 |  |
K R E U VI
ZHVILLIMI I LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI
NË VITET 1882 - 1895
1. KUSHTET E REJA POLITIKE PAS SHTYPJES
SË LIDHJES SË PRIZRENIT
Gjendja politike pas Lidhjes së Prizrenit
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u
krijua një gjendje e rëndë politike për
lëvizjen kombëtare dhe për mbarë popullin
shqiptar. Forcat e shumta ushtarake osmane të komanduara
nga Dervish Pasha, pasi shpërndanë qeverinë
e përkohshme shqiptare, rivendosën administratën
osmane në zonat ku kishte vepruar kjo qeveri dhe u përpoqën
të forconin kudo autoritetin e Portës së Lartë.
Qeveria e Stambollit ishte tronditur thellë nga vrulli
dhe nga arritjet e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj vendosi
në Shqipëri një regjim terrori politik, që
ishte i lidhur me emrin e sulltan Abdyl Hamitit II ose të
sulltanit gjakatar, siç e quanin rilindësit.
Në Shqipëri, veçanërisht në Kosovë,
vepruan për një kohë të gjatë shtetrrethimi
dhe gjykatat ushtarake. Qindra e mijëra atdhetarë
shqiptarë u ndoqën, u burgosën dhe u internuan.
Qëllimi i këtyre masave të ashpra ishte që
të pengohej zhvillimi i mëtejshëm i Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare.
Porta e Lartë u dha kompetenca të veçanta
organeve të xhandarmërisë e të policisë,
për të cilat u përdor pjesa më e madhe
e buxheteve lokale të sanxhakëve dhe të vilajeteve
shqiptare. Sipas buxhetit të vitit 1889, për xhandarmërinë
dhe për policinë u caktuan në sanxhakun e Elbasanit
63% të shpenzimeve lokale, në atë të Korçës
64% dhe në atë të Dibrës 70%, pa përfshirë
këtu garnizonet ushtarake, të cilat mbaheshin nga
buxheti perandorak. Në fund të kësaj periudhe
(më 1898), nga 982 857 groshë shpenzime të
vilajetit të Kosovës, për xhandarmërinë
u përdorën 977 116 groshë.
Krahas dhunës politike, administrata sunduese osmane
rëndoi edhe shtypjen ekonomike, duke shtuar taksat e
detyrimet e mëparshme dhe duke vendosur të reja;
ajo mori masa të rrepta për nxjerrjen e tyre, duke
përfshirë edhe ato të prapambeturat nga vitet
e Lidhjes. Si rrjedhim, u keqësua më shumë
gjendja ekonomike e popullsisë së fshatit dhe e
qytetit. Megjithëse vendi ishte i varfër e i prapambetur,
miliona groshë të nxjerrë nga popullsia shqiptare
vazhdonin të merrnin rrugën e Stambollit. Ndër
të tjera paguhej edhe për rrugët e për
shkollat, por rrugë e shkolla nuk ndërtoheshin.
Në sanxhakun e Korçës, ku grabitja fiskale
osmane ishte më e theksuar, buxheti i vitit 1889 parashikonte
të vilte nga taksat një shumë prej 9 671 mijë
groshë, nga e cila, për të përballuar
shpenzimet administrative të vendit, do të përdoreshin
vetëm 1 795 mijë groshë, kurse pjesa tjetër,
rreth 81% e të ardhurave, do të dërgoheshin
në Stamboll.
Gjendjen ekonomike të popullsisë e keqësonin
edhe më shumë korrupsioni e abuzimet e nëpunësve
osmanë. Lidhur me këtë, konsulli austriak Shmuker
shkruante në gjysmën e dytë të vitit 1881,
se korrupsioni dhe keqadministrimi i mëparshëm
i nëpunësve qeveritarë ka filluar përsëri...,
lakmia e ditur e tij (e Dervish Pashës - shën. i
aut.) për të holla shfaqet gjithmonë e më
qartë në të gjitha veprimet e tij.
Po kështu plagë të rënda për popullsinë
ishin shërbimi i detyruar ushtarak, i cili kryhej për
vite me radhë dhe në vise të largëta të
Perandorisë, si edhe gjykatat osmane, të cilat i
zgjatnin së tepërmi proceset gjyqësore dhe
nuk zgjidhin asnjë çështje pa ryshfet. Krahas
dhunës së drejtpërdrejtë, Porta e Lartë
përdori edhe mjete të tjera kundër Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Gjatë ekspeditave ushtarake
për shtypjen e Lidhjes dhe më vonë, duke shpërndarë
para, grada e dekorata, ajo arriti të tërhiqte në
anën e saj disa krerë feudalë e bajraktarë
të lëkundur e konservatorë. Porta e Lartë
vuri në poste të rëndësishme edhe disa
krerë shqiptarë që kishin marrë pjesë
në Lidhjen e Prizrenit, që kishin pranuar të
bashkëpunonin me të dhe që kishin ndikim në
popull. Përveç kësaj, ajo nxiste përçarjet
fetare e krahinore për të penguar bashkimin e shqiptarëve
në luftën çlirimtare. Çdo pakënaqësi
kundër pushtetit osman paraqitej si e nxitur nga jashtë,
nga armiqtë e fesë islame e të Perandorisë
Osmane, kurse atdhetarët shqiptarë etiketoheshin
si agjentë të shteteve të huaja.
Si pasojë e të gjitha këtyre masave, Lëvizja
Kombëtare Shqiptare mori një goditje të rëndë.
Megjithatë qeveria e Stambollit, për shkak të
qëndresës së vazhdueshme të shqiptarëve,
nuk arriti të vendoste rendin e qetësinë
e dëshiruar. Masat e saj shtypëse, administrative,
fiskale e ushtarake, ndonëse të mbështetura
nga bajonetat e ushtrisë, arritën të zbatoheshin
vetëm në qytetet e në viset fushore, madje
edhe atje në mënyrë jo të plotë,
kurse përpjekjet për të shtrirë administratën
e centralizuar osmane edhe në viset malore nuk dhanë
rezultat; atje vijuan të ruheshin venomet e mëparshme.
Duke vlerësuar në mënyrë të saktë
pozitën e qeverisë osmane në Shqipëri
pas Lidhjes së Prizrenit, konsulli austriak i Korfuzit
A. Varsberg (A. Warsberg), i shkruante Vjenës në
vitin 1884: Pasi e pashë gjendjen, ngul këmbë
se do të ishte gabim të mos shihej sundimi i tanishëm
turk (në Shqipëri) si një sundim krejt i kalbur,
i dobët, i urryer dhe i përbuzur prej të gjithëve.
Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike
ndaj Shqipërisë
Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi
jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha
pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi
që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes
shqiptare.
Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70,
në Evropë u vendos një farë stabiliteti
politik i përkohshëm. Për shkak të interesave
të tyre, Fuqitë e Mëdha ishin të prirura
të ruanin për një farë kohe status quo-në
e Perandorisë Osmane dhe hartën politike të
Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin e
Berlinit.
Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën,
ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë
Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e
tyre të privilegjuara, që i kishin siguruar prej
kohësh brenda territoreve të saj dhe për të
penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit
e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë
në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre,
nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve
të tyre për të mbizotëruar në këtë
rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm
kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër
fuqive të tjera të interesuara në Çështjen
Lindore. Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në
pritje të një kohe më të përshtatshme,
nuk kishin ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit
Ballkanik. Edhe Italia, duke qenë e pazonja për
të shmangur kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë
të veçantë të bregdetit shqiptar të
Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë rivale, parapëlqente
të ruhej sundimi osman në këtë zonë.
Në këtë periudhë Gjermania po rritej me
shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion
të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte
të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet
Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet
e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të
mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë,
edhe dy rivalet e Vjenës, Peterburgun e Romën. Meqenëse
fusha ku ndesheshin interesat e kundërt austro-rusë
dhe austro-italianë ishte kryesisht trashëgimi osman
në Ballkan, zbutja e këtyre kontradiktave
shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së status
quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim
u sanksionua edhe në përtëritjen e Aleancës
së tre perandorëve më 18 qershor 1881
ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, të
Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë
ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej
ta shfrytëzonte këtë periudhë qetësie
për tu përgatitur politikisht e ushtarakisht
për arritjen e synimeve të veta në rastin e
një krize të re politike. Në fushën diplomatike
fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin
e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më
20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë
e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori
me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua
me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe.
Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe
imperialiste.
Kështu, për shkak të raportit të forcave
në arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave
që kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin
ekzistencën e Perandorisë Osmane në Gadishullin
Ballkanik e si rrjedhim edhe sundimin mesjetar osman në
Ballkan e në Shqipëri; në këtë mënyrë
frenonin luftërat çlirimtare të popujve që
ende vuanin nën robërinë osmane. Në këto
rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në
atë kohë nuk kishte interes të përkrahte
idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom
ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy
të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare,
por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane
që të shtypte çdo kryengritje të brendshme
të armatosur.
Një dëm të madh i shkaktoi luftës së
popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe
qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat,
siç shkruante gazeta Shqipëtari e
Bukureshtit e vitit 1888, nuk u kënaqën me
plagët që i bënë (Shqipërisë
- shën. i aut.) gati për vdekje (gjatë Krizës
së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin
gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin
e tyre.
Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën
e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha.
Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të
merrte fund në një të ardhme të afërt,
ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike
për të shtënë në dorë zotërimet
osmane në Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së
Prizrenit, për shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë,
Malin e Zi e Bullgarinë) ishte bërë edhe më
e qartë se në përpjekjet për sendërtimin
e pretendimeve të tyre territoriale ndaj trojeve shqiptare,
ato do të ndesheshin me qëndresën e shqiptarëve
që ishin të vendosur të mbronin tërësinë
e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat ti tërhiqte
shqiptarët pas vetes dhe forcën e tyre luftarake
ta vinte në shërbim të politikës së
saj pushtuese.
Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë
ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë
kësaj periudhe për ti hedhur në kryengritje
të parakohshme, që do ti lidhnin duart Perandorisë
Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të
shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin
e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në
mënyrë të ethshme përpjekjet për
asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës,
të shkollës, të propagandës etj. dhe mundoheshin
me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare
të mohonin qenien e kombit shqiptar. Kjo veprimtari i
krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve
të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve
ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi
të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin
e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik.
Këtë politikë të monarkive ballkanike
e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të
nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit,
për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar
nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për
ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të
jashtëm. Por as politika përçarëse e
Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist
i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja
për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat
e tyre të pavarura.
Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi
në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore
ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari
u zhvillua në dy rrugë të ndryshme, të
cilat plotësonin njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës,
e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë
rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga
patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në
viset jugore e të mesme të Shqipërisë,
si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë
e saj për helenizimin e shqiptarëve.
Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft
shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte
gjithashtu Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me
ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe
klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin
prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë).
Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej
kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe.
Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe
në librat e shenjta paraqitej si një
veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj.
binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të
punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe
nën mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë
e grekomanë, klerikë e laikë, zhvilluan në
mënyrë të fshehtë edhe një veprimtari
politike në të mirë të Greqisë e
gjoja edhe të të krishterëve shqiptarë.
Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për
këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të
popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në
lëvizjen kombëtare ishin përfshirë edhe
disa çifligarë dhe për ti larguar atdhetarët
shqiptarë nga kjo lëvizje, grekomanët në
fushatën e tyre propagandistike u përpoqën
ta paraqitnin në mënyrë krejt të shtrembër
përmbajtjen kombëtare të lëvizjes shqiptare,
duke e quajtur atë një lëvizje të maskuar
të feudalëve myslimanë shqiptarë, me fitoren
e së cilës Shqipëria do të shkëputej
nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë
do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të
hynin në një zgjedhë të re më të
rëndë.
Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund
ti varnin shpresat për arritjen e synimeve të
tyre politike ndaj Shqipërisë vetëm në
një grusht elementësh grekomanë vendas, aq
më tepër kur në radhët e shqiptarëve
po rritej gjithnjë e më shumë lëvizja
kombëtare për një shtet shqiptar më vete.
