 |  |
K R E U XI
KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910
1. SHPËRTHIMI I KRYENGRITJES
(MARS - PRILL 1910)
Fillimi i kryengritjes. Kuvendi i Verrave të Llukës
Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat
dhe tatimet e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për
çarmatimin me dhunë të popullsisë, ndjekjet
policore kundër klubeve e atdhetarëve shqiptarë,
si edhe reaksioni xhonturk kundër shkollës e shkrimit
shqip, i acaruan më tej marrëdhëniet e shqiptarëve
me qeveritarët xhonturq.
Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet
atdhetare shqiptare bënë përpjekje për
bashkërendimin e lëvizjes në shkallë kombëtare.
Në fundin e vitit 1909 u themelua në Stamboll Komiteti
i fshehtë shqiptar Ja Vdekje, ja Liri!, i
cili bëri thirrje për formimin e një qendre
të vetme drejtuese dhe për nxjerrjen e një
organi qendror shtypi për të gjitha organizatat
e shoqëritë atdhetare brenda e jashtë vendit.
Komiteti u përpoq ta shtrinte veprimtarinë e tij
edhe në Shqipëri.
Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen
e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve
e të rekrutëve ishte më e fuqishme në
Kosovë, ku shpërtheu hapur pakënaqësia
e shqiptarëve. Qysh në pranverën e vitit 1910
qëndresa e shqiptarëve të Kosovës merr
gjithnjë e më shumë trajtën e një
lufte të armatosur. Të rinjtë, për tiu
shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal dhe formonin
çeta të armatosura. Ndërkohë nisën
përgatitjet për aksione të armatosura në
përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910
i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar
në grupe të armatosura e të përgatitura
për luftë kundër regjimit xhonturk.
Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars
në Gjakovë, por qendra e tyre u bë në
fillim Juniku, ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil
Mehmeti.
Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin
e Idriz Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje
e shqiptarëve të këtij rrethi ku u diskutua
rreth masave për organizimin e kryengritjes së re.
Në fund të muajit mars grupe të armatosura
fshatarësh e malësorësh të anës së
Mitrovicës, të Vuçiternës dhe të
Llapit marshuan në drejtim të Prishtinës për
të protestuar kundër caktimit arbitrar të taksave.
Ata ndërprenë rrugën Prishtinë-Prepalac.
Repartet e garnizonit të Prishtinës më 5 prill
u ndeshën me kryengritësit në Babin Most. Pas
përpjekjeve që u zhvilluan këtu dhe që
zgjatën dy ditë, kryengritësit rrethuan një
batalion të ushtrisë osmane dhe i detyruan forcat
qeveritare të tërhiqeshin në Prishtinë
me humbje të ndjeshme në njerëz dhe në
armatime.
Fitorja e kryengritësve në Babin Most i vuri në
një gjendje të vështirë trupat qeveritare
që mbronin Prishtinën. Garnizoni i saj përbëhej
prej një regjimenti kavalerie dhe një batalioni
këmbësorie, të cilët nuk ishin në
gjendje të mbanin qytetin dhe as të ndërmerrnin
veprime jashtë tij. Më 7 prill u dërgua nga
Ferizaj në Prishtinë një kolonë e përbërë
prej 6-7 batalionesh. Me gjithë përforcimet që
i erdhën, garnizoni i Prishtinës qe i detyruar të
qëndronte në pozita mbrojtëse.
Pas fitoreve të para të forcave kryengritëse,
gjendja në vilajetin e Kosovës u bë e vështirë
për autoritetet xhonturke. Garnizonet ushtarake të
vilajetit ishin të pamjaftueshme për ta shtypur
menjëherë kryengritjen.
Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vrasja
e komandantit të ushtrisë në Pejë, e majorit
Rushit Beu, dhe plagosja e mytesarifit të atjeshëm,
Haki Beu, u pasua nga veprimet që çetat e Shalës
dhe të Berishës ndërmorën kundër
një batalioni ushtarësh.
Në të njëjtën kohë kryengritësit
e rrethinave të Prizrenit i detyruan repartet ushtarake
osmane të mbylleshin në qytet, ndërsa pjesën
tjetër të tërhiqej në drejtim të
Fushë-Kosovës. Në fillim të prillit kryengritësit
kishin zënë të gjitha pikat strategjike në
afërsi të qyteteve të Prishtinës, të
Pejës e të Prizrenit.
E shqetësuar nga këto ngjarje, qeveria xhonturke,
në mbledhjen që mbajti më 7 prill, vendosi
që të merreshin masa të rrepta ushtarake kundër
kryengritësve. Në mesin e muajit prill në trevën
verilindore të Shqipërisë qenë përqendruar
rreth 36-40 batalione këmbësorie, që bënin
pjesë në korpuset I, II dhe III të ushtrisë
osmane të vendosur në pjesën evropiane të
Perandorisë, si dhe gjashtë bateri të artilerisë
malore e gjashtë bateri të artilerisë fushore
me 50 gryka zjarri.
