Rilindjes.
Sami Frashëri (1850-1904)
Një kontribut të madh në përpunimin e
në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit
politiko-shoqëror e filozofik shqiptar dha ideologu i
shquar i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri.
Mësimet e para Samiu i mori në fshatin e lindjes,
në Frashër, kurse ato të mesme i kreu në
gjimnazin Zosimea të Janinës. Më
1871 u vendos në Stamboll, ku filloi punën krijuese
letraro-shkencore dhe veprimtarinë në të mirë
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në të
njëjtën kohë ai u lidh edhe me lëvizjen
përparimtare politiko-shoqërore turke.
Gjatë kësaj kohe e veçanërisht në
vitet e Lidhjes së Prizrenit e më vonë, Samiu
u dallua edhe si mbrojtës i vendosur i të drejtave
të popullit shqiptar, si një organizator e udhëheqës
i shquar i lëvizjes politike e kulturore kombëtare
shqiptare.
Samiu ishte një nga themeluesit e kulturës në
gjuhën shqipe që lulëzoi në gjysmën
e dytë të shek. XIX. Ai shkroi 5 tekste për
shkollën e parë shqipe, më të mirat ndër
ato që ishin botuar deri atëherë. Një
vlerë të veçantë ka Shkronjëtorja
e gjuhësë shqip (1886), një nga gramatikat
më të mira, hartuar në të kaluarën.
Në të Samiu dha sistemin gramatikor të gjuhës
shqipe, përpunoi kategoritë e saj themelore dhe
formuloi terminologjinë përkatëse, një
pjesë e së cilës i ka qëndruar me sukses
kohës.
Ai u dallua si një punonjës i palodhur në fushën
e letërsisë e të shkencës. Rezultatet
e studimeve të tij i botoi turqisht me emrin Shemsettin
Sami ose Sh. Sami Frashëri. I dha kulturës turke
mbi 40 vepra, shumica orgjinale, disa përkthime, një
pjesë të të cilave mbetën të pabotuara.
Në listën e gjatë të veprave të Samiut
ka shkrime letrare, novela e drama, fjalorë e tekste
shkollore, broshura për popullarizimin e njohurive shkencore,
studime mbi gjuhësinë e letërsinë turke
e arabe. Samiu i dha popullit turk të parin fjalor normativ
dhe etimologjik të turqishtes (Kamus-i-Turki) dhe të
parën enciklopedi të historisë e të gjeografisë
të botuar në 6 vëllime (Kamus-ul-alam). Ai
drejtoi gjithashtu disa organe shtypi, gazeta e revista, si
Feneri (1873), Kopështi (1873),
Mëngjesi (1876), Zëdhënësi
i Lindjes (1878) dhe Java (1881).
Në gjithë pasurinë letrare e publicistike dallohet
kryevepra e tij në gjuhën shqipe Shqipëria
çka qënë çështë
e çdo të bëhetë? (1899),
e cila me të drejtë është çmuar
edhe si manifesti politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Idetë e orientimet e kësaj vepre, së bashku
me ato të fjalëve të urta të botuara në
turqisht dhe të të gjithë veprës së
tij të gjerë shkencore, e bëjnë Samiun
një nga dijetarët më në zë që
ka nxjerrë historia e popullit shqiptar, atdhetarin e
madh dhe humanistin e shquar të kulturës kombëtare
shqiptare.
Në veprat shqipe mbizotëron motivi i luftës
çlirimtare kundër sundimtarit osman, kurse veprat
turqisht i përshkon fryma e luftës kundër absolutizmit
despotik dhe dogmatizmit klerikal të Perandorisë
Osmane. Ato synojnë të shembin të njëjtën
kështjellë, pushtetin shtypës e feudal të
sulltanëve për të çliruar njëkohësisht
si popullin shqiptar, ashtu edhe atë turk.
Përballë despotizmit të sulltanëve osmanë
Samiu vinte demokracinë dhe lirinë. Liria për
Samiun ishte gjëja më e shtrenjtë që i
ka dhënë njeriut natyra dhe që askush nuk ka
të drejtë tia shkelë. Gëzimi më
i madh, që mund të ndiejë njeriu në jetën
e vet, shkruante Samiu, është çasti kur rifiton
lirinë e humbur.
Përballë obskurantizmit mesjetar Samiu vinte dituritë
të mbështetura në shkencat, të cilat kanë
që të gjitha një vegël, një mjet,
mendjen, inteligjencën njerëzore. Dituria ishte
për Samiun rruga e lirisë. Prej diturisë rrjedhin
mirëqenia dhe të gjitha të mirat e kësaj
bote; njerëzit, - shkruante ai, - kanë një
detyrë të madhe: të njohin natyrën dhe
të vërtetën e materjeve që gjenden në
botë veçanërisht mbi lëmsh të Dheut
tonë, të dinë të përfitojnë
nga cilësitë e atyre materjeve dhe ti shtien
ato në punë për mirëqenien e mbarë
rruzullimit.
Prandaj gjëja më e mirë për njeriun është
të përpiqet të fitojë dituri, argëtimi
më i mirë për njeriun është studimi
dhe shoku më i mirë, libri. Të gjitha
këto pikëpamje të Samiut dhe e gjithë
puna që ai ka bërë për përhapjen
e diturive në masat popullore e bëjnë atë
një nga iluministët më të mëdhenj
të asaj kohe në Shqipëri dhe në tërë
Perandorinë Osmane.
Si iluminist, si mbrojtës i diturisë dhe i shkencës,
Samiu ishte kundër obskurantizmit mesjetar të monarkisë
teokratike, që mbisundonte në atë kohë
në Perandorinë Osmane dhe shfrytëzonte për
të ruajtur pushtetin e saj edhe fanatizmin e qarqeve
të caktuara konservatore klerikale, të kryesuara
nga Shejhylslami. Por kritika ndaj obskurantizmit e fanatizmit
fetar të mbjellë nga kleri i lartë dhe sulltani
Kalif, nuk e bëri Samiun të vinte në dyshim
vlerën e përgjithshme të fesë e të
besimit fetar.
Në planin fetar ai mbeti në kuadrin e deizmit, d.m.th.
në kuadrin e pranimit të zotit si fuqi e mbinatyrshme
që krijoi gjithësinë dhe tokën tonë,
të cilat, me tu krijuar, ekzistojnë e zhvillohen
në bazë të ligjeve të tyre. Çdo
gjë që ekziston në natyrë, - shkruante
ai, - gjithë trupat qiellorë u shtrohen një
ligji dhe një rregulli.
Në qoftë se në rrjedhjen e ngjarjeve nuk ndërhyn
vullneti i zotit, në qoftë se ato ecin sipas ligjeve
të tyre të brendshme, atëherë, sipas Samiut,
forca vendimtare është mendja, inteligjenca
e njeriut, që e lejon të zbulojë të fshehtat
e botës dhe të ecë përpara. Me anën
e mendjes, të inteligjencës,
njeriu, shkruante Samiu, u largua gjithnjë e më
tepër nga kafsha dhe u bë përherë e më
tepër një levë e fortë që e shpuri
lart e më lart qytetërimin.
Samiu vinte në bazë të zhvillimit shoqëror
mendjen dhe inteligjencën. Po të merren parasysh
kushtet historike në të cilat jetoi e punoi, botëkuptimi
filozofik i Samiut duhet vlerësuar si botëkuptimi
më i përparuar i asaj kohe në Shqipëri
dhe në Perandorinë Osmane. Në emër të
arsyes, Samiu u ngrit kundër rendit të paarsyeshëm
feudalo-despotik, si edhe kundër paditurisë e obskurantizmit,
kërkoi lirinë për popullin e vet, barazinë
dhe mirëqenien të mbështetur në punën
për të gjithë.
Samiu kishte besim në forcat potenciale të njeriut
për tu përsosur materialisht e moralisht dhe
për të ecur gjithnjë përpara në rrugën
e qytetërimit. Po kështu, ai kishte besim të
plotë në të ardhmen e ndritur të shoqërisë
njerëzore, në mundësinë e saj për
të kapërcyer çdo pengesë drejt progresit
shoqëror. Historia, vinte ai në dukje, nuk njeh
ndërprerje, shoqëria njerëzore ka qenë
dhe është një entitet që zhvillohet vazhdimisht,
nga një shkallë më e ulët në një
shkallë më të lartë të qytetërimit.
Arsyeja më e thellë e këtij progresi historik,
ajo që e bën qytetërimin e mëvonshëm
më të përsosur se atë më të
hershmin, shpjegonte Samiu, është fakti se një
komb i qytetëruar bën për vete veprat e një
kombi tjetër të qytetëruar, bile u shton atyre
veprave prodhimet e fuqisë së tij intelektuale,
i përsos dhe i shton më tej ato vepra. Në
këtë kuptim çdo popull ka meritat e tij para
historisë, sepse çdo popull, kush më shumë
e kush më pak, me veprat e veta ka kontribuar në
thesarin e përgjithshëm të qytetërimit
botëror.
Me vlerësimin e lartë që i bënte çdo
kombi, Samiu mbronte një të vërtetë historike,
nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se edhe populli
shqiptar, ndonëse i vogël, kishte vlerat e tij,
të drejtën e ekzistencës dhe kishte dhënë
kontributin e tij në kulturën botërore. Vetë
veprimtaria e pasur krijuese e Samiut, i cili, si edhe rilindësit
e tjerë të shquar shqiptarë, kishte studiuar
e kishte përvetësuar thellë idetë demokratike
të kohës e veçanërisht të filozofëve
e të mendimtarëve të Revolucionit francez,
si të Dideroit, të DAlamberit, të Volterit,
të Rusoit etj., duke i vënë ato në shërbim
të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar,
e pasuroi më tej mendimin e përparuar politiko-shoqëror
të Rilindjes Shqiptare.
Me vlerësimin që i bënte qytetërimit të
ri evropian, si një shkallë më e përparuar
e zhvillimit shoqëror në krahasim me qytetërimin
osman të lidhur me sistemin feudal, që mbizotëronte
në Perandorinë Osmane, Samiu mbronte një të
vërtetë tjetër historike, nga e cila dilte
vetvetiu përfundimi se Perandoria Osmane, që ngrihej
mbi themelet e sistemit feudal, duhej të shembej dhe
mbi gërmadhat e saj duhej të ndërtohej një
shoqëri e re në një Shqipëri të pavarur
dhe në një Turqi të re.
Idetë më të afërta për Samiun, ato
që ndeshen më shpesh në veprën e tij dhe
që shprehen më me forcë, janë ato që
kanë të bëjnë me kombin, me tiparet e
tij, me rrugën e çlirimit kombëtar, me të
sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sendet
më të shtrenjtë në botë, - shkruante
Samiu, - janë nderi dhe atdheu. Ata që për
dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin
njëkohësisht edhe nderin e tyre. Atdhedashurinë
ai e shihte si një ndjenjë të tillë, së
cilës asnjë nuk mund ti bëjë
ballë. Topi që shemb kështjellat
më të fuqishme është atdhedashuria,
thoshte Samiu.
Një problem i lidhur ngushtë me kombin është
ai i gjuhës. Shenja e kombësisë është
gjuha, - shkruante Samiu, - çdo komb mbahet nga gjuhët.
Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe veten. Me çgëzim
të madh shkruanin Samiu e Naimi në një letër
dërguar një mikut të tyre për arritjet
në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe:
Armiqtë e kombit tonë, - thoshin ata, - donin
të na gënjenin çprej kohe se gjoja
gjuha shqipe është një gjuhë e prishur
dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se ska
gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e
tjera. Por në fund panë se shqipja u bë, u
shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën
librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura
prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë
u kuptua se çgjuhë e përsosur dhe e
rregullt është shqipja.
Në luftën për çlirimin e atdheut nga
robëria një rol të madh, sipas mendimit të
drejtë të Samiut, do të luante bashkimi i popullit
shqiptar. Ai fliste me admirim për forcën e bashkimit
dhe për dëmin e grindjes dhe të përçarjes.
Bashkimi, - shkruante ai, - bën të mundura
sendet e pamundshme, kurse grindja bën të pamundura
sendet e mundshme. Një pengesë e madhe në
rrugën e bashkimit politik ishte përçarja
fetare, e mbajtur gjallë dhe e nxitur nga pushtuesit
osmanë dhe qarqet politike shoviniste të shteteve
fqinje. Samiu me gëzim bënte një konstatim
që ishte në të njëjtën kohë
edhe një dëshirë e tij: Shqiptari nuk
njeh grindjet e fesë dhe luftërat e përgjakshme
fetare, që kanë njohur popujt e Lindjes dhe të
Perëndimit. Bashkimi i vërtetë dhe i fortë
është ai që mbështetet mbi një themel
parimor, mbi bindje të përbashkëta. Bashkimi
i ideve dhe i parimeve, - shkruante ai, - është
më i fortë se bashkimi i shteteve. Një
bazë e tillë parimore për Samiun ishte dashuria
për Shqipërinë, së cilës duhej ti
nënshtrohej çdo lloj ndjenje e vlere tjetër.
Shqiptari është shqiptar para se të jetë
mysliman apo i krishterë, shpallte ai, duke ngritur
kështu idenë e kombësisë mbi idenë
e fesë.
Samiu i bëri një luftë të ashpër
shoqërisë feudale dhe shfaqjes më të shëmtuar
të saj, shtypjes së popullit e sidomos të fshatarësisë
nga çifligarët feudalë e nga fajdexhinjtë.
Nëse ka njeri më të dëmshëm
për shoqërinë njerëzore, - shkruante Samiu,
- është ai i cili jeton me të ardhurat e një
çifligu, që nuk punon vetë ose me kamatën
e të hollave që i ka dhënë me fajde.
I frymëzuar nga kjo ide ai doli me kërkesën
demokratike që pronarët e tokave ti qeverisnin
vetë tokat e tyre, të ktheheshin, pra, në çifligarë
kapitalistë.
Samiu ishte një luftëtar i të drejtave njerëzore,
një paralajmëtar i një bote tjetër pa
despotizëm dhe pa shtypjen e dinjitetit të njeriut.
Dëshmi për këtë, ndoshta më kuptimplotja,
është qëndrimi i Samiut ndaj gruas. Problemit
të gruas, të vendit të saj në shoqëri,
të rrugëve të emancipimit të saj, Samiu
i kushtoi një libër të tërë. Gruas
ai i njihte një rol shoqëror, atë të edukimit
të brezit të ri dhe, nëpërmjet tij, të
konsolidimit të vetë shoqërisë. Një
shtet i qytetëruar, - shkruante Samiu, - mbështetet
në edukatën e gruas. Gjithashtu ai i njihte
gruas të drejta të barabarta me burrin në familje.
Shkrimet e Samiut, e gjithë vepra e tij në shqip
dhe në turqisht është e mbushur me një
besim të madh në çlirimin e afërt të
Shqipërisë, në një të ardhme më
të mirë të saj. Këtë besim ai e mbështeste
në një varg faktorësh historiko-politikë
e psikologjikë. Të tillë faktorë për
Samiun ishin lashtësia e popullit shqiptar, trimëria
e tij, talenti dhe zgjuarsia, dashuria për punë
e mbi të gjitha atdhedashuria. Atdhedashuria e popullit
shqiptar, e bashkuar me trimërinë e tij, ishin për
Samiun ajo forcë, të cilën smund ta ndalte
asgjë në rrugën e saj drejt qëllimit të
caktuar.
