 |  |
K R E U V
KULTURA DHE ARSIMI NË SHEK. XVI-XVIII
Koha e përhapjes së fjalëve shqip, shqiptar
dhe Shqipëri
Pas shpërnguljes së arbëreshëve për
në Greqi dhe në Itali (shek. XV), fjalët e
dikurshme Arbën/Arbër, (i) arbënesh/arbëresh
dhe arbënisht/arbërisht, në vetë trojet
shqiptare erdhën e u zëvendësuan dalëngadalë
me fjalët shqip, shqip-tar dhe Shqip-ëni/Shqip-ëri.
Nga këto më herët dokumentohet fjala e parme
shqip, të cilën e ndeshim një herë të
vetme qysh në Mesharin e Gjon Buzukut (1555,
faqe XXV):
qi vjen me thashunë shqip
Fjala
shqip, me vlerë ndajfoljore, ndeshet pastaj katër
herë në veprat e Budit (1618 dhe 1622), tek i cili,
ashtu si te Buzuku, nuk ndeshet fare ndajfolja arbënisht.
Kurse Bardhi në Fjalorin latinisht-shqip të vitit
1635 përdor vetëm ndajfoljen arbënisht. Ndajfoljen
shqip e gjejmë të përdorur (dy herë) edhe
në veprën e Bogdanit të vitit 1685. Por te
Budi, Bardhi e Bogdani gjejmë të përdorur rregullisht
(dheu) i Arbën-it dhe (gjuha) e arbëneshe.
Fakti që fjalën e parme shqip Buzuku, Budi dhe të
tjerë pas tyre e kanë përdorur në vend
të fjalës së prejardhur arbën-isht, dëshmon
që ndajfolja shqip është më e hershme
se shekulli i Buzukut (shek. XVI), por mbetet e paqartë
përse ajo nuk ndeshet në materialet e ruajtura nga
arbëreshët e Greqisë dhe të Italisë.
Gjithsesi, kuptimi i saj nistor duhet të ketë qenë
qartë, hapur, troç dhe vetëm
më pas ajo ka marrë kuptimin e ndajfoljes arbën-isht/arbër-isht,
të cilën më vonë edhe e ka zëvendësuar
dalëngadalë në trojet e banuara nga vetë
shqiptarët. Me kalimin e kohës, mbi bazën e
kësaj fjale me anë të prapashtesës tar
është formuar fjala e prejardhur shqip-tar, që
dëshmohet së pari te Kuvendi i Arbënit i vitit
1703 (botimi i vitit 1706, faqe 76):
a dinë
gjuhën e shqipëtarëvet. Edhe Johann Thunmann-i,
në vitin 1774, pohon: Albanët e quajnë
veten skipatar (shqiptar shën. i aut.), por burimin
e kësaj fjale ata nuk e dinë. Nga këto
dy dëshmi kuptohet se fjala e prejardhur shqiptar është
shfaqur para shek. XVIII, gjithsesi pas shpërnguljeve
të arbëreshëve për në Greqi dhe në
Itali. Kurse fjala Shqip-ëni/Shqip-ëri është
shfaqur jo më herët se fundi i shek. XVIII.
Fjalët e prejardhura shqip-tar dhe Shqip-ëni/Shqip-ëri
janë krijuar për të zëvendësuar fjalët
e mëparshme (i) arbënesh/arbëresh dhe dheu
i Arbënit/Arbërit, që kishin nisur të
dilnin jashtë përdorimit. Disa dijetarë shqiptarë
kanë shprehur mendimin se fjala e prejardhur shqiptar
është shfaqur në periudhën e pushtimit
turk, për të dalluar shqiptarët myslimanë
nga bashkëkombësit e tyre të krishterë.
Por një mendim i tillë nuk është i mbështetur,
sepse kjo fjalë e prejardhur ndeshet së pari pikërisht
në një burim të krishterë, siç
ishte Kuvendi i Arbënit i fillimit të shek. XVIII.
Veç kësaj, dihet se turqit i kanë quajtur
shqiptarët në përgjithësi me emrin arnaut,
për të cilin na dëshmon edhe Frang Bardhi në
Fjalorin e tij të vitit 1635. Dhe mund të pohohet
se në dokumentet turke nuk është bërë
ndonjë dallim i tillë në emërtimin e shqiptarëve
myslimanë e të krishterë, duke i quajtur të
parët shqiptarë dhe të dytët arnautë,
apo anasjelltas. Gjithashtu nuk ka asnjë të dhënë,
që të vërtetojë se ky dallim emërtimi
është bërë nga vetë shqiptarët.
Në të vërtetë, çështja e zëvendësimit
të etnonimit më të hershëm (i) arbënesh/arbëresh
me shqiptar është pasojë e përgjithësimit
të ndajfoljes shqip në vend të ndajfoljes më
të hershme arbënisht/arbërisht. E ky zëvendësim
është bërë në truallin shqiptar nga
vetë shqiptarët, pa dallim feje. Kështu, nuk
duhet të jetë rastësi që Buzuku në
të vetmin rast që i është dashur të
përdorë një ndajfolje të tillë, ka
përdorur pikërisht fjalën shqip. E njëjta
vërejtje vlen edhe për Budin, që përdor
një gjuhë shumë popullore dhe që në
1014 faqet e veprave të tij ka përdorur katër
herë fjalën shqip dhe asnjë herë fjalën
arbënisht. Pra, në një fazë të dhënë
të evolucionit të gjuhës shqipe ndajfolja shqip
është bërë mbizotëruese. E me përdorimin
gjithnjë e më të dendur të ndajfoljes
shqip ndër të gjithë shqiptarët, pa dallim
krahine dhe feje, erdhi e u bë gjithnjë e më
e ndjeshme kundërvënia midis kësaj fjale dhe
etnonimit (i) arbënesh/arbëresh, me të cilin
e quanin veten dikur ata që flisnin shqip. Kjo kundërvënie
binte ndesh me përdorimin e përgjithshëm të
emërtimit të popujve dhe të gjuhëve a
dialekteve përkatëse me fjalë të së
njëjtës rrënjë. P.sh. të krahasohen
grek ~ Greqi ~ greqi-sht, italian ~ Itali ~ itali-sht, turk
~ Turqi ~ turqi-sht, gjerman ~ Gjermani ~ gjermani-sht etj.;
toskë ~ Toskëri/Toskëni ~ toskërisht/toskënisht,
gegë ~ Gegë-ni/Gegë-ri ~ gegëni-sht/gegëri-sht,
çam ~ Çamëri ~ çamëri-sht etj.
Prandaj, kundërvënia midis ndajfoljes shqip, nga
njëra anë, dhe fjalëve arbënisht/arbërisht,
(i) arbënesh/arbëresh dhe Arbën/Arbër,
nga ana tjetër, nuk mund të vazhdonte përgjithmonë.
Ajo një ditë do të zgjidhej me mënjanimin
e pashmangshëm ose të fjalës shqip, ose të
fjalëve që kishin si bazë fjalën Arbën/Arbër.
Në këtë rast, fjala shqip u tregua më
e gjallë duke mënjanuar nga përdorimi më
parë ndajfoljen më pak të përdorur arbënisht/arbërisht.
Në këtë mënyrë u hap rruga edhe për
mënjanimin e shkallëshkallshëm të fjalëve
të tjera të së njëjtës rrënjë
Arbën/Arbër dhe (i) arbënesh/arbëresh
nëpërmjet krijimit të fjalëve të
prejardhura shqiptar dhe Shqipëni/Shqipëri. Gjithsesi,
kjo dukuri kërkon hulumtime të mëtejshme.
Letërsia shqiptare në shek. XVI-XVII
Pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe rënies
së kështjellave të fundit të qëndresës
shqiptare (1468-1479), për popullin shqiptar nisi një
periudhë e gjatë pushtimi gati pesëshekullore,
pasojat e të cilit u ndien në gjithë jetën
e vendit. Invazioni osman dhe luftërat shkretuese që
turqit i imponuan popullit shqiptar, krahas të tjerave
i sollën dëme të mëdha edhe kulturës
shqiptare. U ndërprenë proceset e natyrshme të
zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturor dhe vendi hyri
në një sistem marrëdhëniesh të prapambetura,
në një fazë historikisht të kapërcyer
prej tij. Humbja e forcave të gjalla njerëzore,
eksodi biblik i dhjetëra mijëra banorëve të
tokave shqiptare që morën arratinë për
t`i shpëtuar zgjedhës osmane, shkatërrimi i
vendit, rrënimi i shumë qyteteve, vatra të
rëndësishme të kulturës, që groposën
nën gërmadhat e tyre vlera të mëdha kulturore
(monumente të arkitekturës e vepra të artit,
dokumente të shkruara e arkiva të tëra etj.),
të krijuara nga shqiptarët gjatë shekujve,
u duk se sollën një shkreti në jetën e
vendit. Shqiptarët kishin hyrë në një
robëri të rëndë që, bashkë me
zhdukjen e vlerave shpirtërore, rrezikonte të sillte
humbjen e identitetit dhe zhdukjen e tyre si popull. Përveç
kësaj, kultura shqiptare u vu nën trysninë
e asaj turko-arabe. Sundimtarët osmanë, bashkë
me islamizimin në masë të popullsisë shqiptare,
nëpërmjet një diskriminimi të gjithanshëm
kombëtar dhe politik të shqiptarëve synonin
ti shkombëtarizonin, ti asimilonin dhe ti
turqizonin ata.
Procesi i zhvillimit kulturor të shqiptarëve pësoi
një thyerje, por nuk u ndërpre krejtësisht.
Nga një anë, tradita e një qytetërimi
dhe e një kulture të hershme dhe ekzistenca e shqipes,
një nga gjuhët më të lashta të kontinentit
që i dallonte shqiptarët prej popujve të tjerë
përreth e, nga ana tjetër, ekzistenca e një
qëndrese kundër pushtuesit, që shfaqej me shpërthimin
e kryengritjeve të herëpashershme antiosmane, ishin
faktorët që mundësuan mbijetesën e një
kulture tradicionale, materiale e shpirtërore, gojore
dhe të kultivuar, si dhe zhvillimin e një letërsie
të shkruar në gjuhën shqipe, sidomos nga shek.
XVI e këtej.
Në prag të pushtimit osman populli shqiptar kishte
arritur të dilte si një etni dhe kombësi e
dalluar, me kulturën e tij të veçantë,
të shprehur në mënyrën e jetesës,
në arkitekturë dhe në veprat e artit, në
ruajtjen e gjuhës dhe në krijimtarinë popullore.
Me zhvillimet ekonomiko-shoqërore dhe kulturore shqiptarët
nuk mbetën pas popujve fqinjë të pellgut të
Adriatikut e të Gadishullit Ballkanik. Në kulturën
dhe në mendimin shqiptar kishin nisur të hynin idetë
e Rilindjes evropiane, në to u ndie ndikimi i lëvizjes
së madhe të Humanizmit.
Kur pushtimi osman e bëri të pamundur lulëzimin
e kulturës humaniste në vend, ajo pjesë e inteligjencies
shqiptare që ishte formuar nën ndikimin e kësaj
lëvizjeje, emigroi jashtë vendit dhe e zhvilloi
veprimtarinë e saj në viset e huaja ku u vendos,
kryesisht përtej Adriatikut. Prej saj u shquan figura
që bënë emër në botën humaniste,
si historianët Marin Barleci (1458-1512) dhe Marin Beçikemi
(1468-1526), ndërsa Gjon Gazulli (1400-1465), Leonik
Tomeu (1456-1531), Mikel Maruli (shek. XV), Maksim Artioti
(1480-1556) u dalluan në fusha të ndryshme të
shkencës, të artit e të filozofisë.
Por vendin e parë midis tyre e zë Marin Barleci,
historiani i parë i madh shqiptar, autori i veprës
së njohur Historia de vita et gestis Scanderbegi
epirotarum principis (Historia e jetës dhe e bëmave
të Skënderbeut, princit të epirotëve),
botuar në Romë midis viteve 1508-1510. Kjo vepër
u përkthye në shumë gjuhë të botës
dhe u bë burim i një literature të gjerë
për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Vepra është
shkruar në frymën e humanizmit, me një stil
të ngritur e emocional përmes të cilit himnizohet
Skënderbeu si luftëtar i lirisë, si mbrojtës
i krishterimit dhe si njeri. Me gjithë teprimet, duke
qenë bashkëkohës i ngjarjeve, Barleci ka sjellë
në veprën e tij frymën e kohës dhe të
dhëna historike që i qëndrojnë kritikës.
