 |  |
K R E U XIV
SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Aleanca Ballkanike dhe çështja shqiptare
Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke
e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në
Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone
kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të
sundimit osman. Këto ngjarje, nga ana tjetër, shqetësuan
e vunë në lëvizje qeveritë e shteteve
ballkanike. Gjendjen e krijuar në Ballkan, sipas tyre,
mund ta shfrytëzonte Austro-Hungaria për të
pushtuar sanxhakun e Pazarit të Ri, ndërsa lëvizja
çlirimtare në Shqipëri e në Maqedoni
mund të shpinte në autonominë e këtyre
vendeve, gjë që ishte në kundërshtim me
planet ekspansioniste serbe, malazeze, bullgare e greke. Shtetet
ballkanike, me gjithë kontradiktat e thella që kishin
ndërmjet tyre, shpejtuan të lidhnin një aleancë
politike e ushtarake për ti dalë përpara
çdo të papriture dhe për ta zgjidhur çështjen
në përputhje me interesat dinastikë. Formimin
e një aleance të tillë e përkrahte edhe
Rusia cariste, e cila kërkonte ta përdorte atë
si gardh kundër shtrirjes austro-gjermane në Evropën
Juglindore.
Bisedimet për formimin e kësaj aleance i kishin
filluar qysh në tetor 1911 kryeministri bullgar Geshov
dhe ai serb Milovanoviç. Një nga çështjet
themelore të këtyre bisedimeve ishte, krahas asaj
të Maqedonisë, edhe ajo e copëtimit të
Shqipërisë. Kjo kishte të bënte me synimet
e Serbisë për të dalë në detin Adriatik
e për tu lidhur me tregjet e Evropës Perëndimore.
Prandaj Milovanoviçi e shikonte si një rrezik
formimin e një shteti shqiptar. Duke përdorur si
argument të ashtuquajturën paaftësi të
shqiptarëve për të formuar shtetin e
tyre, ai kërkonte bashkimin e Shqipërisë së
Veriut e të Verilindjes me Serbinë dhe të Shqipërisë
së Jugut me Greqinë. Qysh në ditët e para
të bisedimeve të dyja qeveritë kishin rënë
në marrëveshje të njihnin të drejtën
e plotë të Serbisë mbi vilajetin e Shkodrës
dhe mbi atë pjesë të vilajetit të Kosovës
që ndodhej në veri të Bjeshkëve të
Sharrit, ndërsa Bullgarisë të drejtën
mbi vilajetin e Adrianopojës. Por bisedimet u zgjatën
për shkak të kontradiktave që lindën në
lidhje me ndarjen e tokave të tjera të vilajetit
të Kosovës dhe të vilajeteve të Manastirit
e të Selanikut.
Austro-Hungaria, nga ana e saj, u përpoq ta sabotonte
këtë aleancë që po formohej me pjesëmarrjen
aktive të Rusisë. Për të lidhur pas vetes
Malin e Zi e Greqinë, ajo i premtonte mbretit Nikolla
toka shqiptare deri afër Shkodrës, ndërsa Greqisë
i propozonte të hynte në një bllok ballkanik
kundërsllav me Austro-Hungarinë, Rumaninë e
Shqipërinë. Por këto orvatje nuk patën
sukses.
Më 13 mars 1912 u përfundua marrëveshja serbo-bullgare.
Ajo përmbante një shtojcë të fshehtë,
sipas të cilës Bullgaria i njihte Serbisë jo
vetëm tokat me popullsi serbe, por edhe aneksimin e tokave
shqiptare në veri e në perëndim të Bjeshkëve
të Sharrit (Shqipërinë e Mesme, Veriore dhe
Verilindore), kurse Serbia i njihte Bullgarisë tokat
në lindje të Rodopit dhe të lumit Struma. Territori
midis Bjeshkëve të Sharrit, lumit Struma dhe liqenit
të Ohrit, me qytetet kryesore Dibër, Kërçovë,
Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Shkup, u quajtën
si zonë e diskutueshme; si arbitër për zgjidhjen
e kësaj çështjeje u caktua cari i Rusisë.
Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zhvilluan edhe bisedimet
bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj
me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse
në rast sulmi nga ana e Turqisë.