Besimin për çlirimin e afërt të Shqipërisë
Samiu e gjente edhe në bindjen që ai kishte se Perandoria
Osmane ishte në kalbëzim e sipër, se koha e
despotizmit politik dhe e shtypjes kombëtare ishte duke
perënduar dhe, si rrjedhim, vitet e sundimit osman në
Ballkan ishin të numëruara. Samiu priste çdo
ditë të dëgjonte lajmin e gëzuar të
shembjes së despotizmit anakronik të sulltanit.
Ai punoi për ta përgatitur popullin për këtë
të ardhme të lirë e të pavarur dhe me
idetë e veprat e tij, si edhe me veprimtarinë politiko-shoqërore,
i frymëzoi shqiptarët të luftonin për
sigurimin e saj.
Shtypi
Hapat e parë shtypi shqiptar i hodhi me daljen e organit
mujor Fiamuri i Arbërit që filloi të
botohej në Kalabri në vitet 1883-1887, në të
folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe
italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës?. Një
rëndësi të madhe në jetën politiko-kulturore
të vendit pati botimi në Stamboll, me nismën
e Sami e Naim Frashërit, i revistës mujore Drita
e më vonë Dituria (1884-1885). Në
fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX
botohen organe të reja të shtypit shqiptar, që
luajtën një rol të rëndësishëm
në përhapjen e ideve kombëtare dhe në
mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Në
kushtet e regjimit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit,
gazetat dhe revistat shqipe nuk mund të botoheshin në
Shqipëri, prandaj nxirreshin jashtë në kolonitë
shqiptare të mërgimit. Shumica e tyre nxirreshin
në gjuhën shqipe, disa ishin dygjuhëshe. Nga
këto më të rëndësishme ishin: Shqiptari
(Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços;
Shqipëria (Bukuresht, 1897-1898), nën
drejtimin e Visar Dodanit dhe Jorgji Meksit, si organ i shoqërisë
Dituria; Albania (Bruksel e më
vonë në Londër, 1897-1909), nga Faik Konica;
Kalendari kombiar (Sofje, 1897-1915), që
botohej si organ i shoqërisë Dëshirë,
në fillim nën drejtimin e Kristo Luarasit e Kosta
J. Trebickës dhe më pastaj të Mithat Frashërit
(Lumo Skëndos); Drita (Sofje, 1901-1908),
nën drejtimin e Shahin Kolonjës; Besa-Besën
(Kajro, 1900-1904), nga Milo Duçi; Albania
(Beograd, 1902-1905), nga Jashar Erebara; Shpnesa e
Shqypnisë (Raguzë, Trieste e Romë, 1905-1908),
nën drejtimin e Nikollë Ivanajt; Kombi
(Boston, 1906-1908), nga Sotir Peci; Shqipëria
(Kajro, Magaga, 1906-1908); Pellazgu (Kajro, 1907);
Shkopi (Kajro, 1907-1908) etj. Megjithëse
nuk botoheshin në Shqipëri, ato me rrugë e
me mjete të ndryshme përhapeshin edhe në atdhe,
ku kalonin dorë më dorë e lexoheshin me etje
të madhe. Një popullaritet të veçantë
gëzonte gazeta Drita e Sofjes, e cila më
1904 kishte një tirazh prej 670 kopjesh. Kjo i detyrohej
në radhë të parë përmbajtjes atdhetare
të artikujve që botoheshin në këtë
gazetë. Gazeta Shkopi kishte një tirazh
edhe më të madh, 900- 950 kopje në vitet 1907-1908.
Duke çmuar rolin e organeve të shtypit në
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, disa nga Fuqitë
e Mëdha dhe veçanërisht Austro-Hungaria,
që u tregua më aktive në këtë drejtim,
duke shfrytëzuar edhe vështirësitë financiare
të botuesve të tyre, u premtuan shoqërive atdhetare
të mërgimit dhe personaliteteve kombëtare që
drejtonin organet e shtypit shqiptar subvencione financiare,
me kusht që veprimtaria e tyre të mos shtrihej në
fushën politike, të mos cenonte status quo-në
në Perandorinë Osmane dhe pushtetin e sulltanit
në Shqipëri. Shumica e organeve të shtypit
shqiptar e botuesit e tyre i qëndruan këtij presioni
të shteteve të huaja e sidomos të Vjenës
dhe, megjithëse hiqnin vështirësi të mëdha
financiare, e vijuan veprimtarinë e tyre të pavarur
politike. Ndërkaq, Faik Konica e pranoi ndihmën
financiare të Vjenës, me kushtet e vendosura prej
saj dhe në pajtim me to hyri, në dhjetor të
vitit 1897, në një lloj marrëveshjeje me Ministrinë
e Jashtme të Austro-Hungarisë. Faik Konica e bëri
këtë, sikurse e pohon edhe vetë, i nisur nga
vështirësitë financiare, por edhe pse mendonte
se Shqipëria nuk mund të zhvillohej pa ndihmën
e jashtme, se kjo do të ishte një rrugë për
të përballuar rrezikun italian që e quante
më real dhe më në fund për ta bërë
Vjenën të palëkundur në përkrahjen
e Shqipërisë. Megjithatë, ky qëndrim
i Faik Konicës u kritikua atëherë nga një
pjesë e mirë e veprimtarëve të lëvizjes
kombëtare që mendonin ndryshe nga ai.
Pas katër numrave të parë të revistës
Albania, që Faiku i nxori në mënyrë
të pavarur, pa ndonjë subvencion, në shkrimet
e mëpasshme u ndje ndikimi i kësaj marrëveshjeje,
si në përkrahjen nga ky organ të politikës
së Vjenës, ashtu edhe në zbutjen e qëndrimit
ndaj sulltan Abdyl Hamitit e Perandorisë Osmane. Megjithatë,
Faik Konica me revistën e tij përgjithësisht
u gjend edhe pas kësaj në të njëjtën
hulli si rilindësit e tjerë, iu kushtua luftës
për përparimin kulturor të popullit shqiptar,
për ngritjen e ndërgjegjes së tij kombëtare,
duke pasur si synim ta përgatiste atë në të
ardhmen për tu çliruar nga robëria
osmane. Revista Albania ruajti karakterin atdhetar,
mbeti një nga organet kryesore të shtypit shqiptar
të Rilindjes dhe me botimet e saj letrare, publicistike
e enciklopedike dha një ndihmesë të çmuar
në pasurimin e kulturës shqiptare në tërësi
dhe veçanërisht në lëvrimin e gjuhës
letrare shqipe, në njësimin e shkrimit të saj.
Në kushtet kur botimet e tjera ishin ende të kufizuara,
organet e shtypit u bënë tribuna kryesore të
mendimit politik e shoqëror shqiptar. Në to gjetën
pasqyrim në radhë të parë lufta e popullit
shqiptar për autonominë e vendit, që ishte
kërkesa themelore e lëvizjes kombëtare dhe,
lidhur me këtë, qëndrimi i forcave të
ndryshme politike për mjetet e rrugët për arritjen
e saj. Pjesa më e përparuar e atdhetarëve,
e sidomos intelektualët me ide radikale, mbronin nëpërmjet
organeve të shtypit programin e autonomisë territoriale-administrative
të Shqipërisë dhe shpreheshin për përmbushjen
e tij me anë të kryengritjes së armatosur.
Tribuna të kësaj rryme u bënë sidomos
gazetat Shqipëria, Drita, Albania
(Beograd), Kombi, Shpnesa e Shqypnisë
etj., ku botonin shkrimet e tyre Shahin Kolonja, Dervish Hima,
Jashar Erebara, Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja,
Fan Noli, Asdreni, Çajupi, Hilë Mosi, Nikollë
Ivanaj, Visar Dodani, Sotir Peci etj. Shqipëria
e Bukureshtit, në një varg artikujsh, botuar në
vitin 1897, duke e vënë theksin në kërkesën
e njohjes së kombit shqiptar dhe të autonomisë
së vendit, shkruante se duamë të na njohë
(Turqia) për komb, të na bënjë autonominë
administrative, të qeverisemi vetë
(Dëshirë
e shqiptarëve dhe Shqipëri e shqiptarëve,
1897).
Por atdhetarët më radikalë, në shkrimet
e botuara në këto gazeta, shkuan edhe më tej,
shtruan domosdoshmërinë e formimit të një
Shqipërie të pavarur ose, siç shpreheshin
ata, të veçimit e të ndarjes së plotë
të saj nga Perandoria Osmane. Ata kishin formuar tanimë
bindjen se Porta e Lartë nuk mund tu siguronte
shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare,
se vetë Perandoria Osmane ishte e destinuar të shkatërrohej
dhe se politika e bashkëjetesës së shqiptarëve
me turqit brenda kufijve të saj është e gabuar
dhe me pasoja të rënda për të ardhmen
e Shqipërisë; e vetmja rrugë shpëtimi,
theksonin ata, është shkëputja e plotë
dhe e menjëhershme e Shqipërisë nga kjo Perandori,
pavarësia e saj (Albania, Beograd, artikujt
Drejtudhësia e shqiptarit, Përçmimi
i shqiptarëve, më 1902-1904; Drita,
Sofje, artikujt Turqia dhe shqiptarët, Si
do të bëhet puna e Maqedonisë, më
1903-1904 etj.).
Në vitet 1902-1907, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare
kishte marrë një karakter të organizuar, kur
qëndresa e armatosur kundërosmane kishte shpërthyer,
thuajse, në çdo anë të vendit dhe kishte
filluar lufta e çetave të drejtuara nga komitetet
Për lirinë e Shqipërisë, mjaft
nga organet e shtypit shqiptar përkrahën këtë
qëndresë dhe u bënë propaganduese e idesë
së luftës së armatosur, duke e parë atë
si mjetin kryesor për çlirimin e Shqipërisë
nga zgjedha osmane.
Por në shtypin shqiptar, sidomos në revistën
Albania (Bruksel-Londër), në gazetën
Shqiptari (Bukuresht), Dashamiri (Trieste)
dhe në ndonjë organ tjetër u shfaqën edhe
pikëpamje të tjera, që shprehnin më shumë
qëndrimin e elementëve më të moderuar,
të cilët e kufizonin Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare vetëm me kërkesa kulturore dhe ekonomike,
si ngritja e shkollave shqipe, përhapja e librave
kombëtare dhe e udhëve të hekurta, të
cilat mendonin ti siguronin me ndihmën e qeverisë
turke. Këto ishin, padyshim, masa të rëndësishme
e të domosdoshme, që do të ndikonin në
ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare
e politike të popullit, por nuk qenë të mjaftueshme
për çlirimin e tij nga zgjedha osmane. Në
këto organe u botuan edhe artikuj, në të cilët
kundërshtohej lufta politike e posaçërisht
kërkesa e autonomisë dhe e shkëputjes së
Shqipërisë nga sundimi osman, nuk pranohej nevoja
e luftës së armatosur. Autorët e artikujve
të tillë, duke i bërë thirrje popullit
shqiptar që të përpiqej ti fitonte të
drejtat kombëtare me rrugën e reformave, shkruanin:
Të lëshojmë mënjanë politikën
,
të marrim të drejtat tona nga duart e mbretit suprem
Hamitit, pa trazime dhe luftëra
, vetëm
me butësi dhe urtësi; ne duam të
pushojë lëvizja kryengritëse, e cila kërkon
të bëjmë copë-copë të shtrenjtin
tonë atdhe, Mbretërinë Otomane (Ca
të tjera, në Albania, Bruksel,
1897; Fjalë për lëçitësit,
në Shqiptari, Bukuresht, 1903).
Mjaft nga organet e tjera të shtypit i quanin këto
mendime të dëmshme për lëvizjen çlirimtare,
sepse, siç theksohej në to, ngjallnin te populli
shqiptar shpresa të reme dhe iluzione në
mirëbërësinë e sulltan Abdyl
Hamitit. Në shkrimet e botuara në këto organe
thuhej se nuk na pëlqejnë idherat e atyre
që thonë se duhet të mbahetë dhe të
jetë Turqia, për të mirën e Shqipërisë,
se Turqia nuk bën asnjë reformë që
tu ap të drejta popujve
.
Në mendimin politik të shtypit shqiptar gjeti pasqyrim
edhe Revolucioni rus i viteve 1905-1907. Në shkrimet
e botuara, sidomos në gazeta të tilla si Drita
e Shahin Kolonjës, Shpnesa e Shqypnisë
e Nikollë Ivanajt etj., atdhetarët shqiptarë
e shihnin luftën e popullit shqiptar dhe të popujve
të tjerë të shtypur të Perandorisë
Osmane, si edhe atë të popullit rus, si një
luftë të përbashkët çlirimtare
që drejtohej kundër të njëjtëve armiq,
dy mbretërive të fëlliqura, që quhen
Rusi dhe Turqi..., që kanë përmbi krye dy njerëz
gjakatarë e të poshtër që nuk u ngopën
së thithuri gjak njeriu (Drita, Sofje,
1905).
Në shtypin shqiptar kanë gjetur pasqyrimin e vet,
megjithëse në një masë më të
vogël, edhe çështjet ekonomiko-shoqërore,
si ato të luftës kundër shtypjes ekonomike,
të rolit të forcave të ndryshme shoqërore
në lëvizjen kombëtare etj. Në artikujt
e korrespondencat nga Shqipëria, të botuara në
gazetën Drita, Kombi, Shkopi
etj., në vitet 1901-1907, përshkruhet me ngjyra
të forta e në mënyrë rrëqethëse
gjendja e mjeruar ekonomike e kulturore e popullit, sidomos
e fshatarësisë që ishte zhytur në padije.
Kjo gjendje shpjegohej me sundimin osman e politikën
shtypëse të sulltanit dhe në ndonjë artikull
me ndarjen e padrejtë të tokave, me zotërimin
e pronës së madhe të çifligarëve
e të shtetit osman.
Mendime të ndryshme u shprehën në shtypin shqiptar
lidhur me rolin e parisë feudalo-çifligare ose,
siç shprehej shtypi, të oxhakësisë,
në lëvizjen kombëtare. Ndërsa atdhetarët
e moderuar mendonin se lëvizja çlirimtare duhej
të mbështetej te kjo pari, të cilën e
quanin shpresa e shpëtimit dhe e lirisë satdheut,
përfaqësuesit më radikalë të Rilindjes
Kombëtare e shihnin atë si pjesë të elitës
politike sunduese të Perandorisë Osmane. Ata i bënin
thirrje popullit që të ngrihej jo vetëm kundër
pushtetit të sulltanit, por edhe kundër parisë
shqiptare, e cila, siç thuhej në shkrimet e tyre,
ishte bërë vegël e guvernës turke
për tshtrydhur gjakun e varfërisë dhe
për të rrjepur njerëzinë (Drita).
Të ndryshme ishin mendimet e grupimeve politike shqiptare,
të shprehura në shtyp, për rolin e popullit
të thjeshtë në lëvizjen kombëtare.