E shkruar në latinisht, e cila ishte në atë
kohë gjuha universale e kulturës, vepra e Barlecit
ka në qendër botën shqiptare dhe i përket
kulturës e letërsisë së popullit, që
shkroi me luftën e tij një nga faqet më të
ndritura të historisë së tij, duke u bërë
gardhi i pathyeshëm që pengoi vërshimin e osmanëve
përtej brigjeve të Adriatikut.
Edhe përpjekjet që një pjesë e klerit
bëri, për nevojat e jetës shpirtërore
e konfesionale në vend, për të shpëtuar
besimin e krishterë nga vërshimi i islamit, patën
jo vetëm një kuptim fetar, por dhe atdhetar. Duke
mbrojtur fenë e krishterë, në kushtet kur gati
dy të tretat e popullatës në fund të shek.
XVII ishin konvertuar në fenë islame, klerikë,
si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër
Bogdani, me veprimtarinë e tyre kishtare e letrare-kulturore
synonin të mënjanonin rrezikun e asimilimit të
shqiptarëve nga pushtuesi i ri. Ndryshimi drastik i strukturës
fetare dhe masat e pushtuesit për nënshtrimin e
popullatës vendase dhe rrafshimin e veçorive të
saj etnike, nxitën qëndresën e shqiptarëve
edhe në fushën e kulturës. Kultura shqiptare
pati një zhvillim të vetin, të brendshëm,
sado të penguar, edhe në kushtet e pushtimit disashekullor
osman, nën trysninë e botës kulturore të
orientit, që ushtroi një ndikim të thellë
e të gjithanshëm në të, por pa arritur
të shtypë natyrën shqiptare të kulturës
vendase.
Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh
në radhë të parë përmes lëvrimit
të shqipes në lëmë të botimeve të
teksteve kishtare, kryesisht të qarkut konfesional katolik,
në veri, por dhe ortodoks, në jug.
Reforma Protestante në Evropë kishte gjallëruar
shpresat e zhvillimit të gjuhës e të traditës
letrare vendase dhe në këtë klimë prifti
katolik Dom Gjon Buzuku botoi më 1555 një Meshar
shqip me pjesë të përkthyera nga ungjilli,
rituali dhe liturgjia. Vepra duhet të jetë vënë
në listën e librave të ndaluar (index) nga
Kundërreforma, e cila me vendimet e koncilit të
Trentit më 1562 lejonte të ktheheshin në gjuhët
e folura të vendit vetëm katekizma (libra mësimi
fetar), por jo libra liturgjie, siç ishte Meshari.
Me këtë vepër Buzuku hidhte një hap të
madh historik, duke dashur të ngrejë shqipen në
rangun e një gjuhe liturgjie. Meshari i Gjon
Buzukut ka rëndësinë e të parit monument
si libër të dokumentuar të shqipes së
shkruar në shek. XVI, si dhe rëndësinë
e një nisme që hapte udhën e lëvrimit
të mëtejshëm të gjuhës shqipe përmes
përkthimit të teksteve kishtare, çka do t`i
ndihmonte një procesi sado të ngadalshëm, por
me pasoja të mëdha, përdorimit të shqipes
në shërbesat fetare dhe kombëtarizimit të
kishës në Shqipëri.
Nga libri i Buzukut njihet vetëm një kopje e cunguar
që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Veprës
i mungojnë fletët e para, ndër to dhe fleta
e parë me titullin dhe vendin e botimit. Për këtë
të fundit, Eqrem Çabej, që botoi më
1968 tekstin e plotë të njohur të veprës,
me kritere të rrepta tekstologjike shkencore, i përmbahet
mendimit të albanologut francez Mario Rok, se shtypshkronja
ku u shtyp libri, duhet të ketë qenë venedikase
ose e burimit venedikas e se ka shumë gjasa që libri
të jetë shtypur në Venedik.
Gjuha e veprës së Buzukut është gegërishtja
e shek. XVI, por me një përpjekje të vetëdijshme
të autorit për ta ngritur në një shkallë
mbidialektore. Përkthimi nuk është mbështetur
mbi një tekst të vetëm origjinal, por mbi tri
modele të ndryshme: latinisht, italisht e serbokroatisht
dhe kjo i ka dhënë Buzukut liri më të
madhe. Për të përballuar lëndën që
përktheu ai është nisur nga shqipja popullore,
duke vënë në përdorim gurra të gjalla
të gjuhës amtare. Kjo e bën gjuhën e tekstit
të rrjedhshme, vise-vise me një bukuri stilistike
gjuhësore të rrallë; dallohen sidomos psalmet
që mbeten shprehja e një shqipeje klasike. Kemi
të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej,
me një gjuhë letrare, prodhim dhe i një zhvillimi
të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit
nga ana e këtij shkrimtari, i përpjekjes individuale
për të ngritur të folët popullor në
një shkallë më të lartë të përdorimit.
Libri i Buzukut është shkruar me alfabetin latin
të tipit gjysmë gotik. Për pesë tinguj
të shqipes që nuk i ka latinishtja autori përdor
shkronja të përngjashme me ato të alfabetit
cirilik.
Vepra u shkrua për t`u ardhur në ndihmë klerikëve
vendës dhe për ta pajisur kishën katolike shqiptare
me një libër që të përmbushte nevojat
e përditshme të shërbimeve fetare. Por ajo
u shkrua dhe nsë dashunit së botës sanë,
siç shkruan autori në pasthënien e veprës,
pra dhe nga dashuria për polemin e vet. Sidoqoftë
botimi i librit, siç ka vënë në dukje
prof. Eqrem Çabej, i kalon caqet e literaturës
dhe merr vlerën e një dokumenti historik, jo vetëm
për gjendjen e shqipes në shek. XVI, por dhe si
dëshmi letrare e lëvizjes fetare katolike
të shek. XVI në vendin tonë.
I së njëjtës kohë është një
dorëshkrim shqip toskërisht, i quajtur Ungjilli
i Pashkëve, i cili dëshmon përpjekjet për
përdorimin e shqipes edhe në shërbesat kishtare
të ritit ortodoks.
Në kohën kur në Shqipëri nisën të
vinin edhe misionarë katolikë, sidomos nxënës
të kolegjit të Loretos, për organizimin e shkollave
fillore pranë kuvendeve dhe famullive të tyre, për
nevojat e këtyre shkollave, një prift tjetër
katolik Pjetër Budi (1566-1622) botoi njëra pas
tjetrës Dottrina Cristiana, 1618 (Doktrina
e Krështenë), Rituale Romanum 1621 (Rituali
Roman) dhe Specchio di Confessione 1621 (Pasqyra
e trrëfyemit). Sikurse shkruante ai, qëllimi
i botimit të këtyre veprave ishte t`u vijë
ndihmë këtyre popujve dhe vetë priftërinjve
me shembëlla të përshpirtshme, duke shkruar
vazhdimisht libra në gjuhën e tyre. Të
tria veprat janë në pjesën më të
madhe përkthime të lira katekizmash, komente sakramentesh
të rrëfimit dhe ligjërata që i përkasin
po atij, si dhe poezi fetare. Autori herë pas here fut
në mes të kësaj lënde fetare edhe pjesë
që flasin për realitetin shqiptar, duke shprehur
dhe ndjenjat e tij atdhetare.
Budi me veprën e tij shënon një hap përpara
në letërsinë shqipe, sepse me të kemi
shkrimtarin e parë të prozës origjinale dhe
vjershëtorin e parë të letërsisë
shqipe me një prodhim me afër 3 300 vargje, të
gjitha përshtatje nga latinishtja e italishtja, po shumë
herë një përshtatje e lirë me vlera stili.
Pjetër Budi pati disa përgjegjësi të larta
në hierarkinë kishtare, deri në atë të
Peshkopit të Sapës dhe të Sardës (krahina
që i përgjigjen Zadrimës së sotme) dhe
të Zëvendësit të Përgjithshëm
të Serbisë, ku u emërua nga sinodi kishtar,
më 1599, detyrë që e mbajti për 17 vjet.
Por krahas veprimtarisë kishtare ai u angazhua dhe në
disa projekte të guximshme për organizimin e një
lëvizjeje çlirimtare antiosmane. Letra që
ai i dërgon më 1621, kur është Peshkop
i Sapës dhe i Sardës, Kardinal Gocadinit është
një nga dokumentet më të rëndësishme
të historisë sonë kombëtare të shek.
XVII, dëshmi e aspiratave për liri të shqiptarëve
dhe e vetëdijes së tyre për të luftuar
të bashkuar, pa dallime fetare e krahinore kundër
zgjedhës osmane. Letra paraqet një projekt të
gjerë për çlirimin e Shqipërisë.
Përmes saj kuptohet se Budi pati marrë përsipër
rolin e promotorit të bashkimit kombëtar dhe të
organizatorit e të veprimtarit të shquar të
lëvizjes çlirimtare.
Gjatë veprimtarisë së tij kishtare e atdhetare
Budi ra në konflikt edhe me disa klerikë të
huaj, sidomos pas vendimit që mori mbledhja e klerit
shqiptar të peshkopatës së Shkodrës, Zadrimës
e Lezhës, e organizuar prej tij më 1622, për
të mos pranuar asnjë peshkop me kombësi të
huaj. Nuk shkoi shumë kohë dhe ai u mbyt, si u tha,
aksidentalisht në lumin Drin. Vdekja e tij në këto
kushte lë shteg për të dyshuar se nuk ka qenë
aksidentale.
Autor i tretë i rëndësishëm i letërsisë
shqiptare të shek. XVI-XVII të zhvilluar në
Veri, është Frang Bardhi (1606-1643). Ai zë
një vend të veçantë në lëvizjen
kulturore e letrare të kohës, sepse veprat e tij
lidhen më shumë me traditën e humanizmit. Lindi
në Kallmet të Zadrimës, studimet teologjike
i kreu në kolegjin e Loretos e të Propaganda Fides
në Itali dhe punoi si klerik. Si dhe Budi, ai hyri në
konflikt me klerikët e huaj dhe mendoi e punoi për
t`u ardhur në ndihmë vendit të vet e popullit
të vet dhe klerit vendës. Në një relacion
që i dërgon Papës më 1641, Bardhi shpreh
shqetësimin e një atdhetari që e vuan robërinë
e pushtuesit osman, i mbushur me urrejtje ndaj mizorive të
tij dhe me shpresa për ndihmë nga Vatikani. Relacioni
ka edhe vlerën e një dokumenti historik me të
dhëna për jetën e banorëve të krahinave,
ku ai ushtroi detyrën e klerikut, për gjendjen e
tyre ekonomike dhe shpirtërore nën zgjedhën
e huaj dhe për zakonet e popullit.
Por veprat më të rëndësishme të Frang
Bardhit janë Dictionarium latino-epiroticum
(Fjalor latinisht-shqip), botuar më 1635 dhe një
vepër për Skënderbenë e shkruar në
latinisht dhe e botuar në Venedik më 1636 me titull
Georgius Castriotus Epirensia, vulgo Scanderbeg...
(Gjergj Kastrioti, Epiroti, i quajtur përgjithësisht
Skanderbeg, princi shumë trim e i pathyeshëm i Epirotëve
që u kthehet bashkatdhetarëve e atdheut të
vet, nga Frano Bardhi).
Fjalori u hartua për t`u ardhur në ndihmë klerikëve
shqiptarë që nuk e dinin latinishten, por nuk mungoi
në këtë punë dhe frymëzimi nga ndjenja
e dashurisë për shqipen. Në parathënien
e veprës ai shënon se me të donte të ndihmonte
gjuhën tonë që po bdaretë e po bastardhonetë
sa më parë të ve (që po humbet e
po prishet me të kaluar të kohës). Vepra e
Bardhit hapi udhën në historinë e fjalorëve
të shqipes, duke qenë i pari i këtij lloji.
Ai përmban rreth 2 500 fjalë të zgjedhura nga
fondi kryesor i gjuhës. Kjo vepër i hapi udhën
edhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës,
sepse në të janë përfshirë mbi 100
proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera.
Vepra tjetër është një apologji, një
mbrojtje që i bën Bardhi shqiptarësisë
së Skënderbeut. Kjo vepër është shkruar
prej autorit në valën e zemërimit, brenda dy
javëve, si përgjigje dhënë peshkopit të
Bosnjës, Tomko Marnaviç, i cili në një
libër latinisht botuar më 1631, e nxirrte Skënderbeun
me origjinë boshnjake.
