 |  |
K R E U VIII
RRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI
NË VITET 1901-1908
1. LËVIZJA KOMBËTARE DHE REFORMAT E FUQIVE TË
MËDHA
(1901-1904)
Depërtimi austriak dhe italian në fushën
ekonomike, kishtare dhe shkollore
Në vitet e para të shek. XX, krahas shteteve fqinje
ballkanike (Serbisë, Greqisë e Bullgarisë),
të cilat prej kohësh punonin për të vendosur
në provincat shqiptare ndikimin e tyre në fushën
politike e në atë shkollore-kishtare edhe Shtetet
e Mëdha, e veçanërisht Austro-Hungaria dhe
Italia, i shtuan përpjekjet për të zgjeruar
ndikimin e tyre në Shqipëri. Për shkak të
afërsisë gjeografike me Italinë dhe me Austro-Hungarinë
dhe të pozitës së rëndësishme në
Ballkan e në Adriatik, Shqipëria mori në këtë
periudhë një vlerë të veçantë
gjeostrategjike për këto dy fuqi dhe u bë një
nga objektet kryesore të rivalitetit të tyre.
Austro-Hungaria u aktivizua sidomos pas pushtimit të
Bosnjës dhe të Hercegovinës, kur vuri si qëllim
të shtrihej drejt territoreve të tjera ballkanike
të Perandorisë Osmane, të dilte në Selanik
(porti më i madh i detit Egje) dhe të ndërtonte
hekurudha drejt Egjeut e Adriatikut, të cilat do të
kalonin nëpërmjet territoreve shqiptare. Vjena synonte
gjithashtu të përdorte tokat dhe popullsinë
shqiptare si mburojë kundër shtrirjes së shteteve
sllave (Malit të Zi e Serbisë) në brigjet shqiptare
të Adriatikut dhe të pengonte njëkohësisht
vendosjen e Italisë në këtë zonë.
Italia, nga ana e saj, synonte të zgjerohej në të
dyja brigjet e Adriatikut, për të vendosur zotërimin
e plotë mbi të dhe për ta kthyer në një
det të brendshëm ose liqen italian.
E shqetësuar përballë rritjes së ndikimit
austriak në Shqipëri e në Ballkan, Roma, që
nga fundi i shek. XIX, filloi të zhvillonte një
veprimtari të gjerë për depërtimin ekonomik,
politik e ideologjik në vilajetet shqiptare.
Ndeshja e interesave ndërmjet tyre i detyroi këto
dy fuqi të merreshin vesh për politikën e mëtejshme
në Shqipëri. Marrëveshja u arrit pas shkëmbimit
të notave ndërmjet Romës e Vjenës, që
u bë nga dhjetori i vitit 1900 deri në shkurt 1901,
në të cilat u ripohua nevoja e ruajtjes së
status quo-së në Shqipëri dhe u theksua me
këtë rast se, në qoftë se ajo do të
prishej, atëherë do të formohej një Shqipëri
autonome.
Marrëveshja austro-italiane për Shqipërinë
dhe për brigjet lindore të Adriatikut, që u
arrit edhe nën ndikimin e Gjermanisë, u vu në
themel të Aleancës Tripalëshe, Gjermani, Austri
dhe Itali, e cila u përsërit më 1902 dhe mbeti
pjesë e saj deri më 1912. Me këtë marrëveshje,
që njihet edhe si një akord i ekuilibrit
në Adriatik, nuk i lejohej asnjërës prej këtyre
dy fuqive të vendoseshin në Shqipëri; por për
shkak se kishte nën zotërim bregdetin Adriatik,
ky vend, sipas tyre, nuk duhej të binte as në duart
e shteteve të tjera. Në të vërtetë,
kjo marrëveshje e mbante Shqipërinë si zonë
të ndikimit austro-italian.
Respektimin e status quo-së në Ballkan e në
Perandorinë Osmane e kërkuan, në vitet e para
të shek. XX, edhe Fuqitë e tjera të Mëdha,
Gjermania, Rusia, Franca dhe Anglia. Megjithatë, në
Angli kishte filluar të përkrahej edhe ideja e dëbimit
të Turqisë nga Ballkani dhe e ndarjes së zotërimeve
të saj evropiane ndërmjet shteteve ballkanike.
Meqë ruajtja e status quo-së kishte një karakter
të përkohshëm, Austria dhe Italia i shtuan
përpjekjet për zgjerimin e depërtimit ekonomik
e politik në Shqipëri, në mënyrë
që të ishin të përgatitura për të
kënaqur ambiciet e tyre, në rast se do të ndodhnin
ndryshime eventuale në hartën politike të Ballkanit.
Austro-Hungaria, Italia dhe shtetet e tjera në fundin
e shek. XIX e sidomos në fillim të shek. XX shtinë
në dorë tregun e Shqipërisë. Në mënyrë
të veçantë, Austro-Hungaria dhe Italia vendosën
kontrollin mbi tregtinë e jashtme të vendit, që
bëhej nëpërmjet skelave të Adriatikut,
nga të cilat një rëndësi të dorës
së parë kishin skela austriake e Triestes dhe ato
shqiptare, si Shkodra, që lidhej me botën e jashtme
me anë të Obotit në Bunë, Shëngjini,
Durrësi, Vlora, Saranda etj.
Të dhënat ekonomike të viteve 1901 e 1904-1905
tregojnë se në fillim të shek. XX Austro-Hungaria
kishte përqendruar në duart e veta 3/4 e import-eksportit
që bëhej nëpërmjet Shkodrës, e cila
ishte qendra më e rëndësishme për tregtinë
e jashtme të vilajeteve shqiptare. Vendin e dytë
e zinte Italia, pas së cilës vinin Mali i Zi, Franca
dhe shtetet e tjera. Nga vlera e përgjithshme prej 215
000 franga ari të doganës së Shkodrës
për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i përkisnin
rreth 170 000 franga, kurse Italisë 24 000 franga.
Firmat austro-hungareze kontrollonin gjithashtu rreth 2/3
e import-eksportit, që bëhej nga porti i Durrësit
në vitin 1904-1905. Vendin e dytë e të tretë
e zinin këtu Anglia dhe Italia, pas të cilave vinin
Egjipti, Rusia e Franca. Nga 251 000 franga ari të vlerës
së përgjithshme të import-eksportit të
portit të Durrësit për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë
i takonin 156 000 franga, Anglisë 37 000 franga, kurse
Italisë rreth 30 000 franga. Austro-Hungaria zinte vendin
e parë në import-eksportin e vilajetit të Kosovës,
që në vitin 1908 arriti në rreth 49 000 000
franga dhe bëhej kryesisht nëpërmjet Selanikut.
Pas saj vinin Rusia, Anglia, Gjermania, Italia etj.
Në tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare
(të Shkodrës, të Kosovës etj.), për
shkak se Shqipëria ishte një vend agrar, zotëronte
importi, që përbëhej nga prodhime industriale
e ushqimore dhe gjatë viteve 1901-1910 paraqitej çdo
vit 2,5-3 herë më i madh nga eksporti, i cili përbëhej
tërësisht nga prodhimet bujqësore e blegtorale
të vendit.
Austro-Hungaria e Italia kishin vendosur gjithashtu kontrollin
e tyre mbi lundrimin detar e mbi transportin tregtar e postar
të porteve shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit,
të cilat i kishin në dorë shoqëritë
austriake të lundrimit Llojd (Lloyd),
Raguza (Ragusa), Ungaro-Kroate
dhe Shoqëria italiane Pulia (Puglia).
Llojdi austriak, që ishte një nga shoqëritë
më të fuqishme në Evropë, kryente veprimet
e transportit në tërë bregdetin shqiptar deri
në portet e jugut dhe zinte pozitë zotëruese
në transportin detar të Shkodrës (Obotit) e
të Durrësit. Llojdi, sipas të dhënave
të vitit 1902, merrte nga qeveria austriake një
subvencion vjetor shtetëror prej 3 600 000 fiorintash.
Në vitet e para të shek. XX shoqëritë
austriake të lundrimit ndeshën në konkurrencën
e atyre italiane, të Pulias, që depërtoi
në skelat e Tivarit, të Ulqinit, të Shëngjinit,
të Durrësit, të Vlorës, të Sarandës
e të Janinës. Pulia kishte mbështetjen
financiare të shtetit, që, sipas të dhënave
të vitit 1902, arrinte në 430 000 lireta në
vit. Përveç Pulias, në skelat
e Shqipërisë së Jugut vepronte edhe Shoqëria
tjetër italiane Adria, që, konkurronte
me sukses shoqëritë austriake Llojd
e Raguza, ndërsa Shoqëria tregtare italiane
Frateli Alatini, që ishte grumbulluesja kryesore
e leshit dhe e drithit, e kishte shtrirë veprimtarinë
e saj deri në vilajetin e Kosovës.
Në këto rrethana u rrit pesha e Italisë në
tregtinë e jashtme të skelave të Shqipërisë
së Jugut. Në vitin 1910 Italia arriti të zinte
vendin e parë në importin e Shqipërisë
së Jugut, që ishte 3 800 000 franga ari, duke ia
kaluar dy herë atij austriak, që përbëhej
vetëm nga 1 800 000 franga ari. Por Austro-Hungaria vijoi
të mbante vendin e parë në importin e skelave
të Shqipërisë së Veriut, që në
vitin 1910-1911 arriti në rreth 5 200 000 franga ari,
duke ia kaluar dy herë atij italian, që ishte vetëm
2 200 000 franga ari.
Ndikimi austriak në skelën e Sarandës në
jug të Shqipërisë dhe në portin e Durrësit
ndeshi, në fillim të shek. XX, edhe në konkurrencën
e firmave greke të tregtisë e të lundrimit,
si Ksidias (Xydias) e C etj.
Depertimi i huaj ekonomik, veçanërisht ai austriak
e italian, u realizua gjithashtu nëpërmjet sistemit
bankar e të kredisë. Në vilajetin e Shkodrës
vepronin shtëpitë bankare të Triestes, ndërsa
bankat evropiane (franceze, italiane, gjermane, angleze) jepnin
kredi me anë të agjentëve ndërmjetës
që mbanin në Shqipëri. Në vitin 1906 u
themeluan në Shkodër e në Durrës degë
bankare italiane të Shoqërisë Tregtare
të Lindjes (Societa Comerciale dOriente),
që kishin si synim të përqendronin në
duart e tyre veprimet e blerjes së mallrave, të
hipotekimeve e të inkasimeve dhe të vendosnin ndikimin
e Romës në sistemin financiar në Shqipërinë
e Veriut.
Firmat e huaja bënë përpjekjet e para për
të depërtuar edhe në fushën e industrisë.
Në Vlorë, në fillim të shek. XX, firmat
austriake ngritën presa për prodhimin e vajit, ndërsa
sipërmarrës të tjerë austriakë filluan
të shfrytëzonin pyjet e Bregut të Matit. Po
në këto vite të para të shek. XX një
shoqëri italiane siguroi nga Turqia koncensionin e përpunimit
të pyjeve të Rrushkullit; firma të tjera italiane
hapën në Vlorë, në Durrës e në
Butrint kripore, mullinj e presa për prodhimin e vajit,
ndërsa një shoqëri franceze filloi të
nxirrte bitum në Selenicë. Sipërmarrësit
italianë parashikonin të sillnin kolonistë
në rrethet e Shkodrës, të Vlorës dhe të
Durrësit, ndërsa ata austriakë në tokat
e vilajetit të Kosovës.
Në fillim të shek. XX firmat e huaja (franceze,
italiane, austriake e ruse) hartuan disa projekte për
ndërtimin e hekurudhave transballkanike, që do të
lidhnin portet shqiptare të Adriatikut me detin Egje
(Selanikun) dhe me Detin e Zi.
Austro-Hungaria dhe Italia kishin ngritur konsullatat e agjencitë
konsullore, tregtare e postare në qytetet më të
rëndësishme të Shqipërisë, si në
Shkodër, Durrës, Vlorë, Janinë, Prevezë,
Gjirokastër, Shkup, Prizren, Mitrovicë, Manastir
etj. Përfaqësi të shumta konsullore në
qytetet e vilajeteve shqiptare kishte gjithashtu Franca dhe
në disa qendra të Shqipërisë edhe Rusia
me Anglinë.
Në fillim të shek. XX u acarua konflikti ndërmjet
Vjenës e Romës për ndikimin mbi klerin katolik
në Shqipëri dhe në lëmin e kulturës.
Vjena synonte të ruante përgjithmonë të
drejtën e protektoratit mbi klerin e mbi shqiptarët
katolikë, të fituar prej kohësh me anë
të kapitulacioneve që i kishte shkëputur Perandorisë
Osmane (qysh me Traktatin e Karllovacit të vitit 1699)
dhe që i siguronte asaj kontrollin e plotë mbi ta
e varësinë prej Vjenës. Ndërkohë
qeveria italiane filloi të vendoste në Shqipëri
urdhra katolikë që do ti nënshtroheshin
Romës, po ashtu edhe priftërinj italianë nga
kombësia, dhe po përgatiste klerikë shqiptarë
në Itali. Por, gjatë bisedimeve që u zhvilluan
ndërmjet përfaqësuesve të të dy vendeve
në fillim të shek. XX, Vjena mbrojti të drejtën
e saj ekskluzive mbi klerin katolik e mbi institucionet katolike
në Shqipëri dhe nuk pranoi ti bënte asnjë
lëshim Romës. Ndërkaq, qeveritë e të
dyja vendeve bënin shpenzime të mëdha për
të bërë për vete klerin katolik duke i
dhënë atij subvencione të rregullta mujore
ose vjetore.
Austro-Hungaria e Italia zgjeruan edhe rrjetin e shkollave
të tyre, që ishin kryesisht fetare katolike, kurse
një pjesë laike. Pas shkollave, të hapura qysh
në gjysmën e dytë të shek. XIX, Austro-Hungaria
ngriti shkolla të tjera, për djem e për vajza,
në Shkodër, Durrës, Shkup, Janievë, Prizren,
Pejë, Gjakovë, Zymë, Lumë, Manastir, Milot,
Rrëshen, Tiranë dhe në qendra të tjera
të Shqipërisë. Vetëm në qytetin e
Shkodrës, në fillim të shek. XX, kishte 7 shkolla
austriake me rreth 800 nxënës, ndërsa në
gjithë vilajetin ishin ngritur 21 të tilla; në
vilajetin e Kosovës kishte 8 shkolla austriake dhe në
atë të Manastirit 3 (në sanxhakun e Manastirit).
Shkollat austriake ishin në shumicën e tyre fetare
dhe administroheshin nga institucionet katolike; vetëm
një pjesë ishin laike (fillore) ose profesionale.
Disa nga këto të fundit frekuentoheshin edhe nga
fëmijë myslimanë.
Deri në vitet e fundit të shek. XIX në shumicën
e shkollave austriake mësimi zhvillohej në gjuhën
italiane. Në fillim të shek. XX, duke synuar të
dobësonte ndikimin italian, Vjena shpalli nacionalizimin
e shkollave katolike austriake në Shqipërinë
e Veriut, vendosi në mjaft prej tyre, në vend të
italishtes, gjuhën shqipe si gjuhë mësimi,
në disa të tjera futi gjuhën gjermane po si
gjuhë mësimi dhe mbajti njëkohësisht (në
ndonjë qendër të Kosovës) shkollat katolike
në gjuhët sllave.
Me këtë masë Vjena mendonte të forconte
ndikimin e saj mbi lëvizjen kulturore shqiptare, një
nga kërkesat e së cilës ishte themelimi i shkollave
kombëtare shqipe. Në qarqet qeveritare të Austro-Hungarisë
ky veprim, si edhe botimi në Vjenë i librave në
gjuhën shqipe, vlerësohej si një kontribut
për ruajtjen dhe përhapjen e idesë nacionale
në Shqipëri. Pranë Institutit shtetëror
të gjuhëve orientale të Vjenës u hap në
vitin 1903 një kurs për mësimin e gjuhës
shqipe, që drejtohej nga Gjergj Pekmezi, ndërsa
në koloninë shqiptare të Zarës (në
Borgo-Erico) qysh në vitin 1901 funksiononte një
kurs për mësimin e shqipes pranë Institutit
Pedagogjik, një tjetër pranë shkollës
ushtrimore (me rreth 40 nxënës, më 1903); në
vitin 1903 u çel aty një kurs i gjuhës shqipe
për vajza (me 55 nxënëse), që drejtohej
nga Patër Bardhi. Në vitin 1906 mësimin e gjuhës
shqipe në atë institut si edhe në shkollën
e vajzave filloi ta jepte, në vend të Patër
Bardhit që u largua, Shtjefën Konstantin Gjeçovi.
Në shkollat pedagogjike me internate, si në atë
të Klagenfurtit e të ndonjë qendre tjetër,
u përgatitën mësuesit e parë për
shkollat austriake në Shqipëri.
Edhe Italia, duke filluar nga viti 1896, pas ardhjes në
fuqi të kryeministrit Krispi, çeli shkolla fillore
e profesionale në Shkodër, në Janinë,
në Durrës e në Vlorë, ndërsa në
fillim të shek. XX u ngritën shkolla të tjera
në Shkodër (ku funksiononin tanimë një
shkollë fillore për djem, një për vajza,
një shkollë tregtare, një tjetër artizanati
dhe një kopësht për fëmijë), u hapën
shkolla të reja fillore për djem dhe për vajza
(më 1901-1906) në Vlorë, në Durrës,
në Janinë (dy shkolla fillore e një shkollë
artizanati). Vëmendjen kryesore Roma e kishte përqendruar
në Shkodër, ku në vitin 1906 shkollat italiane
ndiqeshin nga 360 nxënës, ndërsa ato të
Durrësit nga rreth 110 djem e vajza, të Vlorës
nga 68 nxënës dhe 50 të rritur. Në vitin
1906 qeveria italiane shpenzonte për shkollat jashtë
vendit 1 milion franga. Vetëm për shkollat e Shkodrës
Roma shpenzonte çdo vit 40 mijë franga.
Ndryshe nga shkollat austriake, ato italiane nuk ishin fetare,
por shtetërore, ndërsa mësimet zhvilloheshin
në italisht. Në vitet e para të shek. XX edhe
Roma, nën ndikimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
dhe të kërkesës së saj për përhapjen
e shkrimit shqip, futi në shkollat italiane, në
një masë shumë të kufizuar (dy orë
në javë në vitin e fundit), mësimin e
gjuhës shqipe. Përgatitja e personelit mësimor
për shkollat italiane në Shqipëri bëhej
në dy institucione, në Katedrën e Gjuhës
Shqipe, pranë Institutit Oriental të Napolit dhe
në Kolegjin italo-shqiptar të Shën-Demetër
Koronës (San-Demetrio Corone), që nxirrte mësues
dhe priftërinj për Shqipërinë.
Si Austria, ashtu edhe Italia, siç theksohej në
dokumentacionin e kohës të të dy këtyre
shteteve, duke zgjeruar nëpërmjet shkollave ndikimin
e gjuhës e të kulturës së tyre në
Shqipëri, synonin njëherazi të përgatisnin
truallin për të vendosur kontrollin e tyre mbi shtetin
e ardhshëm shqiptar. Prandaj rilindësit, edhe pse
këto shkolla ndikonin në zhvillimin e përgjithshëm
kulturor të vendit, madje edhe në përhapjen
e mësimit të gjuhës shqipe, sado që në
një masë të kufizuar, i shikonin ato me mosbesim,
kërkonin zëvendësimin e tyre me shkolla kombëtare
shqipe.
Qëndresa ndaj sunduesve osmanë dhe kundërshtimi
i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në
vitet 1901-1903
Shtypja ekonomike e politike e administratës osmane dhe
krahas saj ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha e sidomos
të Rusisë si edhe ato të shteteve fqinje ballkanike
në trevat shqiptare, bënë që lëvizjet
çlirimtare në vitet e para të shek. XX të
drejtoheshin njëkohësisht kundër zgjedhës
osmane dhe kundër ndërhyrjeve të shteteve të
huaja në Shqipëri.
Vilajetet shqiptare, ashtu si territoret e tjera të Turqisë
Evropiane, karakterizoheshin në fillim të shek.
XX nga një prapambetje e madhe ekonomiko-shoqërore
e kulturore, e cila forcohej edhe më shumë për
shkak të politikës së rëndë fiskale,
që Porta e Lartë zbatonte në këto treva.
Edhe në këtë periudhë burimin kryesor
të të ardhurave të shtetit osman e përbënin
të dhjetat (ashari), që u merreshin në natyrë
gjithë pronarëve të tokave, nëpërmjet
sistemit të sipërmarrjes; ky sistem rëndonte
më shumë fshatarësinë, e cila përbënte
shumicën e popullsisë së vendit. Në vilajetin
e Janinës shteti nxirrte çdo vit nga të dhjetat
më shumë se 8 milionë groshë, që
përbënin rreth 30 % të të ardhurave të
përgjithshme të kësaj province, të cilat
arrinin në 28 500 000 groshë. Në vilajetin
e Manastirit nxirreshin nga të dhjetat më shumë
se 14 milionë groshë, që përbënte
gjithashtu 30 % të shumës së përgjithshme
të të ardhurave prej 47 milionë groshësh.
