 |  |
K R E U XIII
KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME E VITIT 1912.
SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
1. PËRGATITJA E KRYENGRITJES
Acarimi i gjendjes politike.
Mbledhja e Taksimit (janar 1912)
Edhe pas marrëveshjeve që përfundoi me udhëheqësit
e kryengritësve në vitin 1911, Porta e Lartë
nuk ndërmori asnjë masë që do ta përmirësonte
gjendjen ekonomike e arsimore të vilajeteve shqiptare,
që vinte duke u rënduar. Ndihej mungesa e ushqimeve.
Çmimi i drithit ishte 2-3-fishuar. Edhe artikujt e
tjerë të konsumit të gjerë qenë shtrenjtuar.
Shtimi i taksave e mbledhja me dhunë e detyrimeve shtetërore
e përkeqësuan edhe më tej gjendjen. Nga ana
tjetër, shqiptarët i shqetësonte edhe përgatitja
për krijimin e aleancës ballkanike, konturet e së
cilës po ravijëzoheshin në horizontin ballkanik.
Në këto rrethana qarqet e gjera atdhetare brenda
dhe jashtë vendit filluan të mendonin për organizimin
e një kryengritjeje të re, që duhej të
fillonte në pranverën e ardhshme. Fillimi i luftës
italo-turke (shtator 1911) që do të angazhonte një
pjesë të madhe të forcave turke, krijonte kushte
të favorshme për një kryengritje të përgjithshme
shqiptare. Përveç kësaj, po bëhej gjithnjë
e më e qartë se lufta italo-turke do të pasohej
nga një luftë ballkanike, e cila do të çonte
në shembjen e Perandorisë Osmane dhe do ta vinte
Shqipërinë para rrezikut të copëtimit.
Aneksimi italian i Tripolit, - theksonte Ismail Qemali,
- tregoi se parimi i tërësisë tokësore
të Perandorisë Osmane nuk respektohej më. Tani
ishte për tu dyshuar nëse shtetet ballkanike
do të qëndronin të qeta.
Gjatë një udhëtimi që ndërmori në
Evropë, në tetor të vitit 1911, Ismail Qemali,
në takimet që pati në kancelaritë diplomatike
të Francës, të Anglisë e sidomos të
Austro-Hungarisë, u përpoq ti bindte ato që
të rishikonin politikën e ruajtjes së status
quo-së në Ballkan, tu provonte se ishte në
interesin e tyre të ndiqnin një politike të
re ballkanike, pjesë përbërëse e së
cilës duhej të ishte edhe autonomia ose edhe pavarësia
e Shqipërisë. Gjatë takimit me ambasadorin
austro-hungarez në Paris, Ismail Qemali i foli për
rrezikun që i kërcënohej Shqipërisë
nga monarkitë fqinje. Shembja e sundimit osman në
Ballkan, kur shqiptarët ende nuk njiheshin si komb më
vete, i linte ata të pambrojtur përballë agresorëve
të rinj. Një fat i tillë i shqiptarëve,
theksoi ai, nuk ishte as në interesin e Vjenës.
Ismail Qemali i propozoi Ballplacit të ndërhynte
pranë Portës së Lartë dhe të kërkonte
prej saj që ta njihte popullin shqiptar si entitet
etnik. Ambasadori austro-hungarez në Paris, Sheçen,
iu përgjigj Ismail Qemalit se Vjena i jepte rëndësi
të madhe ruajtjes së status quo-së territoriale
në Ballkan dhe se nuk ndërhynte në punët
e brendshme të Turqisë.
Ndërkohë gjendja politike në Shqipëri
vinte duke u acaruar. Gjatë vjeshtës u dendësuan
kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të viseve
të ndryshme, që kishin si objekt diskutimi organizimin
e kryengritjes, për sendërtimin e programit politik
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të autonomisë
së vendit.
Në dhjetor të vitit 1911 deputetët shqiptarë,
midis të cilëve u dalluan Ismail Qemali dhe Hasan
Prishtina?, duke përfituar nga kriza që kishte mbërthyer
Perandorinë Osmane dhe qeverisjen e xhonturqve, kërkuan
edhe njëherë zbatimin e reformave politike, ekonomike
e kulturore në Shqipëri, të cilat kishin si
qëllim të fundit ta shtynin Portën e Lartë
të njihte kombësinë shqiptare dhe të drejtën
e saj për tu vetëqeverisur.
Në muajin janar të vitit 1912 Hasan Prishtina u
përpoq të bindte Asim Beun, ministrin e Jashtëm
të Perandorisë Osmane, se ishte në interesin
e shtetit osman që qeveria të deklaronte zyrtarisht
kufijtë e Shqipërisë. Por xhonturqit, duke
menduar se kjo kërkesë do të çonte në
shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria, e hodhën
poshtë atë.
Përballë këtij qëndrimi të qeverisë
xhonturke, deputeti i Kosovës, Hasan Prishtina, më
11 janar 1912 shpalosi dhe njëherë në parlament
kërkesat kombëtare të shqiptarëve. Pasi
foli për mohimin e të drejtave kombëtare të
shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese
dhe për terrorin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë
shqiptare, ai dënoi ashpër politikën e egër
shoviniste që po ndiqte qeveria në trevat shqiptare.
Hasan Prishtina e kërcënoi qeverinë me një
kryengritje të re nëse nuk plotësoheshin kërkesat
kombëtare të shqiptarëve.
Fjalimi i guximshëm i Hasan Prishtinës e detyroi
vezirin e madh që të replikonte ashpër me të,
duke e akuzuar si rebel që kërkonte ti vinte
zjarrin Perandorisë.
Në rrethet më të përparuara patriotike
shqiptare po përforcohej gjithnjë e më shumë
bindja se të drejtat kombëtare dhe përparimi
ekonomik e kulturor i popullit shqiptar nuk mund të siguroheshin
tashmë me anën e luftës parlamentare.
Përvoja e luftës trivjeçare (1909-1911) e
shqiptarëve kundër regjimit xhonturk kishte provuar
domosdoshmërinë e krijimit të një qendre
të vetme drejtuese dhe udhëheqëse të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Përpjekja e parë për
bashkërendimin e luftës së të gjitha trevave
shqiptare kundër zgjedhës xhonturke u bë në
Stamboll.
Pas këshillimeve, që u zhvilluan ndërmjet Ismail
Qemalit dhe Hasan Prishtinës më 12 janar 1912, u
vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh
të jetës politike shqiptare. Takimi u bë në
mesin e muajit janar, nën kryesinë e Ismail Qemalit,
në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen
Taksim të Stambollit. Në të morën pjesë,
përveç Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e
Syrja Vlorës, edhe Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz
Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë.
Mbledhja e Taksimit ripohoi përfundimin se shqiptarëve,
për të siguruar të drejtat kombëtare e
politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç
organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme.
Aty u diskutua gjithashtu për aspektet organizative të
lëvizjes së armatosur në Shqipëri. Rol
i veçantë, sidomos në fillim të veprimeve
luftarake që do të ndërmerreshin në pranverën
e ardhshme, iu caktua Kosovës. Kryengritja do të
shtrihej edhe në viset e tjera të vendit, megjithatë,
do të ishte Kosova ajo që do të mbante peshën
kryesore në rrafsh ushtarak. Organizimin e forcave kryengritëse
në verilindje të Shqipërisë e mori përsipër
Hasan Prishtina. Esat Toptani premtoi të merrej me organizimin
e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme dhe në
Mirditë. Myfit Libohova, Aziz Vrioni e Syrja Vlora u
zotuan të ngrinin në luftë çetat e Jugut.
Ismail Qemali mori përsipër të siguronte, me
ndihmën materiale të kolonive shqiptare të
mërgimit, armë dhe të holla (15 mijë pushkë
të tipit të ri mauzer dhe 10 mijë napolona
ar). Ai do të vijonte njëkohësisht përpjekjet
për të siguruar mbështetjen e diplomacisë
evropiane dhe të opinionit publik të jashtëm.
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes
së Taksimit vetëm Ismail Qemali, Hasan Prishtina
e ndonjë tjetër u përpoqën të përmbushnin
detyrimet e tyre.
Përpjekjet për sigurimin e aleatëve
Një nga detyrat parësore të kryengritjes së
armatosur që po përgatitej mbetej sigurimi i aleatëve
ose të paktën sigurimi i krahëve të forcave
kryengritëse gjatë ndeshjes me forcat ushtarake
osmane
Hasan Prishtina, pas shpërndarjes së parlamentit,
hyri në bisedime me deputetë arabë e kurdë
dhe u bëri thirrje atyre që ti kundërviheshin
me kryengritjen e armatosur politikës nacionaliste dhe
asimiluese të xhonturqve.
Ndërkohë, Ismail Qemali vazhdoi përçapjet
diplomatike pranë kancelarive të Fuqive të
Mëdha në disa prej kryeqyteteve evropiane. Duke
njohur qëndrimin e shteteve fqinje ndaj çështjes
shqiptare, ai iu shmang vizitës në kryeqytetet ballkanike.
Edhe Hasan Prishtina, me tu kthyer nga Stambolli në
Kosovë, u përpoq të siguronte bashkëpunimin
me lëvizjen bullgaro-maqedone në Shqipërinë
Lindore. Për këtë qëllim pati një
takim me ish-deputetin e Shkupit në parlamentin osman,
Pavllov, të cilit i kumtoi se për të shpëtuar
nga politika panturke e xhonturqve, që po u sillte pasoja
shumë të rënda si shqiptarëve, ashtu edhe
maqedonëve, ishte e domosdoshme të organizohej një
kryengritje e përbashkët, për të arritur
krijimin e një shteti autonom shqiptaro-maqedon. I sigurt
në fitoren e forcave kryengritëse shqiptare, Hasan
Prishtina nuk kërkoi angazhimin e menjëhershëm
të palës maqedone. Ajo mund të bashkohej me
kryengritjen pasi të shihte frytet e para të luftës
së shqiptarëve. Por Pavllovi, pasi u këshillua
me qendrën e lëvizjes bullgaro-maqedone (me verhovistët)
në Sofje, u përgjigj se bullgarët nuk
mundeshin kurrsesi të merrnin pjesë në kryengritje.
Kjo përgjigje diktohej nga angazhimi i Sofjes në
aleancën ballkanike që po përgatitej, me të
cilën Bullgaria shpresonte të përmbushte planet
e saj aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Beogradi mbajti qëndrim të ndryshëm nga ai
i Sofjes. Duke parashikuar shpërthimin e afërt të
një lufte ballkanike kundër Perandorisë Osmane,
kur edhe aleanca ballkanike ishte duke përfunduar, Serbia
mendonte se ishte në interesin e saj që shqiptarët
të hidheshin sërish në luftë kundër
sundimit osman. Beogradi parashikonte që gjatë konfrontimit
shqiptaro-turk do të dobësoheshin të dyja palët
dhe kështu do ti lehtësohej atij realizimi
i planeve aneksioniste ndaj trevave shqiptare. Por Beogradi
donte që kryengritja në Shqipëri të shpërthente
kur Serbia ta ndjente veten të gatshme për tu
ndeshur me Turqinë. Serbia u lidh me krerë të
lëvizjes shqiptare në Kosovë dhe u premtoi
atyre ti furnizonte me armë, por me kusht që
të mos nguteshin për të filluar kryengritjen
dhe të mos kërkonin autonominë e Shqipërisë.
Rëndësi të posaçme për fatin e
kryengritjes do të kishte qëndrimi që do të
mbanin ndaj saj Fuqitë e Mëdha të Evropës
dhe në radhë të parë ato të Adriatikut.
Duke shpresuar të gjente mbështetje në Londër,
Hasan Prishtina iu drejtua së pari konsullit britanik
në Shkup. Hasan Prishtina i deklaroi atij se shqiptarët
kishin zgjedhur tani si mjet për të shpëtuar
nga dhuna xhonturke dhe nga ndjekjet që i bëheshin
kulturës së tyre kombëtare luftën e armatosur,
se kishin vendosur me ba nji lëvizje tarmatosun
kundra sundimit turk. Për këtë kërkonin
përkrahjen e Anglisë. Konsulli u shpreh i gatshëm
tia përcillte menjëherë këtë
kërkesë Londrës. Pas disa ditësh ai i
njoftoi Hasan Prishtinës se vendi i tij nuk kishte interesa
në Ballkan, prandaj as nuk do ta kundërshtonte dhe
as nuk do ta përkrahte kryengritjen kundërosmane
të shqiptarëve.
Kujdes të veçantë udhëheqësit e
kryengritjes i kushtuan qëndrimit të Perandorisë
Dualiste. Hasan Prishtina hyri në lidhje edhe me kryekonsullin
austro-hungarez në Selanik, Kral. Edhe Vjena nuk premtoi
ta ndihmonte kryengritjen shqiptare. Me këtë rast,
Krali kërkoi që Lëvizja Kombëtare Shqiptare
të mbetej në kuadër të një lëvizjeje
paqësore e kufizuar me kërkesa kulturore, arsimore
dhe ekonomike. Ai u mundua ti mbushte mendjen Hasan
Prishtinës se mirëqenia e shqiptarëve
nuk realizohej me revolucion, por me evolucion. Edhe
përfaqësuesit konsullorë të Vjenës
në Shkodër, në Manastir e në Prizren u
bënë të ditur krerëve shqiptarë dhe
komiteteve të fshehta se qeveria e tyre ishte e interesuar
për ruajtjen e gjendjes ekzistuese në Ballkan dhe
të tërësisë territoriale të Perandorisë
Osmane. Si rrjedhim, në rast se do të shpërthente
kryengritja në Shqipëri, ata nuk do ta ndihmonin.
Përveç kësaj, kryengritësit do të
quheshin nga Fuqitë e Mëdha fajtorë për
prishjen e paqes.
Në këto rrethana atdhetarët, deri në prag
të kryengritjes, nuk arritën të siguronin në
Evropë armët e nevojshme. Kjo i detyroi krerët
e lëvizjes në Kosovë që ti drejtonin
sytë nga vendet fqinje. Mali i Zi, ndryshe nga viti i
kaluar, duke qenë edhe nën trysninë e Austro-Hungarisë,
mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj përpjekjeve
të shqiptarëve për organizimin e kryengritjes.
Cetina u deklaroi krerëve të Gjakovës dhe të
Pejës, që u orvatën të hynin në lidhje
me të, se nuk do të pranonte të zhvillonte
bisedime me ta.
Ndryshe nga Mali i Zi, Serbia u tregua e gatshme që ti
furnizonte shqiptarët me armë. Qysh në vitin
1911 dhe sidomos në fillim të vitit 1912 autoritetet
serbe hynë në lidhje me krerë të Kosovës,
me Hasan Hysen Budakovën, Iljaz Agushin, Mahmut Zajmin,
Bajram Daklanin, Sadik Ramën e Gjurgjevikut dhe me Ramadan
Shabanin e më pas edhe me Isa Boletinin. Disa shkuan
deri në Beograd, ku u takuan me funksionarë të
ministrisë së Jashtme dhe me Nikolla Pashiqin. Beogradi
vuri përsëri si kusht të parë, për
të siguruar ndihmën e Serbisë, dorëheqjen
nga çdo synim për të fituar autonominë
administrative të Shqipërisë. Edhe koha kur
do të fillonte kryengritja, sipas Serbisë duhej
përcaktuar në marrëveshje me autoritetet serbe.
Prandaj edhe sasia e armëve të siguruara në
Serbi ishte tejet e kufizuar. Megjithatë, Beogradi nuk
nxori pengesa për kalimin e armëve në Shqipëri
përmes kontrabandës, e cila, në pragun e shpërthimit
të kryengritjes mori përmasa të mëdha.
Përballë këtyre rrethanave udhëheqësit
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë të
gjitha përpjekjet që kryengritja të fillonte
sa më parë, duke pasur si kërkesë kryesore
formimin e një shteti autonom shqiptar.
Përgatitjet për kryengritjen e përgjithshme
përkuan me zgjedhjet parlamentare. Më 18 janar 1912
xhonturqit shpallën shpërndarjen e parlamentit.
Sipas kushtetutës, zgjedhjet e reja duhej të bëheshin
në vjeshtë, por, për të mos i dhënë
kohë opozitës të shtonte ndikimin në provinca,
xhonturqit vendosën që ato të zhvilloheshin
menjëherë, që në muajin shkurt. Ata synonin
të fitonin shumicën absolute në parlamentin
e ri. Ligji i zgjedhjeve, veç të tjerave, i kufizonte
shumë të drejtat e kombësive joturke të
Perandorisë dhe lejonte hapësira të gjera për
manipulimin e listave të zgjedhësve nga autoritetet
qeveritare.
Shtypi patriotik dhe në mënyrë të veçantë
gazeta Liri e Shqipërisë, si edhe shoqëritë
e komitetet atdhetare brenda e jashtë vendit, duke u
përfshirë në fushatën elektorale, i bënin
thirrje popullit që të mos votonte për ata
kandidatë që kishin braktisur interesat e atdheut
dhe që ishin propozuar nga xhonturqit, por të zgjidhnin
deputetë atdhetarë të sprovuar, si Ismail Qemali,
Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Topulli, Ismail Haki
Strazimiri, Ibrahim Temo, Aqif pashë Elbasani, dr. Haki
Mborja etj. Xhonturqit, nga ana e vet, mobilizuan njerëzit
e tyre për të penguar zgjedhjen e atdhetarëve
shqiptarë në parlament. Organet e xhandarmërisë
bënin presion mbi zgjedhësit e dytë për
ti detyruar që të miratonin kandidatët
e Komitetit Bashkim e Përparim.
Malësorët e Mbishkodrës, të zhgënjyer
nga premtimet e xhonturqve, që nuk zbatuan marrëveshjen
e gushtit të vitit 1911, nuk morën pjesë në
votime.
Shpërdorimet e qeverisë xhonturke gjatë fushatës
së zgjedhjeve e acaruan edhe më shumë situatën
në vend. Ministri i Jashtëm turk, Asim Beu, pranoi
para ambasadorit austro-hungarez në Stamboll se shkaku
i kryengritjes në Shqipëri janë gabimet e bëra
në zgjedhjet.