Kjo e bën librin e Bardhit një vepër historike
dhe polemike. Bardhi zotëron shumë mirë lëndën
historike dhe e njeh mirë dokumentacionin përkatës;
ai, siç shkruan Mario Roku, di të bëjë
kritikën e dokumenteve, di të argumentojë tezat
e veta, me një stil energjik, të shkathët e
herë-herë emfatik për shkak të vetë
argumentit që trajton.
Njeri me kulturë të gjerë dhe me mendje të
mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e
Barlecit në fushë të historiografisë skënderbejane
dhe duke hapur udhë të re në fushë të
leksikografisë e të gjurmimeve etnologjike, u bë
një figurë e shquar e kulturës shqiptare të
shek. XVII.
Përfaqësuesi i fundit dhe më i shquari i letërsisë
shqiptare të shek. XVI-XVII është Pjetër
Bogdani (1625-1689). Ishte nga Guri i Hasit, katund në
afërsi të Prizrenit. Pas studimeve të mesme
në kolegjin ilirik të Loretos, kreu studimet e larta
në kolegjin e Propaganda Fides, po në Itali, ku
mori dhe titullin e doktorit në filozofi e teologji.
Pati detyra të ndryshme kishtare: në krye meshtar
në famullinë katolike të Prizrenit, pastaj
peshkop i Shkodrës, i ngarkuar njëkohësisht
dhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit
dhe në fund kryepeshkop i kishës katolike shqiptare
të Shkupit. Jetoi vazhdimisht i përndjekur nga pushtuesit
për shkak të veprimtarisë së tij aktive
kishtare e atdhetare. Për t`u shpëtuar këtyre
ndjekjeve për një kohë iu desh të merrte
malet e të jetonte i fshehur. Por kjo e ndihmoi të
njihte nga afër gjendjen e popullit të vet nën
zgjedhën osmane, të vendoste lidhje me malësorët
e krerët e tyre për veprime të përbashkëta
kundër sunduesve osmanë, si dhe të mblidhte
të dhëna për vendet ku kalonte, të njihte
doket dhe traditat e popullit, gojëdhënat, folklorin
dhe gjuhën popullore. Më 1685 u kthye përfundimisht
në Kosovë dhe u vu në krye të lëvizjes
çlirimtare antiosmane që shpërtheu atje më
1689, vit në të cilin edhe vdiq në Prishtinë
i prekur nga epidemia e kolerës.
Veprimtaria politike, kishtare e letrare e Bogdanit u zhvillua
në tri fronte: për mbrojtjen e kombësisë
së tij nga asimilimi osman, nga asimilimi serb dhe nga
asimilimi grek. Relacionet e shumta që i ka dërguar
Bogdani Vatikanit dëshmojnë për aspektet e
kësaj lufte të pandërprerë prej tij dhe
përbëjnë një korpus me rëndësi
dokumentesh për historinë dhe gjeografinë historike
të Shqipërisë së kohës dhe të
disa krahinave të tjera kufitare.
Vepra kryesore e tij është libri në dy vëllime
Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve),
botuar në Padovë më 1685. Teksti është
dhënë në dy shtylla për çdo faqe,
shqip e italisht.
Çeta e profetëve është një
traktat teologjik-filozofik që trajton, duke shkrirë
të dhëna nga burime të ndryshme, çështje
kryesore të teologjisë dhe një histori biblike
të plotë, si dhe probleme të ndërlikuara
të skolastikës, të kozmogonisë, të
astronomisë, të pedagogjisë etj. Me këtë
vepër Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën
humaniste dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës
në jetën e njeriut.
Nga ana tjetër, me veprën e Bogdanit letërsia
dhe gjuha letrare shqipe hodhën një hap të
madh përpara, sepse ajo është e para vepër
origjinale e prozës shqipe dhe jo një përkthim
a përshtatje, si veprat para saj. Kjo vepër mund
të quhet laboratori më i madh i përpunimit
të vetëdijshëm e mjeshtëror të shqipes
mesjetare. Për ta bërë shqipen të aftë
të shprehte koncepte të vështira teologjike
e filozofike, Bogdanit iu desh punë e madhe për
të njohur e shfrytëzuar mjetet e lashta të
gjuhës shqipe, arsenalin e saj bashkëkohor, visarin
e pasur leksikor dhe mundësitë e vlerat potenciale
që ruante gjuha popullore. Si rezultat i kësaj përpjekjeje
krijuese, në penën e Bogdanit shqipja ka fituar
vlera të reja stili. Kjo e bën veprën e Bogdanit
të jetë përpjekja e parë dhe e mirëfilltë
për diferencimin e stileve funksionale në shqipen
letrare.
Me idetë e saj iluministe, me frymën humaniste dhe
me gjuhën e saj të pastër e të përpunuar,
ajo qëndron më afër Rilindjes dhe njerëzve
të saj, të cilët e çmuan dhe u mbështetën
në shembullin dhe në traditën që ajo krijoi.
Në ngulimet e arbëreshëve të Italisë
tradita e shkrimit shqip nis me katekizmën e priftit
Lekë Matrënga (1569-1619) E mbsuame e krështerë
(1592). Ky libër, i dyti monument i shqipes së shkruar,
pas Mesharit të Gj. Buzukut, është
përkthim i një katekizme, i shkruar me alfabetin
latin, me rëndësi edhe për të ndjekur
zhvillimin historik të të folmeve arbëreshe
në Kalabri.
Letërsia shqiptare gjatë shek. XVIII
Gjatë shek. XVIII në zhvillimin e kulturës
dhe të letërsisë shqiptare u shfaqën dukuri
të reja. Këto dukuri u përcaktuan nga një
varg faktorësh të jetës ekonomike, politike
e kulturore të vendit. Në radhë të parë
zhvillimi i forcave të brendshme prodhuese, i ekonomisë
monetare, solli me vete lindjen e shtresave të reja tregtare-zejtare,
të cilat ishin të interesuara për një
zhvillim të pavarur ekonomik e kulturor. Me këtë
lidhet forcimi i prirjes për përdorimin e shqipes
së shkruar jo vetëm në sferën kishtare,
por dhe në veprimtarinë e përditshme ekonomike.
Kjo kërkonte pa dyshim përdorimin e alfabeteve të
veçanta për shqipen, që e dallonin atë
nga gjuhët e tjera, por objektivisht edhe për ta
shkëputur më së fundi lëvizjen kulturore
në Shqipëri nga zhvillimi i varur prej kulturave
të huaja, sidomos osmane e greke. Me forcimin e kësaj
prirjeje shpjegohen nismat e një anonimi nga Elbasani,
të Kostë Beratit, të Grigor Voskopojarit, mitropolit
i Durrësit nga viti 1769 dhe të Theodor Haxhifilipit
(rreth vitit 1730-1805) nga Elbasani, i njohur me emrin Dhaskal
Todri, që krijuan alfabete të posaçme të
shqipes. Ky i fundit nismën e tij e pagoi me jetën
e tij duke mbetur i vrarë, pa arritur të ngrinte
një shtypshkronjë në Elbasan që do të
botonte vepra shqip.
Gjatë këtij shekulli njohu një gjallërim
më të madh literatura e qarkut kulturor konfesional
ortodoks e mysliman. Anonimi i Elbasanit solli në shqip
copa të ungjillit, si dhe Grigor Voskopojari, kurse Dhaskal
Todri solli në shqip Dhiatën e vjetër
dhe të re, ndonëse nuk arriti ta botonte.
Këto përpjekje u shumuan në shekullin pasues
me botimin më 1827 të tekstit të plotë
të Dhiatës së re të përkthyer
nga Vangjel Meksi dhe të redaktuara nga Grigor Gjirokastriti,
si dhe me korpusin e madh të përkthimeve fetare
të Konstandin Kristoforidhit (1827-1895) në dy dialektet
e shqipes.
Qyteti i Voskopojës në këtë shekull u
bë një qendër e rëndësishme kulturore,
me një lëvizje të gjerë arsimore e me
institucione përkatëse.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë
ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për
t`i vënë gardh rrezikut të asimilimit, bëri
të pashmangshme edhe përdorimin e gjuhës amtare,
duke inkurajuar objektivisht zhvillimin e kulturave kombëtare.
Në shkollat e Voskopojës u përdorën edhe
shqipja e arumanishtja për mësimin e greqishtes.
Dukuria më e rëndësishme e zhvillimit letrar
në Shqipëri gjatë shek.XVIII është
poezia shqipe me alfabet arab, që u quajt poezia e bejtexhinjve.
Kjo ishte një dukuri kontradiktore, sepse në të
poetët bejtexhi shprehën nga një anë,
prirjen për ta dalluar veten nga kombësitë
e tjera përmes shkrimit të shqipes, si gjuhë
e poezisë së tyre, nga ana tjetër, ata ishin
nën ndikimin e fortë të kulturës orientale
dhe të moralit islam.
Pas përhapjes së gjerë të islamizmit,
në Shqipëri në shek. XVIII u ngrit një
rrjet i gjerë institucionesh arsimore e kulturore islame,
mejtepet e medresetë ku jepej feja islame, letërsitë
orientale në gjuhët osmane e arabe. Numri i njerëzve
të shkolluar në këto institucione u rrit, duke
formuar kështu një shtresë intelektualësh
të brumosur me kulturën dhe ideologjinë e pushtuesit.
Prej kësaj shtrese dolën poetët bejtexhinj,
që sollën në krijimtarinë e tyre idetë
e fesë e të moralit islam, të shprehura me
një gjuhë të mbytur nga orientalizmat. Ata
e shkruan shqipen me alfabet arab, ndoqën modelet e poezisë
orientale dhe rimorën kryesisht motivet e atyre letërsive.
Megjithatë krijimtaria e bejtexhinjve pati rëndësi
për zhvillimin e letërsisë shqipe nga disa
anë. Në radhë të parë, sepse përmes
saj shqipja bëri jetën e vet të shkruar, edhe
pse me alfabet arab, në një kohë kur tradita
e letërsisë fetare-katolike të shek. XVI-XVII
ishte fashitur dhe tradita e letërsisë kishtare
ortodokse në jug ishte fare e kufizuar, edhe kur shqipja
u shkrua me alfabetin grek ose me alfabete të krijuara
enkas. Duke shkruar në gjuhën shqipe poetët
bejtexhinj dëshmonin vetëdijen e kombësisë
së tyre; ata e dallonin veten nga popujt e tjerë
të perandorisë, si kombësi me gjuhën e
vet të veçantë.
Nga ana tjetër, edhe pse e mbështetur në motivet
dhe modelet e poezisë orientale, ajo nuk mund të
ishte e shkëputur nga trualli ku lindi, nga bota e njeriut
shqiptar. Për pasojë ajo u tregua e ndjeshme edhe
ndaj përjetimeve të individit dhe ndaj konflikteve
të tij morale me institucionet e kohës. Në
këtë vështrim krijimtaria e bejtexhinjve shënon
një hap përpara në zhvillimin e brendshëm
të poezisë shqipe. Duke mbetur jo vetëm në
kufijtë kronologjikë të letërsisë
së vjetër, por edhe brenda caqeve të përmbajtjes
së saj, ajo përsëri e kapërceu atë
në disa drejtime. Me të nisi trajtimi në rrafsh
të gjerë i temës laike dhe pasqyrimi i disa
elementeve të jetës shqiptare të kohës.
Me rëndësi të veçantë është
shkëputja e saj nga letërsia e vjetër, si akt
krijimi. Poezia e bejtexhinjve nuk plotëson funksione
didaktike, utilitare, ajo është produkt i përjetimeve
subjektive dhe i frymëzimit krijues, sepse solli në
traditën poetike shqipe botën subjektive të
individit, edhe kur zhytet në mjegullën e misticizmit
ose shkëputet prej saj, edhe kur ngrihet në spekulacione
metafizike ose zbret në tokë, duke trajtuar disa
anë të jetës dhe të realitetit të
kohës.
Krijimtaria e bejtexhinjve u shfaq si një rrymë
e gjerë poetike që u shtri në të gjitha
trevat shqiptare. Ajo ishte rezultat i zhvillimit të
jetës intelektuale në disa qytete e qendra të
mëdha shqiptare, si Berati, Elbasani, Prishtina, Shkodra,
Prizreni, Tetova, Gjakova, Gjirokastra, Kolonja, Frashëri,
Konispoli etj.