Ndërsa atdhetarët e moderuar e quanin popullin një
turmë, që ska siguri veçse tek
oxhaksia, te paria, elementët radikalë e quanin
popullin e thjeshtë, vegjëlinë,
siç cilësohej atëherë, bartës
të vërtetë të patriotizmit dhe luftëtar
të vendosur për çlirimin e atdheut nga zgjedha
osmane.
Por problemi i trajtuar më gjerësisht në faqet
e të gjitha organeve të shtypit shqiptar ishte ai
i luftës për lirinë e gjuhës dhe të
shkollës shqipe, të cilat të gjithë atdhedashësit,
pa përjashtim, i vlerësonin si një mjet shumë
të rëndësishëm për ngritjen e ndërgjegjes
kombëtare të popullit shqiptar, për konsolidimin
e tij kombëtar dhe për bashkimin në luftë
kundër pushtuesve të huaj. Por atdhetarët më
largpamës e trajtonin luftën për shkollën
e shkrimin shqip si pjesë të pandarë të
lëvizjes politike për njohjen e kombit shqiptar
dhe për autonominë e tij.
Nëpërmjet shtypit, rilindësit kundërshtonin
përpjekjet e qendrave të huaja klerikale për
të përçarë shqiptarët sipas besimeve
fetare, për të mbjellë dasinë midis popullsisë
myslimane, nga njëra anë, dhe asaj krishtere, nga
ana tjetër. Kjo veprimtari, që shtypi e quante antikombëtare,
bëhej më e dëmshme për kombin, sepse gjente
përkrahës edhe te klerikë të veçantë
të lartë, konservatorë e fanatikë shqiptarë,
myslimanë e të krishterë, të lidhur me
interesa ekonomike e shpirtërore me sundimtarët
osmanë, me sulltanin Halif si edhe me Patrikanën
greke të Stambollit. Në artikujt e botuar në
organet e shtypit gjatë viteve 1907-1908 nga Fan Noli,
Mihal Gramenoja, Hilë Mosi dhe atdhetarë të
tjerë theksohej se këto kategori të klerikëve
u shërbenin të huajve dhe ishin bërë vegla
politike në duart e tyre.
Duke qenë edhe vetë besimtarë dhe duke respektuar
ndjenjat fetare të të gjithë shqiptarëve,
rilindësit i veçonin nga kleri e shumica e klerikëve
të të tria besimeve fetare këta përfaqësues
të caktuar të qarqeve klerikale, që vepronin
në kundërshtim me interesat e Shqipërisë,
duke i quajtur armiq po aq të rrezikshëm për
kombin, sa edhe qeveria turke, dhe arritën në
përfundimin se shqiptarët nuk mund të siguronin
as bashkimin e as çlirimin kombëtar pa kapërcyer
veprimtarinë e tyre përçarëse.
Një vend të rëndësishëm në organet
e shtypit kanë zënë edhe artikujt e thirrjet
e drejtuara kundër politikës shoviniste të
shteteve fqinje ballkanike dhe kundër qëndrimit
mospërfillës të Fuqive të Mëdha ndaj
çështjes shqiptare. Në shkrimet e thirrjet
e botuara në shtypin shqiptar në vitet 1902-1908
nga Asdreni, Fan Noli, Shahin Kolonja, Çerçis
Topulli dhe nga mjaft autorë të tjerë anonimë,
goditet veçanërisht politika shoviniste e qarqeve
politike të Athinës, të Beogradit, të
Sofjes e të Malit të Zi, të cilat në synimet
e tyre për të përgatitur pushtimin e tokave
shqiptare nuk ndaleshin para asgjëje, përdornin
të gjitha mjetet, nga përçapjet për
asimilimin e shqiptarëve nëpërmjet shkollave
dhe kishës e deri tek organizimi në tokat shqiptare
të bandave të armatosura, që terrorizonin popullsinë.
Ata dënonin gjithashtu politikën e disa prej Fuqive
të Mëdha e sidomos të Rusisë, që
përkrahnin lakmitë aneksioniste të shteteve
fqinje ndaj tokave shqiptare, si edhe ndërhyrjet që
ato ndërrmorën në vitet 1902-1907 për
zbatimin e reformave në Turqinë Evropiane, të
cilat çonin në copëtimin e territoreve shqiptare.
Idetë përparimtare e demokratike të shtypit
luajtën një rol të madh për përgatitjen
ideologjike e politike të popullit shqiptar në luftën
për bashkimin dhe për çlirimin kombëtar
të vendit.
Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e
shkrimit shqip
Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit më 1878
dhe të Shoqërisë së Stambollit më
1879 mori hov lëvizja për lëvrimin dhe studimin
e gjuhës shqipe. Mendjet më të ndritura të
kohës, si Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri,
Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Jani Vretoja,
Ndre Mjeda, Gjergj Fishta etj., duke e njohur mirë gjuhën
amtare dhe duke pasur besim të patundur në zhvillimin
e saj të shpejtë, iu përveshën me zell
një pune të shumanshme që nuk vonoi të
jepte përfundime të dukshme. Drejtimet kryesore
të përpjekjeve të tyre, që kushtëzoheshin
nga kërkesat e kohës, ishin përhapja e shkrimit
shqip, pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja
të panevojshme, pasurimi i saj sidomos me terma shkencorë
e me fjalë të tjera të fjalorit abstrakt dhe
përpunimi i disa normave gjuhësore që do të
çonin shkallë-shkallë në zhvillimin
e vazhdueshëm të gjuhës letrare shqipe. Me
këto përpjekje atdhetarët rilindës synonin
të forconin bashkimin dhe afirmimin kombëtar të
popullit shqiptar, për të cilët një faktor
vendimtar ishte gjuha, si tipar themelor që dallon çdo
komb.
Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (1879) me
36 shkronjat e tij i plotësonte mirë kërkesat
fonologjike të gjuhës shqipe dhe, me gjithë
mungesën e shkollave shqipe, ishte përhapur ndër
shqiptarët brenda e jashtë vendit. Por, duke qenë
i përzier edhe me disa shkronja greke dhe me disa shkronja
të veçanta, ai paraqiste mjaft vështirësi
për botim librash e fletoresh nëpër shtypshkronja.
Përveç kësaj, megjithëse bëri të
mundur mënjanimin e disa alfabeteve të përdorura
më parë, alfabeti i Stambollit nuk mbeti i vetmi
alfabet për shkrimin e shqipes. Kështu në Shkodër
vijoi të përdorej alfabeti tradicional i shkrimtarëve
klerikë të Veriut. Madje, në kapërcyell
të shek. XX në atë qytet u vunë në
përdorim dy alfabete të reja: alfabeti thjesht latin
i Shoqërisë Bashkimi, i themeluar më
1899 nga Preng Doçi, Gjergj Fishta etj., dhe alfabeti
i Shoqërisë Agimi, i formuar më
1901 nga Zef Mjeda, Ndre Mjeda etj. Gjatë kësaj
periudhe në Shkodër nuk munguan edhe përpjekjet
për ta shkruar shqipen me alfabetin arab.
Rilindësit u përpoqën edhe për pastrimin
e pasurimin e fjalorit, gjë që diktohej nga vetë
gjendja e gjuhës shqipe, e cila, në kushtet e një
prapambetjeje të gjithanshme të popullit shqiptar,
ishte e mbushur me fjalë të huaja dhe kishte mbetur
e varfër sidomos për fjalë të fushave
të ndryshme të shkencës e të kulturës.
Për tia arritur këtij qëllimi të
dyanshëm u shfrytëzuan më shumë mjetet
fjalëformuese të gjuhës shqipe, duke krijuar
kështu një numër të madh fjalësh
të reja, një pjesë e mirë e të cilave
i kanë qëndruar kohës. Të tilla janë,
p.sh., fjalët ndërgjegje, vetëdije, cilësi,
sasi, folje, rrokje, përemër, atdhe, mëmëdhe,
kryeqytet, qytetëroj etj. Është e vërtetë
se përpjekje për të krijuar fjalë të
reja ishin bërë edhe më parë, duke nisur
që nga Buzuku, Budi e Bogdani e deri te Naum Veqilharxhi.
Por përpjekjet e dhjetëvjeçarit të fundit
të shekullit të kaluar në këtë fushë
dalloheshin për karakterin e tyre më të vetëdijshëm,
për përmasat e gjera dhe për përhapjen
e madhe që patën.
Për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe u
shfrytëzua në radhë të parë visari
i pasur i gjuhës popullore. Për këtë qëllim
u mblodhën nga goja e popullit fjalë e shprehje
të rralla që rilindësit i shtinë në
përdorim në veprat e tyre. Në këtë
punë fisnike u dallua në mënyrë të
veçantë Kostandin Kristoforidhi, i cili i ra kryq
e tërthor mbarë vendit, duke mbledhur një visar
të pasur, që e përfshiu edhe në veprën
e tij madhore Fjalori i gjuhës shqipe. Por
këtë vepër me vlerë të madhe autori
nuk mundi ta botonte sa qe gjallë. Pas shumë përpjekjesh,
ky fjalor u botua më në fund më 1904 në
Athinë. Fjalori nuk kishte karakter dialektor, si fjalorët
e botuar më parë, por ishte një fjalor i mbarë
shqipes. Shpjegimet aty jepeshin në gjuhën greke,
por kishte edhe shpjegime plotësuese shqip. Ata që
nuk dinin greqisht e përdornin për të gjetur
ekuivalenten greqisht të fjalës shqipe.
Më 1908 u botua në Shkodër nga Shoqëria
Bashkimi një tjetër fjalor i gjuhës
shqipe me shpjegimet në gjuhën italiane.
Drejtimi tjetër kryesor, ku u përqendruan përpjekjet
për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe,
ishte përpunimi i disa normave drejtshkrimore e gramatikore
dhe studimi i strukturës gramatikore të gjuhës.
Edhe në këtë fushë puna nuk nisi nga e
para. Përpjekje të tilla ishin bërë edhe
më përpara. Por pas vitit 1880, në kushtet
e reja të rritjes së lëvizjes kombëtare,
shtrohej detyra për një punë më të
vetëdijshme dhe me synime më të qarta. Në
shkrimet shqipe duheshin zbatuar disa norma drejtshkrimore
që ti bënin ato sa më të kuptueshme
për të gjithë shqiptarët, pavarësisht
nga baza dialektore. Për një punë të tillë
të vetëdijshme shprehen në shkrimet e tyre
sidomos Kostandin Kristoforidhi, Samiu, Naimi etj. Gjatë
kësaj periudhe u bënë përpjekje edhe për
një afrim të dy varianteve të shkruara të
shqipes. Por, në kushtet e sundimit të huaj dhe
të përçarjeve krahinore e fetare, të
ushqyera nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm,
këto përpjekje nuk mund të shkonin larg. Në
këto rrethana, kur edhe një pjesë e shkrimtarëve
vijonin të përdornin në shkrimet e tyre një
gjuhë thjesht dialektore, ishte shumë e vështirë
të përpunoheshin e të zbatoheshin nga të
gjithë norma drejtshkrimore e gramatikore të njësuara.
Megjithatë, u bë një punë e madhe për
vendosjen e disa normave drejtshkrimore e gramatikore, që
shënuan një hap të rëndësishëm
përpara në zhvillimin e mëtejshëm të
gjuhës letrare shqipe.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua edhe studimit
të strukturës gramatikore të gjuhës e
kjo duket qartë edhe nga botimi i disa gramatikave me
vlerë, të hartuara kryesisht nga autorë shqiptarë.
Nga këto dallohen sidomos gramatika e Kostandin Kristoforidhit
(1882), me shpjegim në gjuhën greke, Shkronjëtorja
... e Samiut (1886), që është e para
gramatikë e gjuhës shqipe, gramatika e Gjergj Pekmezit
(1908), me shpjegime në gjuhën gjermane, gramatika
shqipe e Anton Xanonit (1909) etj.
Puna për lëvrimin e për studimin e gjuhës
bëri të mundur zhvillimin e mëtejshëm
të gjuhës letrare shqipe.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të
shek. XX u shtuan edhe më shumë përpjekjet
e atdhetarëve shqiptarë për lirinë e mësimit
të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave
shqipe. Edhe pas hapjes së shkollës së Korçës
në vitin 1887, gjendja e arsimit në Shqipëri
mbeti e mjerueshme. Gjithë sistemi arsimor osman përbëhej
nga shkollat fillore (mejtepe) në qytete e në fshatra,
një pjesë e madhe pranë xhamive, nga disa shkolla
gjysmë të mesme ose qytetëse (ruzhdie) që
funksiononin në qytete, ndërsa shkolla të mesme
shtetërore (idadie) ishin ngritur vetëm në
kryeqendrat e katër vilajeteve. Mësimet zhvilloheshin
kudo në gjuhën turke, ndërsa numri i fëmijëve
që i ndiqnin këto shkolla ishte shumë i pakët.
Në këto rrethana atdhetarët rilindës si
në memorandumet e peticionet e njëpasnjëshme,
që i dërguan Portës së Lartë dhe
Fuqive të Mëdha nga kolonitë e mërgimit
e nga brenda vendit, ashtu edhe nëpërmjet organeve
të shtypit shqiptar të viteve 1897-1908, protestuan
ndaj kësaj gjendjeje të rëndë të
arsimit në Shqipëri dhe kërkuan me këmbëngulje
që shqiptarëve tu jepej e drejta e mësimit
të lirë të gjuhës amtare shqipe dhe që
të hapeshin kudo në Shqipëri shkolla shqipe
të të gjitha hallkave. Organet e shtypit theksonin
se ne shqiptarët duhet të hapim shkolla shqipe
në Shqipëri dhe të mësojmë në
gjuhën tonë, të çelim shkolla
shqipe në të gjitha anët e Shqipërisë,
në çdo qytet dhe në çdo fshat, me
qëllim që të lulëzohet Shqipëria
(Shqipëria, 1897, Gjuha shqipe dhe
shqiptarët; Drita 1903, Kombet
e tjera dhe shqiptarët etj.)
Atdhetarët, me gjithë pengesat e qeverisë turke,
nuk i ndërprenë përpjekjet për të
përhapur arsimin në gjuhën amtare. Përveç
dy shkollave shqipe të Korçës, në mjaft
vise të Shqipërisë, si në Elbasan, Dibër,
Krujë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë,
Starovë, Vlorë, Përmet, Skrapar, Çamëri
etj., funksiononin, në shumicën e rasteve pranë
shtëpive private, shkolla të fshehta shqipe, në
të cilat arsimtarët atdhetarë u mësonin
fëmijëve e të rriturve abetaren e gjuhës
shqipe. Në këto qendra, si edhe në qytete të
tjera të vilajeteve shqiptare, si në Shkodër,
Durrës, Tiranë, Prizren, Prishtinë, Shkup,
Manastir etj., mësuesit atdhedashës u mësonin
fshehurazi shkrimin shqip nxënësve në shkollat
e huaja turke, greke etj.
