 |  |
K R E U VII
QËNDRESA E ILIRËVE KUNDËR PUSHTUESVE ROMAKË
Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon
ishin bërë pengesa më e fuqishme kundër
pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më
të rëndësishme në Ballkan i kishte hapur
Romës rrugën për të vazhduar më tej
politikën e saj ekspansioniste në këtë
gadishull dhe më tej në Lindje. Në shekullin
II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma
i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e
tjera të Ilirisë së brendshme dhe të asaj
veriore.
Objekt i synimeve të Romës u bënë, në
radhë të parë Mbretëria Dardane dhe federata
e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të
cilat dolën në skenën politike më vonë.
Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e mëparshëm,
përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre
luftërave dhe del si kundërshtare e fortë e
ekspansionit maqedon në Ilirinë Verilindore, duke
arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën
e dytë të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë.
Në këtë shekull të fundit dardanët
u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më
të fortë të pushtuesve romakë.
Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset
e tjera të veriut, që u bënë simbol i
qëndresës kundër romakëve për një
shekull e gjysmë. Kryengritjet e njëpasnjëshme
të ilirëve morën karakter të gjerë
duke përfshirë thuaj gjithë trevën ilire
nga Danubi në veri deri në skajet jugore të
Ilirisë.
Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja
e madhe e ilirëve, e quajtur kryengritja e Batos, e cila
qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme
dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake
duke e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj
agresive në Evropën Qendrore.
1. FEDERATA E DALMATËVE
Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë
Dardane banonin popullsi të ndryshme ilire, të cilat
me përjashtim të ilirëve të bregdetit
të Adriatikut. dalin vonë në burimet e shkruara
antike. Midis tyre ata që përmenden më herët
janë liburnët të njohur si një
nga popullsitë ilire që zhvilluan detarinë.
Por nga ilirët veriorë, të cilët njihen
më mirë dhe që zënë një vend
të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve
II-I p.e.sonë e në qëndresën kundër
pushtuesve romakë, kanë qenë dalmatët.
Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve
antikë për ilirët e veriut është
pasqyruar në një farë mënyre edhe në
historiografinë e sotme. Nuk mund të thuhet se mungojnë
studimet për ilirët e veriut, por këto studime
lidhen më tepër me popullsi të veçanta,
me shtrirjen e tyre gjeografike dhe nuk ka një trajtim
të përgjithshëm të historisë së
tyre. Këto studime mbështeten pak nga të dhënat
e arkeologjisë, edhe pse këto janë të
pasura në krahinat veriore ilire për periudhat prehistorike
e protohistorike dhe për periudhën e pushtimit romak.
Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër
pushtuesve romakë
Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në
Ilirinë e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat
e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin
në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve
Dinarike, ku gjendej edhe kryeqendra politike e tyre, kështjella
e Delminit. Në këtë krahinë dalmatët
krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi
duke u shtrirë në drejtim të bregdetit. Në
federatën e dalmatëve u përfshinë edhe
disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori
i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë
përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe
ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti
deri te lumi Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë
liburnët. Në jug, në fillim ishte lumi Tilur
(Cetina), por më vonë kufiri arriti deri te rrjedhja
e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në
brigjet jugore të së cilës banonin daorsët.
Më i vështirë është përcaktimi
i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një
krahinë malore, por ka shumë të ngjarë
që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët,
në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së
federatës së dalmatëve, brenda këtyre
kufijve dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht
malore, por nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha.
Kjo veçori e relievit të viseve dalmate dhe kullotat
e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë,
kanë bërë që blegtoria të ishte baza
kryesore e ekonomisë dhe që vetë dalmatët
të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia
vinte në rend të dytë, kurse xehtaria ka qenë
më pak e zhvilluar.
Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe
te dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në
periudhën e parë të hekurit kishte filluar
shthurja e bashkësisë primitive dhe diferencimi
ekonomik e shoqëror. Në gjirin e shoqërisë
së dalmatëve ishte krijuar një shtresë
e veçantë që zotëronte kope të
mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria
fisnore, që u vu në krye të federatës
dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj
kohe i përkasin edhe një tok qendërbanimesh
të fortifikuara, të quajtura zakonisht gradina
të ngritura përreth pllajave të brendshme,
rrënojat e të cilave janë ruajtur deri në
ditët tona. Këto qendërbanime të fortifikuara
apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të
disa kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme.
Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin të fortifikuara
me ledhe gurësh që dalmatët bënë
kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej tyre Delmini,
kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni e
ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet
e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka
qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të
larta dhe i vështirë për tu pushtuar.