Një nga më të shquarit përfaqësues
të saj është Nezim Frakulla (vdekur më
1760) nga Berati. Ai është autor i shumë poezive
turqisht, arabisht e persisht, por vepra e tij kryesore është
Divani shqip që thyen skemën tradicionale
të divaneve orientale, sepse, krahas motiveve të
njohura në to, poeti solli disa aspekte të jetës
së kohës në Shqipëri. Një pjesë
e mirë e vjershave të tij janë gazelet, ku
i këndohet bukurisë e dashurisë, por nuk mungojnë
dhe vjersha me nota kritike për disa vese morale e dukuri
negative të kohës.
Bashkëkohës me të është dhe Sulejman
Naibi (vdekur më 1772) po nga Berati. Edhe ky shkroi
një Divan. Vjershat e pakta që njohim
prej tij janë të frymëzuara e me vlera artistike.
Ndryshe nga poetë të tjerë myslimanë,
ai shkruan me një shqipe më të pastër
e më të lakuar.
Tahir Efendi Gjakova (fundi i shek. XVIII-shek. XIX) hartoi
një vepër shqip, në vargje dhe në prozë,
me titullin Emni Vehbije që përmban
porosi e këshilla në frymën e moralit islam.
Vepra u botua më 1835 në Stamboll, kuptohet me alfabetin
arab. Ajo paraqet interes si dokument gjuhësor i të
folmes së Gjakovës.
Muhamet Kyçyku (1784-1844) nga Konispoli është
autor i dy poemave me subjekt me motive biblike e kuranike
Erveheja dhe Jusufi e Zelihaja, të
përshkuara nga fryma e moralit islam. Poeti që me
krijimtarinë e tij qëndron më afër jetës
së kohës është Hasan Zyko Kamberi (shek.
XVIII-XIX) nga Starja e Kolonjës. Është autor
i një Mevludi dhe i shumë poezive lirike,
me temë shoqërore e erotike. I lidhur me jetën
e fshatit dhe jo me jetën orientale të qyteteve
e mjediseve feudale, ai pasqyroi në poezinë e tij
halle dhe dilema të njeriut të varfër, zakone
e probleme shoqërore të kohës. Vjersha më
e fuqishme e tij është Paraja, një
satirë e fortë ndaj realitetit të korruptuar
dhe ndaj rolit shkatërrues të parasë. Vjershat
e Hasan Zyko Kamberit kanë gjurmët e ndikimit të
traditës poetike popullore dhe janë shkruar me një
gjuhë më të pastër, afër së
folmes popullore.
Poezia e bejtexhinjve mbeti brenda disa mjediseve të
mbyllura dhe shterroi gradualisht përpara zhvillimit
të një letërsie të re të shekullit
që erdhi, të frymëzuar nga idetë e Rilindjes.
Ajo mbijetoi përtej shekullit të saj për arsye
historike të njohura vetëm në disa qendra kulturore
e fetare të Kosovës.
Gjatë shek. XVIII pati një gjallërim të
lëvizjes letrare e kulturore edhe te arbëreshët
e Italisë. Autori më i shquar i letërsisë
arbëreshe të këtij shekulli është
Jul Variboba (1724-1788), i cili botoi më 1762 veprën
Gjella e Shën Mërisë virgjër
nje poemth që shtjellon jetën e Marisë dhe
të Krishtit, e përshkuar nga një notë
humanizmi tokësor e lirizmi të vetvetishëm,
e shkruar në frymën e poezisë popullore, me
një ngjyresë lokale. Vepra ka rëndësi
si një krijim artistik i frymëzuar që shënoi
kërcënimin nga kuadri i ngushtë didaktik-utilitar,
drejt një letërsie me vlera të dukshme artistike.
Midis autorëve arbëreshë të këtij
shekulli duhen përmendur edhe poetët Nikollë
Brankati (1675-1741), Nikollë Filja (1691-1769) dhe Nikollë
Keta (1742-1803). Ky i fundit është edhe autor i
një vepre historiko-etnografike me titull Thesar
njoftimesh për maqedonasit, që u botua pjesërisht
te revista La Sicilia (Palermo, 1867).
Letërsia e shek. XVI-XVIII ka rëndësi jo vetëm
si etapa e parë e zhvillimit të letërsisë
shqiptare, por edhe sepse ajo vuri bazat e shkrimit shqip.
Shkolla dhe arsimi në tokat shqiptare (shek. XVI-XVII)
Perandoria Osmane nuk njihte në zotërimet e veta
kombësi, por vetëm komunitete fetare - myslimanët,
rumët (ortodoksët) dhe latinët (katolikët).
Rrjedhimisht edhe shqiptarët ishin grupuar në këto
tri komunitete fetare dhe nuk njiheshin si një njësi
kombëtare më vete. Atyre u lejohej ushtrimi i funksioneve
arsimore-kulturore vetëm në gjuhët turko-osmane,
greke dhe latine-italiane. Ndërsa te popujt fqinjë
ortodoksë sllavë u ruajt, kundër vullnetit
të Patrikanës greke, tradita e përdorimit të
gjuhës popullore në kishë e në arsim,
shqiptarët ishin privuar nga përdorimi i gjuhës
amtare shqipe në kisha e në arsim. Përveç
kësaj, komunitetet e tyre fetare ishin të varura
nga tri qendra të ndryshme të huaja kishtare e kulturore.
Institucionet kryesore arsimore që u ngritën në
periudhën e sundimit osman në Shqipëri, ishin
shkollat e komuniteteve myslimane, me mësim në gjuhët
turko-osmane dhe arabe. Në fillim të shek. XVI,
me të ardhurat që vinin nga pasuritë e vakëfuara
të feudalëve dhe besimtarëve të tjerë
të pasur myslimanë, u hapën në disa qendra
të Shqipërisë, kryesisht pranë xhamive,
shkolla fillore ose mektepe. Këtu mësuesit-hoxhallarë
u mësonin nxënësve leximin e librit të
shenjtë, të kuranit, dhe pak shkrim me shkronja
arabe. Në shek. XVII, kur ndodhi islamizimi masiv i shqiptarëve,
filloi të shtohej numri i mektepeve që hasen tani
edhe në disa fshatra. Pranë mektepeve në qytetet
kryesore të vendit u çelën edhe shkolla të
një shkalle më të lartë, medresetë,
ku nxënësit mësonin gramatikën dhe leksikun
e arabishtes, të persishtes dhe të osmanishtes,
retorikën e letërsisë orientale dhe doktrinën
islame. Numri i nxënësve të tyre ishte i kufizuar.
Në këto medrese përgatiteshin klerikët
që shërbenin në institucionet e kultit islamik
dhe në aparatin shtetëror. Në tokat shqiptare
u krijua kështu një shtresë intelektualësh
të pajisur me kulturë islame, disa prej të
cilëve kishin studiuar edhe në medresetë e
Stambollit, të Aleksandrisë ose të Bagdatit.
Më e vështirë ishte gjendja e arsimit të
popullsisë së krishterë, e cila nuk gëzonte
mbështetjen e shtetit dhe i nënshtrohej diskriminimit.
Ortodoksët dhe katolikët kishin pak shkolla fillore
(fetare) që ishin ngritur zakonisht pranë ndonjë
manastiri ose kishe dhe në raste të veçanta
pranë ndonjë fshati. Edhe ata pak nxënës
që i frekuentonin ato ishin të paracaktuar, kryesisht,
për tu bërë klerikë. Mësuesit
ishin gjithashtu klerikë, ndërsa programi i tyre
përbëhej nga lëndë krejtësisht fetare.
Shkollat e komunitetit ortodoks, që funksiononin në
Shqipëri qysh nga shek. XVI-XVII, ishin nën mbrojtjen
e Patrikanës së Stambollit, ndaj patën një
jetë më të qëndrueshme. Mësimi në
këto shkolla jepej greqisht, në gjuhën e kishës.
Fondet për mbajtjen e tyre formoheshin nga dhuratat e
besimtarëve për kishën dhe qysh nga gjysma
e dytë e shek. XVII edhe nga kontributi financiar që
jepnin esnafet ortodokse të qyteteve për këtë
qëllim. Për përgatitjen e mësuesve patrikana
kishte organizuar shkolla në Malin Atos dhe në Stamboll.
Shkollat katolike ishin nën drejtimin e kishës së
Romës dhe kishin si detyrë të përgatisnin
mësues-klerikë. Si mësues shërbenin klerikë
shqiptarë e të huaj, të përgatitur në
kolegje të veçanta, siç ishte p.sh. Kolegji
Ilirik në Loreto. Kur misionarët e Romës vunë
re se veprimtaria e tyre në Shqipëri nuk po jepte
rezultatet që priteshin, për shkak se zhvillohej
latinisht ose italisht dhe jo në gjuhën e popullit,
Roma filloi të përdorte edhe gjuhën shqipe
në shkollat fetare katolike. Në këto rrethana
u hapën disa shkolla të tilla, ku mësohej edhe
gjuha shqipe dhe ku shërbenin si tekste mësimore
katekizmat e hartuar nga shkrimtarë klerikë si Pjetër
Budi. Këto ishin ngritur kryesisht pranë famullive
dhe manastireve. Një shkollë e tillë funksiononte
në vitet 1628-1675 në Pedhanë dhe po në
atë kohë edhe në Blinisht (të dyja në
rrethin e Lezhës), si dhe në Kurbin (rrethi i Krujës).
Në 1669-1670 funksiononte një shkollë katolike
në gjuhën shqipe edhe në Himarë. Në
Pedhanë e në Blinisht u krijuan më vonë
edhe shkolla më të larta, gjimnaze, ku përdorej
gjithashtu gjuha shqipe. Këto shkolla u ngritën
nga murgj françeskanë. Shkolla të mesme shqipe
katolike u hapën edhe në Janievë të Kosovës
(1671), në Velje të Mirditës (1699), në
qytetin e Shkodrës (1699). Në këto shkolla
të mesme nxënësit, që ishin destinuar
për tu bërë klerikë, studionin teologjinë,
gjuhët latine e italiane dhe disa prej tyre dërgoheshin
për studime më të larta në Itali.
Mësimi i gjuhës shqipe në këto shkolla,
edhe pse tepër i kufizuar, ishte në interes të
popullsisë vendase, që i përkrahte ato. Kështu
gjimnazi i Blinishtit u ngrit me kërkesën e krerëve
të vendit dhe kur në vitin 1648 shkolla e Pedhanës
u rrafshua nga një ekspeditë ndëshkimore osmane,
banorët e fshatit e rindërtuan atë përsëri.
Zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe në shek.
XVII u pengua për shkak të ndjekjeve të qeveritarëve
osmanë. Megjithatë, në shek. XVII, në
shtresat e larta të shoqërisë shqiptare ishte
zgjeruar rrethi i njerëzve të mësuar. Por edhe
këta, të përgatitur në institucione fetare
në gjuhët e mëdha të kulturës, në
latinisht, greqisht ose në arabisht, parapëlqenin
të përdornin këto gjuhë. Në çerekun
e parë të shek. XVII Pjetër Budi shprehej shumë
ashpër për një pjesë të madhe të
klerit të lartë katolik shqiptar, që tregohej
indiferent dhe mospërfillës ndaj lëvrimit të
gjuhës shqipe, si dhe ndaj gjendjes së mjerueshme
kulturore të popullit shqiptar.
Në vitin 1622 kisha katolike krijoi institucionin me
emrin De Propaganda Fide me qendër në
Romë. Ky ngriti disa shkolla për përgatitjen
e klerikëve shqiptarë, si Kolegji ilirik i Fermos
(1633), që drejtohej nga misionarët jezuitë,
shkolla e Montorinos në Romë, nën drejtimin
e misionarëve françeskanë dhe dy shkolla
për nxënësit nën drejtimin e bazilianëve,
njëra në Grota Ferra afër Romës dhe tjetra
në një koloni arbëreshe të Sicilisë.
Rrethana më të favorshme për arsimin shqip
u krijuan, kur në fronin e papës hipi Klementi XI,
me origjinë shqiptare. Me nismën e tij u mblodh
më 1703 Koncili i peshkopëve të Shqipërisë,
që njihet me emrin Koncili i Arbërit,
i cili vendosi të përhapte letërsinë fetare
në gjuhën shqipe. Tetë vjet më vonë,
më 1711, në shkollën e Montorinos në Romë
u hap katedra e gjuhës shqipe.