Për të shfrytëzuar këtë lëvizje,
ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar
kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar.
Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar
më 1883, shoqata kulturore Vllamët shqiptarë,
e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë
greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të
vitit 1885 etj. Agjentët e këtyre komiteteve e shoqërive
vepronin deri në Mirditë, në Mat e në
Dibër. Këtij qëllimi i shërbenin edhe
një varg organesh të shtypit, të cilat, krahas
atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll, në
Bukuresht, në Trieste etj.
Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq
ti nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët
kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën
e vjetër për formimin e një shteti të
përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën
e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar
këtë ide u dërguan agjitatorë si në
Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare
të mërgimit.
Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit
demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së
formimit të një shteti të përbashkët
greko-shqiptar, që synonte ti hidhte shqiptarët
në një aventurë kundër Portës së
Lartë, për të shtënë në dorë
pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke iu përgjigjur
disa personaliteteve evropiane, që nuk e kuptonin synimin
e vërtetë të propagandës së Athinës,
Fiamuri i Arbërit (Corigliano Calabro, 1883-1885)
shkruante në shkurt 1886: Disa zotërinj të
shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin
e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar
kështu dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e
kuptojnë se sot ekzistenca jonë e veçuar
bën që ne të vazhdojmë të ekzistojmë
dhe bashkimi do ti jepte fund ekzistencës sonë.
Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë
jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt,
disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve
të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë
Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën
Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej
të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese
të Athinës e shikonin Federatën si një
mjet për të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike
zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane pa
e prishur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Por kryeministri
grek nuk mori asnjë zotim konkret ndaj shqiptarëve.
Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit
të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund
të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje
as vetë kryeministri grek, nuk tregohej përkrahës
i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit
mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen
e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike
vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta
me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të
kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke iu përgjigjur
propozimit të Trikupisit, Fiamuri i Arbërit
shkruante në mars të vitit 1884: Greqia, Rumania,
Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të cilat janë zonjat
e vetvetes dhe i kanë duart të lira, le të
federohen. Edhe Anglia - ose kush të dojë, le ti
përkrahë nëse Turqia ose ndonjë tjetër
ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi të
formohet federata) Shqipëria do të vendosë
vetë pasi të shohë diçka përpara
syve të saj. Përndryshe do të kërkojmë
të zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon
(Shqipërinë - shën. i aut.) të ngrejë
krye për diçka që nuk ekziston dhe që
ta fillojë ajo, e përçarë, pa të
holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me krahë
të pakët, luftën kundër Turqisë që
i ka të gjitha këto me shumicë dhe më
shumë aleatë që e ndihmojnë.
Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer
armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili
gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për
këtë çështje me Greqinë. Ata ishin
në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të
rolit të dyfishtë që luante Komiteti i Korfuzit
për ti shërbyer jo vetëm Athinës,
por edhe Cetinës.
Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin
e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin
një rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare. Në saje të veprimtarisë shekullore
të Fanarit në dobi të helenizimit të popullsive
të krishtera jogreke të Perandorisë Osmane,
në një pjesë të opinionit publik evropian
dhe të literaturës politike e shkencore të
kohës ishte përhapur pikëpamja e gabuar se
ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç
kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike
të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të
gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e
Fuqive të Mëdha.
Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë
shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e
saj, Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm
për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë
Perandoria Osmane.
Vija politike e rilindësve
Kushtet e reja të vështira të krijuara në
Shqipëri pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit,
rreziku i copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet
fqinjëve lakmitarë dhe politika e ruajtjes së
status quo-së e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha
në këtë periudhë diktuan nevojën
e përpunimit të një taktike të re të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ndonëse tani pa një organizatë qendrore kombëtare,
rilindësit, në saje të lidhjeve që kishin
ndërmjet tyre, mbajtën pak a shumë të
njëjtin qëndrim për problemet politike të
lëvizjes. Pikëpamjet e tyre të përbashkëta
shërbyen si program në këtë periudhë
zbatice të lëvizjes së armatosur.
Rilindësit e kuptuan se tani kishte marrë fund përkohësisht
periudha e sulmit të drejtpërdrejtë kundër
sundimtarëve osmanë dhe kishte filluar një
periudhë e re e grumbullimit të forcave. Ata me
të drejtë e vlerësuan situatën e re si
të papërshtatshme për një kryengritje
të përgjithshme të armatosur, së cilës
do ti kundërviheshin jo vetëm forcat ushtarake
osmane, por edhe ato të Fuqive të Mëdha që
nuk donin të cenohej status quo-ja në Turqinë
Evropiane.
Si rrjedhim, rilindësit nuk shikonin ende kushtet e mundësitë
për të arritur në ato vite shkëputjen
e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ata këtë
gjendje e shihnin si të përkohshme, aq më tepër
kur mendonin, sikurse shkruante Sami Frashëri, se Perandoria
Osmane nuk do të jetonte gjatë në Ballkan.
Në këtë periudhë stabiliteti politik të
përkohshëm, rilindësit u kufizuan me disa kërkesa
të karakterit kulturor-arsimor dhe administrativ që
nuk preknin status quo-në e Perandorisë Osmane.
Ata kërkuan nga Porta e Lartë zbatimin e reformave
të parashikuara në artikullin 23 të Traktatit
të Berlinit që vetë Turqia e kishte pranuar
nën trysninë e Fuqive të Mëdha. U kërkua
gjithashtu që të ktheheshin nga viset e ndryshme
të Perandorisë shqiptarët e internuar gjatë
shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.
Por theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në
zgjerimin e lëvizjes kulturore kombëtare për
përhapjen e shkrimit shqip, të shkollës e të
letërsisë kombëtare, me qëllim që
të ngrihej më tej ndërgjegjja politike e popullit,
të njihej kombësia shqiptare në arenën
ndërkombëtare dhe të mbrohej nga orvatjet shkombëtarizuese
të armiqve. Për këtë arsye lufta për
shkollën e për letërsinë shqiptare mbeti
edhe në këtë periudhë stabiliteti, ashtu
siç kishte qenë para Lidhjes së Prizrenit,
përmbajtja kryesore e lëvizjes kombëtare. Gjuha
e kultura kombëtare u bënë hallka të rëndësishme,
me anën e të cilave rilindësit punuan për
të bashkuar gjithë popullin shqiptar pavarësisht
nga dallimet fetare, krahinore e klasore.
Lëvizja kombëtare brenda vendit u zhvillua në
kushtet e një ilegaliteti të plotë. Për
këtë arsye një rëndësi të madhe
morën kolonitë shqiptare të mërgimit,
sidomos ato të Rumanisë, të Bullgarisë,
të Egjiptit etj. Në to, pikërisht në këtë
periudhë, filloi jetën e vet shtypi shqiptar, ku
rilindësit patën mundësinë të shprehnin
hapur pikëpamjet e tyre. Më 20 korrik 1883 në
Kalabri doli numri i parë i organit mujor Fiamuri
i Arbërit në dy gjuhë, në të
folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe
në italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës.
Ai vazhdoi botimin deri në vitin 1887 dhe dha një
ndihmesë të shquar për njohjen dhe për
afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në
arenën ndërkombëtare.
Në vitin 1884 filloi të botohej në Stamboll
revista mujore me emrin Drita e më vonë
Dituria (1884-1885) dhe më 1888 botohet në
Bukuresht gazeta Shqipëtari (1887-1903).
Si në letërkëmbimin që patën rilindësit
ndërmjet tyre brenda e jashtë Shqipërisë,
ashtu edhe në organet e para të shtypit shqiptar,
atdhetarët theksonin veçanërisht nevojën
e përhapjes së arsimit e të kulturës shqiptare,
si mjete që do të futnin kombin shqiptar në
rrugën e zhvillimit e të përparimit, që
do ta mbronin nga rreziku i shkombëtarizimit dhe do ta
radhitnin atë krahas kombeve të tjera të përparuara
të Ballkanit e të Evropës.
Patriotët i kushtuan rëndësi gjithashtu njohjes
së kombit shqiptar në qarqet politike e diplomatike
evropiane dhe mbrojtjes së të drejtave të tij
legjitime.
Pasi doli nga burgu i Prizrenit dhe nga internimi i Anadollit,
Abdyl Frashëri u drejtoi disa letra e memorandume personaliteteve
të Fuqive të Mëdha. Tri prej tyre ia dërgoi
Françesko Krispit, me origjinë nga arbëreshët
e Italisë dhe në atë kohë kryeministër
i Italisë. Letrën e parë ia çoi në
nëntor 1887 dhe të dytën në shtator 1888,
por këtë e nënshkroi së bashku me Mehmet
Ali Vrionin. Me anën e saj ata i parashtronin F. Krispit
dëshirat dhe ndjenjat e shqiptarëve,
theksonin se Shqipëria ndodhej para jetës
ose vdekjes së saj, para ringjalljes ose copëtimit
të saj. Pasi përmendnin qëndresën
energjike e të vazhdueshme të kombit shqiptar kundër
pushtuesve osmanë, shkruanin: Si rrjedhim, Shqipëria
meriton pavarësinë më shumë se çdo
komb tjetër i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do
të tregohet më e denja për përkrahjen
e Evropës dhe më e afta për të qeverisur
vetveten. Pavarësisht nga taktika e re që
u detyruan të ndiqnin rilindësit në atë
periudhë, letra e përmendur tregonte qartë
se, edhe në ato vite reaksioni të egër, synimi
kryesor i shqiptarëve dhe i lëvizjes së tyre
kombëtare mbetej i njëjtë: fitorja e pavarësisë
kombëtare të Shqipërisë dhe ruajtja e
tërësisë së saj territoriale.
Në letrën e tretë drejtuar Françesko
Krispit, Abdyl Frashëri i shprehte edhe një herë
mendimin e tij të njohur se Çështja
e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë
në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë,
e cila zë një vend me shumë rëndësi
në Gadishullin Ballkanik; ai shprehte gjithashtu
bindjen se Shqiptarët janë të gatshëm
më mirë të vdesin të gjithë me armë
në dorë sesa ta lënë veten e tyre të
copëtohen midis kombesh të tjera, të cilat
do tua shkatërronin gjuhën e karakterin e
tyre; po aty i kërkonte që në interes
të paqes e të drejtësisë të plotësohej
dëshira legjitime e fisnike e kombit shqiptar, duke e
njohur Shqipërinë si një shtet autonom ose
të pavarur, në kufijtë e saj natyrorë
dhe etnografikë.
Po kështu në vitin 1892 Nikolla Naçoja, kryetar
i Shoqërisë Drita të Bukureshtit,
së bashku me rregulloren e Shkollës Normale të
çelur prej tij në Bukuresht, u dërgoi letra
e promemorje disa personaliteteve politike e shkencore rumune
dhe evropiane, si Dimitër Butkuleskut, kryetar nderi
i Shoqërisë Drita dhe deputet në
parlamentin rumun, kancelarit gjerman Bismark, mbretit të
Italisë, albanologut çek Jan Urban Jarnik, profesor
në Universitetin e Vjenës etj.
Në letrën dërguar Bismarkut, në korrik
1892, në emër të Shoqërisë Drita
të Bukureshtit dhe të popullit shqiptar, Nikolla
Naçoja e vinte në dijeni për gjendjen jashtëzakonisht
të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike
të popullit shqiptar, për rrezikun e shkombëtarizimit
të tij nga shkollat e huaja e nga propaganda pansllaviste
dhe ajo e Megali Idesë greke, të cilat
përhapeshin duke shfrytëzuar tolerancën dhe
indiferencën ndaj tyre të Perandorisë Osmane.
Në të njëjtën kohë shprehte bindjen
se kancelari gjerman do ti tërhiqte vërejtjen
Perandorisë Osmane për të drejtat e shenjta
të shqiptarëve, për krijimin e mundësive
për zhvillimin e tyre dhe për mbrojtjen nga rreziqet
që u kanoseshin.