Aleanca Ballkanike, me gjithë kompromiset e arritura,
përmbante në vetvete farën e përçarjes
midis vendeve ballkanike. Nga ana tjetër, ajo përbënte
një rrezik tepër serioz për ekzistencën
e kombit shqiptar.
Pas përpjekjeve të Vjenës, për ti
kërkuar Portës së Lartë zbatimin e politikës
së decentralizimit, diplomacia ballkanike u bë më
aktive. Mali i Zi, i cili vazhdonte gjithnjë të
organizonte provokacione në kufi, i ftoi aleatët
ballkanikë të hidheshin menjëherë në
luftë kundër Turqisë. Ai dërgoi emisarët
e vet në Shkodër për të bindur klerin
katolik ta ndihmonte në veprimin që do të ndërmerrte
kundër Turqisë, me qëllim që të çlirohej
rrethi ose gjithë vilajeti i Shkodrës dhe të
hynte në një union real me Malin e Zi.
Përfaqësuesit e klerit katolik të Shkodrës
nuk e pranuan këtë projekt. Këto përpjekje
të aleatëve ballkanas kishin mbështetjen e
qeverisë ruse.
Porta e Lartë, nga njëra anë, u deklaroi shteteve
ballkanike se nuk kishte aspak ndërmend tu jepte
shqiptarëve autonominë, ndërsa, nga ana tjetër,
shpalli më 23 gusht, në një redaktim të
ri, kërkesat e shqiptarëve të pranuara prej
saj. Duke mos përmendur asnjëherë në to
fjalët Shqipëri e shqiptarë, qeveria turke
synonte ti qetësonte shtetet ballkanike dhe tu
jepte atyre të kuptonin se privilegjet e dhëna mund
të shtriheshin edhe mbi popullsinë joshqiptare të
vilajeteve të Kosovës, të Manastirit dhe të
Janinës, nëse do të ishte nevoja që ajo
tu bënte një interpretim të tillë.
Por kjo nuk i kënaqi aspak shtetet ballkanike. Sukseset
e rrufeshme të kryengritjes shqiptare dhe ngjarjet në
frontin e Tripolit kishin treguar qartë kalbësinë
e Perandorisë Osmane dhe paaftësinë e saj ushtarake.
Të nxitur nga kjo, ato filluan të bënin përgatitje
të ethshme për ti shpallur luftë Turqisë.
Qeveria malazeze kishte përfunduar me Bullgarinë
një marrëveshje verbale, sipas së cilës
kjo e fundit i njihte Cetinës tokat që do të
pushtonte në rast lufte kundër Turqisë. Mali
i Zi, me qëllim që të shkaktonte sa më
parë konfliktin ballkanik, bëri të gjitha përpjekjet
me anën e bajraktarëve, si Sokol Baci etj., që
ishin në shërbim të tij, ti hidhte malësorët
katolikë shqiptarë në luftë kundër
turqve, të cilët kishin krijuar në Malësi
një gjendje të padurueshme. Urrejtja e papërmbajtur
e malësorëve kundër sundimtarëve osmanë
i bëri ata të bashkëpunonin me malazezët.
Këtë bashkëpunim turqit e shfrytëzuan
për të nxitur fanatizmin fetar në vilajetin
e Shkodrës dhe për të bërë masakra
mbi popullsinë katolike të Zadrimës, një
pjesë e madhe e së cilës u detyrua të
arratisej në male. Me politikën e tyre të terrorit
turqit i afruan edhe më shumë malësorët
katolikë me Malin e Zi. Luftime të ashpra kundër
forcave turke zhvilluan në shtator të vitit 1912
malësorët e Malësisë së Madhe, të
përkrahur nga reparte malazeze, si edhe nga zadrimasit.
Ndërkohë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë
dhe shteteve të Aleancës Ballkanike po acaroheshin
gjithnjë e më shumë. Nuk e zbuti këtë
acarim as vendimi i marrë nga Porta e Lartë më
24 shtator për ti shtrirë një varg privilegjesh,
që u ishin njohur shqiptarëve, edhe mbi popullsitë
joshqiptare të vilajeteve të Rumelisë.
Në fund të shtatorit si Turqia, ashtu edhe shtetet
ballkanike filluan mobilizimin e ushtrive të veta. Dukej
qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm.