Atdhetarët rilindës protestuan në ato raste
kur Austro-Hungaria bëri përpjekje për të
zëvendësuar gjuhën shqipe, që ishte futur
në shkollat e saj, me gjuhët e huaja. Në vitet
1898-1900 shpërtheu konflikti ndërmjet popullsisë
së Prizrenit dhe agjentëve konsullorë austro-hungarezë,
që deshën të fusnin në shkollën shqipe
të qytetit sllavishten. Vatikani më 1898 largoi
nga kjo shkollë klerikët shqiptarë nga Prizreni
dhe emëroi në vend të tyre klerikë e murgesha
kroate, që filluan të përdornin në shkollë
krahas shqipes edhe sllavishten. Meqenëse kërkesat
e popullsisë së Prizrenit për pezullimin e
mësimit në gjuhën sllave nuk u morën parasysh,
ajo ngriti më 1899 një shkollë të re shqipe
të pavarur, në të cilën jepte mësim
Mati Logoreci. Në këto përpjekje atdhetarët
prizrenas patën edhe përkrahjen e popullsisë
së Shkodrës dhe të viseve të tjera. Shkolla
e re tërhoqi shumicën e nxënësve të
Prizrenit. Në konfliktin për çështjen
e shkollës së Prizrenit (që zgjati 2 vjet)
ndërhyri me kërkesën e Vjenës edhe policia
turke, e cila arrestoi mjaft shqiptarë atdhetarë.
Qëndresa e gjatë e protestat e vazhdueshme të
popullsisë së Prizrenit bënë më në
fund efektin e tyre; më 1900 u kthyen në Prizren
klerikët e larguar shqiptarë dhe u hoqën nga
shkolla mësuesit e huaj. Pas kësaj të dyja
shkollat u bashkuan në një shkollë të
vetme.
Kështu ndodhi edhe në Tiranë, ku në saje
të kërkesave këmbëngulëse të
rretheve atdhetare, në shkollën austriake të
këtij qyteti, në kundërshtim me vendimin e
kryepeshkopit katolik të Durrësit, u vunë në
përdorim tekstet e përgatitura nga Shoqëria
e Stambollit.
Në saje të përkrahjes së popullit dhe
të vendosmërisë së mësuesve atdhetarë,
edhe Mësonjëtorja shqipe e Korçës, që
ishte e vetmja shkollë shqipe legale, u bëri ballë
për një kohë të gjatë përndjekjeve
dhe intrigave të qeveritarëve osmanë dhe mitropolisë
së Korçës. Në vitet e fundit të
shek. XIX, kur drejtor i saj u bë Nuçi Naçi,
ajo u kthye në një shkollë të rregullt
fillore me katër klasë, ku ndiqnin mësimet
80-100 fëmijë të krishterë e myslimanë
nga 20-40 që kishte më parë. Përveç
drejtorit, në shkollën e djemve të Korçës
jepnin mësime edhe arsimtarët Thanas Nona e Nikolla
Lako, ndërsa të rriturve abetaren shqip ua mësonte
Kristo Vodica. Por edhe kjo shkollë më në fund
u mbyll në vitin 1902, kur autoritetet osmane, të
nxitura edhe nga peshkopi ortodoks grek, arrestuan mësuesin
dhe drejtorin e saj të fundit Nuçi Naçin,
të akuzuar si pjesëmarrës i një organizate
të fshehtë shqiptare.
Shkolla e vajzave të Korçës, ku jepnin mësim
Sevasti Qiriazi (që ishte edhe drejtoreshë e saj),
Fanka Efthimi dhe më pastaj Polikseni A. Dhespoti (Luarasi)
e Thanas Sina, dha ndihmë të madhe për disa
vjet në përhapjen e shkrimit shqip e të ndjenjave
atdhetare tek të rejat dhe te popullsia e qytetit. Ajo
frekuentohej nga 50 nxënëse, disa prej të cilave,
duke qenë nga viset e tjera, ishin konviktore. Por edhe
kjo shkollë u mbyll më 1904 nga autoritetet osmane.
Ndërsa pengonte përhapjen e mësimit të
gjuhës shqipe dhe merrte masa të rrepta ndaj mësuesve
e prindërve, sidomos ndaj atyre myslimanë që
çonin fëmijët në shkollat shqipe, qeveria
osmane, duke qënë nën presionin e shteteve
fqinje e të Fuqive të Mëdha, lejonte çeljen
në qytetet e Shqipërisë të shkollave të
reja të huaja, greke, bullgare, serbe etj.
Krahas këtyre, përhapja e shkrimit shqip pengohej
gjithashtu nga mungesa e një alfabeti të përbashkët
për gjithë shqiptarët. Atdhetarët shqiptarë
me të drejtë e shihnin mungesën e një
alfabeti të njëjtë si një shenjë
dasie që pengonte bashkimin e konsolidimin kombëtar
të shqiptarëve.
Por si çëshjtja e shkollës shqipe, ashtu
edhe ajo e vendosjes së një alfabeti të njëjtë
të gjuhës shqipe, qenë shndërruar në
probleme politike, zgjidhja e të cilave do të varej
nga zhvillimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare.
2. LETËRSIA DHE ARTET
Letërsia
Ringjallja nacionale, lëvrimi i shqipes si gjuhë
e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi
i letërsisë kombëtare në rrafshin kulturor,
si dhe krijimi i shtetit të pavarur në rrafshin
politik, këto ishin pikat kyçe të programit
të lëvizjes së Rilindjes, prej së cilës
lindi shkolla e romantizmit shqiptar të shek. XIX, që
u përurua në veprën Këngët
e Milosaos (1836) të Jeronim de Radës për
të marrë formën e plotë në veprat
e Naim Frashërit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës,
Zef Serembes, Gavril Darës (të Riut), Andon Z. Çajupit,
Luigj Gurakuqit, Asdrenit, Gjergj Fishtës, Filip Shirokës
e të tjerëve. Ishte ky një romantizëm
tipik ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit
kombëtar, me mallin e mërgimtarit dhe me patosin
retorik të evokimit të mesjetës shqiptare,
domethënë të luftërave të Gjergj
Kastriotit Skënderbeut. Letërsia e Rilindjes u frymëzua
nga idetë e romantizmit nacional dhe të iluminizmit,
që u kultivuan në rrethet e inteligjencies shqiptare,
e cila jetonte kryesisht në mërgim, në ngulimet
e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet e reja
në Stamboll, Bukuresht, ShBA, Sofje e Kajro. Kjo shkollë
letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte
njeriu etik, shqiptari luftëtar e më pak njeriu
tragjik. Në procesin e zhvillimit të saj nisën
të integrohen gjithnjë e më shumë në
të edhe idealet shoqërore demokratike të ndikuara
nga orientimi në përgjithësi perëndimor
i kulturës shqiptare të Rilindjes. Këtë
prirje e shprehu në mënyrë poetike, Naim Frashëri,
në vargjet sintetike: Jak o dit e uruar,
/ Që lint nga perëndon.
Pjesë e këtij procesi ishte dhe pasurimi i krijimtarisë
letrare me idealet humaniste për rilindjen e njeriut
dhe lirinë e individit, për përsosjen e tij
morale dhe emancipimin e tij nga prangat e mesjetës,
nga mendësia e normat e moralit të saj që e
ndrydhte shpirtin e njeriut dhe e mbante në padije e
errësirë. Poezia, sidomos poezia lirike e Rilindjes,
i solli letërsisë shqipe botën shpirtërore
të individit, dramat e kërkimet e tij morale, një
botë në lëvizje e të trazuar, një
shpirt të zgjuar nga gjumi mesjetar që e mpinte
mendjen njerëzore.
Një tipar i rëndësishëm i kulturës
dhe i letërsisë së Rilindjes është
rigjallërimi dhe rivlerësimi i vlerave tradicionale
të kulturës shqiptare, sidomos lidhja e ngushtë
e saj me folklorin vendas, riaktivizimi i motiveve dhe i formave
poetike të krijimtarisë gojore popullore. Gjurmimi
i kësaj tradite dhe botimet në fushë të
saj (Rapsodi të një poeme arbëreshe
më 1866 nga De Rada, Përmbledhje të këngëve
popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare më
1871 nga Zef Jubani, Bëleta shqiptare më
1878 nga Thimi Mitkoja, Valët e detit më
1908 nga Spiro Dineja etj.) ishin pjesë e programit kulturor
të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e identitetit
etno-kulturor të shqiptarëve.
Por letërsia e kultura e Rilindjes u zhvilluan në
marrëdhënie të ngushta me kulturat perëndimore
e lindore, duke marrë prej tyre ato elemente që
i përgjigjeshin frymës së tyre dhe duke ruajtur
natyrën vendase.
Lëvizja mendore dhe letrare e Rilindjes krijoi një
kulturë të re; ajo hapi epokën e kulturës
moderne të shqiptarëve.
Fillimet e letërsisë së Rilindjes lidhen me
krijimtarinë poetike të një grupi poetësh
nga veriu, të cilët qëndrojnë në
kapërcyell të dy kohëve. Nga njëra anë
ata me shkrimet e tyre fetare zgjasin, pas një heshtjeje
gati treçerekshekullore, traditën e letërsisë
së vjetër klerikale katolike, kurse nga ana tjetër
me disa vjersha të tyre, ku u buthtuan motivet e para
atdhetare, u bënë nismëtarë dhe pararendës
të letërsisë së re. Këta ishin Preng
Doçi (1847-1917), abati i Mirditës, Pjetër
Zarishi (1806-1866) nga Zadrima, Leonardo de Martino (1830-1923)
arbëresh i ardhur si misionar françeskan në
Shqipëri dhe Ndue Bytyçi (1847-1917) prej Kosove.
Disa vjersha të këtyre poetëve janë të
mbrujtura me frymën atdhetare dhe me notat e kushtrimit
për luftë kundër pushtuesit, duke i hapur udhën
edhe një lëvizjeje të gjerë artistike
letrare, që do të zhvillohej në Shkodër
në mbarim të shek. XIX dhe që pati si përfaqësues
të saj Ndre Medën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin,
Filip Shirokën.
Naim Frashëri (1846-1900)
Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë
së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit
më të shquar të lëvizjes kombëtare,
njeriu që u pagëzua për së gjalli si apostull
i shqiptarizmës dhe bilbili i gjuhës
shqipe. Lindi në Frashër të Dangëllisë,
ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen
e familjes në Janinë, pranë vëllait të
madh Abdylit, që shërbente si nëpunës
atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit,
ku mori një kulturë të gjerë për
kohën. Përveç njohjes me kulturat klasike,
përveç se përsosi njohuritë në
persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si
greqishten, frëngjishten etj., Naimi atje ra në
kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i
hapi udhën Revolucionit të vitit 1789; lexoi Rusonë
e Volterin, për të cilët ruajti një admirim
të veçantë gjatë gjithë jetës,
ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj
të shkollës së romantizmit francez, Hygonë,
Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu
në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës
lindore e të kulturës perëndimore, të
cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën
e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.
Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll
për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit
të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri,
ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane
në Janinë, në Sarandë e në Berat.
Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll
pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë
më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë
së Stambollit që e kryesonte Samiu.
Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh
në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet
e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u
bënë në Frashër e në Janinë
për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më
1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje
atdhetare, poemthin Shqipëria, e cila u prit
me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë
poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë
që do të formonin më tej trungun e veprës
së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë
atdhetare të Rilindjes.
Naimi iu kushtua tërësisht veprimtarisë atdhetare;
ai dha ndihmesë të shquar për botimin e revistës
Drita - Dituria, dhe në një periudhë
të shkurtër 13-vjeçare (1886-1899) botoi
15 libra. Vetëm në vitin 1886 botoi në shtypshkronjën
e Bukureshtit 6 libra, Bagëti e Bujqësija,
Vjersha për mësonjëtoret e para,
E këndimit të çunave këndonjëtoreja
me dy vëllime, Istori e përgjithshme
dhe Dituritë. Më pas do të botonte
Tehajylat (Ëndërrimet, 1885),
Lulet e verës (1890), Mësime
(1894), Parajsa dhe fjala fluturake (1894), Gjithësia
(1895), Fletore e bektashinjve (1896), Istori
e Skënderbeut (1898), Qerbelaja (1898),
Istori e Shqipërisë (1899) e të
tjera.
Siç shihet, një vend të gjerë i dha
ai botimit të librave për të cilat kishte nevojë
shkolla shqipe. Si atdhetar iluminist ai i kushtoi vëmendje
jo vetëm pajisjes së brezit të ri me dije shkencore.
Naimi kishte koncepte të përparuara pedagogjike.
Ai ishte për barazinë e djemve dhe të vajzave
për të mësuar, për përfshirjen e
lëndëve shkencore në programet shkollore, për
një edukatë morale të përsosur dhe për
njësimin e mësimit me edukatën.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare
dhe luajti një rol të dorës së parë
për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit.
Ai u bë themeluesi i një letërsie të re
me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë
artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar
jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj,
por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike,
duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe
të lëvruar të kulturës moderne të
shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi
i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë
kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme
të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat
e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën
dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe
mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në
frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon
mendimin e tij.
Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për
atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës
shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën
Bagëti e Bujqësija. Me këtë
vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut
dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja
e emocione që skishte mundur ti krijonte
para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën
e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: Ti
Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin
shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me
dëshirë dhe me zjarr.
Poema është një shfrim lirik i ndjenjave të
poetit të pushtuar nga malli i gjuhës dhe i bukurive
të vendlindjes, nga kujtimet e rinisë së kaluar
në gji të saj, të poetit të magjepsur
nga kulti i tokës dhe i punës, të poetit që
e përjeton dashurinë për Shqipërinë
dhe krenarinë për të si një ndjenjë
njerëzore që kërkon tua përcjellë
gjithë bashkatdhetarëve të vet, me fjalën
e vet poetike, me gjuhën e zemrës së zjarrtë,
që zhuritet nga malli e dashuria për çdo
gjë shqiptare.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të
atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të
mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që
e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin
ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan
poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri
të përgjëruar prej fjalës poetike. Ky
imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në
atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm
në këtë poemë të Naimit, por në
gjithë letërsinë romantike të Rilindjes,
nuk është e njëjtë me ëndrrën
romantike për tu kthyer në viset ekzotike,
ose në gjirin e jetës së lirë e të
papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern;
nuk është thjesht një arratisje romantike larg
rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane,
por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje
qytetare për tiu kthyer vlerave të vendlindjes,
për ti ringjallur ato e bashkë me to për
të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë
së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen
e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për
lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte
për rilindësit një trashëgim të çmuar
dhe një dëshmi të identitetit e të së
drejtës së shqiptarëve për të jetuar
të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen
e ndikimit të madh të së kaluarës për
formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin
e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën
epike Istori e Skënderbeut, e cila, pikërsht
për këto arsye, u bë një nga veprat më
të lexuara gjatë Rilindjes. Me këtë vepër
ai realizoi një ëndërr të lashtë
të shqiptarëve, për të pasur edhe ata
si popujt e tjerë eposin e tyre historik. Poema evokoi
me një patos të ngritur atdhetar e romantik qëndresën
pesëshekullore të shqiptarëve kundër vërshimit
osman dhe heroin e kësaj qëndrese, figurën
e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare
bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të
rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes
së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në
mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e
njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin
e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale.