2. KRYENGRITJET SHQIPTARE NË VITET 1883-1895
Kryengritjet kundërosmane në vitet 1883-1885
Megjithëse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit
rilindësit e vlerësonin gjendjen politike të
brendshme e të jashtme të vendit si të papërshtatshme
për një kryengritje të përgjithshme, qëndresa
e armatosur e shqiptarëve kundër sundimit osman
e masave të tij shtypëse vijoi pa ndërprerje.
Por tani ajo pati karakter lokal dhe u zhvillua në përmasa
më të kufizuara.
Vatra të pashuara kryengritjesh e konfliktesh të
armatosura mbetën malësitë shqiptare (të
Kosovës, të Shkodrës, të Lumës, të
Mirditës, të Himarës etj.). Por lufta e armatosur
përfshiu herë pas here edhe zonat fushore e qytetet
(si Podrimën, Rekën e Zadrimën dhe qytetet
e Prizrenit, të Gjakovës, të Pejës, të
Shkodrës etj.).
Kryengritja e parë pas shtypjes së Lidhjes ishte
ajo e Malësisë së Mbishkodrës, ku pakënaqësia
kishte ardhur gjithnjë duke u rritur. Në vitin 1882
ajo u shtua edhe më shumë për shkak të
veprimeve arbitrare dhe të krimeve të bylykbashit
të krahinës. Shaljanët dogjën shtëpitë
e disa zaptijeve që ishin të lidhura me bylykbashin
dhe dërguan te qeveritari i Shkodrës një përfaqësi
të përbërë prej 60 vetash të armatosur,
e cila i njoftoi atij se kundërshtimi ndaj qeverisë
do të vazhdonte derisa të emërohej një
bylykbash i përshtatshëm për ta. Në dhjetor
të po atij viti u vra nga malësorët komisari
i policisë së bajraqeve malore, i cili kishte ngjallur
urrejtjen e gjithë Malësisë.
Situata u acarua edhe më shumë kur autoritetet qeveritare
osmane hynë në bisedime me Malin e Zi, lidhur me
konfliktet kufitare, për të siguruar asnjanësinë
e tij në rast se organizohej një ekspeditë
ushtarake për nënshtrimin e Malësisë së
Mbishkodrës. Për ti dalë përpara
situatës, më 26 prill 1883 përfaqësuesit
e Malësisë organizuan në Kastrat një mbledhje,
në të cilën vendosën të kundërshtonin
shtimin e trupave ushtarake osmane në Malësi dhe
çdo lëshim të territorit të tyre Malit
të Zi. Në mbledhjen e Kastratit u vendos që
të formohej një lidhje mbrojtëse e malësisë,
e cila do të merrte masa si kundër Portës së
Lartë, ashtu edhe kundër Malit të Zi. Qeveritarët
osmanë nga ana e tyre po përgatisnin me shpejtësi
një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin
e Malësisë. Më 2 qershor 1883 u vunë në
lëvizje shtatë batalione dhe një bateri malore,
e komanduar nga gjenerali Hafiz Pasha. Në ndihmë
të tyre u vunë edhe dy luftanije në liqenin
e Shkodrës me dy kompani ushtarësh. Me kastratasit
u bashkuan forcat e Shalës, të Shkrelit, pjesërisht
të Hotit, të Grudës e të Kelmendit. Përpara
qëndresës këmbëngulëse të kryengritësve
Hafiz Pasha u detyrua të kërkonte ndërprerjen
e luftës, duke u premtuar kushte të ndershme:
do të respektoheshin privilegjet e tyre tradicionale
dhe do të gjendeshin kompensime të tjera
për lëshimet tokësore ndaj Malit të Zi.
Por luftimet vazhduan gjatë 15 ditëve. Forcat osmane
morën masa të egra terrori ndaj popullsisë.
Me shtypjen e kryengritjes turqit shpallën një falje
gjysmake. Një numër krerësh malësorë
u hodhën në arrati për të mos rënë
në dorë të tyre.
Ngjarje të tjera ndodhën gjatë vitit 1883 në
Llap të Kosovës, ku u ngritën rreth 300 burra
për të kundërshtuar bylykbashin turk, i cili
ishte dërguar për të mbledhur taksat qeveritare.
Po kështu, në Dibër, nën trysninë
e popullsisë së pakënaqur të qytetit e
të malësisë, u hoqën nga detyra mytesarifi
dhe kryetari i gjyqit ushtarak. Në këtë rast
dibranët u çliruan edhe nga puna angari në
rrugën ushtarake Ohër-Strugë-Dibër, ndërtimi
i së cilës u pezullua.
Vatër e qëndresës kundërosmane mbeti gjithnjë
Kosova. Megjithëse pesha kryesore e ekspeditës ushtarake
të komanduar nga Dervish Pasha kishte rënduar pikërisht
mbi të, Stambolli nuk arriti ta qetësonte këtë
krahinë veçse përkohësisht. Në
gusht e shtator të vitit 1884 popullsia e Prizrenit dhe
e rretheve të tij e kundërshtoi pagimin e taksës
për kokë që do të vilej me rastin e regjistrimit
të popullsisë, si edhe shtesën prej 25% të
së dhjetës. Rreth 500 podrimas, fandas e lumjanë
të armatosur hynë në Prizren. Në këto
rrethana autoritetet e vendit premtuan se do të hiqnin
dorë nga detyrimet e reja. Mirëpo, kur nga mesi
i shtatorit ato i kërkuan përsëri këto
detyrime, një numër edhe më i madh malësorësh
të armatosur hynë në Prizren dhe dëbuan
prej qytetit mytesarifin e drejtorin e financës.
Për të qetësuar gjendjen, Porta e Lartë
i hoqi nga Prizreni nëpunësit e dëbuar dhe
premtoi edhe njëherë anulimin e taksave e lirimin
e atdhetarëve të burgosur e të internuar gjatë
ekspeditës së komanduar nga Dervish Pasha. Por pas
kësaj qeveria osmane dërgoi përforcime ushtarake
në Prizren dhe arrestoi e internoi pjesëmarrësit
e ngjarjeve të shtatorit 1884. Reagimi i popullsisë
ishte i menjëhershëm. Në shkurt të vitit
1885 shpërtheu një kryengritje e re. Këtë
radhë, krahas uljes së taksave dhe të drejtës
për mbajtjen e armëve, kryengritësit kërkuan
edhe faljen e të burgosurve e të të internuarve
të shumtë, të cilët mbaheshin në
burgjet e në viset e Anadollit që nga koha e shtypjes
së Lidhjes së Prizrenit.
Lëvizja u shtri në rrethet e Prizrenit, të
Ferizajt dhe në krahinën e Lumës. Krerët
e saj mbanin lidhje edhe me organizatat atdhetare të
mërgimit. Veprimet luftarake vazhduan nga fundi i shkurtit
deri në mesin e marsit. Kryengritësit prenë
linjat telegrafike, sulmuan e rrethuan Prizrenin. Më
20 shkurt 1885 midis Prizrenit e Ferizajt u bë ndeshja
e parë e një pjese të kryengritësve kosovarë
me repartet osmane. Atë ditë kryengritësit,
të pakët në numër dhe të armatosur
keq, u tërhoqën përpara zjarrit të dendur
të topave dhe të mitralozave të armikut. Por
shumë shpejt e rifilluan kundërsulmin: ...
më 1 mars, - thuhet në letrën që një
atdhetar prizrenas u dërgoi disa ditë më vonë
organizatave të mërgimit, - kryengritësit ...,
pasi u grumbulluan, sulmuan Prizrenin nga të gjitha anët
pasdite në orën 9 allaturka dhe luftuan trimërisht
deri në mëngjes... Dhe, me gjithë mitralimin
e tmerrshëm e të vazhdueshëm, luftuan deri
në shtëpitë e para të qytetit dhe i pushtuan.
Autoritetet osmane dërguan atëherë një
ekspeditë të madhe ushtarake me mareshalin Vesel
Pasha në krye. Kryengritësit, të ndodhur përballë
forcave të mëdha armike, u detyruan të hiqnin
rrethimin e qytetit e të tërhiqeshin, ndërsa
udhëheqësit e tyre qëndruan në arrati
dhe u përpoqën të mbanin gjallë kryengritjen.
Vesel Pasha, krahas masave që mori për të siguruar
qetësinë në Prizren, në gusht 1885 iu
drejtua papritmas Gjakovës, ku, nën drejtimin e
Sulejman Vokshit, po bëheshin përgatitje për
të formuar një lidhje të re. Në fillim
ai arrestoi Sulejman Vokshin e bashkëpunëtorët
e tij. Popullsia e zemëruar, duke dashur të përsëriste
ngjarjet e zhvilluara tetë vjet më parë kundër
mareshalit Mehmet Ali pasha, sulmoi trupat osmane që
kishin bllokuar qytetin. Ndërmjet tyre u zhvilluan luftime
të ashpra, por në saje të përforcimeve
ushtarake që erdhën nga Prishtina, Vesel Pasha mundi
ti sprapste sulmet e shqiptarëve.
Kur në Gjakovë zhvilloheshin luftimet, në Rumelinë
Lindore shpërtheu kryengritja çlirimtare kundër
Stambollit dhe disa ditë më vonë u shpall bashkimi
i saj me Bullgarinë. Duke parashikuar keqësimin
e mëtejshëm të gjendjes në Ballkan, Porta
e Lartë u detyrua të ndryshonte qëndrimin e
vet ndaj shqiptarëve. Ajo pezulloi veprimet ushtarake,
e anuloi edhe njëherë urdhrin për zbatimin
e reformave centralizuese, ua njohu malësorëve të
drejtën të mbanin armë, liroi nga burgu e nga
internimi shqiptarët e arrestuar, duke përfshirë
edhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit,
si Abdyl Frashërin e Sulejman Vokshin dhe, më në
fund, premtoi se do të lejonte përdorimin e gjuhës
shqipe në shkollat e Shqipërisë.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893
Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë
(1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë
në lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe
monarkitë ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan
këtë veprim që prishte ekuilibrin
politik të Ballkanit. Por në Konferencën e
Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll
posaçërisht për këtë çështje,
fitoi teza e Anglisë, e cila, duke e parë rritjen
e Bullgarisë, që tani ishte prishur me Peterburgun,
si një pengesë për shtrirjen ruse në Ballkan,
kërkoi që bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë
të njihej si fakt i kryer. Serbia e Greqia, nga ana e
tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato kërkuan
shpërblime territoriale për të kundërbalancuar
zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake.
Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në
nëntor 1885, i shpalli luftë Bullgarisë që
përfundoi pas dhjetë ditësh me disfatën
e serbëve. Greqia hoqi dorë nga lufta kundër
Bullgarisë, por u orvat të siguronte shpërblime
territoriale duke e kërcënuar Turqinë me luftë.
Porta e Lartë iu përgjigj këtij kërcënimi,
duke forcuar kufijtë turko-grekë. Me këtë
rast edhe në Shqipërinë e Poshtme, në
afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri
të mëdha osmane. Edhe këtë radhë
Stambolli u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin
në ushtrinë osmane për ti bërë
ballë kërcënimit grek.
Në këto kushte, kur për shkak të masave
ushtarake të Athinës lindi përsëri rreziku
i copëtimit të vendit, jo vetëm ata krerë
feudalë që nuk donin të shkëputeshin nga
Perandoria Osmane, por edhe rilindësit që udhëhiqnin
lëvizjen kombëtare, nuk ndryshuan qëndrimin
e tyre ndaj Perandorisë Osmane dhe nuk shtruan si detyrë
të ditës çështjen e shkëputjes
prej saj. Duke shprehur gatishmërinë për të
luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte
tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht
përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë
së sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar
të qëndresës shqiptare.
Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u
përmirësua shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente
në politikën e ruajtjes së status quo-së,
formalisht nuk lejuan të bëheshin ndryshime territoriale
në Ballkan. Me traktatin bullgaro-turk që u nënshkrua
në mars të vitit 1886 në Bukuresht, ato e njohën
bashkimin e Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore,
por me kusht që të ruhej në dukje gjendja e
mëparshme. Fuqitë e Mëdha e ndaluan edhe Greqinë
të ndërmerrte veprime luftarake kundër Turqisë
dhe e detyruan me forcë të bënte çmobilizimin.
Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë
u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj
shqiptarëve, duke shkaktuar kështu riacarimin e
marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve
turq dhe rritja e papërmbajtur e taksave u bënë
shkak për lëvizje të reja protestash në
krahina të ndryshme të vendit. Gjatë viteve
1887-1892 protestuan e ngritën krye popullsia e Mirditës,
e Zadrimës, e Prishtinës, e Drenicës, e Dibrës,
e Himarës etj. Autoritetet osmane arritën ti
shtypnin këto lëvizje me anën e forcës
ose ti shpërndanin kryengritësit duke u bërë
premtime të rreme.
Për të qetësuar gjendjen në vilajetin
e Kosovës, Porta e Lartë përqendroi atje forca
të mëdha ushtarake. Megjithatë, lëvizja
atdhetare e udhëhequr nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj.,
po përhapej gjerësisht në pranverën e
vitit 1893. Në fund të majit Haxhi Zeka i bëri
thirrje popullit të Pejës e të rrethinave të
saj që të ngrihej në luftë kundër
pushtetit osman.
Pasi dështuan në orvatjet për ti bindur
kryengritësit të shpërndaheshin, turqit dërguan
në Pejë forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi.
Haxhi Zeka ishte tërhequr nga qyteti dhe ishte vendosur
në fshatin Leshan, ku i shkuan në ndihmë 2
000 malësorë të krahinës së Gjakovës
të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet luftarake
filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë. Turqit,
duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke pasur
përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën
kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti
e kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të
Gjakovës. Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë
të pabesë dhe u mbajt në Stamboll për
disa vjet.
Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë
shpërtheu një kryengritje e re. 3 000 lumjanë
të armatosur iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin
e mytesarifit turk. Tërë Luma është
ngritur me armë dhe kërkon përzënien e
mytesarifit të Prizrenit e të disa bejlerëve
të atjeshëm, shkruante konsulli serb i Prishtinës.
Valiu i Kosovës dhe Porta e Lartë, për ti
prerë rrugën zgjerimit të konfliktit, shkarkuan
nga detyra mytesarifin e Prizrenit, Salih Pashën.
Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve
nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur
dhe as të lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat
e paraqitura ishin të kufizuara. Megjithatë, Abdyl
Frashëri shihte tek ato synimet e shqiptarëve për
tu çliruar nga zgjedha osmane.Shqiptarët,
- shkruante Abdyli në vitin 1888, - nuk kanë pushuar
kurrë së shfaquri pakënaqësinë e
tyre kundrejt qeverisë osmane dhe dëshirën
e tyre për pavarësi.
Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën
disa rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës
së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të
internuarve politikë.
3. PËRPJEKJET PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË
KULTURËS KOMBËTARE.
KONTRIBUTI I DIASPORËS SHQIPTARE
Organizimi dhe veprimtaria e diasporës shqiptare
Për shkak të reaksionit të egër osman
që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe të
keqësimit të mëtejshëm të gjendjes
ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë
kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa
gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra
shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e
tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në
Bullgari, në Egjipt etj. Të mërguarit forcuan
kështu kolonitë e vjetra shqiptare që ndodheshin
në këto vende. Në këto vite filluan gjithashtu
mërgimet e para të shqiptarëve në Rusi
e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke qenë se në atdheun e robëruar lëvizja
kombëtare zhvillohej në kushte ilegale dhe zbatimi
i programit të saj, qoftë edhe për arsimin
e kulturën, ishte gati i pamundur, një rëndësi
gjithnjë e më të madhe mori veprimtaria e diasporës
shqiptare. Me gjithë vështirësitë e shumëllojshme
që duhej të kapërcenin, shqiptarët e mërguar
mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë
një kontribut shumë të madh në lëvizjen
kombëtare, veçanërisht për zhvillimin
e arsimit e të kulturës shqiptare. Veprimtaria atdhetare
e shqiptarëve të mërguar filloi tani të
organizohej e të udhëhiqej nga shoqëritë
që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Këto
shoqëri atdhetare, të ngritura jashtë Perandorisë
Osmane, vepruan legalisht dhe në kushte më të
mira politike.
Ndonëse kishin synime të qarta politike, për
të përgatitur çlirimin e atdheut nga robëria
dhe mbrojtjen e tij nga copëtimi, ato paraqiteshin si
shoqëri kulturore, gjë që pasqyrohej edhe në
programet e statutet e tyre. Kjo bëhej për të
shfrytëzuar mjetet legale në të mirë të
lëvizjes shqiptare dhe për të shmangur çdo
pengesë që mund të nxirrej, nën presionin
e qeverisë osmane, nga organet qeveritare të vendit
ku vepronin. Bashkëkohësi dhe veprimtari i këtyre
shoqërive, Visar Dodoni, ka shkruar më vonë:
Ahere fytyr e dëshirës së shqiptarëve
ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi
që mshifnin dëshirat ish liria kombiare....
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e themeluar
në Stamboll në vitet e Lidhjes së Prizrenit,
pati jetë të shkurtër. Pas tronditjes që
pësoi gjatë reaksionit të vitit 1881 dhe pasi
mbeti me pak anëtarë, ajo nuk mundi ta vijonte veprimtarinë
e saj në forma të organizuara e legale si më
parë. Disa nga anëtarët e kësaj Shoqërie
i larguan nga Stambolli, kurse disa të tjerë hoqën
dorë vetë prej saj. Megjithatë, një bërthamë
anëtarësh aktivë si dhe kryetari i saj Sami
Frashëri e vijuan veprimtarinë në fushën
kombëtare më shumë në forma individuale
dhe në kushte ilegaliteti.
Në këto rrethana, për tiu përgjigjur
më mirë nevojave të lëvizjes kombëtare,
patriotët u detyruan ta kalonin një pjesë të
madhe të veprimtarisë jashtë Perandorisë
Osmane, por gjithnjë në afërsi të Shqipërisë,
në vende si Rumania e Bullgaria, të çliruara
nga zgjedha e huaj, ku kishte koloni shqiptare të mërgimit.
Shteti rumun, i formuar nga bashkimi i principatave të
Vllahisë e të Moldavisë (më 1859), sidomos
pas sigurimit të pavarësisë (më 1878),
vijoi të jetë vendi kryesor i strehimit të
emigrantëve të krahinave të ndryshme të
Turqisë Evropiane, pra edhe të një numri të
madh shqiptarësh. Për shkak të lidhjeve tradicionale
ndërmjet dy popujve dhe të interesave të përbashkët
politikë në Ballkan, shteti rumun e përkrahte
luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe
veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Rumani.
Po kështu shteti i ri bullgar, i çliruar më
1878 dhe i bashkuar me Rumelinë Lindore më 1885,
nuk e pengoi organizimin dhe veprimtarinë e kolonisë
shqiptare në Sofje e në qendra të tjera të
Bullgarisë.
Kolonitë shqiptare në Rumani e në Bullgari,
duke qenë numerikisht më të mëdha, materialisht
më të forta dhe në rrethana politike më
të favorshme morën përsipër një rol
të veçantë e me shumë rëndësi
në lëvizjen kombëtare, duke ndihmuar për
ngritjen e shtypshkronjave, për botimin e teksteve shkollore
në gjuhën shqipe, për nxjerrjen e gazetave
shqiptare, për hapjen e shkollave kombëtare etj.
Pikërisht kur po shtypej Lidhja e Prizrenit dhe kur ishin
krijuar kushte të vështira për veprimtarinë
e Shoqërisë së Stambollit, zuri fill Shoqëria
e Bukureshtit, e cila si nga numri i anëtarëve,
ashtu edhe nga veprimtaria, u bë shoqëria më
e rëndësishme kulturore e kësaj periudhe.
Kriza e fundit e Lindjes dhe lufta 3-vjeçare e popullit
shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit
ushtruan ndikimin e tyre në gjallërimin e veprimtarisë
atdhetare të shqiptarëve të Rumanisë.
Përveç kontakteve që mbanin me Shqipërinë,
ata filluan të lidheshin edhe me shqiptarët e Stambollit
e të Egjiptit, veçanërisht me Sami Frashërin.
Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht
një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të
asaj kolonie, të cilët formuan Shoqërinë
Deg e Shoqërisë së Stambollit.
Pas krijimit të kësaj Shoqërie, shkuan në
Bukuresht Jani Vretoja e Pandeli Sotiri, të dërguar
nga Shoqëria e Stambollit. Vitin tjetër në
Egjipt u themelua një degë tjetër e Shoqërisë
së Stambollit me të njëjtin emër, por
për shkak të vështirësive politike kjo
degë përkohësisht nuk mundi të zhvillohej.
Për disa kohë edhe Deg e Shoqërisë
së Stambollit në Bukuresht mbeti e dobët
dhe me veprimtari të kufizuar. Por me shtimin e numrit
të anëtarëve të saj dhe për të
përballuar më mirë nevojat që shtronte
zhvillimi i mëtejshëm i lëvizjes kombëtare,
sidomos në fushën kulturore, u bë një
hap i ri përpara.
Në dhjetor të vitit 1884 u mblodh në Bukuresht
një kuvend i posaçëm, i cili themeloi një
shoqëri kulturore më vete me emrin Drita.
Në dokumentet e kësaj mbledhjeje dhe në statutin
e shoqërisë u përcaktua edhe programi. Mbledhja
zgjodhi komitetin drejtues me kryetar Anastas Avramidhi Laçke,
një pasanik shqiptar nga Korça, nga i cili shoqëria
shpresonte të siguronte shuma të rëndësishme
për qëllimet e saj. Qysh në këtë
mbledhje u hartua një listë ndihmash për blerjen
e një shtypshkronje. Kryetari i Shoqërisë Drita
premtoi se do të jepte për këtë qëllim
100 mijë franga dhe se do të linte me testament
në dobi të lëvizjes kulturore shqiptare gjithë
pasurinë e tij.
Qysh në muajt e parë numri i anëtarëve
të shoqërisë arriti në 300 veta. Ndonëse
ajo kishte synime të qarta politike kombëtare, statuti
e paraqiste atë si një shoqëri kulturore-letrare.
Në nenin 1 të tij thuhet se Shoqëria e shqiptarëve
Drita themelohej duke pasur si qëllim të
vetëm zhvillimin e përparimin e gjuhës shqipe.
Në nenin 2 thuhej se shoqëria nuk do të përzihej
në çështje politike dhe se për tia
arritur qëllimit të vet do të shtypte libra
në gjuhën shqipe dhe do të çelte shkolla
shqipe në Shqipëri, të cilat do të ndihmonin
për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në
nenin 3 kërkohej që në shkollat shqipe gjuha
turke të ishte fakultative si gjuhë e Perandorisë,
kurse në nenin 4 përcaktohej që si alfabet
i shqipes të përdorej ai i Stambollit. Me 43 nenet
e statutit rregullohej tërë veprimtaria e Shoqërisë
Drita, si dhe marrëdhëniet me degët
e saj.
Shoqëria Drita e Bukureshtit, duke ecur në
gjurmët e Shoqërisë së Stambollit, filloi
të punonte për përhapjen e mësimit të
gjuhës shqipe me anën e shkollave, të librave
didaktike, të gazetave etj. Mbështetur në programin
e në statutin e saj, shoqëria shtroi si detyrë
kryesore blerjen e një shtypshkronje për botimin
e librave shqip. Për këtë qëllim mblodhi
si ndihmë 10 828 lej, përveç shumës
që kishte mbledhur më parë dhe, pas një
kohe, shtypshkronja e porositur në Vjenë u vendos
në Bukuresht. Ndërkohë Sami Frashëri,
Naim Frashëri dhe Jani Vretoja përgatitën tekstet
e para mësimore dhe ia dërguan Shoqërisë
së Bukureshtit, e cila në muajt e parë të
vitit 1886 filloi ti botonte në shtypshkronjën
e saj. Në vitin 1886 u botua nga Naim Frashëri:
E këndimit të çunave këndonjëtoreja,
Dëshir e vërtetë e shqipëtarëvet
(greqisht), Istoria e përgjithshme, Vjersha
për mësonjëtoret e para, Bagëti
e bujqësija; nga Sami Frashëri: Abetare
e gjuhësë shqip dhe Shkronjëtorja
e gjuhësë shqip (gramatika); nga Jani Vretoja:
Numërmësonjë dhe Mirëvetija
(Mësime morali). Po kështu Shoqëria Drita
kërkoi nga qeveria osmane që shkollat në gjuhë
të huaj në Shqipëri të shndërroheshin
në shkolla shqipe ose që në to të mësohej
edhe gjuha shqipe.