2. SHPËRTHIMI I KRYENGRITJES DHE VEPRIMET
E PARA TË ARMATOSURA
(MARS - MAJ 1912)
Dështimi i misionit të Komisionit të reformave
Gjendja e vështirë e krijuar në Shqipëri
i shtyu autoritetet xhonturke të dërgonin në
Shqipëri një komision qeveritar të kryesuar
nga ministri i Brendshëm Haxhi Adil beu. Me pretekstin
se do të hetonte në vend nevojat e administratës
dhe të popullsisë, kinse për të përgatitur
reforma administrative, Komisioni u përpoq të forconte
pushtetin e tronditur të xhonturqve, posaçërisht
aparatin administrativ, ushtarak e gjyqësor. Por detyra
e tij kryesore ishte ti largonte shqiptarët nga
lëvizja kryengritëse. Jo rastësisht ai e filloi
veprimtarinë e tij në vilajetin e Kosovës e
më pas në atë të Shkodrës, të
cilat kishin qenë vatrat e kryengritjeve të mëdha
kundërosmane.
Shqiptarët, duke njohur qëllimet e vërteta
të Komisionit, i bënë atij kudo një pritje
të ftohtë, madje edhe armiqësore. Në Prishtinë
ai u bojkotua nga banorët e qytetit dhe të rrethinave.
Komisioni vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë
i shoqëruar nga forca ushtarake. Ai u prit me pushkë
në Kosovë, ku u detyrua të çante rrugën
me anën e artilerisë. Më 7 mars, kur ministri
turk po kalonte nga Peja në Gjakovë, i shoqëruar
nga dy batalione, u sulmua nga forcat kryengritëse të
komanduara nga Mahmut Zajmi në rrugën Pejë-Gjakovë,
në afërsi të fshatit Strellc. Këtu u zhvilluan
luftime të ashpra që zgjatën disa orë.
Komisioni mundi të hynte në Gjakovë vetëm
pasi siguroi besën e bajraktarëve të atjeshëm,
ndërsa eskorta që e shoqëronte ndeshi përsëri
në pritën e shqiptarëve, në rrugën
e kthimit për në Pejë, afër fshatit Strellc
ku, sipas burimeve konsullore austro-hungareze, la 30 të
vrarë dhe 50 të plagosur.
Edhe forcat që u dërguan në drejtim të
Prizrenit për ti hapur rrugën Komisionit u
sulmuan nga kryengritësit më 11 mars midis fshatrave
Racë e Moglicë. Pas tri ditë luftimesh ushtritë
turke i sprapsën kryengritësit vetëm pasi përdorën
forcat e artilerisë. Një sulm tjetër po aq
i fuqishëm u ndërmor nga forcat kryengritëse,
të komanduara nga Ramadan Zaskoci, kundër Komisionit
dhe trupave që e shoqëronin në bregun e djathtë
të Drinit, gjatë udhëtimit të tyre nga
Prizreni në Shkodër.
Përpjekjet më të ashpra gjatë kohës
që ministri i Brendshëm qëndroi në Kosovë
u bënë në Krumë të Hasit. Më
21 mars 1912, 800 ushtarë dhe 60 xhandarë të
pajisur me topa u drejtuan kundër 200 kryengritësve,
të prirë nga Mahmut Zajmi, që kishin mbështetjen
e popullsisë së Gjakovës dhe të rrethinave
të saj. Sipas udhëzimeve të autoriteteve xhonturke,
shkoi në Has pranë kryengritësve katolikë,
fandë e mirditas imzot Ndre Mjeda për ti bindur
që të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Por ata i thanë se të gjithë shqiptarët
ishin vëllezër, myslimanë e të krishterë,
prandaj nuk do të veçoheshin si katolikë,
por të gjithë së bashku, pa dallim feje, do
të kërkonin zbatimin e 12 pikave që iu dhanë
malësorëve disa muaj më parë, si dhe shpalljen
e një faljeje të përgjithshme.
Në fillim të prillit kryengritësit e Pejës
i dërguan një ultimatum qeverisë, në të
cilin kërkonin si masa më të para hapjen e
shkollave shqipe në Shqipëri me shkronjat kombëtare,
caktimin e nëpunësve shqiptarë dhe kryerjen
e shërbimit ushtarak brenda kufijve të Shqipërisë.
Këto kërkesa nuk përfshinin ende idenë
e një autonomie të plotë të Shqipërisë.
Megjithatë, kryengritësit e Kosovës, siç
shkruante shtypi, duke u bërë jehonë ngjarjeve
në këtë trevë, ishin të gatshëm
të paraqisnin kërkesa më të përparuara
politike, të kërkonin autonomi të plotë
ose vetëqeverisje.
Sulmet e forcave kryengritëse kundër ushtrisë
osmane, vazhduan edhe gjatë udhëtimit të ministrit
të Brendshëm, Haxhi Adil beu, në Shqipërinë
e Mesme e të Jugut, deri në Manastir e në Janinë.
Kudo që shkoi komisioni i reformave, i kryesuar nga Haxhi
Adil beu, ndërhyri në fushatën elektorale për
të përkrahur kandidatët e Komitetit Bashkim
e Përparim. Për këtë Adil Beu përdori
gjithfarë formash, duke filluar nga ndërrimi arbitrar
i vendvotimeve, rryshfetet, kërcënimet e shantazhet
e ndryshme, burgosjen e ithtarëve të opozitës
dhe deri te mjetet e dhunës e forca e armëve. Vetëm
në këtë mënyrë xhonturqit arritën
të siguronin shumicën absolute në parlament.
Të gjitha masat që ndërmori Komisioni, si shtimi
i xhandarmërisë, ngritja e burgjeve, forcimi i aparatit
burokratik-administrativ osman, hapja e rrugëve të
reja për lehtësimin e lëvizshmërisë
së forcave ushtarake osmane, në vend që ta
qetësonin gjendjen, i ashpërsuan më tej kontradiktat
ndërmjet popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë.
Prandaj Luigj Gurakuqi i quajti këto reforma shtypje
dhe shtrëngime të reja që ndezën një
zjarr të ri. Pra, misioni i Haxhi Adil beut nuk
bëri gjë tjetër veçse përshpejtoi
shpërthimin në mbarë Shqipërinë të
kryengritjes së përgjithshme, që ishte duke
u përgatitur prej kohësh.
Shpërthimi i kryengritjes
Pas përgatitjeve të para për kryengritjen e
përgjithshme u shtuan veprimet e armatosura dhe u kalua
në krijimin e çetave, të cilat vepronin veçanërisht
në Kosovë, ku u ndërmorën, siç
u pa, edhe sulme kundër Komisionit të reformave.
Moszbatimi i marrëveshjeve të gushtit të vitit
1911, vënia e taksave të reja dhe keqësimi
i gjendjes ekonomike në vend e shtuan pakënaqësinë
e popullit në fillim të vitit 1912. Gjendja u acarua
më tej për shkak të përpjekjeve të
autoriteteve xhonturke për manipulimin e zgjedhjeve,
për të penguar çeljen e shkollave shqipe,
si dhe për të imponuar alfabetin arab në shkolla.
Veprimtarët më të përkushtuar të
komiteteve të fshehta e të shoqërive atdhetare
të mërgimit iu vunë organizimit të kryengritjes
dhe furnizimit të luftëtarëve me armë
e me municione. Brenda vendit, përveç komiteteve
që vepronin në Kosovë, me organizimin e çetave
merreshin edhe komitetet e Manastirit, të Korçës,
të Çamërisë, të Vlorës, të
Elbasanit, të Dibrës etj., ndërsa jashtë
vijonte veprimtarinë e tij Komiteti italo-shqiptar me
Nikollë Ivanajn në krye. Në muajin prill Ismail
Qemali rikrijoi në Korfuz një komitet të ri.
Në dyjavorin e dytë të muajit prill ai, së
bashku me Luigj Gurakuqin, u hodhën në Shqipëri
për të organizuar kryengritjen, ku qëndruan
afro tri javë, i pari në Shqipërinë e
Jugut dhe i dyti në atë të Veriut.
Një kontribut të veçantë për blerjen
e armëve dhe futjen e tyre në Shqipëri dhanë
mërgimtarët e Rumanisë. Për përgatitjen
e kryengritjes ndihmuan gjithashtu kolonitë shqiptare
në ShBA, sidomos Federata Vatra dhe gazeta
e saj Dielli. Një propagandë të
gjerë për kryengritjen bëri shtypi i kolonive
dhe veçanërisht gazeta Liri e Shqipërisë
(Sofje), e drejtuar nga Kristo Luarasi.
Qendër e gjithë kësaj veprimtarie organizative
e politike vijoi të ishte vilajeti i Kosovës. Me
organizimin e forcave të kryengritjes së përgjithshme
merreshin Hasan Prishtina dhe komandantët e çetave,
si Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël e të tjerë. Për
shkak të rolit të veçantë që luante
në përgatitjen e kryengritjes shqiptare, xhonturqit
u orvatën ta zhduknin Hasan Prishtinën me anën
e një atentati, i cili mbeti një tentativë
e dështuar.
Ndërkaq u shtuan aksionet e armatosura të shqiptarëve
kundër autoriteteve turke. Në mesin e muajit prill
në Prizren u vra kryetari i komitetit xhonturk, u sulmua
burgu dhe u liruan të gjithë të burgosurit.
Autoritetet vendore të Gjakovës bënë një
përpjekje për ta shtypur këtë revoltë
para se ajo të merrte përpjesëtime të
gjera. Në mesin e muajit prill dy batalione qeveritare
sulmuan kryengritësit e përqendruar në Has,
por u thyen keq dhe u tërhoqën në Gjakovë.
Për të vendosur një bashkërendim të
veprimeve të forcave kryengritëse në rrafsh
krahinor, më 21 prill 1912 u mblodhën në Krasniqe
në Kuvendin e katër bajraqeve krerët
e Malësisë së Gjakovës, të Krasniqes,
të Hasit, të Gashit e të Rekës, të
cilët i parashtruan një varg kërkesash valiut
të Shkupit. Duke e ndier veten të pafuqishëm
përballë kryengritësve, kajmekami (nënprefekti)
i Gjakovës për të fituar kohë, u premtoi
atyre se brenda 15 ditëve do të vinte një përgjigje
pozitive nga qendra e vilajetit për kërkesat e tyre.
Ndërkaq, në drejtim të Gjakovës u dërguan
nga Korpusi i 7-të i Shkupit dy batalione ushtarësh.
Kryengritësit mbajtën në afërsi të
Gjakovës së rrethuar një miting të jashtëzakonshëm,
nga i cili iu dërgua një ultimatum nënprefektit
të Gjakovës dhe komandantit të ushtrisë,
Xhavit Pashës, ku u parashtruan edhe njëherë
kërkesat e tyre: kthimi i armëve, hapja e shkollave
shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak brenda vilajeteve
shqiptare, zgjedhja e mydyrëve (e krahinarëve) nga
paria e vendit, caktimi i nëpunësve shqiptarë,
ulja e taksës së bagëtisë, ndreqja e rrugëve
etj. Në të njëjtën kohë kryengritësit
vendosën të hynin në qytet dhe të shtinin
në dorë depon e armatimit e të municionit.
Pas vendimit që komandantët e forcave kryengritëse
morën në Rekë, nisi sulmi mbi Gjakovë.
Forcat e Rekës dhe të Krasniqes, të prirë
nga Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Ali Binaku, Qerim Binaku,
Bajram Mani dhe Zog Abdyli, përparuan në drejtim
të Çabratit. Forcat e Hasit, nën komandën
e Miftar Sylës, sulmuan nga ana e Urës së Tabakëve.
Sulmi mbi qytet filloi në mëngjesin e 11 majit.
U zhvilluan luftime të përgjakshme që zgjatën
tri ditë. Edhe pse u vunë nën zjarrin e dendur
të mitralozave dhe të artilerisë, kryengritësit
luftuan me vendosmëri. Por për mungesë të
municioneve, u detyruan të pranonin një armëpushim
dhjetëditor që u arrit me ndërmjetësinë
e Riza bej Kryeziut. Megjithatë sulmi mbi Gjakovë
pati jehonë në trevat e tjera dhe përshpejtoi
përfshirjen e popullsisë së tyre në luftën
e armatosur.
Udhëheqësit shqiptarë vijuan punën për
zgjerimin e kryengritjes. Më 5 maj 1912 mbërriti
nga Shkupi në Drenicë Hasan Prishtina, që iu
kushtua bashkimit e organizimit të forcave shqiptare.
Ai u mbështet tek Ahmet Delia në Prekaz dhe Sadik
Ramë Gjurgjeviku në rrethinat e Pejës.
Më 6 maj u mbajt nën kryesinë e Nexhip Dragës
mbledhja e Shalës, në të cilën u vendos
që edhe kjo krahinë të bashkohej me kryengritjen.
Ndërkohë, forcat kryengritëse shtuan goditjet
kundër trupave armike në rrethinat e Pejës,
afër Istogut. Popullsia e Pejës, më 6 maj 1912,
ngriti krye. Komanda osmane nisi me shpejtësi në
drejtim të Pejës dy batalione. Por çetat
e Mahmut Zajmit, me të cilin tani qe bashkuar atdhetari
dibran Hasan Ballanca, dhe ato të Zefit të Vogël,
të mbështetura edhe nga 500 kryengritës të
Prekorupës, i goditën këto batalione gjatë
rrugës dhe i shpartalluan. Luftimet vijuan gjatë
11-14 majit edhe pasi Istogu qe rrafshuar nga artileria osmane.
Sulmet e kryengritësve kundër ushtrive osmane vijuan
në Pejë edhe dhjetë ditë të tjera.
Gjatë këtyre luftimeve u vranë 400 ushtarë
osmanë. Më 20 maj repartet ushtarake ndihmëse
të nisura nga Mitrovica hynë në Pejën
e rrethuar, ku u bashkuan me garnizonin e ngujuar atje. Edhe
këtu, ashtu si në Gjakovë, u vendos një
armëpushim ndërmjet kryengritësve dhe autoriteteve
të Pejës. Vetë valiu që ndodhej atëherë
në Pejë pranoi një pjesë të kërkesave
të kryengritësve dhe pikërisht që forcat
osmane të nënprefekturës të ndryheshin
në qytet dhe që kadiu e komandanti i xhandarmërisë
të largoheshin nga postet e tyre zyrtare, por nuk pranoi
kërkesën për largimin e mytesarifit të
Pejës. Autoritetet lokale premtuan gjithashtu se do të
kërkonin nga Porta e Lartë që tu jepte
përgjigje pozitive të gjitha kërkesave të
parashtruara nga kryengritësit.
Lëvizja kryengritëse u shtri edhe në sanxhakun
e Prishtinës. Më 9 maj 1912 një çetë
shqiptare u përlesh me repartin e xhandarmërisë
në Llap e në Koshutovë dhe u ndërmor një
sulm mbi depon e armëve e mbi postën e xhandarmërisë
në Vuçiternë. Prefekti i Prishtinës
kërkoi të shpallej gjendja e jashtëzakonshme,
por popullsia e këtij qyteti, ajo e Prizrenit, e Vuçiternës,
e Mitrovicës, e Gjilanit dhe e Gjakovës i bënë
të ditur valiut se, po të merrej kjo masë,
ata të gjithë do të dilnin në mal. Kjo
i detyroi autoritetet ta pezullonin vendimin për të
shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq krerët
e lëvizjes në Prishtinë kërkuan nga valiu
anulimin e zgjedhjeve parlamentare të manipuluara nga
qeveritarët xhonturq, mbylljen e shkollave turke dhe
kthimin e armëve të grumbulluara një vit më
parë.
Porta e Lartë vazhdonte të përqendronte në
Kosovë forca të reja ushtarake që dërgoheshin
nga provincat e tjera të Perandorisë. Më 23
maj arriti në Ferizaj divizioni i nizamëve nga Stambolli,
i specializuar për kryerjen e detyrave të veçanta
dhe i pajisur me armatime e mjete moderne luftarake. Në
fundin e majit 1912 ishin angazhuar drejtpërsëdrejti
në luftime 19 mijë ushtarë, të pajisur
me mitroloza e topa dhe 700 kalorës, që drejtoheshin
nga komandanti i Korpusit të 7-të të Shkupit,
gjeneral Ismail Fadil pasha, ndërsa forcat osmane të
përqendruara në Kosovë ishin shumë më
të mëdha.
Me gjithë mungesat në të holla, në armatime
e në materiale luftarake, numri i kryengritësve
rritej çdo ditë. Sipas shtypit të kohës
ai kishte arritur në maj 1912 në 15 mijë veta.
Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912)
Zgjerimi i veprimeve luftarake të kryengritësve
shtroi si një detyrë të ngutshme bashkërendimin
dhe organizimin e kryengritjes në shkallë kombëtare.
Të parët që e ndjenë këtë nevojë
të organizimit ishin udhëheqësit e forcave
kryengritëse të Kosovës. Në thirrjen drejtuar
popullit shqiptar në fillim të muajit maj nga Malësia
e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të
kryengritësve nën drejtimin e një komiteti
të vetëm kombëtar, i cili, duke pasur edhe
një organ shtypi në gjuhë të huaj, të
propagandonte programin e luftës së armatosur të
popullit shqiptar: Lirinë administratore të
Shqypëniës. Thirrja ishte nënshkruar
nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër
Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe
nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm.
Përmasat që po merrte lëvizja kryengritëse
në trevat verilindore të vendit bënë të
mundur organizimin e shtrirjen e kryengritjes në të
gjithë Shqipërinë dhe bashkimin e të gjitha
forcave rreth një programi politik kombëtar. Për
këto qëllime u vendos të thirrej në Junik
një kuvend shqiptar.
Sulmi i kryengritësve mbi Gjakovë krijoi kushte
të volitshme për mbajtjen e kuvendit, sepse forcat
e Korparmatës së 7-të osmane (me qendër
në Ferizaj) u detyruan të përqendroheshin atje.
Ministri i Brendshëm turk deklaroi atëherë
në parlament se kryengritësit shqiptarë
po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësitë
për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik.
Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912, me
nismën e Hasan Prishtinës. Në të morën
pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës,
si dhe nga sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës
dhe të Elbasanit; ishin gjithashtu disa përfaqësues
nga krahinat e Jugut.
Me përpjekjet e Hasan Prishtinës, që u mbështet
nga Bajram Curri?, Isa Boletini e të tjerë, Kuvendi
arriti të paralizonte qëndrimet e elementëve
turkomanë, të cilët kishin depërtuar në
radhët e pjesëmarrësve, dhe të neutralizonte
lëkundjet e krahut të moderuar. Me vendimet e Junikut
do të bashkohej edhe Riza bej Kryeziu. Misioni i
paqes i dërguar në Junik nga mytesarifi i
Pejës nuk arriti ti bindte pjesëmarrësit
e Kuvendit të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur.
