 |  |
K R E U I V
SHTETI I EPIRIT
1. LINDJA E SHTETIT TEK EPIROTËT
Territori dhe popullsia
Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë
dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës
në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe
në kufijtë e Etolisë në jug, që nga
malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon
në perëndim, përbënte një njësi
gjeografike-politike më vete të formuar historikisht
dhe të njohur me emrin Epir, nga greqishtja e vjetër
Apeiros që do të thotë stere, tokë.
Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin
në fillim çdo vend kontinental përballë
ishujve. Po me këtë kuptim, p.sh., Homeri e quan
Akarnaninë Epir, gjithashtu më vonë edhe Tukididi.
Kështu i quanin edhe brigjet përkundrejt tyre banorët
e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore.
Ky emër i përdorur në fillim si një emër
i përgjithshëm për të caktuar pozitën
kontinentale të krahinës etnikisht ilire, që
ndodhej përballë tyre, u shndërrua më
vonë në një nocion të përveçëm
gjeografik, që i atribuohej një krahine të
veçantë me kufijtë pak a shumë të
përcaktuar historikisht.
Në këtë kuptim emri Epir ndeshet për të
parën herë tek shkrimtari grek i fundit të
shek. VI p.e.sonë, Hekateu, kur thotë se Oriku është
liman i Epirit, dhe pak më vonë tek Pindari, i cili
e quan Epirin të famshëm me hapësira
kodrash të shkëlqyeshme ... që fillojnë
nga Dodona e deri në brigjet e Jonit.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë,
me transformimin e bashkësisë molose në një
shtet të ri federativ, të quajtur epirot, që
përfshinte pjesën më të madhe të
popullsisë së këtij territori duke pasur një
nënshtetësi të vetme, epirote, emri Epir merr
tani një kuptim të përcaktuar qartë politik.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.sonë numëron në
këtë kohë në Epir vetëm 14 fise,
por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që
ky numër të ketë qenë shumë më
i madh. Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën
një rol të rëndësishëm në historinë
politike të kësaj krahine, përmenden sidomos
thesprotët, kaonët, molosët etj. Ndërmjet
këtyre fiseve ndodhnin luftëra të vazhdueshme
për epërsi territoriale dhe politike dhe kishte
një prirje për separatizëm midis sundimtarëve
të veçantë të tyre. Kjo gjendje vazhdoi
të paktën deri në fillim të shek. IV p.e.sonë,
kur mbretërit molosë arritën tu imponohen
shumë prej fiseve fqinje epirote dhe të krijonin
një mbretëri të fuqishme, me bazë federative,
që autorët grekë e quanin Koinon të molosëve.
Premisat për krijimin e shtetit në Epir
Si rezultat i zhvillimit të mëparshëm ekonomiko-shoqëror,
në shek.V p.e.sonë në Epir ishin krijuar të
gjitha premisat për lindjen e formacioneve të hershme
shtetërore.
Diferencimi social, sidomos tek fiset ekonomikisht më
të përparuara të kësaj krahine, siç
ishin molosët, kaonët, thesprotët etj., pasqyrohet
qartë në burimet historike që në shek.
VIII-VII p.e.sonë, por tani ai merr përpjesëtime
më të gjera. Aristokracia epirote e tokës dhe
e bagëtive, kishte arritur tu impononte pushtetin
e vet prodhuesve të vegjël fshatarë dhe të
shfrytëzonte për interesat e saja ekonomike punën
e shtresave të tjera e të skllevërve.
Në duart e kësaj aristokracie ishin grumbulluar
tashmë pasuri të mëdha që i mundësonin
asaj të hynte në marrëdhënie të ngushta
me shoqërinë antike të Greqisë.