Themelimi i kësaj shoqërie kulturore, pjesëmarrja
e qindra shqiptarëve ortodoksë, në mënyrë
të veçantë e korçarëve, që
në rini kishin ndjekur shkollën e kishën greke,
i shqetësoi kundërshtarët e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare dhe veçanërisht qarqet shoviniste greke,
të cilat kishin pretendime mbi Korçën dhe
mbi tërë Shqipërinë e Poshtme. Duke shprehur
këtë shqetësim gazeta e Athinës Konfederata
Lindore shkruante në janar të vitit 1885:
Morëm vesh me një habi të dhimbshme se
në Bukuresht u themelua një silog (komitet) për
lëvrimin e gjuhës shqipe ... për ta përpunuar
dhe bërë sa më të kulluar ... Për
ta shkëputur përgjithmonë Shqipërinë
nga Greqia, deshën të nxjerrin në dritë
një gjuhë shqipe. Sepse lindja e kësaj gjuhe
nuk do të thotë gjë tjetër veçse
ndarje dhe shkëputje e shqiptarëve prej nesh....
Në Bukuresht në atë kohë vepronin disa
gazeta e shoqëri greke të lidhura me Patrikanën
e Stambollit e me Athinën, të cilat ndiqnin hap
pas hapi si shtypin, ashtu edhe tërë lëvizjen
kombëtare. Në Bukuresht ishte gjithashtu filiali
i Komitetit Pansllavist me ambasadorin rus në krye, i
cili mbante lidhje me konsujt e shteteve ballkanike (grekë,
serbë, bullgarë), si dhe me komitetet e tyre që
vepronin në Rumani. Silogu grek në Bukuresht u angazhua
për të penguar me çdo mënyrë veprimtarinë
e Shoqërisë Drita. Kundër saj veproi
edhe konsulli rus në Bukuresht, Hitrovo, i cili, ashtu
si konsulli i atjeshëm grek, nxiti përçarje
ndërmjet anëtarëve të kryesisë së
Shoqërisë Drita dhe së bashku u
përpoqën ta pengojnë e ta paralizojnë
veprimtarinë e shoqërisë shqiptare.
Disa nga drejtuesit e Shoqërisë Drita
u lëkundën përballë presionit grek. Madje,
vetë kryetari i saj Anastas Laçke, i mikluar nga
ledhatimet e lavdërimet e mbretit të Greqisë
(që e dekoroi për besnikëri), dhe
i kërcënuar në fshehtësi nga elementët
grekomanë, hoqi dorë nga veprimtaria e tij në
dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u
bashkua me grekomanët.
Ndërhyrjet dhe intrigat e jashtme bënë që
në radhët e Shoqërisë së Bukureshtit
të futej fara e grindjes dhe e përçarjes
dhe që veprimtaria e saj të binte përkohësisht.
Lëkundjet e grekomanëve dhe mosmarrëveshjet
ndërmjet dy grupimeve politike që u formuan në
gjirin e Shoqërisë, bënë që kjo të
shpërndahej në vitin 1886. Në vendin e saj
u krijuan dy shoqëri.
Grupi i kryesuar nga Nikolla Naço (1843-1913), në
mbledhjen që u mbajt në janar të vitit 1887,
themeloi një shoqëri më vete po me emrin Drita,
në të cilën morën pjesë përkrahësit
e tij. Pjesa tjetër e atdhetarëve shqiptarë
formoi nga mesi i vitit 1887 një shoqëri tjetër
me emrin Dituria, sipas emrit të dytë
të revistës shqipe të botuar në Stamboll.
Në themel të konfliktit ndërmjet dy shoqërive
qëndronin pikëpamjet e tyre të ndryshme për
një varg çështjesh të lëvizjes
kombëtare. Nikolla Naçoja vlerësoi drejt
rrezikun që i kërcënohej lëvizjes kombëtare
nga politika e qarqeve drejtuese të Greqisë, nga
pansllavizmi dhe nga ndikimi i kishës e i kulturës
greke mbi shqiptarët. Por, në të njëjtën
kohë, ai mendonte se shqiptarët do të mund
të përballonin lakmitë aneksioniste të
shteteve fqinje nëpërmjet bashkëpunimit me
vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë
e të Pindit dhe, nëpërmjet tyre, me Rumaninë.
Sipas tij, vetëm një bashkëpunim i tillë
do tu jepte mundësinë të dy palëve,
shqiptarëve dhe vllehëve, që tu bënin
ballë rreziqeve të përbashkëta që
u vinin nga shovinistët grekë, serbë e bullgarë.
Pikëpamjet e Nikolla Naços për tu mbështetur
në ndihmën e një shteti të huaj, sikurse
ishte Rumania, nuk përputheshin me mendimin e forcave
të tjera politike të lëvizjes kombëtare,
të cilat ishin për një qëndrim më
të ashpër kundër sulltanit e Perandorisë
Osmane dhe nuk ishin kundër bashkëpunimit edhe me
grekët e me rusët.
Shoqëritë e riformuara Drita e Dituria
e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë
të pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete
të tjera të Rumanisë, si në Brailë,
në Fokshan, në Kostancë, në Marashesht,
në Krajovë, në Ploesht etj., ku kishte mjaft
shqiptarë të mërguar. Këto degë krijuan
fondet e tyre për përhapjen e mësimit shqip
e për botimin e librave dhe mbanin lidhje me Shoqërinë
Drita të Bukureshtit, që ishte shoqëri
qendrore. Kjo bëri disa botime të tjera didaktike.
Po kështu dega e Shoqërisë Drita
në Brailë (në maj 1887) nxori gazetën
letrare-shkencore Drita (rumanisht Lumina),
e cila pati gjithsej 11 numra. Në gusht të vitit
1888 doli numri i parë i gazetës Shqipëtari
(Albanezul), organ i Shoqërisë Drita,
gazetë javore në gjuhën shqipe e rumune, e
cila, me ndërprerje, vijoi të dalë deri më
1903.
Në artikullin me titull Çfarë kërkojmë,
botuar në numrin e parë të gazetës Shqipëtari,
jepej në mënyrë të përmbledhur programi
i Shoqërisë Drita, në të cilin
kërkohej: 1) Përdorimi i gjuhës shqipe
në shkolla dhe në kisha; 2) Themelimi i degëve
kulturore dhe hapja e shkollave shqipe; 3) Zhvillimi i gjuhës,
i historisë dhe i letërsisë kombëtare;
4) Botimi i teksteve shkollore, i revistave dhe i gazetave
në gjuhën shqipe. Në vazhdim të
programit gazeta shpallte gjithashtu një thirrje në
formë manifesti, drejtuar gjithë shqiptarëve,
me të cilën i grishte ata, kudo që jetonin
e pa dallim feje, të ngriheshin si një trup
i vetëm, për të kontribuar me punën e
tyre, me pasuri, me fjalë, me mendje, me zemër dhe
në rast nevoje edhe me jetën për zhdukjen e
robërisë së popullit shqiptar. Siç
shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm përmbajtje
kulturore e arsimore, por edhe politike e atdhetare. Megjithatë,
veprimtaria e Shoqërisë Drita zyrtarisht
nuk drejtohej hapur kundër sulltanit dhe nuk kërkonte
drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë.
Kjo motivohej me rrezikun e madh që i kanosej popullit
shqiptar nga politika shoviniste e shteteve fqinje. Një
qëndrim i tillë taktik i Shoqërisë Drita
shpjegohet edhe me koniunkturën politike të kohës,
me interesimin e qeverisë rumune për të mos
cenuar marrëdhëniet e mira të Rumanisë
me Portën e Lartë.
Një luftë të ashpër Shoqëria Drita
dhe gazeta Shqipëtari bënë kundër
politikës aneksioniste greke të Megali Idesë
dhe kundër grekomanizmit si pjellë e saj. Mirëpo
vetë përpjekjet për ngritjen kulturore kombëtare
ishin të gërshetuara me luftën politike për
lirinë kombëtare.
Shoqëria Drita dhe Nikolla Naçoja,
që ishte udhëheqësi kryesor i saj, u përpoqën
të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik evropian
për çështjen shqiptare, duke u dërguar
thirrje e memorandume personaliteteve politike të kohës,
qeverisë osmane etj. Shoqëria Drita
ndihmoi gjithashtu për mbajtjen e shkollave shqipe dhe
për furnizimin e tyre me libra shqip.
Shoqëria Dituria, me të cilën u
bashkuan shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me
kryetar Kostaq Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë
e vet me botimin e librave, të dorëshkrimeve që
vinin kryesisht nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin
në Stamboll. Tani disa shqiptarë të pasur ishin
larguar nga Shoqëria, kurse disa të tjerë kishin
kaluar në pasivitet. Në fillim Shoqëria Dituria
nuk mundi të krijojë degët e saj dhe arkën
e kishte pothuajse të zbrazur. Në vitin 1888 ajo
botoi tekstet Dheshkronja (Gjeografia) të
përgatitur nga Sami Frashëri dhe Dituritë
(Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të
Naim Frashërit. Më vonë ajo botoi Rradhuashkronjën
e Jani Vretos, Abetaren e gjuhës shqipe në
gegërisht, veprat e Naim Frashërit Lulet
e verës, Mësime etj. Për
shkak të censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin
veprat e tyre vetëm me inicialet, i pari S. F. dhe i
dyti N. H. F. Botimet e Bukureshtit u shpërndanë
në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare
jashtë atdheut.
Një kthesë e rëndësishme në veprimtarinë
e Shoqërisë Dituria u shënua në
vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli
Evangjeli, që ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese
e organizative. Shoqëria Dituria dha ndihmesë
të madhe për hapjen e shkollave shqipe në atdhe,
veçanërisht në qarkun e Korçës.
Ajo dërgoi pa pagesë tekste shkollore dhe ndihmoi
në mbajtjen e mësuesve të shqipes.
Në vitet 90 të shek. XIX lëvizja kombëtare
në diasporë mori zgjerim më të madh. Ashtu
si në Rumani, mërgimtarë shqiptarë në
Bullgari ishin vendosur edhe më parë, por tani ky
numër sa vinte e shtohej. Shqiptarët e mërguar
në Bullgari merreshin me punë të ndryshme.
Pjesa më e madhe e tyre bënte punë krahu, si
gurëgdhendës, punëtorë rrugësh, hekurudhash
e ndërtimesh, kopshtarë etj., por kishte edhe zejtarë,
si rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë
etj. Një pjesë tjetër merrej me tregti të
vogël, sidomos në qendër të Sofjes.
Me kohë lokalet e disave prej tyre u shndërruan
në qendra ku takoheshin atdhetarët shqiptarë
që jetonin në Sofje e në vise të tjera
të Bullgarisë ose ata që kalonin për në
Rumani, në Turqi e në Rusi.
Në Bullgari një rol të rëndësishëm
në përhapjen e ideve kombëtare dhe të
shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar
luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi atje nga Bukureshti
qysh në fillim të vitit 1886. Me punën e tij
këmbëngulëse Dhimitër Mole grumbulloi
rreth vetes një numër të madh shqiptarësh
që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua
bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim
në Shqipëri. Me zgjerimin e numrit të shqiptarëve
që interesoheshin për fatin e atdheut të robëruar,
në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria
shqiptare me emrin Dëshira, me statutin dhe
me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte
i njëjtë me atë të shoqërive të
Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të
përpiqej për të lartësuar frymën
e shqiptarizmit dhe për skoli në Shqipëri.