Madje, anëtarët e tij u mbajtën peng në
Junik për disa ditë. Shumica e pjesëmarrësve
të Kuvendit u treguan të vendosur për vazhdimin
e kryengritjes. Në Kuvend u lidh besa dhe u vendos të
ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme kundër
sundimit të huaj. Krerët autonomistë, në
kundërshtim me parinë turkomane të Kuvendit,
shpallën këtu programin politik të kryengritjes,
i cili u miratua nga Kuvendi dhe iu dorëzua qeverisë
së Stambollit. Programi përmbante këto kërkesa:
njohjen e autonomisë së Shqipërisë, vendosjen
e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe
me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen
e flamurit shqiptar në të gjithë vendin, emërimin
e një stërnipi të familjeve princore
shqiptare si guvernator të përgjithshëm dhe
garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin
e këtyre kërkesave.
Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një
shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme
shqiptare. Ato u përkrahën edhe nga kuvendet dhe
komitetet e viseve të tjera të Shqipërisë.
Pas këtij Kuvendi qeveria turke mori masa të reja
ushtarake për të penguar shtrirjen e mëtejshme
të kryengritjes. Krahas saj, xhonturqit, duke u mbështetur
edhe në parinë turkomane, ndërmorën një
fushatë shpifjesh kundër vendimeve të Junikut,
kundër kryengritësve dhe udhëheqësve të
tyre, të cilët i quajtën vegla të të
huajve. Xhonturqit për tiu kundërvënë
këtyre vendimeve u përpoqën të organizonin
edhe tubime të veçanta, por këto tubime u
bojkotuan nga shqiptarët. Menjëherë pas Kuvendit
u trilluan telegrame drejtuar qeverisë, si ai i bërë
gjoja në emër të popullsisë së Prizrenit,
në të cilin dënoheshin kryengritësit
dhe ngatërrestarët e rrethinave të Gjakovës
e të Pejës, shprehej besnikëria e parisë
turkomane ndaj sunduesve osmanë, si edhe kundërshtimi
i tyre ndaj alfabetit latin. Xhonturqit nxitën gjithashtu
parinë turkomane të Tetovës të ngrihej
kundër disa rebelëve qëllimkëqinj
të rajoneve të Pejës e të Gjakovës,
(të cilët) në kuvendet e mbledhur në emër
të Shqipërisë, kanë shfaqur haptazi kërkesa
të jashtëligjshme. Me protesta të tilla
të sajuara u bashkuan edhe përfaqësues të
parisë së Prishtinës. Në telegramet e
elementëve turkomanë të Tiranës e të
Durrësit vendimet e Junikut paraqiteshin si kërkesa
të individëve a të një pakice njerëzish.
Telegrame me përmbajtje të njëjtë iu dërguan
Stambollit edhe nga paria turkomane e Dibrës, e Shkodrës
dhe e Shkupit.
Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë iu vunë
punës për të vënë në jetë
vendimet e Kuvendit të Junikut. Ai lëshoi një
shpallje në gjuhën turke dhe në gjuhë
të tjera, drejtuar Shqiptarëve liridashës
dhe botës së qytetëruar, në të
cilën theksonte se pas përpjekjesh të
pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare
me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës,
shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç
asaj të rrëmbimit të armëve. Është
momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose
liria e saj, përfundonte thirrja e Hasan Prishtinës.
Pasi kaloi afati i armëpushimit me autoritetet turke,
kryengritësit vijuan luftën për të vënë
në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut.
3. DREJT KRYENGRITJES SË PËRGJITHSHME
(31 MAJ - QERSHOR 1912)
Zgjerimi i veprimeve luftarake në viset e tjera të
Kosovës
Përballë një kryengritjeje të re shqiptare
të fuqishme dhe të organizuar, me një program
politik që u shpall botërisht në Kuvendin e
Junikut, xhonturqit përqendruan forca të shumta
ushtarake në Kosovë. Në Ferizaj u sollën
tri regjimente të Divizionit I të Stambollit. Në
Mitrovicë ishin përqendruar një regjiment i
plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri
artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie
dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjiment
kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër
këmbësorie. Në Gjakovë ndodheshin në
gatishmëri një regjiment këmbësorie, një
regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh.
Në Pazar të Ri, në Senicë, në Beranë
e në Guci kishte nga dy batalione dhe në Plavë
një regjiment nizamësh e një kompani mitralozash.
Përballë tyre qëndronin forcat e kryengritësve,
që ishin gjysmë të armatosur, por të vendosur
për të luftuar për çlirimin e vendit.
Në fundin e majit kryengritësit filluan veprimet
e organizuara luftarake kundër trupave turke. Të
parët u hodhën në luftë, pas Kuvendit
të Junikut, kryengritësit që vepronin në
Rrafshin e Dukagjinit dhe që udhëhiqeshin nga Hasan
Prishtina e nga Bajram Curri.
Një pjesë e këtyre forcave, rreth 2 000 veta,
të përqendruara në fshatin Strellc, nën
drejtimin e Isa Boletinit, të Bajram Daklanit, të
Sadik Ramës, të Mahmut Zajmit, të Zefit të
Vogël etj., filluan më 31 maj sulmin mbi Pejë,
ku asgjësuan pozicionet ushtarake dhe postat e xhandarmërisë
të rrethinave të saj. Luftimet ishin të rrepta
dhe zgjatën disa ditë. Garnizoni i qytetit ishte
në prag të kapitullimit. Por në ndihmë
të tij erdhën forca të reja ushtarake. Divizioni
XIX i nizamëve, që mbërriti nga Mitrovica,
pas përleshjes me forcat kryengritëse në fshatin
Strellc (Klinë) arriti të futet në qytet. Kryengritësve
shqiptarë iu desh të përballonin për dy
ditë e dy netë kundërsulmin e këtyre formacioneve
të mëdha ushtarake, të pajisura me teknikën
luftarake të kohës. Më 6 qershor 1912, për
mungesë armësh e municionesh, kryengritësit
u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të
Gucisë dhe të Beranës. Grupi i parë sulmoi
në Guci kazermat e ushtrisë dhe pastaj vijoi rrugën
për tu bashkuar në Krasniqe me grupin tjetër,
që kishte marrë drejtimin e Beranës. Autoritetet
malazeze kishin marrë masa të mos u lejonin kryengritësve
të kalonin kufirin dhe të hynin në Mal të
Zi. Përgjithësisht, gjendja e kryengritësve
në këtë zonë ishte mjaft e vështirë.
Megjithatë kryengritësit vazhduan të vepronin
me sukses në drejtime të tjera. 2 000 kryengritës
sulmuan më 9-10 qershor kazermat ushtarake të Gucisë,
shtinë në dorë një sasi të madhe
armësh e municionesh. Prej andej iu drejtuan Krasniqes
për tu bashkuar me forcat e atjeshme shqiptare.
Një grup tjetër, i përbërë nga 2
300 kryengritës, qe tërhequr në anët e
Rugovës. Këto veprime luftarake, që u zhvilluan
në pjesën perëndimore të vilajetit të
Kosovës, shënuan një kthesë të rëndësishme
në ecurinë e mëtejshme të kryengritjes.
Kryengritës të tjerë të viseve të
Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit, nën
drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione
të përqendruara në Qafën e Prushit. Forcat
qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart
e shqiptarëve municione, armë, mitraloza e topa,
që u përdorën për armatosjen e kryengritësve.
Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë,
të plagosur e robër lufte.
Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit
ushtroi ndikim në popull dhe, siç theksonte Hasan
Prishtina, i dha një shtytje të fuqishme lëvizjes
së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo fitore bëri
të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë
në radhët e oficerëve të garnizoneve ushtarake
në viset verilindore e lindore të Shqipërisë.
Ndërkohë, 4 000 ushtarë osmanë rrethuan
më 30 qershor 1912 Boletinin, ku gjendeshin 1 500 kryengritës
nën komandën e Isa Boletinit. Këtu u zhvilluan
luftime të rrepta, gjatë të cilave turqit lanë
rreth 100 ushtarë të vrarë. Artileria turke
hodhi mbi fshatin Boletin më shumë se 1 200 predha.
Pas dy javë luftimesh, kryengritësit u detyruan
të tërhiqeshin nga Boletini në drejtim të
Pazarit të Ri.
Përkundrejt goditjeve që kryengritësit u dhanë
forcave qeveritare në Rrafshin e Dukagjinit, xhonturqit
ushtruan një terror të pashembullt mbi popullsinë
shqiptare. Valiu i Kosovës, Masar Beu, njoftonte më
30 qershor telegrafisht Adil Beun, ministrin e Punëve
të Brendshme, se burgosja dhe internimi i familjeve
të kryengritësve nuk i tremb shqiptarët, por
i ka nxitur edhe më shumë; në çdo çast
pritej që ata të sulmonin nga të gjitha anët.
Kryengritja shqiptare po merrte përpjesëtime gjithnjë
e më të mëdha dhe po shndërrohej gradualisht
në një kryengritje të përgjithshme, në
të cilën merrnin pjesë shtresa të ndryshme
shoqërore, fshatarë, qytetarë, oficerë
dhe ushtarë shqiptarë, që kishin dezertuar
nga ushtria osmane. Si rrjedhim, kryengritja mori karakter
të gjerë popullor.
Kryengritja shqiptare shpërtheu në kushtet e thellimit
të krizës së Perandorisë Osmane dhe të
acarimit të gjendjes ndërkombëtare në
Ballkan, kur shtetet ballkanike po bënin përpjekje
për një aleancë ndërmjet tyre. Më
13 mars 1912 u nënshkrua Traktati i miqësisë
dhe i aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë.
Në Aneksin e fshehtë të tij bëhej
fjalë edhe për ndarjen e tokave shqiptare midis
aleatëve. Më 29 maj u nënshkrua Traktati greko-bullgar
dhe në korrik Mali i Zi e Bullgaria përfunduan një
marrëveshje verbale.
Të gjitha këto zhvillime politike e diplomatike
në Gadishullin Ballkanik nuk mund të mos ndikonin
në veprimet dhe në taktikën e udhëheqjes
së kryengritjes shqiptare.
Revolta antiqeveritare në ushtri
Në kushtet kur përpjekjet e qarqeve patriotike shqiptare
për të siguruar aleatë në grupin e shteteve
evropiane dhe të atyre ballkanike nuk dhanë fryt,
kur edhe përçapjet për një aleancë
me lëvizjen bullgaro-maqedone (verhoviste) nuk gjetën
mbështetje në Sofje, udhëheqësit e kryengritjes
u përpoqën të shfrytëzonin, jo pa sukses,
luftën politike për pushtet ndërmjet xhonturqve
e kundërshtarëve të tyre politikë. Kjo
nuk ishte e lehtë të arrihej dhe përbënte
një çështje mjaft delikate, sepse mbartte
pasoja komprometuese, të rrezikshme për Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare.
Komitetet shqiptare zhvilluan midis ushtarëve dhe sidomos
midis oficerëve të trupave osmane një agjitacion
të dendur kundër Komitetit Bashkim e Përparim.
Në këto kushte nisi bashkëpunimi me shoqëritë
e fshehta, që vepronin në radhët e ushtrisë
osmane dhe që drejtoheshin nga Grupi i oficerëve
shpëtimtarë (Halasqar zabitan gurubu),
si dhe me partinë opozitare Hyrriet ve Ittilaf
(Liri dhe marrëveshje). Në Rumeli pothuajse
të gjithë oficerët shqiptarë ishin pjesëtarë
ose simpatizantë të Grupit të oficerëve
shpëtimtarë.
Kryengritja shqiptare ndikoi, nga ana e saj, në çorientimin
e paralizimin e ushtrisë, që u shoqërua me
dezertimin e ushtarëve dhe të oficerëve, madje
edhe me revoltat e tyre kundër qeverisë xhonturke.
Më 21 qershor të vitit 1912 një grup oficerësh
e ushtarësh (8 oficerë dhe 140 ushtarë) të
batalionit të parë të regjimentit të 49-të
të këmbësorisë, të udhëhequr
nga oficeri shqiptar Tajar Tetova, i njohur për ndihmesën
e madhe që kishte dhënë në fitoren e Revolucionit
xhonturk (1908), lanë kampin pranë Manastirit dhe
dolën në mal. Së bashku me Tajar Tetovën
dolën në mal edhe oficerë të tjerë
shqiptarë, si Xhelal Preveza, Kasem Kolonja, Melek Kolonja
(Frashëri), Ahmet Bejtaga (Kavaja) e të tjerë.
Më pas me kryengritjen u bashkuan reparte të tëra,
si batalioni që komandohej nga major Xhenabi Adili nga
Gjakova.
Në Dibër pati gjithashtu ushtarakë që
u bashkuan me kryengritjen. Në këtë ndikoi
shtrirja e kryengritjes në këtë sanxhak. Komiteti
i fshehtë i klubit të Dibrës, sipas udhëzimeve
që pati marrë nga Klubi qendror i Manastirit, vendosi
të hidhej në kryengritje, jo vetëm për
me kërkue lirinë e mësimit të gjuhës
sonë, por, - siç shprehej Ismail Haki Peqini që
ishte atje me shërbim, - për me ngritë flamurin
kuq e zi. Rreth 50 veta nga qyteti e rrethinat, nën
komandën e Dan Camit, u tubuan tek Ura e Spilës.
Me ta u bashkuan edhe oficerët Ismail Haki Deveja, Ismail
Haki Libohova dhe Ibrahim Gjakova.
Të arratisurit, që i takonin Korpusit të 7-të,
ishin, sipas burimeve diplomatike e konsullore të kohës,
të gjithë shqiptarë. Lëvizja
kundërqeveritare përfshiu edhe forcat e xhandarmërisë.
Kështu nisi në pjesën evropiane të Perandorisë
Osmane ai që u quajt revolucioni ushtarak.
Shtabi i Korparmatës së Manastirit formoi reparte
të veçanta për ndjekjen e të arratisurve.
Ndërkaq autoritetet e vilajetit u detyruan të kërkonin
zëvendësimin e oficerëve dhe sjelljen e forcave
të reja ushtarake nga Anadolli. Më 1 korrik arriti
në Manastir nga Dardanelet Divizoni IV i nizamëve.
Në shpalljen që oficerët e arratisur publikuan
më 21-22 qershor, demaskonin regjimin antikushtetues
e çnjerëzor të xhonturqve që po shkatërronte
Perandorinë, si dhe zullumin, politikën
e padrejtësive dhe të terrorit, që ata po ushtronin
prej vitesh në Shqipëri. Këto ishin arsyet
që ushtarakët e arratisur u solidarizuan me bashkatdhetarët
shqiptarë, të cilët, - siç thuhej
në shpallje, - kanë ngritur krye për të
treguar atdhetarizmin e tyre dhe vetëmohimin patriotik
kundër të gjithë atyre që i kanë
sjellë vendit gjithë ato të këqija.
Ushtarakët kërkonin dorëheqjen e menjëhershme
të qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe
dekretimin e zgjedhjeve të reja, dërgimin në
gjyq të personaliteteve më të larta qeveritare,
ushtarake e politike xhonturke, si Ibrahim Hakiu, Mahmut Shefqeti,
Said e Rifat Pasha, Talat e Xhavit Beu, si edhe shefi i shtabit
të përgjithshëm. Ata deklaruan se pa u plotësuar
këto kërkesa nuk do ti lëshonin armët.
Këto kërkesa të ushtarakëve të arratisur
ishin larg programit të kryengritjes shqiptare. Ndryshe
nga oficerët e arratisur, kryengritësit shqiptarë,
siç kishin vendosur në Kuvendin e Junikut, nuk
luftonin si opozita itilafiste për rrëzimin e një
kabineti të keq dhe për zëvendësimin
e tij me një kabinet të mirë. Por
edhe disa oficerë, pjesëmarrës të lëvizjes
opozitare në radhët e ushtrisë, kishin pranuar
të përfshihej në programin e tyre edhe një
nen i veçantë në të mirë të
shqiptarëve, që të parashikonte të paktën
njohjen e disa privilegjeve për ta. Mbi këtë
bazë në radhët e tyre u bë një debat
i ashpër rreth një programi të përbashkët
ndërmjet shqiptarëve dhe opozitës ushtarake
(ku kishte edhe elementë nacionalistë ekstremë),
në të cilin të përfshiheshin edhe kërkesa
të tilla si zbatimi i decentralizimit administrativ dhe
njohja e autonomisë për shqiptarët. Por drejtuesit
e lëvizjes opozitare ushtarake nuk i pranuan kërkesat
kombëtare të shqiptarëve.
Ndryshe nga këta ushtarakët shqiptarë ndiqnin
qëllime thjeshtësisht nacionaliste,
shqiptare, dhe ishin në lidhje të ngushtë me
krerët e kryengritjes në Shqipërinë e
Veriut, si dhe me lëvizjen në krahinat e Toskërisë.
Ndërkaq, opozita, megjithëse synonte ta shpëtonte
vendin nga sundimi i Komitetit Xhonturk, kërkonte të
mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe
në kuadër të saj edhe panturkizmin e osmanizmin.
Megjithatë, qarqet politike e ushtarake opozitare kërkonin
të përfitonin nga kryengritja shqiptare për
të rrëzuar nga pushteti xhonturqit.
Edhe qëndrimi i udhëheqjes së kryengritjes
shqiptare kundrejt opozitës itilafiste e sidomos ndaj
asaj ushtarake ishte nën ndikimin e fuqishëm të
dy faktorëve: të gjendjes së keqe materialo-ushtarake
e financiare të kryengritësve dhe të zhvillimit
të ecurisë së bisedimeve ndërmjet shteteve
ballkanike për vendosjen e një aleance politiko-ushtarake
që rrezikonte tërësinë e trojeve shqiptare.
Në këto kushte edhe kuadrot ushtarakë shqiptarë,
nismëtarë të revoltës në radhët
e ushtrisë, u detyruan të bashkëpunonin me
kundërshtarët e tjerë politikë të
xhonturqve, sipas një platforme të kufizuar. Kështu
u pranuan vetëm disa lëshime për shqiptarët,
siç ishin: të ktheheshin armët e mbledhura;
të shpallej amnisti e përgjithshme, e cila do të
përfshinte të gjithë të dënuarit
politikë e ordinerë të rajoneve të tyre;
të mos dërgoheshin shqiptarët në vende
të tjera për kryerjen e shërbimit ushtarak;
të paguheshin paratë për rregullimin e shtëpive
të shkatërruara gjatë operacioneve ushtarake
të tanishme dhe të mëparshme; të merreshin
anëtarë të komisioneve të pajtimit të
gjaqeve edhe vendas; të hapeshin nëpër vende
të ndryshme rrugë dhe të ngriheshin shkolla
etj.