Arsimi dhe kultura në qytetin e Voskopojës
Në shek. XVIII, një sërë qytetesh shqiptare,
si Shkodra, Prizreni, Prishtina, Elbasani, Berati njohën
një zhvillim kulturor të dukshëm për kohën
e pushtimit osman, u pajisën me shkolla dhe me vepra
të arkitekturës artistike. Ky zhvillim qe më
i theksuar në qytetin malor të Voskopojës,
një nga më të rëndësishmit e vendit
në atë kohë.
Voskopoja, sot fshat në jugperëndim të Korçës,
në saje të zejtarisë dhe të tregtisë,
që nga fundi i shek. XVII kishte marrë trajtën
e një qyteti që po ecte shpejt përpara. Në
fillimin e shek. XVIII ka pasur rreth 25 000-30 000 banorë.
Si qendër e një krahine etnikisht shqiptare, Voskopoja
banohej në shumicë nga shqiptarët, por kishte
edhe popullsi vllahe (arumune).
Kulmin e lulëzimit ky qytet e arriti në vitet 1720-1769.
Ndryshe nga qytetet e tjera që administroheshin e shfrytëzoheshin
nga ajanët feudalë, Voskopoja gëzonte një
farë autonomie: ajo administrohej nga koxhobashët
e vet, të cilët vareshin nga organet e pushtetit
qendror osman. Një rrethanë e tillë lejoi që
të ardhurat e realizuara të shkonin, në pjesën
më të madhe, në dobi të zhvillimit zejtar
e tregtar të qytetit. Nga ana tjetër, duke reshperuar
dendur me vendet e Ballkanit e të Evropës Perëndimore
dhe Qendrore, voskopojarët patën krijuar atje agjenci
të tyre, më pas edhe disa koloni, si në Vjenë
e Budapest, në Mishkolc etj., të Perandorisë
Austro-Hungareze. Prej këtyre kolonive, që mbanin
lidhje të vijueshme me vendlindjen, Voskopojën,
po dhe me qendra të tjera në Shqipërinë
e Mesme dhe të Jugut, depërtuan ndikime të
ndryshme kulturore-mendore të Evropës së përparuar.
Voskopoja u bë një nga qendrat kulturore më
të përparuara të Shqipërisë dhe të
Ballkanit në tërësi në shek. XVIII. Por,
sulmet e përsëritura grabitqare të feudalëve
përreth, në gjysmën e dytë të shek.
XVIII, në kohën e anarkisë feudale, shkaktuan
rrënimin katastrofal të qytetit aq të zhvilluar,
duke e kthyer atë në gjendjen e një fshati
me 1 000 banorë. Sulmi më i rëndë ka qenë
ai i vitit 1769. Shumica dërrmuese e voskopojarëve
morën atëherë arratinë, u përndanë
dhe u vendosën në qytetet e tjera të Shqipërisë,
në vendet e Ballkanit, në Greqi dhe në Maqedoni
po sidomos në viset danubiane, ato austro-hungareze dhe
rumune.
Në fillim të shek. XVIII, në qendrat e Shqipërisë
Jugore, për shkak se osmanët ndalonin mësimin
e shqipes, nisi të përhapet më shumë se
në të kaluarën arsimi në gjuhën greke.
Në Voskopojë shkolla greqisht u çel më
1710. Këtu mësonin jo vetëm fëmijët
e qytetit, por edhe nga krahinat përreth, disa edhe nga
viset më të largëta. Shkollën e drejtonte
kleri dhe mbahej me mjetet financiare të esnafeve dhe
të tregtarëve të qytetit. Për t`iu përgjigjur
nevojave në rritje të zhvillimit ekonomik të
banorëve, shkolla fillore e Voskopojës u ngrit më
1740 në shkallën e një gjimnazi dhe u quajt
Akademia e Re, duke marrë tiparet e një shkolle
laike.
Më 1720, qyteti ishte pajisur edhe me një shtypshkronjë,
ku u shtypën libra fetare-kishtare dhe ndonjë libër
mësimi.
Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Voskopojë
ndodhi nën ndikimin e lëvizjes iluministe të
Evropës Perëndimore, ku prinin mendimtarë si
Volteri, Rusoi, Didroi etj. Megjithatë, në rrethanat
e sundimit të feudalizmit, kjo lëvizje e përparuar
nuk gjeti kushte të favorshme zhvillimi në Shqipëri.
Lëvizja mendore në Voskopojë shënoi një
hap me rëndësi në krahasim me misticizmin si
dhe me skolastikën aristoteliane mesjetare, që deri
atëherë kishte zotëruar në Kishën
e Lindjes. Ndër përhapësit e ideve të
reja në Ballkan ishin mendimtarët e kohës,
si grekët Metod Antrakiti, Evgjen Bullgari e të
tjerë, që u luftuan nga Patriarkana greke e Fanarit.
Rektori i parë i Akademisë së Re në Voskopojë
ishte Sevast Leontiadhi, kosturiot. Pasues të tyre kanë
qenë vendësit, voskopojarët Theodhor Kavaljoti,
që drejtoi Akademinë pas Leontiadhit, Grigor Voskopojari,
që ishte zëvendësrektor, si dhe autor e redaktor
i librave që botonte shtypshkronja e qytetit, dijetari
Mihal Gorari e të tjerë.
Bartësit e ideve iluministe të Akademisë së
Re të Voskopojës ranë ndesh me Patriarkanën
e Stambollit dhe me Malin e Shenjtë, që ngulmonin
në paprekshmërinë e traditave dogmatike të
kishës në fushën e arsimit e të kulturës.
Por idetë e reja përparimtare depërtonin megjithatë
në shkollat që u shtuan ndër të krishterët
e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, edhe
pse këto qenë nën drejtimin e klerit. Ato ide
i bëri të veta edhe një pjesë e avancuar
e klerit, që luftoi dhe u rrezikua për to nga kisha.
Megjithëse si gjuhë mësimi ishte greqishtja
në shkollat e Voskopojës mësohej edhe gjuha
shqipe e pas saj vllahishtja.
Zhvillimi i kulturës në Voskopojë shënoi
një hap me rëndësi në përparimin
e përgjithshëm kulturor të vendit. Duke futur
shkencën pozitive në programet mësimore, dijetarët
voskopojarë i dhanë një goditje konservatorizmit
të kulturës feudale dhe kontribuan në lindjen
e iluminizmit shqiptar. Voskopoja u bë një qendër
ndikuese edhe për viset përqark, por edhe më
larg, në Greqi e Maqedoni. Në Voskopojë vinin
të mësonin djem nga Vithkuqi, Berati, Elbasani dhe
qendra të tjera të Shqipërisë, shumica
e të cilëve bëheshin mësues në vendlindjet
e tyre. Të tillë kanë qenë Theodhor Haxhifilipi
ose Dhaskal Todri i Elbasanit, Kostë Ikonomi i Beratit,
Evstrat Vithkuqari me shokë, që vepruan në
shek. XVIII-XIX.
Disa prej tyre qenë ndër veprimtarët dhe personalitetet
më të njohur në atë qytet dhe në
mbarë vendin. Një ndër ta ishte edhe Theodhor
Kavaljoti, filozof që jetoi në vitet 1728-1789.
Shkroi traktate si Logjika (1749), Frika
(1752) dhe Metafizika. Siç tregon emri
i tij, por edhe shqipja me të cilën ai shkroi (me
elementë të dialektit verior), i përkiste një
familjeje me origjinë nga Shqipëria e Mesme, nga
Kavaja. Në veprën e tij Protopiria (Libër
fillestar mësimi, Venedik 1770), Kavaljoti botoi edhe
një fjalor tri gjuhësh, me mbi një mijë
fjalë greqishte, shqipe dhe vllahishte të krahasuara.
Edhe voskopojari Dhanil Adam Haxhi (rreth 1754-1825), në
Isagogjinë e tij (Mësime fillestare,
Venedik 1802), rreshton bisedime të krahasuara në
po ato tri gjuhë.
Në vitin 1762, Grigor Voskopojari (fundi i shek. XVII-1772),
të cilin e hasim në fillim të shek. XVIII në
Berat, ku me sa duket kishte origjinën e tij, kishte
përfunduar shqipërimin e të dyja Dhiatave (të
së Vjetrës e të së Resë). Ishte ky
një aksion shumë i madh, që kishte të
bënte me përkthimin në gjuhën e vendit
të librave bazë të kishës. Liturgjia në
kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip.
Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas. Në
procesin mësimor të shkollës së drejtuar
nga kleri hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve
fetare, që zinin vendin më të madh në
programet, por edhe përmes lëndëve të
tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më
shumë si Anonimi i Elbasanit), i shek. XVII, përfshihet
edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Todri na
ka lënë edhe një fabul të shqipëruar
të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri
gjuhësh (në greqishte të vjetër, në
atë të re dhe në shqip). Këto tekste i
ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi
(shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara.
Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje,
por edhe në Elbasan e gjetiu.
Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal,
si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për
shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë
bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit,
por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues
në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet
origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap
edhe në njerëz të tjerë në Elbasan.
Njihen edhe të tjera alfabete origjinale të shqipes
në Shqipërinë e Jugut, si në Gjirokastër,
Janinë etj. Këto përbëjnë fakte me
rëndësi për lëvrimin e shqipes si gjuhë
më vete, që kërkonte edhe një alfabet
më vete. Grigori u bë kryepeshkop i Durrësit
dhe u njoh edhe si Grigori i Durrësit, por ai ka jetuar
edhe në Elbasan.
Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit
të shqipes. Këtë gjuhë nuk e shkruanin
vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të
tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat
në atë qytet, të përdorej jo vetëm
alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht
për shqipen.
Arkitektura në shek. XV-XVIII
Në shek. XV-XVIII, në territorin e Shqipërisë
u zhvilluan gjini të ndryshme të arkitekturës,
duke filluar që nga ndërtimet me karakter mbrojtës,
ndërtimet shoqërore dhe ato të kultit islam,
arkitektura kishtare postbizantine dhe së fundi banesat
popullore.
Në shek. XVI kishte përfunduar ndërtimi i sistemit
të fortifikimit nga ana e turqve dhe ishin ngritur një
sërë qendrash të reja administrative. Ndërtimi
i fortesave vazhdoi në ato zona ku kishte trazira, kryesisht
në afërsi të bregdetit. Në dhjetëvjeçarët
e parë të shek. XVI u ndërtua një sisem
fortifikimi pranë detit Jon, ndërsa në vitin
1574 kështjella e Ishmit në veri të Durrësit.
Kështjellat osmane të kësaj periudhe në
përgjithësi nuk u përgjigjeshin kërkesave
të kohës; në kushtet e përdorimit në
stil të gjerë të armës së artilerisë,
ato ishin ndërtuar për të përmbushur detyra
lokale përballë një armiku të paarmatosur.
Në këtë kuptim ato qëndronin larg fortesave
për artileri të mesit të shek. XV.
Por një përjashtim bën kështjella e Vlorës
e ndërtuar nga sulltan Sulejmani në vitin 1531,
për ta pasur atë si bazë ushtarake dhe kantier
ndërtimi anijesh për zbarkimin e tyre në Pulje
të Italisë. Kështjella ndodhej pranë skelës
së sotme të qytetit, rreth 150 m larg bregut të
detit. Ajo ka pasur formën e një tetëkëndëshi
të rregullt me gjatësi brinjësh 90 m dhe një
sipërfaqe prej 3,5 ha. Muret rrethoheshin nga një
hendek i mbushur me ujë që kishte një gjerësi
prej 30-40 m. Ky hendek që rrethonte kështjellën
nga ana e tokës, lidhej me detin nëpërmjet
dy mëngëve.
Muret të punuara me gurë të latuar kishin një
gjerësi prej 5,60 m dhe lartësi rreth 15 m. Kështjella
ishte e pajisur me kulla poligonale e drejtkëndëshe,
me ura të lëvizshme para hyrjeve dhe me një
kryekullë pranë murit që shihte nga deti. Kjo
e fundit ishte një kullë cilindrike, masive që
mbizotëronte mbi gjithë ndërtimet e tjera me
lartësinë e saj të madhe. Kulla ishte 7-katëshe
dhe mbulohej me një kupolë të veshur me plumb
mbi një tambur të ulët poligonal. Brenda kullës
gjendeshin magazina dhe banesa e komandantit të kështjellës.