Nga vilajeti i Kosovës qeveria turke vilte nga të
dhjetat 16 milionë groshë, d.m.th. 30 % të
sasisë së përgjithshme të të ardhurave
prej më shumë se 53 milionë groshësh.
Në fillimin e shek. XX rreth 2/3 e të ardhurave
vjetore të vilajeteve të Janinës, të Manastirit
e të Shkodrës dhe rreth 1/2 e atyre të vilajetit
të Kosovës shkonin në Stamboll, ndërsa
nga ato që mbeteshin në vend dhe që formonin
buxhetin lokal, më shumë se gjysma shpenzohej për
të mbajtur forcat e xhandarmërisë e të
policisë dhe aparatin burokratik shtetëror osman.
Sipas të dhënave të Sait Pashës, kryeministër
i Turqisë, në vitin finaciar 1902-1903, në
vilajetin e Kosovës nga 647 612 lira, që ishte buxheti
i përgjithshëm i kësaj province, për të
mbajtur xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin
e nëpunësve, përdoreshin 695 mijë lira,
domethënë 61 000 lira më shumë; në
vilajetin e Manastirit nga buxheti i përgjithshëm
prej 488 000 lirash, për xhandarmërinë, ushtrinë
dhe aparatin burokratik shpenzoheshin rreth 500 000 lira;
në vilajetin e Janinës nga rreth 269 000 lira të
ardhura, 217 000 përdoreshin për xhandarmërinë,
ushtrinë dhe aparatin shtetëror osman; në vilajetin
e Shkodrës, ku të ardhurat ishin më të
pakëta, rreth 39 000 lira gjithsej, shpenzoheshin për
xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin shtetëror
200 000 lira.
Nga këto të dhëna kuptohet se për nevojat
e zhvillimit ekonomik të vendit nuk përdorej pothuajse
asgjë, ndërsa për arsimin, që ishte në
gjuhën turke, vetëm një shumë e papërfillshme.
Kështu, në vilajetin e Kosovës për arsimin
përdoreshin vetëm rreth 4 000 lira. E njëjta
gjendje paraqitej edhe në vilajetet e tjera.
Duke qenë përballë ndërhyrjeve të
reja të shteteve fqinje në Turqinë Evropiane,
Porta e Lartë i shtoi edhe më shumë forcat
ushtarake. Në vitin 1901 Stambolli mbante në Rumeli
një ushtri prej 203 000 vetash, një pjesë e
mirë e së cilës ishte vendosur në vilajetet
shqiptare. Në vitin 1901 u shtuan forcat e xhandarmërisë
në të gjitha viset shqiptare, sidomos në vilajetet
e Manastirit e të Kosovës, ku kishte respektivisht
2 700 dhe 2 200 xhandarë.
Masat shtypëse të Portës së Lartë
u bënë shkak për rritjen e pakënaqësisë
së përgjithshme dhe të lëvizjes kombëtare
në Shqipëri. Në fillim të vitit 1901 në
Prizren vepronte një Komitet Qendror, që kishte
degët e veta në Prishtinë, në Shkodër
e në Guci dhe që zhvillonte një propagandë
të gjerë kundër ndërhyrjeve të Vjenës.
Në janar-shkurt të po atij viti Haxhi Zeka organizoi
mbledhje në qytetet e Kosovës me qëllim që
të rimëkëmbte Lidhjen Shqiptare të Pejës
për të përballuar rrezikun që i kanosej
vendit nga shtetet ballkanike dhe nga Austro-Hungaria, e cila
kishte projektuar hekurudhën Uvac-Mitrovicë, që
shihej nga shqiptarët si një mjet për depertimin
austriak në Kosovë). Në tubimin që u mbajt
në maj, në Luka, afër Manastirit të Deçanit,
përfaqësuesit e popullsisë së vilajetit
të Kosovës protestuan kundër ndërhyrjeve
të Austro-Hungarisë në këtë trevë.
Nisma për rimëkëmbjen e Lidhjes së Pejës
u përkrah nga atdhetarët dibranë e të
viseve të tjera. Në kuvendin që u caktua të
mbahej në maj ose në qershor të vitit 1901,
ku do të përfaqësoheshin të gjitha vilajetet
shqiptare, parashikohej të merreshin masa për bashkimin
e shqiptarëve dhe të kërkohej futja e gjuhës
shqipe në shkolla e në administratën shtetërore.
Por, për shkak të pengesave të administratës
osmane, ky kuvend nuk u thirr.
Në qytetet e Shqipërisë së Mesme e të
Jugut dhe në ato të Kosovës, ku futej fshehurazi
shtypi shqiptar, ai xhonturk dhe librat shqip, po ndihej gjithnjë
e më shumë ndikimi i programit autonomist të
Ismail Qemalit dhe po përhapej gjerësisht ideja
e autonomisë së vendit. Për të penguar
zgjerimin e saj në Shqipërinë e Mesme dhe të
Jugut, Porta e Lartë u mbështet në pranverën
dhe në verën e vitit 1901 te Syrja bej Vlora (që
i propozoi Stambollit masa të posaçme, të
drejtuara kundër lëvizjes kombëtare) dhe tek
Esat pashë Toptani, që me autorizimin e sulltanit
hartonte peticione e mblidhte nënshkrime kundër
lëvizjes kombëtare dhe Ismail Qemalit, të cilin
e akuzonte si agjent të Anglisë, të Greqisë
etj. Ndërkaq në Kosovë të dërguarit
e posaçëm të Stambollit, pasi nuk arritën
të bënin për vete Haxhi Zekën e parinë
e Pejës, shkëputën prej krerëve të
veçantë të Prishtinës e të Prizrenit
peticione, drejtuar sulltanit (të botuara edhe në
gazetën zyrtare Kosova), në të
cilat dënohej veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit.
Megjithatë, në popullsinë shqiptare myslimane
e krishtere, krahas kërkesës së përgjithshme
për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, për
ngritjen e shkollave kombëtare e për lëvrimin
e gjuhës shqipe, po forcohej bindja se duheshin prerë
lidhjet me sulltanin e paaftë dhe se Shqipëria duhej
të kthehej në një shtet autonom. Në vitin
1901 në mjaft qytete të Shqipërisë, si
në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Dibër, Mat,
Vlorë, Fier etj., qenë krijuar me kontributin e
popullsisë fonde të posaçme, që përdoreshin
për të sjellë fshehurazi libra, gazeta e broshura
në gjuhën shqipe, si edhe për të ndihmuar
veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë jashtë
vendit.
Në verën dhe vjeshtën e vitit 1901 pakënaqësia
filloi të bëhej e përgjithshme dhe u shtri
në të katër vilajetet shqiptare. Popullsia
në krahina të tëra nuk pranonte të paguante
taksat dhe të jepte ushtarë. Në Shkodër
grupe kryengritësish u përqendruan rreth qytetit
dhe u orvatën ta sulmonin atë, ndërsa në
Shqipërinë e Jugut kryengritësit zunë
rajonin midis Tepelenës e Vlorës dhe zhvilluan përleshje
me trupat turke, duke i shtrirë veprimet e tyre deri
në Konicë dhe në afërsi të Elbasanit.
Në shtator të vitit 1901 ngriti krye popullsia e
qytetit të Tiranës, me të cilën u bashkua,
duke lidhur besën, edhe Malësia e këtij rrethi.
Kryengritësit i dërguan sulltanit një telegram
proteste kundër korrupsionit, arbitraritetit e dhunës
së administratës osmane lokale. Porta e Lartë
u detyrua të pushonte prefektin e sanxhakut të Durrësit
(Tefik Pashën) dhe kajmekamin e Tiranës. Ngjarjet
e Tiranës vlerësohen në dokumentet bashkëkohëse
si dëshmi e forcimit në këtë qytet të
krahut nacionalist e antiqeveritar të lëvizjes kombëtare
ose të partisë shqiptare, që në
atë kohë drejtohej nga Mehmet pashë Toptani,
Fuad dhe Refik bej Toptani etj.
Në shkurt të vitit 1902 ngritën krye mirditasit,
që ranë në marrëveshje me malësorët
e Pukës e me banorët e Kthellës dhe prenë
rrugën midis Shkodrës e Prizrenit, si edhe vijën
telegrafike në afërsi të Lezhës. Në
memorandumin, që u dërguan valiut të Shkodrës
e konsujve të huaj, krahas kërkesës për
të kthyer nga internimi dhe për të emëruar
si guvernator të Mirditës Preng Bibë Dodën,
ata shfaqën edhe aspirata kombëtare, autonomiste,
deklaruan se nuk do ta njohin më sulltanin si kryezotin
e tyre dhe se kërkojnë njohjen e kombësisë
shqiptare.
Për të qetësuar gjendjen në Shqipëri
Abdyl Hamiti mori masa të ashpra. Pasi hoqi valiun e
Shkodrës, Qazim Pashën, si të paaftë për
të shtypur lëvizjen shqiptare, sulltani dërgoi
në vendin e tij Shaqir Pashën me kontigjente të
shumta ushtarësh. Në Shkodër u bënë
arrestime të shumta të krerëve dhe të
qytetarëve të thjeshtë që kishin kërkuar
reforma me karakter kombëtar. Arrestime të atdhetarëve
shqiptarë u bënë edhe në Ohër, në
Tiranë, në Berat, në Vlorë e në qytete
të tjera. Trupat osmane bënë gjithashtu masakra
midis popullsisë së Pejës, të Gjirokastrës,
të Konicës e të qyteteve të tjera.
Një nga veprat më të shëmtuara të
armiqve të popullit shqiptar ishte vrasja në Pejë,
më 21 shkurt të vitit 1902, e udhëheqësit
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Haxhi Zekës,
që u krye me nxitjen e qarqeve shoviniste të Serbisë
dhe me përkrahjen e autoriteteve osmane. Si përgjigje
për këtë populli i Pejës ngriti krye,
sulmoi zyrat qeveritare, shtiu në dorë postë-telegrafin,
arrestoi funksionarët turq dhe kërkoi nga sulltani
lirimin e gjithë bashkatdhetarëve të burgosur.
Lëvizje të tilla antiqeveritare pati edhe në
Mitrovicë, në Prishtinë, në Pazar të
Ri e në qytete të tjera. Vrasjes së Haxhi Zekës
i bëri jehonë edhe shtypi evropian, gazeta Lë
Tan (Le Temps, Paris) dhe organe të
tjera.
Pakënaqësinë që zotëronte në
vend u orvat ta shfrytëzonte edhe pretenduesi për
fronin e Shqipërisë, aventurieri don Aladro Kastrioti,
ish-diplomat spanjoll, që e paraqiste veten si pasaardhës
të Kastriotëve. Promemorja e tij për autonominë
e Shqipërisë, e shpallur në korrik 1902 gjoja
në emër të një komiteti shqiptar, takimet
me diplomatë të huaj, lidhjet me garibaldinët
(vullnetarë italianë, të përgatitur për
tu hedhur në Shqipëri), deklaratat për
organizimin e kryengritjes së armatosur e sidomos vizitat
në Korfuz, pranë brigjeve shqiptare, e detyruan
Portën e Lartë që të përqendronte
në Vlorë përforcime të tjera ushtarake,
të sjella nga Konica e nga Janina. Por ky pretendent
aventurier mbeti pa ndonjë mbështetje në Shqipëri
dhe për këtë arsye dështoi.
Në qershor të vitit 1902 Porta e Lartë, me
qëllim që të shtypte Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare, të parandalonte zhvillimin e saj të mëtejshëm
dhe tu jepte një shembull ndëshkimi krahinave
të tjera të Shqipërisë, ndërmori
arrestime të shumta në sanxhakun e Beratit, sidomos
në Vlorë e në Kaninë, ku u ndalën
20 veta, kryesisht nga paria e kësaj zone, që u
dërguan të lidhur në Janinë dhe iu dorëzuan
gjykatës ushtarake. Të arrestuarit u akuzuan për
tradhti të lartë dhe për përhapjen e shkrimeve
të ndaluara. Në Korçë u arrestua, në
muajin korrik të vitit 1902, atdhetari Nuçi Naçi
dhe më pas veprimtarët e shquar të lëvizjes
në këtë qytet, Orhan bej Pojani e Thimi Markoja.
Edhe çarmatimi në masë i popullsisë
në rrethin e Vlorës dhe në atë të
Mallakastrës, që u ndërmor në qershor-korrik
të vitit 1902, kishte për qëllim të godiste
lëvizjen kombëtare në këtë zonë.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe ekspedita ushtarake
kundër lokalitetit të Shëngjergjit në
Malësinë e Tiranës, që u organizua drejtpërsëdrejti
nga valiu i Shkodrës dhe që u bë shkak për
qëndresën e armatosur të popullsisë së
kësaj zone kundër Portës së Lartë,
e cila zgjati nga 11 deri më 29 korrik të vitit
1902. Fshatarësia e kësaj zone përbënte
një mbështetje të fuqishme për lëvizjen
kombëtare, të drejtuar nga grupi i bejlerëve
nacionalistë të Tiranës.
Në mesin e korrikut përballë ekspeditës,
që ishte ngarkuar të ndërmerrte çdo
lloj masakre, qëndronte e bashkuar popullsia e Shëngjergjit,
e cila së bashku me atë të krahinave përreth,
nxorri më shumë se 2 500 njerëz të armatosur.
Qëndresa e malësorëve u përkrah edhe nga
grupi i atdhetarëve të Tiranës, që lidhën
besën me ta dhe i ndihmuan fshehtazi me të gjitha
mjetet.
Më 24 korrik u mbajt në katundin Shënmëri
mbledhja e përfaqësuesve të popullsisë
së fshatrave të Malësisë së Tiranës;
në të mori pjesë edhe një komision i posaçëm
i dërguar nga Këshilli administrativ i kazasë
së Tiranës, ku bënin pjesë edhe atdhetarë
të tillë si Abdi bej Toptani, Fuat bej Toptani etj.
Këtu u vendos që të përtërihej Lidhja
(Besa), që tanimë ishte në fuqi nga 17 korriku,
dhe të kërkohej nga qeveria të largonte menjëherë
ekspeditën; pas plotësimit të kësaj mase,
duhej të pakësohej tatimi i prapambetur i vergjisë
dhe të lëshohej urdhri për shlyerjen e tij
me këste etj.
Stambolli u detyrua të tërhiqej përballë
përmasave të qëndresës së popullsisë
së Shëngjergjit, me të cilën u bashkuan
edhe malësorët e krahinave përreth; ajo rrezikonte
të kthehej në një lëvizje të përgjithshme,
që mund të çonte në një luftë
të përgjakshme, e cila do ti sillte ndërlikime
ndërkombëtare Stambollit dhe do të bëhej
shkak për ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha
në Shqipëri e në Turqinë Evropiane. Më
29 korrik ekspedita u largua nga Shëngjergji.
Gjendja në Shqipëri vijoi të mbetej e nderë.
Në relacionin që kryeministri turk, Said Pasha,
i parashtroi sulltanit më 2 korrik 1902, i shkruante
se Shqipëria ishte duke dalë nga duart e shtetit
osman, ndërsa lëvizjen shqiptare e quante
si prelud të çështjes së ekzistencës
ose të zhdukjes së sundimit osman në Ballkan.
Edhe Fuqitë e Mëdha nuk ishin indiferente ndaj krizës
që po përjetonte sundimi osman në Shqipëri.
Ambasadori austro-hungarez në Stamboll, baroni Kaliçe,
disa herë i kishte folur Said Pashës për trajtimin
e keq të shqiptarëve nga Turqia, të cilin Vjena
e shikonte si shkakun kryesor të pakënaqësisë
dhe të revoltave të tyre. Austro-Hungaria pati shprehur
pakënaqësinë që Porta e Lartë nuk
kishte zbatuar në Shqipëri e në Rumeli as reformat
e premtuara sipas Traktatit të Berlinit (sipas nenit
23). Një politikë e tillë, theksonte përfaqësuesi
diplomatik i Vjenës, mund të krijonte rrezikun
e humbjes nga Turqia të Rumelisë dhe veçanërisht
të Shqipërisë.
Në qershor të vitit 1902 ambasadori austriak në
Stamboll pati kërkuar nga kryeministri turk që të
merrte masat për të përmirësuar nivelin
arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe, në mënyrë
të veçantë, të pranonte mësimin
e shkrimin e gjuhës shqipe, duke futur për këtë
alfabetin latin. Ministri i Punëve të Jashtme të
Austro-Hungarisë, Golluhovski, në letrën që
i dërgoi kryeministrit turk në ditët e para
të gushtit të vitit 1902, vlerësonte drejt
kërkesat kombëtare të shqiptarëve, për
të cilat thoshte se nuk janë të nxitura
nga jashtë, siç pretendonte Porta e Lartë,
por janë të lidhura me ndjenjat, që kanë
lindur te populli shqiptar. Ai i tërhiqte vëmendjen
Portës së Lartë për qëndrimin e saj
mospërfillës ndaj aspiratave të vërteta
dhe të natyrshme të shqiptarëve për pavarësi.
Por, siç del nga letra e Golluhovskit, Vjena shqetësohej
gjithnjë për ruajtjen e status quo-së në
Ballkan, prandaj kërkonte nga qeveria e Stambollit zbatimin
në Shqipëri të disa reformave të pjesshme,
të cilat nuk cenonin ekuilibrin në këtë
zonë, siç ishin zgjerimi i kompetencave të
vilajeteve, vendosja e rregullit dhe e drejtësisë
në vjeljen e taksave, po ashtu kërkonte tu
jepej fund abuzimeve dhe arbitraritetit të nëpunësve,
të mbrohej jeta e pasuria e tyre. Përmirësimi
i administrimit të Shqipërisë dhe i gjendjes
së saj të përgjithshme vlerësohej nga
Golluhovski si një masë që do ti shërbente
forcimit të administratës osmane në këtë
vend dhe njëherazi do të shmangte turbullirat e
brendshme dhe ndërhyrjet nga jashtë.
Këtë përmbajtje kishte edhe projekti i reformave
që Said Pasha i parashtroi sulltanit në Promemorjen
për Shqipërinë më 9 gusht të
vitit 1902, në të cilën propozonte të
zbatoheshin masa të tilla, si ndreqia e rrugëve,
zgjerimi i rrjetit të komunikacionit, përkrahja
e tregtisë detare e tokësore, rindërtimi i
limaneve, zhvillimi i artizanatit dhe i industrisë, hapja
e punishteve dhe e fabrikave, heqia e nëpunësve
të korruptuar dhe zëvendësimi i tyre me njërëz
të kulturuar etj. Por edhe këto masa, të cilat,
siç theksonte kryeministri turk, do të përmirësonin
gjendjen ekonomike e kulturore të vendit, nuk u miratuan
nga sulltani.
Në gjysmën e dytë të vitit 1902, u acarua
përsëri çështja maqedone dhe u forcuan
ndërhyrjet e shteteve ballkanike e të Fuqive të
Mëdha në Turqinë Evropiane, marrëdhëniet
e popullit shqiptar me qeverinë e Stambollit u ashpërsuan
edhe më shumë. Qarqet politike të Sofjes, me
mbretin Ferdinand në krye dhe organizatat nacionaliste
bullgare, duke përfituar nga lufta e drejtë çlirimtare
e popullsisë sllave-maqedone, e nxisnin atë të
hidhej në kryengritje kundër sundimit osman, për
të bashkuar Maqedoninë, me anën e forcës,
me Bullgarinë. Ndërkaq Serbia e Greqia, duke përfituar
nga fakti që në Turqinë Evropiane kishte edhe
popullsi serbe (në Kosovë) e greke (në vilajetin
e Selanikut), ndërhynin në çështjen
maqedone për të ndarë ndërmjet tyre territoret
e vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të
Kosovës.
Nga vera e vitit 1902 në radhë të parë
Bullgaria, por pas saj edhe Serbia e Greqia filluan të
dërgonin në viset e Turqisë Evropiane banda
të armatosura (të drejtuara shpesh nga oficerë
të ushtrisë së rregullt), që luftonin
kundër njëra-tjetrës dhe përpiqeshin të
shkombëtarizonin me forcë ose të shfarosnin
popullsinë e kombësive të tjera të territoreve
të cilat pretendonin ti aneksonin. Veprimtaria
e çetave bullgare, të përbëra nga disa
qindra veta, shtrihej, përveç vilajetit të
Selanikut, edhe në disa rrethe të vilajetit të
Manastirit, kurse qeveria serbe filloi të armatoste bashkëkombësit
e vet në vilajetin e Kosovës.
Ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në
Turqinë Evropiane dhe përkrahja prej saj e lakmive
pushtuese të shteteve sllave ballkanike në këtë
zonë i shtyti shqiptarët të kundërshtonin
çeljen e konsullatës ruse dhe hyrjen e konsullit
të Rusisë në Mitrovicë. Në fillim
të shtatorit të vitit 1902 qëndresa e shqiptarëve,
e udhëhequr nga Isa Boletini, u shndërrua në
një kryengritje të armatosur me karakter kombëtar;
ajo drejtohej kundër ndërhyrjeve të Rusisë
në trevat shqiptare dhe kundër Portës së
Lartë që i bënte asaj lëshime. Më
7 shtator rreth 1 000 shqiptarë të armatosur u grumbulluan
në afërsi të Mitrovicës, në rrugën
që të çonte në Pejë dhe në
rrethinat e saj, të gatshëm për të sulmuar
qytetin. Një forcë ushtarake osmane prej 500 ushtarësh,
që u dërgua nga Shemsi Pasha për të shtypur
lëvizjen, u çarmatos më 15 shtator nga shqiptarët.
Për ti ndëshkuar kryengritësit, mareshali
turk bombardoi e dogji fshatrat e boshatisura të Mitrovicës.
Qëndresa e shqiptarëve të Mitrovicës u
përkrah edhe nga popullsia e rretheve të tjera dhe
mund të shtrihej në tërë vilajetin e Kosovës.
Më 18 tetor u grumbulluan në Boletin (ku Isai kishte
kullën e vet) rreth 5 000 shqiptarë të armatosur
nga rrethet e Mitrovicës, të Pejës, të
Prishtinës e të Pazarit të Ri, të cilët
shprehën vendosmërinë për të luftuar
për çështjen shqiptare.
Nën presionin e Rusisë e të Serbisë, që
i kërkuan Stambollit të shtypte me çdo mjet
kryengritjen shqiptare dhe të largonte Isa Boletinin
nga Mitrovica, Porta e Lartë përdori dhunën
ushtarake për të shuar këtë vatër
të qëndresës së armatosur. Megjithatë,
ekspedita ushtarake, që Dervish Pasha ndërmori në
muajin tetor në rrethet e Drenicës e të Pejës,
ku shkatërroi e bëri rrafsh me tokën fshatra
të tëra dhe qindra kulla të shqiptarëve,
dogji shtëpitë e grabiti bagëtinë e drithin,
nuk dha përfundimet që priste Porta e Lartë.
Vetëm pas bisedimeve, që kryesekretari i pallatit
dhe Shemsi Pasha zhvilluan në Mitrovicë me Isa Boletinin,
ky u bind të largohej në fillim nga Mitrovica dhe
në fundin e nëntorit të vitit 1902 u tërhoq
në Stamboll, ku u mbajt deri në vitin 1906.
Në të njëjtën kohë, Porta e Lartë
shtypi me egërsi brenda një muaji kryengritjen e
popullsisë maqedone, që shpërtheu në fundin
e shtatorit 1902. Për të shmangur shpërthimin
e një kryengritjeje të re në Maqedoni, qeveria
turke, duke qenë edhe nën trysninë e vazhdueshme
të Rusisë e të Austro-Hungarisë, shpalli
në fillim të dhjetorit të vitit 1902 reformat
për vilajetet e Turqisë Evropiane, të cilat
u përfshinë në Udhëzimin për
vilajetet e Rumelisë, të 12 dhjetorit të
atij viti. Krahas masave të përgjithshme për
përmirësimin e gjendjes në provincat e Rumelisë,
për zhvillimin e tregtisë, të bujqësisë,
të zejtarisë e të punëve botore, në
këtë Udhëzim parashikohej edhe riorganizimi
i xhandarmërisë, i policisë dhe i gjykatave
(duke futur në to të krishterët), hapja e shkollave
turke në fshatrat më të mëdha, përdorimi
i një pjese të të ardhurave lokale për
nevojat e vilajeteve etj. Për zbatimin e reformave në
Rumeli emërohej një inspektor i përgjithshëm,
që do të kishte kompetencat e një ministri
dhe pranë tij një nëpunës civil e një
tjetër ushtarak.
Porta e Lartë nuk përcaktoi provincat ku do të
shtriheshin reformat, por zbatimin e tyre ajo e kufizoi në
tri të ashtuquajturat vilajete maqedone (të Selanikut,
të Manastirit e të Kosovës), në krye të
të cilave u vu si inspektor i përgjithshëm,
me seli në Shkup, Hysen Hilmi pasha. Reformat turke ishin
gjysmake dhe në thelb nuk i sillnin ndonjë përmirësim
gjendjes së popullsive të shtypura të Rumelisë.
Për këtë arsye ato nuk u pritën mirë
as nga këto popullsi, as edhe nga qeveritë e shteteve
të Evropës e nga opinioni publik evropian, i cili
mbajti qëndrim kritik ndaj tyre.
Ashpërsimi i mëtejshëm i gjendjes politike
në Rumeli dhe rritja e pakënaqësisë së
popullsive të saj i shtyti Fuqitë e Mëdha,
veçanërisht Rusinë e Austro-Hungarinë,
të ndërhynin drejtpërdrejt në çështjen
maqedone. Pasi morën edhe pëlqimin e Anglisë,
të Gjermanisë e të Francës, më 21
shkurt 1903 ato i paraqitën Portës së Lartë
projektin austro-rus të reformave, të cilin, pas
disa kundërshtimesh u detyrua ta pranonte edhe sulltani.
Me këto reforma Fuqitë e Mëdha synonin të
ruanin status quo-në në Turqinë Evropiane dhe,
duke u dhënë disa të drejta popullsive të
krishtere, sllave e greke, të parandalonin shpërthimin
e kryengritjes, veprimtarinë e çetave të
armatosura dhe mundësinë e një ndërhyrjeje
të hapur ushtarake të Serbisë, të Bullgarisë,
të Malit të Zi e të Greqisë (që njihnin
si protektore Rusinë) në Rumeli.
Por kjo nuk mund të arrihej pa u dhënë kombësive
të Turqisë Evropiane, duke përfshirë këtu
edhe shqiptarët që zinin pjesën më të
madhe të territoreve të saj, të drejtën
e autonomisë. Projekti austro-rus i reformave ishte në
thelb një përsëritje e atij të shpallur
nga sulltani në dhjetor të vitit 1902. Disa masa
të reja që përmbante ai, si përqendrimi
i riorganizimit të xhandarmërisë dhe të
policisë në duart e specialistëve të huaj,
kontrolli i Bankës Otomane mbi buxhetin e vilajeteve
të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës
etj., ndonëse do të sillnin ndonjë përmirësim
të gjendjes së përgjithshme, do ti shërbenin
më shumë forcimit të kontrollit të dy
fuqive në këtë zonë.
Shqiptarët në përgjithësi, me përjashtim
të një shtrese njërëzish që kërkonin
të nxirrnin përfitime nga gjendja ekzistuese dhe
nga anarkia, nuk ishin kundër reformave, të cilat
mund të sillnin përparimin e vendit, as edhe kundër
barazisë së të krishterëve me myslimanët.
Kryeministri turk Said Pasha, qysh në nëntor të
vitit 1902, duke bërë fjalë për nevojën
e zbatimit të reformave në Shqipëri, i shkruante
sulltanit se nuk është e vërtetë që
shqiptarët janë kundër reformave, se përveç
disa krerëve, rendin dhe qetësinë në Shqipëri
e do shumica e popullsisë, paria dhe të pasurit.
Megjithatë, shpallja e projektit austro-rus të reformave
(të 21 shkurtit 1903) e elektrizoi gjendjen në Shqipëri
dhe u prit me pakënaqësi nga popullsia e saj, që
shihte tek ato rrezikun e një copëtimi të ri
të vendit. Duke zbatuar këto reforma vetëm
në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të
Kosovës, Fuqitë e Mëdha do të saksiononin
në fakt copëtimin e vilajeteve shqiptare të
Kosovës e të Manastirit, që ndaheshin nga vilajetet
e Shkodrës e të Janinës. Kjo ishte arsyeja
kryesore, që i shtyti shqiptarët të ngriheshin
kundër projektit austro-rus të reformave.
Qëndresa e shqiptarëve kundër reformave mori
një karakter kombëtar. Nëpërmjet artikujve,
të botuar në shtypin përparimtar në fundin
e vitit 1902 dhe në fillim të vitit 1903, (në
gazetat Drita të Sofjes, Albania
të Beogradit etj.), atdhetarët rilindës i bënin
thirrje popullit të kundërshtonte projektet e reformave,
që synonin të copëtonin tokat shqiptare ndërmjet
fqinjëve ballkanikë. Përkundrejt tyre, theksohej
në këto organe të shtypit, populli shqiptar
duhej të kërkonte bashkimin e vendeve që
janë në Shqipëri nën një vali,
tu shpallte Fuqive të Mëdha dhe Portës
së Lartë se shqiptarët nuk janë kundër
reformave në përgjithësi, por duan që
të mbajnë vendin e tyre, duan që ai të
mos shkelet prej të huajve ..., që në Shqipëri
të bëhen reforma për të mirën e shqiptarëve
dhe duke qenë e tërë Shqipëria e bashkuar
dhe jo e ndarë copa-copa.
Në janar-shkurt të vitit 1903 vatra të lëvizjes
shqiptare u bënë Peja e Gjakova, në rrethet
e të cilave u mbajtën atëherë dy tubime.
Në këto tubime u diskutua çështja e
reformave, e hapjes së konsullatës ruse në
Mitrovicë dhe e lirimit të të burgosurve politikë.
Shqiptarët që u mblodhën këtu, dhanë
Besën, vendosën të kundërshtonin reformat
e projektuara dhe kërkuan largimin nga Shqipëria
të Shemsi Pashës, që ishte dërguar për
të shtypur qëndresën e tyre. Popullsia e Pejës
dhe e Gjakovës u bëri thirrje gjithë shqiptarëve
të bashkoheshin kundër ndërhyrjeve që
po bëheshin në Shqipëri në emër të
zbatimit të reformave, por që kërcënonin
tërësinë e saj territoriale. Me këto vendime
u bashkua gjatë muajve shkurt-mars popullsia e Prizrenit,
e Dibrës, e Drenicës dhe e Llapit, që i deklaroi
Portës së Lartë se do të kundërshtonte
me armë nëse kërkesat e shqiptarëve nuk
do të merreshin parasysh.
Sulltani nxori një qarkore, që u shpërnda në
qendrat kryesore të vendit, në të cilën
u bënte thirrje shqiptarëve të nënshtroheshin
e të mos ngrinin krye, ndërsa në fundin e shkurtit
të vitit 1903, po për këtë qëllim,
u dërguan në Pejë, në Gjakovë, në
Rekë, në Shkup e në qytete të tjera të
Kosovës komisione të posaçme. Megjithatë,
këto përpjekje nuk dhanë rezultat.
Po kështu dështuan orvatjet, që inspektori
i përgjithshëm i Rumelisë, Hilmi Pasha, bëri
po në shkurt të atij viti, për ti bindur
personalisht krerët shqiptarë të pranonin reformat
e shpallura. Atdhetarët shqiptarë i deklaruan atij
se nuk janë kundër reformave, por kundër përpjekjeve
që po bëheshin nëpërmjet tyre për
të copëtuar atdheun e tyre. Ata kërkuan njëkohësisht
zbatimin në vilajetet shqiptare të disa masave me
karakter kombëtar, siç ishin njohja zyrtare e
kombësisë shqiptare, e drejta e mësimit dhe
e lëvrimit të gjuhës amtare, futja e saj në
ceremonitë fetare, emërimi i nëpunësve
shqiptarë nga njerëzit e aftë, përdorimi
i një pjese të taksave të nxjerra në Shqipëri
për ngritjen e shkollave, amnisti për të burgosurit
politikë, ndalimi i të huajve që të përziheshin
në punët e katër vilajeteve shqiptare etj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë,
Tefik Pasha, duke njohur aspiratat kombëtare të
shqiptarëve, në shkurt të vitit 1903 u kumtoi
përfaqësuesve të huaj diplomatikë se asnjë
formë qeverisjeje nuk do ti kënaqte shqiptarët,
veç asaj që do të mbështetej në
autonominë e viseve të tyre. Kërkesat kombëtare
të shqiptarëve tërhoqën në atë
kohë vëmendjen e përfaqësuesve të
huaj konsullorë në Shqipëri. Në Promemorjen
mbi Shqipërinë prej vitit 1901 deri më 1905,
hartuar në Vjenë nga Kral, theksohej se shqiptarët,
më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit,
dëshirojnë zbatimin e reformave në atdheun
e tyre të prapambetur, se ata kundërshtojnë
ato masa që, sipas bindjes së tyre, kanë për
qëllim shkombëtarizimin, copëtimin dhe dobësimin
e racës së tyre dhe që do ta ngushtonin
tokën e tyre nacionale. Edhe kërkesa e shqiptarëve
për hapjen e shkollave shqipe, thuhej në këtë
dokument, përveç rëndësisë që
ka për zgjimin kombëtar të shqiptarëve,
është një conditio sine qua non për çdo
reformë serioze, që synon me të vërtetë
përparimin e Shqipërisë.
Shqiptarët u qëndruan me armë ndërhyrjeve
të Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë
në Shqipëri. Në mars të vitit 1903 mijëra
shqiptarë të armatosur u grumbulluan në rrethet
e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë
zonën midis Gjakovës e Pejës. Më 26 mars
rreth 5 000 kryengritës u mblodhën në Drenicë,
ku, nën drejtimin e udhëheqësve të tyre
Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në Fushë
të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin
u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga
reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë
dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Më
29 mars rreth 10 000 shqiptarë nga Vuçiterna,
Prishtina e Mitrovica u grumbulluan në Vuçiternë,
ku pati përleshje të armatosura me forcat qeveritare.
Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet
e Mitrovicës, ku më 30 mars u përqendruan 2
000 - 3 000 kryengritës, të cilët, ashtu si
në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër reformave
që po dëmtonin interesat e atdheut. Ngjarjet
e Mitrovicës e ndërlikuan gjendjen në Kosovë
e në gjithë Rumelinë dhe e vunë Stambollin
nën trysninë e Fuqive të Mëdha, sidomos
të Rusisë, e cila, nëpërmjet ministrit
të Punëve të Jashtme Zinovjev, disa herë
kërkoi nga Porta e Lartë të shtypte me forcë
qëndresën e shqiptarëve. Konsulli rus në
Mitrovicë, Shçerbin, në kundërshtim
me funksionet e tij diplomatike, duke qarkulluar në llogoret
e ushtrisë e të artilerisë turke, i nxiste
ato dhe komandantët e tyre të sulmonin sa më
parë shqiptarët.
Më 30 mars 1903 autoritetet osmane, sipas vendimit që
ishte marrë në Stamboll, urdhëruan garnizonin
e Mitrovicës dhe forcat e artilerisë të sulmonin
kryengritësit. Megjithëse u vunë nën breshërinë
e predhave të artilerisë, shqiptarët u përleshën
për 2 orë të tëra me ushtrinë osmane.
Më shumë se 200 shqiptarë mbetën të
vrarë në hyrjet e qytetit, ndërsa forcat e
tjera u detyruan të tërhiqeshin. Të nesërmen,
më 1 prill, u vra në Mitrovicë gjatë një
ceremonie ushtarake, nga një ushtar shqiptar, konsulli
rus Shçerbin. Atentatori (Ibrahim Gjilani) e quajti
konsullin fajtor që kishte urdhëruar ushtrinë
turke të qëllonte mbi shqiptarët, bashkatdhetarë
të tij.
Lëvizja kryengritëse në Shqipëri kërcënonte
të prishte status quo-në në Ballkan. Prandaj
Rusia dhe Austro-Hungaria, gjatë gjysmës së
parë të prillit 1903, i kërkuan disa herë
Portës së Lartë që, për të shmangur
ndërlikimet në Ballkan, të merrte masat
e domosdoshme dhe sa më energjike kundër revolucionarëve
shqiptarë, të shtypte kryengritjen shqiptare,
siç u quajtën në Evropë ngjarjet e marsit
të vitit 1903. Me këto veprime u bashkuan gjithashtu
Gjermania e Franca.
Në gjysmën e dytë të prillit të vitit
1903 valiu i Shkupit, Shaqir Pasha, shkoi me 20 batalione
ushtarësh e 8 bateri të artilerisë në
fillim në Ferizaj dhe më pas në Prizren, ku
bëri arrestime të shumta midis udhëheqësve
të lëvizjes, të cilët u dërguan pastaj
në Mosull e në Anadoll. Ushtri të tjera turke
(rreth 18 000 ushtarë), nën komandën e Shemsi
Pashës, u dyndën po në këtë kohë
në Gjakovë, në Pejë, në Mitrovicë
e në Prishtinë, ku u përleshën me forcat
kryengritëse vendase.
Më 30 prill ushtria osmane, e komanduar nga Omer Ruzhdi
Pasha, nga valiu i Kosovës Shaqir Pasha dhe nga Shemsi
Pasha, pasi doli nga Gjakova, u ndesh me kryengritësit
në katundin Skovjan. Gjatë përleshjes, që
vazhdoi 12 orë, ushtria turke la shumë të vrarë
e robër. Pas tërheqjes së kryengritësve
në pllajat përreth, ushtria shkatërroi fshatra
të tëra midis Prizrenit e Gjakovës dhe shkretoi
arat e mbjella. Përfaqësuesit e huaj konsullorë
në Kosovë theksojnë në relacionet e tyre,
se dëme të tilla nuk i ishin bërë popullsisë
së kësaj treve qysh nga koha e shtypjes së
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe se pasojat e tyre
shqiptarët do t´i ndienin për shumë kohë.
Në ditët e para të majit ushtria osmane shtypi
edhe vatrën e fundit të qëndresës së
shqiptarëve, Pejën. Më 3 maj sulltani e njoftoi
Zinovjevin, që kërkonte informata të vazhdueshme
për veprimet e ushtrisë në Shqipëri, se
trupat turke morën edhe Pejën. Vetëm në
Gjakovë e në Pejë komanda turke arrestoi 47
udhëheqës të kryengritjes shqiptare. Në
fundin e majit midis Prizrenit, Gjakovës e Pejës
ishin përqendruar 44 batalione, me 10 bateri artilerie,
gjithsej 33 000 ushtarë.
Gazeta Drita shkruante në atë kohë
për egërsinë e turqve në Mitrovicë,
ku u vranë rreth 300 shqiptarë, për ekspeditat
ndëshkimore të Ruzhdi Pashës, Shemsi Pashës
etj., që vranë gra, pleq e foshnja dhe çuan
në internim qindra shqiptarë. Në një
thirrje që kjo gazetë u drejtonte shteteve të
Evropës në mars të vitit 1903, kërkonte
që të zbatoheshin në Shqipëri reforma
të tilla, të cilat të siguronin njohjen zyrtare
të kombësisë shqiptare, hapjen e shkollave
në gjuhën shqipe dhe futjen e saj në ceremonitë
fetare në kisha, amnisti për të burgosurit
politikë, emërimin e një përfaqësuesi
të popullsisë shqiptare në komisionin e reformave
etj.
Reformat e parashikuara nga projekti austro-rus i shkurtit
të 1903, nuk kënaqën as popullsinë maqedone.
Për më tepër, Porta po e zvarriste zbatimin
e tyre. Ndërkaq, në Maqedoni gjendja e popullsisë
u bë e padurueshme dhe i dha shkas shpërthimit të
kryengritjes në pranverën e vitit 1903, që
u përhap në disa qendra (në rrethet e Ohrit,
Kosturit, Serezit etj.) ku, bashkë me banorët vendës,
luftuan kundër ushtrisë osmane edhe çetat
e armatosura, të dërguara nga Bullgaria dhe të
organizuara nga komitetet bullgaro-maqedone. Me gjithë
masat e egra të terrorit qeveria osmane nuk mundi ta
likujdonte lëvizjen çlirimtare të popullsisë
sllave-maqedone. Më 2 gusht të vitit 1903, shpërtheu
në rrethinat e Manastirit, Kryengritja e Ilindenit (dita
e Shën Ilisë), që shpalli si qellim kryesor
çlirimin e popullit maqedon nga robëria osmane.
Po në këtë ditë u çlirua qyteti
i Krushevës, ku u shpall edhe Republika e Krushevës,
kryetar i së cilës u caktua Nikolla Karev, komandant
i shtabit të kryengritjes në këtë qytet.
Më pas kryengritja u shtri në Traki, në vilajetin
e Selanikut dhe vijoi 3 muaj, deri në fund të tetorit.
Kryengritja u përkrah nga popullsia shqiptare e trevave
lindore, e Krushevës me rrethinat e saj, nga popullsia
shqiptare e Shkupit, e Tetovës, e Gostivarit, e Dibrës,
dhe e Strugës. Ndërsa atdhetarët shqiptarë
të Manastirit, të Prespës, të Strugës,
të Pogradecit dhe të qendrave të tjera, furnizuan
çetat maqedone me armë e me municione. Një
bashkëpunim i ngushtë u vendos ndërmjet çetave
shqiptare dhe kryengritësve maqedonë. Ata u ndihmuan
edhe nga Themistokli Gërmenji, që jetonte në
Manastir e që mbante lidhje me revolucionarët maqedonë.