Përballë zhvillimit të shpejtë të
ngjarjeve në rrethet e Prishtinës, të Pejës
e të Prizrenit, qeveria xhonturke mori masa për
të penguar zgjerimin e kryengritjes. Me dekretin perandorak
të sulltan Mehmet Reshatit V u shpall në zonën
e kryengritjes gjendja e jashtëzakonshme; urdhërohej
të shpërndaheshin sa më shpejt forcat kryengritëse;
të arrestoheshin dhe të nxirreshin para gjykatës
ushtarake organizatorët e kryengritjes; të bëhej
regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë së
patundshme; të zbatohej shërbimi i detyrueshëm
ushtarak; të mblidheshin me forcë taksat etj. Porta
e Lartë urdhëroi Ministrinë e Luftës që
të përgatiste sa më shpejt ekspeditën
ndëshkimore, në krye të së cilës
do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët
më të zotë të ushtrisë osmane aso
kohe.
Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake
që Porta po përgatiste kundër Kosovës,
u pa e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake,
të cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve
shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në
mesin e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës,
në afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke,
me gjithë përpjekjet që bënë, nuk
arritën ta pengonin mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura
e tyre, e kryesuar nga disa bejlerë të Pejës,
nuk arriti gjithashtu të qetësonte dhe të shpërndante
turmat e armatosura. Tubimi u zhvillua nën drejtimin
e Shaban Binakut, të Isa Boletinit, të Sulejman
Batushës dhe të krerëve të tjerë.
Në Kuvend u vendos pajtimi i të gjitha gjaqeve deri
në Shën Mitër. Më pas pjesëmarrësit
lidhën besën e vendosën që të gjitha
viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin
me kryengritjen. U përcaktuan gjithashtu me hollësi
masat organizative dhe ushtarake për përballimin
e ekspeditës së Shefqet Turgut pashës. Kuvendi
parashikonte edhe masa ndëshkuese për ata që
do ti kundërviheshin besës së lidhur.
Kuvendi i Verrave të Llukës nuk mori vendime me
karakter politik, nuk doli me kërkesa në rrafsh
kombëtar. Me sa duket, organizatorët e tij mendonin
se këto do të ishin objekt i një mbledhjeje
shumë më të gjerë dhe me përfaqësues
në shkallë kombëtare. Megjithatë, tubimi
pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm
të kryengritjes, për organizimin dhe për bashkërendimin
e veprimeve të saj të armatosura. Aty u hodhën
themelet e bashkimit luftarak të shumicës së
krahinave të vilajetit të Kosovës, kryesisht
të pjesës perëndimore e qendrore.
Përkrahja e kryengritjes nga grupi parlamentar shqiptar
Sapo filloi kryengritja, grupi i deputetëve shqiptarë
në parlament u vu në mbrojtje të saj. Më
9 prill 1910, 13 prej tyre (nga gjithsej 26 që përfaqësonin
popullsinë shqiptare në atë organ) i paraqitën
parlamentit një relacion për gjendjen e vështirë
të krijuar në Shqipëri si rrjedhim i politikës
nacionaliste të Komitetit Bashkim e Përparim.
Në deklaratën që deputeti i Kosovës, Nexhip
Draga, bëri më 10 prill në emër të
grupit të deputetëve shqiptarë e quajti të
padrejtë dhe e dënoi vendimin e qeverisë për
shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në
vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali, Myfid Libohova dhe
deputetë të tjerë shqiptarë sollën
prova që dëshmonin se ngjarjet e Prishtinës
ishin pasojë e administrimit të keq të vendit,
e sjelljeve arbitrare të nëpunësve vendorë,
si dhe e karakterit anakronik të mënyrës së
qeverisjes që zbatonin xhonturqit.
Deputetët shqiptarë folën posaçërisht
për arbitraritetin në vjeljen e detyrimeve shtetërore
nga autoritetet vendore. Në këtë ndikonte mungesa
e legjislacionit përkatës, si edhe formulimet e
errëta e të papërcaktuara mirë të
ligjeve ekzistuese. Në Shqipëri filluan të
vileshin edhe tatime të tilla, siç ishte ajo e
oktrovës, një taksë doganore, e cila nuk vilej
ende as në rajonet më të zhvilluara të
Perandorisë, si në Stamboll, në Izmir, në
Selanik.
Deputetët shqiptarë deklaruan se do të ishte
më e udhës dhe më dobiprurëse që
në Shqipëri në vend të ekspeditave ushtarake
të dërgohej një komision parlamentar. Ata kërkuan
që në Shqipëri të sendërtoheshin
hap pas hapi reforma rrënjësore, të caktoheshin
nëpunës të aftë e të ndershëm,
të cilët të njihnin ligjet dhe drejtësinë.
Hasan Prishtina nguli këmbë që ky komision
të hetonte në vend shkaqet e kryengritjes.
Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve
shqiptarë në parlament, kryeministri turk u përpoq
ti përligjte e ti motivonte masat ushtarake
të qeverisë në Kosovë me pozitën
e veçantë strategjike të kësaj treve
dhe të mbulonte shkaqet e vërteta të lëvizjes
kryengritëse në Shqipëri, të cilën
e quante vepër të disa ngatërrestarëve.