Për të njohur natyrën e qendërbanimeve
të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte
arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende
të pastudiuara mirë. Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan
si qendra qytetare, veçse me ndonjë përjashtim
të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë
blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore e
ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në
këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë.
Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të
leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit.
Në popullsinë blegtorale të dalmatëve
pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga
pyjet e pasura të viseve të tyre.
Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike,
tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme
u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet
ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët
e brendshëm bën fjalë Straboni kur shkruan
se, ende në kohën e tij, dalmatët e ndanin
tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët
e bregdetit, përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë
e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala për tokat e kulturave
bujqësore, ku ekzistonte prona private, por për
kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek
ilirë të tjerë, të ishin prona të
përbashkëta. Por, në të njëjtin vend
Straboni shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve
dhe se në viset e tyre ka pasur qendërbanime të
shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të
rëndësishme, përveç Salonës e Delminit,
kanë qenë Propona, Ninia, Andetri etj. Është
e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket
viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare
gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë dhe
në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit
e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura
prej kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare
ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u përmendën
më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike
e monedha, midis të cilave edhe monedha të Dyrrahut
e të Apolonisë, tregues të një zhvillimi
ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë
krahinë të gjerë të federatës së
dalmatëve organizimi fisnor po ia lëshonte vendin
shoqërisë skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim
që pati treva e federatës së dalmatëve,
i cili e bëri këtë të fundit një
fuqi politike të rëndësishme në brigjet
e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.
Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë
sundimit të Pleuratit dalmatët qenë në
vartësinë e shtetit ilir, por për një
kohë të shkurtër. Me vdekjen e Pleuratit dhe
me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në
vitin 181 p.e.sonë ata u bënë përsëri
të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti ilir federata
e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë
kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi
të tjera ilire, të cilat qenë detyruar ti
jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë.
Në viset bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy
qytete që ishin nën varësinë e kolonisë
sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë
Salonës, qenë detyruar ti jepnin gjithashtu
një tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët
u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin
daorsët, të cilët zotëronin vetëm
krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së
poshtme të lumit Naretva. Daorsët para vitit 168
p.e.sonë bënin pjesë në shtetin ilir dhe
me rënien e këtij të fundit kishin hyrë
nën protektoratin e Romës.
Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në
viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime
në shtetin romak, që ndiqte një politikë
pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë
pushtuese shteti romak e justifikonte, gjoja për të
mbrojtur kufijtë lindorë të Italisë. Kështu
pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake,
ndërsa në vitin 178 p.e.sonë ushtria romake,
pasi kishte thyer qëndresën e istrëve, kishte
pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke
zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe
federatën e dalmatëve. Për luftën kundër
dalmatëve romakët përdorën si pretekst
ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët
ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija
të dalmatëve kundër delegatëve të
tyre. Vepra e Polibit, që është burimi kryesor
për këto ngjarje, tregon se nuk qenë veprimet
e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës,
i përgatitur me kohë për të pushtuar trevën
veriore ilire. Duke ndërmarrë një fushatë
kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën
anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak
të popullit të tyre dhe, në anën tjetër,
do tu jepnin një mësim ilirëve dhe do
ti detyronin ti nënshtroheshin sundimit të
Romës. Për këto arsye romakët u shpallën
luftë dalmatëve, por përpara popujve të
tjerë hiqeshin se e bënë këtë për
shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve
ndaj përfaqësuesve të tyre.
Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur
si bazë rrjedhjen e poshtme të lumit Naretva filloi
sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e parë
e ushtrisë romake për tu futur në viset
e dalmatëve përfundoi keq dhe ajo u detyrua të
kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli
romak G. Mark Figuli, duke shpresuar se do ti zinte
dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri ata
në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan
me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës
së tyre Delminit, por një vit më vonë,
pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke
përdorur të gjitha mjetet mundën të pushtojnë
Delminin. Burimet e shkruara nuk bëjnë fjalë
për gjendjen që u krijua pas luftës. Ngjarjet
e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi
keq me pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e
dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët e zgjeruan
agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar
japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve
patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit
Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër
ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin
e Istrisë, ku shteti romak kishte vendosur një koloni
me qytetarë romakë. Japodët e panonët,
ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë
të gjatë luftërat kundër pushtuesve romakë.
Me qëndresën që i bënë shtetit romak
për më se njëqind vjet - nga gjysma e dytë
e shek. II deri në gjysmën e dytë të shek.