Kryetari i komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte
Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin
2 të statutit të saj thuhet: Qëllimi
i Shoqërisë Dëshira është
për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës,
si edhe për të përhapur mësonjëtore
në gjuhën shqipe në Shqipëri. Meqenëse
në fillim në Shoqërinë Dëshira
mbizotëronin punëtorët e zejtarët, u ndje
nevoja e bashkëpunimit me intelektualë shqiptarë.
Prandaj shpejt shoqëria e re hyri në marrëdhënie
me atdhetarët dhe me shoqëritë e tjera shqiptare
jashtë Bullgarisë, si me Sami Frashërin e Naim
Frashërin në Stamboll, me Shoqërinë Drita
në Bukuresht; ajo pati lidhje edhe me atdhetarë
brenda Shqipërisë. Shoqëria krijoi degët
e saj në qytetet ku kishte më shumë mërgimtarë
shqiptarë, si në Varnë e Plovdiv, por shqiptarë
kishte edhe në Plevën, në Rila, në Samakov
etj. Aktivitetet e ndryshme artistike e argëtuese, si
edhe përhapja e mësimit shqip, ndihmuan si për
bashkimin e shqiptarëve, ashtu edhe për ngritjen
e tyre politike e kulturore. Veprimtaria e Shoqërisë
Drita u zgjerua më shumë në vitet
e fundit të shek. XIX, kur në Sofje u ngrit shtypshkronja
me emrin simbolik Mbrothësia (Përparimi),
në të cilën u botuan shumë libra e gazeta
në gjuhën shqipe.
Një qendër tjetër e rëndësishme e
lëvizjes shqiptare gjatë kësaj periudhe ishte
Egjipti. Nismat e para të Thimi Mitkos e të Jani
Vretos për të formuar këtu një shoqëri
kulturore nuk patën sukses. Megjithatë, Thimi Mitkoja,
Spiro Dineja, Grigor Nukoja etj. e vijuan vetë veprimtarinë
atdhetare. Krahas kësaj, Thimi Mitkoja u përpoq
disa herë të organizonte një shoqëri me
shqiptarët e Egjiptit, por vetëm në vitin 1894
u arrit që ata të formonin një shoqëri
me emrin Vëllazëria e Shqiptarëve.
Një rol të rëndësishëm në dobi
të lëvizjes kombëtare vijuan të luanin
në këtë periudhë edhe arbëreshët
e Italisë. Megjithëse i moshuar, në krye të
lëvizjes arbëreshe qëndronte gjithnjë
shkrimtari dhe atdhetari i shquar Jeronim de Rada. Arbëreshët
mbanin lidhje me qendrat e tjera të shqiptarëve
të mërguar dhe me atdhetarët shqiptarë
brenda Shqipërisë, si edhe me personalitete politike
përparimtare italiane e evropiane. Me anën e letërkëmbimeve,
të artikujve në shtypin e kohës dhe sidomos
me organin Fiamuri i Arbërit (Corigliano
Calabro, 1883-1885), arbëreshët e Italisë bënin
të njohura e mbronin të drejtat kombëtare të
popullit shqiptar. Intelektualët arbëreshë
punuan me zell në fushën e studimit të gjuhës
e të kulturës shqiptare. Në tetor të vitit
1895 ata organizuan në Koriliano Kalabro (Corigliano
Calabro) një kongres gjuhësor, në të cilin
u vendos të formohej edhe një shoqëri, që
mori emrin Shoqëria Kombëtare Shqiptare, e cila
krijoi degë në të gjitha kolonitë arbëreshe.
Veprimtaria e arbëreshëve në dobi të lëvizjes
kombëtare u zhvillua në kushte më të favorshme
se ajo e kolonive të tjera; qeveria italiane, për
shkak të interesave të saj ekonomikë e politikë,
në dukje pajtohej me parimin e ndjekur nga arbëreshët
Shqipëria për shqiptarët. Me këtë
ajo synonte të ndalte si shtrirjen e Austro-Hungarisë
e të shteteve sllave drejt Jugut e Perëndimit të
Ballkanit, ashtu edhe zgjerimin e Greqisë drejt Veriut.
Por, krahas kësaj, qarqet politike italiane kishin filluar
të bënin përpjekje për ta vënë
lëvizjen arbëreshe në shërbim të
interesave politikë të Romës në Shqipëri.
Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare
Në vitet e reaksionit osman që shpërtheu pas
shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtarët
e lëvizjes kombëtare i dhanë rëndësi
të veçantë zbatimit të programit të
tyre kulturor, i cili ishte pjesë përbërëse
e programit kombëtar të Rilindjes. Mirëpo detyrat
e rëndësishme me karakter politik, kulturor e ekonomik,
që shtronte zhvillimi i vendit dhe periudha historike
në fushën e arsimit, nuk mund të zgjidheshin
me sistemin arsimor që ishte atëherë në
Shqipëri, sepse ai përbëhej nga një numër
jo i madh shkollash të një niveli të ulët,
në gjuhë të huaja (turke, greke, italiane etj.),
me përmbajtjen përgjithësisht skolastike, me
frekuentim të pakët dhe me cikle jo të plota.
Shkollat ishin të ndara veç për popullsinë
myslimane dhe veç për atë të krishtere.
Ato administroheshin, si rregull, nga institucionet fetare
islamike, ortodokse e katolike. Përveç kësaj,
ky sistem arsimor ishte shndërruar në një mjet
të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të
sunduesit osman, ashtu edhe të shteteve të tjera.
Ndërkaq kërkesat e zhvillimit të vendit, por
sidomos rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin
si një nevojë të ngutshme përhapjen e
arsimit e të kulturës kombëtare, e bënë
atë një domosdoshmëri historike, me të
cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Duke shprehur këtë nevojë të madhe të
kohës, Kostandin Kristoforidhi shkruante më 1888:
Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot
mbë këtë ditë nuk do të shkojnë
shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri
ndë faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet
më emri i Shqipërisë ndë hartë të
botës.
Megjithëse ishte bërë detyrë e rëndësishme
dhe e ngutshme, në kushtet e atëhershme të
Shqipërisë përhapja e arsimit kombëtar
ndeshte në vështirësi e në pengesa të
shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila
ishte përpjekur gjithnjë ti mbante shqiptarët
në errësirë e në padituri. Megjithëse
me reformat e Tanzimatit ishte shpallur se të gjitha
kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin
të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet
arsimore e fetare, Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët
nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur
në parimin mesjetar absurd të identifikimit të
kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe
pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua
njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në
gjuhën amtare, por vijoi ti quante ata sipas besimit
fetar turq, grekë e latinë.
Në përputhje me parimin teokratik islam, pas reformës
arsimore Porta e Lartë krijoi për shqiptarët
myslimanë një rresht të ri shkollash shtetërore
fillore (iptidajie), qytetëse (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze
(idadije). Ashtu si në shkollat e mëparshme fetare,
edhe në shkollat shtetërore osmane mësimet
zhvilloheshin vetëm në gjuhën turke dhe, megjithëse
quheshin laike , në planet e tyre mësimore bënin
pjesë edhe lëndë fetare islamike. Sipas statistikave
të viteve të fundit të shek. XIX, në të
katër vilajetet e atëhershme (të Shkodrës,
të Kosovës, të Manastirit e të Janinës),
në të cilat shqiptarët përbënin një
tërësi kompakte e shumicën e popullsisë,
kishte 1 187 shkolla turke nga të cilat 1 125 shkolla
fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) e 5 shkolla të
mesme (idadije). Ndërkaq sunduesit osmanë, për
shkak të presionit të huaj, u lanë pak a shumë
dorë të lirë shteteve ballkanike dhe evropiane,
veçanërisht institucioneve të tyre fetare
të krishtera, për të vepruar në Shqipëri
si në fushën fetare, ashtu edhe në atë
arsimore. Shtetet që në projektet e tyre parashikonin
përfshirjen ose copëtimin e trojeve shqiptare, në
gjysmën e dytë të shek. XIX, e rritën
më tej veprimtarinë në fushën arsimore
e fetare, duke shtuar numrin e shkollave në gjuhë
të huaj, duke i krijuar vështirësi shkollës
e kulturës shqiptare. Ato nuk ngurronin në këtë
rast të përpiqeshin për ti paraqitur
shqiptarët si një popull të egër,
pa kulturë e me zakone të rënda,
kurse veten e tyre si shpëtimtarë, si
përhapës të arsimit e të kulturës
etj.
Përhapje të madhe mori, veçanërisht
në Shqipërinë e Poshtme, shkolla në gjuhën
greke. Me gjithë programin e tyre laik, shkollat greke
ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë dhe
përshkoheshin nga një frymë intolerance fetare.
Shkollat greke arritën të përhapeshin deri
në Durrës e në Tiranë. Sipas të dhënave
të konsullatës franceze të Janinës, në
vitin 1882 vetëm në vilajetin e Janinës, që
përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme
(duke përjashtuar rrethet e Kolonjës, të Korçës
e të Pogradecit) dhe që shumicën dërrmuese
të popullsisë e kishte shqiptare, kishte 643 shkolla
greke për djem e mikse me 736 mësues dhe 22 shkolla
për vajza me 40 mësuese. Në vitin 1894 në
sanxhakun e atëhershëm të Gjirokastrës
kishte 84 shkolla fillore greke e po kaq edhe në krahinën
e Beratit.
Organizimi e plani mësimor i shkollave në gjuhën
greke në Shqipëri ishin të njëjtë
me ato të shkollave në Greqi. Hapja e këtyre
shkollave bëhej nga mitropolitë ortodokse greke,
të cilat, në marrëveshje me konsujt grekë,
emëronin drejtorët e shkollave dhe personelin mësimor.
Mjetet kryesore financiare për mbajtjen e këtyre
shkollave siguroheshin nga qeveria e Athinës, nëpërmjet
silogut që ishte krijuar aty për përhapjen
e gjuhës e të kulturës greke. Me anën
e këtyre shkollave e të propagandës qarqet
politike të Athinës përpiqeshin ti paraqisnin
shqiptarët ortodoksë si grekë dhe me kohë
ti asimilonin ata. Në fundin e shek. XIX në
Shqipëri kishte më shumë se 1 000 shkolla greke.
Përveç shkollave turke e greke, në trojet
shqiptare ishin çelur edhe shkolla serbe, bullgare,
vllahe etj. Sipas statistikave të asaj kohe kishte mbi
300 shkolla serbe, bullgare e vllahe, pa përmendur shkollat
në gjuhën italiane, të cilat ishin nën
administrimin e Austro-Hungarisë e të Italisë.
Shkollat e huaja, me gjithë kufizimet e mangësitë
e programeve, ndihmonin në pajisjen me dije të fëmijëve,
por ato, padyshim, shërbenin si mjedise të propagandave
të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve
dhe si të tilla nuk mund ti shërbenin as përparimit
kulturor kombëtar të shqiptarëve, as emancipimit
të tyre politik e kombëtar. Prandaj rilindësit
i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen
për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar
dhe kërkonin mbylljen ose kthimin e tyre në shkolla
shqipe.
Në këto rrethana, patriotët e Rilindjes punuan
me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar.
Rilindësit tanë iu drejtuan në radhë të
parë gjuhës amtare, që kishte luajtur një
rol të rëndësishëm në jetën
e popullit shqiptar dhe që u kishte bërë ballë
me sukses trysnive shekullore asimiluese të pushtuesve
të huaj. Te rilindësit në përgjithësi
ishte formuar bindja se tani vetëm duke e shkruar mund
të ruhej gjuha shqipe, se vetëm me gjuhën amtare
mund të zhvillohej arsimi e kultura kombëtare, mund
të shkolloheshin të gjithë shqiptarët,
pavarësisht nga gjendja ekonomike, mund të edukohej
atdhetarizmi dhe mund të mbrohej kombi nga asimilimi.