Fuqitë e Mëdha e në mënyrë të
veçantë Rusia u përpoqën ta pengonin
një konflikt të tillë që mund të
shpinte në prishjen e status quo-së në Ballkan
dhe në një luftë botërore, për të
cilën ata nuk ishin përgatitur ende. Më 7 tetor
Austro-Hungaria e Rusia deklaronin në emër të
Fuqive të Mëdha që, në rast lufte ndërmjet
Turqisë e shteteve ballkanike, në mbarim të
konfliktit fuqitë nuk do të lejonin asnjë ndryshim
të status quo-së territoriale në Ballkan. Në
një kohë kur përfundimi i luftës nuk dihej,
Vjena synonte, me anë të kësaj deklarate, të
pengonte zgjerimin e shteteve ballkanike në kurriz të
Turqisë, ndërsa Rusia të siguronte mbrojtjen
e aleatëve të vet ballkanikë në rast disfate.
Megjithatë Lufta Ballkanike shpërtheu. Më 8
tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më
17 tetor i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria
dhe një ditë më vonë Greqia.
Lufta e Parë Ballkanike dhe Shqipëria
Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër
Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar
të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një
funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste
të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një
luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë
e Maqedonisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt
e tjerë të shtypur të Ballkanit për tu
çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit
e tyre bënë përpjekje për tu lidhur
me fqinjët në luftën e përbashkët
kundërosmane, por këto përpjekje dështuan
për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike,
të cilët nuk dëshironin ti kishin shqiptarët
si palë me të drejta të barabarta në këtë
aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre
për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët
nuk hynë në një aleancë, krerët e
së cilës synonin ti përdornin ata si
mish për top në luftën kundër Perandorisë
Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë
aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre,
do të ishte një vetëvrasje.
Planet aneksioniste të Serbisë, të Malit të
Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë, plane
që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin
e Luftës së Parë Ballkanike, ishin pjellë
e një politike të pajustifikueshme armiqësore
ndaj një populli fqinj, që kishte bërë
një luftë të vazhdueshme kundër sundimit
shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat
i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët.
Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët
e tyre të vriteshin me shqiptarët, që ishin
të vendosur të mbronin deri në fund lirinë
e tërësinë e tokës së tyre, por edhe
u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të
fortë në dorë për të ndërhyrë
në punët e Ballkanit, që të vinin në
orbitën e tyre si popullin shqiptar, ashtu edhe popujt
fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike
krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të
ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë,
në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë
fryma e luftës kundër zgjedhës osmane, nga
ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë
rreziku që kërcënonte Shqipërinë
nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit
të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin
e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin
kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.
Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe
kësaj radhe, në këto çaste tepër
kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në
vatër dhe e sulmuar nga agresorë të rinj. Ky
rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha
klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara
tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja
e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që
duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe
e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga
katastrofa që kërcënonte Turqinë.
Qysh në fillim të tetorit gazeta Liri e Shqipërisë,
që përfaqësonte opinionin e kolonisë shqiptare
të Sofjes, duke parashikuar ngjarjet, u drejtohej shqiptarëve
me thirrjen: ... të marrim armët dhe të
mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë,
duke kërkuar autonominë e Shqipërisë.
Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve tu përmbaheshin
udhëzimeve të Sami Frashërit në veprën
Shqipëria çka qënë, çështë
e çdo të bëhetë?, d.m.th.
ti jepnin një goditje të fortë Turqisë
për të mos u rrokullisur me të në greminë.
Ndryshe e vlerësuan gjendjen kolonitë shqiptare
të mërgimit në ShBA. Ato u nisën nga fakti
se Turqia, megjithëse ishte armike e Shqipërisë,
u kishte njohur shqiptarëve disa të drejta kombëtare,
kurse pjesëtarët e Aleancës Ballkanike synonin
ta copëtonin atë krejtësisht. Prandaj mbledhja
e përfaqësuesve të kolonive shqiptare të
ShBA-së, që u bë më 6 tetor 1912 në
Boston, duke ... marrë në sy atë që
po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë
Shqipërinë në mes tyre, deklaronte: Është
detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë
plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë
- shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë.
Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike,
qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante
në vetvete një rrezik të madh për vendin.
Përkrahja pa kushte që shqiptarët do ti
jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës
Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria
të pësonte të njëjtin fat që do të
pësonte Turqia në Ballkan dhe do tu jepte
një argument të fortë qeverive të Aleancës
Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit
publik ndërkombëtar planin e copëtimit të
Shqipërisë si një provincë e thjeshtë
turke.