Ismail Qemali, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria që
të nxirreshin në shesh shkaktarët e vërtetë
të gjendjes së krijuar në Shqipëri. Në
një takim të veçantë me ministrin e
Luftës të Perandorisë ai kërkoi që
të ndërpriteshin veprimet ushtarake kundër
shqiptarëve. Por këto kërkesa ranë në
vesh të shurdhër. Qeveria pranoi se ishin bërë
disa gabime nga administrimi i keq prej disa nëpunësve
vendorë dhe premtoi se do të merrte masa për
riparimin e tyre. Në të njëjtën kohë
ajo siguroi miratimin nga parlamenti të kërkesës
së saj për dërgimin e trupave ushtarake plotësuese
në Kosovë.
Orvatjet e deputetëve shqiptarë për të
penguar dërgimin e ekspeditës ushtarake të
komanduar nga Shefqet Turgut pasha në Kosovë nuk
dhanë fryt. Edhe propozimet e tyre për të dërguar
në Shqipëri një komision parlamentar për
hetimin e gjendjes në terren dhe në mënyrë
të veçantë të shkaqeve të kryengritjes
u hodhën poshtë. Qeveria xhonturke ishte tashmë
e vetëdijshme se ngjarjet në Shqipëri ishin
shenjë e një konflikti politik shqiptaro-turk, pas
të cilit fshiheshin aspiratat autonomiste të shqiptarëve.
Këtë realitet u përpoq tua bënte
të qartë Ismail Qemali edhe diplomatëve të
huaj në Stamboll. Duke i përcjellë ambasadorit
austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që
deputetët shqiptarë parashtruan në parlamentin
osman, ai theksoi se shqiptarët kërkonin zbatimin
e reformave, të cilat do tu përshtateshin
rrethanave të veçanta të vendit dhe nevojave
të tij. Kundërshtimi i tyre, theksonte ai, do të
çonte në thellimin e mëtejshëm të
kryengritjes popullore. Ismail Qemali i bënte të
ditur përfaqësuesit të Vjenës në
Stamboll, se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin
të siguronin një ndërtesë më
vete, çka nënkuptonte autonominë e
Shqipërisë.
2. VEPRIMET LUFTARAKE
Sukseset e para të kryengritësve
Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në
krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në
kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në
Shkup.
Në proklamatën që i drejtoi popullsisë
së Kosovës para se të fillonte operacionin
ushtarak, Shefqet Turgut pasha u orvat ta përligjte atë
në sytë e popullsisë së revoltuar dhe
të bindte kosovarët se qeveria ishte shtrënguar
të dërgonte ushtrinë në këtë
vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake të komanduara
prej tij nuk qenë dërguar për të shkaktuar
gjakderdhje, por për të vendosur rregullin e qetësinë
dhe për të ndëshkuar të gjithë ata
që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte gjithashtu
se qeveria dëshironte ti siguronte popullit shqiptar
të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në interesin
e tij dhe të shtetit që të gjithë kryengritësit
të dorëzoheshin.
I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane
që u vunë përballë kryengritësve
shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me
këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në
mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm
kundër forcave kryengritëse.
Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e
tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët
e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën
komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në
Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll
vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me
forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në
perëndim të Ferizajt deri në anën jugore
të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë,
i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë
të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën
e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte
e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën
Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin
e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit
në drejtim të pjesës së brendshme të
Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan
në Shkodër, në Dibër e në Mat me
thirrjen për tu bashkuar me kryengritjen, ndërsa
agjitatorë të tjerë filluan të vepronin
në radhët e reparteve turke për ti bindur
ushtarët shqiptarë të dezertonin.
Në fazën e parë të operacioneve ushtria
osmane pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj,
e cila kishte për detyrë të dilte në fshatin
Pozharan dhe me një veprim të shpejtë ti
rrethonte forcat kryengritëse të grupuara në
këtë rajon, ndeshi në një qëndresë
të ashpër dhe e ndërpreu përkohësisht
marshimin e mëtejshëm.
Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën
perëndimore të zonës kryengritëse. Forcat
osmane të përqendruara këtu, më 21 prill,
pas luftimesh të rrepta, arritën ti afroheshin
Shtimjes që mbrohej nga kryengritësit. U ndërpre
lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin. Luftimet
vijuan në Shtimje gjithë ditën, me humbje të
mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen
ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë
mbështetjen e zjarrit të artilerisë, nuk mundi
ta merrte Grykën e Shtimjes. Në pritje të përforcimeve
të reja nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej
nën goditjet e vazhdueshme të kryengritësve.
Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtimje përshpejtoi
veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës
dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt
Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës,
nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në
dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në
shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë
atë në një pozitë kritike. Kryengritësit
vunë nën kontroll të plotë hekurudhën
Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore
me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre
veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në
Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.
Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës
dhe shtënia në dorë e Shkallës së
Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake
të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin
e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë.
Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë
të mirë të territoreve të vilajetit të
Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin
të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit.
Ata paralizuan pushtetin civil të administratës
xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në
qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të
Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të
ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë
tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.