Rrethet atdhetare shqiptare brenda e jashtë vendit mbajtën
një qëndrim kritik kundrejt kësaj marrëveshjeje.
Gjithësesi, pika e marrëveshjes për zbatimin
e politikës së decentralizimit administrativ të
Perandorisë Osmane, e pranuar edhe nga opozita ushtarake
turke, kuptohej nga rrethet atdhetare shqiptare si një
hap përpara drejt realizimit të autonomisë
shqiptare.
Komitetet e fshehta shqiptare punuan për të bindur
oficerët turq që të fusnin në programin
e tyre edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë,
ose, të paktën, njohjen e privilegjeve të tyre
të kahershme. Këto kërkesa nuk u pranuan nga
opozita që vijoi përpjekjet për ti dhënë
fund krizës politike në vend nëpërmjet
programit të saj të moderuar. Edhe pas kësaj
komitetet shqiptare hynë në bisedime me opozitën
ushtarake për të vendosur një program të
përbashkët. Por edhe opozita ushtarake, ashtu si
lëvizja opozitare, e kryesuar nga itilafistët, ishte
kundër autonomisë së Shqipërisë.
Përballë zgjerimit të lëvizjes opozitare
në radhët e ushtrisë osmane udhëheqësit
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë
dhe në vise të tjera nuk e patën të lehtë
që në këto bashkëbisedime të arrinin
në pranimin e programit të tyre kombëtar të
miratuar në Kuvendin e Junikut.
Ndërkohë, qeveria vazhdoi të merrte masa për
të shtypur kryengritjen shqiptare dhe revoltën e
ushtarakëve. Emërimi i Xhavit Pashës si komandant
i përkohshëm i Korparmatës së 6-të,
dëshmonte për vazhdimin nga qeveria të një
politike të ashpër.
Të ndodhur përpara një ushtrie osmane prej
më shumë se 60 mijë vetash dhe përballë
qëndrimesh intransigjente të opozitës, krerët
e kryengritjes shqiptare, për të arritur bashkëpunimin
e të gjitha forcave kundër qeverisë xhonturke,
u tërhoqën përkohësisht nga platforma
e miratuar në Junik. Në fund të qershorit ata
botuan në gazetën Ikdam një deklaratë
të nënshkruar ndërmjet të tjerëve
edhe nga Riza Gjakova, Hasan Prishtina, Jahja Prizreni, Isa
Boletini e të tjerë, e cila ishte hartuar në
frymën e kërkesave të opozitës. Pasi theksonin
lidhjet e tyre me Perandorinë Osmane dhe me Kalifatin,
ata shpallnin se ishin ngritur për të mbrojtur konstitucionin
e vërtetë, që ishte qëllimi i përbashkët
i të gjitha forcave opozitare në Perandorinë
Osmane. Në deklaratën e krerëve të kryengritjes
së Kosovës thuhej gjithashtu se shqiptarët
qenë të detyruar tu drejtoheshin armëve
për shkak të nevojës që kishte vendi për
disa ligje, në përputhje me kushtet e veçanta.
Me këto ligje nënkuptohej edhe plotësimi i
të drejtave kombëtare të shqiptarëve kryengritës.
Megjithatë, as ato dhe as kërkesa e autonomisë
së Shqipërisë nuk përmendeshin në
këtë deklaratë.
Qëndrime të tilla, edhe pse të detyruara nga
rrethana e synime të caktuara, mbartnin me vete rrezikun
e identifikimit si të lëvizjes opozitare të
ushtarakëve shqiptarë, ashtu edhe të kryengritjes
së armatosur të shqiptarëve me lëvizjen
e përgjithshme opozitare itilafiste.
Komitetet e atdhetarët shqiptarë me të drejtë
shprehën shqetësimin se bashkëpunimi sipas
kësaj platforme do të bënte që programi
itilafist të mbulonte ose të errësonte programin
kombëtar të kryengritësve shqiptarë. Për
këtë shqetësim bënte fjalë edhe Luigj
Gurakuqi, kur shkruante në gazetën Liri e
Shqipërisë më 10 korrik 1912, se Mund
ta ndihmojmë, në qoftë se na duket mirë,
lëvizjen ushtarake që të rrëzojmë
armikun e përbashkët..., por duke vënë
në krye ... Shqipërinë tonë të fortë
e të lirë, me kufi të shquar e me gjuhë
e me zakone të njohura e të nderuara.
Pas deklaratës së udhëheqësve të
kryengritjes në Kosovë opozita ushtarake vendosi
ti përkrahte ata dhe të ndikonte mbi repartet
ushtarake turke që edhe këto të bashkoheshin
me kryengritësit. Por xhonturqit kishin ende forca ushtarake
besnike, që u bënë qëndresë të
ashpër kryengritësve shqiptarë.
4. SHTRIRJA E KRYENGRITJES NË VILAJETET E TJERA
Zgjerimi i veprimeve luftarake në viset e tjera
Sukseset e kryengritësve në Kosovë i dhanë
një shtytje të mëtejshme lëvizjes kombëtare
në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, forcuan
gatishmërinë e popullsisë së tyre për
tu hedhur në kryengritjen e armatosur.
Një nga vatrat e luftës së armatosur të
shqiptarëve kundër regjimit xhonturk u bënë
krahinat e Mirditës e të Lezhës. Në Mirditë
që në fund të muajit prill kishin filluar sulmet
kundër postave të xhandarmërisë. Në
fillim të muajit maj zadrimorët dhe mirditasit u
ndeshën me forcat osmane, numri i të cilave arrinte
në 2 500 veta, që ishin dërguar për zbatimin
e reformës në armën e xhandarmërisë
në zonën e Mirditës. Luftimet zgjatën
pesë ditë dhe u zhvilluan në vijën Vjerdhë-Gomsiqe-Naraç.
Ato nuk arritën ti thyenin kryengritësit,
midis të cilëve qe radhitur edhe at Shtjefën
Gjeçovi, dhe u detyruan të sprapsen, duke lënë
dhjetëra të vrarë e të plagosur.
Shtimi i radhëve të kryengritësve në këto
treva krijoi kushtet për të ndërmarrë
veprime luftarake të përmasave më të mëdha.
Më 11 maj 1912, në mbledhjen e organizuar në
fshatin Zejmen, 30 përfaqësues të Bregut të
Matit, të Kthellës, të Malësisë së
Lezhës e të Mirditës lidhën Besën
Shqiptare dhe vendosën të sulmonin Lezhën.
Por përfaqësuesi konsullor austro-hungarez në
Shkodër, Fon Zambaur, i këshilloi kryengritësit
(me anën e sekretarit të peshkopit të Shkodrës)
që të hiqnin dorë nga sulmi i planifikuar mbi
qendrën e krahinës. Ndërkohë, autoritetet
osmane dërguan përforcime nga Shkodra, çka
e bëri më të vështirë çlirimin
e qytetit.
Më 15 qershor, në vendin e quajtur Qafa e Trapit,
të besëlidhurit e kësaj treve u përleshën
me forca të mëdha osmane, të mbështetura
edhe nga artileria. Kryengritësit lanë tetë
të vrarë, midis të cilëve edhe dy gra.
Forcat armike u tërhoqën me humbje të mëdha
në Lezhë, ndërsa kryengritësit u përqendruan
në Pëdhanë.
Më 21-22 qershor malësorët e Bregut të
Matës u zunë pritë forcave osmane që po
shkonin prej Lezhës në Tiranë dhe pas një
përpjekjeje që zgjati tri orë i thyen ato.
Turqit lanë dhjetëra ushtarë e xhandarë
të vrarë e të plagosur, midis tyre edhe katër
oficerë. Por edhe nga kryengritësit pati të
vrarë e të plagosur.
Pas sukseseve të para kryengritja në këto anë
u zgjerua më shumë. Në krye të saj u vu
Gjeto Coku e të tjerë, që tani luftonin në
një zonë të gjerë nga Kepi i Muzhlit e
deri në Shëngjin. Kryengritësit vendosën
kontrollin mbi rrugën Tiranë-Shkodër, ndërprenë
linjat telegrafike, duke rrezikuar kështu sigurinë
e forcave osmane në veri të Shqipërisë.
Ndërkohë u përfshi në kryengritje, në
shkallë më të gjerë, grupi i kryengritësve
në Shqipërinë e Mesme, i udhëhequr nga
Abdi Toptani, që zhvilloi luftime me njësitë
turke në Tiranë, në Shijak e në Krujë.
Po në qershor lëvizja e armatosur nisi të shtrihej
në zonën e Dibrës, ku nën udhëheqjen
e Ismail Strazimirit u ngritën fshatarët e Çidhnës,
të Arrasit e të Muhurit. Malësorët e Nëntë
Maleve të Dibrës së Epërme dhe të
Poshtme thirrën Kuvendin e Dheut, te vendi
i quajtur Gropa e Ujkut, ku u kërkua largimi i forcave
ushtarake dhe i postave të xhandarmërisë, hapja
e shkollave shqipe, anulimi i detyrimeve të vergjisë
dhe kryerja e shërbimit ushtarak në vend. Ndërkohë,
rreth 300 ushtarë osmanë, që ndërmorën
një sulm kundër kryengritësve në zonën
e Gjurasit, të Homeshit, të Dardhës e të
Reçit, u thyen nga fshatarët e këtyre anëve
dhe të shpartalluar u detyruan të ktheheshin në
Dibër prej nga nuk guxuan të dilnin më.
Dalja në mal e Tajar Tetovës dhe e ushtarakëve
të tjerë të bashkuar me të, ndikoi në
zgjerimin e lëvizjes kryengritëse në zonën
e Dibrës, sidomos në atë të Korçës
e të Kolonjës. U vendos një bashkëpunim
i grupit të Tajar Tetovës me çetat e Sali
Butkës e të Izet Zavalanit dhe u bashkuan me kryengritësit
mjaft krerë të tjerë të Jugut.
Ndërkaq kishte filluar riorganizimi i çetave kryengritëse,
si dhe krijimi i çetave të reja në jug të
vendit, ku vepronin Themistokli Gërmenji?, Sali Butka,
Spiro Bellkameni, Memduh Zavalani etj. Ato u përleshën
me forcat turke në zonën e Frashërit e të
Kolonjës. Çetat merreshin edhe me asgjësimin
e elementëve tradhtarë, vegla të xhonturqve.
Por në këto treva nuk qenë mënjanuar ende
luhatjet e elementëve të moderuar, ku bënte
pjesë edhe Myfit Libohova. Këta ngurronin të
fillonin luftën e armatosur në shkallë të
gjerë. Sali Nivica u bënte thirrje shqiptarëve
të Jugut që të kapërcenin qëndrimet
pritëse, të bashkoheshin me kryengritjen duke vendosur
lidhje me Hasan Prishtinën.
Çlirimi i territoreve të gjera të Kosovës
Porta e Lartë ndërmori masa të reja dhune ndaj
popullsisë së pambrojtur e sidomos ndaj familjeve
të kryengritësve. Në shpalljen që publikoi
më 6 korrik 1912 Fadil Pasha, komandant i Korpusit të
7-të, i cilësoi udhëheqësit e kryengritjes,
Hasan Prishtinën, Zejnullah Vuçiternën, Isa
Boletinin, Xhemal Prishtinën, Riza Gjakovën, Bajram
Currin, Ahmet Gjakovën, Mahmut Zajmin nga Peja, Sali
Gjilanin etj., si tradhtarë dhe deklaroi
se, po të mos dorëzoheshin brenda tri ditëve,
do tu digjeshin kullat, do tu internoheshin familjet
dhe do tu konfiskoheshin pasuritë.
Terrori qeveritar ishte më i egër sidomos në
vatrat më të nxehta të kryengritjes në
Shqipëri, në rrethet e Prishtinës, të
Mitrovicës dhe të Vuçiternës. Autoritetet
osmane arrestuan këtu familjet e udhëheqësve
dhe të pjesëmarrësve të thjeshtë
të kryengritjes (si atë të Bajram Currit e
të tjerë) dhe duke i mbajtur peng synonin ti
përdornin si mjet presioni ndaj tyre. Me vendosjen e
gjendjes së jashtëzakonshme dhe ngritjen e gjyqeve
të posaçme praktikuan sërish si më 1910
rrahjet publike të njerëzve. Këto masa u bënë
shkak për protesta të popullsisë shqiptare
sidomos të asaj të qyteteve.
Ndërkohë vazhduan dezertimet në ushtrinë
osmane. Më 5 korrik një batalion nuk pranoi të
zbatonte urdhrin e komandantit të ushtrisë në
Ferizaj për tu hedhur në luftë kundër
Isa Boletinit. Të nesërmen një batalion tjetër
nuk pranoi të shkonte në Gjilan. Ushtarët i
deklaronin komandës së tyre se ata ishin gati ta
mbronin Perandorinë nga armiqtë e jashtëm,
por jo të luftonin kundër shqiptarëve.
Në fundin e qershorit kryengritësit, të udhëhequr
nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ahmet Prekazi, Zehnullah
Vuçiterna, Xhemal Prishtina etj., u hodhën në
sulm në zonën Drenicë-Mitrovicë, Podujevë-Prishtinë.
Pas sukseseve të para në rrugën Mitrovicë-Pejë
dhe Podujevë-Prishtinë kryengritësit e Shalës,
të Llapit e të Gollakut, të mbledhur afër
Vuçiternës, lidhën besën për ta
çuar luftën deri në fund. Më 28-29 qershor
kryengritësit e këtyre rretheve të udhëhequr
nga Hasan Prishtina shpartalluan tek Ura e Sitnicës,
pranë Mitrovicës, dy batalione ushtarësh osmanë,
që u detyruan të tërhiqeshin në Mitrovicë.
Në të njëjtën kohë kryengritësit
përballuan në zonën e Boletinit operacionin
që ndërmori kundër tyre komanda osmane. Nga
data 30 qershor deri më 2 korrik 1912, 4 000 forca turke,
të pajisura me artileri, nën komandën e Fadil
Pashës rrethuan kullën e Isa Boletinit, përkrah
të cilit qenë rreshtuar 1 500 kryengritës.
Sulmi mbi kullën filloi më 3 korrik, pas një
bombardimi të dendur me artileri. Luftimet vijuan më
shumë se dymbëdhjetë orë. Ushtria turke
la këtu rreth 100 të vrarë e të plagosur,
ndërsa kryengritësit u tërhoqën, një
pjesë (nën udhëheqjen e Isa Boletinit) drejt
Pazarit të Ri, ndërsa pjesa tjetër drejt Llapit,
nga Podujeva.
Më 9 korrik kryengritësit e Malësisë së
Gjakovës, të udhëhequr nga Bajram Curri, rrethuan
dhe shpartalluan tri batalione.
Më 10 korrik shqiptarët e Llapit dëbuan xhandarët
dhe rrethuan 300 ushtarë e 50 xhandarë të përqendruar
në Podujevë. Autoritetet e atjeshme mbetën
të veçuara pa asnjë lidhje me qendrën
e prefekturës. Kryengritësit zunë gjithashtu
pozitat strategjike në drejtim të Prishtinës,
prenë lidhjet telefonike midis Ferizajt e Gjakovës,
Vuçiternës e Mitrovicës, Ferizajt e Prishtinës
dhe Prishtinës e Podujevës.
Një betejë e rreptë u zhvillua më 12 korrik
në hyrje të Fushës së Llapit. Forcat osmane
u nisën drejt kësaj zone nga dy drejtime për
ti futur kryengritësit në mes dy zjarresh.
Fadil Pasha në krye të tetë batalioneve u nis
nga Prishtina, ndërsa një kolonë tjetër
këmbësorie e shoqëruar me artileri nga Vuçiterna.
Forcat kryengritëse, të përbëra nga 2
000 veta, rezistuan në hyrje të Fushës së
Llapit për gjashtë orë në një betejë
të pabarabartë dhe të përgjakshme, në
të cilën ushtria la 56 të vrarë e 60 të
plagosur. Pas kësaj artileria osmane filloi të qëllonte
dhe të shkatërronte fshatrat e pambrojtura.
Ndërkohë popullsia shqiptare e qytetit të Prishtinës
u grumbullua para prefekturës dhe kërkoi ndërprerjen
e menjëhershme të veprimeve luftarake. Ajo i paralajmëroi
autoritetet turke se do të bashkohej me kryengritësit
nëse, nuk ndërpritej terrori. Edhe banorët
e Mitrovicës, të Pazarit të Ri e të Vuçiternës
i mbyllën pazaret. Në telegramet që popullsia
e Prishtinës dhe e Mitrovicës i dërgoi sulltanit
e senatit, kërkohej dorëheqja e qeverisë, shpërndarja
e parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të rregullta.
Në Mitrovicë populli i shpalli të pushuar nga
puna zëvendësprokurorin, komisarin e policisë
dhe disa punonjës të tjerë të urryer.
Fitore të rëndësishme në luftën kundër
sunduesve osmanë arriti grupi i zonës Gjilan-Prizren
dhe Lumë-Tetovë, i udhëhequr nga Idriz Seferi,
Islam Spahiu, Mehmet pashë Deralla etj. Në gjysmën
e parë të korrikut, pasi kishin shpartalluar repartet
xhonturke të strukura nëpër qytete, ata kishin
çliruar krahina të tëra në trevën
juglindore të Kosovës.
Ndërkohë forcat kryengritëse, nën komandën
e Bajram Currit, i shkaktuan ushtrisë turke në Has
humbje të rënda, rreth 300 të vrarë e
të plagosur dhe shumë ushtarë të zënë
robër. Pas një përleshjeje të shkurtër
në Qafën e Prushit, 250 ushtarë e 5 oficerë
u dorëzuan me të gjitha armatimet. Kryengritësit
shtinë në dorë 800 pushkë. Prej këtej
forcat kryengritëse marshuan drejt Gjakovës dhe
e rrethuan qytetin për herë të dytë. Më
13 korrik kryengritësit, të drejtuar nga Bajram
Curri, Riza Beu (Kryeziu) dhe Mahmut Zajmi, u futën në
lagjet e jashtme të qytetit të Gjakovës.
Sukseset e kryengritësve, si dhe turbullirat në
Prishtinë, në Mitrovicë, në Vuçiternë,
në Pazar të Ri dhe në qytete të tjera,
e nxitën të vepronte edhe opozitën ushtarake.