Pikërisht në atë periudhë Kostandin Kristoforidhi
shkruante: Shqipëria nuk mësonet dot, as nuk
ndritet sot, as nuk qytetëronet dot me gjuhë të
huaj, përveç me gjuhën e mëmës
... Edhe ndë u shkroftë gjuha e shqipes në
këtë kohë që gjendemi sot, edhe ndë
futet ndëpër skolirat e Shqipërisë, kemi
shpresë se do të na njohën për komp e
për vendarë ndë dhe tonë, edhe do
të kemi pjesë e vent ndë rretht e ndë
shoqërit të kombevet tjerë që gjenden
në Evropë.... Të njëjtën ide
mbronte Sami Frashëri kur disa vjet më vonë
shkruante: Smund të ketë Shqipëri
pa shqiptarë, smund të ketë shqiptarë
pa gjuhë shqip, smund të ketë gjuhë
shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet
shqipja.
Rilindësit bënë përpjekje të shumta
për të nxjerrë nga Porta e Lartë lejen
e përdorimit të gjuhës amtare në shkollat
e vendit, për botimin e librave shqip, për shpërndarjen
e tyre në Shqipëri dhe për nxjerrjen e një
organi periodik shqip, qoftë edhe me përmbajtje
krejtësisht kulturore.
Për disa kohë këto kërkesa ndeshën
në kundërshtimin e vendosur të qeverisë
osmane. Por në verën e vitit 1884, e shqetësuar
nga përpjekjet e Greqisë për ti nxitur
shqiptarët të hidheshin në kryengritje kundër
Stambollit, si dhe nga themelimi në Athinë i shoqatës
kulturore Vllamët Shqiptarë, Porta e
Lartë dha lejen për botimin e një organi kulturor
shqip. Megjithatë, edhe në këtë rast ajo
u qëndroi besnike parimeve të veta, sepse ajo lejen
nuk ua dha shqiptarëve myslimanë, të cilët
vijonte ti quante turq, por vetëm shqiptarëve
ortodoksë, me qëllim që ti largonte nga
mundësia e bashkëpunimit me grekët.
Leja për botimin e një reviste shqipe u dha nga
Ministria turke e Arsimit në emrin e Petro Pogës.
Pas kësaj, më 10 gusht 1884 doli në Stamboll
numri i parë i revistës Drita. Për
shkak të censurës, lënda e revistës u
kufizua në shkrime letrare e arsimore. Meqenëse
Porta e Lartë ua ndalonte shqiptarëve myslimanë
shkrimin e shqipes, Sami Frashëri e Naim Frashëri,
nga penda e të cilëve u përgatit shumica e
lëndës, nënshkruanin me pseudonime, i pari
me tre yje, kurse i dyti me shkronjën D.
Në revistën Drita botuan shkrimet e
tyre edhe Jani Vretoja, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi etj.
Qëllimi i kësaj reviste ishte përhapja e diturisë,
zhvillimi i arsimit dhe ngritja e vetëdijes kombëtare.
Revista kryente njëherësh edhe misionin e mësuesit
për përhapjen e ideve iluministe të rilindësve.
Drita u botua me alfabetin e Stambollit dhe në
këtë mënyrë ndikoi në përhapjen
e këtij alfabeti te lexuesit e saj shqiptarë.
Ndonëse përmbante vetëm shkrime me karakter
arsimor-kulturor, botimi i revistës Drita
shkaktoi shqetësimin e qarqeve klerikale e politike greke,
të cilat ushtruan trysni të fortë ndaj Petro
Pogës dhe e detyruan të hiqte dorë nga revista,
pas botimit të numrit të saj të tretë.
Por atdhetarët shqiptarë të Stambollit nxorën
në emrin e Pandeli Sotirit një leje të dytë
për një revistë të re me emrin Dituria,
e cila u bë vazhdim i Dritës. Duke bërë
fjalë për misionin e revistës Dituria,
Sami Frashëri shkruante në një artikull të
numrit të parë të saj: Dituria është
ajo që e bëri njeriun të quhet njeri.
Artikujt me karakter shkencor e pedagogjik që u botuan
në Drita dhe në Dituria
shërbyen si bazë për hartimin e teksteve shkollore
shqipe. Revista Dituria u mbyll në numrin
12 të saj, në korrik të vitit 1885.
Edhe përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe ndeshte
gjithnjë në pengesa të shumta. Në kohën
kur në Shqipëri po shtohej numri i shkollave greke,
serbe e bullgare, Porta e Lartë ndalonte hapjen e shkollave
shqipe. Madje Ministria turke e Arsimit tërhoqi edhe
lejen që kishte dhënë për botimin e fjalorit
të Kostandin Kristoforidhit. Përhapja e shkrimit
dhe e shkollës shqipe pengohej edhe nga fanatizmi fetar
e nga konservatorizmi të kultivuar prej shekujsh, sikundër
edhe më fort nga kundërshtimet e turkomanëve
e të grekomanëve.
Megjithëse në kushte shumë të vështira,
shkrimi i gjuhës shqipe vijoi të mësohej fshehurazi
në vise të ndryshme të Shqipërisë.
Nën shembullin e mësuesit të tij Koto Hoxhi,
Petro Nini Luarasi, ndonëse ishte fare i ri në moshë
dhe punonte si mësues i greqishtes në shkollat e
fshatrave Bezhan, Katund e Luaras, gjatë viteve 1882-1887
u bë një përhapës i flaktë i shkrimit
të gjuhës shqipe dhe i ndjenjave kombëtare.
Po kështu Kostandin Kristoforidhi, me tu kthyer
në atdhe në vitin 1884, hyri si mësues i greqishtes
në shkollën e Elbasanit dhe, ashtu siç kishte
bërë dikur në Tiranë, filloi tu
mësonte nxënësve fshehurazi gjuhën shqipe.
Në Shkodër mësimi i gjuhës shqipe kishte
krijuar tashmë një farë tradite dhe vijonte
të mësohej në disa shkolla private për
djem e për vajza. Po ashtu, në vitin 1885, Gjerasim
Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë
private shqipe për djem e për vajza.
Rilindësit shfrytëzuan në të mirë
të lëvizjes kombëtare edhe gjendjen e vështirë,
në të cilën u ndodh Perandoria Osmane në
fund të vitit 1885 e në fillim të 1886 si pasojë
e bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë,
si edhe gjendjen e acaruar të marrëdhënieve
turko-greke. Meqenëse qeveria osmane kundërshtonte
formimin e organizatave politike, rilindësit kërkuan
të themelonin brenda në Shqipëri një shoqëri
kulturore. Ndërkaq qeveria turke premtoi se do të
lejonte futjen e mësimit të shqipes në shkollat
shtetërore.
Në fund të vitit 1885 atdhetarët shqiptarë
zgjodhën si vend më të përshtatshëm
për formimin e një shoqërie të tillë
qytetin e Korçës. Në këtë mënyrë
do ti jepej një goditje edhe propagandës helenizuese
të qarqeve shoviniste të Athinës dhe klerikëve
grekomanë ortodoksë që u shërbenin atyre.
Për të ndihmuar atdhetarët brenda vendit Shoqëria
Drita e Bukureshtit dërgoi në Korçë
Thimi Markon, një nga anëtarët më aktivë
të kryesisë së saj. Sipas udhëzimeve të
Shoqërisë, ai i paraqiti pleqësisë së
Mitropolisë, si dhe vetë mitropolitit grek të
Korçës, Filotheu, kërkesën e shqiptarëve
të mërguar të Bukureshtit për të
vënë gjuhën shqipe nëpër gjithë
mësonjëtoret e qytetit që administroheshin
nga silogu grekoman i Korçës. Por shumica e anëtarëve
të pleqësisë dhe të silogut të qytetit,
të cilët ndodheshin nën ndikimin e mitropolitit
grek, e hodhën poshtë këtë kërkesë.
Me gjithë kundërshtimin e tyre kërkesa gjeti
mjaft përkrahës në radhët e qytetarëve;
ajo u mbështet edhe nga disa anëtarë të
dhimogjerondisë? së komunitetit të krishterë
të qytetit, ndër të cilët më aktiv
u tregua Jovan Cico Kosturi.
Në lëvizjen për përhapjen e gjuhës
shqipe u përfshinë jo vetëm qytetarët
ortodoksë të Korçës, por edhe ata myslimanë.
Për të drejtuar këtë lëvizje, u krijua
brenda në Korçë në muajt e parë
të vitit 1886 një Komitet Kombëtar i fshehtë,
i përbërë nga Jovan C. Kosturi, Orhan Ç.
Pojani e Thimi Markoja.
Në fund të vitit 1886, me përmirësimin
e gjendjes së jashtme politike të Perandorisë
Osmane, u duk qartë se Porta e Lartë nuk kishte
ndër mend ta mbante premtimin e dhënë për
të futur mësimin e shqipes në shkollat shtetërore
dhe as të lejonte krijimin e organizatave kulturore shqiptare.
Nga ana tjetër, për ti vënë njëfarë
gardhi politikës antiturke, që zhvillonin me anën
e mësimit agjentët grekë, qeveria e Stambollit
dha të kuptohej se ajo nuk do ti pengonte shqiptarët
ortodoksë të futnin në shkollat e komuniteteve
të tyre mësimin e gjuhës amtare dhe të
kishin klubet kulturore shqiptare, duke përjashtuar gjithnjë
nga kjo e drejtë shqiptarët myslimanë.
Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe
në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës
në fillim të vitit 1887 vendosi të ngrinte
shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga
shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa
atdhetarët e Korçës e të Bukureshtit
po përpiqeshin të siguronin pajisjet, librat mësimorë
dhe lokalin për shkollën, Sami Frashëri e Naim
Frashëri, sipas kërkesave të reja që i
paraqitën qeverisë së Stambollit, shkëputën
prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen
e një shkolle private shqipe në Korçë.
Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare,
më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe
e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli
Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia
e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi
Tërpo.
Çelja e shkollës shqipe të Korçës
ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore
për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta
të organizatave atdhetare të të mërguarve
shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit.
Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej
e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të
huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga
shoqëritë shqiptare të mërgimit.
Dita e përurimit të saj u kthye në një
ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje,
më 8 mars 1887, Thimi Markoja i shkruante Visar Dodanit
në Bukuresht: ... dëshira tonë u mbarua,
shkolla shqipe u hap. druri që vumë në dhet
këtu e dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të
ëmbla... Mendimet tona dhe të luftuarit e faqezinjve
grekomanë gjersa mbaruam këtë të shënjtëruarë
punë janë aqë shumë sa nuk mund tua
shkruaj ndë kartë.
Qysh ditën e parë në këtë shkollë
u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke
u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200.
Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi
të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet
jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj,
më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste
mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur
nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që
qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga
kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e
Korçës u bë qendër e përhapjes
së shkrimit e të këndimit të gjuhës
shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu
qendër e përhapjes së ideve kombëtare
shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët
për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo
ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga
feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.
Përveç Pandeli Sotirit, që qe drejtori i
parë i kësaj shkolle, në të punuan si
drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë
të shquar, si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi
Naçi etj.
Çelja e shkollës kombëtare të Korçës
ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë
atdheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke
përshëndetur Mësonjëtoren e çelur
në Korçë, shkruante plot frymëzim: Hapu,
hapu errësirë, / Pa jakë tëhu o dritë!
/ Se arriti koh e mirë, / U gdhi nata u bë
ditë... / Lumja ti, moj Korç o lule! / Qi
le pas shoqet e tua / Si trimi në ball u sule,
/ Ta paçim për jetë hua!.
Hapja e Mësonjëtores së Korçës
u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të
tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Disa javë më vonë u çelën shkolla
shqipe në Pogradec, me mësues Koço Sotirin
(vëllai i Pandeli Sotirit), në Rekë e në
Ohër dhe u bënë përgatitje për të
tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë
etj. Filloi të mësohej shkrimi shqip edhe në
mjaft fshatra.