Në gjysmën e dytë të shek.V p.e.sonë,
në Epir ekzistonin edhe shtresa të tjera; përveç
aristokracisë së tokës, ishte fuqizuar edhe
shtresa e zejtarëve e tregtarëve. Shumë kuptimplotë
në këtë drejtim paraqitet një mbishkrim
i vitit 427/426 zbuluar në sanktuarin e Poseidonit në
Tenarë, sipas të cilit një farë Eskrioni,
epirotas, liron skllavin e tij, Herakleid, duke ia kushtuar
këtë akt hyut të detrave. Sipas përmbajtjes
dhe vendgjetjes së mbishkrimit Eskrioni duhej të
kishte qenë pikërisht njëri nga përfaqësuesit
e tregtarëve skllavopronarë epirotas të lidhur
me tregtinë detare. Kjo është prova më
e hershme epigrafike, që dëshmon për ekzistencën
e institucionit të skllavërisë në Epir
të paktën që nga gjysma e dytë e shek.
V p.e.sonë.
Mbi bazën e këtij diferencimi të brendshëm
dhe të luftës së vazhdueshme që bënin
sundimtarët e fiseve të veçanta për
nënshtrimin e fqinjëve të tyre, në Epir
lindën një tok federatash, sistemi politik i të
cilave mbështetej në bashkimin e një grupi
fisesh të federuara të quajtura koine.
Më herët këto bashkësi u krijuan rreth
fiseve ekonomikisht dhe politikisht më të fuqishme
të Epirit, si tek thesprotët, kaonët dhe molosët.
Ashtu siç paraqiten në mesin e shek.V, ato ndryshonin
midis tyre jo vetëm nga madhësia dhe rëndësia
politike, por edhe nga struktura e tyre organizative. Sipas
një lajmi të Tukididit, i cili u referohet viteve
të para të luftës së Peloponezit, Koinonet
e kaonëve dhe të thesprotëve nuk e njihnin
pushtetin e mbretit. Në krye të tyre qëndronin
dy magjistratë më të lartë ekzekutivë
të quajtur në traditën historike, prostatë,
të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethet
aristokratike të fisit që kryesonte Koinonin.
Molosët, ndryshe nga dy koinonet e para, sundoheshin
nga mbretër, pushteti i të cilëve tanimë
ishte bërë i trashëgueshëm. Tukididi përmend
që në vitin 470 p.e.sonë një mbret molos
Admetin, që i dha strehim politik gjeneralit grek Themistokliut
të dëbuar me ostrakizëm nga Greqia. Sipas përshkrimit
të kësaj ngjarjeje, Admeti paraqitet si një
sundimtar me origjinë fisnike, i fuqishëm dhe me
influencë deri në rrethet qeveritare të Athinës.
Për veprimtarinë politike të federatave të
Epirit burimet historike heshtin pothuajse fare. Ato i shohim
të dalin në skenën e historisë vetëm
në kohën e luftës së Peloponezit, kur
ushtritë e kaonëve, të thesprotëve, të
molosëve etj., me sundimtarët e tyre në krye,
marrin pjesë në anën e Spartës në
ekspeditën luftarake kundër qytetit Strato të
Akarnanisë.
Midis këtyre bashkësive të veçanta rolin
më të rëndësishëm dhe aktiv në
historinë politike të vendit filloi ta luajë
Mbretëria e Molosëve. Në qoftë se deri
në fundin e shek. V p.e.sonë këto bashkësi
vepronin të veçuara dhe në konflikte të
brendshme me njëra-tjetrën, tani është
Mbretëria Molose ajo që do të marrë iniciativën
për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për ta
vënë Epirin në rrugën e bashkimit të
tij politiko-ushtarak.
2. KOINONI (LIDHJA) E MOLOSËVE
Gjendja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore e Epirit
në fundin e shek. V dhe gjatë shek. IV p.e.sonë
Nga fundi i shek.V dhe sidomos gjatë shek. IV p.e.sonë,
në Epir vihet re një zhvillim i mëtejshëm
i ekonomisë në të gjitha degët e saj:
në bujqësi, blegtori, e sidomos në zejtari;
zhvillohet prodhimi i mallrave, zgjerohen lidhjet tregtare
etj.