Për shkak të kontributit që dhanë në
Kryengritjen e Ilindenit, shqiptarët zunë një
vend të rëndësishëm edhe në organet
drejtuese që u krijuan gjatë saj. Kështu nga
60 anëtarë të Këshillit apo të Kuvendit
të Republikës së Krushevës, që u
formua në këtë qytet, 20 ishin maqedonë,
20 shqiptarë dhe 20 të tjerë vllehë. Organi
ekzekutiv i kësaj republike që doli prej tij si
një lloj qeverie e përkohshme përbëhej
nga 2 maqedonë, 2 shqiptarë (Gjorgji Çaçi
dhe Nikolla Balo), dhe 2 vllehë, gjithsej nga 6 anëtarë.
Kryetar i saj ishte shqiptari Vangjel Dino. Edhe Manifesti
i Krushevës, që u shpall në fillim të
gushtit, u bënte thirrje të gjitha kombësive,
e në radhë të parë shqiptarëve, që
të bashkoheshin me kryengritësit në luftën
kundër armikut të përbashkët, sunduesve
osmanë.
Kryengritja e Ilindenit u shtyp me egërsinë më
të madhe nga Porta e Lartë. Ajo hodhi kundër
saj rreth 200 000 ushtarë, të cilët bënë
reprezalje të shumta ndaj kryengritësve dhe popullsisë,
dogjën e rënuan fshatra të tëra.
Shtypi shqiptar përkrahu luftën çlirimtare
të popullsisë sllave-maqedone kundër zgjedhës
osmane, dënoi me zemërim terrorin turk dhe reformat
gjysmake të sulltanit, të cilat, sikurse shprehej
ai në artikujt e botuar ato ditë, i sollën
shkatërrime, vaj e varfëri popullit të thjeshtë.
Aty i bëhej thirrje popullit shqiptar që të
bashkohej me maqedonët dhe me ta të kërkonte
lirinë kundër armikut të përbashkët,
qeverisë së sulltanit.
Programi i reformave i Myrcshtegut (22 tetor 1903) dhe kryengritjet
shqiptare të vitit 1904
Kryengritja e Ilindenit dhe shtypja e saj nga ushtritë
osmane, u dha shkak Fuqive të Mëdha të ndërhynin
përsëri në të ashtuquajturën çështje
maqedone. Më 22 tetor 1903 Austro-Hungaria dhe Rusia,
që njiheshin edhe nga Fuqitë e tjera të Mëdha
si shtetet më të interesuara në këtë
zonë, i paraqitën Portës së Lartë
një program tjetër reformash për tri të
ashtuquajturat vilajete maqedone, që ishte
rezultat i marrëveshjes ndërmjet perandorit austriak
dhe atij rus në Myrcshteg (Austri). Meqë Koncerti
evropian shihej si një mekanizëm më i
ndërlikuar për tu vënë në veprim,
Fuqitë e Mëdha parapëlqyen tu jepnin
mandatin për reformat Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Programi i ri u ndërmor për të mbrojtur
popullsitë krishtere nga dhuna osmane, ndërsa
qëllimi kryesor i Fuqive të Mëdha ishte të
shmangnin çdo mundësi për çrregullime
e turbullira (me të cilat nënkuptoheshin lëvizjet
kryengritëse çlirimtare në Turqinë Evropiane)
dhe për çdo ndërhyrje të Bullgarisë,
të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë,
që rrezikonte të cenonte ekuilibrin e vendosur në
këtë zonë dhe paqen e përgjithshme në
Evropë. Në kushtet e krijuara në Turqinë
Evropiane në vitin 1903, nuk përjashtohej edhe një
mundësi tjetër, ajo e një ndërhyrjeje
ushtarake ruse a austriake, ose e të dyja fuqive në
këtë zonë.
Marrëveshja e Myrcshtegut u quajt nga ministri i Punëve
të Jashtme të Austro-Hungarisë, Golluhovski,
një aleancë e përzemërt ndërmjet
dy vendeve, që kishte për qëllim të ruante
status quo-në në Ballkan dhe të siguronte një
zgjidhje paqësore të problemeve të kësaj
zone. Ai deklaroi se këto dy fuqi nuk synonin të
vendosnin ndonjë ndikim mbizotërues këtu por,
në të njëjtën kohë, nuk do të
lejonin që një gjë të tillë ta bënte
ndonjë shtet tjetër.
Golluhovski pranonte gjithashtu se programi i Myrcshtegut
përbënte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë
të Austro-Hungarisë e të Rusisë në
Turqinë Evropiane, e cila, nëse Porta e Lartë
nuk do të bashkëpunonte me to, do të vazhdonte
dhe mund të sillte pasoja të rënda për
Perandorinë Osmane. Duke caktuar, sipas këtij programi,
pranë inspektorit të përgjithshëm, Hysen
Hilmi pashës, dy nëpunës civilë, një
rus dhe një austriak, që do të vëzhgonin
zbatimin e reformave dhe gjendjen në Maqedoni, Vjena
e Peterburgu vinin nën kontrollin e tyre vilajetet e
ashtuquajtura maqedone, të Kosovës,
të Manastirit e të Selanikut. Projekti parashikonte
gjithashtu riorganizimin e xhandarmërisë, për
të cilën ngarkoheshin si komandant një gjeneral
(që u vendos të ishte italian) dhe oficerë
të huaj, si edhe krijimin e komisioneve që do të
merreshin me shqyrtimin e problemeve politike; këto komisione
do të përbëheshin nga përfaqësues
konsullorë të të dy fuqive dhe të popullsisë
së krishtere e myslimane të të tri vilajeteve.
Ndërkaq, për të shmangur një ashpërsim
të mëtejshëm të kontradiktave ndërmjet
Fuqive të Mëdha, territori në të cilin
do të zbatoheshin reformat u nda në 5 zona (të
Serezit, të Dhramës, të Selanikut, të
Shkupit dhe të Manastirit), në çdonjërën
prej të cilave u vendosën respektivisht oficerët
e huaj, francezë, anglezë, rusë, austriakë
dhe italianë.
Projekti austro-rus i reformave dhe përgjithësisht
ndërhyrjet e huaja në territoret shqiptare, i dhanë
një shtytje të re lëvizjes kryengritëse
në Shqipëri. Shqiptarët u ngritën përsëri
kundër reformave, që cenonin tërësinë
territoriale të atdheut. Pakënaqësia e popullsisë
u shtua edhe për shkak se Porta e Lartë, në
emër të reformave, vendosi taksa të reja dhe
dërgoi në Shqipëri ushtri të shumta për
vjeljen e tyre dhe për zbatimin e reformave.
Ndonëse nuk ishte e organizuar në përmasa kombëtare
dhe u zhvillua në formën e kryengritjeve lokale,
që nuk udhëhiqeshin nga një qendër e vetme,
lëvizja shqiptare e vitit 1904, ose siç u quajt
që në atë kohë kryengritja shqiptare kishte
një objektiv të përbashkët, ishte drejtuar
kundër zgjedhës osmane e ndërhyrjeve të
reja, që Fuqitë e Mëdha ndërmorën
në Shqipëri në fund të vitit 1903 dhe
në fillim të vitit 1904. Edhe kërkesat që
kryengritësit parashtruan në vatrat e ndryshme të
saj ishin të njëjta dhe përgjithësisht
kishin karakter kombëtar, synonin të siguronin autonominë
e Shqipërisë. Revista Albania (Londër,
1904) e Faik Konicës botoi në numrin 2 të saj
programin e kryengritjes, ku rendiste, përveç
çështjeve të tilla si kundërshtimi i
zbatimit të reformave, tërheqja e ushtrisë
osmane nga Kosova dhe lirimi i të burgosurve politikë,
edhe çështjen e autonomisë ose të veturdhërimit
të Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit.
Kërkesën e formimit të një Shqipërie
autonome nëpërmjet bashkimit të vilajeteve
të Kosovës, të Shkodrës, të Manastririt
e të Janinës, ia atribuon kryengritjes shqiptare
të vitit 1904 edhe autori serb Pavël Orloviç,
në punimin e tij Serbia e Vjetër dhe shqiptarët
(Stara Serbija i arbanasi, Beograd, 1904).
Në shkurt të vitit 1904 kryengritja përfshiu
Gjakovën, Pejën, Lumën, Rekën, rrethet
e Mitrovicës dhe qendra të tjera. Vatra kryesore
e saj u bë Gjakova, në rrethet e së cilës
në fillim të shkurtit u grumbulluan 5 000-6 000
kryengritës, të drejtuar nga Sulejman Batusha, që
sulmuan garnizonin dhe u përpoqën të hynin
në qytet. Me kryengritësit gjakovarë u bashkua
shumë shpejt popullsia e Pejës, që lidhi besën
me ta. Edhe mirditorët u treguan të gatshëm
të niseshin për në Gjakovë e Pejë
për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre kosovarë.
Për të shtypur lëvizjen qeveria turke dërgoi
forca të mëdha ushtarake, të komanduara nga
Shemsi Pasha i njohur për egërsinë e tij kundër
shqiptarëve. Vetëm në Gjakovë u dërguan
10 batalione, me artileri fushore e malore, të cilat
më 12 shkurt u ndeshën në veriperëndim
të këtij qyteti, në katundin Batushë,
me 2 000 kryengritës, që i shkaktuan humbje ushtrisë
osmane të Shemsi Pashës dhe e gozhduan atë
në vend. Veprimet luftarake u shoqëruan me mbledhjen
me forcë të taksave nga popullsia dhe me shkatërrimin
e fshatrave të tëra të kësaj treve.
Më 21 shkurt u hodh në kryengritje popullsia e qytetit
të Pejës, që rrëmbeu armët dhe iu
kundërvu ushtrisë osmane, ndërsa orvatjet e
bajraktarëve të Rugovës për të bashkuar
popullsinë e kësaj zone me kryengritësit e
Pejës u penguan për një kohë nga komanda
ushtarake osmane. Ndërkaq Porta e Lartë hodhi kundër
kryengritësve ushtri të tjera, gjithsej 25 batalione,
që drejtoheshin nga vetë valiu i Kosovës, Shaqir
Pasha.
Në fillim të marsit kryengritja u shtri në
sanxhakun e Prizrenit dhe sidomos në kazanë e Lumës,
ku në krye të lëvizjes u vu Ramadan Zaskoku,
ish-kapiten i xhandarmërisë. Me disa ndërprerje
kryengritja vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1904.
Gjatë muajve mars-prill u përfshi në lëvizje
edhe Mitrovica me rrethina, që u bë qendër
e mbledhjeve të fshehta për organizimin e qëndresës
kundër reformave dhe kundër çarmatimit të
shqiptarëve. Përfaqësuesit e popullsisë
së Mitrovicës hynë në lidhje me shqiptarët
e Prishtinës, të Vuçiternës, të
Gjilanit dhe të Pazarit të Ri (Novi Pazarit) për
të vendosur një qëndrim të përbashkët
lidhur me reformat.
Më 30 qershor u dërgua në Pejë valiu i
Kosovës, Shaqir Pasha. Gjatë bisedimeve që
zhvilloi me përfaqësuesit e 2 000 kryengritësve
të mbledhur në këtë qytet, krerët
shqiptarë kërkuan, krahas lehtësirave në
vjeljen e taksave, edhe lirimin e gjithë të burgosurve
politikë, të arrestuar për shkak të pjesëmarrjes
në kryengritjen kundërosmane. Valiu u premtoi shqiptarëve
se do të plotësonte kërkesat e tyre.
Në gusht-shtator të vitit 1904, pas një rënieje
të përkohshme, u rigjallërua qëndresa
e armatosur në krahinat midis Pejës, Gjakovës
e Prizrenit. Në gusht lumjanët sulmuan Prizrenin
dhe e shtinë në dorë, ndërsa në shtator
kryengritësit morën Pejën. Për të
shtypur kryengritjen shqiptare u dërguan në rajonin
e Prizrenit forca të reja ushtarake, rreth 5 batalione,
por ato nuk qenë të mjaftueshme për të
vendosur qetësinë në këtë trevë.
Më 8 shtator shkoi në Prizren valiu Shaqir Pasha,
i cili u premtoi shqiptarëve se do të plotësonte
kërkesën për të liruar kryengritësit
e arrestuar, do t´u jepte krerëve grada e pensione,
por nuk pranoi të anulonte reformat në gjykata,
në xhandarmëri dhe në polici. Pas kësaj,
në fund të shtatorit, kryengritësit u tërhoqën
nga Prizreni e Peja dhe u shpërndanë.
Megjithëse u shtypën, kryengritjet shqiptare të
viteve 1903-1904 i detyruan Fuqitë e Mëdha të
bënin ndryshime në caktimin e zonave ku do të
zbatoheshin reformat. Qysh në janar të vitit 1904
Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar, i ngarkuar për
të caktuar territoret ku do të zbatoheshin reformat,
shqyrtoi çështjen e organizimit të një
sanxhaku shqiptar në vilajetin e Kosovës, i cili
do të përjashtohej nga zona e reformave dhe do të
përbëhej nga rrethet ku shqiptarët përbënin
shumicën dërrmuese të popullsisë, do të
shtrihej nga Kaçaniku në jug e deri në Kollashin
në veri, duke përfshirë edhe Pazarin e Ri e
Plevlën. Formimi i një sanxhaku të tillë
shqiptar do të sillte njohjen zyrtare nga Fuqitë
e Mëdha të përkatësisë etnike shqiptare
të shumicës së territoreve të vilajetit
të Kosovës, që binte ndesh me pretendimet e
Beogradit për Kosovën si tokë serbe.
Pas protestave që Serbia dhe posaçërisht
N. Pashiçi bëri pranë Peterburgut, përfaqësuesi
i Rusisë në Komisionin e reformave, i përkrahur
edhe nga ai i Italisë, arritën të mënjanonin
organizimin e sanxhakut shqiptar të Kosovës.
Pas kësaj Austro-Hungaria kërkoi që nga reformat
të përjashtoheshin jo vetëm vilajeti i Shkodrës
dhe ai i Janinës, por edhe tokat shqiptare të vilajeteve
të Kosovës e të Manastirit. Ky propozim u bë
si rrjedhim i qëndresës së shqiptarëve,
por edhe për shkak të synimeve të Vjenës
për të parandaluar ndërhyrjen e partnerëve
të saj (sidomos të Italisë) në këto
territore të Shqipërisë. Si pasojë, Komisioni
Ushtarak Ndërkombëtar vendosi, në shkurt të
vitit 1904, të përjashtoheshin përkohësisht
nga reformat krahinat perëndimore të vilajeteve
të Manastirit e të Kosovës, në të
cilat shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë;
bëhej fjalë pikërisht për sanxhakun e
Korçës (me përjashtim të kazasë
së Kosturit), për sanxhakun e Elbasanit, për
pjesën perëndimore të kazasë së Ohrit,
për gjithë sanxhakun e Dibrës, për atë
të Prizrenit, për pjesën jugore e perëndimore
të sanxhakut të Pejës dhe për kazatë
e Plevlies e të Senicës në sanxhakun e Pazarit
të Ri. Gjatë zbatimit të reformave u la jashtë
tyre dhe nuk u përfshi në asnjërën prej
zonave të Fuqive të Mëdha edhe sanxhaku i Prishtinës,
një nga më të mëdhenjtë e vilajetit
të Kosovës, ku shumica dërrmuese e popullsisë
ishte gjithashtu shqiptare. Ky ishte në të vërtetë
një pranim (ndonëse jo i drejtpërdrejtë)
nga Fuqitë e Mëdha i karakterit etnik shqiptar të
të gjitha këtyre territoreve, (domethënë
të vilajetit të Kosovës dhe të krahinave
perëndimore të vilajetit të Manastirit) që
shënoi njëherazi një fitore të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare.
2. KOMITETET PËR LIRINË E SHQIPËRISË.
LUFTA E ARMATOSUR E ÇETAVE
(1905-1908)
Themelimi i komiteteve Për lirinë e Shqipërisë
dhe programi i tyre (1905)
Në vitin 1905 lëvizja kombëtare filloi të
merrte forma të reja organizimi, që u përcaktuan
si nga nevojat e brendshme të zhvillimit të saj,
ashtu edhe nga rrethanat e jashtme të krijuara në
Ballkan e në mënyrë të veçantë
në Turqinë evropiane pas marrëveshjes së
Myrcshtegut.
Vendimet e Myrcshtegut nuk arritën të mënjanonin
përfundimisht kundërthëniet ndërmjet shteteve
evropiane për ndikimin në Ballkan, sidomos rivalitetin
italo-austriak në Shqipëri. Roma nuk mund të
pajtohej me epërsinë që Vjena siguroi, së
bashku me Rusinë, në aksionin e reformave në
Maqedoni. Në takimet e ministrave të Jashtëm
të të dy vendeve (në Abacie të Italisë
në prill 1904 dhe në Venecie në prill 1905),
Vjena e Roma ripohuan se do të ruanin status quo-në
në Ballkan. Lidhur me çështjen shqiptare,
në takimin e Venecies të dyja palët arritën
në përfundimin që, në rast se zhvillimi
i ngjarjeve do ta bënte të pamundur ruajtjen e status
quo-së dhe do të vendosej një organizim i ri
në Maqedoni (me të cilën nënkuptonin vilajetet
e Selanikut, të Manastirit e të Kosovës), viset
e banuara nga popullsia shqiptare (që u përjashtuan
në vitin 1904 nga reformat) do të veçoheshin
prej saj dhe do të bashkoheshin me vilajetet e Shkodrës
e të Janinës për të formuar një njësi
të vetme (territoriale) me to.
Ky orientim i Italisë dhe i Austro-Hungarisë shkaktoi
shqetësime në qarqet politike drejtuese të
Beogradit e të Sofjes. Në prill të vitit 1904
u lidh Traktati i Aleancës ndërmjet Serbisë
e Bullgarisë për ndarjen e territoreve shqiptare
e maqedone të Turqisë Evropiane, që do të
kryhej me arbitrazhin e Rusisë.
Shtetet ballkanike u nxitën për të ndërhyrë
në Turqinë Evropiane edhe nga nyja 3 e marrëveshjes
së Myrcshtegut, sipas së cilës Turqisë
i kërkohej që, pasi të qetësohej gjendja
në këtë zonë, të bënte ndryshime
në kufijtë territorialë të njësive
administrative për të siguruar një grupim
më të mirë dhe më të rregullt të
kombësive të ndryshme. Kjo kërkesë,
e cila në parim ishte e drejtë, u bë burim
konfliktesh të reja ndërmjet qeverive ballkanike
dhe forcave politike të kombësive të krishtere
në Turqinë Evropiane.
Serbia, Bullgaria e Greqia filluan të botonin statistika
të tilla për përbërjen etnike të
popullsisë së të ashtuquajturave vilajete maqedone,
të cilat e shtrembëronin gjendjen reale dhe mund
të shërbenin si mbështetje për pretendimet
e tyre territoriale. Krejt të pavërteta e tendencioze
paraqiteshin të dhënat për popullsinë
e vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Manastirit
dhe të Janinës, në të cilat secili prej
shteteve fqinje pretendonte se kishte shumicën e banorëve.
U shtua veprimtaria e komiteteve dhe e bandave të hedhura
nga Bullgaria, nga Serbia e nga Greqia në Turqinë
Evropiane, që rifilluan përleshjet e përgjakshme
ndërmjet tyre dhe ushtruan trysni mbi popullsitë
e kësaj treve për të ndërruar me forcë
karakterin e tyre etnik dhe për të zgjeruar hapësirën
territoriale të kombësive serbe, bullgare e greke;
ato synonin të siguronin në këtë mënyrë,
kur të zbatohej nyja 3 e vendimeve të Myrcshtegut,
sanksionimin e këtyre ndryshimeve nga ana e Fuqive të
Mëdha.
Bandat vepronin sidomos në vilajetin e Selanikut, në
sanxhakun e Shkupit të vilajetit të Kosovës,
në sanxhakun e Manastirit, në sanxhakun e Korçës
dhe në pjesën jugore të vilajetit të Janinës,
në kufi me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare
osmane, gjatë viteve 1905-1907 bandat vrisnin çdo
vit në këta sanxhakë më shumë se
1 800 veta, një pjesë e mirë e të cilëve
ishin banorë të pafajshëm të atyre trevave.
Në këto territore i takonte mesatarisht një
i vrarë në 1 500 frymë.
Një kërcënim të drejtpërdrejtë
për shqiptarët përbënin bandat greke,
që filluan të vepronin në shkallë më
të gjerë në vitet 1904-1908, sidomos në
vilajetin e Janinës, ku u përpoqën me anë
të terrorit e të propagandës panheleniste,
në të cilën qenë angazhuar edhe dhespotët
grekë të kësaj treve, të largonin popullsinë
e Shqipërisë së Jugut nga lëvizja kombëtare.