Komitetit Kombëtar të Korçës filluan
ti vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë,
bashkë me përgëzimet, edhe kërkesa të
shumta për tu dërguar tekste shkollore që
të përhapnin mësimin e shqipes qoftë në
shkollë, qoftë jashtë saj. Në një
letër të Thimi Markos, dërguar nga Korça
në Bukuresht më 1887 thuhej: Sot nuk ka vend
të Shqipërisë që të mos ndodhen burra
shqiptarë, në fyejt e të cilëve të
mos lëvrinjë gjak shqiptari dhe të cilët
të mos përpiqen për këtë të
shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët e
Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për
shkollën që hapmë... Megjithëqë na
dërguat afro 600 copë vivlla, u lutemi të na
dërgoni edhe të tjera.
Këto suksese e lejuan Komitetin të bënte një
hap tjetër: ai formoi në Korçë një
shoqëri shqiptare, që u quajt Shoqëria e Mësimit
Shqip. Në krye të kësaj Shoqërie u vu
Alo Dishnica. Shoqëria kishte si detyrë kryesore
të organizonte e të drejtonte veprimtarinë
e atdhetarëve shqiptarë në krahina të
ndryshme të vendit për mbajtjen e shkollave të
çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe,
për grumbullimin e fondeve të nevojshme dhe shtypjen
e teksteve shkollore a të ndonjë organi periodik.
Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një
shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë.
Për vite me radhë punoi në këtë shkollë,
si mësues i gjuhës shqipe, atdhetari Mati Logoreci,
i cili shfrytëzoi të gjitha mundësitë
për të përhapur mësimin e gjuhës
shqipe te nxënësit dhe në popullsinë shqiptare
të Prizrenit. Futja e shqipes si gjuhë mësimi
dhe veprimtaria e mësuesit Mati Logoreci bënë
që shkollën e Prizrenit, me gjithë kërcënimet
e autoriteteve osmane, ta ndiqnin edhe nxënës myslimanë.
Kur u shtua numri i nxënësve, pranë Mati Logorecit
filloi të punonte si mësues edhe Lazër Lumezi.
Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit
të fundit të shek. XIX futi gjuhën shqipe si
gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të
administruara prej saj, në qytetet e në fshatrat
e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj
Qendrore.
Përveç shkollave të përmendura, në
shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan,
në Dibër, në Krujë, në Korçë,
në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë,
në Pogradec, në Vlorë, në Përmet,
në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën
dhe funksiononin pranë shtëpive private ose pranë
dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të
cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijëve
dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në
këto qendra dhe në qytete të tjera të
vilajeteve shqiptare, si në Durrës, në Tiranë,
në Prizren, në Prishtinë, në Shkup, në
Manastir etj., mësuesit shqiptarë atdhedashës,
që punonin në shkollat turke, greke etj. të
Shqipërisë, u mësonin fshehurazi nxënësve
shkrimin shqip.
Por përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe ndeshën
në vështirësi të shumta. Valë të
furishme kundërshtimi shpërthyen kundër Shoqërisë
së Mësimit Shqip dhe Mësonjëtores së
Korçës që në ditët e para të
themelimit të tyre. Nën nxitjen e mitropolitit të
Korçës dhe të Patrikanës së Stambollit,
autoritetet osmane filluan të pengonin zgjerimin dhe
madje vetë ekzistencën e shkollave shqipe, si dhe
veprimtarinë e Shoqërisë së Mësimit
Shqip. Propaganda fetare, shpifjet, presionet, frikësimet
e shtrëngimet e tjera kundër mësuesve, nxënësve,
prindërve dhe përkrahësve të shkollës,
qenë mjetet e zakonshme që autoritetet osmane dhe
agjentët grekë përdorën në luftën
kundër tyre. Në vitin 1890 autoritetet qeveritare
ndaluan fëmijët myslimanë që të ndiqnin
shkollën shqipe.
Nën këtë trysni të dyfishtë përpjekjet
për të hapur shkolla të tjera shqipe nuk patën
sukses. Për më tepër edhe shkollat e hapura
gjatë vitit 1887-1888 u mbyllën njëra pas tjetrës
me përjashtim të shkollës së Korçës,
e cila me sakrifica të mëdha e në luftë
të vazhdueshme me autoritetet klerikale greke dhe me
administratën osmane e vijoi veprimtarinë e vet,
ndonëse me një numër të kufizuar nxënësish.
Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra edhe vetë
drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli
Sotiri, i cili u vra rreth vitit 1891 në Stamboll nga
agjentët grekomanë. Atdhetarë të tjerë
shqiptarë, si Jovan Cico Kosturi, Thimi Marko etj., iu
nënshtruan ndjekjeve të pashembullta. Një luftë
e ashpër e në forma të ndryshme u bë kundër
Alo Dishnicës, i cili qëndronte në krye të
Shoqërisë së Mësimit Shqip. Pasi dështuan
orvatjet për ta tërhequr në anën e tyre
me dekorata e me mjete të tjera, agjentët e Patrikanës
bënë kundër tij një varg shpifjesh e ankesash
që ua dërguan autoriteteve lokale. Por të gjitha
këto nuk dhanë rezultat.
Edhe shkolla shqipe e Prizrenit ndeshi në pengesa të
shumta dhe në qëndrimin armiqësor të autoriteteve
osmane. Përparimin e saj e shihnin me sy të keq
edhe shovinistët serbë, sepse ajo vepronte në
kundërshtim me planet e tyre për shkombëtarizimin
e popullsisë shqiptare të Kosovës nëpërmjet
kishës e shkollës serbe. Nën këto trysni
edhe vetë konsullata austro-hungareze ndërmori masa
të ndryshme kundër saj.
Një ndihmesë tjetër të çmuar për
shkollën shqipe dha familja e Qirjazëve dhe veçanërisht
Gjerasim D. Qiriazi. Bir i një tregtari shqiptar të
vendosur në Manastir, qysh i vogël u edukua prej
të atit me dashurinë për atdheun dhe për
gjuhën amtare. Duke qenë në shërbim të
Shoqërisë Biblike Angleze, në vend të
Kostandin Kristoforidhit, ai i kushtoi një vëmendje
të veçantë përhapjes së shkrimit
të gjuhës shqipe dhe të ndjenjës kombëtare.
Qysh në vitin 1888, kur u vendos në Korçë,
ai bëri përgatitjet e nevojshme për të
çelur një shkollë shqipe për vajza.
Këtu erdhi, pasi mbaroi kolegjin në Stamboll, edhe
e motra e tij, Sevasti Qiriazi, që, së bashku me
të vëllanë, Gjerasimin, iu vunë punës
për çeljen e kësaj shkolle. Në këtë
vepër ata u ndihmuan edhe nga Naim Frashëri, i cili
ndërhyri që tu jepej iradeja (urdhri) nga
qeveria osmane.
Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë
shkolla e parë shqipe për vajza. Në kushtet
e ndjekjeve nga qeveria osmane, hapja e saj u bë në
saje të pasaportës së huaj që mbante themeluesi
i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh në vitin e parë numri
i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë
shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe
në këtë shkollë mësuan vajza të
besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj
ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe
Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi.
Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar
të Korçës dhe me kolonitë shqiptare
jashtë atdheut. Ai u ndihmua veçanërisht
nga Shoqëria Drita e Bukureshtit. Me gjithë
pengesat e shumta të armiqve, shkolla e vajzave mbeti
e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme të Gjerasim
Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme
për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe
të ndërgjegjes kombëtare.
Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të
Vakëfeve u bënë vatra të rëndësishme
të përhapjes së arsimit kombëtar. Vepra
e nisur nga mësuesi atdhetar Petro Nini Luarasi u zgjerua
edhe më shumë në fillim të viteve 90.
I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij, nga kolonitë
e mërgimit, në mënyrë të veçantë
nga shoqëria Drita, si dhe me përkrahjen
e mbrojtjen e popullsisë së këtyre zonave,
ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe, në
fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë
e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan
të funksiononin që në vjeshtën e vitit
1892. Midis mësuesve të këtyre zonave ishin
dhe Nuçi Naçi, Kristo Luarasi, Vasil Thanasi
e Balil Tahiri.
Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja
shqipe shkaktoi një kundërveprim të ri të
klerikëve të lartë ortodoksë grekë
dhe të autoriteteve osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti,
në bashkëpunim me atë të Korçës,
lëshoi kundër Petro Nini Luarasit mallkimin. Me
pikëllim të madh, - thuhet në aktin e mallkimit,
- pamë syfaqeza dhe dëgjuam në udhëtimin
tënë që bëmë në ato vise se
i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej Perëndisë,
Petro Luarasi ... erdhi rreth e përqark në katundet
e ndryshme të kazasë së Kolonjës, duke
u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë,
gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila
nuk ekziston...Për këto shkaqe pra... ju porositim
të gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj,
të vobegtë e begatorë, burra e gra, që
të mos u jepni besë fjalëve dhe zotimeve të
këtyre të mallkuarve femohues, që ti
mbyllni veshët tuaj kundër blasfemivet të tyre....
Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as
nga shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë
të tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit
të Manastirit, të cilët dërguan në
vend shefin e policisë së vilajetit. Në këto
rrethana, shkollat shqipe të Kolonjës u mbyllën
njëra pas tjetrës. E fundit u mbyll shkolla e Luarasit,
në vitin 1896. Megjithëkëtë, Petro Nini
Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë e
tyre për të përhapur shkrimin shqip në
forma ilegale.
Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen
e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin
në atdhe, Shoqëria Drita e Bukureshtit
filloi përgatitjet për të çelur në
Bukuresht një shkollë normale. Sipas vendimit të
Komitetit drejtues të kësaj shoqërie Shkolla
Normale Shqipe e Bukureshtit u çel më 10 maj 1892.
Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla Naço, kryetar
i Shoqërisë Drita. Shkolla pati edhe
konviktin e saj për nxënësit që do të
vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores
së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të
kishte të paktën 15 nxënës,
të cilët do të ushqehen dhe do të vishen
me të prishurat e Shoqërisë Drita.
Në nenin 4 parashikohej që Në këtë
mësonjëtore të përgatiten mësonjëtorë
shqiptarë, pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante
planin mësimor të shkollës, që përfshinte
11 lëndë, si gjuhën shqipe, turke e rumune,
histori e gjeografi të përgjithshme, veçanërisht
të Perandorisë Osmane, pedagogji, matematikë,
dituri natyre, muzikë, gjimnastikë, mësim feje,
një gjuhë të huaj, e cila të ishte më
e folur e më e njohur në botë etj. Meqenëse
Shkolla Normale kishte edhe konvikt, ishin vënë
në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin shqiptarë,
veçanërisht ato të trojeve shqiptare, si
dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës
për të ndjekur këtë shkollë. Në
rregullore ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur
në këtë shkollë të dërgoheshin
për të hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë.
Shoqëria Drita kishte detyrë ti
mbronte ata si gjënë më të shtrenjtë
të kombit, nga çdo e keqe dhe ti mbante
me shpenzimet e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte
ndonjë rrezik, Shoqëria merrte përsipër
të ndihmonte familjet e tyre sa të rrojnë.
Mësuesit kishin si detyrë të punonin ku ti
dërgonte Shoqëria, për të forcuar te nxënësit
shpirtin e mendjen me mësime e të tjera.
Fondet për Shkollën Normale të Bukureshtit
siguroheshin nga ndihma që jepnin anëtarët
e Shoqërisë Drita, nga disa punë
publike që ndërmerrte Shoqëria dhe vetë
Nikolla Naçoja, nga organizimi i llotarive, i koncerteve
muzikore dhe i fondeve të tjera. Po kështu një
ndihmë për këtë shkollë u sigurua
edhe nga Ministria rumune e Kulturës. Në këtë
shkollë mësuan një numër të rinjsh
shqiptarë, si Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Mihal Grameno,
Asdreni etj. Por, në përgjithësi kjo shkollë
pati një veprimtari të kufizuar. Sapo mësuan
për çeljen e saj, autoritetet osmane morën
masa për të penguar ardhjen e nxënësve
shqiptarë në këtë shkollë. Pas disa
vjetësh Shkolla Normale e Bukureshtit u mbyll.
|
 |  |