Në Epir shfaqet tani një faktor shumë i rëndësishëm
që luan një rol të ndjeshëm në zhvillimin
e mëtejshëm, ky është qyteti epirot. Kështu
në fundin e shek. V dhe në gjysmën e parë
të shek. IV, sipas të dhënave burimore historike
dhe arkeologjike, lindin qytetet Kasope, në krahinën
e Kasopisë në skajin jugperëndimor të
Epirit dhe Elea afër Velianit në krahinën Eleatis
të Thesprotisë. Në Epirin Qendror lindin qytetet
Passaron (Gardhiqi), kryeqendra tradicionale e shtetit të
molosëve dhe qyteti i Kastrisë që identifikohet
me Euremenin ose Tekmonin antik.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë
urbanizimi në Epir mori përpjesëtime më
të mëdha dhe rritet akoma më shumë pesha
e tij në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
Lindin qytete të reja, midis të cilave në Thesproti,
Elina (Dymokastro), Kutçi dhe Gitana (Gumani) që
sipas Tit-Livit, duhet të ishte qendra kryesore e Koinonit
të thesprotëve; në Kaoni, Teqeja e Melanit,
Himara, Foinike (Finiqi), që ishte qyteti më i madh
dhe më i fortë i Kaonisë dhe kryeqendra e saj.
Qytetet e Epirit, ashtu sikurse dhe ato të Ilirisë,
ishin të fortifikuara me mure të fuqishme prej blloqesh
shumëkëndëshe ose të ndërthurura
me teknikë muraturash trapezoidale apo kuadratike sipas
kushteve të veçanta të terrenit ose të
guroreve. Për përforcimin e mureve ngriheshin kulla
në vendet më të atakueshme nga armiku. Në
sistemet më të hershme fortifikuese këto kulla
mungonin ose ishin dukuri të rralla. Vetëm nga gjysma
e dytë e shek. IV, ato hynë në përdorim
të gjerë si një komponent i nevojshëm
dhe i domosdoshëm në kushtet e zhvillimit të
mëtejshëm të teknikës luftarake.
Mënyra antike e prodhimit i dha një hov të
menjëhershëm prodhimit zejtar dhe sidomos atyre
degëve që lidheshin me ndërtimet. Brenda mureve
mbrojtëse të këtyre qyteteve kishte muratorë,
gurskalitës, farkëtarë, poçarë,
tjegullabërës, arkitektë etj. Zhvillimi i degëve
të ndryshme të zejtarisë dhe shtimi i prodhimeve
bujqësore dhe blegtorale nxitën dhe më tej
zgjerimin e tregtisë brendapërbrenda, me kolonitë
helene të bregut të Jonit dhe sidomos me krahinat
fqinje mesdhetare. Kjo e fundit zhvillohej më tepër
përmes trafikut detar, të përcaktuar nga vetë
pozicioni i favorshëm bregdetar i krahinave, megjithëse
funksiononin në këtë drejtim dhe rrugët
tokësore.
Në qoftë se deri në shek. V p.e.sonë Epiri
lidhjet ekonomike i mbante kryesisht me Korinthin dhe kolonitë
e tij në brigjet e Jonit, nga fundi i këtij shekulli
ai filloi të orientohet edhe nga Athina. Tani janë
mallrat e prodhimit atik, ata që mbizotërojnë
në tregjet e Epirit. Prej këtej Athina si këmbim
tërhiqte prodhime bujqësore e sidomos blegtorale,
lëkura, lëndë druri etj., për të
cilat ajo kishte gjithnjë nevojë. Në zhvillimin
e tregtisë detare rol të veçantë luanin
edhe portet detare në brigjet e Kaonisë, si Onkesmi,
Himara, Butrinti etj.