Në këtë vështrim përjetimet lirike
të Naimit të shprehura në vjershat e Luleve
të verës synojnë të afirmojnë
një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën
e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin
e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri
artistike të panjohur më parë poezisë
shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë
lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe
në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë.
Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të
mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar
të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë
në një udhë të re letërsinë
e tyre.
Disa shekuj të shqipes së shkruar para Naimit kishin
krijuar një traditë, në thellësi të
së cilës gjëllinte dashuria për gjuhën
shqipe dhe gjente shprehje prirja e një zhvillimi të
mëvetësishëm kulturor të një kombi
që e dallonte veten nga të tjerët edhe në
këtë rrafsh, sado që trysnia e gjuhëve
dhe e kulturave të huaja mbi të ishte e madhe. Por
rëndësinë e kësaj tradite e kufizonte
fakti që shpirti i shqipes ndrydhej në të brenda
funksionit kryesisht didaktik, utilitar, të letërsisë
së shekujve XVI-XVIII, si dhe fakti që ajo nuk kishte
arritur të fitonte vazhdimësinë e njësinë
e brendshme.
Vepra e Naimit kapërceu këto kufizime, prandaj ajo
shënoi një ndryshim epokal në kulturën
shqiptare duke krijuar një letërsi të një
tipi të ri që shprehu shpirtin e kombit e të
kohës me një gjuhë poetike, në të
cilën fjala shqipe tingëlloi me të gjitha vlerat
e saj të shprehjes plastike e vetërefleksive.
Duke vënë në bazë te gjuhës së
poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi
shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi
fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar
prej gjuhës së konsakruar të librave të
dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të
huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare
mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj
të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave
të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë
të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet
e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset
e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve
dhe e bëri shprehëse të njëmendtë
të ndërgjegjes së tyre morale e estetike.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të
shek. XX shfaqen dukuri të reja në zhvillimin e
letërsisë shqipe, e cila ndonëse vijon të
mbetet brenda kuadrit të Rilindjes, nis të njohë
procesin e dizintegrimit të romantizmit si drejtim letrar.
Një brez më i ri shkrimtarësh që erdhën
pas Naimit, duke ndjekur traditën e Rilindjes në
trajtimin e motivit patriotik, e pasuruan me një problematikë
të re shoqërore përmbajtjen e letërsisë,
me gjini e forma të reja të shprehjes artistike.
Në krijimtarinë e disa syresh u përshenjën
shfaqjet e para të realizmit. Në këtë
grup shkrimtarësh bëjnë pjesë Andon Z.
Çajupi, Asdreni, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Faik Konica
e të tjerë. Ata e vazhduan krijimtarinë e tyre
edhe pas vitit 1912, kur mbyllet epoka e Rilindjes si etapë
historike. Krijimtaria e dy të fundit i përket më
shumë fazës së re që nisi në zhvillimin
e letërsisë shqipe pas krijimit të shtetit
të pavarur shqiptar.
Andon Z. Çajupi (1866-1930)
Andon Zakoja, i njohur me pseudonimin Çajupi, lindi
në Sheper të Zagorisë, ku mori edhe mësimet
e para. Më pas u shkollua në një lice francez
në Aleksandri, kurse studimet e larta për drejtësi
i kreu në Gjenevë. Prej andej u kthye në Egjipt
ku e ushtroi fare pak profesionin për të cilin u
diplomua dhe iu kushtua tërësisht lëvizjes
patriotike, duke u bërë një nga figurat qendrore
të kolonisë shqiptare të Misirit.
Shkrimi i parë që njihet prej Çajupit është
artikulli Duke kërkuar një alfabet,
botuar në revistën Shqipëria të
Bukureshtit. Në këtë artikull të shkruar
në frëngjisht poeti i ardhshëm mbron idenë
e përdorimit të alfabetit latin dhe parashtron pikëpamjet
e tij të përparuara për zhvillimin e lëvizjes
kombëtare.
Më 1902 Çajupi doli para lexuesit me përmbledhjen
poetike Baba Tomori, që bëri jehonë
dhe u prit mirë për frymën luftarake që
mbartte poezia e tij dhe për risinë që ajo
sillte në motivet, në frymën dhe në mjetet
e shprehjes. Në vjershat atdhetare ndihet ndikimi i Naimit,
veçse poezia e Çajupit me këtë temë
përshkohet nga nota të forta luftarake dhe nga thirrje
të hapura për të rrokur armët kundër
pushtuesit. Çvish rrobat e Robërisë,
/ Mëmëdhe, / Vish armët e trimërisë,
/ Se ke ne! shkruan Çajupi në vjershën
Shqipëtar.
Në poezinë e tij të zjarrtë Çajupi
u bënte jehonë zhvillimeve të vrullshme në
lëvizjen kombëtare me agimin e shekullit të
ri, që çuan në formimin e çetave të
lirisë dhe në kryengritjet e mëdha të
viteve 1910-1912.
Poezia e Çajupit vinte gishtin edhe në plagën
e përçarjes e të vëllavrasjes dhe i
ftonte shqiptarët të linin pas mëritë
e të bashkonin armët kundër pushtuesit osman
e kundër synimeve të shovinistëve fqinjë.
Demokratizmi i përmbajtjes, notat luftarake dhe fryma
satirike demaskuese ndaj armiqve të çështjes
kombëtare e bënë poezinë e Çajupit
të përhapet shpejt e të ketë një
ndikim të madh te lexuesit.
Me një ndjenjë të hollë poetike ka trajtuar
Çajupi edhe motivet dashurore e ato shoqërore
në disa prej vjershave më të mira të Baba
Tomorit. Në fund të kësaj përmbledhjeje
ai ka përfshirë edhe komedinë 14 vjeç
dhëndërr, një komedi realiste që
zuri vend të sigurt në repertorin e teatrit shqiptar.
Më 1910 ai shkroi komedinë tjetër Pas
vdekjes, e cila u botua më 1937, 7 vjet pas vdekjes
së poetit. Komedia zhvilloi idenë e fejtonit Klubi
i Selanikut, botuar prej tij më 1909, duke demaskuar
ata që ishin bërë vegël e xhonturqve në
Shqipëri dhe duke vënë në lojë naivët
që binin në grackën e propagandës xhonturke.
E kësaj periudhe është edhe poema satirike
në dorëshkrim Baba Musa lakuriq, një
ritregim parodik i ngjarjeve të biblës. Me këtë
vepër ai e zgjeron shumë rrethin e motiveve dhe
problematikën e poezisë shqipe, përuron kritikën
ndaj veseve e thelbit moral të njeriut, duke sjellë
në letërsinë shqipe një përmasë
të re, që do ta thellonte më tej satira e Gjergj
Fishtës dhe e Faik Konicës.
Me Çajupin nis të shfaqet në jetën e
re letrare shqiptare tipi i poetit civik, që ndjeu nga
të parët krizën e idealeve të Rilindjes,
edhe pse me ato e lidhnin mijëra fije. Ai pati kurajon
ta shihte të vërtetën në sy, sepse i kishte
dalë dehja nga romantizmi nacional i Rilindjes, i cili,
i marrë integralisht, pa një qëndrim kritik
dhe vetëkritik, nuk i përgjigjej më situatës
së re historike. Përballë imazhit të një
jete idilike, poetit i vrisnin sytë plagët shoqërore
e morale në trupin e kombit, kur demaskoi pa mëshirë
bejlerët e feudalët e degraduar. Përballë
mitit të harmonisë shoqërore ai shihte kundërshti
e kontraste të mprehta, të cilat i pikasi edhe në
gjirin e lëvizjes kombëtare. Në ndeshjen midis
vetëdijes romantike dhe vetëdijes realiste, kritike
të Çajupit po fitonte kjo e fundit, duke i hapur
rrugën realizmit në letërsinë shqiptare
të fillimit të shek. XX.
Çajupi u bë një poet popullor edhe sepse
e mbrujti poezinë e tij sipas modeleve të poezisë
popullore. Ai mbeti një shembull klasik i poetit që
shprehu shpirtin e popullit me një gjuhë poetike
të thjeshtë e të drejtpërdrejtë,
por shprehëse dhe të freskët.
Asdreni (1872-1947)
Aleks Stavre Drenova - Asdreni lindi në Drenovë
të Korçës më 1889 dhe mërgoi në
moshë fare të re në Rumani. Atje kaloi një
jetë me shtrëngesa ekonomike që siu ndanë
deri ditët e fundit kur mbylli sytë në Bukuresht.
Shpejt u aktivizua gjallërisht në përpjekjet
e kolonisë së Bukureshtit në luftën për
çlirim kombëtar dhe u bë një nga veprimtarët
dhe figurat qendrore të asaj kolonie. Nisi të shkruante
poezi e artikuj publicistikë në fillim të shek.
XX. Vjershat e para i botoi në faqet e shtypit shqiptar.
Ato i përmblodhi në librin Rreze dielli
(1904). Poezia e Asdrenit ndiqte traditën e Naimit e
të Çajupit, lartësonte traditat liridashëse
të shqiptarëve dhe të kaluarën e tyre,
himnizonte dashurinë për atdhe dhe i grishte bashkatdhetarët
të rreshtoheshin në luftën për çlirim
kombëtar. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit
e botuar gjatë Rilindjes është Ëndrra
e lotë (1912). Kjo përmbledhje poezish dallohet
për pasurinë e motiveve, për frymën atdhetare
e demokratike dhe për një nivel të ri artistik.
Në disa poezi të këtij vëllimi poeti demaskon
pushtuesit, i thur himn trimërisë që treguan
kryengritësit e lirisë në ngjarjet e viteve
1911-1912 dhe fshikullon me nota ironike atë pjesë
të parisë që iu shmang luftës çlirimtare.
Në këto vjersha, si Zëri i kryengritësve,
Krerëve tradhtarë, Çpërblimi,
motivet e luftës për çlirim kombëtar
u gërshetuan me motivet e pakënaqësisë
ndaj padrejtësisë shoqërore. Vepra e Asdrenit
shënonte kështu një hap për kalimin nga
romantizmi në realizëm, nga paraqitja e idealizuar
e jetës dhe e traditave në kritikën e realitetit
historik e shoqëror të kohës.
Kjo kritikë dhe ndjenja e zhgënjimit të njerëzve
të thjeshtë nga rezultatet e luftës që
bënë për çlirim kombëtar e shoqëror,
u thellua në krijimtarinë e Asdrenit pas viteve
20 dhe gjeti pasqyrim në vëllimin Psallme
murgu, që u botua në vitin 1930. Me këtë
vepër Asdreni bënte një hap të shënuar
përpara edhe si artist. Poezia e Asdrenit dhe e disa
krijuesve të tjerë të kësaj periudhe,
tregonte se ideja kombëtare po i hapte udhë idesë
njerëzore. Asdreni la shumë vjersha në dorëshkrim,
midis tyre një përmbledhje poezish me titull Kambana
e Krujës që u botua pas çlirimit.
Rëndësi në krijimtarinë e Asdrenit ka
edhe publicistika e tij. Në artikullin Dy-tri fjalë
për oxhakësinë botuar në revistën
Albania të Faik Konicës më 1902,
Asdreni demaskon atë pjesë të parisë feudale
që merrte nëpër këmbë sakrificat
e atyre që derdhnin gjak për lirinë e vendit.
Vend me rëndësi në publicistikën e Asdrenit
zënë edhe shkrimet që denoncojnë synimet
e shteteve shoviniste fqinje dhe pohojnë besimin e forcave
të vërteta kombëtare për fitoren e lirisë.
Asdreni ka hyrë në historinë e letërsisë
shqiptare si një poet atdhetar e demokrat, që me
veprën e tij ndikoi për zgjimin e ndërgjegjes
kombëtare e shoqërore dhe për pasurimin e poezisë
shqipe me forma e mjete të reja shprehëse.
Ndre Mjeda (1866-1937)
Motivet atdhetare e demokratike formojnë përmbajtjen
edhe të krijimtarisë poetike të Ndre Mjedës,
një poet i lindur në Shkodër dhe i shkolluar
për teologji në disa vende të Evropës
kur u kthye në atdhe, punoi si famulltar. Iu kushtua
që herët lëvizjes atdhetare. Më 1901 së
bashku me të vëllanë themeloi shoqërinë
Agimi, e cila krijoi një alfabet të
shqipes dhe botoi disa tekste me këtë alfabet. Për
përgatitjen filologjike që kishte më 1902 mori
pjesë në një kongres orientalistësh që
u mbajt në Hamburg, kurse në Kongresin e Manastirit
më 1908 u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin
e alfabetit të njësuar të shqipes. Më
1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare në
Shkodër. Mori pjesë aktive në lëvizjen
demokratike të viteve 1920-1924 dhe u zgjodh edhe deputet.
Pas rënies së kësaj lëvizjeje u tërhoq
nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në
Kukël. Vitet e fundit i mbylli si mësues i gjuhës
shqipe në Shkodër.
Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës nis herët, por
pjesën më të madhe të poezisë së
tij e botoi pas shpalljes së Pavarësisë. Përmbledhja
e parë që botoi në ato vite ishte Juvenilia
(1917), ku përfshihen vjersha të shkruara në
fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX.
Poema romantike Vaji i bylbylit, e shkruar më
1887 në frymën e Rilindjes, përshkohet nga
ideja patriotike dhe nga malli i të mërguarit për
vendlindjen. Por krahas vjershave me tone elegjiake Ndre Mjeda
shkroi dhe poezi të mbrujtura me frymën luftarake
të poezisë së fundit të Rilindjes. Në
poemën Liria (1910-1911) gjeti jehonë
kryengritja e malësorëve të Veriut më
1911, lufta e tyre dhe aspirata për drejtësi shoqërore.
Motivet shoqërore dhe fryma demokratike erdhën duke
u thelluar në krijimtarinë e Ndre Mjedës. Në
poezinë Mustafa Pasha në Babunë
poeti ka shpotitur qëndrimin e lëkundshëm të
asaj pjese të parisë feudale që iu shmang luftës
kundër pushtuesit osman. Ndre Mjeda është autor
edhe i shumë krijimeve për fëmijë, të
mbrujtura me idetë e moralit të Rilindjes, me frymën
e dashurisë për njeriun, për lirinë dhe
për natyrën.
Shtjefën Gjeçovi (1873-1929)
Shkrimtar, etnolog e arkeolog, që u dallua sidomos në
lëmin e zbulimit dhe të afirmimit të traditave
etnokulturore të shqiptarëve. Përgatiti veprën
madhore Kanuni i Lekë Dukagjinit, pjesë
të së cilës u botuan me gjallje të tij
në revistën Hylli i Dritës; si
libër më vete doli në vitin 1933 me një
parathënie të Gjergj Fishtës. Kjo vepër
është një monument i së drejtës zakonore
të shqiptarëve dhe e bëri të njohur autorin
në rrethet shkencore.
Shtjefën Gjeçovi lindi në Janievë (Kosovë)
ku mori mësimet e para, kurse të mesmet i kreu në
Kolegjin Françeskan të Troshanit, për të
vijuar më pas studimet teologjike në Bosnjë.