Brenda në Shqipëri nismën për një
veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e vështirë
dhe e ndërlikuar e krijuar nga Lufta Ballkanike, e morën
shoqëritë atdhetare, Komiteti Shpëtimi
dhe Shoqëria e Zezë për Shpëtim
që ishte krijuar në Shkup. Përfaqësuesit
e tyre Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mithat Frashëri
etj., organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një
mbledhje, për të cilën ishte marrë qysh
përpara edhe miratimi i Hasan Prishtinës e i Bajram
Currit, që kishin shkuar në front për organizimin
e mbrojtjes së tokave shqiptare.
Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria
Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi tu njoftonte
Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët
jo për të forcuar sundimin e Turqisë në
Ballkan, por për ti dalë zot tërësisë
tokësore e lirisë së Shqipërisë.
Pra, vijonte deklarata, shqiptarët nuk do të pranonin
për katër vilajetet veçse një formë
të vetme qeverisjeje. Ky vendim përputhej me atë
që ishte shprehur nga gazeta Liri e Shqipërisë
dhe ishte vendimi më i drejtë e më realist
që mund të merrej në këto rrethana. Ai
iu dorëzua përfaqësuesve të fuqive të
huaja në Shkup më 16 tetor.
Mbledhja e Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili
do të shkonte në Malësi të Madhe për
ti shkëputur malësorët nga bashkëpunimi
me Malin e Zi. Ky delegacion u autorizua gjithashtu të
merrej vesh me krahinat e tjera të vendit për organizimin
e një kuvendi kombëtar që do të vendoste
për fatin e atdheut. Por ai nuk mundi të arrinte
në Malësi të Madhe; ngjarjet në frontin
e luftës ishin zhvilluar me një shpejtësi të
tillë, që e detyruan të ndalej përkohësisht
në Pejë e në Gjakovë, ku mori autorizimin
nga popullsia për ta përfaqësuar atë në
veprimtaritë që po ndërmerreshin kundër
copëtimit të vendit. Prej këtej delegacioni
i Kosovës u drejtua në Shqipërinë e Mesme
e të Jugut, ku ishin marrë nisma nga rrethet atdhetare
lokale për organizimin e kuvendit kombëtar dhe kishte
filluar zgjedhja e delegatëve.
Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një
kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke
në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen
qëndresën e forcave turke, të përqendruara
në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës.
Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona,
sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra
në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh
ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.
Mbreti Nikolla i Malit të Zi, ndërsa u premtonte
malësorëve se do të respektonte flamurin shqiptar,
në thirrjen drejtuar popullit malazez e ftonte këtë
tu jepte dorën vëllezërve nën
zgjedhë të Malësisë, të cilët
prej më shumë se dy vjetësh luftonin për
të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin
me Malin e Zi. Kur doli në shesh mashtrimi i mbretit
malazez dhe kur në tokat shqiptare të pushtuara,
në vend të flamurit kombëtar u ngrit ai i Malit
të Zi, malësorët, që kishin marrë
pjesë aktive në këtë luftë krahas
ushtrive malazeze, u tërhoqën në masë
nga lufta.
Edhe mbreti serb Pjetër, në manifestin që shpalli
në fillim të fushatës ushtarake serbe, deklaronte
në mënyrë demagogjike se do tu sillte
edhe shqiptarëve lirinë, vëllazërinë
dhe barazinë.
Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në
rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh
në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në
drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe
Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan
nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë
dhe Javor-Priepolje.
Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria
turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare
shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga
depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit
të Luftës për tu dërguar shqiptarëve
50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë,
shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën
e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të
përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga
gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.
Shqiptarët e Kosovës, veçanërisht ata
të Llapit dhe të krahinave përreth, u qëndruan
me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor),
në veri të Podujevës, forcave të Armatës
së parë dhe të tretë serbe. Ushtria turke
një ditë para betejës braktisi frontin në
disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët
e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe
mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë u mbeti
vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga
Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të
Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në
Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Pasi morën Merdarin, forcat serbe të Armatës
së parë depërtuan në Podujevë dhe,
së bashku me ushtritë e Armatës së tretë,
më 20 tetor filluan sulmin mbi Prishtinën. Vullnetarët
shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë
të municionit u tërhoqën nga qyteti, që
ra po atë ditë në duart e serbëve. Më
23 tetor u pushtua Vuçiterna dhe pas saj Mitrovica.
Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën
e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor
Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000
luftëtarë, të cilët u hodhën në
kufirin me Serbinë, ku së bashku me forcat e vendit
u bënë ballë njësive të Armatës
së tretë serbe. Luftimet në këtë
trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë,
duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe
më 15 tetor. Pasi theu qëndresën e shqiptarëve
në kufirin juglindor të Kosovës, ushtria serbe
mundi të pushtonte më 24 tetor qytetin e Gjilanit.
Më 23 tetor serbët pushtuan Vuçiternën
dhe pas saj Mitrovicën.
Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi
veprime të tjera në përmasa të mëdha,
të cilat kishin si objektiv të parë pushtimin
e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për
të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt
pjesës perëndimore të Shqipërisë.
Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi
një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24
tetor pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë
iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000
vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e
25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm
mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen
e 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën drejt
Kaçanikut.
Por luftimet më të mëdha u bënë në
Grykën e Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2
000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat serbe, pasi
lanë këtu shumë ushtarë të vrarë
e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë
grykë. Më 30 tetor u pushtua Prizreni.
Beteja më e madhe e trevës së Kosovës
ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën
ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë
nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur
në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis
tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë,
përveç forcave vullnetare të ardhura nga
treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në
Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më
26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan
pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi
faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë
ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare
në pjesën perëndimore të vilajetit të
Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës
e të Janinës.
Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës
në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri
të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën
amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin
dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur
vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës
u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve
të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm
i shqiptarëve, që u vranë në këtë
betejë, arrin në 10 000 veta.
Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen
drejt pjesës perëndimore të vilajetit të
Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.),
drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin),
të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër
luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën
e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në
Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu
drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën
drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që
kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin
e Shkodrës.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane,
edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në
gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve
ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej
dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në
dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të
vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën
më të madhe të Shqipërisë dhe arritën
në jug deri në luginën e Shkumbinit, në
vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke
në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën,
shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë,
të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët
e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë,
si edhe shtypi i tyre, filluan ti deklaronin gjithnjë
më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë,
duke i justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë
së fiseve të egra e barbare
shqiptare për të formuar shtetin e vet.
Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari
gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze
e serbe dhe më vonë greke kundër popullsisë
shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët
e as pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të
tjera të Shqipërisë u shoqërua me vrasje
në masë të luftëtarëve kosovarë
dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë.
Qëllimi i Beogradit ishte që Serbia të
bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional.
Proklamatave të mbretit të Serbisë, për
barazinë e shqiptarëve me serbët në shtetin
e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të luftës
urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët
serbë pranonin haptazi atëherë se ne
i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm
ç'qenë shqiptarë. Deviza e ushtrisë
serbe ishte: Të shfarosim shqiptarët!.
Kudo që shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës
dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët
mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në
dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor
1912, u vranë 25 000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve
ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar
të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në
ato vise. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna,
Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj.,
iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth
këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa
banorët e tyre, pa kursyer as gratë, pleqtë
e fëmijët, u vranë ose u dogjën të
gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre.
Ushtria malazeze plaçkiti Gjakovën dhe dogji pazarin
e saj. Sikurse pohonte sekretari i N. Pashiçit, në
rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm
fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin
masakruar. Në Pejë vriteshin çdo ditë
25 shqiptarë. Pasi shtypën qëndresën e
2 000 lumjanëve, serbët, në tetor 1912, masakruan
popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë
pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata
të sapo lindur që u therrën ose u dogjën
të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën
e rrafshuan me tokën thuajse të gjitha fshatrat
e Lumës. Fshati Nishor, në veriperëndim të
Prizrenit u rënua nga goditjet e artilerisë, ndërsa
popullsia u masakrua, u vranë gjithë burrat. Bashkëkohësit
shkruanin se në fshatra të tëra të Kosovës
nuk mbeti i gjallë asnjë njeri.
Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve
të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta,
nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit
të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit
të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë
organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për
të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët.
Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga
Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim
në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët
serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë
në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra
shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu
1 200 veta.
Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve
u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor,
Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum
Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të
lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk
pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë
ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit,
ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.
Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje
në masë të popullsisë shqiptare nga trojet
e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës
së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise
të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth
150 000 shqiptarë.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan
Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre
për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së
në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në
rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të
flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në
të mirë të aleatëve ballkanikë. Në
këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin
jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin
një veprim të ri politik krahas atij të Shoqërisë
së zezë për shpëtim e të rretheve
të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij
veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria
nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore
e të mblidhej një kuvend kombëtar që do
të vendoste për fatin e saj. Nismën për
këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali
dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të
kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën
nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më
5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare
të atjeshme. Aty u vendos të themelohej një
komitet drejtonjës që të merrte në
dorë qeverinë e vendit; të krijohej një
komision që do të shkonte në Evropë për
të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të
Mëdha të drejtat kombëtare e lokale të
popullit shqiptar dhe një komitet në Bukuresht,
që do të bashkërendonte veprimtarinë e
komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë
për ti ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja
e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë
nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi.
Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi
i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që
do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare
Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim
Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi
me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian.
Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak
Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte
filluar në Shqipëri për mbledhjen e një
kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor
ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për
në Vlorë për të marrë pjesë
në një mbledhje të krerëve shqiptarë,
se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin
e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën
e fundit të gjakut për të mos lejuar një
copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie
më vete do të mënjanonte një ndërhyrje
të Austrisë dhe të Italisë.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri,
që do tu paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat
e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë
austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena
ishte për një Shqipëri autonome. I tillë
ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet
diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha.
Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë
nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan
ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat
serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në
tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e
çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së
pavarësisë. Në këtë përfundim
arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali,
i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste,
ku kishte arritur bashkë me shokët, se: ...
menjëherë pas mbërritjes së tij në
Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë
dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme. Nga
Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë
për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar
iu dërgua një telegram, me anë të të
cilit kërkohej që të merreshin masa për
thirrjen e delegatëve.
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë
dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën
me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku
gjetën një truall të përgatitur qysh më
parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto
rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin
caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej
mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës
më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët
durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin
kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga
armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi,
arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin
këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat
nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur,
por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga
ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë,
të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në
përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte
lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një
konflikti të armatosur me shqiptarët, në një
kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët
ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje
në perëndim ishte Shqipëria.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit,
të Shijakut, të Tiranës e të Krujës,
Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në
Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan
në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës,
dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë.
Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën
me festë. Një zjarr i shenjtë patriotizmi,
- shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar
qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste
kudo me entuziazëm dhe gëzim.
Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më
26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura.
Për këtë qëllim ai ngriti një komision
organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve
një qarkore, me anën e së cilës porositeshin
të mobilizonin njerëzit e aftë për armë
dhe ti mbanin ata në gatishmëri.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi
në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës,
Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre
qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë
për ti vënë autoritetet ushtarake serbe
përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor
Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen
atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më
27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të
ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej
gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në
mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin
në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit
e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të
nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në
Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë
të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të
cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan
duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin
të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre
ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit
merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka,
Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë
Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë
Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla,
Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër
Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi,
Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka,
Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci
etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë
kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim
të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit.
Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për
shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën
të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga,
Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në
burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse
u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë
rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të
gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë
edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë
serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një
asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi
shprehje e vendosmërisë së të gjithë
shqiptarëve për tu bashkuar në shtetin
e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin
të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për
të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin
osman dhe për luftërat e shqiptarëve për
të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje
se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike e
vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë
nga Turqia.
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët,
të cilët nënshkruan dokumentin historik për
Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: ...
Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e
lirë e mosvarme.
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë
përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur
jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën
këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste,
ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët
e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat
Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat
e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme
e kryesuar nga Ismail Qemali.