Ajo ishte e ngjashme me kullën e bardhë të
Selanikut, Kullën e Rumeli-Hisarit dhe kullën qendrore
në Kastel de Mare në Modon. Kështjella e Vlorës
ishte pa dyshim një nga ndërtimet ushtarake më
të arritura të Perandorisë Osmane. Udhëtari
osman i shek. XVII Evlia Çelebiu shkruan se ata
që skanë parë fortesat e Sekedinit, Benderit
dhe Vlorës nuk kanë dijeni mbi mjeshtërinë
e osmanëve. Çelebiu thotë gjithashtu
se arkitekt i kështjellës së Vlorës ishte
Sinani, autori i kullës së bardhë të Selanikut.
Ngaqë vëmendja ishte përqendruar më tepër
në ndërtimet mbrojtëse, që pushtuesit
i ngrinin për nevojat e tyre ushtarake, ndërtimet
e tjera të një farë rëndësie arkitektonike,
qoftë dhe ato të kultit mysliman fillojnë të
duken vetëm nga fundi i shek. XV.
Faltoret e para të kultit islam ishin në stil të
importuar, por shumë shpejt filloi të ndihet në
to ndikimi i arkitekturës vendase. Duke ruajtur të
njëjtën ide arkitekturore (planimetrike e vëllimore),
që lidhej me destinacionin e këtyre ndërtimeve,
hetohen dhe veçanti që vërehen shpeshherë
në trajtimin dekorativ të fasadave, në futjen
me vështirësi të disa elementëve ndërtimorë
e zbukurues si harku, në formë lundre etj. Me kalimin
e kohës këto dallime thellohen duke u shtrirë
deri diku edhe në formulimin e shtrirjes planimetrike.
Ato harmonizohen gjithnjë e më tepër me arkitekturën
popullore dhe ansamblet e qyteteve tona mesjetare. Elementë
të arkitekturës popullore fillojnë të
futen në objektet e kultit edhe në gdhendjen e elementëve
prej druri të interierëve etj.
Xhamitë e para shërbenin për garnizonet ushtarake
dhe ndërtoheshin mbi portat e kështjellave, siç
qenë ato në kështjellën e Elbasanit, Tepelenës,
Bashtovës etj., që ishin të thjeshta si ndërtesa
dhe mbuloheshin me çati druri.
Por duke filluar që nga vitet e fundit të shek.
XV kristalizohet një arkitekturë e mirëfilltë
në ndërtimin e xhamive. Nga ana tipologjike ato
mund të ndahen në dy grupe të mëdha. Ato
të tipit me çati druri (Berat, Elbasan, Gjirokastër)
dhe të tipit sallë me kupolë, shembulli i parë
i të cilave është xhamia e Mirahorit në
Korçë e ndërtuar në vitin 1494. Pothuajse
të gjitha xhamitë kanë qenë pajisur me
portikë. Fillimisht portikët ndërtoheshin me
mure guri të mbuluara me qemere e kupola, si në
xhaminë e Mirahorit (Korçë), sipas modeleve
të xhamive të Stambollit. Por gjatë shek. XVII
e sidomos në shek. XVIII-XIX përdoren gjithnjë
e më shumë hajatet me strukturë druri që
zinin sipërfaqe të mëdha (Kavajë, Berat,
Tiranë). Hapësira e brendshme e xhamive ishte me
shumë dritë, muret dhe kupolat ishin shpesh të
mbuluara me piktura murale.
Për vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative dallohen
xhamia e Mirahorit 1496 (Korçë), Xhamia e Plumbit
1553-1554 (Berat), xhamia e Muradijes, shek. XVI (Vlorë),
xhamia e Ethem Beut 1794 (Tiranë), Xhamia e Plumbit 1773-1774
(Shkodër), xhamia e Daut Pashës 1605 (Prizren),
Xhamia Mbret fundi i shek XV (Elbasan), xhamia e Nazireshtës
1600 (Elbasan), xhamia e Gjin Aleksit shek. XV (Delvinë),
xhamia e Allajbegisë shek. XVI (Peshkopi), Xhamia e Beqarëve
shek. XVIII (Berat), kompleksi i Xhamisë dhe i Sahatit
në Peqin 1820 etj.
Një gjini tjetër ndërtimesh kulti që u
përhap në këtë periudhë ishin teqetë.
Prej tyre vlen të përmendet teqeja e Xhelvetive
në qytetin e Beratit, pjesë e një kompleksi
të përbërë nga Xhamia Mbret, konakët
e banimit dhe vetë teqeja e Sheh Qerimit, e ndërtuar
në fund të shek. XVIII. Ajo shquhet për trajtimin
me hijeshi të fasadave me një teknikë ndërtimi
të përsosur me gurë të skuadruar, për
vellimet e barazpeshuara dhe për vlerat e larta artistike
të tavanit të gdhendur në dru e të pikturuar.
Nga tyrbet që ndërtoheshin si mauzole për persona
të shquar të fesë bektashiane, pranë teqeve
apo të veçuara vlen të përmendim tyrben
e Tasllojës në Krujë, e cila shquhet kryesisht
për pikturën murale.
Një gjini e veçantë ndërtimore ishin
hanet, të cilat shërbenin për buajtje të
tregtarëve që vinin nga zonat fshatare apo edhe
nga qytete të tjera. Për tu përmendur
është Hani i Elbasanit në pazarin e vjetër
të qytetit të Korçës, ku qëndronin
kryesisht tregtarë nga Elbasani.
Pranë pazareve, por edhe në brendësi të
lagjeve të qyteteve, u ndërtuan një sërë
hamamesh (banjë turke), të cilat u shërbenin
si tregtarëve që vinin me mallrat e tyre në
ditët e pazarit, ashtu edhe banorëve të qytetit.
Të tilla janë hamamet në Elbasan, Krujë,
Shkodër, Durrës etj.
Pushtimi osman shënoi mbylljen e një periudhe të
gjatë arkitektonike me tiparet e veta specifike në
gjininë e ndërtimeve të kultit të krishterë.
Kjo traditë e lashtë në arkitekturën e
ndërtimeve të kultit të krishterë rishfaqet
në momentin e volitshëm. Duke filluar nga gjysma
e dytë e shek. XVI deri në fillim të shek.
XIX ndërtohet një numër i madh kishash në
territorin e Shqipërisë.
Në këtë periudhë trashëgohen mjaft
parime figurative dhe konstruktive të ndërtimeve
bizantine, por me një interpretim më të lirë
të tipave dhe formave, në përputhje me rrethanat
e reja ekonomiko-shoqërore, duke ndjekur një rrugë
të vetën të zhvillimit dhe duke arritur shpeshherë
në konceptime arkitektonike të veçanta. Ishte
kjo një periudhë e veçantë arkitektonike,
e njohur si arkitektura pasbizantine, e cila ka fillimet e
veta, arritjet më të shquara dhe rënien e saj.
Në bazë të formulimit planimetrik dhe kompozimit
vëllimor, ndërtimet pasbizantine mund të ndahen
në tri grupe të mëdha: 1- Kisha një nefëshe,
2 - Kisha me strukturë në formë kryqi me kupolë
dhe, 3 - Bazilika. Këta tipa nuk përputhen gjithnjë
me shtresëzimin kohor dhe ndarjen krahinore, por ata
përcaktohen më tepër nga kushtet të caktuara
në krahina dhe vende të veçanta.
Tipi i parë i kishave të mbuluara me çati
druri me tjegulla apo me rrasa janë të thjeshta
në ndërtim dhe më pak të kushtueshme.
Këto kisha u ndërtuan që në periudhën
e parë të pushtimit osman dhe duke qenë pak
të kushtueshme, i gjejmë kudo dhe në çdo
kohë. Megjithëse ato nuk dallohen për vlerat
arkitektonike, shumë prej tyre ruajnë piktura të
një niveli të lartë artistik. Të tilla
janë: kisha e Shën Kollit në Shelcan (gjysma
e parë e shek. XVI), Shën e Premtja (1554) dhe Shën
Kolli (1604) në rrethin e Elbasanit, Shën Thanasi
në Pecë (1525), Shën Gjergji në Leshnicë
të Sipërme (1525) në rrethin e Sarandës,
Shën Mitri (1607) dhe Shën Konstandini dhe Elena
(1644) në kështjellën e Beratit etj. Këtij
tipi i përkasin dhe disa kisha të shek. XVI-XVII
në rrethin e Gjirokastrës dhe të Sarandës,
të cilat mbulohen me qemere cilindrike dhe nga ana konstruktive
ruajnë në disa raste lidhjet me tipat e vjetër
bizantinë.
Në këtë grup bëjnë pjesë dhe
kishat e tipit sallë me kupolë, disa prej të
cilave me pamjen e jashtme shfaqen me një tambur të
lartë, si Shën Kolli në Dhivër dhe Shën
Gjergji në Demë të Sarandës.
Kishat me strukturë në formë kryqi me kupolë
janë më të zhvilluarat si nga pikëpamja
strukturore, ashtu edhe arkitektonike. Ato janë të
ngjashme përsa u përket strukturave dhe kompozimit
planimetrik me kishat bizantine të ndërtuara para
pushtimit osman.
Shembujt më karakteristikë janë: kisha e Shën
Mërisë në Zervat (1569), kisha e manastirit
të Shën Qiriakut dhe Julisë në Dhuvjan
(1588) në rrethin e Gjirokastrës, kisha e manastirit
të Shën Mërisë në Kameno (1580),
kisha e manastirit të Shën Mërisë në
Krorëz (1672) në rrethin e Sarandës, kisha
e manastirit të Shën Triadhës në fshatin
Pepel të Gjirokastrës (1750), kisha e Manastirit
të Ungjillëzimit në Vanishtë (1582) etj.
Kishat e tipit bazilikal lindën si nevojë e përfshirjes
së një numri sa më të madh besimtarësh
në shërbesat fetare. Ato karakterizohen nga zgjatja
e boshtit gjatësor, nga lidhja hapësinore e ambienteve
në brendësi, si dhe nga trajtimi i pamjes së
jashtme. Ndërtimet bazilikale hasen në variante
të ndryshme në Shqipërinë e Mesme dhe
të Jugut duke filluar nga gjysma e dytë e shek.
XVII, gjatë gjithë shek. XVIII deri në fillim
të shek. XIX. Një numër i madh i këtyre
kishave shquhen për përmasat e mëdha dhe për
kriteret e tyre arkitektonike. Ato shërbenin si katedrale
qytetesh, qendra peshkopatash, si kisha në qendra banimi
relativisht të mëdha dhe disa herë edhe si
kisha manastiresh.
Për vlerat e tyre arkitekturore dallohen bazilikat e
mëdha të Voskopojës, si Shën Mëria
(1712), Shën Kollli (1721), Shën Mëhilli (1722),
katedralja e Shën Mërisë në kështjellën
e Beratit (1797), Shën Mëria e Sopikut në Gjirokastër,
kisha e manastirit të Ardenicës (1730), Shën
Gjergji në Libofshë (1776).
Pushtimi osman pati si pasojë rrënimin ekonomik
të një sërë qytetesh, si Shkodra, Lezha,
Kruja, Durrësi, Vlora, ndërsa disa qytete të
tjera, si Drishti, Deja, Shurdhahu (Sarda) u shkatërruan
krejtësisht. Gjatë shek. XV deri në fillim
të shek. XVI qytetet shqiptare ishin reduktuar në
qendra të vogla, që kryenin dhe funksionin e tregjeve
lokale. Shek. XVI shënoi një rritje të përgjithshme
të qendrave qytetare, të cilat zgjerohen nga banorë
të rinj të ardhur nga fshati.
Ndërsa në shek. XVII filloi një etapë
me rëndësi në zhvillimin e qytetit shqiptar,
i cili hyn në rrugën e rritjes dhe të forcimit
ekonomik.
Gjatë këtij shekulli pazaret shndërrohen në
qendra të mirëfillta jo vetëm shkëmbimi,
por edhe prodhimi, ato rriten duke u pasuruar dhe me ndërtimin
e dyqaneve-punishte dhe për shitje, që formojnë
ansamble të mëdha mbi bazën e mjeshtërive.
Në shek. XVIII rritja e rolit ekonomik të qyteteve
solli krijimin e tregjeve të mëdha me karakter ndërkrahinor.