Shërbeu si famulltar në vise të ndryshme, si
në Pejë, në Kurbin, në Gomsiqe etj. Në
Arbënesh të Zarës punoi për një kohë
si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet
kundërosmane të viteve 1909-1912 dhe më pas
në Luftën e Vlorës më 1920. Duke jetuar
mes njerëzve mblodhi traditat gojore, etnografike, të
drejtën zakonore dhe u interesua për gjuhësinë
e arkeologjisë. Gjithë veprimtarinë e tij të
shumanshme kulturore e përshkon atdhetarizmi. Kjo veprimtari
u bë shkak të vihej në shenjë të
rretheve shoviniste serbe, të cilat organizuan vrasjen
e tij më 14 tetor 1929.
Gjeçovi është autor i Dramës Dashtunia
e Atdheut (1901), i veprës morale-didaktike Agimi
i Gjytetnisë (1910) dhe i shumë artikujve
e studimeve etnologjike e arkeologjike botuar në organe
të ndryshme të shtypit të kohës, sidomos
në revistën Albania të F. Konicës,
ku bashkëpunoi me pseudonimin Lkeni i Hasit.
Gjeçovi la shumë vepra në dorëshkrim,
si Shqiptari ngadhnjyes (1904), Princi i
Dibrave apo Mojs Golemi (Dramë), Mnera
e Prezës (1902), Përkrenarja e Skënderbeut
etj. Shumica e këtyre dorëshkrimeve ruhen në
Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Puna e Gjeçovit është në vazhdën
e veprimtarëve të Rilindjes për të mbledhur
e për të dëshmuar traditat kombëtare dhe
lashtësinë historike të shqiptarëve, kulturën
e tyre materiale dhe shpirtërore, për të lëvruar
fjalën shqipe dhe për të forcuar vetëdijen
kombëtare të popullit të vet.
Vitet e fundit të Rilindjes u aktivizua edhe një
brez poetësh të tjerë. Filip Shiroka (1859-1935),
që pati botuar një vjershë luftarake me titull
Në armë Shqipëri në vitet
e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 1933 nxori
vëllimin Zani i zemrës, ku përmblodhi
vjersha atdhetare të shkruara në kohë të
ndryshme, midis tyre poezinë e njohur Shko dallëndyshe,
e cila është e mbushur me mall për vendlindjen.
Ai mbeti në kujtesën e lexuesve si poet i mallit
për atdhe.
Në fillim të shek. XX në faqet e shtypit botuan
vjersha edhe Luigj Gurakuqi (1879-1925), Hilë Mosi (1885-1933),
Risto Siliqi (1882-1936), Mihal Grameno (1872-1931) e të
tjerë. Luigj Gurakuqi, përveç poezisë
së tij atdhetare, shquhet edhe në fushë të
mendimit estetik e kritik. Ai mori pjesë gjithashtu në
Kongresin e Manastirit. Në vitet e Revolucionit të
qershorit ai u bë një nga figurat qendrore të
kohës, përkrah Fan Nolit. Risto Siliqi, veç
të tjerave, u bë kronikan i kryengritjeve të
malësisë për liri me veprën Pasqyra
e ditëve të përgjakshme (1912).
Në këtë periudhë hynë në lëvizjen
kombëtare e letrare edhe Gjergj Fishta (1871-1940) e
Faik Konica (1876-1942), të cilët do ta zhvillonin
veprimtarinë e tyre krijuese kryesisht në vitet
e Pavarësisë, duke u bërë dy nga figurat
qendrore të kulturës shqiptare të kohës.
Folklori dhe folkloristika
Epoka e Rilindjes shënoi një pasurim të mëtejshëm
të folklorit, një rritje cilësore si në
përmbajtje, ashtu edhe në konceptimin e dukurive
shoqërore-politike, në raport me folklorin e periudhave
të mëparshme historike.
Ndonëse fillimet e folkloristikës shqiptare shënohen
me botimin e një numri fjalësh të urta nga
Frang Bardhi më 1635, është kryesisht gjysma
e dytë e shek. XIX periudha, gjatë së cilës
u bë i mundur publikimi i shumë përmbledhjeve
me krijime folklorike, të mbledhësve të ndryshëm
shqiptarë e të huaj.
Shqiptarët që u morën me mbledhjen dhe me botimin
e folklorit u nisën për vepra të tilla të
nxitur kryesisht nga motive atdhetare. Thimi Mitkoja në
parathënien e botuar te përmbledhja e tij folklorike
Bëleta shqiptare shpreh qartë qëllimin
e ndërmarrjes së tij: shpëtimi dhe dhënia
brezave që vinë, i fjalëvet dhe i tekstevet
shqipe, të cilat, para disa vjetësh i mblodha me
shumë mundim e shpenzime, dhe besoj se do të kenë
një vleftë, sepse në këto duket origjina,
karakteri, zakonet e racës shqiptare....
Spiro Dineja, duke shkruar për vlerat e krijimtarisë
folklorike në përgjithësi dhe të këngëve
në veçanti, në parathënien e përmbledhjes
Valët e detit (1908) pohon se këto
janë shumë të nevojshme e të vjëjtura
për kombin tonë, se ndër këto shikonjëm
të ngjarat e çdo kohe, që kanë shkuar
si valët e detit dhe prej këtyreve munt të
dalë një istori e plotë.
Në parathënien e përmbledhjes së Vinçenc
Prenushit Kangë popullore gegënishte
(1911) thuhet se qëllimi i botimit asht përparimi
dhe qytetërimi i kombit... Kanga popullore asht e madhnueshme
për kah tbenët e vet tpërmrenshëm,
asht e hijshme edhe kah trajta e vet... ajo do ruajtë
si një visar i çmueshëm, si një flakë,
prej tcillës do tmarrë dritë e
ner komi.
Rilindësit që u morën me folklorin përgjithësisht
e çmonin atë si pjesë të rëndësishme
të trashëgimisë e të vazhdimësisë
kulturore të kombit shqiptar, një nga dëshmitë
e vetëqenies kombëtare, tregues të aftësive
e të mundësive që kishte pasur dhe vijonte
të kishte populli ynë për krijimin e vlerave
artistike shpirtërore.
Ndonjë prej këtyre atdhetarëve të përkushtuar,
siç ishte Thimi Mitkoja, e shihte folklorin edhe si
një potencial me vlera të spikatura dhe me funksione
të qarta për krijimin e një hapësire të
njësuar shqiptare, duke iu kundërvënë
përpjekjeve asimiluese, por edhe proceseve vetëmënjanuese
kombëtare, kudo që jetonin shqiptarët. Sipas
tyre, edhe folklori jepte ndihmesën e vet për të
ruajtur të gjallë dhe për të përforcuar
ndërgjegjen kombëtare, si dhe për të dëshmuar
identitetin kombëtar shqiptar. Shqiptari, duke
dashur pa fund atdheun e tij, do dhe bashkatdhetarin e tij,
edhe kur ay është në tjetër fe, sepse
fenë e ka në vend të dytë, kur puna është
për atdheun e përgjithshëm. Në këngët
heroike të popullit gjenden shumë shembëlla
të tilla, që se kanë shoqen, patriotizmi
dhe lirije të fesë.
Këto mendime të shprehura nga Thimi Mitkoja hasen
edhe te rilindës të tjerë që u morën
me folklorin. Këta e shihnin folklorin si përcjellës
të vlerave shpirtërore, të tipareve e të
virtyteve më të qenësishme të shqiptarëve,
të ndjenjave e të shijeve të tyre.
Gjatë periudhës së Rilindjes u shtrua edhe
nevoja e njohjes dhe e botimit të kulturës popullore
në përgjithësi e të folklorit në
veçanti, si lëndë e parë për ndriçimin
e shumë problemeve nga e shkuara dhe nga bashkëkohësia,
por edhe si nxitje për të ardhmen. Mbledhja e botimi
i folklorit, sipas tyre, do ti shërbente për
të pohuar gjenezën e lashtë e të përbashkët
të shqiptarëve (krijimtaria folklorike e kohës
në një masë të madhe ishte përcjellë
nga rrjedhat shekullore), si edhe për ruajtjen e vlerave
më të qenësishme brenda njësisë etnike.
Nga ana tjetër, sipas rilindësve, folklori ndihmonte
bashkimin kombëtar, zgjonte ndërgjegjen disi të
topitur, e hidhte popullin në veprime konkrete për
çlirim nga pushtuesit. Po kështu, folklori shërbente
edhe për krijimin e kulturës së re që
i duhej mëmëdheut si për të arritur çlirimin
kombëtar, ashtu edhe për të formuar një
shtet të pavarur.
Duke u nisur nga konceptime të tilla, një varg rilindësish
si De Rada, Zef Jubani, Spiro Dineja, Shtjefën Gjeçovi,
Vinçenc Prenushi etj. dhe mbi të gjithë Thimi
Mitkoja, jo vetëm që mblodhën nga mjedise të
ndryshme, por edhe botuan krijime e vëllime të veçanta
folklorike. Ndonjë prej tyre, si Elena Gjika, De Rada
etj., hartuan edhe trajtesa shkencore me nivel të lartë
për kohën. Për herë të parë
në historinë e folkloristikës shqiptare u bënë
botime të veçanta folklorike. Dolën përmbledhjet
e para të folklorit shqiptar, të cilat iluministët
e Rilindjes i çmonin jo vetëm për vlerat
artistike letrare, por edhe si mjete për mësimin
e lëvrimin e gjuhës amtare, për afirmimin e
kulturës kombëtare shqiptare dhe për ngritjen
e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Ngjarje e shënuar është veçanërisht
botimi më 1878 i vëllimit të Thimi Mitkos Bëleta
shqiptare (Egjipt), që përbën hapin më
të rëndësishëm në pasqyrimin ndërkrahinor
të krijimtarisë gojore, për gjerësinë
e llojeve e të zhanreve folklorike, për njohjen
e për respektimin e kritereve të regjistrimit e
të botimit folklorik. Me këtë përmbledhje
folklorike Thimi Mitkoja u bë i njohur si themelues i
folkloristikës shqiptare. Sikurse vë në dukje
në parathënie, qëllimi i tij ishte tu
jepte nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë që
të kulturoheshin dhe të studionin gjuhën amtare,
e cila është ushqimi i parë i përbashkët
që i jep gjallëri popullit.
Nëse atdhetarët rilindës u morën me folklorin
të nisur kryesisht nga shërbimi që i bënin
kombit të tyre, pati edhe një numër të
huajsh, që përgjithësisht për interesa
studimore të natyrës gjuhësore, regjistruan
e botuan edhe krijime të ndryshme folklorike. Midis tyre
radhiten G. Hahni, A. Dozoni, G. Majeri, H. Pederseni, N.
Jokli etj. Ndihmesa e tyre ishte shumë e çmuar,
pasi dokumentohej jeta e folklorit shqiptar, shprehej e pasqyrohej
shumëllojshmëria folklorike. Të huajt që
mblodhën folklor shqiptar, duke e përkthyer lëndën
e mbledhur në gjuhët e tyre për ta botuar,
mundësonin gjithashtu njohjen e vlerësimin e folklorit
shqiptar, por edhe të kombit shqiptar, nga opinioni shkencor
i huaj.
Krijimtaria folklorike gjatë Rilindjes qarkulloi dhe
u pasurua në lloje e në zhanre të ndryshme,
duke shprehur në mënyrat e veta specifike periudhën
kohore dhe problematikën që ajo ngërthente.
Por në mënyrë më të drejtpërdrejtë
dhe më të hapur periudhën historike të
Rilindjes Kombëtare e pasqyrojnë këngët
e epikës historike dhe të mërgimit, duke qenë,
së pari, krijimtari e komunikimit artistik, dhe, së
dyti, edhe plotësim i dëshmive historike.
Krijimet poetike në përbërje të këngëve
përkatëse, siç janë shprehur folkloristët
shqiptarë, gjatë Rilindjes marrin një
zhvillim të brendshëm më demokratik, më
masiv, veçori këto që harmonizohen me gjerësinë
dhe karakterin popullor të lëvizjeve. Duke
qenë bashkatdhetare e historisë, kënga historike
u bën jehonë artistikisht kundërshtive, qëndresave,
revoltave, kryengritjeve kundër pushtuesve që nga
ato të karakterit më të kufizuar lokal, krahinor,
deri në ato të një plani më gjithëpërfshirës
ndërkrahinor e kombëtar.
Kundërvënia vendas - të huaj, e kthyer në
shprehjen shqiptarë - osmanllinj, që shprehte dallimin
kombëtar, sipas këngëve historike shqiptare
të periudhave të mëparshme, gjatë Rilindjes
bëhet një dukuri mjaft e kristalizuar. Ideja e bashkimit
kombëtar, pa dallim feje e krahine, shihet në mjaft
tekste këngësh historike, si një kërkesë
e domosdoshme, si e vetmja rrugë për të arritur
lirinë e pavarësinë, qëndresën dhe
përballimin e qarqeve shoviniste fqinje e të Fuqive
të Mëdha që i përkrahnin. Vetëm te
botimi i përmendur i Thimi Mitkos ndër të tjera
gjejmë edhe vargje të tilla: Shqipëria
anë mbanë / U ngren e një fjalë
thanë: / - Mbretit si apëm nizamë!;
O shokë, ndë kini besë, / Kush ka lindur
do të vdesë. / Shqypëtarë ne na thonë,
/ Bëjmë si çkemi zakonë;
Ziafeti i osmanllisë / Eshtë helm i Shqipërisë;
Sulltan, mos dëgjo Frëngjinë, / Na slëshojmë
Shqipërinë; Frënk, e gjeç
nga Perëndia, / Së se humbi Shqipëria.
/ Na madhuat Malëzinë, / Sërbin edhe
Grekërinë, / Harruatë Shqipërinë,
/ Q i ka trimat si shahinë.
Një ndërgjegjësim i tillë popullor kalon
përmes momentesh të ndryshme kulmore, të përcjella
nga këngët popullore. Krijohen e qarkullojnë
cikle këngësh për ngjarje shumë të
rëndësishme, për situata nxitëse, shpresëdhënëse
e tronditëse dhe këngë të veçanta
për ngjarje më të kufizuara. Në tërësinë
e tyre këto këngë janë me interes edhe
për të pasqyruar dhe për të pasuruar kronikën
historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Nuk ka ngjarje të rëndësishme të lëvizjes
kombëtare të kësaj epoke që të mos
ketë lënë gjurmë të thella në
ndërgjegjen e popullit, i cili i ka përjetësuar
ato në këngët e tij historike.
Epika historike shqiptare, e krijuar gjatë Rilindjes
Kombëtare, në rend kronologjik grupohet në
tri etapa: a) Këngët e viteve 1831-1847; b) ato
të gjysmës së dytë të shek. XIX,
me pikë kulmore ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit; c) këngët për ngjarjet që vijojnë
deri në shpalljen e Pavarësisë.