Bandat greke ishin autore të veprave të shumta terroriste
që ndodhnin në vilajetin e Janinës, ndërsa
në shkurt të vitit 1905 një çetë
greke prej 40 vetash masakroi në mënyrën më
barbare, në fshatin Negovan, priftin e poetin atdhetar
Papa Kristo Negovani, së bashku me disa bashkëfshatarë
të tij, sepse përhapnin shkrimin shqip dhe idetë
kombëtare në përgjithësi. Ky krim shkaktoi
një zemërim të thellë jo vetëm tek
intelektualët atdhetarë, por edhe te populli shqiptar
në përgjithësi, që e quante këtë
veprim si një sulm të hapur dhe të organizuar
të qarqeve politike greke kundër Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare.
Në rrethana të tilla, përjashtimi nga reformat
i pjesës më të madhe të tokave shqiptare
të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit,
si edhe i të gjithë vilajetit të Shkodrës
dhe të Janinës, nuk qe i mjaftueshëm për
të siguruar tërësinë territoriale të
Shqipërisë. Rritja e ndikimit të ideve të
çlirimit kombëtar, të propaganduara nga qarqet
atdhetare brenda vendit, si edhe nevoja e vetëmbrojtjes
nga ndërhyrjet e shteteve fqinje dhe nga terrori i bandave
të tyre në tokat shqiptare, bënë të
domosdoshëm riorganizimin e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare mbi themele të reja. U shtrua kështu si
një nevojë e ngutshme formimi, sipas shembullit
të popujve të Evropës e të Ballkanit,
i një organizate politike të fshehtë, qendrore
dhe të përgjithshme, që të bashkërendiste
veprimet e të gjitha shoqërive dhe të atdhetarëve
sipas një programi të njëjtë, të
ripohonte me rrugën e luftës së armatosur e
të organizuar të drejtat e kombit shqiptar në
trojet e veta dhe ti detyronte Turqinë dhe shtetet
evropiane ti njihte ato.
Në lëvizjen kombëtare kishte filluar tani të
aktivizohej dhe të ushtronte ndikim të fuqishëm
një brez i tërë atdhetarësh me pikëpamje
radikale, që ishin kryesisht intelektualë, gazetarë
e botues të organeve të shtypit shqiptar, mësues
të shkollave turke, nëpunës të aparatit
shtetëror, njerëz të profesioneve të ndryshme,
që rridhnin nga borgjezia e nga bejlerët patriotë,
por edhe nga borgjezia e vogël e qytetit dhe e fshatit,
nga vegjëlia, siç shprehej shtypi i kohës.
Përfaqësuesit e këtij brezi intelektualësh
morën këtë herë nismën për krijimin
e një organizate të fshehtë. Pas takimeve e
diskutimeve që atdhetarët shqiptarë bënë
në Dibër, në Elbasan, në Tiranë e
në qytete të tjera, në nëntor të
vitit 1905, me nismën dhe nën kryesinë e patriotit
Bajram (Bajo) Topulli, nëndrejtor i gjimnazit turk të
Manastirit, u formua këtu komiteti i fshehtë shqiptar
me emrin Për lirinë e Shqipërisë,
që shënoi fillimin e një organizate të
përgjithshme kombëtare. Themelues e anëtarë
të tij ishin gjithashtu Halit Bërzeshta, kolonel
dhe shef i shërbimit farmaceutik të Korparmatës
III, Fehim Zavalani, pronar, Sejfi Vllamasi (Novosela), veteriner
i qytetit të Manastirit, Gjergj Qiriazi, përkthyes
i konsullatës austriake në atë qytet dhe Jashar
Bitincka, mësues gjimnazi.
Komiteti doli me programin e vet politik, i cili u përgjigjej
kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
në atë periudhë. Sipas statutit (kanonizmës)
të Komitetit, botuar në Sofje, qëllimi i organizatës
ishte të ngjallurit e Shqipërisë duke
mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin;
duke përhapur udhën e qytetërimit me anë
të librave që do të shtypeshin; duke dërguar
njerëz nëpër gjithë anët e Shqipërisë
që të mbjellin këto mendime; duke mbajtur njerëz
maleve që të ndihnin në çdo mënyrë
për qëllime të komitetit edhe duke përdorur
çdo vegël për mbrothësinë e kombit
dhe të shpëtuarit nga zgjedha dhe errësira
në të cilën gjendet sot.
Statuti përmbante qëllimet më të përgjithshme
të Komitetit Për lirinë e Shqipërisë.
Por, siç dëshmojnë të dhënat e
tjera dokumentare, organizata e re shtroi si synim themelor
dhe më të fundit çlirimin e Shqipërisë
nga robëria osmane. Si detyra më të afërta
vlerësoheshin bashkimi i të gjitha forcave të
kombit për mbrojtjen e atdheut shqiptar nga rreziku
i jashtëm që i kanosej në atë periudhë,
njohja e shqiptarëve si komb i veçantë
dhe e gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare (zyrtare),
futja e saj në institucionet shtetërore e në
shkollat (mësonjëtoret) e gjithë Shqipërisë,
emërimi në vend vetëm i nëpunësve
shqiptarë etj. Si mjet kryesor për plotësimin
e këtyre kërkesave u quajt, përveç propagandës
kombëtare, krijimi i çetave atdhetare dhe lufta
e tyre e armatosur. Sipas kanonizmës, Komiteti parashikonte
të krijonte një organizatë të gjerë
ku të merrnin pjesë atdhetarët e vërtetë
shqiptarë, burra e gra. Për të shtrirë
veprimtarinë e tij në tërë vendin, Komiteti
i Manastirit, që u quajt Komiteti Qendror, dërgoi
përfaqësues në krahina të ndryshme të
Shqipërisë së Veriut, të Mesme e të
Jugut. Ai vendosi lidhje me dhjetëra atdhetarë shqiptarë
të viseve të ndryshme të Shqipërisë,
myslimanë e të krishterë, që përkrahën
programin e tij kombëtar.
Në fillim të vitit 1906 ishin krijuar komitete lokale
ose degë të Komitetit në mjaft qendra të
Shqipërisë, si në Shkup, Pejë, Gjakovë
(ku bënte pjesë edhe Bajram Curri), Prishtinë,
Tetovë, Dibër e në vende të tjera. Ndihmesë
të veçantë për ngritjen e degëve
të Komitetit në vilajetin e Kosovës dha Idriz
Gjakova (Soroviçi), që ishte dërguar atje
nga Komiteti i Manastirit. Komiteti punoi gjithashtu për
ngritjen e degëve të veta në qytetet e vilajetit
të Janinës. Në pranverën e vitit 1906
një komitet i tillë vepronte në Janinë,
i cili, siç theksohej në dokumentet e administratës
osmane, qe themeluar me nismën e atdhetarëve të
viseve të Shqipërisë Perëndimore dhe kishte
bërë përparime të shumta në këtë
trevë të Shqipërisë.
Në mars-prill të vitit 1906, Komiteti i Manastirit
kishte vendosur marrëdhënie me shoqëritë
patriotike jashtë atdheut, veçanërisht me
ato të Bukureshtit e të Sofjes, të cilat përkrahën
programin dhe veprimtarinë e tij.
Krahas librave e gazetave shqipe që sillte nga kolonitë
e Sofjes dhe të Bukureshtit, Komiteti i Manastirit shpërndau
në pranverën e vitit 1906, në qendrat më
të rëndësishme të Shqipërisë
së Veriut, të Mesme e të Jugut qarkore, në
të cilat bëhej fjalë për synimet e tij
për të siguruar autonominë, madje edhe pavarësinë
e Shqipërisë. Ne, - thuhej në një
nga këto akte të Komitetit, - jemi një popull
prej më tepër se 2 500 000 frymësh, ndaj nuk
duhet të privohemi nga kjo e drejtë.
Për të siguruar mbështetjen e një Fuqie
të Madhe, sikurse ishte Austro-Hungaria, drejtuesit e
Komitetit Për lirinë e Shqipërisë,
nëpërmjet konsullatës së saj në Manastir,
kërkuan nga Vjena që tu jepte ndihmë
materiale dhe përgjithësisht të përkrahte
veprimtarinë e tyre politike. Në pajtim me udhëzimet
që Golluhovski, ministër i Punëve të Jashtme,
u dha konsullatave austriake në Shqipëri, në
prill të vitit 1906, këto, për shkak
të qëllimeve revolucionare të Komitetit,
mbajtën një qëndrim të rezervuar dhe mjaft
të kujdesshëm ndaj tij. Ndërkaq, Vjena përkrahu
programin kulturor të Komitetit, i premtoi ndihma financiare
për të ngritur shkolla, për të paguar
trupën mësimore, për të botuar libra shqip,
për të mbajtur shkollën e vajzave në Korçë
dhe për të shtuar numrin e nxënëseve të
saj. Por në të njëjtën kohë i kërkoi
Komitetit që të mos dilte nga caqet e rrugës
paqësore dhe të mos përdorte mjetet e dhunës.
Qëndresa e armatosur kundërosmane e viteve 1905-1907.
Ngjarjet e Kurbinit
Me gjithë punën propagandistike dhe organizative,
komitetet Për lirinë e Shqipërisë
nuk arritën të përqendronin në duart e
veta udhëheqjen e lëvizjes në tërë
vendin. Në mjaft krahina, e sidomos në vilajetin
e Kosovës, vijuan lëvizjet spontane popullore kundër
zgjedhës osmane. Qysh në mars-prill të vitit
1905 ngriti krye popullsia e Pejës, e Gjakovës,
e Lumës dhe e Mitrovicës, që nuk pranoi të
paguante taksën mbi bagëtinë dhe kërkoi
nga Porta e Lartë të lironte të internuarit
politikë, të dërguar në Azinë e Vogël
dhe të mos lejonte të huajt të përziheshin
në atdheun e tyre, në Shqipëri.
Në dhjetor të vitit 1905 e në fillim të
vitit 1906 qëndresa kundërosmane mori përmasa
të reja, përfshiu Prizrenin me rrethina. Në
mesin e janarit të vitit 1906 vetëm në Gjakovë
qenë grumbulluar 2 000 burra të armatosur. Kryengritësit
vijuan të këmbëngulnin për lirimin e shqiptarëve
të internuar gjatë lëvizjes së viteve
1903-1905 dhe kundërshtuan reformat që do ti
hapnin rrugën copëtimit të atdheut. Popullsia
shpresonte gjithashtu se Prizreni do të bëhej kryeqendër
e provincës që pritej të formohej nga territoret
thjesht shqiptare të vilajetit të Kosovës të
përjashtuara nga reformat. Shpallja nga Porta e Lartë
(në fundin e janarit të vitit 1906) e amnistisë
për të internuarit politikë, që ishin
nga Peja, Gjakova, Prizreni e Luma, e qetësoi përkohësisht
gjendjen në Kosovë.
Në pranverën e vitit 1906 lëvizja kryengritëse
përfshiu përsëri Kosovën, në fillim
Pejën e Gjakovën, për tu shtrirë
më pas në Vuçiternë, në Drenicë,
në Llap dhe në Plavë e Guci, ku popullsia kundërshtoi
të paguante taksat për bagëtinë, për
arsimin dhe për blerjen e armatimeve për ushtrinë
osmane. Karakter të ashpër morën ngjarjet në
Pejë. Gjatë përleshjeve të përgjakshme,
që u zhvilluan në muajin mars në kazanë
e Pejës ndërmjet kryengritësve e trupave osmane,
pati më shumë se 50 të vrarë dhe 200 të
plagosur nga të dyja palët. Në prill kryengritësit
mbyllën rrugën midis Prizrenit e Pejës. Ngjarje
të njëjta ndodhën në sanxhakun e Prishtinës
e veçanërisht në Vuçiternë, ku
popullsia e fshatrave të tëra (në mars të
vitit 1906) u ngrit kundër taksave të reja. Gjendja
në Vuçiternë u qetësua vetëm kur
Porta e Lartë, pas ndërhyrjes pranë saj të
Isa Boletinit (që në atë kohë ishte kthyer
nga internimi), premtoi se do të hiqte dorë nga
vjelja e taksave të reja.
Në gusht të vitit 1906 popullsia e Drenicës
dhe e fshatrave përreth, që vareshin nga kazaja
e Vuçiternës, ngriti krye e protestoi kundër
vjeljes së taksave për arsimin publik dhe për
blerjen e armatimeve. Drenicarët u kumtuan autoriteteve
osmane se ata nuk do ti shlyente këto detyrime,
derisa qeveria nuk pranonte të fuste arsimin në
gjuhën shqipe, ndërsa armët i përdorte
kundër shqiptarëve. Porta e Lartë për
të shtypur lëvizjen në Drenicë dërgoi
forca të reja ushtarake, të komanduara nga kolonel
Hasan Beu, me të cilin u bashkua më pas edhe Shemsi
Pasha, që nuk ngurroi të përdorte topat kundër
kryengritësve drenicarë, duke vrarë rreth 50
veta e duke plagosur 60 të tjerë.
Në pranverën e në verën e vitit 1906 pakënaqësia
në Shqipëri ishte bërë e përgjithshme.
Në vitet 1906-1907 u zhvillua qëndresa e popullsisë
së Krujës dhe e fshatrave të Kurbinit kundër
zgjedhës fiskale osmane. Duke qenë në gjendje
të mjerueshme ekonomike, popullsia e këtyre rretheve
nuk pranoi të paguante taksën për bagëtinë,
për shërbimin ushtarak (bedel-i askerie), si dhe
detyrimin e të dhjetës, që qeveria turke po
këmbëngulte ti vilte qysh në vjeshtën
e vitit 1905. Ky vendim u mor në mbledhjen që përfaqësuesit
e parisë e të vegjëlisë së popullsisë
katolike të Kurbinit mbajtën në gusht të
vitit 1906 në katundin Delbinisht, ku morën pjesë
edhe dom Nikollë Kaçorri e at Shtjefën Gjeçovi.
Me kurbinasit u bashkuan banorët e Kthellës, të
Ranzës, të Malësisë së Lezhës,
të Lurës, të Bregut të Matit, si edhe
popullsia myslimane e Krujës.
Edhe pse lëvizja kishte karakter paqësor, valiu
i Shkodrës, Sali Zeki pasha, për ta detyruar me
forcë popullsinë katolike e myslimane të paguante
taksat, në ditët e para të shtatorit të
vitit 1906 dërgoi në Kurbin e në Krujë
katër batalione ushtarësh, të pajisur me artileri
e të komanduara nga Shefki Beu, kajmekam i Durrësit.
Kur trupat osmane po u afroheshin fshatrave të Kurbinit
dhe të Krujës, popullsia e tyre, sidomos gratë
e fëmijët, për tu shpëtuar masakrave
u tërhoq në male, duke marrë me vete edhe bagëtinë.
Kurbinasit u strehuan në Ranzë, në Kthellë,
në Malësinë e Lezhës e në Mirditë.
Popullsia e fshatrave katolike ose me shumicën popullsi
katolike (të Malit të Bardhë, të Skurajt,
të Milotit, të Laçit, të Zhejës),
të udhëhequr nga Gjin Pjetri, pa marrë parasysh
këshillat e arkipeshkvit të Durrësit, imzot
Biankit, që shkoi posaçërisht në Delbinisht
për të kërkuar prej tyre të mos përdornin
armët, në mesin e shtatorit të vitit 1906,
iu kundërvu ushtrisë osmane në Skuraj e në
Zhejë, ku u zhvilluan dy përleshje të ashpra
që zgjatën disa orë, pas të cilave forcat
osmane u detyruan të tërhiqeshin.
Autoritetet osmane, me qëllim që ta shtypnin më
lehtë lëvizjen, hynë në fillim në
bisedime me parinë myslimane të Krujës. Por
në takimin që u mbajt, në marrëveshje
me kajmakamin e kësaj kazaje, më 20 shtator 1906
në Tallajbe të Krujës, disa qindra përfaqësues
të popullsisë myslimane të këtij qyteti,
të Pezës e të Ishmit, u rrethuan dhe u goditën
pabesisht nga ushtria osmane, e cila vrau 30 prej tyre, duke
përfshirë këtu disa kryepleq të kësaj
zone, si edhe gra e fëmijë.
Më 1 tetor 1906 Shefki Beu, me qëllim që të
ndante myslimanët nga katolikët, filloi bisedimet
me parinë e Krujës. Pas masakrës së 20
shtatorit dhe premtimeve të autoriteteve osmane për
të lehtësuar banorët myslimanë nga taksa
e bagëtisë, më 23 tetor gjendja në Krujë
u qetësua dhe u rivendos autoriteti i administratës
turke në qytet.
Ndërkaq lufta vijoi në fshatrat e Kurbinit, ku popullsia
katolike nuk pranoi të nënshtrohej. Rreth 700 burra
të armatosur qëndronin përballë ushtrisë
osmane. Me ta u bashkuan edhe forca të tjera nga Kthella
fqinje, si edhe popullsia e krahinave malore përreth,
e Milotit, e Rrëshenit, e Pishkashit, e Lurës etj.,
shumica e së cilës ishte katolike. Me ndërmjetësinë
e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Kral, prifti
i Durrësit Nikollë Kaçori më 17 tetor
1906 siguroi marrëveshjen me valiun e Shkodrës,
sipas së cilës vendosej një shumë e kufizuar
dhe e caktuar më parë për çdo kategori
taksash. Kjo marrëveshje u pranua edhe nga kurbinasit,
por u shkel nga autoritetet osmane, që vijuan të
kërkonin vjeljen e plotë të taksave.
Më 26 tetor deri më 14 nëntor të vitit
1906 ushtria osmane ndërmori një ekspeditë
të re edhe më të ashpër ushtarake, gjatë
së cilës dogji e grabiti shtëpitë e Gegajt,
të Milotit, të Zhejës, të Laçit
e të Gjormit dhe shkretoi arat e tyre. Ushtria sulmoi
gjithashtu Malësinë e Lezhës, ku ishin strehuar
familjet e kurbinasve.
Kryengritësit i bënë ushtrisë osmane një
qëndresë të fuqishme, sidomos në Skuraj
ku luftimet zgjatën disa orë, si edhe te Shkalla
e Matit. Për të shmangur shpartallimin e plotë,
Shefki Beu, pasi la në këto vende disa dhjetëra
ushtarë të vrarë, më 14 nëntor u
tërhoq në fushën e Matit, duke mbajtur vetëm
disa pika të kontrollit të rrugëve. Kurbinasit,
edhe pse të kërcënuar nga të ftohtit,
uria e vdekja, vazhduan të rezistonin dhe të qëndronin
me familjet e tyre në male gjatë gjithë dimrit
të 1906-1907-s.
Ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, sidomos ato të
përfaqësuesve austro-hungarezë pranë qeverisë
së Stambollit, pas lutjeve të përsëritura
që popullsia e Kurbinit u bëri atyre në janar
e në shkurt të vitit 1907, nuk mbetën pa rezultat.
Por edhe Porta e Lartë, duke parë se me masa terrori
nuk po e thyente dot qëndresën e popullsisë
së Kurbinit dhe se zgjatja e kryengritjes në këtë
krahinë po ulte prestigjin e saj dhe po u jepte shkas
ndërhyrjeve të shteteve të huaja, vendosi tu
bëjë lëshime kurbinasve. Pas bisedimeve, që
zhvilloi në Shkodër me përfaqësuesit e
kryengritësve në fundin e prillit, valiu i ri i
kësaj province, Mustafa Hilmi Pasha, në ditët
e para të majit 1907 u premtoi kryengritësve se
sulltani u fal veprimet e tyre të armatosura, heq taksën
mbi bagëtinë, ul të gjitha taksat e tjera dhe
se qeveria do ti ndihmonte për rindërtimin
e shtëpive të djegura gjatë ekspeditave ushtarake.
Pas kësaj kurbinasit, që u siguruan për plotësimin
e kërkesave, u kthyen përsëri në fshatrat
e tyre.
Veprimtaria e çetave të armatosura (1906-1908)
Ndonëse kryengritjet popullore me karakter lokal vazhduan,
tipari themelor i lëvizjes kombëtare të viteve
1905-1908 ishte fillimi i organizimit të saj në
përmasa kombëtare, vendosja e një drejtimi
të njëjtë, që realizohej nga komitetet
Për lirinë e Shqipërisë, si
edhe krijimi i çetave të armatosura, të cilat
merreshin me përhapjen e ideve të çlirimit
kombëtar dhe me përgatitjen e popullit për
kryengritjen e përgjithshme. Komiteti Qendror Për
lirinë e Shqipërisë hartoi edhe Rregulloren
e çetave (Udhë-Rrëfenjësi i Trimave,
Komiteti Shqipërisë), ku, krahas programit
politik kombëtar, përcaktoheshin edhe rregullat
e organizimit, nga komitetet e pleqësitë të
zgjedhura prej tyre, të trupave të armatosura,
siç quheshin çetat në këtë dokument.
Sipas Udhë-Rrëfenjësit, çetat
do të përhapeshin në malet e Shqipërisë,
por do të kishin njësitë e tyre të armatosura
e të fshehta edhe në fshatrat e vendit. Do të
formohej kështu një ushtri kombëtare, e organizuar
me komandat e saj dhe e shtrirë në gjithë vendin,
që do të bashkonte në radhët e saj vullnetarisht
gjithë trimat shqiptarë, myslimanë
e të krishterë.
