 |  |
K R E U VI
MBRETËRIA E DARDANISË
Mbretëria Dardane doli në skenën historike
në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej
faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë
në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I
p.e.sonë Shteti i Dardanisë, duke i bërë
sfidë dominimit romak për një kohë të
gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake.
dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së
Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 e.sonë.
Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin
dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që
në vitin 279 e.sonë të krijohej njësia
e veçantë administrative-politike romake, Provinca
e Dardanisë.
Territori dhe popullsia
Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së
sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të
Serbisë Jugore dhe në një pjesë të
Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek.III
p.e.sonë, në kuadër të mbretërisë
hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike
Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë
edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën
qëndrore të kësaj mbretërie.
Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike
dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve
me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta.
Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve
Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte
një udhëkryq të rrugëkalimeve të
rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut,
Adriatikut dhe Detit të Zi.
Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit,
fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës
së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria
Dardane në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin
më të madh.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet
e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve,
galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim,
fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të
aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë,
mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore
duke i dhënë emrin mbretërisë. Në
shek.V p.e.sonë këto fise banonin në hapësirën
midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë)
dhe Timakus (Timok).
Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë,
lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha,
dhe do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike
dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes,
si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të
lumenjve në Dardani, si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus
(Drini) etj.
Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire.
Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë
me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta
me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë
kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike,
pranë burimeve të qëndrueshme ekonomike. Vendbanimet
rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen me gjerdhe,
apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë
të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat
gradina, gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan
edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë,
njihen me toponimet gjytet dhe kala.
Deri në shek. IV p.e.sonë varrimi kryesor është
bërë në nekropole tumulare, si në gjithë
trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të
epokës së hekurit ka edhe varrime me urna - kultura
Bërnicë (shek. XI-IX p.e.sonë).
Dardania paraurbane
Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në
protohistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë.
Në këtë fazë protourbane fuqizohet aristokracia
fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu
bazë për një shtresë të ardhshme
skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë
shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët
sollën në trojet dardane importe të shumta
luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë
vendëse gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua
nga mesi i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë,
prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse
dhe sipas modeleve helene.
Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në
kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike,
siç janë themelet me gurë e me lidhje të
thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë
të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo
në rrafsh, gjë që bëhet tipike në
fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë
të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës
së hershme ilire.
Dardanët në shek. IV p.e.sonë.
Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane
Lajmi i parë për dardanët i përket mesit
të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një
përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë,
që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake
më e madhe në Ballkan, për të forcuar
kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit,
Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte
dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë
e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë
dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake
kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë
ai sulmoi edhe shtetin ilir.
Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët
qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim
i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e
kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë
në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon
kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve.
Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar
me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë
se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese
të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në
kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.
Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët
antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi
të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për
organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk
përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme
dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë
se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë
ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi
të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një
tërësi gjeografike e politike më vete. Në
bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti
i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj
parie doli më vonë dinastia mbretërore, që
i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të
cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra
u nxitën, në radhë të parë, nga politika
e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke
mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë
marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve
dhe kërcënonin në mënyrë të
vazhdueshme dardanët.
Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën
qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një
organizëm politik i rëndësishëm. Në
vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme
ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të
cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve,
kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të
Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë
Maqedonisë për tu mbrojtur nga ky invazion.
Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë
mbreti i dardanëve kishte dërguar delegatë
te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për ti ofruar
një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh
në luftën kundër keltëve. Por Ptoleme
Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me
fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët
morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas
disfatës në Greqi, keltët të mundur e
të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat
e ushtrisë së tyre u asgjësuan të
gjitha në tokën e dardanëve, nëpër
të cilën deshën të kalonin, kështu
shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin
e invazionit të keltëve.
Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë
një burim i çmuar për të njohur gjendjen
e krijuar te dardanët në fillim të shek. III
p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit
të dardanëve, dihet se këta të fundit
kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte
një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe
nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh
që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i
sundimtarit të dardanëve duhet parë si një
tregues i fuqisë së Mbretërisë së
Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje
për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët
jugorë.
Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike,
për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për
dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë
kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar
të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të
invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen
e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur
edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës
së mësipërme Mbretëria e Dardanëve
u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht
kufijtë e saj në veri e në jug.
Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë
rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane
dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave
duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve
maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë
dhe në mënyrë të veçantë pushtimi
i truallit të paionëve. Paionët herëpashere
janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe,
duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur
të çlirohen. Një aleancë e vjetër,
më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë
ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk
mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve
antikë sipas të cilëve, sa herë që
paionët fitonin pavarësinë, dardanët e
kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.
Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari
i parë dardan që njohim me emër, Longari, i
cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë,
luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke
kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon
për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria
Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe
sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin
forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët,
çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake
në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin
e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë
së tyre sundimtarët dardanë bënë
përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në
zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të
tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar
nga rasti që shteti ilir, në krye të të
cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime
ushtarake në jug, në Epir, një pjesë
e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe
ishin hedhur nga ana e dardanëve. Teuta dha urdhër
për të bërë paqe me epirotët dhe
për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte
popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit
ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën
vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan
me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u
ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të
çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund
ti mbante nën vartësi këto fise. Dardanët,
po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë
që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj.
Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi
sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe
sundimtari i Maqedonisë Demetri II.
Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit
të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi
në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja
e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni
mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë
e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin
pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit
II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e
lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon
të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi
të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën
e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim
të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonëve
në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm
për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq
më tepër kur në brigjet perëndimore të
Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika
e Romës kishte ardhur në kontakt me Maqedoninë.
Kjo gjendje herët a vonë do ti çonte
të dyja palët në luftë.
Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë
pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë
burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë
sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen
e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të
Maqedonisë. Në vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi
V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi
atë pjesë të Paionisë që mbanin të
pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin
Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën
në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në
kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan
përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit.
Forcimi i kufirit verior të mbretërisë maqedone
dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit
do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në
Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit.
Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari
maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në
kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia
në pjesën jugperëndimore të Dardanisë,
dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit)
një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme
e sulmeve të dardanëve.
Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri
me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V,
pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin
në favor të tyre çështjen e vartësisë
së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë
dhe u bënë një pengesë serioze për
realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen
e hegjemonisë maqedone në Greqi. Për Mbretërinë
Dardane u krijua një situatë e favorshme në
konfliktin me Maqedoninë pas agresionit të Filipit
V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.sonë,
dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin
e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë.
Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në
qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria
dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë
në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë.
Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të
Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni
në kufirin perëndimor të mbretërisë
maqedone. Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon
dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë
së dardanëve e detyruan mbretin maqedon të
hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej
në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi,
bënë që Filipi të tërhiqej
edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara
domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë
e vet. Me këto ngjarje të fundit duhet të
lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit
dardanët kishin filluar të shkretojnë
krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë
20 mijë robër. Më pas, vazhdon ai, Filipi
V duke analizuar situatën e vështirë në
të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet
me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi
që fushatën e parë ta bënte kundër
dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim
serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake.
Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër
dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.
Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve
(Shek. II p.e.sonë)
Gjendja e krijuar në Ballkan në fund të shek.
III p.e.sonë, pas paqes që shteti maqedon bëri
me etolët dhe romakët, që i dha mundësi
atij për të sulmuar dardanët, nuk vazhdoi gjatë.
Livi shkruan se në vitin 200 p.e.sonë, pas ekspeditës
së suksesshme të romakëve në Dasareti
(kundër Maqedonisë) tek lëmi i romakëve
erdhën mbretër të ndryshëm e prijësa
fqinjë të maqedonëve, midis të cilëve
Pleurati, i biri i Skerdilaidit dhe Batoja, i biri i Longarit.
Ata i ofronin komandantit romak ndihmë ushtarake kundër
maqedonëve. Dardanët u futën përsëri
në koalicionin antimaqedon, por tani të përgatitur
nga Roma për qëllimet e saj. Ky koalicion e afroi
Mbretërinë e Dardanëve edhe me shtetin ilir.
Duke bashkëpunuar me ushtrinë romake që kishte
arritur në kufijtë e Maqedonisë dhe duke i
bashkërenditur me të veprimet luftarake, paria sunduese
dardane shpresonte se me premtimet territoriale që i
kishte bërë Roma, do të realizonte aspiratën
e saj të vjetër, futjen e Paionisë nën
varësinë e saj. Kështu në luftën
e dytë romako-maqedone morën pjesë edhe dardanët.