Beteja e Kaçanikut
Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet
Turgut pasha dhe e përbërë në fillim nga
9 000-10 000 veta, e përforcuar me reparte kalorësie
dhe e mbështetur nga zjarri i artilerisë, filloi
mësymjen kundër 3 000-4 000 kryengritësve shqiptarë
të përqendruar në Shkallën e Kaçanikut
të udhëhequr nga Idriz Seferi. Para sulmit të
përgjithshëm ushtria osmane goditi me artileri fshatrat
përreth. Masakrimi i grave, i fëmijëve dhe
i pleqve që kishin mbetur atje, nuk solli, ashtu siç
e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha, shkurajimin e mbrojtësve
shqiptarë të Grykës së Kaçanikut.
Përkundrazi, me gjithë epërsinë e madhe
numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen
sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1
maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën
e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan
aftësi të veçanta luftarake.
Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti
në luftime kundër kryengritësve në Kosovë
arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë
e madhe e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut.
Megjithëse ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme
mbi forcat kryengritëse, këto i përballuan
sulmet e tyre për shtatë orë rresht, duke kaluar
edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit e
kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm,
ashtu edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën
të dilnin nga rrethimi në mënyrë të
organizuar dhe, duke u tërhequr në drejtim të
Gjilanit, vijuan ta godisnin armikun.
Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi
humbje të mëdha. Sipas të dhënave të
ndryshme u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90
oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në
Kaçanik më shumë se një të katërtën
e forcave, që kishte nën komandën e tij; u
shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi
të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Njësi
të posaçme të ushtrisë turke dogjën
fshatrat që nuk kishte arritur ti rrafshonte artileria.
Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak dënoi kryengritësit
e zënë robër dhe përkrahësit e tyre.
Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej para
popullsisë vendase të grumbulluar me forcë
dhe nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të
bandës ushtarake.
Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan
në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe
jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën
popullore.
Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha,
në ditët e para të majit, i përforcuar
edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku,
filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë.
Një kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi,
gjatë marshimit të saj nëpër Kumanovë,
përgjatë hekurudhës, ndeshi në të
hyrë të Grykës së Konçullit, në
mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën
e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi.
Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane
u rezistuan për disa ditë forcave osmane, derisa
atyre u erdhi në ndihmë një kolonë tjetër.
Megjithatë, qëndresa e kryengritësve vijoi
edhe më pas, por në grupe më të vogla,
të përbëra nga 150-200 veta. Edhe në këto
vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje, u vuri zjarrin
fshatrave të tëra.
Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në
mësymje në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu
u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin
në zonën Shtimje-Carralevë, të komanduara
nga Isa Boletini?, numri i të cilave nuk i kalonte 4
000 vetat. Për dy ditë dhe dy netë rresht u
zhvilluan atje luftime të ashpra. Megjithëse nisi
nga Ferizaj reparte të garnizoneve të Prizrenit
dhe të Mitrovicës, që vepronin anës Grykës
së Carralevës, komanda osmane nuk arriti ti
rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt
u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan
të kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti
të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë
për tu rënë prapa krahëve kryengritësve.
Taktika që përdorën udhëheqësit e
kryengritësve, sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi
për një kohë për të përballuar
epërsinë e armikut në njerëz dhe në
armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë e detyroi
ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që
të vihej vetë në krye të fushatës
ushtarake në Shqipëri.
Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)
Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut,
Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të
operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin
Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri
kolona, të mbështetura nga artileria malore.
Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës,
që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita
e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë
forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë
dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me
porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë,
mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë
vënë në shërbim të ushtrisë
turke.
Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve
u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse
në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm
e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë,
por edhe e fshatrave të pambrojtura.
Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime
të përgjakshme. Forcat osmane mundën të
çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime
të tjera.
Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura
të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të
zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit
e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri.
Edhe pse u gjendën përballë një armiku
që kishte epërsi në njerëz e në armatime,
shqiptarët vijuan qëndresën në këtë
pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit
dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në
çast, e bënë të pamundur përballimin
e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane.
Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë
ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira
e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes
mundën të marrin me vete shokët e plagosur,
midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin,
që u dallua në këto luftime si udhëheqës
e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.
Pas rënies së Grykës së Carralevës,
ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore
e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh
të rrepta, të mbështetura nga artileria, që
nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës
e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga
Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane,
hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato
u futën në Pejë dhe në Gjakovë.
Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë
së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme,
kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më
e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën
komandë një forcë të përbërë
prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie,
e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin
e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa
terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet
ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës.
Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët
që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës
osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë
se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk
në Kosovë, që ishte bërë Vendi
i litarit, ishin aq të mëdha, sa nuk mund
të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.
Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë
dhe në Qafën e Agrit
Në qershor ushtria osmane vijoi veprimet luftarake në
zonën e Drenicës dhe përreth saj. Por paqësimi
i Kosovës nuk qe i lehtë e u shoqërua me humbje
të mëdha. Për këto humbje dëshmon
edhe mbajtja e qindra ushtarëve të plagosur nëpër
hekurudhën Mitrovicë-Selanik. Marshimi i forcave
qeveritare në Kosovë, nën drejtimin e ministrit
të Luftës, u shoqërua me terrorizimin e me
poshtërimin publik të kryengritësve që
nuk iu bindën autoriteteve osmane. Sheshet e qyteteve
Prizren, Rahovec, Gjakovë, Pejë e të tjera
u kthyen në arena të keqtrajtimeve të banorëve
të Kosovës.