Vendimi për të krijuar çetat e para si njësi
lufte e të propagandës kombëtare u mor nga
Komiteti i Manastirit në janar të vitit 1906. Komiteti,
për mungesë të mjeteve financiare, nuk arriti
të armatoste qysh në fillim, siç e kishte
parashikuar, 500 luftëtarë në radhët e
çetave. Megjithatë formoi një varg çetash,
që vepronin në vise të ndryshme të vendit,
sidomos në Shqipërinë e Jugut e të Mesme.
Çeta e parë u krijua në prillin e vitit 1906
në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë
dhe e komanduar nga Bajram Topulli. Veprimet e saj u shtrinë
edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë,
Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit
të Janinës. Në Kolonjë u formuan gjithashtu
çetat e komanduara nga Fehim Zavalani e Sali Butka.
Çeta të tjera të armatosura, që përgjithësisht
ishin të vogla vepronin në pranverën e në
verën e vitit 1906 në rrethet e Beratit, të
Devollit, të Leskovikut e të Përmetit. Nga
një letër e Bajram Topullit kuptohet se në
maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes
së udhëhequr prej tij ishte i gjerë, shtrihej
në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë,
Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë,
Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende
të tjera.
E shqetësuar nga veprimtaria propagandistike e çetave,
qeveria turke mobilizoi për ndjekjen e tyre ushtarët
rezervistë. Përpjekja e parë serioze ndërmjet
çetave shqiptare dhe ushtrisë turke u bë
në maj të vitit 1906 afër Leskovikut.
Çetat shqiptare luftonin gjithashtu kundër bandave
të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët
shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin
dhe aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Përkundrejt
këtyre veprimeve dhe veçanërisht për
tu hakmarrë për masakrimin e atdhetarit Papa
Kristo Negovani e bashkëfshatarëve të tij,
çeta e Çerçiz Topullit në shtator
1906 vrau mitropolitin grek të Korçës, Fotin,
si një nga nxitësit e akteve të dhunshme të
bandave greke në sanxhakun e Korçës.
Edhe në sanxhakët e në kazatë e vilajeteve
të Kosovës e të Manastirit, si në atë
të Kumanovës, në fshatrat rreth Shkupit, në
rrethet e Ohrit, të Manastirit, të Dibrës etj.,
gjatë viteve 1905-1906 ishin ngritur çeta të
armatosura shqiptare, të cilat, ndonëse nuk ishin
të gjitha të organizuara nga komitetet Për
lirinë e Shqipërisë, ndiqnin po ato qëllime
atdhetare, mbronin bashkëkombësit e tyre nga dhuna
e bandave serbe e bullgare, që vepronin në këto
vise.
Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të
Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në
fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit,
Porta e Lartë theksonte se Komiteti Shqiptar, i formuar
në pjesën perëndimore të Shqipërisë,
ka shkuar shumë përpara në veprimtarinë
e tij dhe kërkonte që të merreshin informata
për të. Në korrik 1906 ajo ndërmori masa
të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve
të Komitetit të Manastirit. Midis të arrestuarve
pati edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak
të Manastirit dhe nëpunës të aparatit
shtetëror, që ishin bashkuar me Komitetin. Me urdhër
të sulltanit, në fundin e korrikut u arrestua dhe
u dërgua i lidhur në Stamboll Nafiz Beu nga Ohri,
kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati
shkuar fshehurazi për qëllimet e Komitetit në
Manastir, në Korçë, në Shkup e në
Tetovë. Në janar të vitit 1907 u shpallën
në gazetën zyrtare të vilajetit të Manastirit
emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin
e të arrestoheshin sa më parë, ndër të
cilët ishin Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir
Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili,
Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj.
Këto ndjekje të autoriteteve turke e vështirësuan
veprimtarinë e Komitetit të Manastirit si organ
qendror, i detyruan udhëheqësit e tij ta shpërngulnin
qendrën e vet në Bukuresht dhe të linin në
Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me
Bukureshtin. Në nëntor 1906 vëllezërit
Bajram e Çerçiz Topulli u detyruan të largoheshin
nga atdheu për në Sofje e Bukuresht. Në Bullgari
(Rusçuk) u vendos pas arratisjes edhe Idriz efendi
Gjakova.
Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre.
Në fundin e vitit 1906 u formuan katër çeta
të tjera, si ajo e komanduar nga Fejzo Dëshnica
(me 8 luftëtarë), që kaloi në rrethin
e Dibrës, ajo e Riza Beut (me 17 veta), që vepronte
në Kolonjë, e Apostol Kuçkovës (me 7
veta), që u hodh në rrethet e Prespës dhe e
Sait Efendiut (me 5 luftëtarë), në afërsi
të Korçës.
Në Sofje dhe në Bukuresht, ku qëndruan nga
nëntori i vitit 1906 deri në pranverën e vitit
1907, Bajo e Çerçiz Topulli, së bashku
me Nikolla Lakon, të përkrahur nga shoqëritë
atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo
Luarasi (në Sofje), nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako,
vëllezërit Zografi (në Bukuresht) dhe dr. Ibrahim
Temoja (në Kostancë) mbajtën një varg
mbledhjesh dhe morën masat për sigurimin e ndihmave
financiare për luftën e armatosur të çetave
në Shqipëri. Në prill 1907 Bajram Topulli po
për këtë qëllim shkoi në Paris, ndërsa
në korrik të atij viti në ShBA, ku me ndihmën
e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë
të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma
për Komitetin Për lirinë e Shqipërisë.
Shoqëritë atdhetare të Bostonit dhe të
Nju-Jorkut organizuan edhe mitingje proteste kundër terrorit
osman dhe dhunës së bandave të andartëve
grekë në Shqipëri. Mjete financiare për
Komitetin u grumbulluan edhe në koloninë shqiptare
të Kajros dhe të Egjiptit në përgjithësi.
Formimi i çetave dhe fillimi i luftës së
organizuar u përkrah e u propagandua në mënyrë
të veçantë nga organet e shtypit atdhetar
shqiptar, si Drita (Sofje), Kombi
(Boston), Shpnesa e Shqypnisë (Raguzë-Trieste-Romë)
etj. Për shkak të lidhjeve të redaktorit të
saj, Shahin Kolonja, me Komitetin Për lirinë
e Shqipërisë, gazeta Drita (Sofje)
u kthye në organ të këtij Komiteti. Në
dhjetor të vitit 1906 u botua në këtë
gazetë artikulli i Çerçiz Topullit Ndjenjat
e një mëmëdhetari, në të cilin
u bëhej thirrje shqiptarëve ... të bashkoheshin
gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë,
të dalim maleve, të luftojmë deri në vdekje,
dhe të bëjmë që të dëgjohet
zëri i kryengritjes që nga Preveza e gjer në
kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi.
Megjithatë, jo të gjithë atdhetarët shqiptarë
mbajtën të njëjtin qëndrim ndaj luftës
së armatosur të çetave. Kështu, në
revistën Albania (Bruksel-Londër, 1897-1909),
drejtuar nga Faik Konica, që ishte ndër organet
kryesore të shtypit shqiptar, u botuan disa shkrime (Mendime
të fundit të motit, nr.11, 1902, Bajo
Topulli dhe politika e asasinatëve, nr.8, 1906),
në të cilët kryengritja shqiptare quhej e
kotë dhe e dëmshme, kërkohej që
lëvizja kombëtare të kufizohej në caqet
e një lëvizjeje kulturore dhe dënoheshin sidomos
atentate të tilla, siç qe vrasja e mitropolitit
grek Foti. Por shkrime të këtij lloji, në të
cilat kundërshtohej lufta e armatosur e çetave
dhe propagandohej si udha më e shkurtër dhe
më e mbarë për çlirimin e Shqipërisë
përhapja në popull e shkrimit dhe e këndimit
shqip, e dijeve dhe diturisë, u botuan edhe në
organet e tjera të shtypit shqiptar, duke përfshirë
edhe gazetën Drita të Sofjes.
Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për
të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur
të përkrahte veprimet që do të cenonin
status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve
të saj konsullorë se situata në Shqipëri
ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të
përgjithshme, por për ta përgatitur atë
komitetet Për lirinë e Shqipërisë
do të vazhdonin të organizonin çeta të
armatosura, të cilat, megjithatë, nuk do të
ndërmerrnin akte terroriste dhe do të merreshin
me përhapjen e ideve kombëtare te shqiptarët.
Në mars të atij viti atdhetarët shqiptarë
të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë
tjetër, nën komandën e Çerçiz
Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal
Grameno (që kishte ardhur nga Bukureshti) dhe Idriz Gjakova,
që në atë kohë ndodhej në Bullgari.
Çetës iu vu si detyrë, para së gjithash,
të përhapte ndjenjat kombëtare në
të gjitha anët e Shqipërisë. Në
prill të vitit 1907 çeta u nis nga Italia (Brindizi)
dhe zbarkoi në bregdetin shqiptar, afër Vlorës.
Ajo zhvilloi një veprimtari të gjerë propagandistike
në Shqipërinë e Jugut, sidomos në krahinat
e Gjirokastrës e të Korçës, për
ti ngritur shqiptarët në luftë për
çlirimin e vendit, shpërndante flamuj të
Shqipërisë, fotografi të Skënderbeut dhe
libra e abetare shqipe, të sjella nga kolonitë e
Bukureshtit e të Sofjes.
Më 1907, krahas me luftën e çetave, vijuan
lëvizjet popullore në qytete e fshatra të ndryshme
të vendit kundër barrës së rëndë
të taksave dhe administratës osmane në përgjithësi.
Në janar ato përfshinë sanxhakun e Pazarit
të Ri dhe atë të Prishtinës, ku dhjetëra
fshatra u ngritën e kërkuan nga qeveria të
hiqte taksat e nëpunësit turq, kajmakamët,
komandantët e xhandarmërisë etj. Me gjithë
përpjekjet e autoriteteve osmane për të shtypur
lëvizjen, duke përdorur njëkohësisht edhe
përndjekjet edhe bisedimet me krerët e shqiptarëve,
ajo dora-dorës u përhap në gjithë vilajetin
e Kosovës dhe në pranverë kishte përfshirë
edhe krahina të tilla si Llapin, Drenicën, Mitrovicën,
Preshevën etj.
Udhëheqësit e lëvizjes u orvatën ti
jepnin asaj një karakter të organizuar, duke vendosur
një besë të përgjithshme. Këtij qëllimi
i shërbeu tubimi që u mbajt në fillim të
shkurtit 1907 në Junik, ku morën pjesë krerët
e Drenicës, të kazasë së Vuçiternës,
ata të Rekës e të Malësisë. Meqë
qeveria vazhdoi të këmbëngulte për të
mbledhur taksat dhe për të zbatuar masat e reja
dhe nuk pranoi një varg kërkesash të shqiptarëve,
krerët e popullsisë së Pejës, të
Prizrenit, të Gjakovës, të Prishtinës
e të Gjilanit bënë përpjekje për
të thirrur, në fillim të shkurtit, në
mënyrë të fshehtë, një kuvend në
katundin Luka të Gjakovës, në të cilin
do të vendosej një besë ose lidhje e përgjithshme.
Dokumentet konsullore franceze dëshmojnë se në
shkurt të vitit 1907 ishte shpallur tanimë një
Besëlidhje e përgjithshme për tërë
Shqipërinë, e cila do të përcaktonte masat
për të organizuar qëndresën kundër
qeverisë osmane dhe ndërhyrjeve të shteteve
të huaja në Turqinë Evropiane. Në prill
u mbajt në Preshevë një tubim i gjerë
i shqiptarëve, ku morën pjesë 2 000 veta, që
kërkuan nga qeveria të pezulloheshin taksat e reformat
e parashikuara dhe të krijoheshin gjykatat shqiptare
vendase.
Këto orvatje për organizimin e qëndresës
së armatosur popullore në Kosovë, ishin të
lidhura me rritjen e propagandës së ideve kombëtare,
në të cilën, krahas veprimtarëve të
tjerë, kishte dhënë ndihmesën e tij edhe
Ismail Qemali.
Ngjarje të rëndësishme ndodhën në
maj të vitit 1907 në Elbasan, ku popullsia, e pakënaqur
nga administrata osmane, dëboi mytesarifin dhe komandantin
e xhandarmërisë. Të njëjtën gjë
bënë me kajmakamin turk edhe banorët e Peqinit.
Qeveria, e shqetësuar nga lajmi se kryengritësit
kërkonin pavarësinë, dërgoi në Elbasan
katër batalione e forca të artilerisë, të
komanduara nga Shemsi Pasha, që shtypën lëvizjen
kryengritëse në këtë sanxhak. Shemsi Pasha
kishte marrë urdhër të zhdukte edhe shfaqjen
më të vogël të idesë së pavarësisë
së Shqipërisë.
Në vjeshtën e vitit 1907, pas disa tubimeve që
u mbajtën në kazatë e vilajetit të Kosovës,
në atë të Prizrenit, të Pejës, të
Prishtinës, të Lumës e në qendra të
tjera, u formua një shoqëri e re, me emrin Besa,
që gëzonte përkrahjen e atdhetarëve të
kësaj treve e sidomos të intelektualëve, të
mësuesve, të nxënësve, të nëpunësve
etj. Ajo kishte si detyrë të bashkonte shqiptarët
e të tri besimeve në luftë për të
mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve
kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, terrorit
të bandave të tyre të armatosura dhe dhunës
së sunduesve osmanë. Shoqëria Besa
u bënte thirrje gjithë shqiptarëve të
bashkoheshin me çetat e armatosura, me apostujt
e lirisë në të gjitha malet dhe fushat e Shqipërisë,
për ta tërhequr popullin në rrugën e vërtetë
të lirisë.
Ashtu si komitetet Për lirinë e Shqipërisë,
edhe Shoqëria Besa grishte shqiptarët
që të përgatiteshin për kryengritjen e
armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në
pranverën e vitit 1908 dhe do të ishte, siç
thuhej në thirrjen e saj, një luftë e
vërtetë dhe e hapur, për lirinë dhe bashkimin
e atdheut tonë të dashur.
Në shtator 1907 gazeta Drita botoi thirrjen
Çonju, të atdhetarit të shquar
Hilë Mosit, drejtuar shqiptarëve, të pasur
e të varfër, burra e gra, të rinj e pleq, mësuesve,
nxënësve, priftërinjve e hoxhallarëve,
në të cilën i grishte të punonin e të
përgatiteshin për kryengritjen që do të
shpërthente në pranverën e vitit 1908 dhe që
do të sillte lirinë e Shqipërisë. Nga
luftëtarët e çetave, nga apostujt e
lirisë që qëndronin në male, kërkohej
që të përhapnin mendimin kombëtar
në të gjitha anët e Shqipërisë.
Në shkrimin tjetër Gegë ku e latë?,
botuar po në këtë gazetë në janar
të vitit 1908, Hilë Mosi u bënte thirrje gegëve,
myslimanë, katolikë e ortodoksë, që të
bashkoheshin me toskët, që kishin dalë
maleve për lirinë e atdheut dhe të
rroknin martinat kundër armikut.
Më 1 janar 1908 Shpnesa e Shqypnisë
publikoi thirrjen Klithje të atdhetarit dibran
Josif Bagëri, i vendosur atëherë në Bullgari,
ku kërkohej të mblidhej një kongres mbarëshqiptar,
i cili të formonte një Komitet të përgjithshëm,
që do të përbënte bazën për
një qeveri shqiptare, dhe të organizonte kryengritjen
e përgjithshme në vend. Më 1 shkurt 1908 po
në gazetën Drita u botua shkrimi Letër
nga malet e Shqipërisë, hartuar nga Çerçiz
Topulli si komandant dhe Mihal Gramenoja si sekretar i çetës,
ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë
po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo
atdhetari të ndihmonte Komitetin Për lirinë
e Shqipërisë në qëllimin e
tij të shenjtë ndaj atdheut.
Në pranverën e vitit 1908 veprimtaria e çetave,
pas një rënieje të përkohshme që
pati gjatë dimrit, mori hov përsëri. Çetat
vepronin me sukses në rrethet e Gjirokastrës, të
Korçës dhe të Kosturit. Me vendim të
Komitetit të Gjirokastrës, një pjesë e
çetës me Çerçiz Topullin në
krye, në fillim të marsit të vitit 1908 vrau
në Gjirokastër komandantin e xhandarmërisë
së vendit, që ishte bërë i njohur për
veprimet terroriste dhe për përndjekjet kundër
atdhetarëve e popullsisë në Berat, kohët
e fundit edhe në Gjirokastër. Pas disa ditësh,
më 18 mars, forcat turke, të dërguara nga valiu
i Janinës për të ndjekur çetën,
e rrethuan këtë në fshatin Mashkullorë
të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një përpjekje
e pabarabartë dhe e ashpër. Luftëtarët
patriotë, gjatë një dite të tërë,
u bënë ballë sulmeve të pareshtura të
forcave të shumta turke dhe mundën të çanin
rrethimin; në këtë betejë mbeti i vrarë
vetëm një luftëtar, Hajredin Tremishti. Të
nesërmen prefekti i Gjirokastrës, në njoftimin
që i bënte valiut të Janinës, pranonte
humbjet në njerëz që forcat osmane kishin pasur
në përpjekjen e Mashkullorës. Lufta e Mashkullorës,
e cila u përjetësua edhe në këngët
popullore, pati jehonë të gjerë në Shqipëri,
ndërsa Hajredin Tremishti u quajt nga shtypi atdhetar
shqiptar dëshmor i kombit.
Shtypi shqiptar, sidomos gazetat Drita, Kombi,
Shpnesa e Shqypnisë etj., në gjysmën
e parë të vitit 1908 u bënin thirrje të
rinjve shqiptarë që mobilizoheshin në ushtrinë
osmane për tu dërguar në vende të
tjera, që të braktisnin ushtrinë dhe
të bashkoheshin me kryengritësit shqiptarë
për të luftuar kundër tiranisë së
egër osmane. Çetat i shtuan radhët
me luftëtarë të tjerë, midis të cilëve
kishte shumë të rinj që dezertonin nga radhët
e ushtrisë turke, si dhe mjaft vullnetarë të
ardhur nga kolonitë shqiptare të mërgimit etj.
Çetat e lidhura me Komitetin Për lirinë
e Shqipërisë vazhduan të përshkonin
krahina të ndryshme të Shqipërisë së
Jugut. Në maj të vitit 1908 një nga këto
çeta, e përbërë prej 63 vetash, hyri
në Sarandë, sulmoi godinat e administratës
shtetërore lokale dhe qëndroi atje për 6 orë.
Për të ndjekur çetën, autoritetet osmane
dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca
të tjera të xhandarmërisë, që bënë
arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë
se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan
të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë.
Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe
shtypi i huaj evropian.
Në qershor çetat u përleshën me ushtritë
turke në Libohovë, në Progonat e në Dhrovian.
Më 20 qershor çeta e Çerçiz Topullit,
e përbërë nga 150 veta, hyri në rrethin
e Pogonit, ku gjatë 8 orëve luftoi me forcat e xhandarmërisë.
Në fillim të korrikut çetat zhvilluan luftime
në malet e Vodicës. Pas atentateve që çetat
bënë kundër mytesarifit (prefektit) dhe kryetarit
të gjykatës së Gjirokastrës, këta
u detyruan të jepnin dorëheqjen.
Shtypi shqiptar shkruante në ditët e para të
korrikut se një batalion ushtarësh të rinj,
të mobilizuar në Elbasan për tu dërguar
në Jemen, lidhën besën që të
dalin maleve e më mirë të vriten të tanë
këtu, se të vdesin në Jemen, si edhe
për dezertimin e bashkimin me çetat shqiptare
të një batalioni rekrutësh në Manastir
dhe të një tjetri në Janinë. Shtypi njoftonte
gjithashtu se Toskëria e sidomos ana e Beratit,
Myzeqeja dhe Korça ishin mbushur me kryengritës
shqiptarë.
Zgjerimi në Shqipërinë e Jugut i luftës
së armatosur të çetave, të organizuar
nga komitetet Për lirinë e Shqipërisë,
si dhe lëvizja kundër ndërhyrjeve të Fuqive
të Mëdha e zgjedhës osmane në vilajetin
e Kosovës, treguan se në vigjiljen e Revolucionit
xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria
ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.
Në vitet 1905-1907 filloi të merrte pjesë në
jetën politike të vendit edhe një kategori
tjetër shoqërore, punëtorët. Edhe pse
nuk munguan të shfaqnin pakënaqësinë ndaj
pagës së ulët dhe gjendjes së keqe ekonomike,
punëtorët u angazhuan më shumë në
lëvizjen e përgjithshme kombëtare kundër
dhunës së aparatit shtetëror dhe robërisë
osmane.
Në qendra të tilla, siç ishte Shkodra, u
formuan shoqëritë e para punëtore. Në
mars të vitit 1905 u themelua në Shkodër Shoqëria
punëtore për ndihmën reciproke, ku, përveç
punëtorëve, bënin pjesë edhe zejtarë
e intelektualë. Megjithëse vepronte ilegalisht,
ajo shumë shpejt u detyrua ta ndërpriste veprimtarinë
e vet për shkak të ndjekjeve të aparatit shtetëror
osman.