Veprimet e para që ndërmori shteti maqedon në
luftën kundër romakëve qenë ato kundër
aleatëve të tyre, dardanëve, të cilët,
sipas Livit, bashkë me etolët formonin dy mbështetje
të mëdha për romakët. Këto veprime
u përqendruan në mbylljen e në forcimin e grykës
së Pelagonisë, një rrugë tjetër kalimi
e përdorur nga dardanët sidomos pas afrimit të
tyre me sundimtarët e Ilirisë së Jugut. Në
vitin 199 p.e.sonë, nën presionin e ushtrive romake
Filipi V i largoi forcat ushtarake të komanduara nga
djali i tij Perseu që mbanin ngushticat e Pelagonisë
dhe në këtë mënyrë u hapi rrugën
për në Maqedoni ushtrive ilire të Pleuratit
e të dardanëve. Edhe në këtë luftë
maqedonët i konsideruan dardanët si armiq më
të rrezikshëm. Duke u tërhequr para forcave
kundërshtare, sundimtari maqedon mori masa vetëm
kundër dardanëve, të cilët pasi kishin
plaçkitur Maqedoninë e Sipërme bashkë
me romakët, u tërhoqën drejt viseve të
tyre. Ushtria dardane që po largohej nga Maqedonia, e
sulmuar nga maqedonët u detyrua të rreshtohej për
luftim. Beteja që vuri përballë ushtrinë
e armatosur rëndë të dardanëve kundër
kalorisë e këmbësorisë së lehtë
të stërvitur mirë të Maqedonisë përfundoi
pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që
përdori ushtria dardane bëri që në këtë
betejë ajo të mos kishte humbje të mëdha
dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e armikut.
Në vitin 197 p.e.sonë, pas betejës së
Kinokefalit që përfundoi në favor të romakëve,
u vendos një armëpushim midis Romës e Maqedonisë.
Dardanët, megjithëse luftuan përkrah romakëve,
ndryshe nga shteti ilir, nuk patën asnjë përfitim,
kështu u bë e qartë politika e diferencuar
e Romës dhe synimet e qëndrimi i saj ndaj shteteve
të ndryshme ballkanike. Pakënaqësia e krijuar
tek paria dardane ndaj romakëve, pas ngjarjeve të
mësipërme, shkaktoi një të çarë
të thellë në marrëdhëniet midis tyre.
Ata filluan përsëri të bëjnë një
politikë të pavarur që e provon edhe fakti
se etolët në vitin 190 p.e.sonë, u kërkuan
dardanëve ushtarë me pagesë në luftën
kundër romakëve.
Nga ana tjetër, maqedonët përfituan nga paqja
e qëndrimi hakmarrës i romakëve kundër
dardanëve, të cilëve iu desh të luftojnë
të vetëm kundër një armiku të egërsuar.
Për këtë qëllim, Filipi V, me forca të
shumta sulmoi dardanët dhe në betejën që
u bë pranë qytetit Stobi në Paioni e theu ushtrinë
e tyre. Por dardanët mbetën për maqedonët
gjithnjë kundërshtarë të fortë që
nuk e ndërprenë luftën kundër tyre. Duke
e ndjerë forcën e Mbretërisë Dardane dhe
mospajtimin e saj me politikën maqedone, sundimtarët
e Maqedonisë menduan ta shkatërrojnë atë
me anën e forcave të treta. Për këtë
Filipi V i shfrytëzoi bastarnët që banonin
në krahinën e Danubit.
Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte
që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të
vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V],
mendonte se prej kësaj do të kishte një përfitim
të dyfishtë, nga njëra anë, do të
zhdukej fisi i dardanëve, i cili gjithmonë kishte
qenë armik i rrezikshëm i Maqedonisë dhe shqetësonte
mbretërit e saj në çaste të vështira,
kurse, nga ana tjetër, do të dërgonte bastarnët
në Itali që ta shkretonin atë pasi të
linin në Dardani gratë dhe fëmijët e tyre.
Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e.sonë
të ndihmuar edhe nga trakët e skordiskët, fqinjë
veriorë e lindorë të tyre. Invazionet dhe qëndrimi
i bastarnëve në viset e dardanëve krijoi për
këta të fundit një situatë shumë
të vështirë, kurse Perseu, pasardhësi
i Filipit V, mundi ta vazhdonte i qetë luftën kundër
Romës. Dardanët e pësuan për të dytën
herë nga aleatët e tyre romakë. Roma nuk i
dha asnjë përgjigje ankesës së delegatëve
dardanë që njoftonin senatin romak se invazioni
i bastarnëve ishte i përgatitur dhe i nxitur nga
Maqedonia. Të mbetur përsëri vetëm, sundimtarët
dardanë grumbulluan ushtrinë e tyre dhe i sulmuan
bastarnët. Beteja përfundimtare, tregon Tit-Livi,
u zhvillua nën muret e një qyteti dardan. Kjo betejë,
të cilën e fituan dardanët, edhe pse Livi nuk
e përmend këtë, përfundoi me largimin
e bastarnëve nga Dardania në dimrin e vitit 176-175
p.e.sonë.