Grupi i parë zë fill me pasqyrimin e njërës
prej kryengritjeve të fshatarësisë të
trevave të Jugut më 1831 (Leskovik, Kolonjë,
Përmet, Tepelenë), vijon me veprimet sulmuese kundër
administratës së pushtuesit më 1833-1834 (Delvinë,
Tepelenë e Berat), me kryengritjen e armatosur të
Kosovës (1833), me luftimet për të mos lejuar
zbatimin e ligjeve centralizuese më 1844-1845 (Shkodër,
Dibër, Çermenikë, Malësi e Gjakovës,
Prishtinë etj.), deri te momenti i rëndësishëm
i vitit 1847, kur në jug të vendit pati kryengritje
popullore të përgjithshme me shumë jehonë
kundër administratës osmane.
Nëpërmjet këngëve popullore përcillen
skena të tëra, ku pasqyrohet tabloja e gjendjes
politike e shoqërore e kohës. Shohim në to
kushtrimet popullore, dhënien e besës, ngritjen
e gatishmërinë e shtresave të gjera popullore
për tu hedhur në sulme dhe për të
sakrifikuar në luftë kundër pushtuesit: Melesini
maja-maja, / E rreh topi e kumbaraja... / Kjo kisha me një
kamare, / Nizamët i shojti fare; Shkodra
të vetën e bani, / I erdh hakut Osmanllisë;
Kurvelesh, krie të ngrini, / Gra e burra armë
vini, / Anën e detit të zini, / Se na pllakosi qafiri;
Kur të çahen kullat tona, / Plot me gjak
dirgjet Valbona; Shqipëria anembanë
/ U ngren e një fjalë thanë: / - Mbretit
si apëm nizamë.
Në këto këngë, krahas figurave shumë
të njohura, si Zylyftar Poda, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi,
Çelo Picari etj., dalin edhe një varg personazhesh
të tjera, të spikatura në luftime të ndryshme,
si Zenel Xhafoja, Balili i Xhixhisë, Sinan Maloja, Labë
Duka etj.
Këngët e etapës së dytë gjatë
Rilindjes Kombëtare pasqyrojnë jehonën e lëvizjeve
të mëtejshme kundër pushtuesve osmanë,
por edhe një temë të re, siç ishte ajo
e mbrojtjes së tërësisë tokësore
të atdheut nga synimet dhe përpjekjet e qarqeve
shoviniste fqinje, me nxitjen e Fuqive të Mëdha
të kohës. Kalojnë nëpërmjet këngëve
historike pamje tragjike, si shpërnguljet e shqiptarëve
nga Leskovci, Prekupla, Vranja (1877-1878) etj.: Oh,
muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e, / Dru e gur, bre, çpo
vajtojn-e.
Gjendja e vështirë për popullin tonë gjatë
viteve 1875-1878, e krijuar nga Kriza Lindore, me pikë
kulmore Kongresin e Berlinit, përshkallëzoi qëndresën
dhe i nxiti shqiptarët të organizojnë luftën
për mbrojtjen e tërësisë tokësore
të vendit. Idetë e mëdha të Rilindjes
tingëlluan me forcë të veçantë
në këngët epike kushtuar Lidhjes së Prizrenit
(1878-1881), në të cilat përjetësohet
njëkohësisht qëndresa e pashembullt e popullit
shqiptar kundër shteteve shoviniste fqinje për mbrojtjen
e tërësisë së tokave shqiptare, si edhe
lufta e tij për autonominë e vendit kundër
ushtrisë osmane të Dervish Pashës.
Këngët për Lidhjen Shqiptare shprehin veçoritë
dhe idetë e reja të kësaj epoke: formimin e
ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar,
karakterin e përgjithshëm mbarëshqiptar të
luftës së Lidhjes, idenë e saj të madhe
të bashkimit kombëtar të të gjithë
shqiptarëve pa dallim feje e krahine. U krijuan atëherë
shumë këngë për ngjarjet dhe për
personazhet aktive të tyre, të pasuruara me një
numër risish ideo-estetike. Mund të përmendet,
ndër të tjera, përfshirja në kryengritje
e pothuajse të gjitha mjediseve shqiptare, me vetëdijen
e plotë se luftohej për të mbrojtur interesat
e lartë të popullit e të atdheut. Në këngët
popullore theksohet se në këtë luftë ngrihet
në këmbë e tanë shqiptaria, se
jena nis mu ba milet (komb) etj. Gjerësinë
e luftës së Lidhjes dhe veçanërisht
pjesëmarrjen në Kuvendin e Gjirokastrës (1880)
të përfaqësuesve të të gjitha viseve
shqiptare të Veriut e të Jugut, poeti popullor e
jep në këto vargje: Kurvelesh e Gegëri,
/ çu mblodhën në Egjëri.
U krijuan cikle këngësh për ngjarjet sa historike,
aq edhe dramatike, që ndodhën në vitet 1878
deri më 1881. Të tilla ishin, midis të tjerash,
këngët për mbrojtjen e Plavës e të
Gucisë, të Hotit, të Grudës e të
Ulqinit. Në të gjitha këto beteja shpërtheu
bindshëm forca e qëndresës së vendosur
shqiptare, një solidaritet i paparë, që shprehte
unitetin kombëtar. Kudo shfaqet heroizmi masiv, por veçohen
nga këngët edhe trimat e paepur, si Zhuj Selmani
e Jakup Feri, Sadik Hamza e Çel Shabani etj.: Te
bjen dielli e praron hana, / Zhuj Selman nuk ban ma nana;
Jakup Feri, zok sokolit, / Met shehit në ball
tllogorit.
Në të njëjtën kohë, edhe ndaj pushtuesve
osmanë u mbajt i njëjti qëndrim sfidues me
armë në dorë. Nën udhëheqjen e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit shpërthyen kudo kryengritje
të armatosura, qëndresa u bë masive. Vrasja
e mareshalit turk, Mehmet Ali pashë Maxharit në
Gjakovë në shtator të vitit 1878, paralajmëroi
që populli shqiptar ishte i vendosur për të
ecur në rrugën drejt lirisë.
Në këngët kushtuar betejave historike të
shqiptarëve në Kosovë kundër ushtrive
të Dervish Pashës, pasqyrohet heroizmi dhe guximi
i luftëtarëve popullorë kosovarë që
u mbërthyen fyt më fyt me armikun, që
nuk u prapsën para ushtrive osmane edhe pse merrnin nga
shtatë plumba për shtat, që qëndronin
krenarë edhe kur e kishin litarin në grykë
si Sef Kosharja: Sef Kosharja, trim i fisit, / Hije
tpaska maja e lisit. / Hije mka, o djemt e mi,
/ Kam dhanë jetën për Shqipni.
Spikasin në këngët historike për këtë
periudhë personazhe me karakteristika vetjake, por me
rrezatim të gjerë kombëtar, si Abdyl Frashëri,
Ymer Prizreni, Mic Sokoli, Sef Kosharja, Ali Ibra, Çun
Delia etj.: Mic Sokoli ban me dorë: / -Besa, shok,
nuk muj me folë, / Se mka ra do gjak në gojë,
/ Se mka ra do gjak në bark, / Shtat martina
i kam në shtat.
Ndonëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit u thye ushtarakisht,
veprimtaritë dhe idetë e saj ngjallën e ruajtën
dëshirën dhe shpresën e popullit shqiptar për
autonomi e për pavarësi. Ato u bënë shtysë
e fuqishme për vazhdimësinë e përpjekjeve
të pareshtura, deri në arritjen e shpalljes së
Pavarësisë.
Në këngë të ndryshme pasqyrohen njëra
pas tjetrës ngjarjet e zhvilluara në Dibër
(1881) kundër qeveritarëve turq, kryengritja e malësorëve
të Shkodrës (1883), ajo e Kosovës me Sulejman
Vokshin e Ali Ibrën në krye kundër Vesel Pashës
(1885), luftimet e Dibrës kundër Menduh Pashës
(1884), Lidhja e Pejës, luftimet e kosovarëve kundër
Çekrez Pashës, përleshjet e shpatarakëve
me forcat turke, luftimet e zhvilluara kundër trupave
të Shemsi Pashës në Kosovë (1903-1904),
kryengritja e Kurbinit dhe e Krujës (1906-1907) etj.
Këngët historike pas Lidhjes së Prizrenit deri
në shpalljen e Pavarësisë përcjellin frymën
liridashëse të popullit shqiptar, që gjithmonë
u gjend në luftëra me karakter mbrojtës e çlirimtar.
Një gjë e tillë shihet në rend kronologjik
te këngët që pasqyrojnë ngritjen e çetave
të para kombëtare dhe veprimet e tyre të armatosura
(1906-1908). Aksionet e tyre konceptohen nga këngëtarë
popullorë si pjesë e luftës së përgjithshme
për çlirim kombëtar: Lule Çerçiz
Topulli, / Vulose për Shqipëri.
Kënga historike pasqyron gjithashtu artistikisht kryengritjet
e gjera kundërosmane në vitet 1910-1912. Janë
kënduar kryengritjet dhe luftërat e popullit shqiptar
kundër ekspeditave famëkeqe turke të kryesuara
nga Shemsi Pasha e veçanërisht nga Shefqet Turgut
pasha. Krahas mizorisë së pushtuesit, në këngët
e ndryshme spikat heroizmi i luftëtarëve në
Kaçanik, Carralevë, Boletin, ngado në Kosovë,
në Malësi të Madhe, në Zadrimë, në
Mirditë, në Himarë etj. Dalin me madhështinë
e tyre figurat e udhëheqësve popullorë, si
Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Isa Boletini,
Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., por edhe dhjetëra
e qindra luftëtarë të tjerë në shërbim
të lirisë.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
më 28 Nëntor të vitit 1912, si një kurorëzim
i gjithë epokës së Rilindjes, gjeti gjithashtu
pasqyrim në këngët popullore. Cikli i këngëve
për Shpalljen e Pavarësisë shpreh fuqishëm
vendosmërinë e përfaqësuesve të popullit
shqiptar të mbledhur në Kuvendin e Vlorës për
të hedhur poshtë zgjedhën osmane, për
të përmbushur aspiratën shekullore të
popullit, për ta bërë Shqipërinë
të lirë e të pavarur. Përfaqësuesit
e të gjitha krahinave shqiptare, me Ismail Qemalin në
krye, shpallin hapur dëshirën dhe vullnetin e kombit
shqiptar për të qenë i pavarur: Nuk ka
vent këtu Turqia, / Ja të vdesim, ja të rrojmë,
/ Ësht e jona Shqipëria!
Krahas këngëve të epikës historike, periudhën
e Rilindjes sonë Kombëtare e pasqyrojnë edhe
këngët e quajtura të nizamit. Këto këngë
përbëjnë një lloj të veçantë
folklorik, të krijuar pikërisht gjatë periudhës
së Rilindjes Kombëtare. Ato janë shprehje e
përjetimit, e qëndresës dhe e reagimit popullor
ndaj zbatimit të njërit prej ligjeve të Tanzimatit,
siç ishte organizimi i ushtrisë osmane nëpërmjet
rekrutimit të detyrueshëm e të përgjithshëm.
Me zbatimin e dhunshëm të këtij ligji nga viset
shqiptare largohej ajka e popullsisë, brezi i ri. Një
gjë e tillë krijonte shqetësime, vuajtje në
planin individual e familjar, por njëkohësisht kjo
përbënte dhe një plagë kombëtare.
Këngët e nizamëve, me vlera të spikatura
artistike, shprehin me nota elegjiake vuajtjet e rekrutëve,
mallin e tyre për të afërmit dhe për atdheun.
Në mënyrë të veçantë këto
këngë shprehin edhe qëndresën popullore
kundër Turqisë në rrafsh kombëtar. Duke
iu kundërvënë nizamisë, duke mos e pranuar
dhe duke e kundërshtuar atë, populli në krijimet
e veta shprehte besimin se do të shmangej largimi nga
vendi i forcave të vërteta që mund të
sillnin çlirimin e Shqipërisë. Prandaj, nuk
është e rastit që në shumicën e këtyre
këngëve kemi fillesën me vargje të tilla:
Ju nizamt e shqiptarisë.
Ajo pjesë e folklorit shqiptar, e cila më drejtpërdrejt
shpreh e pasqyron periudhën e Rilindjes Kombëtare
Shqiptare, jo vetëm përbën një thesar
të vërtetë të trashëgimisë kulturore
të kombit shqiptar, por sjell edhe ndihmesën e vet
në ndriçimin e historisë shqiptare të
asaj periudhe.
Artet figurative
Në gjysmën e dytë të shek. XIX doli një
plejadë e tërë piktorësh, shumica e të
cilëve, të përfshirë në lëvizjen
për çlirimin kombëtar, filloi të trajtonte
temat e reja që i diktonte koha. Edhe kur u rikthyen
ndonjëherë, për arsye ekonomike, në tematikën
kishtare, krijimet e tyre ishin larg misticizmit kristian
tashmë të kapërcyer. Zhvillimi më i plotë
i parimit të realizmit përbrenda pikturës kishtare
haset në krijimtarinë e Kolë Idromenos (1860-1939),
njërit prej themeluesve kryesorë të shkollës
realiste të arteve figurative shqiptare. Piktorin nuk
e tërhiqte aq shumë trajtimi tradicional i shenjtorëve,
por jeta e gjallë, figurat e bashkëkohësve
të tij, të fshatarëve e të zejtarëve.
Midis këtyre njerëzve realë, me tipat e kostumet
shqiptare të kohës dhe në peisazhet konkrete
të vendit, ndodhet edhe figura e Krishtit dhe ajo e Shën
Mërisë. Në trajtimin e figurave të fundit
ndihet ndikimi i fuqishëm i artit të Rilindjes Italiane,
ndikim që u shtri edhe në mënyrën e të
kompozuarit të disa skenave.
Piktura laike e mirëfilltë e Rilindjes nisi atëherë
kur artistët rrokën temat e reja që u jepte
realiteti e Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe u mënjanua
kufizimi mesjetar. Veçanti e pikturës rilindëse
është zhvillimi pothuajse paralel i dy linjave:
i linjës atdhetare-historike dhe i asaj me temë
nga aktualiteti. Për të parën, që karakterizohej
nga nota të theksuara romantike, burim frymëzimi
u bë figura e Skënderbeut, figurë që evokohej
si kushtrim i luftës për liri e pavarësi. E
dyta e ktheu vëmendjen ndaj njeriut të thjeshtë,
ndaj hidhërimeve të shumta e gëzimeve të
rralla të tij përmes skenave etnografike-folkloristike
dhe trajtimit individual psikologjik e shoqëror të
portreteve. Objekt i pasqyrimit u bënë fshatarët,
zanatçinjtë e në disa raste figura e gruas
dhe e intelektualit.
Piktorët e parë të Rilindjes që trajtuan
temën historike, thuajse të gjithë kanë
qenë autodidaktë e ikonografë. Duke qenë
përballë një subjekti e figure reale, siç
ishte ajo e heroit kombëtar, Skënderbeut, ata u
larguan gjithnjë e më shumë nga ngurtësia
e ftohtësia ikonografike. Por të mësuar që
më parë të punonin sipas modelesh, ata nuk
arritën të krijonin vepra tërësisht të
pavarura dhe u drejtuan te veprat me të njëjtën
temë të artit evropian, sidomos te gravurat. Ky
ndikim vërehet si në portretin më të hershëm
që njihet për Skënderbeun, të Gjergj Panaritit
(1883), ashtu edhe në punimet e bashkëkohësve
të tij, Anastas Nikollë Ballamaçi dhe Theohar
Gjini. Anastas Ballamaçi e ka paraqitur heroin në
figurë të plotë mbi kalë, në sfond
beteje, edhe sepse i tillë ruhej ai në imagjinatën
e popullit, duke u përpjekur të rikrijojë përmes
koloritit vetjak e frymës epike një atmosferë
plot patos romantik.