Në vitet 1904-1905 u bënë grevat e para të
punëtorëve. Në mars 1904 punëtorët
e ngarkim-shkarkimit në Durrës shpallën grevë
kundër shoqërisë sipërmarrëse vendase,
duke kërkuar ngritjen e mëditjes për punën
e kryer natën edhe kur deti nuk ishte i qetë. Në
maj 1905 punëtorët këpucarë në Shkodër
u paraqitën pronarëve të punishteve një
varg kërkesash për përmirësimin e gjendjes
ekonomike dhe për ngritjen e pagës. Meqë këto
kërkesa u hodhën poshtë, më shumë
se 60 punëtorë e shegertë të punishteve
të këpucëve shpallën grevë dhe u
grumbulluan jashtë qytetit, ku u mbajtën fjalime
për të drejtat e punëtorëve. Greva u shtyp
nga autoritetet osmane, që arrestuan nismëtarët
e saj duke i akuzuar si komplotistë kundër
qeverisë. Po në pranverën e vitit 1904, disa
ditë pas fillimit të grevës së këpucarëve,
shpallën grevë punëtorët e punishteve
të duhanit, ata të fabrikës së cigareve,
si edhe punëtorët rrobaqepës që kërkuan
ngritjen e pagës së punës. Greva përfundoi
me plotësimin e kërkesave të punëtorëve
nga drejtuesit e punishteve.
Më 1905 për herë të parë u kremtua
në Shkodër 1 Maji, festa ndërkombëtare
e punëtorëve. Atë ditë një grup punëtorësh
të ngarkim-shkarkimit, zejtarësh, kallfësh
dhe arsimtarësh organizuan një piknik jashtë
qytetit.
Më 1906, me nismën e një grupi punëtorësh,
zejtarësh e tregtarësh të vegjël, u krijuan
në Shkodër kooperativa pune, si edhe një kooperativë
konsumi, që mbaheshin me kontributin e pjesëmarrësve
të tyre, ndërsa më 1 prill 1907, po në
këtë qytet, u themelua Shoqëria ndihmëtare
që kishte për qëllim të ndihmonte të
varfrit dhe të sëmurët. Duke qenë më
e gjerë dhe më e organizuar se të parat, ajo
u bë e njohur në qytet. Për të ndihmuar
në zgjimin e punëtorëve, Shoqëria ngriti
edhe një shkollë nate ku, krahas mësimeve të
gjuhës shqipe e ideve atdhetare, merreshin njohuri edhe
për të drejtat e punëtorëve.
Një muaj pas krijimit të Shoqërisë
ndihmëtare dhe nën udhëheqjen e saj në
Shkodër u kremtua gjerësisht dita e 1 Majit (1907),
në të cilën morën pjesë punëtorë,
shegertë etj. Ata manifestuan nëpër rrugë,
duke kënduar këngë atdhetare e duke hedhur
parulla për lirinë e përparimin e përgjithshëm,
për vëllazërimin e bashkimin e popullit
etj. Në kushtet e Shqipërisë së robëruar,
festimet e 1 Majit shërbenin më shumë për
zgjimin kombëtar të shqiptarëve në luftën
për çlirimin e atdheut. Kremtimet e 1 Majit të
vitit 1907 u bënë nën parullën Rroftë
Shqipëria!.
Por shoqëritë punëtore qysh në lindjen
e tyre u përndoqën nga administrata osmane. Në
shtator të vitit 1907 xhandarmëria bastisi lokalet
e Shoqërisë ndihmëtare, arrestoi
udhëheqësit e saj dhe sekuestroi dokumentet e orenditë.
Në këto kushte Shoqëria ndihmëtare
u shpërnda pas pesë muajve të ekzistencës
së saj.
Çështja e aleancës shqiptaro-greke dhe
bullgaro-shqiptare (1907)
Rritja e lëvizjes së organizuar shqiptare për
çlirimin kombëtar ngjalli interes të veçantë
në qarqet drejtuese të Greqisë e të Bullgarisë,
që shpresonin ta përdornin atë për qëllimet
e tyre dhe ta drejtonin kundër rivalëve të
vet, që secila palë i paraqiste si armiq të
shqiptarëve.
U dalluan sidomos qarqet politike të Athinës. Gjatë
viteve 1906-1907, kur u duk qartë se ideja e një
mbretërie dualiste greko-shqiptare, e propaganduar
nga Athina, kishte dështuar përfundimisht dhe se
nuk do të pranohej nga shqiptarët, të cilët
po luftonin në mënyrë më të organizuar
për një shtet kombëtar të pavarur ose
autonom, qarqet politike të Greqisë dolën me
kërkesën e vendosjes së një aleance grekoshqiptare.
Ky orientim u quajt në qarqet diplomatike greke dhe evropiane
si një politikë realiste e njëherazi nacionale,
që Athina filloi të ndiqte ndaj Shqipërisë.
Përveç organizatës greke me emrin Lidhja
shqiptaro-greke, për afrimin ndërmjet shqiptarëve
e grekëve dhe për vendosjen e një aleance ndërmjet
tyre kundër serbëve e bullgarëve, filloi të
punonte edhe Shoqata Helenizmi (Helenizmos),
me qendër në Athinë, e kryesuar nga Nikolla
Kazazi, profesor e personalitet i njohur grek.
Edhe shqiptarët, të mbetur vetëm dhe pa asnjë
përkrahje përballë sunduesve osmanë, të
rrezikuar nga politika shoviniste e shteteve fqinje, synonin
të përfitonin nga kontradiktat ndërmjet tyre
dhe të hynin në bashkëpunim me ata popuj që
do të respektonin kërkesat e tyre për çlirimin
kombëtar. Duke u nisur nga këto motive, Ismail Qemali,
që i kushtonte një vëmendje të madhe gjendjes
ndërkombëtare të Shqipërisë, e quante
të dobishëm për çështjen shqiptare
vendosjen e një bashkëpunimi shqiptaro-grek. Që
kur ishte në Turqi, ai kishte bërë përpjekje
për ti bindur udhëheqësit e pakicave
greke në Perandorinë Osmane që të bashkëpunonin
me shqiptarët dhe me forcat përparimtare turke në
bazë të ruajtjes së status quo-së në
Turqi dhe zbatimit të reformave decentralizuese. Por
kjo vijë politike hasi në kundërshtimin e qarqeve
qeveritare të Athinës dhe të organizatave greke
që vepronin në Greqi.
Pas largimit nga Turqia, Ismail Qemali, edhe pse i njihte
lakmitë pushtuese të Greqisë ndaj Shqipërisë,
duke synuar të siguronte përkrahjen e saj kundër
një invazioni të mundshëm sllav, të Serbisë
e të Bullgarisë, që cenonin interesat shqiptare
në vilajetet e Kosovës e të Manastirit dhe
ato greke në Maqedoni, arriti të lidhte një
marrëveshje për një bashkëpunim shqiptaro-grek.
Bisedimet e para për një aleancë shqiptaro-greke
i pati filluar në vitin 1906 me kryetarin e shoqërisë
Helenizmi Nikolla Kazazi. Në shkurt të
vitit 1907 shkoi përsëri në Athinë, ku
pas disa takimesh me të dhe me personalitete të
tjera greke, përfundoi me ta një aleancë a
lidhje shqiptaro-greke, tezat themelore të së cilës
u shpallën në një manifest të posaçëm
më 4 prill 1907. Ky manifest u publikua në shtypin
e Athinës, në emër të Komitetit
të Lidhjes greko-shqiptare. Po në atë
ditë u nënshkrua edhe një Protokoll i
veçantë, ku parashikohej themelimi në
Paris i një Shoqërie shqiptare, e cila,
së bashku me atë greke Helenizmi dhe
duke qenë e barabartë me të, do të merrte
masa konkrete për zbatimin e marrëveshjes.
Në të dyja këto dokumente vihej theksi në
interesin e përbashkët të grekëve dhe
të shqiptarëve, si popujt më të lashtë
të Gadishullit Ballkanik, për tu mbrojtur
nga një agresion i ardhshëm bullgaro-serb. Shqiptarët
e grekët angazhoheshin të respektonin status quo-në
në Lindje, të përkrahnin reformat e Fuqive
të Mëdha, por me kusht që ato të ishin
radikale dhe për të gjithë popujt e Perandorisë
Osmane.
Në marrëveshjen greko-shqiptare dhe në të
dyja aktet e saj ishte vënë si kusht kryesor barazia
e plotë midis dy palëve, nuk pranohej asnjë
lloj federate greko-shqiptare, a nënshtrim i Shqipërisë
ndaj Greqisë, ose ndonjë lëshim territorial
ndaj saj. Programi ynë i përbashkët,
- thuhej në manifest, - është evolucioni nacional
i secilës racë, por në kufijtë e saj historikë;
sa kohë që do të ruhej gjendja aktuale, do
të punohej për krijimin e një atdheu (shteti
- shën. i aut.) shqiptar, të lirë dhe të
pavarur, si edhe për rindërtimin e tokave greke,
në qoftë se ndonjëherë regjimi i sotëm
politik do të zhdukej. Edhe në Protokoll
shpallej mbrojtja e ndërsjelltë dhe e përbashkët
e të drejtave të të dy popujve, kufizimi i
ambicjeve të të dy popujve brenda kufijve të
tyre historikë dhe gjeografikë, duke marrë
në konsideratë shumicën e banorëve që
flasin një nga të dyja gjuhët. I bindur
se këto dokumente nuk do ta cenonin aspak të drejtën
e shqiptarëve për një jetë shtetërore
të pavarur, Ismail Qemali vinte në dukje në
një nga deklaratat publike të bëra në
atë kohë për marrëveshjen greko-shqiptare
se Shqipëria, që ka gjuhën e saj, letërsinë
e saj, historinë dhe traditat e saj, ka të drejtë
të kërkojë njohjen e saj kombëtare sipas
idealeve të lirisë dhe të pavarësisë.
Këto parime të barazisë ndërmjet dy popujve,
që nuk linin asnjë shteg për cenimin nga Greqia
të tërësisë territoriale të Shqipërisë,
mbrojti Ismail Qemali edhe në intervistën që
i dha gazetës Tribuna (Romë) në
fundin e korrikut të vitit 1907, në të cilën
theksoi se bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve
dhe grekëve kishte si bazë zhvillimin paralel
të të dy kombeve në sferën kombëtare
të secilit. Shqiptari, - vijonte më
tej Ismail Qemali, - i njohur për gjuhën e tij,
për historinë e tij dhe për ndërgjegjen
e tij, do të vazhdojë të qëndrojë
aty ku ndodhet efektivisht, po ashtu edhe greku.
Por ngjarjet e mëvonshme treguan se Greqia nuk kishte
ndërmend të hiqte dorë nga synimet e saj pushtuese
ndaj territoreve shqiptare. Qysh në mars të vitit
1907, kur marrëveshja shqiptaro-greke ishte tanimë
e përgatitur, kryeministri i Greqisë Teodokis, gjatë
takimit me të dërguarin e Vjenës në Athinë,
shprehu haptazi pretendimet greke për Epirin (Shqipërinë
e Jugut).
Ndërkaq, bashkëpunimi dhe aleanca që Ismail
Qemali lidhi me Greqinë u kundërshtua nga qarqet
atdhetare shqiptare në çdo anë të Shqipërisë.
Në artikujt e korrespondencat e botuara në shtypin
shqiptar të kohës këto rrethe, duke marrë
parasysh politikën shoviniste të Greqisë dhe
synimet e saj për ti shtrirë, pas shkatërrimit
të Perandorisë Osmane, rivendikimet e saj në
pjesën më të madhe të Shqipërisë,
hodhën poshtë çdo mundësi për aleancë
me Greqinë. Në të vërtetë, bashkëpunimi
shqiptaro-grek mbeti një deklaratë e thjeshtë
që nuk mundi të vihej kurrë në jetë.
Përpjekje të njëjta për vendosjen e një
aleance me shqiptarët bënë në pranverën
e vitit 1907 edhe qarqet politike të Bullgarisë.
Në mars të atij viti ministri bullgar Genadiev i
propozoi Bajram Topullit, që në atë kohë
ndodhej në Sofje, të vendosnin një bashkëpunim
ndërmjet çetave kryengritëse shqiptare dhe
atyre bullgaro-maqedone, që vepronin respektivisht në
Shqipëri e në Maqedoni. Bullgarët premtuan
me këtë rast ti furnizonin shqiptarët
me armë. Ideja e një aleance shqiptaro-bullgare,
me të cilën parashikohej të bashkoheshin edhe
vllehët, u përkrah edhe nga përfaqësues
të veçantë të kolonisë shqiptare
të Bullgarisë. Por Bajo Topulli dhe veprimtarët
e tjerë shqiptarë, megjithëse përkrahnin
luftën çlirimtare të popullsisë maqedone,
duke njohur lakmitë pushtuese të qarqeve politike
të Bullgarisë ndaj territoreve shqiptare të
vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si dhe
synimet e tyre për ti përdorur shqiptarët
kundër invazionit serb e grek në Turqinë Evropiane,
nuk pranuan të bashkëpunonin me ta.
Zgjerimi i lëvizjes atdhetare në kolonitë
e mërgimit (1896-1908)
Ngritja e lëvizjes kombëtare në Shqipëri
në vitet e fundit të shek. XIX dhe në fillim
të shek. XX solli si rrjedhojë shtimin e shoqërive
atdhetare në kolonitë shqiptare të mërgimit
dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Duke vepruar
në kushte të favorshme legale, atdhetarët shqiptarë
i kishin shndërruar këto koloni në vatra të
rëndësishme për përhapjen e ideve të
çlirimit kombëtar.
Një rol të madh vijuan të luanin kolonitë
e Rumanisë dhe të Bullgarisë, popullsia shqiptare
e të cilave ishte rritur me të mërguar të
rinj të ikur nga Shqipëria për të gjetur
punë ose për tu shpëtuar ndjekjeve të
administratës osmane. Nga shoqëritë e kolonisë
së Rumanisë më e rëndësishmja vijoi
të mbetet Dituria e Bukureshtit. Në
janar të vitit 1896 u miratua statuti i ri (kanonizma
e re) i ndryshuar i kësaj Shoqërie dhe u zgjodh
komiteti i saj drejtues, me kryetar Pandeli Evangjelin. Sipas
këtij statuti, qëllimi kryesor i Shoqërisë
Dituria ishte të përhapte shkrimin e
këndimin e gjuhës shqipe në të gjitha
anët e Shqipërisë, të çelte, me
miratimin e qeverisë turke e të sulltanit, shkolla
shqipe në atdhe e jashtë tij dhe të përhapte
në Shqipëri literaturën mësimore e shkencore.
Në nëntor të vitit 1898, nën drejtimin
e shoqërive atdhetare, u mbajt në Bukuresht, në
sallën Amiçicia (Miqësia),
një mbledhje e gjerë e kolonisë së Bukureshtit,
që shtypi i kohës e cilësoi si kongres të
shqiptarëve, i cili iu kushtua përhapjes së
shkollave shqipe. Në fjalimet që atdhetarët
e rinj Visarion Dodani, Faik Konica, Jorgji Meksi, Murat Toptani
e Dervish Hima mbajtën në këtë tubim,
përshkruan prapambetjen e madhe të arsimit në
Shqipëri dhe theksuan se kombi shqiptar, si gjithë
popujt e tjerë, duhej të kishte shkollat e veta
kombëtare, që do ta ndihmonin të hynte në
rrugën e qytetërimit. Në telegramin që
iu dërgua sulltanit, kërkohej që të futej
gjuha shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë,
duke siguruar për këtë qëllim edhe mjetet
e nevojshme financiare.
Ndërkaq u zgjerua edhe veprimtaria organizative e kolonisë
së Rumanisë. Në fillim të vitit 1899 u
ngrit në Bukuresht Rrethi i studentëve shqiptarë,
me kryetar Ibrahim Naxhiun (Dervish Himën) dhe me statutin
e vet të vaçantë. Rrethi kishte si qëllim
të ndihmonte studentët e varfër që vinin
nga Shqipëria në Bukuresht, të punonte për
përhapjen e kulturës midis shqiptarëve dhe
për lëvrimin e saj, si edhe për ti bërë
të njohura botës të drejtat kombëtare
të shqiptarëve. Në vitin 1902 u formua po në
Bukuresht, si vazhduese e këtij Rrethi
,
Shoqëria kombëtare me emrin Shpresa - shoqëria
e shqiptarëve të rinj, me kryetar Pandeli
Durmishin. Po në vitin 1902 u themelua një degë
e Shoqërisë Dituria në Kostancë,
që kishte po ato qëllime si ajo e Bukureshtit, ndërsa
në dhjetor të vitit 1904, me nismën e doktor
Ibrahim Temos, u organizua në Braila të Rumanisë
shoqëria Djalëria shqiptare, e kryesuar
nga Kristo A. Dako.
Shoqëria Dituria e Bukureshtit dhe ajo Dëshirë
e Sofjes, që ishte e lidhur me të dhe udhëhiqej
prej saj, u morën me botimin e me përhapjen në
Shqipëri të librave shkollorë, të veprave
letrare të rilindësve dhe të literaturës
politike shqiptare. Dokumentet më të rëndësishme
programatike të lëvizjes kombëtare, memorandumet,
thirrjet dhe manifestet e ndryshme, organet politike të
shtypit, si Shqiptari (Bukuresht, 1887-1903),
Shqipëria (Bukuresht, 1897-1899) etj., botoheshin
në kolonitë shqiptare të mërgimit.
Një rol të veçantë në veprimtarinë
botuese të kolonive të mërgimit luajti shtypshkronja
Mbrothësia, e themeluar në Sofje në
vitin 1897, me ndihmën e Shoqërisë Dituria
të Bukureshtit dhe Dëshirë të
Sofjes, nga atdhetarët Kostë Jani Trebicka dhe Kristo
P. Luarasi (1875-1934). Kristo Luarasi, i vendosur në
Sofje në vitin 1894, meqë kishte mësuar zanatin
e shkronjërradhitësit qysh kur ndodhej në Bukuresht,
mbajti barrën kryesore të shtypshkronjës Mbrothësia,
duke qenë radhitës, redaktor e administrator i saj.
Këtu u shtyp, duke filluar nga viti 1897, Ditërrëfenjësi
(Kalendari Kombiar, Sofje, 1897-1912), që
u botua si organ i Shoqërisë Dëshira,
gazeta Drita (1901-1908) e Shahin Kolonjës,
Shkopi (Kajro, 1907-1908), drejtuar nga Jani Vruho
etj. Me ndihmën financiare të shoqërive atdhetare,
sidomos të asaj Dituria të Bukureshtit,
shtypshkronja Mbrothësia botoi gjithashtu
në mijëra kopje veprat didaktike dhe ato të
letërsisë shqiptare të Rilindjes, si Abetare
toskërisht, Abetare gegërisht,
Bagëti e bujqësija, Istoria e
Skënderbeut dhe vepra të tjera të Naim
Frashërit, librin e Sami Frashërit Shqipëria
çka qënë, çështë
e çdo të bëhetë?, Hrestomacinë
e Gjergj Qiriazit, Valët e detit të
Spiro Dines etj., që shpërndaheshin nga shoqëria
Dituria në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Megjithëse zhvillonin një veprimtari të gjerë,
shoqërive atdhetare të kolonive të mërgimit
u mungonte në fillim të shek. XX një udhëheqje
e vetme, që do të bashkërendonte veprimtarinë
e tyre. Këtë rrethanë u orvatën ta shfrytëzonin
politikanë dhe aventurierë, të tillë si
Albert Gjika, Aladro Kastrioti dhe Di Auleta. Albert Gjika,
princ rumun me origjinë të largët shqiptare,
duke dashur të vihej në krye të lëvizjes
shqiptare dhe, nëse do të kishte sukses, të
zinte fronin e Shqipërisë, hodhi parullën e
pavarësisë së Shqipërisë,
të cilën pretendonte ta siguronte me anën e
një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare.
Edhe qarqet qeveritare rumune, ndonëse ishin të
bindura se ndërmarrja e Albert Gjikës ishte një
aventurë, duke shpresuar ta përdornin lëvizjen
shqiptare, si edhe atë të vllehëve, për
të ushtruar trysni mbi Portën e Lartë dhe për
ta detyruar Stambollin tu bënte lëshime vllehëve
të Turqisë Evropiane, e përkrahën atë
dhe i krijuan kushte për veprimtarinë e tij në
koloninë shqiptare të Rumanisë. Pas vizitave
që kishte bërë në Malin e Zi, në
Romë, në Londër, në Paris, në Sofje
dhe në Beograd, për të krijuar përshtypjen
se gëzonte një përkrahje ndërkombëtare,
Albert Gjika u kthye në Rumani. Me nismën e disa
shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit,
më 23 prill 1905 u mblodh në kryeqytetin rumun një
kongres, ku morën pjesë rreth 2 000 veta, përfaqësues
nga kolonitë dhe nga Shqipëria, si edhe maqedonë
e rumunë. Kongresi doli me kërkesën e Albert
Gjikës për një Shqipëri të pavarur,
në të cilën, përveç tokave shqiptare
të të katër vilajeteve, kërkohej të
përfshihej edhe vilajeti i Selanikut; u krijua edhe një
komitet qendror me emrin Kombi. Kongresi vendosi
gjithashtu të përgatitej kryengritja e armatosur
dhe caktoi për këtë një organ të
veçantë drejtues. Pas kongresit filloi të
dilte në Romë edhe një organ shtypi i komitetit
me titullin Lajmëtari i Shqipërisë
(LAraldo dAlbania).