Atë që shteti maqedon nuk mundi ta bëjë
me anën e bastarnëve, u përpoq ta bënte
me forcën e armëve të tij. Në vitin 172
p.e.sonë në krye të ushtrisë maqedone
që sulmoi Mbretërinë Dardane u vu vetë
mbreti Perseu. Fitorja e përkohshme nuk i lëkundi
dardanët dhe nuk pati ndonjë rëndësi të
madhe, sepse në dy vitet që pasuan Mbretëria
e Dardanëve përmendet si një fuqi e rëndësishme
në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë
ata e forcuan miqësinë me shtetin ilir nëpërmjet
një lidhje martesore të Teutës, bijës
së mbretit Monun, me Gentin. Kjo aleancë u shoqërua
me një veprimtari ushtarake të përkohshme kundër
Maqedonisë në kufijtë perëndimorë
të saj, por sukseset e Perseut në krahinën
e banuar nga penestët dhe politika antiromake që
filloi të bënte Genti e afruan shtetin ilir me shtetin
maqedon. Koniunktura politike që u krijua në prag
të luftës së fundit të romakëve kundër
shtetit maqedon e shtetit ilir e detyroi Mbretërinë
Dardane të afrohej përsëri me romakët,
etolët e penestët kundër maqedonëve. Por
me gjithë pjesëmarrjen e tyre në koalicionin
antimaqedon edhe pas mundjes përfundimtare të Maqedonisë,
dardanët nuk e morën Paioninë. Dardanëve,
të cilët kërkonin Paioninë, pasi ishin
kufitarë me tokat e tyre, komandanti romak, - thotë
Livi, - iu përgjigj se u jepte liri gjithë atyre
që qenë nën sundimin e Perseut. Duke mos u
dhënë Paioninë e kërkuar prej tyre, u
dha të drejtën të tregtonin kripë.
Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror
i dardanëve në shek. III-II p.e.sonë
Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë
u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një
formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm.
Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri
ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet
me truallin në të cilin autorët antikë
kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve.
Kjo trevë në kohën e lulëzimit të
Mbretërisë së Dardanëve arrinte në
veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari)
dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët.
Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar),
duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë.
Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante
Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi
Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir.
Dardania e lashtë në vija të përgjithshme
i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Për mungesë të dhënash burimore nuk e
njohim ende mirë organizimin e brendshëm të
Mbretërisë së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që
janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin
se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik
e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror
që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të
Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por
kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në
një shkallë të tillë të zhvillimit
që përjashtonte praninë tek ata të një
organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës
shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur
mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë
thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë
gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane
ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari
të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht
luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm
etja për plaçkë ajo që i
shtynte dardanët në luftë me maqedonët.
Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë
vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë
në Greqi edhe sundimtarët maqedonë, sikurse
edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat
dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e
dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë
qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por
duhet thënë se në kohën e lulëzimit
të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste,
kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.
Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria
Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej
nga mbretërit, të cilët janë përpjekur
të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe
nëpërmjet lidhjeve martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror
ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte
fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve.
Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane
ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë,
në bazën e së cilës qëndronte falanga
me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një
ushtri e përbërë nga këmbësorë
të armatosur rëndë, që manovronte në
luftë sipas një taktike të veçantë.
Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej
nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; dardanët,
- shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u vendosën në
radhë të rregullta përballë armikut, beteja
u zhvillua njëlloj si në një luftë të
vërtetë. Dhe më poshtë ai shton:
Por sapo dardanët viheshin në rrugë,
njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë
e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse
dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe
ishin ngarkuar me armë të rënda... U vranë
pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë
nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët
e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së
bashku luftojnë ose tërhiqen. Një ushtri
e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore.
Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte
një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë
mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një
ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë
vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni,
ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë
robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë
kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë.
Këto shifra të larta, të cilat tregojnë
fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane,
edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë
me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë
dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror
në Dardani.
Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak
i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike
të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë
mbështetur në radhë të parë në
zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë
kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme
për të gjitha degët e bujqësisë.
Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë,
ka bërë që te dardanët të mbizotërojë
popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet
karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë
për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror
dhe format e pronësisë tokësore te dardanët
në shek. III p.e.sonë janë të dhënat
e Agatharkidit. Në veprën e tij Evropaikon,
ai shkruan se dardanët kanë kaq shumë
skllevër sa dikush kishte një mijë... kurse
një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta
[skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse
në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke
pasur si prijës të zotin e vet. Duke pranuar
mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër,
duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet
prania te dardanët e një shtrese të pasur që
zotëronte prona të mëdha tokësore dhe
të një popullsie të shpronësuar, e cila
kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese
dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm skllevërit
që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e
luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja
që në luftën e vitit 216 p.e.sonë ushtria
dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia.
Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë
së tokës në Mbretërinë Dardane. Te
dardanët ka pasur edhe një shtresë të
fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët
bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur
një rol të rëndësishëm në jetën
ekonomike të vendit. Edhe gjatë pushtimit romak,
kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap
në një shkallë të gjerë, fshatarët
e lirë mbetën një forcë e madhe në
provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu
e rëndësishme në jetën ekonomike të
dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi
i metaleve. Në mungesë të të dhënave
të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë
parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në
kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve
dhe e metalpunuesve dardanë.
Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara
të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane.
Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në
rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte
një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër
minierave të argjendit rreth shek. V p.e.sonë. Në
njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato
quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend
si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda
etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë,
përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu,
autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete
të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë:
Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.
Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike
mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar
të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të
tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë
zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara
dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë
për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat
maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah
e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara
duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para
dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë
që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.
Mbretëria Dardane në luftën kundër
Romës
Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë
nga romakët marrëdhëniet e dardanëve me
ta ndryshuan. Që nga kjo kohë për parinë
sunduese dardane u bë e qartë se me romakët
nuk kishte vend më për bashkëpunim, i cili
nuk u kishte sjellë përveç dëmeve, asnjë
përfitim. Në kufijtë jugorë vendin e shtetit
maqedon e kishte zënë Roma, synimet e së cilës
për nënshtrimin e plotë të ilirëve
nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së romakëve
dardanët iu përgjigjën, në fillim me sulme
kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke mbrojtur
kundërshtarët e Romës. Më vonë, pas
largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet
e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane,
dardanët u radhitën në luftë kundër
romakëve përkrah fqinjëve të tyre lindorë,
medëve. Veprimet e përbashkëta të medëve
e të dardanëve, për disa dekada e penguan depërtimin
e ushtrisë romake në viset e tyre. Ekspeditat e
ndryshme romake të viteve 97 e 85 p.e.sonë gjetën
një qëndresë të fortë te medët
e dardanët dhe përpjekjet për ti nënshtruar
jo vetëm që nuk patën sukses, por përfunduan
me humbje për Romën. Në vitin 84 dardanët
bënin pjesë në fiset ballkanike që duke
sulmuar provincën romake të Maqedonisë arritën
deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit
romakë u bë e qartë se dardanët ishin
kundërshtarë të fortë dhe për nënshtrimin
e tyre duheshin forca të mëdha ushtarake dhe një
përgatitje e veçantë për luftë
në të cilën objekti kryesor i goditjes do të
ishin dardanët.
Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni,
i dërguar në vitin 76 p.e.sonë në provincën
e Maqedonisë në krye të pesë legjioneve.
Me këto operacione luftarake Roma donte të arrinte
nënshtrimin sistematik të fqinjëve veriorë
të provincës maqedone. Kryengritja që bëri
njëri nga pesë legjionet fill pas zbarkimit në
Iliri tregon se në qarqet ushtarake të Romës
jehona e ekspeditave të dështuara kundër dardanëve
dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin një
fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat,
se kur në luftën e Dardanisë, njëri
nga pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut
ngriti krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se
nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paarsyeshëm
dhe një ekspeditë të vështirë e të
rrezikshme, Konsulli G. Kurioni, urdhëroi katër
legjionet të dilnin të armatosura dhe të radhiteshin
në formacion luftarak me armë të zhveshura.
Katër legjionet e sjella nga Kurioni dhe ushtria romake
që ndodhej në provincën e Maqedonisë sulmuan
Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani.
Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të
drejtpërdrejta për atë se si u zhvillua kjo
luftë me dardanët, që qe një
luftë e vërtetë për nënshtrimin e
Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por
dihet se ushtria romake ka gjetur një qëndresë
të fortë dhe u soll mizorisht me dardanët.
Kujtimi i masakrave romake në Dardani u ruajt për
një kohë të gjatë. Në shek. IV e.sonë
Amian Marcelini, duke shkruar për dënimet me dhjetim
që perandori Valentinian i dha ushtrisë së
tij, e krahasonte atë me mizorinë e Skribon Kurionit
në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte arriti me
ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë
festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet
e shkruara dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë
të romakëve. Në bazë të këtyre
të dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës
së Kurionit nuk ndodhi një nënshtrim i plotë
i Dardanisë, por më tepër një varësi
nëpërmjet së cilës dardanët kishin
disa detyrime kundrejt romakëve. Disa ngjarje të
mëvonshme tregojnë se dardanët edhe pse të
dobësuar nga luftërat kundër romakëve
dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin
politikën pushtuese të Romës.
|
 |  |