Krahas qendrave që përbëheshin nga pazaret,
ndërtimet e kultit dhe ndërtimet shoqërore,
shtresat e pasura ndërtojnë banesa të mëdha,
duke arritur në variantet më të zhvilluara
të tipologjisë së banesës qytetare të
kohës, ndërkohë që shumë banesa ruanin
vulën e prejardhjes së tyre nga fshati. Ky zhvillim
pati si pasojë përmirësimin e infrastrukturës
rrugore si dhe ndërtimin e një numri të madh
urash guri. Të tilla janë: Ura e Mesit (Shkodër),
Ura mbi Osum në Berat, Ura e Urakës (Librazhd),
Ura e Kollorcës (Gjirokastër).
Arkitektura e banesës popullore dallohet për një
vazhdimësi të qartë formash dhe zgjidhjesh
në rrugën e saj të zhvillimit, duke ndjekur
e pasqyruar ecurinë e kushteve dhe të mënyrës
së jetesës.
Banesa qytetare e shek. XVI-XIX zhvillohet në katër
tipa kryesorë:
1 - Banesa me shtëpi zjarri, karakteristike për
qytetin e Tiranës dhe fshatrat përreth, përfaqëson
një nga tipat më të lashtë dhe më
karakteristikë për arkitekturën e banesës
shqiptare. Qendra e kompozimit të kësaj banese është
shtëpia e zjarrit, që ngrihej në lartësinë
e të dy kateve, rreth së cilës ndërtoheshin
shkallë-shkallë mjediset e tjera që kryesisht
shërbenin si dhoma për çiftet.
2 - Banesa me hajat është një tip tjetër
banese që zhvillohet në disa variante. Banesa e
hapur me hajat është tipi sundues në qytetet
e Shqipërisë së Mesme. Karakteristikë
kryesore e këtij tipi është lidhja e tij me
oborrin dhe natyrën. Duke përfituar nga trualli
i sheshtë kjo banesë tregon gjithashtu për
lidhjet me ekonominë bujqësore, prej të cilës
nuk ishin shkëputur qytetet shqiptare.
3 - Banesa me çardak ndeshet shpesh në Berat,
më rrallë në Lezhë, Krujë etj., dhe
mbizotëron në Shkodër. Të tilla janë
ndërtesa e Muzeut Etnografik në Krujë, e Luigj
Gurakuqit në Shkodër, banesat e Toptanasve në
Tiranë etj. Në këto banesa çardaku luan
një rol të dorës së parë në
kompozimin e banesës. Ashtu si dhe tipat e parë,
banesa është konceptuar të qëndrojë
brenda mureve rrethuese, kopshteve të gjera dhe vetëm
rrallë del në rrugë në njërën
apo të dy faqet.
4 - Banesa gjirokastrite, e emërtuar kulla qytetare,
për shkak të tipareve të saj mbrojtëse.
Në variante më pak të zhvilluara atë e
ndeshim dhe në qytete të tjera si Berati, Kruja
dhe Shkodra si dhe në fshatra të Shqipërisë
Veriore, e sidomos në Jug. Kjo banesë qytetare arriti
kulmin e zhvillimit të saj në shek. XVIII. Një
shembull tipik për këtë lloj banese është
ajo e Zekatëve në Gjirokastër.
Gjatë shek. XVIII, si pasojë e dobësimit të
pushtetit qendror osman dhe e krijimit të pashallëqeve
shqiptare, që ishin në luftë midis tyre për
zgjerimin e territoreve të veta, vihet re një rritje
e ndërtimeve me karakter mbrojtës. Kështjellat
e vjetra u rifortifikuan, ndërkohë që u ndërtuan
fortesa të reja. U dallua për ngritje fortifikimesh
Ali pashë Tepelena.
Në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë
ndodhet vetëm një pjesë e kështjellave
të ndërtuara prej tij, si në Tepelenë,
Gjirokastër, Shën Triadhë, Porto-Palermo, Butrint
etj. Ai ndërtoi gjithashtu fortifikime në Janinë,
Artë, Prevezë dhe në Sul. Në ndërtimet
e tij ushtarake Aliu përdori një numër të
madh arkitektësh dhe inxhinierësh ushtarakë
të huaj, por në krye të punimeve që nga
viti 1800 deri rreth vitit 1822 qëndronte Petro Korçari,
një mjeshtër shqiptar, të cilin konsulli i
përgjithshëm i Francës në Shqipëri
Fransua Pukëvili e quan Voban të tij
(Sebastien Vauban - inxhinier ushtarak i shquar dhe mareshal
i Francës).
Ndërtimet ushtarake të Ali Pashës dallohen
nga teknika e ndërtimit me gurë të skuadruar
me kujdes, nga format e rregullta gjeometrike kur e lejonte
terreni, kullat dhe muret e ulëta me faqe të pjerrëta
në anën e jashtme, frëngjitë e mëdha
për toja si dhe nga kornizat dekorative prej guri që
konturojnë zakonisht pjesën e sipërme të
mureve dhe kullave. Në shumicën e rasteve në
ndërtimin e kështjellave Ali Pasha u kushtonte vëmendje
jo vetëm qëllimeve utilitare dhe qëndrueshmërisë,
por edhe përsosurisë estetike me të cilën
synonte të shprehte ndjenjën e madhështisë
e të pushtetit.
Në vitin 1819 Aliu ndërtoi kështjellën
e Tepelenës, punimet e brendshme të së cilës
mbetën të papërfunduara për shkak të
konfliktit me Portën e Lartë. Brenda kështjellës
ai ndërtoi një saraj madhështor me synimin
që vendlindja e tij të bëhej një rezidencë
e dytë pas Janinës, që të mos binte poshtë
saj nga shkëlqimi dhe madhështia. Kështjella
e Porto-Palermos (1804) është model i një fortese
garnizoni, kompakte, e pajisur mirë dhe me mure të
fuqishme.
Ndryshe na paraqitet kështjella e Libohovës, që
shërbente si rezidencë e motrës së tij
Shanishasë; drejtkëndëshe në plan ajo
mbrohet nga 3 kulla poligonale në tri nga këndet
dhe nga një bastion në formë të çrregullt
gjeometrike në këndin tjetër. Format e mprehta
dhe kërcënuese të bastionit në pjesën
më të dukshme të kështjellës, punimi
i përsosur me gurë të latuar, kornizat dhe
format trungkonike të theksuara të kullave, fshehin
në të vërtetë dobësinë e mureve
të holla të saj. Ideja e madhështisë dhe
e pushtetit kanë mbizotëruar në ndërtimin
e kësaj kështjelle.
Kështjella e Gjirokastrës (1812-1813) është
një nga ndërtimet më të rëndësishme
e më të arritura të Ali pashë Tepelenës.
Përshtatja me terrenin shkëmbor të kodrës,
konstruksionet e guximshme, kullat e larta 30 m, sistemi i
galerive i mbuluar me harqe e qemere, kazematet e shumta dhe
ujësjellësi 7 km i gjatë i ngritur mbi një
sistem kanalesh dhe urash madhështore, e bëjnë
të admirueshme këtë vepër gjigante të
arkitekturës ushtarake, e cila edhe për aq sa ruhet
në ditët tona, mbetet tërheqëse për
vizitorin.
Artet figurative në shek. XVI-XVIII. Piktura
Në shek. XVI në fushën e arteve figurative
vazhdoi të zotëronte në Shqipëri ikonografia,
që shënoi atëherë kulmin e saj. Në
këtë periudhë u realizuan mjaft vepra pikture
të kishave dhe ikona, të cilat sot janë nga
kryeveprat e kësaj fushe.
Shek. XVI është në artet figurative shekulli
i Onufrit (Onufër Neokastritit), mjeshtrit më të
madh të ikonografisë shqiptare, i cili krijoi stilin
e tij dhe ishte i pari që bëri kthesën në
pikturën postbizantine në Shqipëri. Historianët
i atribuojnë vitin 1500 si vit të lindjes dhe atë
të vdekjes vitin 1578.
Onufri ka ushtruar veprimtarinë e tij kryesisht në
kështjellën e Beratit, ku ka bërë afresket
e kishës së Shën Todrit, gjithsej 13 afreske.
Sipas mbishkrimit të datës 23 korrik 1547 realizoi
31 afreske në kishën e Apostujve në Kostur
(sot Greqi). Më 1554 bëri afresket në kishën
e Shën Marisë, në zonën e Shpatit (Elbasan),
të Shën e Premtes në Valsh (Elbasan), në
kishën e Shën Kollit në Shelcan, si dhe në
kishën e shpërfytyrimit në Zërzë
të Përlepit (sot Maqedoni) më 1535. Në
Berat realizoi ikonat e famshme të ikonostasit të
kishës së Evangjelizmos (në Kala), të
cilat janë kryeveprat e këtij mjeshtri. Këto
vepra janë të përkryera nga mjeshtëria
e lartë në realizimin e figurave, nga pasuria e
ngjyrave, pikturimi i veshjeve dhe i ndërtesave me shumë
nuanca ngjyrash dhe portrete psikologjike. Figurat e tij shquhen
për origjinalitetin e tyre.
Ikonografia e Onufrit paraqitet harmonike përsa u përket
ngjyrave, shquhet nga një formë e përkryer
e realizimit të imazhit. Ai krijon një raport koloristik
në ikona me mbizotërim të ngjyrës së
kuqe, që e përdor në një mënyrë
mjaft mjeshtërore dhe tërheqëse, duke e organizuar
atë në praninë e jeshiles në smerald,
drejt një uniteti tekniko-artistik të paarritshëm
nga ikonografët e tjerë.
Ikonografia e realizuar nga Onufri mbetet një nga veprat
më të arrira të pikturës ikonografike
bizantine të realizuar në territorin shqiptar. Në
këto ikona vërehet mbështetja në traditën
e vjetër bizantine, por edhe ndikimi i artit të
Venedikut, si edhe tradita e pasur e piktorëve vendës
të shek. XIII-XIV. Rol të veçantë në
formimin e Onufrit luajti qyteti i Beratit me kulturën
shekullore, me qendrat e njohura të antikitetit pranë
Apolonisë dhe Ballshit, si dhe me artin e pikturës
murale të shek. XIII-XIV
Shek. XVI i takon edhe artisti tjetër ikonograf Nikolla
(i biri i Onufrit). Ai vazhdoi në krijimtarinë e
tij ikonografinë e Onufrit, duke lënë mjaft
afreske dhe ikona që dëshmojnë për një
cilësi të lartë profesionale. Ka pikturuar
në kishën e Vllahernës në kështjellën
e Beratit, në Kurjan të Fierit e në Dhërmi.
Vepra të Nikollës ndodhen dhe në Arbanas të
Bullgarisë. Në krijimtarinë ikonografike të
Nikollës ndihet mjaft vazhdimësia tipologjike e
ikonografisë së Onufrit. Afresket e kishës
së Shën Mërisë Vllaherne në Berat,
të realizuara në vitin 1578, dhe në kishën
e Shën Kollit në Kurjan të Fierit, së
bashku me piktor Joanin si dhe ikonat që trashëgohen
prej tij, përfaqësojnë vlera të shquara
artistike në pasurinë tonë ikonografike kombëtare.
Onufri, së bashku me nxënësit e tij, Nikolla
(i biri) dhe Onufër Qiprioti, përbënin elitën
e artistëve më të shquar të ikonografëve
të asaj kohe. Së bashku konverguan në një
hapësirë të përbashkët artistike.
Themeluan një traditë të qartë për
pasardhësit e tyre. Krahas tipareve që çuan
më tej dhe pasuruan ornamentikën, krijuan njëkohësisht
variante dhe subjekte të reja, zgjedhje kompozicionale
të traditës bizantine, duke i dhënë ikonografisë
vendase një tipar të ri e mbi të gjitha themeluan
shkollën e Beratit (të pikturës) ose e Onufrit,
e cila u reflektua në ikonografinë artistike të
ikonografëve deri në shek. XIX.
Një tjetër piktor ikonograf, i cili punoi pranë
ateliesë së Onufrit të madh, është
dhe Onufër Qiprioti. Më 1571, kur Qipro pushtohet
nga turqit, shumë piktorë ikonografë u larguan
nga vendi i tyre duke emigruar në disa vende të
Ballkanit si dhe në Venedik. Një ndër ta është
dhe Joani i Qipros ose Onufër Qiprioti i cili më
1591 realizoi afresket në kishën e Shën Kollit
në kalanë e Beratit. Viti 1591 është viti
ku ne marrim sinjalet e para të ushtrimit të veprimtarisë
artistike të këtij autori. Duke iu referuar vitit
1571, vitit të pushtimit të Qipros, mendojmë
se Onufër Qiprioti mundet të ketë emigruar
në Shqipëri në moshën 20 vjeçare
duke sjellë me vete influencat e shkollës së
Venedikut, Qipros dhe të Kretës.