Oficerët e shtabit të Divizionit I të nizamëve
në Gjakovë hynë në bisedime me kryengritësit
për të ndërprerë luftimet. Më 15
korrik, pas arritjes së marrëveshjes, në emër
të ushtrisë e të popullsisë iu përcoll
telegrafisht sulltanit dhe komandës së lartë
kërkesa për dorëheqjen pa vonesë të
qeverisë, për shpërndarjen e parlamentit e
të Komitetit xhonturk, për shpalljen e zgjedhjeve
të reja, si dhe për ndërprerjen e operacioneve
ushtarake kundër kryengritësve. Sulltanit iu dërgua
një telegram tjetër me po këtë përmbajtje
dhe me nënshkrimet e 78 oficerëve e përfaqësuesve
të parisë. Me kryengritësit u bashkuan edhe
oficerët e divizioneve të Mitrovicës, të
Selanikut, të Manastirit, të Shkupit dhe të
Edrenesë. Në telegramet me të njëjtën
përmbajtje që i dërguan Stambollit ata e paralajmëruan
se, në rast se nuk plotësoheshin kërkesat e
tyre, do të marshonin me ushtri drejt kryeqytetit.
Më 17 korrik kryengritësit hynë në Gjakovë
pa ndeshur ndonjë qëndresë. Një pjesë
e mirë e oficerëve dhe e ushtarëve u bashkuan
me ta për tu hedhur më pas bashkërisht
drejt Prishtinës.
Prishtina u bë në ato ditë të korrikut
qendër e tubimeve të parisë shqiptare nga Gjilani,
Presheva, Vuçiterna dhe nga Mitrovica. Këtu qenë
ftuar edhe përfaqësues nga Pazari i Ri, Prizreni,
Peja, Gjakova dhe nga Rozhaja. Prej këtej paria e Kosovës
i dërgoi sulltanit e senatit kërkesën për
ndërrimin e ministrave, shpërndarjen e parlamentit
dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ky tubim shënon
hapin e parë që paria qytetare bëri për
të përkrahur kryengritjen. Stambollit iu deklarua
që, në rast se kërkesat e tyre nuk do të
plotësoheshin, ata do të bashkoheshin me kryengritjen
e armatosur.
Ndërkaq u shtuan veprimet luftarake të kryengritësve
edhe në viset e tjera të Shqipërisë. Në
fillim të muajit korrik kryengritësit elbasanas
dogjën prefekturën dhe prenë rrugën që
lidhte Elbasanin me Tiranën. Më 4 korrik kryengritësit
morën Krujën e mbrojtur nga 600 ushtarë. Garnizoni
u detyrua të mbyllej në kështjellën e
qytetit. Në të njëjtën kohë grupe
të tjera kryengritësish hynë në Shijak,
ku shtinë në dorë depon e municioneve. Kavaja
ishte e rrethuar nga forcat kryengritëse. Komanda osmane,
me qëllim që të rimerrte Krujën, dërgoi
katër batalione (rreth 3 000 forca) nga Shkodra dhe tri
batalione nga Tirana, të pajisura me artileri. Pas përpjekjeve
të ashpra, që u zhvilluan më 8 korrik, kryengritësit,
përballë epërsisë së armikut, u detyruan
ta lënë qytetin (Krujën).
Po në këtë kohë gjallërohet lëvizja
e çetave të armatosura po merrte hov edhe në
viset e Jugut. Në korrik vepronte në rrethet e Gjirokastrës
çeta e studentëve shqiptarë të Selanikut
e të qendrave të tjera, që ishte formuar me
nismën e Salih Gjukës, me të cilin u bashkua
edhe Dervish Hima, duke u vënë në krye të
saj. Çeta prej rreth 40 vetash zbarkoi në fillim
të korrikut nga Korfuzi në Ksamil, hyri në
lidhje me çetat e tjera të Shqipërisë
së Jugut dhe zhvilloi në këto vise një
veprimtari të gjerë politike e ushtarake në
të mirë të kryengritjes shqiptare. Në
fillim të korrikut katërmbëdhjetë atdhetarë
nga qyteti i Korçës dolën në mal për
tu bashkuar me kryengritësit. Çetat e këtij
rajoni hynë në bashkëpunim me forcat e Tajar
Tetovës. Ato goditën në Kolonjë ushtrinë
e komanduar nga Dajlan bej Qafëzezi, që ishte vënë
në shërbim të autoriteteve. Atij i shkuan në
ndihmë 500 forca qeveritare nga Korça. Luftimet
e Kolonjës zgjatën disa orë. Pas saj çetat
u tërhoqën në anët e Skraparit.
Ndërkohë kryengritësit kosovarë po përgatisnin
sulmin për çlirimin e qyteteve të këtij
vilajeti.
Ndryshimi i kabinetit në Stamboll.
Çlirimi i qyteteve
Megjithëse u ndodhën përballë një
ushtrie të shumtë, të përqendruar në
vilajetin e Kosovës, kryengritësit arritën
të çlironin krahina të tëra, ku nuk
ndihej më pushteti xhonturk. Kryengritja shqiptare e
futi Portën e Lartë dhe pallatin sulltanor në
një krizë të rëndë. Të gjitha
masat që mori qeveria për shtypjen e kryengritjes
së armatosur të shqiptarëve, nuk dhanë
ndonjë përfundim. Opozita kundërqeveritare
në ushtri, duke përfituar nga kryengritja shqiptare,
shtoi ndikimin e saj në repartet ushtarake osmane në
Shqipëri dhe përgjithësisht në Rumeli.
Parlamenti e qeveria xhonturke ishin të detyruar të
merreshin pothuajse çdo ditë me çështjen
shqiptare, çështje të cilën ata e kishin
mohuar deri atëherë dhe që në fund të
fundit nuk mund ta zgjidhnin.
Në këto rrethana dhe kur vazhdonte ende lufta me
Italinë, qeveria xhonturke u detyrua të jepte dorëheqjen
më 17 korrik 1912. Ministri i Luftës, Mahmut Shefqet
pasha, duke qenë i pafuqishëm të rivendoste
rregullin në ushtri, dha i pari dorëheqjen. Shembullin
e tij e ndoqi i gjithë kabineti i Said Pashës.
Udhëheqësit e kryengritjes në Kosovë,
si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë,
përshëndetën formimin e qeverisë së
re, por kërkuan shpërndarjen e parlamentit. Ata
shpresonin se qeveria e re do të vinte në jetë
kushtetutën dhe do të respektonte të drejtat
e popullit shqiptar.
Ismail Qemali u shkruante nga Korfuzi komiteteve të Shqipërisë
së Jugut se kishte shpresa që me kabinetin e ri
të fitoheshin të drejtat kombëtare. Por në
të njëjtën kohë ai porosiste që,
duke u nisur nga provat e hidhura të deritashme,
duhet të mbajmë një qëndrim të rezervuar
kundrejt këtyre ndërrimeve. Ju atje, - këshillonte
ai, - duhet të jeni gati gjithmonë dhe të jeni
gati për sakrifica më shumë se në çdo
kohë.
Edhe shtypi shqiptar, si gazeta Dielli e të
tjera organe, i paralajmëronin kryengritësit që
të hapnin sytë e të mos gënjeheshin me
premtime të thata nga qeveria e re.
Qeveria e re, e përbërë nga përkrahës
të itilafistëve e të opozitës ushtarake
dhe e kryesuar nga Ahmet Muhtar pasha, premtoi se do të
zbatonte kushtetutën dhe do të anulonte ligjet që
ishin në kundërshtim me të. Si detyrë
të parë ajo përcaktoi marrjen e masave për
të qetësuar gjendjen në Shqipëri që
ti jepej fund kryengritjes shqiptare.
Ndërkohë forcat kryengritëse në Kosovë
u hodhën në sulm për çlirimin e qyteteve.
Pasi kishin çliruar Gjakovën më 17 korrik,
kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina
e Bajram Curri, iu drejtuan Prishtinës. Qytetarët
e Prishtinës, me një aksion të shpejtë,
të përkrahur edhe nga xhandarët e vendit dhe
nga një pjesë e ushtrisë, rrethuan zyrën
e telegrafës dhe e detyruan komandantin osman që
të hiqte dorë nga qëndresa. Kështu, kryengritësit
hynë në Prishtinë pa luftë dhe e çliruan
atë më 21 korrik.
Më 22 korrik forcat e Mitrovicës çliruan
Pazarin e Ri. Autoritetet civile e ushtarake të qytetit
u bashkuan me kryengritësit. Banorët shqiptarë
të Senicës, të Novi Varoshit, të Akovës,
të Prepoljes, të Plevljes, të Tërgovishtës,
të Beranës dhe të Kolashinit hynë në
lidhje me Isa Boletinin. Po më 22 korrik u solidarizuan
me kryengritësit edhe forcat qeveritare që ndodheshin
në Prizren.
Nga Pazari i Ri forcat e komanduara nga Isa Boletini, rreth
6 000 veta, u drejtuan për në Mitrovicë. Qyteti,
pas bisedimeve të nënprefektit me Isa Boletinin,
u dorëzua pa luftë më 27 korrik 1912. Pas Mitrovicës
u çliruan edhe Vuçiterna e Ferizaj. Që
këtej kryengritësit marshuan drejt Prishtinës
për tu bashkuar me forcat e Bajram Currit.
Edhe popullsia e qytetit të Pejës, e udhëhequr
nga krerë të zejtarëve dhe të tregtarëve
të vegjël, në mbledhjen e datës 27 korrik
vendosi të bashkohej me kryengritjen. Mytesarifi, i pafuqishëm
përballë revoltës popullore, nuk veproi dhe
e tërhoqi ushtrinë në kazerma. Në këto
kushte edhe bejlerët e Pejës shpejtuan që të
bashkoheshin me forcat kryengritëse të grumbulluara
në Prishtinë. Në mbarim të korrikut rreth
1 700 pejanë të armatosur u nisën së bashku
me krerët e tyre për në Fushë-Kosovë.
Afër 30 000 kryengritës, me gjithë mungesën
e ushqimeve, të veshmbathjeve e sidomos të materialeve
luftarake, po marshonin në të gjitha anët e
Kosovës, edhe pse kishin përballë rreth 70
000 ushtarë osmanë, të armatosur mirë
dhe të përforcuar me reparte artilerie e kalorësie.
Kryengritësit kudo ku hynë u pritën me gëzim
të madh nga popullsia vendase. Me të hyrë në
qytete, ata lironin të burgosurit dhe dëbonin funksionarët
e urryer nga populli.
Në viset juglindore të Kosovës, rreth 2 000
kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah
Aga, pas vendimit që morën në kuvendin e organizuar
në Pozharan, nisën sulmin mbi qytetin e Gjilanit,
dhe e çliruan atë. Kryengritësit e kësaj
treve ishin të gatshëm të marshonin drejt Kaçanikut
e Shkupit. Më 27 korrik forcat kryengritëse çliruan
Bujanovcin, ku vendosën rendin dhe qetësinë.
Që këtej Idriz Seferi, i shoqëruar nga 70 kryengritës,
u nis më 29 korrik për në Prishtinë.
Pas sukseseve që arritën forcat kryengritëse
kundër ushtrisë osmane dhe pas çlirimit të
një pjese të mirë të qyteteve, në
Kosovë për një kohë u ndërprenë
veprimet luftarake. Repartet ushtarake osmane u tërhoqën
kudo në kazerma. Organet administrative xhonturke po
ua lëshonin vendin udhëheqësve radikalë
të kryengritjes, të cilët formuan këshillat
lokalë. Këta këshilla në shumë vende
morën në dorë ruajtjen e rendit dhe detyra
të tjera. Në të vërtetë ata duhej
të luanin rolin e organeve të pushtetit të
ri shqiptar që kishte dalë nga kryengritja e armatosur.
Një kujdes të veçantë këto organizma
i kushtuan edhe mbrojtjes së popullsisë serbe.
Ndërkaq në Kosovë, që ishte vatra kryesore
e lëvizjes, lindën vështirësi për
furnizimin dhe për mbajtjen me ushqime të kryengritësve,
numri i të cilëve ishte tani shumë i madh.
Ndihmat e siguruara nga jashtë ishin të pamjaftueshme.
5. MARRËVESHJA SHQIPTARO-TURKE
Parashtrimi i kërkesave kombëtare të shqiptarëve
Më 22 korrik u formua qeveria e re me kundërshtarë
të xhonturqve, e kryesuar nga Ahmet Myftar pasha. Ajo
urdhëroi të ndërpriteshin veprimet luftarake
në Shqipëri dhe vendosi të dërgonte në
Kosovë një komision qeveritar për të biseduar
me kryengritësit.
Rretheve atdhetare shqiptare u dolën tani dy detyra të
ngutshme për fatet e lëvizjes kombëtare. Detyra
e parë ishte të shkëputeshin nga programi itilafist
dhe ti paraqitnin komisionit kërkesat për
autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.
Detyra tjetër ishte që, në bisedimet me komisionin,
të përfaqësoheshin të gjitha krahinat
e vendit e që me qeverinë turke të arrihej
një marrëveshje për gjithë Shqipërinë
dhe në emër të kombit shqiptar.
Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët ndodheshin
në këtë kohë jashtë, u shkruanin
ato ditë atdhetarëve të Shqipërisë
së Mesme: ... Të mos gënjehemi edhe
njëherë tjetër, por të mbajmë vendet
që kemi, të forcohemi e të lidhemi me njëri-tjetrin
e të ngulim këmbë, që tu jepen katër
vilajeteve ato 12 pikat që kishim kërkuar vjet nga
ana e malësorëve, më poshtë i porositnin:
...duhet nga të gjitha anët e Shqipërisë
të dërgohen njerëz në Kosovë që
të rrëfejnë se si me armë, me mendime,
si me kërkime jemi të gjithë shqiptarë
të pandarë.
Pas çlirimit të Prishtinës, Hasan Prishtina
njoftoi telegrafisht deputetët shqiptarë në
Stamboll për këtë sukses të madh të
kryengritësve. Ai njoftonte gjithashtu, se atje ishte
vendosur pushteti i shqiptarëve dhe shpresonte që
së shpejti do të themelohej edhe parlamenti shqiptar.
Duke parashikuar pengesat nga qeveritarët e rinj të
Stambollit, në të cilat do të ndeshte programi
i miratuar në Kuvendin e Junikut, Hasan Prishtina shpejtonte
të shpallte synimet politike të kryengritjes shqiptare.
Deklarata e tij dëshironte ta vinte qeverinë itilafiste
para faktit të kryer.
Por krerët shqiptarë, të grumbulluar në
Prishtinë, nuk kishin të njëjtin mendim lidhur
me të ardhmen e Shqipërisë. Ata qenë ndarë
në dy grupime, njëri nga të cilët përbëhej
nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjes,
Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beu, Jahja
Efendiu dhe Musa Efendiu nga Prizreni. Ndërsa grupimi
tjetër përbëhej nga përfaqësues të
moderuar të Lëvizjes Kombëtare dhe nga disa
elementë turkomanë të qyteteve, si edhe nga
katër pjesëtarë të kombësisë
serbe. Të dy grupimet dolën me kërkesa të
veçanta para komisionit qeveritar të ardhur nga
Stambolli.
Në muajin korrik iu dërgua nga Prishtina qeverisë
osmane platforma e udhëheqësve kryesorë e më
të përparuar të lëvizjes shqiptare për
ti njohur Shqipërisë të drejtat e një
province autonome. Në këtë platformë parashtroheshin
këto kërkesa: kryerja e shërbimit ushtarak
në Shqipëri, me përjashtim të rasteve
të luftës; arsimi në gjuhën shqipe e përdorimi
i alfabetit latin; mosndërhyrja e qeverisë në
shkollat private, si dhe masa të nevojshme për përhapjen
e arsimit në Shqipëri; vendosja në administratë
e nëpunësve që dinin gjuhën e vendit;
ligje të posaçme në dobi të krahinave
malore për të lehtësuar detyrimet e popullsisë
së varfër; zbatimi i vendimeve të marra në
mbledhjen e këshillit të përgjithshëm
të vilajetit; vendosja e një kontrolli për
plotësimin e të gjitha kërkesave të parashtruara.
Përveç këtyre, përfshiheshin edhe masa
të tjera, të cilat synonin të plotësonin
ato kërkesa që kishin qenë shkak i drejtpërdrejtë
i shpërthimit të kryengritjes, siç ishin:
kthimi i armëve të marra me forcë, zhdëmtimi
i pronarëve të dëmtuar nga operacionet ushtarake,
ndërtimi i rrugëve kombëtare e krahinore, mbështetja
e zhvillimit të bujqësisë përmes kredive
të dhëna nga një bankë bujqësore
që do të krijohej, shlyerja e taksave dhe e tatimeve
të caktuara nga qeveria deri ditën që gjendja
ekonomike e vendit të përmirësohej, si dhe
caktimi i një pjese të të ardhurave të
buxhetit për nevojat lokale.
Grupi tjetër i udhëheqësve të kryengritjes
shtroi këto kërkesa: të shpërndahej parlamenti
brenda 48 orëve, përndryshe do të sulmohej
Shkupi; të kishte liri për mbajtjen e armëve;
shqiptarët ta kryenin shërbimin ushtarak në
pjesën evropiane të Perandorisë; të hapeshin
shkolla në marrëveshje me organet shtetërore;
të emëroheshin brenda mundësive në administratën
e këtyre viseve nëpunës shqiptarë; të
nxirreshin para gjyqit ministrat xhonturq; të shpallej
amnisti për të dënuarit politikë; ti
kushtohej kujdes i madh bujqësisë e komunikacionit;
të hidhej poshtë ideja për ndarjen e Shqipërisë
nga Perandoria Osmane. Me gjithë karakterin e moderuar
të këtyre kërkesave, që ishin larg programit
autonomist të kryengritjes, komisioni qeveritar nuk i
pranoi.
Ndërkohë udhëheqësit e kryengritjes në
Shqipërinë e Jugut më 23 korrik u mblodhën
në Sinjë të Beratit, ku miratuan një memorandum
prej 12 pikash, të ngjashëm me atë të
Greçës. Memorandumi, i nënshkruar nga dyzet
e nëntë drejtues kryesorë të forcave kryengritëse
në Jug, iu parashtrua më 29 korrik vezirit të
madh. Kryengritësit e Shqipërisë së Jugut
kërkonin: njohjen e kombit shqiptar; krijimin e një
administrate vendase për të gjithë Shqipërinë,
në të cilën sulltani të caktonte një
inspektor për të kontrolluar zbatimin e ligjeve;
garanci, brenda këtij kuadri, për zbatimin e kushtetutës,
të zakoneve dhe të traditave të popullsisë;
të drejtën për të mësuar në
gjuhën amtare dhe lirinë për të çelur
shkolla shqipe; pranimin si gjuhë zyrtare të turqishtes,
por krahas saj të përdorej edhe shqipja. Veç
këtyre kërkohej të shpërndahej parlamenti,
të zhvilloheshin zgjedhje të lira, një pjesë
e të ardhurave të përdorej për zhvillimin
ekonomik të Shqipërisë, ti ktheheshin
popullsisë armët e konfiskuara e të tjera.