I p.e.sonë - popullsitë ilire të veriut, e
detyruan atë të dërgonte në viset e tyre
ushtri të reja, por pa arritur rezultate të dukshme.
Në krye të popullsive veriore ilire, në luftën
kundër romakëve, qëndronin dalmatët, të
cilët për shumë vjet me radhë mbetën
kundërshtarët më të fortë të
Romës.
Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë
kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët.
Ardianët ishin një nga popullsitë e mëdha
ilire që jetonte në brigjet e Adriatikut të
Mesëm deri në afërsi të liqenit të
Shkodrës. Viset e tyre, që bënin pjesë
në shtetin ilir, pas vitit 168 p.e.sonë, ishin futur
në njërën nga krahinat pseudoautonome të
krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës
dhe të qëndresës së federatës së
dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan
statusin e vendosur në vitin 168 dhe u bënë
të pavarur. Në përpjekjet për të
forcuar pozitën e tyre në një krahinë
të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën
së pari me aleatët e këtij shteti.
Sipas Tit Livit ardianët e pleurejtë shkretonin
Ilirinë që ishte nën romakët. Përpjekjet
e ardianëve e të pleurejve për të forcuar
pavarësinë e tyre, në një kohë kur
edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve
romakë, krijuan për Romën një situatë
të vështirë, të rënduar edhe nga
kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të
dalë nga kjo situatë shteti romak dërgoi në
viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri
relativisht të madhe, të përbërë
nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës.
Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak
i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur
për një luftë e qëndresë të
gjatë. Burimet japin njoftime vetëm për një
betejë që u bë në vitin 135 p.e.sonë,
ku romakët i thyen ardianët e pleurejtë. Pas
kësaj lufte shteti romak, për të shmangur një
kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët
nga bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës
së sotme.
2. KRYENGRITJET E ILIRËVE
Kryengritjet e ilirëve në mesin e shek. I p.e.sonë
Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur
në beteja të veçanta nga ushtria romake,
kjo e fundit nuk e kishte thyer përfundimisht qëndresën
e tyre. Pas luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet.
Mizoritë e ushtrive romake, veprimet arbitrare të
komandantëve e të qeveritarëve romakë,
taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve
i shtynë në kryengritje ilirët e veriut dhe
të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë
e më i rëndë; në krahinat e pushtuara
nuk ishin të siguruara as gjëja, as nderi dhe as
jeta e ilirëve.
Kjo bëri që në gjysmën e dytë të
shek. I p.e.sonë, gjatë krizës politike që
kaloi Republika Romake për shkak të luftës
civile, lufta çlirimtare e ilirëve të zgjerohej
edhe më shumë. Në krahina të ndryshme
të Ilirisë, sidomos në ato bregdetare u krijua
një situatë e favorshme, e cila u dha shkas përpjekjeve
për çlirim. Duke pasur synime të qarta politike,
ilirët u përpoqën të përfitonin nga
konfliktet që lindën në gjirin e klasës
sunduese romake. Kështu në vitet 50 të shek.
I p.e.sonë një pjesë e qyteteve (ku ishin vendosur
qytetarë italikë) që kishin filluar të
zhvilloheshin ekonomikisht, morën anën e Cezarit;
paria ilire, e nisur nga interesat e saj jetësore, përkrahu
kundërshtarin e tij, Pompeun.
Të parët që morën armët dhe u ngritën
kundër romakëve qenë pirustët; në
vitin 50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të
vëna nën administrimin e Cezarit. Shteti romak mori
masa mbrojtjeje kundër pirustëve kryengritës,
dërgoi forca të reja ushtarake dhe fortifikoi qytetet.
Ne kemi dëshminë e tri mbishkrimeve latine të
gjetura në Lezhë dhe të vetë Cezarit për
rindërtimin e fortifikimeve të Lisit, që duhet
të ketë qenë një nga qytetet e para të
sulmuara nga pirustët.
Atë që nuk mundën ta bënin pirustët,
dëbimin e pushtuesve romakë nga vendi i tyre, e
bënë dalmatët. Në vitet 50 të shek.