Rëndësia historike e Shpalljes së Pavarësisë
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi
jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë,
mbylli një epokë të tërë luftërash
e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe
zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë
territoriale të atdheut e për të formuar shtetin
e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën
e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë
të re, një epokë luftërash e përpjekjesh
të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e
fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për
të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar
rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte
fitoren e përbashkët të të gjitha trevave
shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e
deri në Çamëri në jug, prej brigjeve
të Adriatikut e të Jonit në perëndim e
deri në fushat e Kosovës, të Tetovës,
në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës
e të Kumanovës, në lindje. Këto treva,
duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë
e me penë në lëvizjen për çlirimin
kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë
shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më
të mirë dhe i hapën rrugën formimit të
shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në
emër të të gjithë shqiptarëve, të
të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit
e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë
një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e
Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar
si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare
dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë
e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve
ballkanike. Edhe deklaratat e notat e protestës, që
kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të
tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin
e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake
nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë,
u bënë në emër të Asamblesë
Kombëtare që përfaqësonte të gjitha
trojet e banuara nga shqiptarët.
Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme
historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar,
i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve
të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte
një e drejtë që buronte nga qenia e tij si
popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin
e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime
e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës,
e drejtë që i takonte për ndihmesën e
vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të
huaj osmanë.
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri
sovran shqiptar.
Për ta siguruar një fitore të tillë popullit
shqiptar iu desh të bënte një luftë të
gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve
grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash
të brendshme e të jashtme kanë bërë
që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin.
Por në çdo etapë ato kanë vënë
në provë forcat materiale e morale të popullit
shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat
e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin
e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX
e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua
mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter
të ndërgjegjshëm kombëtar.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo
e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912
janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve
të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht
ndërmjet tyre si shprehje e vullnetit popullor dhe si
pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik
i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë
shqiptare ishte në të njëjtën kohë
një etapë më e lartë, e përcaktuar
nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat
ndërkombëtare.
Në Gadishullin Ballkanik Shqipëria, sikurse Maqedonia,
ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i
sulltanëve osmanë, në një kohë kur
popujt e tjerë fqinjë kishin, kush më shumë
e kush më pak, dhjetëra vjet që bënin
jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë
u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë
e politikë, të brendshëm e të jashtëm,
që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të
saj.
Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim
një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese
e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë
e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë.
Megjithatë, edhe pse Shqipëria ishte një vend
i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një
perandorie të madhe, një faktor themelor që
e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare
ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë
gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar
i vetëm, pa ndihmën e jashtme e pa aleatë.
Për më tepër, shtetet ballkanike fqinje, të
cilat të parat patën siguruar pavarësinë,
luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet
diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të
armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim
me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik
dhe të copëtimit të Shqipërisë. Edhe
Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë
shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë
të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët
e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të
pavarura, për një kohë të gjatë,
mbajtën një qëndrim mospërfillës
ndaj çështjes shqiptare.
Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe
fakti që shqiptarët, të ndarë në
tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme
kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane,
shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një
popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë.
Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk
qenë shkëputur ende në atë periudhë
nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse
perandorive shumëkombëshe teokratike po u vinte
fundi.
Në këto kushte, lufta për pavarësinë
e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse
në forcat e popullit shqiptar dhe mund tia arrinte
qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë
e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet
Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin
me sukses për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte
të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën
e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin
me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua
me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike,
kur në çështjen shqiptare u ndeshën
me forcë interesat e kundërt të Fuqive të
Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve
largpamës dhe, në mënyrë të veçantë,
e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali,
që, duke u mbështetur në luftën e popullit
shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin
e përshtatshëm për të kaluar nga platforma
e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë
në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua
pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po
dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën
të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së
në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë
për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura
edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan
nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë
jo vetëm kundër politikës së Fuqive të
Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit,
por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes
Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria
e Italia, si më të interesuarat për çështjen
shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë
e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit.
Pavarësinë e saj ato e shihnin si një
variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes
shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të
vet, si mjetin që do tu hapte rrugën për
të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë,
për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër
shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të
Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen
e tyre në Ballkan.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta
të Konferencës së Ambasadorëve të
Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës
(1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet
të vetëm gjithë territoret e popullsinë
shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie
Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më
të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar
gjatë shek. XX.
Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike
themelore për organizimin mbi baza më të përparuara
të jetës shtetërore të pavarur të
shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë
ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar
Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu
premisat dhe atë bazë shtetërore e politike,
aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë
çështjen e çlirimit dhe të bashkimit
të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen
përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.
|
 |  |