Përkujtesa përmbante në thelb kërkesën
e autonomisë së Shqipërisë, e cila, ndonëse
nuk ishte shprehur fjalë për fjalë, nënkuptohej
me kërkesën e krijimit të një administrate
shqiptare (vendase) që do të ishte e njëjtë
për gjithë Shqipërinë, që do të
përfshinte katër vilajetet shqiptare.
Edhe Komiteti revolucionar i Vlorës parashtroi 13 kërkesa
të ngjashme me ato të Memorandumit të Greçës,
me të cilat mendonte të shkohej në bisedimet
me qeverinë e re. Në to përfshiheshin: liri
e plotë për mësimin e gjuhës shqipe dhe
për hapjen e shkollave publike e private; të gjitha
të drejtat për shqiptarët si ato që kishin
siguruar edhe popujt e tjerë; respektimi i të gjitha
zakoneve shqiptare, që nuk ishin në kundërshtim
me kushtetutën; zgjedhje të lira dhe numri i deputetëve
në përpjesëtim me numrin e popullsisë;
qeverisja e Shqipërisë sipas parimit të decentralizimit
të administratës në shkallë perandorie;
emërimi si vali i një njeriu që njihte zakonet
e vendit dhe gjuhën shqipe; emërimi në gjyqe
e në polici vetëm i shqiptarëve; caktimi i
një inspektori për kontrollin e punës së
nëpunësve; njohja e gjuhës shqipe në Shqipëri
si gjuhë zyrtare; shërbimi ushtarak në vend;
shpenzimi i të ardhurave të vendit për nevoja
lokale; krijimi nga kuvendi i buxhetit të vilajetit dhe
kontrolli nga ai i shpenzimit të mjeteve financiare;
dëmshpërblimi për shtëpitë e rrënuara
nga ushtria; kthimi i armëve popullsisë.
Këto kërkesa, sipas hartuesve të tyre, do tu
siguronin shqiptarëve një farë ekzistence
si politikisht, ashtu dhe financiarisht dhe do tu
hapnin rrugën e përparimit e të qytetërimit.
Autorët e këtyre kërkesave theksonin gjithashtu
se ato ishin në pajtim me kushtetutën. Pranimin
e tyre atdhetarët vlonjatë e shikonin si kusht që
vetë Turqia të shpëtonte ekzistencën e
saj, ndërsa Shqipëria të siguronte një
jetë të lumtur e të qetë.
Kundërshtimet e Syrja Vlorës ndaj kësaj përkujtese,
siç thekson zëvendëskonsulli austro-hungarez
në Vlorë, nuk u pranuan nga pjesëmarrësit
e tjerë të mbledhjes.
Kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e
viseve të ndryshme të Shqipërisë dëshmonin
se shqiptarët, pa dallime krahinore, ishin të bashkuar
rreth një programi kombëtar, thelbin e të cilit
e përbënte autonomia e Shqipërisë. Këto
akte tregojnë gjithashtu se udhëheqësit e Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare e të kryengritjes shqiptare
do të shkonin në bisedimet me përfaqësuesit
e qeverisë turke duke pasur si bazë programin e
autonomisë së Shqipërisë.
Bisedimet shqiptaro-turke
Sukseset e kryengritjes shqiptare e çuan Perandorinë
Osmane drejt fundit të saj. Ato shkaktuan shqetësime
në qarqet drejtuese politike të vendeve ballkanike
dhe të Evropës. Fuqitë e Mëdha i shqetësonte
fakti se përmbushja e kërkesave të kryengritësve
shqiptarë mund të çonte në prishjen
e status quo-së dhe të ekuilibrit të forcave
në Ballkan e në Evropë dhe do të përshpejtonte
afrimin e një konflikti të armatosur të përmasave
botërore. Nga ana tjetër, shtetet ballkanike, e
shikonin dobësimin e Perandorisë Osmane si një
mundësi për të arritur synimet e tyre të
përcaktuara tashmë në marrëveshjet e nënshkruara
në kuadër të Aleancës Ballkanike. Në
këtë kohë ata po hartonin planet konkrete për
fillimin e veprimeve ushtarake kundër Perandorisë
Osmane, ndërsa formimin e një Shqipërie autonome
e shihnin si pengesë për realizimin e këtyre
planeve.
Komisioni qeveritar mbërriti në Shkup më 27
korrik. Ai përbëhej nga Sulejman Pasha, Danish Efendiu
dhe Avni bej Gjilani. Po në këtë ditë
u mblodhën në Prishtinë udhëheqësit
e kryengritjes që në fillim kërkuan prej tij
shpërndarjen e parlamentit. Komisioni nuk e pranoi këtë
kërkesë, duke e quajtur antikushtetuese. Si rrjedhim,
bisedimet u ndërprenë dhe më 29 korrik udhëheqësit
e kryengritjes i dërguan Stambollit nga Prishtina një
ultimatum, ku thuhej: Në qoftë se shpërndarja
e parlamentit nuk bëhet brenda dyzet e tetë orëve,
do të vazhdojmë marshimin. I tronditur nga
ky paralajmërim, Veziri i Madh njoftoi krerët shqiptarë
që të prisnin për ti vijuar bashkëfjalimet
me Ibrahim Pashën, i cili ishte vënë në
krye të delegacionit.
Në këto rrethana u bë edhe më e domosdoshme
që të gjitha forcat politike shqiptare dhe udhëheqësit
e kryengritjes në Veri e në Jug të dilnin me
një qëndrim të përbashkët. Më
30 korrik udhëheqësit radikalë të kryengritjes
me Hasan Prishtinën në krye lëshuan thirrjen
me titullin Vllazën të dashtun dhe të
nënshkruar nga Atdhetarët e vërtetë
të Kosovës. Në këtë dokument
u bëhej thirrje qarqeve atdhetare të të katër
vilajeteve që të dërgonin përfaqësuesit
e tyre, njërëz atdhetarë e me randësi,
në një mbledhje, ku do të vendosej për
të drejtat e kërkesat që do ti paraqiteshin
komisionit qeveritar në emër të të gjithë
Shqipërisë.
Thirrja u përkrah nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi,
të cilët porositën menjëherë komitetet
e Shqipërisë së Mesme që të nisnin
në Kosovë përfaqësues nga të gjitha
krahinat. Ata theksonin se shqiptarët duhej të bashkoheshin
rreth programit kombëtar për të fituar autonominë
territoriale-administrative.
Qeveria e re turke nuk mundte ti qetësonte me mjete
të tjera shqiptarët që ishin ngritur me armë
në dorë për të kërkuar lirinë
e atdheut, prandaj ishte e detyruar të ulej e të
bisedonte me ta.
Në këto rrethana, udhëheqja e kryengritjes
në Kosovë, ku parashikoheshin të zhvilloheshin
bisedimet, e quajti të nevojshme të shkëputej
plotësisht dhe sa më shpejt nga programi i përbashkët
itilafist i lëvizjes opozitare dhe të parashtronte
zyrtarisht kërkesat e miratuara në Junik për
sigurimin e autonomisë territoriale-administrative. Detyrë
tjetër e saj ishte të merrte masat që në
këto bisedime të përfaqësoheshin të
gjitha viset e banuara nga shqiptarët. I ndërgjegjshëm
për domosdoshmërinë e plotësimit të
tyre, Hasan Prishtina u bëri thirrje komiteteve shqiptare
që të përfaqësoheshin në bisedimet
shqiptaro-turke.
Më 1 gusht Ibrahim Pasha, që sapo kishte arritur
në Prishtinë, rifilloi këtu bisedimet me udhëheqësit
e kryengritjes. Në radhët e tyre, krahas krahut
radikal, bënin pjesë edhe elementë të
moderuar e të lëkundur si edhe elementë me
bindje turkomane. Madje, ky grup kishte një peshë
jo të vogël midis përfaqësuesve të
kryengritjes. Qysh në fillim të bisedimeve Hasan
Prishtina në fjalën që mbajti para Komisionit
qeveritar dënoi ashpër barbarizmat e xhonturqve
dhe parashtroi këto kërkesa: të njiheshin zyrtarisht
kufijtë e Shqipërisë; autoritetet civile e
ushtarake të ishin të kombësisë shqiptare;
ushtria shqiptare të shërbente në vend dhe
të komandohej nga oficerë shqiptarë; shqipja
të ishte gjuhë zyrtare në Shqipëri.
Ibrahim Pasha i quajti këto kërkesa të papranueshme
dhe si një hap për tu shkëputur nga Perandoria
Osmane. Në këto kushte mbledhja u shpërnda
pa arritur ndonjë përfundim. U pranua vetëm
shpërndarja e parlamentit, që më parë
ishte shpallur si një kërkesë antikushtetuese.
Përpjekjet që Ibrahim Pasha bëri për ta
trajtuar Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912
si një lëvizje lokale, që i përkiste vetëm
Kosovës, dështoi përballë këmbënguljes
së Hasan Prishtinës e Bajram Currit në kërkesat
e përgjithshme kombëtare. Megjithatë kjo platformë
kombëtare nuk u përkrah nga elementët e lëkundur
dhe u kundërshtua hapur nga elementët turkomanë,
të Prishtinës. Përfaqësuesit e krahinave
të tjera nuk kishin arritur ende. Ndërkaq Ibrahim
Pasha punoi për të përçarë udhëheqjen
e kryengritjes, për ta bindur atë se kërkesa
për autonomi ishte e rrezikshme për fatet e trojeve
shqiptare dhe për vetë fatet e kombit shqiptar,
në një kohë kur Aleanca Ballkanike po kristalizohej
dhe po bëhej gati të fillonte veprimet ushtarake.
Një propagandë e tillë i bëri të
lëkundet jo vetëm Riza bej Gjakovën, por edhe
Isa Boletinin. Për të përçarë udhëheqjen
e kryengritësve, punonte në mënyrë të
ethshme edhe agjentura serbe.
Për tiu shmangur ndikimit të elementëve
turkomanë të Prishtinës në ecurinë
e bisedimeve, udhëheqësit e kryengritjes u zhvendosën
më 4 gusht në Ferizaj. Ata deklaruan me këtë
rast se qendra e mbledhjeve tradicionale të shqiptarëve
nuk është Prishtina, por Ferizaj. Në të
njëjtën kohë Hasan Prishtina përsëriti
thirrjen që i drejtohej gjithë krahinave të
Shqipërisë që të dërgonin përfaqësuesit
e tyre në kuvendin mbarëshqiptar që mendohej
të mblidhej atje.
Më 5 gusht qeveria e shpërndau parlamentin. Duke
u ndodhur në një gjendje të vështirë,
veçanërisht për shkak të mungesës
së një qëndrimi të njësuar rreth
platformës më të përparuar kombëtare,
që i ishte paraqitur palës turke, Hasan Prishtina
dhe krerë të tjerë të kryengritjes për
të mënjanuar përçarjen në udhëheqjen
shqiptare, paraqiti një program tjetër kërkesash,
më të moderuar, i cili do të ishte më
i pranueshëm edhe për Portën e Lartë.
Kjo parashtresë, e njohur me emrin Katërmbëdhjetë
pikat e Hasan Prishtinës, u miratua nga përfaqësuesit
e kryengritjes shqiptare në kuvendin e mbajtur në
Ferizaj me 6 gusht dhe iu paraqit palës turke.
Në këtë hap të detyruar të udhëheqjes
së kryengritjes (që shënonte një tërheqje
nga vendimet e Kuvendit të Junikut) ushtroi ndikimin
e vet të fuqishëm edhe gjendja e acaruar ndërkombëtare
(ishte në përfundim e sipër Aleanca Ballkanike),
që po e çonte këtë gadishull drejt një
lufte me pasoja të rënda edhe për Shqipërinë.
Madje Mali i Zi kishte filluar në këtë kohë
veprimet e veçanta luftarake në Veriun e Shqipërisë.
Në këto rrethana udhëheqja e kryengritjes e
pa të arsyeshme që të arrihej sa më shpejt
një marrëveshje me qeverinë turke, e cila ti
siguronte Shqipërisë të drejta sa më të
gjera kombëtare, ti hapte rrugën kthimit të
saj në të ardhmen në një provincë
autonome dhe në këtë mënyrë të
çliroheshin forcat e saj njerëzore për tiu
kundërvënë agresorëve ballkanas që
po përgatisnin sulmin mbi territoret shqiptare.
Në parashtesën prej 14 pikash të Hasan Prishtinës
kërkohej ti njiheshin Shqipërisë të
drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi
në Shqipëri i nëpunësve të aftë
që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja
e shërbimit ushtarak në Shqipëri e në
Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës;
zbatimi i ligjit të maleve për krahina të caktuara;
armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e
shkollave reale e bujqësore, në programet e të
cilave do të përfshihej edhe mësimi i gjuhës
së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private
në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne
në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i
gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse
dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë,
i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi
i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe e
traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme
për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes
kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të
djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq
e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said
Pashës.
Hasan Prishtina e paraqiti këtë program në
emër të të gjithë Shqipërisë,
duke pasur edhe autorizimet e lëshuara nga komitetet
e Shqipërisë së Mesme dhe më pas të
Jugut. 14 pikat iu bënë të njohura edhe përfaqësuesve
të popullsisë serbe të cilët morën
pjesë në këtë kuvend, pavarësisht
se ato i nënshtroheshin politikës së Beogradit.
Kërkesat e paraqitura nga udhëheqja shqiptare ishin
një hap prapa në krahasim me programin autonomist
të Greçës e të Junikut, megjithatë
plotësimi i tyre do të shënonte pa dyshim një
hap të rëndësishëm drejt autonomisë.
Programi prej 14 pikash iu dorëzua komisionit qeveritar
më 9 gusht, duke i deklaruar atij që, në rast
se brenda dy ditëve ky program nuk do të pranohej,
atëherë forcat kryengritëse do të marshonin
drejt qendrës së vilajetit, Shkupit.
Kryengritësit e trevave të tjera dhe komitetet e
tyre mbështetën kërkesat e paraqitura nga Hasan
Prishtina. Komiteti i Elbasanit deklaroi në emër
të njëmijë kryengritësve të mbledhur
në Kryezjarr, më 10 gusht, se ata bashkoheshin me
kërkesat e paraqitura nga Hasan Prishtina; ai i përcolli
udhëheqjes së kryengritjes në Kosovë këtë
njoftim telegrafik: Të drejtat tona kombëtare
e të ligjshme ia kena shpjegue shkëlqesis
së tij Hasan bej Vuçiternit, ish-deputet i Prishtinës
dhe e kena autorizue atë me folë ose me shkrue në
emën të komitetit tElbasanit. Lutemi ta pranoni
me këtë cilësi e të na lajmoni.
Ndërsa vendimi i Komitetit të Krujës për
zgjedhjen e Abdi bej Toptanit dhe të Mustafa Asimit (Kruja)
si përfaqësues të tyre në bisedimet me
komisionin qeveritar erdhi me shumë vonesë. Ndërkohë
krerët shqiptarë të Shqipërisë së
Jugut, pasi morën njoftim me anën e Komitetit të
Krujës për thirrjen e kuvendit mbarëshqiptar
në Ferizaj, organizuan më 7 gusht mbledhjen e tyre
në Fier, ku merrnin pjesë Ismail Qemali, Ymer pashë
Vrioni, Aziz pashë Vrioni, kolonel Ismail Haki Tatzati,
Izet bej Zavalani dhe të tjerë. Nga mbledhja iu
dërgua Hasan Prishtinës një telegram, me të
cilin ai autorizohej të fliste e të vendoste edhe
në emër të Shqipërisë së Jugut.
Meqë mbledhja e quajti të mjaftueshëm këtë
telegram, nuk vendosi, siç kishte propozuar Ismail
Qemali, të dërgonte dy përfaqësues në
Kosovë. Në të njëjtën kohë u
vendos që Ismail Qemali të nisej menjëherë
në Stamboll për të zhvilluar bisedime me qeverinë.
Ndërkaq, fillimi i bisedimeve shqiptaro-turke dhe mundësia
e plotësimit të kërkesave kombëtare të
shqiptarëve ngjallën shqetësime në Beograd.
Qeveria serbe, nëpërmjet emisarëve të
saj dhe personelit të konsullatave në Prishtinë
e në Shkup, zhvilloi në këtë kohë
një veprimtari të gjerë për të nxitur
përçarjen në gjirin e udhëheqjes së
kryengritjes dhe për ti bërë shqiptarët
të hiqnin dorë nga kërkesat kombëtare.
Këtij qëllimi i shërbyen takimet e autoriteteve
konsullore e ushtarake serbe me Riza bej Kryeziun dhe me Bajram
Currin. Në një nga këto takime konsulli serb
në Prishtinë, Milojeviç, u tha atyre se udhëheqësit
e kryengritjes nuk duhet të merrnin asnjë vendim
në bisedimet me komisionin turk dhe asnjë veprim
pa u këshilluar më parë me përfaqësuesit
e Serbisë. Bajram Curri kërkoi të dinte se
deri ku do të shkonte përkrahja ushtarake e Beogradit
në mbështetje të kryengritësve shqiptarë
në rast se rihapej konflikti i armatosur me Stambollin.
Ai kërkoi gjithashtu të dinte nëse do të
ishte i mundshëm një takim i përfaqësuesve
shqiptarë me Pashiçin për të shqyrtuar
me hollësi çështjet e marrëdhënieve
serbo-shqiptare.
Konsulli Milojeviç i tha Bajram Currit se shqiptarët
mund të ishin të sigurt në përkrahjen
e qeverisë së tij, por parapëlqeu të heshtte
për kërkesën e tij për tu takuar
me Pashiçin.
Çlirimi i Shkupit
Bisedimet shqiptaro-turke u zvarritën disa ditë
për shkak të qëndrimit të Ibrahim Pashës,
i cili po përpiqej ti ngushtonte sa më shumë
kërkesat shqiptare. Diskutimet u zhvilluan më shumë
rreth çështjeve të tjera, që nuk qenë
parashtruar me shkrim në 14 pikat e Hasan Prishtinës.