Nga plejada e piktorëve që punuan sipas modelesh,
më tej shkoi Spiro Xega (1863-1953), autori i një
cikli romantik heroik prej më se tetë veprash mbi
heroin. Duke filluar me tablonë Skënderbeu,
pikturuar më 1913 (punimet e mëparshme për
Skënderbeun nuk janë ruajtur), vihet re këmbëngulja
e artistit për tu lidhur më mirë me objektin,
për të qenë më i lirë dhe më
i qartë. Skënderbeu jepet jo vetëm me tiparet
e luftëtarit, por edhe të një udhëheqësi
ushtarak të shquar, pa arritur të shkëputet
plotësisht nga trajtimi pompoz, me karakter parade e
nga ajo frymë e theksuar kalorsiake që vihej re
edhe në veprat e mëparshme me këtë temë.
Interesi për jetën e përditshme të njeriut,
për botën e brendshme dhe tiparet shoqërore
të tij, janë prirjet gjithnjë në rritje
që karakterizojnë linjën tjetër të
arteve figurative, që u zhvillua përkrah temës
historiko-atdhetare. Në fillim u tregua një interes
i veçantë për krijimtarinë e pasur dhe
origjinale të popullit shqiptar përmes trajtimit
të temave etnografiko-folkloristike. Ky ishte interesi
i natyrshëm i një arti, të cilit ndër
shekuj i ishte mohuar e drejta e pasqyrimit të lirë
e të drejtpërdrejtë të bukurive dhe të
zakoneve origjinale të popullit të tij. Një
nga veprat më të hershme të këtij lloji
është Dasma shkodrane e Kolë Idromenos.
Ajo është trajtuar si një skenë e gëzuar
e përcjelljes së nuses nga shtëpia atërore.
Vepra ka vlera etnografiko-folklorike, sepse na jep larminë
dhe bukurinë e kostumeve popullore, nëpërmjet
trajtimit të hollësishëm të detajeve dhe
të veçorive të veshjes. Por ajo ka edhe vlera
të theksuara piktoreske me gamën e buzëqeshur
të ngjyrave, që krijon atmosferën e ngrohtë
gazmore.
Lidhja e ngushtë me krijimtarinë popullore i ndihmuan
piktorët e Rilindjes të kuptonin më thellë
tipin dhe njeriun shqiptar. Nga paraqitja e jashtme e tipareve
konkrete kalohet shpejt në zbërthimin psikologjik
e shoqëror të portretit. Ky kapërcim u ndje
te Motra Tone (1883) e Kolë Idromenos, një
nga pikturat më të bukura për vizatimin dhe
për koloritin e begatë, të cilët piktori
i ka përçuar me kujdesin e një artizani mesjetar,
pa mbuluar pas detajeve natyrën e ndrojtur të vajzës
së re shkodrane.
Herët u shfaq edhe te Spiro Xega interesi për të
fiksuar bashkëkohësit e tij, duke u përpjekur
jo vetëm të hyjë në botën psikologjike,
por ti karakterizojë portretuarët e tij edhe
nga ana shoqërore. Teto Qyrana dhe portreti
i Parashqevisë, të punuara në vitin 1901, janë
nga punimet e tij më të mira të kësaj
periudhe. Teto Qyrana është një
grua tipike korçare. Nga shprehja e fytyrës dhe
nga veshja e thjeshtë duket se ajo e kalon pjesën
më të madhe të kohës në punën
e lodhshme pranë tezgjahut si endëse qilimash. Një
pamje dhe një botë tjetër na hap Parashqevia.
Portreti zbërthen botën e brendshme të saj,
ndjenjën e epërsisë që ka si grua e re
e bukur dhe si përfaqësuese e një shtrese të
kamur.
Por modelin e atij realizimi, që më vonë përcaktoi
stilin e tërë pikturës sonë, e gjejmë
te Portreti i fshatarit nga Zadrima të Kolë
Idromenos dhe te Dr. Prel, vepër e Ndoc Martinit
(1880-1917). Fshatari është njeri i punës,
i munduar, që vështron përpara disi i lodhur
e i mallëngjyer, pa i munguar edhe shprehja prej guximtari,
ndërsa te Dr. Prel ndihet qartë pakënaqësia
e intelektualit ndaj asaj shoqërie që ndrydh energjitë
e talentin.
Në portret, si gjini e rëndësishme që
drejton vëmendjen ndaj njeriut të gjallë, mbizotëron
koloriti i ngrysur në kontrast me ngjyrat e ndezura e
të gëzuara të qëndisjeve, të qilimave
e të veshjeve ku populli derdhte tërë talentin
dhe ëndrrat e tij të bukura. Qëndrimi kritik
ndaj realitetit ishte shprehje e njohjes dhe e pasqyrimit
më të thelluar të jetës, shenjë e
rritjes së nivelit artistik dhe e frymës realiste
në pikturë.
Pavarësisht nga kushtet e rrethanat e vështira që
i frenonin, piktorët e periudhës së Rilindjes
janë ballafaquar me guxim me realitetin, me jetën,
duke nxjerrë së andejmi temat e subjektet e tyre.
Sado të ndryshëm të jenë si individualitete
krijuese, tek ata gjendet kurdoherë diçka e përbashkët
në plan të interesave tematike, pasi i njëjtë
ka qenë edhe ideali që i frymëzonte, dashuria
për atdheun, për popullin, për historinë
dhe për jetën e tij. Që këtej rrjedh edhe
karakteristika e përgjithshme e piktorëve të
asaj kohe, gërshetimi tematik i aktuales me historiken.
Pjesa më e madhe e piktorëve të Rilindjes e
vazhdoi veprimtarinë krijuese edhe në periudhat
e mëvonshme. Krijimtaria e tyre la gjurmë në
historinë e kulturës sonë dhe ndikoi në
zhvillimin e arteve figurative në periudhat pasuese.
Teatri dhe muzika
Ndonëse shfaqjet dhe grupet e para teatrore duken pikërisht
në fundin e shek. XIX, që i takon periudhës
së Rilindjes Kombëtare, gjithsesi është
trashëguar një pasuri e vyer më e hershme e
kulturës popullore që i përgjigjet korpusit
të njohur me emrin Teatri folklorik, ku përfshihen
shumë lodra, ceremoniale, rituale dasme, morti e mikpritjeje,
veprime mimike dhe pantomima gazmore, karnavalet, teatri i
hijeve, ai i kukullave, veprimet dhe maskat etj.
Rilindja Kombëtare Shqiptare është periudha
kur teatri shfaqet tashmë si një dukuri e mirënjohur,
e dokumentuar dhe e shtrirë në gjithë trojet
shqiptare. Është koha kur dramaturgjia, si ushqimi
kryesor i teatrit, nis të shënojë, tok me gjedhet
letrare, titujt e emrat e parë të veprave dhe të
autorëve të tyre. E para shfaqje teatrore e dokumentuar
nga burimet arkivore është Dasma e Lunxhërisë
e vitit 1874 e Koto Hoxhit, me nxënësit e shkollës
normale Ta zografia të Qestoratit Gjirokastër.
Ajo u prit me entuziazëm nga fshatarët e Qestoratit
e fshatrat përreth dhe u çmua si një përpjekje
për të ruajtur gjuhën e zakonet shqiptare.
Më 1875 Sami Frashëri (1850-1904) botoi në
gjuhën turke dramën Besa, lënda
e së cilës ishte marrë nga jeta, nga morali
dhe nga zakonet shqiptare. Ajo u shfaq po atë vit në
Stamboll dhe më 1901 e më pas, tashmë e përkthyer
në shqip, u vu në skenë në disa qytete
të Shqipërisë. Më 1879 në Shkodër
u shfaq farsa Makko e përkthyer nga italishtja,
e luajtur nga nxënësit e Kolegjës Saveriane.
Në vitin 1880 arbëreshi Leonardo de Martino (1830-1923)
shkroi shqip dramën me karakter liturgjik Nata
e këshndellave, e cila u shfaq po atë vit
në Shkodër nga nxënësit e po këtij
kolegji, kurse në vitin 1882 u dha komedia I biri
i çifutit, e përshtatur në shqip nga
Pashk Babi. E para dramë me strukturë të mirëfilltë
është Emira e arbëreshit Françesk
Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885 dhe e botuar
nga De Rada në gazetën Fjamuri i Arbrit
në vitet 1886-1887; më pas vjen drama Alles
Dukagjini.
Autorët që e ngrenë dramaturgjinë e kësaj
periudhe në shkallën e saj më të lartë
janë Andon Z. Çajupi (1866-1930) me komeditë
Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr
(1902) dhe Pas vdekjes (1910), si edhe me tragjedinë
në vargje Burri i dheut; Gjergj Fishta (1871-1940)
me melodramën Shën Françesku i Asizit
(1909); Fan S. Noli (1882-1965) me dramën Israelitë
e Filistinë (1902); Mihal Gramenoja (1872-1931)
me komedinë në tri akte Mallkimi i gjuhës
shqipe (1905) dhe tragjedinë në vargje Vdekja
e Pirros (1905); Kristo Floqi me dramën Fe
e kombësi (1912) dhe më tej Tito Toska, Shtjefën
Gjeçovi (1873-1929), Namik S. Delvina etj.
Lënda letrare e shkruar për shfaqjet teatrore të
kësaj kohe ka qenë e natyrave të ndryshme,
qoftë kjo e organizuar në format e mirëfillta
dramatike, qoftë në trajtën e skenarëve
a të libreteve ku thureshin e tuboheshin brenda një
teme shumë elemente teatrore që shërbenin për
ndërtimin e shfaqjes, qoftë edhe në trajta
të përshtatshme për skenë. Pjesët
teatrore në formë fjalëkëmbimesh të
lëvruara nga Gjerasim Qiriazi (1861-1894) dhe Petro Nini
Luarasi (1865-1911), të cilat janë dhënë
në një varg shkollash në Shqipërinë
e Jugut, kishin karakter didaktik (për mësimdhënien);
ato synonin nxënien e diturive, mësimin e edukimin
me norma të shëndosha morale dhe përcillnin
gjithashtu subjekte, ngjarje e figura nga historia e popullit
shqiptar.
Në vitin 1890 Urdhri i Jezuitëve i kishës katolike
të Shkodrës mundi të ndërtojë në
Shkodër një sallë për të organizuar
shfaqje teatri. Ky është institucioni i parë
teatror i ngritur me ndihmën e kishës, ndonëse
u sollën mjaft pengesa nga ana e autoriteteve turke.
Në këtë sallë janë dhënë
shumë shfaqje me karakter fetar, kryesisht në gjuhën
italiane, por edhe në gjuhën shqipe. Vlen të
theksohet se Urdhri i Jezuitëve bënte shpenzime
të mëdha për përgatitjen dhe për
mbarëvajtjen e shfaqjeve, për veshjet e shtrenjta
e luksoze të aktorëve, për dekorimet e skenës,
për krijimin e mjediseve skenografike historike a alegorike,
deri edhe për përdorimin e pajisjeve teknike të
kohës, për efektet e ndriçimit etj.
Në vitin 1899 në Korçë u dha nga një
grup shkollor shfaqja e tragjedisë Otello
e Shekspirit, gjë që flet për dashurinë
dhe për njohjen e vlerave të larta të dramaturgjisë
botërore.
Ndonëse zhvillimi i teatrit në periudhën e
Rilindjes është i vijueshëm dhe përfaqëson
në vetvete një dukuri pak a shumë të njësuar,
për nga ritmet e shtrirja ai mund të ndahet në
dy etapa: para dhe pas vitit 1908, Revolucionit të turqve
të rinj dhe shpalljes së kushtetutës së
shtetit turk. Duke shfrytëzuar disa të drejta që
iu njohën, shqiptarët organizuan me shpejtësi
klube kulturore artistike. Një vend të veçantë
zinin grupet teatrore. Brenda një kohe të shkurtër
në qytetet kryesore të Shqipërisë vepronin
shumë shoqëri e grupe dramatike teatrore. Janë
të shumta shfaqjet teatrore që u dhanë në
vitet 1908-1912. Kështu, klubi Labëria
i Vlorës spikati me shfaqjen e tragjedisë së
Mihal Gramenos Vdekja e Pirros (1908) dhe të
dramës së Sami Frashërit Besa (1909);
klubi Drita i Gjirokastrës dha shfaqjet Besa,
Agimi etj.; klubi Bashkimi i Delvinës
shfaqi dramën Dashuria e mëmëdheut
të Namik Delvinës; shoqëria e grave Ylli
i mëngjesit shfaqi dramën e Shilerit Vilhelm
Teli. Po kështu dhanë shfaqje klubi Dituria
i Korçës, klubi Afërdita i Elbasanit,
shoqëria Vllaznia e Durrësit. Në
Shkodër jepeshin rregullisht nga kleri jezuit, nga shkolla
françeskane, si dhe nga Motrat stigmatike,
shfaqje pjesësh dramatike të njohura në gjuhën
italiane, por edhe në gjuhën shqipe, edhe pse si
subjekte të tyre parapëlqeheshin ato me motive fetare
e biblike. Në Janinë më 1909, në kafe
Iskania u luajt drama Besa, e cila
ngjalli entuziazëm te shqiptarët. Shfaqje teatrore
u luajtën nga klube atdhetare kulturore edhe në
Stamboll, Bukuresht, Kostancë, Shkup, Uorçester
(ShBA) etj.
Edhe muzika shqiptare e periudhës së Rilindjes është
pjesë e zhvillimit të përgjithshëm kulturor
e artistik që u vu re në Shqipëri gjatë
kësaj kohe. Muzika e kultivuar e ka zanafillën në
lëvizjen kulturore që shpërtheu fill pas krijimit
të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878.
Në këtë vit në Shkodër u krijua banda
e parë muzikore shqiptare, e cila hodhi themelet për
zhvillimin e një muzike të re në Shqipëri.
Formimi i orkestrave frymore më parë në Shkodër,
pastaj në Korçë, në Elbasan dhe në
qytete të tjera, bëri të mundur që të
njihen e të përhapen gjinitë e kultivuara në
artin muzikor, ato të formacioneve orkestrale. Ky repertor
i ri do të shërbente si përvojë e drejtpërdrejtë
për krijimin e veprave muzikore të para shqiptare,
si marshi Bashkimi i Shqipërisë, i kompozuar
nga Palokë Kurti më 1881.
Qytetet e Shkodrës e të Korçës ishin
dy qendrat kryesore të zhvillimit të muzikës
shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në
vitin 1909 në Korçë u ngrit orkestra frymore
e quajtur Banda e Lirisë.
Tipar dallues i muzikës së Rilindjes Kombëtare
ishte karakteri atdhetar që shoqëroi periudhën
e Rilindjes dhe u thellua më tej me periudhën e
Pavarësisë.
|
 |  |