Bastisja e shtëpive dhe arrestimet në masë
u bënë në bazë të urdhrit për
dorëzimin e armëve brenda 12 orëve. Burgjet
u mbushën me të burgosur, që u nënshtroheshin
torturave. Edhe krerët, si Shaban Binaku, që do
ti besonin faljes së shpallur nga autoritetet xhonturke,
u ekzekutuan me varje.
Për të nënshtruar përfundimisht Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare dhe sidomos qëndresën e
armatosur të shqiptarëve, repartet osmane, të
riorganizuara në dy divizione, vijuan, gjatë muajve
qershor-korrik 1910, operacionet edhe në zona të
tjera, në perëndim të Rrafshit të Dukagjinit
për tu hedhur më pas në Shkodër
dhe drejt Lumës dhe Dibrës. Këto forca dolën
nga Rugova në Plavë, bllokuan të gjitha shtigjet
e kufirit malazez, për të penguar kalimin e kryengritësve
në Mal të Zi. Nëntë batalione ushtarësh,
pasi kaluan Qafën e Prushit, u hodhën në zonën
e Hasit.
Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi
në drejtim të Malësisë së Gjakovës,
ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve
të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe
të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara
nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku,
zunë pritë në Qafë të Morinës
për të ndalur depërtimin e ushtrisë në
Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni
të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie,
disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke
i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit
e lëshuan Qafën e Morinës për ti
shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.
Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu
forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit,
në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë
u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të
mëdha. Malësorët kryengritës, të
komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u
qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë
netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të
mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin,
në luginën e Shalës dhe të Thethit.
E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë
Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë
me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej.
Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej
në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes
Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës
më 24 korrik 1910.
Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë
pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase,
që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat
e Dibrës së Madhe.
Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku
gjente një qëndresë sado të vogël,
ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur
e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë,
gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të
veçanta të specializuara të ushtrisë
qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë.
Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e
komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë
dhe të pasurisë, të shtëpive, të
tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi,
mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe
ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të
gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.
Për të përforcuar pushtetin e tyre në
vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të
ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese,
vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime
administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë
(kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina
(nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap,
në Malësi, në Rekë, në Podgor, në
Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.
Shtrirja e terrorit xhonturk në viset e tjera
Pas shtypjes së kryengritjes së Kosovës ekspedita
ushtarake e komanduar nga Shefqet Turgut pasha u shtri edhe
në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme.
Synimi i qeverisë xhonturke dhe i qarqeve ushtarake më
të larta të Perandorisë ishte të shtypte
jo vetëm qëndresën e armatosur të shqiptarëve,
por edhe vatrat e organizmat e lëvizjes kombëtare.
Klubet e organizatat e tjera kombëtare shqiptare u fajësuan
si nxitëse të lëvizjes së armatosur. Anëtarët
e klubeve, mësuesit e gjuhës shqipe, madje edhe
ata që ndiqnin kurset e gjuhës shqipe, u bënë
objekt i një terrori të paparë, njëlloj
si pjesëmarrësit e kryengritjes së armatosur
të Kosovës.
Përgjithësisht terrorit iu nënshtruan gjithë
veprimtarët e lëvizjes kulturore e arsimore kombëtare,
edhe pse kjo ishte një veprimtari e ligjshme.
Pre e terrorit xhonturk u bënë edhe qytetet, si
Shkodra, Tirana, Elbasani e vise të tjera, që nuk
qenë përfshirë në kryengritje. Edhe në
këto treva u arrestuan, u burgosën dhe u internuan
nga gjyqet speciale qindra atdhetarë. Për ti
poshtëruar në sytë e popullit dhe për
ta frikësuar atë, këta në fillim i rrihnin
publikisht nën tingujt e bandës ushtarake. U gjykuan
dhe u dënuan në mungesë shumë atdhetarë
të arratisur, të akuzuar për veprimtari antishtetërore.
Me vendim të qeverisë u mbyllën të gjitha
shkollat shqipe, u ndalua nxjerrja e gazetave dhe botimi i
librave në gjuhën shqipe. U pushuan nga puna mësuesit
e gjuhës shqipe të shkollave shtetërore, si
dhe nëpunësit shqiptarë që kishin marrë
pjesë në lëvizjen kulturore e arsimore kombëtare.
Ndjekjeve iu nënshtruan edhe elementët e moderuar.
Deputetët shqiptarë u akuzuan si përkrahës
të kryengritjes dhe për lidhje të fshehta me
kryengritësit.
Veprimtaria e çetave të armatosura vijoi edhe
pas kalimit të forcave osmane, të komanduara nga
Shefqet Turgut pasha, nga Kosova në Shqipërinë
e Veriut e të Mesme, madje edhe kur në Kosovë
u vendosën përsëri forca të shumta ushtarake.