Ibrahim Pasha e kaloi në heshtje edhe çështjen
e caktimit të një komisioni të veçantë,
që do të kontrollonte zbatimin e kërkesave
të shqiptarëve, sepse qeveria e re nuk kishte ndërmend
të zbatonte lëshimet që do të ishte e
detyruar tu bënte atyre. Përveç kësaj,
mendohej se ngritja e këtij komisioni do të kuptohej
si njohje e autonomisë së katër vilajeteve,
gjë që do të çonte, sipas përfaqësuesve
të Stambollit, në cenimin e tërësisë
territoriale të Perandorisë.
Meqenëse kryengritësit, edhe pas mbarimit të
afatit të caktuar nuk morën asnjë përgjigje
për kërkesat e paraqitura në 14 pikat e Hasan
Prishtinës, u vendos të marshohej drejt Shkupit.
Më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve,
i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël
dhe me Bajram Daklanin në krye. Bajram Daklani, sipas
gazetës Shkupi, shpalosi në qytet flamurin
kombëtar shqiptar. Më 13 gusht hynë forcat
e komanduara nga Isa Boletini. Forcat kryesore të kryengritjes,
rreth 6 000 veta, hynë në Shkupin e çliruar
më 15 gusht, të udhëhequra nga Bajram Curri.
Ushtarët osmanë nuk bënë asnjë qëndresë.
Numri i kryengritësve në Shkup arriti në më
shumë se 30 000 veta. Prej tyre afër gjysma qenë
të armatosur vetëm me ndonjë kobure ose shpatë.
Të paarmatosurit u pajisën me armë pasi u shpërthye
depoja e ushtrisë. Bajram Curri, sapo hyri në Shkup,
hapi burgun dhe liroi 960 të burgosurit e pranguar aty.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës,
Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe
këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit.
Një grup kryengritësish u drejtua për në
Velesh.
Megjithëse kryengritësit nuk arritën të
ngrinin administratën e tyre dhe megjithëse atyre
u mungonin veshjet dhe ushqimet, falë masave të
rrepta të parapara nga udhëheqësit e shqiptarëve
kundër shkelësve të rendit publik nuk pati
raste vjedhjeje, vrasjeje, abuzimesh ose shpërdorimesh.
Lajmi i çlirimit të Shkupit i dha një hov
të ri kryengritjes edhe në viset e tjera të
Shqipërisë. Shqiptarët e mbledhur në Milot
vendosën të sulmonin Durrësin, por kjo nuk
u arrit të bëhej për shkak të mosmarrëveshjeve
ndërmjet krerëve të tyre. Nga kjo gjendje përfituan
autoritetet turke, të cilat sulmuan më 14 gusht
forcat kryengritëse në afërsi të Durrësit
dhe i detyruan të tërhiqeshin në Shijak. Këtu
u zhvillua një përpjekje e ashpër, ku mbetën
të vrarë 13 kryengritës. Pas kësaj forcat
kryengritëse u tërhoqën në zonën
e Milotit.
Nga mesi i muajit gusht edhe Komiteti i Korçës
lëshoi një thirrje; në të ai nxirrte në
pah rreziqet para të cilave ndodhej atdheu, ftonte të
gjithë shqiptarët të bashkoheshin me forcat
kryengritëse që ndodheshin në male, të
ndihmoheshin vëllezërit gegë dhe të luftohej
për të fituar autonominë. Me vendim të
komitetit, u vra komandanti i xhandarmërisë Rexhep
Palla, i njohur për qëndrimin e tij të egër
ndaj shqiptarëve.
Më 14 gusht kryengritësit hynë në qytetin
e Fierit, ndërsa më 15 gusht çeta e Përmetit
(e komanduar nga Mehmet Pavari) dhe çeta e Spiro Bellkamenit
hynë në këtë qytet. Forcat osmane si dhe
në raste të tjera nuk bënë qëndresë.
Në Gjirokastër, në Leskovik, në Prevezë
e në Filat u organizuan mitingje, në të cilat
u shpall Bashkimi i toskëve me kërkesat e
njohura kombëtare. Këto deklarata iu bënë
të njohura vezirit të madh dhe kryetarit të
senatit.
Qeveria e re osmane kishte ende në Shqipëri forca
të mëdha, të cilat mund ti përdorte
kundër shqiptarëve. Ajo urdhëroi komandantin
e Korparmatës V, gjeneralin Kara Said pashën, të
përgatiste trupat për të marshuar mbi Shkup.
Mareshali Ibrahim Pasha u emërua gjithashtu komandant
i trupave ushtarake në Kosovë. Megjithatë,
qeveria ishte e interesuar të merrej vesh me kryengritësit
në Shqipëri. Ky qëndrim diktohej ngaqë
vazhdonte lufta me Italinë, nga shfaqja në horizont
e një rreziku të ri që vinte nga aleatët
ballkanikë dhe nga kujdesi që të mos u jepej
shkas Fuqive të Mëdha të ndërhynin në
punët e brendshme të Perandorisë.
Qëndrimi i shteteve ballkanike dhe i Fuqive të
Mëdha ndaj kërkesave të shqiptarëve
Përfundimi i kryengritjes dhe bisedimet e shqiptarëve
me komisionin qeveritar shkaktuan shqetësime të
mëdha te qeveritë ballkanike. Ministri i Punëve
të Jashtme të Serbisë deklaroi ato ditë
se, me pranimin e kërkesave të kryengritësve
shqiptarë nga qeveria osmane, rrezikoheshin synimet e
Beogradit në Ballkanin Perëndimor. Edhe Athina,
duke pretenduar se zhvillimet e reja politike në Shqipëri
rrezikonin interesat e Greqisë, të Malit të
Zi, të Serbisë e të Bullgarisë, propozoi
të fillohej një aksion i përbashkët
për ti thyer shqiptarët.
Beogradi paralajmëroi qeverinë turke që, në
rast se do të plotësoheshin kërkesat shqiptare,
nuk do të mund të shmangeshin tronditjet e reja,
që do të ishin shumë të rrezikshme, në
radhë të parë për Turqinë.
Beogradi e Sofja kërkuan me këmbëngulje nga
Rusia dhe nga Anglia që të ndërhynin në
mënyrë energjike kundër njohjes së autonomisë
së shqiptarëve.
Edhe Fuqitë e Mëdha i bënë të ditur
qeverisë turke që, në rast se shqiptarëve
do tu jepeshin zyrtarisht koncesionet që kërkonin,
kjo jo vetëm do të sillte acarimin e marrëdhënieve
me ta, por Stambolli do të përballej dhe me shtetet
ballkanike, të cilat, duke pasur përkrahjen e Rusisë,
po përgatisnin luftën e armatosur kundër Perandorisë
Osmane. Ambasadori rus Girs i bëri të ditur Stambollit,
se qeveria e tij do ti kundërvihej çdo kombinimi
politik që synonte krijimin e vilajetit të ri shqiptar.
Ai theksoi gjithashtu se çdo lloj reforme që do
të zbatohej nga qeveria osmane në Ballkan, domethënë
çdo lëshim ndaj shqiptarëve, do të shtrihej
edhe në viset e banuara nga të krishterët dhe
nga popujt e tjerë joturq.
Ambasadori francez në Stamboll i tërhoqi vërejtjen
ministrit të Jashtëm të Turqisë për
pasojat e rënda që do të sillte caktimi i kufijve
të Shqipërisë. Në këtë rast,
theksonte ai, Serbia e Bullgaria do të kundërshtonin
në mënyrën më energjike që brenda
vilajetit të ri shqiptar të përfshihej qoftë
edhe pjesa më e vogël e viseve të banuara nga
serbë e bullgarë.
Qëndrimi i Vjenës ishte i ndryshëm nga ai i
Fuqive të tjera të Mëdha. Ajo i quajti të
arsyeshme 14 kërkesat e shqiptarëve, ndërsa
konti Berhtold u përpoq që ato të përkraheshin
edhe nga Fuqitë e Mëdha. Por Vjena nuk kuptonte
me këto njohjen e autonomisë së Shqipërisë.
Më 13 gusht kur kryengritësit shqiptarë kishin
hyrë në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme
të Austro-Hungarisë u propozoi Fuqive të Mëdha
që të ndërmerrnin një hap kolektiv në
Stamboll për të kërkuar zbatimin e politikës
së decentralizimit, e cila ti përshtatej gjendjes
etnike reale në Turqi. Ballplaci propozoi gjithashtu
që të këshilloheshin qeveritë ballkanike
nga Fuqitë e Mëdha për të mbajtur një
qëndrim paqësor.
Këto përçapje diplomatike të Vjenës
synonin ta detyronin Stambollin ti pranonte kërkesat
shqiptare dhe njëherazi të parandalonte ndërhyrjen
e shteteve ballkanike.
Por propozimi i Vjenës i 13 gushtit nuk gjeti përkrahje
nga partnerët e saj evropianë. Kundër propozimit
të Berhtoldit u shprehën edhe qeveritë e shteteve
ballkanike. Ato deklaruan se zbatimi i politikës së
decentralizimit do të çonte në krijimin e
Shqipërisë autonome dhe se ato shqetësoheshin
në këtë rast për fatin e bashkatdhetarëve
të tyre në Turqi.
Nën trysninë e Fuqive të Mëdha dhe të
shteteve ballkanike Porta e Lartë u përpoq që
gjatë redaktimit të marrëveshjes me udhëheqjen
e kryengritjes shqiptare të mos përmendeshin fjalët
Shqipëri dhe shqiptarë. Ndërkaq Porta e Lartë
synonte të qetësonte shtetet ballkanike duke u bërë
të ditur se privilegjet që do tu jepeshin
shqiptarëve mund të shtriheshin edhe mbi popujt
joshqiptarë të vilajeteve të Kosovës,
të Manastirit e të Janinës.
Ministri i Jashtëm turk u deklaroi kolegëve të
vet ballkanas se Porta dëshironte të kënaqte
njëlloj të gjithë popujt dhe ishte kategorikisht
kundër dhënies së koncesioneve vetëm një
populli, duke diskriminuar të tjerët.
Në fillim të muajit shtator Ministria e Jashtme
e Turqisë udhëzonte përfaqësuesit e saj
diplomatikë që tu shmangeshin bisedave rreth
propozimit të Berhtoldit dhe të deklaronin në
mënyrë të prerë se Porta e quante problemin
shqiptar çështje të saj të brendshme.
Duke parë se Fuqitë e tjera të Mëdha i
kundërshtuan propozimet e Vjenës, Stambolli deklaroi
se nuk do ti merrte ato në shqyrtim. Në këtë
mënyrë dështoi edhe ky aksion diplomatik i
Ballplacit, që do të ndihmonte sado pak në
hapjen e rrugës për zgjidhjen e çështjes
shqiptare.
Marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit 1912
Pas udhëzimeve që mori nga Stambolli, Komisioni
qeveritar rifilloi bisedimet rreth kërkesave të
parashtruara nga kryengritësit në 14 pikat e Hasan
Prishtinës. Më 18 gusht qeveria turke deklaroi se
i pranonte ato, përveç kthimit të armëve
të luftës dhe hedhjes në gjyq të pjesëtarëve
të kabineteve xhonturke të Haki dhe Said Pashës,
duke theksuar se miratimi i këtyre dy kërkesave
ishte në kompetencën e parlamentit.
Udhëheqja e kryengritjes në Kosovë deklaroi
se e pranonte këtë marrëveshje dhe shpalli
ndërprerjen e kryengritjes. Në rrethanat e krijuara
nuk mund të bëhej fjalë për të vazhduar
marshimin e kryengritësve drejt Selanikut. Pas kësaj
forcat kryengritëse lanë Shkupin. Hasan Prishtina
njoftoi gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë
së Mesme dhe të asaj të Jugut që të
ndërprisnin veprimet e armatosura kundër trupave
qeveritare. Ai njoftonte në këtë rast se kërkesat
e kryengritësve u pranuan për të gjithë
Shqipërinë. Në këto rrethana kryengritja
u ndërpre.
Thirrja që Hasan Prishtina u bëri kryengritësve
për tu larguar nga Shkupi dhe për të
shkuar në vendet e tyre, do të ndihmonte në
organizimin e mbrojtjes së atdheut nga agresorët
ballkanas, të cilët po përgatiteshin të
sulmonin tokat shqiptare.
Pasi kishte përfunduar marrëveshja me qeverinë
turke, mbërriti në Shkup një përfaqësi
e vilajetit të Shkodrës, e përbërë
nga Abdi Toptani, Marka Gjoni, Mano bej Lezha dhe Mustafa
Asim Kruja me 100 luftëtarë.
Ndërkohë kryengritësit kishin filluar të
ktheheshin në shtëpitë e tyre në Elbasan,
në Korçë e në qytete të tjera,
të pritur kudo si fitimtarë, me manifestime popullore
dhe me këngë patriotike. Në fjalimet e mbajtura
me këtë rast vihej theksi në barbarizmat e
xhonturqve, në trimërinë e shqiptarëve,
posaçërisht të atyre të Kosovës,
dhe përmendej sidomos zotësia e udhëheqësve
si Hasan Prishtina etj. Ata që e morën fjalën
në këto mitingje paralajmëruan qeverinë
se shqiptarët ishin gati të ngriheshin përsëri
me armë në dorë në qoftë se ajo nuk
do të zbatonte marrëveshjen e arritur. Në të
vërtetë, në variantin e marrëveshjes që
qeveria turke botoi zyrtarisht më 23 gusht 1912, kërkesat
e shqiptarëve, të miratuara edhe prej saj, ishin
formuluar në mënyrë të errët e të
papërcaktuar. Kjo tregon se Porta e Lartë nuk kishte
ndërmend ti zbatonte ato.
Në këtë redaktim që i bënë marrëveshjes
shqiptaro-turke, autoritetet osmane i reduktuan dhe i deformuan
të 14 pikat e Hasan Prishtinës. Ato ndryshuan, në
përshtatje me interesat e qeverisë së Stambollit
sidomos përmbajtjen e pikave 2, 5, 11.
Sipas versionit zyrtar turk të 23 gushtit marrëveshja
përmbante këto masa: përgatitja e një
ligji të posaçëm për lokalitetet, në
të cilat sistemi gjyqësor nuk ishte i përshtatshëm;
kryerja e shërbimit ushtarak vetëm në Rumeli,
përveç rasteve të luftës dhe të
rrethanave të jashtëzakonshme; kthimi i armëve
të konfiskuara më parë; zgjedhja e nëpunësve
me përvojë që të njihnin gjuhën e
zakonet e vendit; shndërrimi në lice i shkollave
të mesme (idadie) në Kosovë, në Manastir
e në Janinë; ngritjen e shkollave të reja,
liceve dhe atyre bujqësore, duke futur në programin
e tyre mësimin në gjuhën e vendit në ato
prefektura, popullsia e të cilave ishte mbi tridhjetë
mijë frymë; mundësia për ti shtuar
buxhetit të ministrisë së Vakëfeve kreditë
e nevojshme për mbajtjen e medreseve dhe për të
krijuar medrese të tjera në vendet ku do të
gjykohej e nevojshme; liria për të hapur shkolla
private; mësimi i gjuhës lokale në shkollat
fillore e të mesme; zgjerimi e zhvillimi i punëve
botore, i tregtisë dhe i bujqësisë, si dhe
i hekurudhave e i rrugëve; organizimi i komunave (nahijeve);
mbrojtja e dokeve dhe e zakoneve myslimane; çuarja
para gjyqit të lartë të drejtësisë
e qeverisë së Haki Pashës dhe e Said Pashës;
falja e të gjithë atyre që kishin marrë
pjesë në ngjarjet e fundit; zhdëmtimi për
shtëpitë e shkatërruara.
Siç shihet, në këtë redaktim të
marrëveshjes askund nuk përmendeshin emrat Shqipëri
dhe shqiptarë. Përveç kësaj, qeveria
turke nuk jepte asnjë garanci për zbatimin e kërkesave
të kryengritësve. Edhe kësaj here Porta e Lartë,
si edhe më parë, ndoqi një politikë dyfytyrëshe.
Ajo u dha këtë formë pikave të marrëveshjes
me qëllim që të kishte mundësi ti
interpretonte ato arbitrarisht, sipas interesave të vet.
Në marrëveshjen e arritur nuk u pranua as kërkesa
që në letërnjoftimet dhe në pasaportat
të vihej, krahas cilësimeve fetare mysliman, latin
a rum, edhe cilësimi etnik shqiptar. Pranimi i saj do
të çonte në njohjen e kombësisë
shqiptare.
Përgjithësisht, marrëveshja shqiptaro-turke
e 18 gushtit ishte gjysmake dhe e pasigurt.
Qeveria deklaroi gjithashtu se kërkesat e pranuara u
njiheshin vetëm vilajeteve të Kosovës, të
Manasirit e të Janinës. Kjo do të thoshte që
ato nuk do të shtriheshin në vilajetin e katërt
shqiptar, në atë të Shkodrës. Edhe pse
pikat e kësaj marrëveshjeje nuk ishin të njëjta
me 12 pikat që iu njohën më 1911 malësorëve
të Mbishkodrës, Porta mendonte se kërkesat
e asaj province (të vilajetit të Shkodrës)
qenë plotësuar me marrëveshjen e Podgoricës.
Edhe pse në 14 pikat e pranuara nga qeveria osmane nuk
parashihej njohja e autonomisë, shqiptarët filluan
tu jepnin një kuptim më të gjerë
koncesioneve të fituara dhe bënë përpjekje
për realizimin e vetëqeverisjes. Në vise të
ndryshme, si në Mitrovicë, në Vuçiternë,
në Prizren e në vende të tjera, u bënë
përpjekje për vendosjen e administratës shqiptare.
Popullsia dëbonte nëpunësit turq dhe në
vend të tyre emëronte shqiptarë. U krijuan
këshilla lokalë, të cilët mbanin rregullin
e qetësinë dhe pengonin keqbërësit të
plaçkitnin dhe të dhunonin banorët. Në
ta merrnin pjesë njerëzit më me autoritet në
popull dhe të dalluar në luftën kundër
regjimit xhonturk. Autoritetet osmane nuk qenë në
gjendje të pengonin veprimtarinë e këshillave
që kishin dalë nga kryengritja. Në dokumentet
konsullore të kohës theksohej se autoriteti i qeverisë
kishte rënë, ndërsa autoriteti i organeve të
reja të pushtetit vendor po rritej. Edhe shtypi i huaj
pranonte se këshillat kishin vendosur rregullin e qetësinë
në vend.