Qëndrimi i tij në Berat pranë Onufrit të
madh, bëri që ai të konsolidohej plotësisht
si ikonograf. I vendosur më vonë në rrethinat
e Gjirokastrës realizon afresket e kishës së
Vrahogoranxisë në Gjirokastër më 1622.
Nga datimet del se ky ikonograf ushtroi krijimtarinë
e tij në një shtrirje kohore 31-vjeçare.
Qiprioti mori shumë nga Onufri. Miniaturën e përfituar
prej tij ai e pasuroi më shumë. Elementi që
huazoi më tepër prej tij është kaligrafia
e shkrimit, e cila nuk dallohet nga Onufri. Ai mbetet piktori
i parë deri në shek. XVI që shkruan emrin në
ikona. Dha ndihmesë të madhe në formimin e
shkollës së Beratit si dhe në përhapjen
e kësaj shkolle në jug të Shqipërisë.
Shumë vepra që mbajnë firmën e tij radhiten
në krijimet më të mira të ikonografëve
shqiptarë dhe formuan një traditë me vlerë,
mbi të cilën u mbështetën piktorët
e tjerë të shek. XVIII, si Konstandin Shpataraku,
Konstandin dhe Athanas Zografi, Çetirët, Joan
Athanasi dhe Konstandin Jeremonaku. Portretet e realizuara
prej Qipriotit në afreske dhe në ikona, ndryshe
nga të tjerët, janë të pikturuara me ngjyra
të ngrohta me dritë dhe transparencë. Kurse
me plastikën e tyre krijoi tipat individualë.
Në mesin e shek. XVII, duke filluar nga viti 1643 ushtroi
krijimtarinë ikonografi Konstandin Jeremonaku, i cili
shfaqet me një miniaturë e stil të veçantë,
në paraqitjen e figurave. Veprat e tij janë ndikuar
nga shkolla e Onufrit. Ai e ka ushtruar veprimtarinë
në zonën e Korçës. Për këtë
dëshmojnë ikonat e gjetura në kisha, siç
janë ato të kishës së Shën Gjon Vladimirit-Elbasan.
Rreth këtyre viteve mendohet të ketë bërë
dhe disa ikona të cilat datojnë në vitin 1711
në kishën e manastirit të Shën Naumit
(Ohër).
Në shek. XVIII vihet re një gjallërim në
jetën ekonomike e kulturore të Shqipërisë,
që u shoqërua me formimin e një shtrese të
pasur shoqërore, e cila çoi përpara krijimtarinë
artistike. Kjo ngritje ekonomike i dha dorë zhvillimit
të kulturës e arsimit dhe depërtimit të
ideve iluministe të botës perëndimore të
asaj kohe. Filluan të ngriheshin një numër
i konsiderueshëm bazilikash të mëdha në
Voskopojë, Korçë, Fier, Gjirokastër.
Ngritja e nivelit të zhvillimit kulturor në Korçë,
që lidhej edhe me traditat e vjetra, krijoi premisa për
lindjen e shkollës së Korçës nga artistë
vendas. Themelues i kësaj shkolle konsiderohet David
Selenica, i cili pasohet nga Konstandin e Athanas Zografi
dhe të gjithë piktorët e mëvonshëm
që dolën nga kjo zonë. Davidi njihet si artist
i madh në artin kishtar lindor në përgjithësi
gjatë shek. XVIII. Kur arti kishtar në Ballkan ishte
gati në rënie të plotë Voskopoja e Vithkuqi
patën një zhvillim ekonomik e kulturor. Ai shkëputet
nga krijimtaria e piktorëve të kësaj periudhe
duke rizgjuar artin e periudhës më të shkëlqyer
të mbretërimit të paleologëve. Po në
kohën e Davidit filloi veprimtarinë si piktor Konstandin
Shpataraku.
David Selenica e ka realizuar ikonografinë e tij në
kishën e Shën Kollit në Voskopojë. Mendohet
se ai është formuar si ikonograf në Malin Athos,
dhe ka pikturuar narteksin e Kapelës së Virgjëreshës
në manastirin Laura e Madhe, si dhe afresket e kishës
së Shën Prodhonit në Kostur (1727) dhe ato
në kishën e Shën Mërisë së Madhe
në Selanik. Vetëm në kishën e Shën
Kollit numërohen rreth dy mijë figura të pikturuara
prej tij.
Më 1722-1726 David Selenica punoi afresket e kishës
së Shën Kollit në Voskopojë me ndihmën
e Konstandinit. Skenat e realizuara në muret e Shën
Kollit kanë një lirshmëri të figurave.
Tek ai gjejmë tema të apokalipsit nga historia dhe
jeta e shenjtorëve. David Selenica shkëputet shumë
nga krijimtaria e piktorëve të kësaj periudhe.
Qe i pari që guxoi të cenonte traditën qindravjeçare
që ishte në fuqi deri në atë kohë
dhe nuk ngurroi aspak të fuste elemente të reja
që ishin në kundërshtim me këtë traditë
shekullore e të ngurtë, e cila e kishte bërë,
tanimë, punën e saj. Duke ruajtur zgjidhjen monumentale
ashtu si dhe në ikonografinë e Qipriotit dhe të
Jeremonakut, Davidi kërkon në artin e tij ta përjashtojë
kufirin e dukshëm që hasim në ikonografinë
e mëparshme midis personazheve hyjnore dhe atyre tokësore.
Tipologjia kristiane e imazhit bizantin shfaqet nëpërmjet
ikonografisë së Davidit më e kapshme dhe më
e kuptueshme në sajë të një realizmi,
i cili nuk vihej re më parë në ikonografinë
pasbizantine në Shqipëri. Skenat e pikturuara prej
tij fitojnë një sens laik, në ribashkimin dhe
në njëjtësimin e njeriut dhe të shenjtit
të paraqitur. Pavarësisht se temat ruajnë versionin
liturgjik kristian, kjo nuk e ka penguar David Selenicën,
që me mjeshtërinë profesionale të fusë
natyrshëm detaje nga jeta reale, duke hedhur fillimet
e humanizmit të artit ikonografik bizantin në vendin
tonë. Duke u larguar nga rregullat e artit bizantin,
por jo nga elementet më të qenësishme që
përbëjnë temat liturgjike, themelon një
krijimtari ikonografike që sa vjen e çlirohet
nga dogma, duke sjellë një Rilindje të dukshme
në ikonografinë shqiptare. Me sa duket, lidhjet
e Voskopojës (në kishat e së cilës David
Selenica pikturoi), me qendra të mëdha mjaft të
zhvilluara dhe iluministe, si Vjena, Budapesti, Lajpcigu,
Venediku, zgjeruan më shumë mundësitë
që arti ikonografik të ndryshonte edhe nën
ndikimin e rinovimit të madh që po kalonte arti
evropian.
Në kohën e Davidit fillon veprimtarinë Konstandin
Shpataraku me origjinë nga Shpati i Elbasanit, vendlindja
e Onufrit, i cili realizon më 1744 ikonat e ikonostasit
të kishës së manastirit të Ardenicës.
Në ikonat e tij ka elementë të rinj artistikë
dhe të frymëzuar nga realiteti i kësaj epoke.
Njëra prej veprave të tij, është ajo e
Shën Gjon Vladimirit në ikonostasin e kishës
së manastirit të Ardenicës, ku ka pikturuar
princin shqiptar Karl Topia (1359-1388). Krijimet e tij konsiderohen
si vazhduese të shkollës së Onufrit sidomos
në realizimin e miniaturës dhe të tipave të
portreteve, pa përjashtuar dhe ndikimet e shkollës
së Malit Athos.
Shek. XVIII përfaqëson periudhën kur bëhen
mjaft afreske dhe ikona. Në Vithkuq pikturohen muret
e kishës së Shën Pjetrit, të kishës
së Shën Kollit dhe të Shën Mërisë,
ku skenat marrin një hapësirë më të
gjerë në zgjedhjet kompozicionale dhe në lirshmërinë
e pikturimit. Kjo ndihmohet edhe nga hapësirat e mëdha
të krijuara nga ndërtimi i bazilikave. Piktorët
e këtij shekulli ndjekin traditën e shkollës
së Korçës e pikërisht atë të
David Selenicës. Krijimtaria e vëllezërve Konstandin
e Athanas Zografi zhvillohet në mesin e shek. XVIII (1720-1764),
kur ata realizuan ikonat dhe afresket e tyre. Krijimtaria
e tyre si dhe e nipërve Terpo dhe Eftimiu shtrihet në
zonën e rrethit të Korçës e deri në
kishat e Myzeqesë. Ajo mbështetet mbi traditën
e shkollës së Malit Athos, ku ata studiuan dhe punuan,
si dhe nën ndikimin e pikturës së Davidit.
Më 1720 realizuan afresket e kishës së Metropolisë
së Korçës, më 1745 ato të manastirit
të Ardenicës, hajatin e kishës së Shën
Kollit ku pikturoi edhe David Selenica më 1750, si dhe
mjaft afreske në Hungari e në Malin Athos. Krijimtaria
e tyre është e pasur edhe në ikona. Karakteristikë
e këtyre ikonografëve është prirja për
t`i veshur shenjtorët me rroba kombëtare. Krijuan
skena të rralla, nga tematika e tyre, në lidhje
me Apokalipsin, ku janë paraqitur kafshë alegorike
dhe një numër i madh figurash. Në afresket
e manastirit të Ardenicës ata pasqyruan edhe kompozitorin
e njohur të botës së Bizantit të shek.
XII me origjinë nga Durrësi, Joan Kukuzeli.
Në fillimin e shek. XIX vazhdoi krijimtarinë i biri
i Konstandinit, i cili punoi në kishën e Vodicës
afër Beratit (më 1805), në kishën e Shën
Premtes në Përmet (më 1808), në kishën
e Shën Konstandinit në Drenovë afër Korçës,
më 1810. Kurse djali i Athanasit (Zografit), në
këtë periudhë ka realizuar vetëm ikona,
të cilat dëshmojnë për një rënie
të këtij arti kishtar në këtë periudhë.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe gjatë
gjysmës së parë të shek. XIX zhvilluan
veprimtarinë e tyre piktorët e familjes Çetiri
nga Grabova. Krijimtaria e tyre shtrihet kryesisht në
krahinën e Myzeqesë, në Vlorë, Berat,
Fier e në Lushnjë ku shumë afreske dhe ikona
mbajnë firmën e tyre, si në kishën e Shën
Vlashit (Vlorë) më 1792, të Shën Kollit
(Vanaj Myzeqe) më 1795, në kishën e
Shën Thanasit në Karavasta (më 1797) etj. Lanë
një krijimtari mjaft të pasur dhe kanë realizuar
qindra skena në mure e në ikona. Tematika dhe stili
i këtyre ikonografëve janë të njëjtë
me ato të vëllezërve korçarë Konstandin
dhe Athanas Zografi, si edhe të Konstandin Shpatarakut
Në shek. XIX, kur arti ikonografik ishte në rënie,
shquhen veprat e piktorit Mihal Anagnosti. Veprat e tij konsiderohen
si shfaqje të fundit të këtij arti ikonografik
në Shqipëri. Ndryshe nga veprat e paraardhësve,
krijimet e tij shquhen për një stil që dallohej
nga ai i traditës së Bizantit, duke u afruar më
tepër me ato të Rilindjes italiane. Megjithatë
portretet e tij ngjasojnë më tepër me portrete
orientale. Veprat e tij (ikonat), i bëri kryesisht për
ikonostasin e kishës së Katedrales në Elbasan.
Ai realizoi gjithashtu afresket dhe ikonat e ikonostasit të
kishës së manastirit të Bigorskit (sot Maqedoni).
Ky ikonograf shfrytëzoi dhe mori nga piktura paraardhëse
shumë elemente artistike. Në veprën e tij rrezatojnë
Onufri, Qipiroti, Nikolla, Shpataraku, Zografët etj.
Arti ikonografik përbën një pasuri të
madhe në kulturën shqiptare. Në veprat e tij
pasqyrohet shpirti krijues i piktorëve dhe shfaqen, njëherazi,
shpirti dhe realiteti i popullit shqiptar.
|
 |  |