U bënë të shpeshta përleshjet ndërmjet
çetave shqiptare dhe ushtrisë osmane. Përleshje
të tilla të armatosura ndodhën më 15 shtator
1910 afër Mitrovicës dhe më 28 shtator afër
Pejës. Më 15 tetor valiu i Manastirit njoftonte
Stambollin për përpjekjet e ushtrisë me çetat
kryengritëse të Dibrës. Po në tetor valiu
i Shkodrës njoftonte qeverinë se ushtria ishte demoralizuar
krejtësisht dhe se kishte rrezik të bashkohej me
kryengritësit. Më 9 nëntor valiu i Kosovës
informonte qeverinë për sulmet e shqiptarëve
kundër postkomandave ushtarake në nahijen e Beranës.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ushtroi ndikim të
fuqishëm në zhvillimin e mëtejshëm të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Jehona e saj u ndje
edhe në lëvizjet çlirimtare të popujve
të tjerë, të Maqedonisë dhe të Arabisë.
3. QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
NDAJ KRYENGRITJES SHQIPTARE
Qëndrimi i shteteve ballkanike
Duke qenë se nuk mundën të gjenin aleatë
të jashtëm në luftën e tyre kundër
Perandorisë Osmane, krerët e kryengritjes së
Kosovës u përpoqën të siguronin të
paktën krahët nga sulmet e pritshme të armiqve
të jashtëm. Për ta nuk qenë të panjohura
synimet shoviniste të qarqeve politike të shteteve
fqinje, që mund të shfrytëzonin luftën
shqiptaro-osmane për plotësimin e qëllimeve
të tyre. Megjithatë, krerët e kryengritjes
u kërkuan autoriteteve shtetërore të vendeve
fqinje ndihmë ushtarake, madje u bënë edhe
propozime për aleancë.
Kështu, krerët e qëndresës së armatosur
në Llap e në Shalë, sapo nisi kryengritja në
muajin prill, kërkuan të mësonin nga konsulli
i Serbisë në Prishtinë nëse Beogradi ishte
i gatshëm ti ndihmonte me armatime e municione
dhe ti strehonte në rast se do të ishin të
detyruar të tërhiqeshin nga lufta kundër forcave
osmane. Në përputhje me udhëzimet që kishte
marrë nga ministri i Jashtëm Millovanoviç,
konsulli Rakiq u tha shqiptarëve se në rast nevoje
mund të gjenin strehim në Serbi, ndërsa kërkesën
e tyre për armatime e kundërshtoi në mënyrë
të prerë, me pretekstin se shqiptarët e kishin
mbajtur të fshehtë nga Serbia përgatititjen
e kryengritjes.
Qëndrimi negativ i qeverisë serbe ndaj kërkesave
të shqiptarëve për ndihmë diktohej nga
marrëdhëniet e mira që Serbia kishte në
atë kohë me Turqinë, të cilat kushtëzoheshin
nga interesat ekonomikë, politikë dhe ushtarakë
të çastit. Kryengritja kundërosmane në
Kosovë filloi në kohën kur mbreti Pjetër
I, N. Pashiqi dhe Millovanoviçi, pas vizitës së
tyre në Petrograd, shkuan edhe në Stamboll. Qeveritarët
serbë shpresonin atëherë se do të mund
të siguronin koncesionin e hekurudhës së Adriatikut.
Nga ana tjetër, Bullgaria bënte përpjekje të
lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur
luftën e tyre në të mirë të synimeve
të veta. Për këtë qëllim qeveria
bullgare dhe vetë mbreti Ferdinand mbanin lidhje me organizatat
shqiptare dhe me disa nga krerët shqiptarë. Ndërkaq
qarqet politike dhe shtypi i Sofjes ndiqnin me interesim kryengritjen
shqiptare. Disa prej tyre i shikonin ngjarjet në Kosovë
si fillim i fundit të sundimit osman dhe kërkonin
të përfitohej nga gjendja e krijuar për të
ndërhyrë në Maqedoni. Grupe të tjera politike
bullgare, duke i vlerësuar ngjarjet në Shqipëri
si kalimtare, kërkonin që Bullgaria të mbante
qëndrim korrekt kundrejt Perandorisë Osmane. Megjithëkëtë,
si qarqet oborrtare të Sofjes të kryesuara nga princi
Ferdinand, ashtu edhe qeveria bullgare, duke menduar se kryengritja
shqiptare do ti jepte një goditje të fortë
regjimit xhonturk, parashikonin të nxirrnin përfitime
prej saj. Shtypi zyrtar bullgar shkruante pas fillimit të
kryengritjes, se Bullgaria, si fqinjë e mirë e Turqisë,
dëshironte që qeveria osmane të vendoste qetësinë
e rregullin në viset e përfshira nga kryengritja,
por në rast se kjo kryengritje merrte përmasa të
mëdha dhe shndërrohej në një të keqe
që mund të cenonte paqen në Ballkan e të
sillte pasoja të rënda për bullgarët e
Maqedonisë, atëherë qeveria bullgare nuk mund
të rrinte duarkryq.
Përfaqësuesi diplomatik serb në Sofje u përpoq
të bindte kreun e qeverisë bullgare, se ishte në
interesin e shteteve ballkanike ti liheshin Turqisë
duart të lira për të shtypur kryengritjen shqiptare.
Shqetësimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej
nga Vjena, si pretekst për ndërhyrje në Ballkan,
përbënte një arsye më shumë që
Serbia të tregohej e rezervuar ndaj lëvizjes së
armatosur në Kosovë. Këto zhvillime rrezikonin
planet e saj të kahershme për ekspansionin drejt
territoreve shqiptare. Synimet autonomiste të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare e shtynin edhe më shumë
qeverinë serbe që të kërkonte shtypjen
e kryengritjes së Kosovës. Sendërtimi i tyre
vlerësohej në Beograd si një pengesë shumë
më e madhe për projektet e Serbisë, sesa pushteti
i Perandorisë Osmane mbi trevat shqiptare. Fati i kësaj
Perandorie tashmë ishte përcaktuar. Ajo po i afrohej
me shpejtësi fundit të saj.
Millovanoviçi shprehu mendimin se ishte në interesin
e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike
që konflikti i armatosur i shqiptarëve me xhonturqit
të ishte sa më i përgjakshëm, në
mënyrë që të dyja palët të dobësoheshin
sa më shumë. Sipas parashikimeve të tij, kështu
do të arrihej qëllimi i dyfishtë: nga njëra
anë, dobësimi i Perandorisë Osmane do ta lehtësonte
luftën e ardhshme të Serbisë e të Bullgarisë
kundër saj; nga ana tjetër, shqiptarët e mposhtur
nga ushtria osmane do të arrinin në një gjendje
të tillë sa të pranonin të viheshin nën
Serbinë.
Diplomatët serbë ndiqnin me kënaqësi çarmatimin
e shqiptarëve nga autoritetet ushtarake osmane. Përfaqësuesi
i Beogradit në Stamboll e siguronte ministrin e Jashtëm
të Perandorisë Osmane, se Serbia ishte e gatshme
ti bënte Turqisë shërbimet e nevojshme
për tia lehtësuar mposhtjen e kryengritjes.
Edhe Porta e Lartë e priti me kënaqësi gatishmërinë
e Beogradit për të ndihmuar në qetësimin
e Kosovës.
Pas rënies së Grykës së Kaçanikut,
kur ushtria osmane filloi marshimin në drejtim të
Carralevës, konsulli serb në Prishtinë mori
udhëzime për ti dhënë ekspeditës
turke çdo përkrahje. Me porosinë e tij fshatarët
e mësuesit serbë u vunë në shërbim
të Turgut Pashës. Sipas udhëzimeve që
morën nga oficerët e shtabit turk në Ferizaj,
ata mblidhnin të dhëna për gjendjen, organizimin
e vendndodhjen e forcave kryengritëse dhe përhapnin
lajme të rreme rreth marshimit të forcave të
mëdha osmane për të shkurajuar shqiptarët.
Në kundërshtim me premtimin që u kishte bërë
shqiptarëve në fillim të kryengritjes, Serbia
nuk pranoi ti strehonte kryengritësit. Beogradi
pranoi të strehonte në Serbi vetëm disa prej
krerëve, si Hasan Hysen Budakovën, Zejnel Beun nga
Gjilani, Shaqir Çavdarbashën nga Peja dhe bajraktarin
e Ostrozubit, duke shpresuar se mund ti përdorte
në shërbim të politikës serbe. Qeveria
serbe i ofroi strehim edhe Idriz Seferit, por ky nuk e pranoi
dhe qëndroi në malet e krahinës së vet,
në Karadak.
Ndryshe nga Serbia, Mali Zi, edhe pse nuk e përkrahu
kryengritjen shqiptare, nuk mbajti qëndrim armiqësor
kundrejt saj dhe u dha strehim kryengritësve.
Kryengritësit e anës veriperëndimore të
Kosovës në fillim u vendosën në Bjeshkët
e Namuna. Por mungesa e ushqimeve dhe fillimi i të ftohtit
e bëri të pamundur qëndrimin e tyre të
mëtejshëm në ato anë. Në këto
rrethana, Isa Boletini, në emër të të
gjithë krerëve të kryengritjes, kërkoi
nga Cetina që ti strehonte në Mal të
Zi. Kjo kërkesë u pranua nga qeveria e Malit të
Zi, e cila formoi një komision të posaçëm
për strehimin e emigrantëve. Ata u vendosën
në Cetinë, në Podgoricë, në Shpuzë,
në Nikshiq dhe në Ulqin.
Por pas deklaratave të princ Nikollës për motivet
humanitare që e shtynë të mbante këtë
qëndrim, fshihej synimi i tij për të bërë
për vete krerët shqiptarë, duke shpresuar se
me ndihmën e tyre do të kënaqte lakmitë
territoriale ndaj tokave shqiptare që shkonin deri në
Mat e më gjerë, ndërsa populli malalez i priti
miqësisht refugjatët e ardhur nga territoret shqiptare.
Kryengritja e Kosovës dhe Fuqitë e Mëdha
Fuqitë e Mëdha, duke respektuar politikën e
ruajtjes së status quo-së në Turqinë Evropiane
dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën
kryengritjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan
ngjarjet në Shqipëri si një çështje
thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë
dorë të lirë Stambollit për shtypjen e
kryengritjes.