Isa Boletini sapo u kthye në Mitrovicë, pas përfundimit
të marrëveshjes shqiptaro-turke, ngriti atje këshillin
administrativ dhe në njoftimin telegrafik, që i
bëri valiut të Kosovës në Shkup, i kumtoi:
Tash e tutje për çdo gjë populli do
të vetëvendosë në mënyrë të
pavarur nga pushteti osman.
Por ky proces i realizimit të vetëvendosjes u ndërpre
për shkak të fillimit më 9 tetor të Luftës
Ballkanike dhe të dyndjes së ushtrive serbe e malazeze
në trevat shqiptare. Lufta Ballkanike krijoi për
Shqipërinë një gjendje nga më të
rrezikshmet në historinë e saj, çoi në
pushtimin ushtarak të territoreve të vendit nga
agresorët ballkanas serbë, malazezë dhe grekë,
duke i hapur kështu rrugën copëtimit dhe aneksimit
të tyre.
Rëndësia e kryengritjes
Ndryshe nga kryengritjet e mëparshme të armatosura,
ajo e vitit 1912 u shtri në mbarë Shqipërinë,
bashkoi gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje
dhe përkatësie shoqërore.
Në rrafsh të jashtëm kryengritja u zhvillua
në rrethana jo të favorshme për shqiptarët.
Fuqitë e Mëdha vazhdonin ti përmbaheshin
ende politikës së tyre tradicionale të ruajtjes
së status quo-së në Perandorinë Osmane
dhe në Ballkan. Përveç kësaj, ata mendonin
se njohja e autonomisë së Shqipërisë do
të krijonte të çara në marrëdhëniet
ndërmjet tyre. Kryengritja shqiptare dhe kërkesat
e saj kombëtare u kundërshtuan në mënyrë
të veçantë nga shtetet ballkanike, të
cilat e shihnin mundësinë e shpalljes së një
shteti autonom ose të pavarur shqiptar si një pengesë
për synimet e tyre ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor.
Kryengritja u zhvillua gjithashtu në kushtet kur Perandoria
Osmane po kalonte një krizë të rëndë
që po e çonte atë drejt fundit, kur ajo ishte
në luftë me Italinë (për Tripolin) dhe
kur brenda saj kishte shpërthyer konflikti politik midis
xhonturqve dhe opozitës liberale. Këto ishin rrethana
lehtësuese për shpërthimin e kryengritjes dhe
për suksesin e saj.
Megjithëse kryengritja arriti suksese të mëdha,
nuk u arrit të mënjanoheshin mosmarrëveshjet
në udhëheqjen e saj. Disa nga krerët shqiptarë
filluan të anojnë drejt kërkesave më të
moderuara, që nuk ndihmonin zgjidhjen e çështjes
shqiptare. Në këto qëndrime ndikuan edhe veprimet
përçarëse të përkrahësve të
xhonturqve dhe të agjenturës serbe te disa prej
krerëve shqiptarë. Por edhe më fuqishëm
ndikoi në këto lëkundje rreziku gjithnjë
e më i madh i shpërthimit të një Lufte
Ballkanike që po afrohej me shpejtësi.
Në këto rrethana edhe udhëheqësit më
të vendosur, si Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., u
detyruan të tërhiqeshin nga programi autonomist
i Junikut. Kjo gjendje në gjirin e udhëheqjes së
kryengritjes dhe sidomos afrimi i Luftës Ballkanike,
fillimi i veprimeve të veçanta luftarake të
Malit të Zi, i shtyti ata të parashtronin një
program më të kufizuar, 14 pikat e Hasan Prishtinës.
Megjithatë, Hasan Prishtina, që ishte ithtar i programit
radikal të lëvizjes, shpresonte se pikat e përfshira
në marrëveshjen e arritur me qeverinë osmane
më 18 gusht do të shënonin hape të
mëdha ka indipendenca e jonë.
Nikollë Ivanaj shkruante në ato ditë: Të
gjithë janë besnikë të idealit të
pavarësisë, por arsyetimi ju thotë se për
momentin e tashëm duhet të moderojnë kërkesat
në mënyrë që të bëhen të
realizueshme.
Pranimi nga shqiptarët i marrëveshjes shqiptaro-turke
të 18 gushtit 1912 ishte në thelb një kompromis
i pashmangshëm, një lëshim i detyruar, i imponuar
kryesisht nga rrethanat ndërkombëtare. Megjithatë,
në qoftë se qeveria turke do ta zbatonte tërësisht
atë, kjo marrëveshje do ti hapte rrugën
zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Kryengritja pati edhe dobësi të karakterit organizativ.
Çlirimi i qyteteve, që ishte një sukses i
madh i saj dhe mund të çonte në çlirimin
e gjithë Shqipërisë, nuk u shoqërua, përveç
disa rasteve, me likuidimin e administratës osmane dhe
me vendosjen e një administrate të re shqiptare.
Disa masa, si lirimi i të burgosurve a dëbimi i
funksionarëve të veçuar, qenë të
pamjaftueshme për tia arritur këtij qëllimi.
Këtë detyrë të vendosjes së pushtetit
të shqiptarëve në vend të atij osman,
që do të ishte një garanci për zbatimin
e marrëveshjes së pranuar nga Porta e Lartë,
udhëheqja e kryengritjes nuk e shtroi fare për zgjidhje.
Kryengritja e vitit 1912 ishte e përgjithshme, u shtri
në mbarë vendin, në Kosovë, në Shqipërinë
e Mesme dhe në atë të Jugut, ku prej kohësh
vepronin çetat e armatosura. Megjithatë, forca
e veprimeve të saj luftarake nuk ishte kudo e njëjtë.
Ajo qe më e fuqishme në vilajetin e Kosovës,
krahasuar me territoret e tri vilajeteve të tjera (të
Shkodrës, të Manastirit e të Janinës).
Përveç kësaj, nuk pati një bashkërendim
në kohë të veprimeve luftarake, të cilat
në viset e tjera, sidomos në Jug, filluan më
vonë se në Kosovë.
Në ecurinë e kryengritjes së përgjithshme
ushtruan ndikim negativ lëkundjet e përfaqësuesve
të veçantë të parisë çifligare
e bajraktare që u shfaqën sidomos në qëndrimin
ndaj kërkesave kombëtare. Disa prej të tyre
u treguan të gatshëm të shkëputeshin nga
sundimi i huaj osman, ndërsa disa të tjerë
u vunë në shërbim të qarqeve sunduese
fqinje, u bënë përçues të politikës
së tyre në udhëheqjen e kryengritjes dhe u
përpoqën ta pengonin luftën e armatosur popullore.
Pavarësisht nga këto dobësi, Kryengritja e
vitit 1912 shënoi hapa të rëndësishëm
në sendërtimin e programit themelor politik të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo nxori në
shesh dobësinë e Perandorisë Osmane, e tronditi
atë dhe afroi fundin e saj. Në këto rrethana
aleatët ballkanikë nuk e patën të vështirë
ti jepnin asaj goditjen e fundit. Kryengritja shqiptare
dhe sukseset e saj ushtarake e politike ndikuan gjithashtu
në përshpejtimin e shpërthimit të Luftës
së Parë Ballkanike. Por ajo tregoi gjithashtu se
shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha nuk do ta
kishin të lehtë tani të mënjanonin çështjen
shqiptare nga të gjitha kombinacionet që do të
shestoheshin pas kësaj lufte në tryezat e gjelbërta
të diplomacisë.
*
* *
Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 përbëjnë
një faqe të re, një shkallë më të
lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Nga qëllimet që shtruan, nga cilësia e organizimit,
nga forca luftarake dhe veçanërisht nga rrjedhojat
e tyre, këto kryengritje zënë një vend
të rëndësishëm në historinë
e popullit shqiptar. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin
e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare,
të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e
më pas të pavarur shqiptar. Kështu do të
përmbusheshin aspiratat kombëtare të të
gjithë popullit shqiptar, do ti bëhej ballë
rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare
dhe do ti hapej rrugë përparimit ekonomiko-shoqëror
e kulturor të vendit.
Kryengritjet e viteve 1910-1912 përbëjnë fazën
e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila
u mbyll me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
më 28 Nëntor të vitit 1912. Gjithë ecuria
e tyre dëshmon për zhvillimin e ndërgjegjes
politike kombëtare të të gjithë popullit
shqiptar, pa dallime krahinore. Kjo ndërgjegje politike
nuk u shfaq njëlloj në periudha të ndryshme
dhe në treva të caktuara, të cilat patën
veçoritë e tyre, të diktuara nga rrethanat
e kohës. Dëshmi e qartë e një ndërgjegjeje
kombëtare e shtrirë në gjithë rrafshin
territorial të Shqipërisë janë ngjarjet
e Kryengritjes së vitit 1911. E zhvilluar në një
zonë malore jo fort të gjerë, siç qe
Malësia e Madhe, kjo kryengritje qysh në fillimet
e saj doli me kërkesa kombëtare dhe në emër
të të gjithë shqiptarëve e të kombit
shqiptar. Memorandumi i Greçës i qershorit të
vitit 1911, që ishte një dokument programatik kombëtar
me kërkesën e autonomisë territoriale të
Shqipërisë, doli pikërisht nga Kuvendi i Greçës,
i udhëheqësve dhe i përfaqësuesve të
kësaj kryengritjeje shqiptare.
Edhe Shefqet Turgut pasha, në intervistën që
i pati dhënë gazetës Progrès de
Salonique, deklaronte se Kryengritja e Malësisë
e vitit 1911 ishte një kryengritje thjesht shqiptare
mbi baza kombëtare. Vlerësim të njëjtë
u kanë bërë kryengritjeve të viteve 1910-1912
edhe përfaqësuesit konsullorë të shteteve
fqinje, që kanë njohur karakterin e tyre të
ndërgjegjshëm kombëtar.
Ashtu si Kryengritja e vitit 1911, edhe ajo e vitit 1912,
që njihet si kryengritja e përgjithshme shqiptare,
doli me një program kombëtar të përparuar,
i parashtruar në të pesë pikat e Kuvendit të
Junikut, pavarësisht se marrëveshja shqiptaro-turke
e 18 gushtit 1912 shënoi një tërheqje jo të
vogël në krahasim me të. Kjo tërheqje
duhet të shpjegohet me zhvillimet politike e ushtarake
në gadishull, në radhë të parë me
rrezikun që sillte për vendin afrimi i shpërthimit
të Luftës Ballkanike.
Programet e miratuara në kuvendet e kryengritësve
në vitet 1910-1912 dhe nga organizatat atdhetare brenda
e jashtë vendit, nuk duhen parë vetëm si rrjedhim
i raportit të forcave ndërmjet krahut radikal dhe
atij të moderuar të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Ato qenë formuluar edhe nën ndikimin
e gjendjes që ishte krijuar në Ballkan pas përfundimit
të bisedimeve për vendosjen e Aleancës Ballkanike
dhe me afrimin e Luftës së Parë Ballkanike.
Tërheqja e forcave kryengritëse shqiptare nga fronti
kundërosman ishte pasojë e vlerësimit të
drejtë të kësaj gjendjeje të re dhe i
detyrave të tjera të ngutshme që qëndronin
përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në
kohën kur shovinistët serbë bënin presion
që forcat kryengritëse shqiptare të marshonin
drejt Selanikut e madje edhe drejt Stambollit, për ti
hapur rrugën armatës serbe në marshimin e saj
drejt brigjeve të Adriatikut, kryengritësit shqiptarë
e panë të arsyeshme të bënin marrëveshje
me qeverinë osmane.
Lëvizja shqiptare e viteve 1910-1912 luajti një
rol të rëndësishëm edhe në rrafshin
e jashtëm, në zhvillimin e ngjarjeve politike në
Turqinë Evropiane, në mënyrë të veçantë
në dobësimin e pozitave të Perandorisë
Osmane në këtë zonë. Aleatët ballkanikë
shpejtuan ta shfrytëzonin këtë faktor për
interesat e tyre pushtues. Në vend që ta mbështesnin
lëvizjen shqiptare të vitit 1912, ata shpejtuan
të përfitonin prej saj, madje pa përfillur
fare interesat kombëtarë të shqiptarëve.
Qarqet politike të shteteve fqinje ballkanike, synonin
të pengonin me çdo mënyrë formimin e
një shteti kombëtar qoftë dhe autonom shqiptar
e përgjithësisht lëvizjen çlirimtare
të popujve të shtypur ballkanikë dhe ti
zgjidhnin problemet e Ballkanit nëpërmjet një
lufte grabitqare, pushtuese, siç qe ajo ballkanike.
Beogradi, Athina e Cetina dëshironin që lufta e
shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane të
përfundonte me cfilitjen e të dyja palëve.
Pavarësisht se lufta, që populli shqiptar zhvilloi
në vitet 1910-1912 nuk arriti të sinkronizohej me
qëndresën e popujve të tjerë të robëruar
të Perandorisë Osmane dhe me luftën e shteteve
ballkanike, nuk mund të mohohet kurrsesi roli i këtyre
kryengritjeve në shembjen e sundimit osman në Ballkan.
Ato ndihmuan në dobësimin e Perandorisë në
rrafsh ushtarak, nxorën në pah dobësinë
e paaftësinë e saj për ti bërë
ballë një sulmi të mundshëm të shteteve
ballkanike në një të ardhme të afërt.
Kryengritjet e viteve 1910-1912 nuk ishin çrregullime,
trazira e turbullira, që degjenerojnë
në anarki të plotë, siç
pohon historiografia ballkanike. Përkundrazi, ato ishin
kryengritje çlirimtare, që e vendosën popullin
shqiptar në fillim të shek. XX në ballë
të lëvizjeve për çlirimin kombëtar
në gdishullin e Ballkanit. Përgjithësisht lufta
që populli shqiptar zhvilloi gjatë viteve 1910-1912
kundër pushtuesve osmanë radhitet përkrah qëndresës
së popujve të tjerë të shtypur të
Perandorisë, siç ishin maqedonët e grekët,
si dhe arabët.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 përshpejtuan
përfundimin e Aleancës Ballkanike dhe për rrjedhim
edhe afrimin e luftës të aleatëve ballkanas
kundër Perandorisë Osmane, e cila shënoi fundin
e sundimit të saj në Ballkan. Edhe nga kjo pikëpamje
ato zënë një vend të rëndësishëm
në procesin përfundimtar të çlirimit
të popujve të Ballkanit nga zgjedha osmane. Megjithatë,
aleatët ballkanas u shqetësuan nga sukseset e kryengritësve
shqiptarë në fushën e betejave dhe sidomos
nga marrëveshjet shqiptaro-turke, edhe pse këto
nuk merrnin plotësisht parasysh kërkesat kombëtare
të shqiptarëve, sepse i shikonin ato dhe mundësinë
e formimit të një shteti autonom shqiptar si një
pengesë serioze në arritjen e synimeve të tyre
aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Afrimi i Luftës Ballkanike krijoi për shqiptarët
një gjendje kontradiktore, tepër paradoksale. Nga
njëra anë, po afrohej fundi i sundimit osman në
Ballkan, aq i dëshiruar nga populli ynë dhe për
të cilin ai kishte dhënë një ndihmesë
të çmuar, nga ana tjetër, shqiptarëve
po u mbyllej rruga për tu çliruar përfundimisht,
sepse po u përgatiteshin vargonj të rinj robërie,
më të rëndë e më të rrezikshëm.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike shqiptarët
dhe lëvizja e tyre kombëtare u gjendën, ashtu
si më 1878-1881, midis dy zjarresh: midis sundimtarëve
shumëshekullorë osmanë dhe aleatëve ballkanikë,
që filluan të kënaqnin lakmitë shoviniste
të shpallura me kohë në programet e tyre nacionale,
siç qenë Naçertania, Megali
Ideja etj.
Lufta Ballkanike deformoi procesin e natyrshëm të
çlirimit përfundimtar të popujve të
shtypur të Ballkanit nga zgjedha osmane, proces i cili
kishte marrë hov të madh me kryengritjet shqiptare
të viteve 1910-1912. Lufta për ti dhënë
fund sundimit osman në Ballkan nuk u udhëhoq nga
interesat kombëtarë të këtyre popujve,
por nga ata nacionalistë, të ngushtë të
shteteve ballkanike. Ky shformim i karakterit çlirimtar
të kësaj lufte, do të kishte pasoja të
rënda, në radhë të parë për
popullin shqiptar, kundër të cilit qenë drejtuar
kryesisht lakmitë shoviniste dhe aneksioniste të
këtyre shteteve, por edhe për popujt e tjerë
të shtypur të Perandorisë Osmane.
Rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare nuk
mund të mos ndikonte në strategjinë dhe në
taktikën e luftës së shqiptarëve për
çlirimin kombëtar. Kërkesë mbizotëruese
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbeti edhe në
këtë kohë, deri tri-katër javë para
se të shpallej pavarësia, ajo e autonomisë
territoriale-administrative të Shqipërisë dhe
jo pavarësia e plotë e vendit dhe shkëputja
e tij nga Perandoria Osmane, siç ndodhi më 28
Nëntor 1912.
Realizimi i autonomisë mendohej si rruga më e mirë
për ti bërë ballë rrezikut imediat
të copëtimit tashmë tërësor të
trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve. Por kjo kërkesë
nuk e mbyllte perspektivën e arritjes së pavarësisë
kombëtare, përkundrazi, në ato rrethana vetëm
kështu mund ti hapej rruga dhe të shpejtohej
sigurimi i saj. Si e tillë ajo ishte një kërkesë
realiste dhe njëherazi kalimtare drejt pavarësisë.
Kjo strategji mbeti në fuqi edhe gjatë kryengritjeve
të mëdha të viteve 1910-1912, të cilat
qëndrojnë në themelet e Kuvendit Kombëtar
të Vlorës dhe të Aktit të tij historik
të Shpalljes së Pavarësisë, pavarësisht
se midis tyre qëndron Lufta Ballkanike e viteve 1912-1913.
Ato përbëjnë faktorin vendimtar në rrugën
e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë
më 28 Nëntor 1912. Është i njohur roli
i faktorëve ndërkombëtarë, sidomos në
njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë,
megjithatë ajo ishte në radhë të parë
rrjedhim logjik i luftërave të popullit shqiptar
kundër sundimtarëve osmanë dhe veçanërisht
i kryengritjeve të viteve 1910-1912, të cilat bënë
që çështja shqiptare të shtrohej për
zgjidhje, jo vetëm përkundrejt pushtuesve osmanë,
por edhe përballë lakmive pushtuese të shteteve
ballkanike, që shpërthyen luftën më 1912.
|
 |  |