Por vendimet e kongresit nuk patën ndonjë ndikim
në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Shumica e
atdhetarëve shqiptarë nuk e përkrahu Albert
Gjikën dhe qëndroi larg tij, ndërsa organet
e shtypit atdhetar e cilësuan atë si një aventurier,
që mund ti sillte dëm lëvizjes shqiptare.
Shumë shpejt edhe ata shqiptarë që u bashkuan
me të, qysh në vitin 1905 filluan ti largoheshin.
Albert Gjikës iu kundërvunë edhe organi Kombi,
gazeta Lajmëtari i Shqipërisë,
si edhe botuesi e bashkëpunëtori i tij Gaspër
Jakova - Mërtiri, të cilët deklaruan se nuk
i njohin atij asnjë nga të drejtat e pretenduara
mbi Shqipërinë. Në këto rrethana princi
rumun mbeti i izoluar, ndërsa orvatja e tij dështoi
tërësisht.
Po këtë fat pësuan edhe aventurierët e
tjerë politikë, diplomati spanjoll Aladro Kastrioti
dhe markezi italian Di Auleta, të cilët u aktivizuan
sidomos gjatë vitit 1907 dhe, duke u paraqitur si pasardhës
të familjes së Kastriotëve, e shpallën
veten pretendentë të fronit të Shqipërisë.
Në maj të vitit 1907 Aladro Kastrioti, në emër
të një të ashtuquajturi Komitet shqiptar, u
drejtoi një thirrje shqiptarëve për tu
bashkuar nën drejtimin e tij në luftën për
autonominë e Shqipërisë. Propaganda nuk pati
ndikim në qarqet atdhetare shqiptare as brenda, as edhe
jashtë Shqipërisë. Orvatjet e Aladro Kastriotit
gjatë takimeve që pati në Paris në vitin
1907 me veprimtarë të tillë të lëvizjes
shqiptare si Bajo Topulli e Shahin Kolonja, për të
vendosur lidhje me komitetet shqiptare Për lirinë
e Shqipërisë dhe për ti nxitur
ata të hidheshin në një kryengritje të
përgjithshme e të parakohshme, nuk patën sukses.
Atdhetarët shqiptarë, ndonëse ishin të
interesuar për ndihmën financiare të premtuar
prej tij për blerjen e armëve, nuk pranuan të
bashkëpunonin me këtë aventurier.
Shoqëritë e kolonive të mërgimit e vijuan
veprimtarinë e tyre të pavarur atdhetare dhe qëndruan
jashtë çdo ndikimi të huaj. Kjo veprimtari
u gjallërua edhe më shumë me formimin e komiteteve
Për lirinë e Shqipërisë, nën
drejtimin e të cilave lëvizja kombëtare brenda
Shqipërisë po merrte një karakter të organizuar.
Në shembullin e këtyre komiteteve u bë organizimi
i shoqërive kulturore ekzistuese dhe u themeluan shoqëri
të tjera.
Gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1906 u
arrit bashkimi i të gjitha shoqërive të Bukureshtit
në një të vetme. Në takimet që u
bënë në fundin e nëntorit ishte vendosur
që shoqëria e bashkuar të mbante emrin Tomori,
ndërsa më 7 dhjetor rreth 200 përfaqësues
të shoqërive të kolonisë së Rumanisë
(Dituria, Drita dhe Shpresa)
shpallën shkrirjen e tyre në një Shoqëri
të vetme kulturore me emrin Bashkimi. Kryetar
i komitetit të Shoqërisë u zgjodh Thoma Çami,
ndërsa zëvendësa Kristo Meksi e Pandeli Evangjeli.
Midis veprimtarëve të saj ishin edhe Mihal Gramenoja,
Aleksandër Drenova (Asdreni) etj. Sipas statutit të
ri, Shoqëria kishte për qëllim të përhapte
kulturën në gjuhën shqipe, të botonte
libra didaktikë për shkollat shqipe dhe të
ndihmonte për mbajtjen e shkollave shqipe në Shqipëri,
si dhe për hapjen e shkollave të tilla në Bukuresht.
Në janar të vitit 1907 u formua në Kostancë
një degë e Shoqërisë Bashkimi
të Bukureshtit. Shoqëria Bashkimi e
Kostancës mori përsipër të ndihmonte për
përhapjen e ideve kombëtare dhe për ngritjen
e shkollave shqipe në Shqipëri, si dhe të një
shkolle të tillë në Kostancë, ku të
mësonin shqiptarët e Dobruxhës. Një ndihmesë
të rëndësishme në veprimtarinë e
kësaj kolonie dha doktor Ibrahim Temo. Me nismën
e tij, qysh në vjeshtën e vitit 1905, qe ngritur
në Kostancë një shkollë nate për
mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa në vitin
1907 u hap një mësonjëtore shqipe, me drejtor
Jani M. Lehova, ku jepnin mësim edhe Asdreni, Neofit
Simoni nga Shkupi, Thoma Avrami etj.
Në maj të vitit 1907, me nismën e Kristo Meksit,
të Pandeli Evangjelit, të Bajram Topullit, të
Veli Këlcyrës e të Vasil Zografit u formua
në Bukuresht Komiteti i shqiptarëve Për
lirinë e Shqipërisë dhe u botua statuti
i tij (kanonizma).
Në mars të vitit 1907, duke dashur të ndihmojë
në zgjidhjen e çështjes së alfabetit
të gjuhës shqipe, Shoqëria Bashkimi
e Bukureshtit publikoi një thirrje drejtuar gjithë
shoqërive brenda e jashtë Shqipërisë,
si dhe gazetave shqipe, ku kërkonte që të bashkërendonin
përpjekjet e tyre për të vendosur një
alfabet të njësuar për gjuhën shqipe,
duke formuar për këtë qëllim edhe një
komision të posaçëm.
Në këto vite edhe kolonia e arbëreshëve
të Italisë e shtoi veprimtarinë e saj. Në
janar të vitit 1897 filloi të botohej në Pallagorio
(provinca Katanzaro) gazeta politike-letrare e Shoqërisë
Kombëtare Shqiptare, La Nazione Albanese
(Kombi Shqiptar), e drejtuar nga Anselmo Lorekio.
Megjithëse Shoqëria Kombëtare Shqiptare
pati deklaruar se kishte vetëm qëllime letrare e
gjuhësore, as ajo, as edhe organi i saj i shtypit nuk
qëndruan larg çështjeve politike. Në
gazetën La Nazione Albanese, falë kujdesit
të Anselmo Lorekios, u botuan pothuajse të gjitha
memorandumet shqiptare të fundit të shek. XIX dhe
të fillimit të shek. XX për autonominë
e Shqipërisë, ndërsa redaksia e saj publikoi
shumë artikuj e shkrime, në të cilat kërkohej
pavarësia e Shqipërisë. Por, për shkak
të vendit e të rrethanave, në të cilat
nxirrej kjo gazetë, në shkrimet e saj propagandohej
edhe ideja e mbështetjes tek Italia dhe përkrahej
politika e saj e jashtme ndaj Shqipërisë.
Gjatë viteve 1897-1901 zgjerohet më tej aktiviteti
i kolonisë shqiptare të arbëreshëve të
Italisë. Më 1897 u thirr në Lungro të
Kalabrisë, nën drejtimin e Anselmo Lorekios, një
kongres tjetër gjuhësor. Ndërkaq, në vend
të Shoqërisë Kombëtare Shqiptare,
që nuk pati ndonjë ndikim në Shqipëri,
u themelua në Romë (më 1898) Liga Nazionale
Albanese (Lidhja Kombëtare Shqiptare),
e cila krijoi degët e saj në të gjitha lokalitetet
e Italisë së Jugut, të banuara nga arbëreshët.
Krahas me gazetën La Nazione Albanese u botuan
njëra pas tjetrës Albania, Nuova
Albania (Shqipëria e re) dhe nga viti
1900 Pro Patria (Pro Atdheut), të
gjitha në gjuhën italiane.
Në vitin 1901 u mbajt në Napoli nën drejtimin
e poetit arbëresh Zef Skiroi një kongres gjuhësor
shqiptar, në të cilin u diskutua gjerësisht
për nevojën e lëvrimit e të përhapjes
së gjuhës shqipe dhe për vendosjen e një
alfabeti të vetëm. Në kongres u fol gjithashtu
për shkrirjen e dialekteve të gjuhës
shqipe në një gjuhe letrare të njësuar.
Por propozimi për ta ngritur atë mbi bazën
e të folmes së arbëreshëve të Italisë
hasi në kundërshtimin e atdhetarëve rilindës.
Po në këtë kohë u çel në Institutin
Mbretëror të Orientalistikës në Napoli
një katedër e gjuhës shqipe, e drejtuar nga
Zef Skiroi. Një katedër tjetër për mësimin
e gjuhës shqipe u ngrit në Palermo.
Në vitet e para të shek. XX filloi të merrte
pjesë në veprimtarinë e shqiptarëve të
Italisë Riçioti Garibaldi, i cili, duke pasur
përkrahjen e personaliteteve të njohura arbëreshe,
themeloi më 1904 Këshillin shqiptar të
Italisë (Consiglio albanese dItalia),
që kishte për qëllim të bashkonte shqiptarët
e Italisë me ata të Shqipërisë dhe të
mbështeste politikën italiane në Shqipëri
e në tërësi në Ballkan. Shoqëria
nxori edhe organin e vet të shtypit Gazeta albanese
(Gazeta shqiptare) në italisht.
Në fillim të shek. XX, me përkrahjen financiare
të qeverisë, u ndërmorën botime italiane
për Shqipërinë e Ballkanin. Shoqëria Dante
Aligeri qysh në vitin 1901 organizoi botimin Biblioteka
italo-shqiptare. Dolën gjithashtu vepra për
gjuhën, për historinë dhe për aspekte
të tjera të çështjes shqiptare.
Në koloninë shqiptare të Egjiptit, me ndihmën
e Ismail Qemalit, duke filluar nga viti 1901, ripërtërihet
e zgjerohet veprimtaria e Shoqërisë Vëllazëria
shqiptare. Në këtë shoqëri u aktivizuan
figura të tilla të Rilindjes Kombëtare, si
Filip Shiroka që ishte edhe sekretari i saj, Athanas
Tashko, Loni Logori etj.
Më 27 dhjetor të vitit 1904 u formua në Vjenë
Shoqëria Dija dhe komiteti i saj, i kryesuar
nga Gjergj Pekmezi. Veprimtaria e kësaj Shoqërie
udhëhiqej kryesisht nga Hilë Mosi, që ishte
edhe sekretar i saj. Ajo ndiqte qëllime kulturore, merrej
me botimin e përhapjen e librave shqip dhe pranonte në
radhët e saj gjithë shqiptarët, gegë e
toskë, myslimanë e të krishterë. Dega
qendrore e Shoqërisë Dija ishte ajo
e Vjenës, e cila përbëhej nga studentë,
nxënës, mësues dhe atdhetarë të tjerë
shqiptarë, që ndodheshin në kryeqytetin austriak.
Shoqëria Dija mbahej me ndihmat që jepnin
bashkatdhetarët shqiptarë, por gëzonte edhe
përkrahjen financiare të qeverisë austriake.
Shoqëria, duke filluar nga viti 1907-1908, nxori Kalendarin
e Shoqërisë Dija, një nga botimet
më të rëndësishme publicistike e letrare
shqipe të asaj periudhe. Dija bashkëpunonte
dhe mbante lidhje të ngushta me Shoqërinë Dituria
të Bukureshtit.
Megjithëse Shoqëria Dija kishte deklaruar
se nuk do të merrej me çështje politike,
Porta e Lartë, që u informua shumë shpejt për
themelimin e saj, e rreshtoi atë ndër organizatat
që synonin të luftonin për autonominë
e Shqipërisë dhe mori masat për të penguar
shtrirjen e komiteteve të saj në vilajetin e Kosovës
e në atë të Shkodrës. Megjithatë,
gjatë viteve 1906-1907 kjo shoqëri, përveç
Vjenës e Shkodrës, që ishin vatrat e para të
saj, themeloi degët e veta edhe në Klagenfurt (Austri),
në Prizren, në Tiranë, në Durrës
e në Shkup. Një degë e saj u ngrit në
Raguzë (Dalmaci), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt,
që nxirrte atje gazetën Shpnesa e Shqypënisë
dhe një tjetër në Bukuresht (1907), nën
drejtimin e Asdrenit.
Vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare
në fillim të shek. XIX u bënë kolonitë
e ShBA-së, në të cilat kishte në atë
kohë rreth 20 000 emigrantë, tregtarë, zanatçinj
e punëtorë, të krishterë e myslimanë.Të
mërguarit shqiptarë formuan këtu një varg
shoqërish të reja. Më 1906 u themelua në
Bufalo Shoqëria Malli i Mëmëdheut
dhe në Nju-Jork Koha e Lirisë. Në
fillim të vitit 1907 u krijua në Boston shoqëria
Besa-Besën, me kryetar Fan Nolin, me degë
në tërë qytetet e ShBA-së ku kishte shqiptarë,
ndërsa në Sen Lui u ngrit Shoqëria Lidhja
etj.
Edhe shoqëritë e kolonisë shqiptare të
Amerikës synonin të ndihmonin në ngritjen kulturore
e politike të popullit shqiptar dhe të shqiptarëve
të Amerikës, për shtypjen e librave e të
çdo lloj literature në gjuhën shqipe, për
botimin e gazetave shqipe dhe për çeljen e shkollave
në qytetet më të mëdha të Shqipërisë.
Një rol të rëndësishëm në organizimin
e shoqërive të ShBA-së luajtën Petro Nini
Luarasi dhe veprimtarët e rinj të lëvizjes
shqiptare, Sotir Peci e Fan Noli?.
Po në vitin 1907 u formua në Buenos-Aires (Argjentinë)
Shoqëria Lidhja shqiptare dhe në vitin
1908 në Odesë Shoqëria Përlindja.
Shoqëritë e reja të mërgimit, sikurse
edhe ato që ishin krijuar më parë, bënë
një punë të madhe për ngritjen e ndërgjegjes
kombëtare të popullit shqiptar me anën e botimit
të librave, të gazetave, të revistave dhe të
shkollave shqipe, për përhapjen e të cilave
organizonin herë pas here fushata ndihmash në të
holla. Ndonëse në statutet e tyre, për tiu
shmangur ndërlikimeve të mundshme, nuk flitej hapur
për qëllimet politike, shoqëritë mbanin
lidhje me komitetet dhe atdhetarët shqiptarë brenda
e jashtë atdheut. Gjatë viteve 1907-1908, kur Bajram
Topulli vizitoi kolonitë shqiptare të Bukureshtit
e të Sofjes, shoqëritë atdhetare të këtyre
qendrave, si edhe ato të Egjiptit e të ShBA-së,
mblodhën mjete financiare për të ndihmuar veprimtarinë
e komiteteve shqiptare e të çetave të armatosura
dhe dërguan vullnetarë, duke dhënë kështu
një ndihmesë të veçantë në
organizimin dhe në përgatitjen e luftës së
armatosur në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, shoqëritë
atdhetare të mërgimit punonin për ti
bërë të njohur opinionit publik ndërkombëtar
çështjen shqiptare dhe kërkesat e kombit
shqiptar. Kur në vitin 1907 (korrik-shtator) u mblodh
në Hagë Konferenca e Paqes, një forum ndërkombëtar,
ku morën pjesë dhjetëra shtete, atdhetarët
shqiptarë, ndonëse nga përvoja e Konferencës
së vitit 1899, nuk shpresonin shumë se ajo do të
zgjidhte çështjen shqiptare, i parashtruan asaj
katër memorandume: njëri, i hartuar në Boston
më 8 korrik, në emër të shoqërive
atdhetare të kolonive të ShBA-së dhe nënshkruar
nga kryetarët e tyre, Fan Noli etj.; një tjetër
dërguar në emër të kolonisë shqiptare
të Kostancës (gusht 1907); një i tretë
nga Komiteti i kolonisë shqiptare të Egjiptit
po në gusht të atij viti; një i katërt
hartuar nga Dervish Hima dhe dërguar Në emër
të shqiptarëve myslimanë, ortodoksë e
katolikë (korrik, 1907). Memorandumet iu dorëzuan
Konferencës dhe disave prej përfaqësuesve të
Fuqive të Mëdha, jashtë saj, nga një delegacion
shqiptar.
Edhe pse vinin nga kolonitë e vendeve të ndryshme,
memorandumet kishin në thelb një përmbajtje
të përbashkët: kërkohej nga Konferenca
e Hagës që ti kushtonte vëmendje edhe
çështjes shqiptare dhe përgjithësisht
gjendjes së mjerueshme politike, ekonomike e kulturore
të Shqipërisë nën sundimin osman, të
detyronte Turqinë të njihte zyrtarisht kombin shqiptar
si një komb i veçantë, sipas parimit të
gjuhës e jo të besimit fetar dhe të lejonte
hapjen e shkollave shqipe, që do tu jepnin mundësi
shqiptarëve të hynin në rrugën e qytetërimit
e të përparimit. Në memorandumin e paraqitur
nga Dervish Hima parashtrohej kërkesa e autonomisë
së Shqipërisë, si zgjidhja më optimale
në atë kohë e çështjes shqiptare.
Përfaqësuesit e shoqërive të mërgimit
u kumtuan pjesëmarrësve të Konferencës
së Hagës se nuk do të kishte paqe në Ballkan
e stabilitet në Lindje, gjersa të mos zgjidhej edhe
çështja shqiptare në pajtim me aspiratat
e kombit shqiptar.
Shoqëritë atdhetare të mërgimit luftuan
jo vetëm kundër zgjedhës osmane, por edhe kundër
politikës asimiluese e përçarëse që
Patrikana greke e Stambollit ndiqte ndaj shqiptarëve,
duke e shtrirë veprimtarinë e saj jo vetëm
në Shqipëri, por edhe në kolonitë shqiptare.
Një masë e rëndësishme për të
përballuar ndikimin e Patrikanës ishte krijimi i
një kishe kombëtare shqiptare. Kjo kërkesë
e shtruar qysh në fundin e shek. XIX u bë shumë
e ngutshme në fillim të shek. XX.
Themelimi i kishës ortodokse shqiptare është
i lidhur me emrin e Fan S. Nolit. Kërkesa për krijimin
e një kishe të tillë me prift shqiptar dhe
me shërbesat në gjuhën shqipe u bë në
maj të vitit 1907. Në vjeshtën e atij viti
shqiptarët e Hadsënit formuan shoqërinë
fetare Nderi Shqiptar dhe ngritën një
komision, i cili, pasi mori edhe pëlqimin e të gjitha
kolonive shqiptare të Bostonit, të Netikut e të
Marlboros, filloi veprimet praktike për krijimin e kishës
shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e Patrikanës
së Stambollit, edhe Sinodi rus pranoi kërkesën
e shqiptarëve, që peshkopi i tij në ShBA të
shuguronte një prift shqiptar. Këto përpjekje
të shqiptarëve u kurorëzuan me sukses në
shkurt të vitit 1908, kur me dorëzimin e Fan Nolit
si prift në një nga kishat e Nju-Jorkut, u themelua
kisha shqiptare. Për të ndihmuar funksionimin e
saj, Fan Noli gjatë viteve 1908-1914 shqipëroi 6
libra të shërbesës fetare.
Kjo ngjarje u përshëndet nga shqiptarët brenda
vendit dhe në kolonitë e mërgimit, ndërsa
organet e shtypit atdhetar, duke botuar njoftimin e Fan Nolit
për ngritjen e kishës shqiptare, e cilësuan
këtë akt si një goditje kundër shovinizmit
grek dhe një fitore të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Atdhetarët shqiptarë, të krishterë
e myslimanë, e vlerësuan krijimin e kishës
ortodokse shqiptare jo thjesht si një ngjarje ekleziastike,
por edhe si një veprim që do të ndihmonte në
emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Ngritja
e kishës shqiptare në ShBA ishte hapi i parë
i rëndësishëm për themelimin, më
1922, të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Veprimtaria e shoqërive atdhetare të kolonive shqiptare
të mërgimit mbeti edhe në vitet e ardhshme
një faktor i rëndësishëm në luftën
e popullit shqiptar për pavarësinë kombëtare
dhe për tërësinë territoriale të
atdheut.
|
 |  |