Por qëndrimi i Fuqive të Mëdha kundrejt lëvizjes
çlirimtare të shqiptarëve e sidomos ndaj
metodave të dhunës e të terrorit që përdori
ushtria turke për paqtimin e territoreve shqiptare, nuk
ishte i njëjtë. Ndërsa Rusia këmbëngulte
pranë Portës së Lartë për ta çuar
deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri,
ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë
e këshillonte Stambollin që të mos shkonte
shumë larg në masat e dhunës ndaj shqiptarëve.
Të njëjtin qëndrim mbajti në përgjithësi
diplomacia gjermane. Nëpërmjet përpjekjeve
diplomatike që bënë pranë qeverisë
xhonturke, Vjena e Berlini i tërhoqën vërejtjen
asaj për masat e tepruara shtypëse. Ato i bënë
të ditur Stambollit se ndjekja e këshillave ruse
për ashpërsimin deri në skaj të konfliktit
me shqiptarët, do të sillte dobësimin e të
dyja palëve dhe do tua lehtësonte shteteve
ballkanike plotësimin e pretendimeve territoriale ndaj
trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin
as Berlini, as Vjena.
Po kështu ministri i Jashtëm i Italisë, San
Xhuliano, nëpërmjet ambasadorit të tij në
Stamboll, ndonëse në mënyrë të kujdesshme
e të matur, i bënte të qartë Portës
së Lartë se edhe Italia nuk e miratonte aksionin
energjik dhe masat e egra të ushtrisë turke në
Shqipëri; ndërsa opinioni publik e shtypi italian
shprehën simpatinë për kryengritjen shqiptare
dhe dënuan politikën e egër të qeverisë
xhonturke kundrejt shqiptarëve. Në këto qëndrime
të dukshme proshqiptare ushtronte ndikimin e vet edhe
mjedisi arbëresh.
Në pjesën tjetër të kontinentit evropian
e të atij amerikan u ndje ndikimi i mitingjeve të
protestës, i agjitacionit dhe i propagandës që
kolonitë shqiptare të mërgimit, shoqatat dhe
komitetet bënë në të mirë të
kryengritjes shqiptare. Një vend të veçantë
zë këtu mitingu i organizuar në Boston.
*
* *
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje
e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim
të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e
një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme
luftarake të kryengritësve në skajin verilindor
të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në
zgjerimin e përmasave të saj.
Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit
osman nuk arriti të shtrihej në një hapësirë
të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ,
as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në
kufijtë e vilajetit të Kosovës nuk u arrit
një bashkërendim i veprimeve luftarake. Ndonëse
luftuan për të përballuar marshimin e ushtrisë
së komanduar nga Shefqet Turgut pasha, kryengritësit
nuk arritën të organizonin një qëndresë
të përgjithshme në gjithë vilajetin. Vatrat
e qëndresës së shqiptarëve, siç
qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës
etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në këto dobësi ndikoi edhe mungesa e një
qendre të vetme drejtuese politike e ushtarake në
shkallë kombëtare ose të paktën ndërkrahinore.
Përveç kësaj, pjesa më e madhe e vendit
qëndroi mënjanë ngjarjeve të Kryengritjes
së vitit 1910 dhe nuk u përfshi në luftën
e armatosur kundër regjimit xhonturk. Shumica e veprimtarëve
të klubeve atdhetare në vilajetet e Shkodrës,
të Janinës dhe të Manastirit nuk ishte ende
e bindur për domosdoshmërinë e luftës
së armatosur. Edhe deputetët shqiptarë, duke
përfshirë edhe ata më radikalët (me ndonjë
përjashtim), nuk qenë të prirur në këtë
kohë për të dalë nga kuadri i luftës
parlamentare, ndërsa komitetet e fshehta në Jug
të vendit, ndonëse ishin përkrahës të
kryengritjes së armatosur, nuk ishin të përgatitur
për të mbështetur me veprime të armatosura
kryengritjen e Kosovës.
Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët
u ndodhën përballë një ushtrie të
madhe në numër, në armatime e në pajisje
luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur,
të stërvitur nga instruktorë të huaj.
Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të
shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që
vijuan ti përmbaheshin politikës, tashmë
tradicionale, të ruajtjes së status quo-së.
Megjithëse Kryengritja e armatosur e vitit 1910 u shtyp,
qeveria turke u detyrua të bëjë ndonjë
lëshim. Në vjeshtën e vitit 1910 ajo hoqi ligjin
për bandat, lejoi hapjen e ndonjë shkolle shqipe,
pa hequr dorë nga përpjekjet për ti detyruar
shqiptarët që të përdornin alfabetin arab,
ndërpreu zbatimin e masave për çarmatimin,
për rekrutimin ushtarak e për mbledhjen e taksave
dhe premtoi se do të përdorte një fond të
posaçëm për ndërtimin e shtëpive
të djegura e të rënuara gjatë fushatave
ushtarake të vitit 1910. Për të penguar një
shpërthim të ri të kryengritjes në Kosovë,
Porta e Lartë dërgoi atje disa komisione që
u ngarkuan të qetësonin vendin duke u marrë
vesh me krerët shqiptarë.
|
 |  |