I p.e.sonë dalmatët rimëkëmbën federatën
e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata çliruan
qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë romake
të dërguar kundër tyre nga Cezari. Në
vitet 47-48 në një betejë të madhe ata
shkatërruan tërësisht ushtrinë romake
të përbërë nga 15 kohorta këmbësorësh
e 3 000 kalorës. Më shumë se 2 000 ushtarë,
30 centurionë e 4 tribunë romakë u vranë
në këtë betejë. Me disfatë përfunduan
edhe operacionet e tjera të ushtrisë romake, e cila
u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas Apianit, dalmatët
pas këtyre betejave nga plaçka e shumtë
që zunë jo vetëm u pasuruan në të
holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake.
Dalmatët mbetën të pavarur dhe të fuqishëm
edhe pas vdekjes së Cezarit.
Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët,
tokat e të cilëve gjatë luftërave u bënë
shesh lufte. Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit
e Pompeut që shkatërroi ekonominë e tyre. Gjatë
kësaj lufte ushtritë romake grabitën popullsinë
parthine dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për
herë të parë parthinët ngritën krye
në vitin 48 p.e.sonë, por kryengritja më e
madhe e tyre ka qenë ajo e vitit 39, gjatë së
cilës u shkaktuan pushtuesve romakë humbje të
mëdha. Por në luftimet u vranë rreth 5 000
kryengritës. Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi
ishte shtypur kryengritja, njëri prej komandantëve
romakë, Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë
që kishte në tokat ilire dhe me qëllim që
ta bënte të pasur dhe njëkohësisht ta
stërviste, e hodhi këtë ushtri kundër
parthinëve.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. I
fise të tjera kryengritëse ilire të veriut
vazhduan të luftojnë kundër pushtuesve romakë.
Oktaviani, që ishte bërë në vitet 40 sundimtar
i vetëm i shtetit romak, u detyrua të vinte vetë
në viset ilire të çliruara në krye të
një ushtrie prej 8-10 legjionesh (pothuaj 1/5 e ushtrisë
së tij). Me këtë fushatë të madhe
ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte njëkohësisht
edhe pozitën e tij në Itali. Në vitin 35 p.e.sonë
ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti liburnët, kaonët
dhe japodët. Këta të fundit u bënë
legjioneve pushtuese një qëndresë të madhe.
Në qëndresën ilire të kësaj kohe
mbetet si një shembull i madh lufta për mbrojtjen
e Metulit, qytetit kryesor të japodëve. Romakët
mundën të pushtonin këtë qytet vetëm
kur ai u shkatërrua i tëri dhe kur ishin vrarë
mbrojtësit e tij. Për të mos rënë
në duart e armikut, gratë metulase me fëmijët
e tyre u hodhën në zjarrin që përfshiu
qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të tjera
ilire si panonët, dalmatët e dardanët.
Pas kësaj fushate të përgjakshme që u
kushtoi rëndë romakëve, këta të fundit
arritën deri në Danub, duke hapur edhe rrugën
tokësore që lidhte krahinat danubiane me detin Egje.
Ilirët kryengritës, që luftonin jo të
bashkuar u mundën nga ushtria e madhe romake e armatosur
dhe e organizuar mirë. Por popullsitë ilire nuk
iu nënshtruan pushtuesit as pas fushatës së
viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak,
largimin me forcë prej vendit të tyre të shumë
kryengritësve dhe kthimin në skllevër të
robërve të zënë gjatë luftërave
pushtuese.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës
sonë
Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë
ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet
nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të
saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire,
për luftën e paepur të kryengritësve dhe
për gjendjen e vështirë që krijoi për
shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë
kur Perandoria Romake, duke vazhduar politikën pushtuese
të saj, po përgatitej për luftën kundër
markomanëve gjermanikë, të cilët kishin
krijuar në tokat e Çekisë së sotme një
federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar
romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte
detyruar të jepnin rekrutë për luftërat
e reja pushtuese. Për luftën kundër markomanëve
ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh,
e cila do të plotësohej me reparte ndihmëse.
Ushtarët e këtyre reparteve do të rekrutoheshin
kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët,
desidiatët, panonët etj. Rekrutimi i bërë
me forcë i shtyti përsëri në kryengritje
ilirët, që ishin rënduar edhe nga pagesa e
taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje
kishin qëndruar të qetë. Të parët
u ngritën desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja
u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga
lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat
në jug, ku u ngritën pirustët. Kjo ka qenë
kryengritja më e madhe ku, për të parën
herë, një tërësi popullsish ilire rrokën
armët së toku dhe u hodhën në luftë
kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse
ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë
e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë:
nga Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato e Pini
nga fisi i breukëve panonë. Duke bashkërenditur
veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet
në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish
u drejtuan nga krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar
mjaft qytete e kështjella, zbritën në jug deri
në afërsi të qytetit të Apolonisë,
në provincën e Maqedonisë. 2) Një grup
tjetër kryengritësish u drejtua nga veriperëndimi,
për të çliruar krahinat ilire në kufi
me Italinë dhe për të forcuar mbrojtjen në
këto vise. 3) Një pjesë tjetër e kryengritësve
qëndroi në brendësi të viseve dalmate,
duke pasur si detyrë jo vetëm çlirimin e
plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.
Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para
të tyre u bënë shqetësuese për romakët,
të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara
në pjesën veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj
lufte e tronditi shumë pushtetin qendror romak. Në
Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë
perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se
në dhjetë ditë, po të mos merren
masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në
Romë. Perandori kërkoi që për nevojat
e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një
pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën
nën armë veteranët e luftërave të
mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit
e liruar. Me markomanët shteti romak bëri një
marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga fakti që
nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake,
të dërguara kundër markomanëve dhe të
vëna nën komandën e Tiberit, morën urdhër
të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.
Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake,
gjatë dy viteve të para të luftimeve me legjionet
romake, iniciativa ishte në duart e kryengritësve,
të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi
e goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në
disa drejtime në një kohë, sulmonin kolonat
e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve
ilirë, shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më
të fortat, kërkoi ndihmën e aleatit të
tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi
në Ilirik komandantët më të mirë
ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në
viset ilire përdori të gjitha mjetet për të
mposhtur qëndresën e ilirëve, forcën e
armëve, djegien e qendërbanimeve të ilirëve
kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve
e të pyjeve, vrasjen e kthimin e popullsisë ilire
në skllevër. Në vitin e tretë të
kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë
të krijuar pas dimrit të fortë në vitet
7/8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet,
romakët mundën me anë premtimesh të bënin
për vete Baton, njërin prej prijësve breukë.
Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit
dhe u dënua si tradhtar, kryengritësit panonë
ishin përçarë dhe ushtria romake mundi ta
shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të
Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën
krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër
kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat
ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë,
ndër të cilët forcën kryesore e përbënin
dalmatët, qenë të detyruar tu bënin
ballë sulmeve të një ushtrie armike disa herë
më të madhe dhe që zotëronte mjete të
shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në
luftimet kundër legjioneve romake një trimëri
e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme
të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës
së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues
u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan
nga një katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri
nga tradhtia e disa përfaqësuesve të parisë
vendase. Në mbrojtje të një kështjelle
tjetër, Arbudës, me kryengritësit u bashkuan
edhe gratë, të cilat për të mos rënë
në duart e armiqve u hodhën me fëmijët
e tyre në zjarrin që kishte përfshirë
kështjellën dhe në humnerat poshtë saj.
Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga kryengritësit
ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha
dhe pa banorë. Popullsi të veçanta ilire
e vazhduan qëndresën edhe pas rënies së
kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën
qenë desidiatët e pirustët, të cilët
sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli, pjesëmarrës
në luftën kundër kryengritësve ilirë,
ishin pothuaj të pathyeshëm në sajë
të pozitës së vendeve dhe të maleve, të
natyrës së tyre të egër, të zotësisë
së tyre të çuditshme për të luftuar....
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë,
sipas historishkruesit romak Suetonit, ishte më
e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme pas
luftës punike. Gjatë luftës për
mposhtjen e kryengritjes shkruan një tjetër historianshkrues
antik, shumë njerëz humbën dhe u shpenzua
një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj
lufte u desh të mblidhej shumë ushtri, ndërsa
plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë.
Pasojat e kryengritjes së madhe ilire, dobësimi
i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake, që
nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një
luftë të re, u dukën shumë qartë
në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në
pyllin e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e
madhe e ilirëve e viteve 6-9 krijoi në Perandori
një situatë të nderë e të vështirë.
Ajo i dha fund periudhës agresive të politikës
së jashtme të Oktavianit. Shteti romak u detyrua
të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese kundër
markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset
ku shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme.
Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që
kishin; disave u prenë duart, kurse shumë të
tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas
më shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh
pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën
e armatosur të ilirëve dhe ti nënshtronin
në një farë mënyre. Straboni
shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë ka filluar
prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar
as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve....
Romakët po ngrehin lëmet në shtëpitë
e tyre.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të
e.sonë ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha
të organizuara të ilirëve kundër romakëve,
qëndresa e ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër
romanizimit e asimilimit vazhdoi gjatë.
|
 |  |