Zgjerimi dhe intensifikimi i tregtisë çoi nga
ana e vet në shtimin progresiv të prodhimit të
mallrave, bëri të nevojshme lindjen dhe qarkullimin
e monedhës autonome. Në fillim ishte Lidhja e Molosëve
ajo që hedh e para në treg monedhën e vet (rreth
viteve 400 p.e.sonë). Këto ishin monedha kryesisht
prej bronzi, megjithëse pati në këtë kohë
edhe prerje jetëshkurtër dhe të kufizuar monedhash
prej argjendi. Më vonë filluan të presin monedha
edhe qytete të veçanta dhe në fund të
shek. IV edhe shteti federativ i epirotëve.
Mbretëria e Molosëve gjatë sundimit të
Tharypës (423-385 p.e.sonë)
Në çerekun e fundit të shek. V p.e.sonë
shtetin e molosëve e kryesonte Tharypa (423-385 p.e.sonë),
i cili, sipas një lajmi të Tukididit, e trashëgoi
fronin mbretëror të babait në një moshë
të mitur duke pasur për një kohë si tutor
Sabylintin, prijësin e atintanëve.
Tradita historike i atribuon këtij sundimtari një
seri reformash të karakterit ekonomik, ushtarak dhe kulturor,
të cilat çuan në zgjerimin dhe në forcimin
e mëtejshëm të Mbretërisë Molose.
Në radhë të parë ato prekën formën
e hershme të qeverisjes dhe legjislacionin e vjetër
të vendit. Kuvendi i popullit si organ i trashëguar
nga rendi i komunës primitive, mori tani përmbajtje
të re. Në organet drejtuese të shtetit, rol
të rëndësishëm fillon të luajë
prostati, funksionari më i lartë i shtetit pas mbretit.
Ky zgjidhej për çdo vit në Kuvendin e Popullit
nga rrethet aristokratike, të cilat ushtronin fuqishëm
autoritetin e tyre në kuvend. Duke qëndruar pranë
mbretit, si mbrojtës i ligjeve të vendit, prostati
në fakt e kufizonte shumë pushtetin mbretëror,
dhe me këtë ai ruante të palëkundshme
pozitat e aristokracisë në veprimtarinë politike
të shtetit.
Kjo formë e kufizuar e pushtetit qendror nga aristokracia
e tokës, si edhe ligjërimi i të drejtave të
tjera të saj, i japin Mbretërisë Molose atributet
e një shteti me mbeturina të theksuara të rendit
fisnor.
Mbretëria Molose që në fillim të veprimtarisë
së saj politike tërhoqi vëmendjen e shteteve
fqinje të Mesdheut dhe sidomos të Athinës dhe
të Spartës, të cilat sapo kishin nisur midis
tyre konfliktin e armatosur për supremaci ekonomike dhe
politike në Greqi. Në këtë konflikt historikisht
të njohur si Lufta e Peloponezit dhe që, siç
dihet, zgjati me ndërprerje të vogla plot 28 vjet
(432-404 p.e.sonë) dhe pati pasoja të rënda
për Greqinë, të dyja palët ndërluftuese
bënë përpjekje që të siguronin përkrahjen
e shtetit të ri të molosëve, meqë territori
i tij zinte një pozicion mjaft të favorshëm
strategjik me rrugën midis brigjeve veriperëndimore
të Greqisë dhe të Maqedonisë e Thesalisë.
Në fillim ishte Sparta ajo që ushtroi ndikimin e
saj mbi shtetin molos. Në vitin 429 p.e.sonë, molosët
i ofrojnë asaj deri ndihmën ushtarake, duke dërguar
kontingjente të konsiderueshme luftëtarësh
për pushtimin e qytetit Stratos të Akarnanisë.
Mirëpo edhe pas kësaj fushate të pasuksesshme,
e cila synonte të dobësonte ndikimin e Athinës
në këtë zonë kufitare të Epirit,
diplomacia athinjote nuk hoqi dorë nga përpjekjet
e saj për të përmirësuar marrëdhëniet
me shtetin e molosëve. Ajo kishte shumë nevojë
për përkrahjen e këtij shteti të ri energjik
në qendër të Epirit. Përmes territorit
të tij Athina mund të kontrollonte nga shpina maqedonët
e paqëndrueshëm të Perdikës si dhe thesalët,
me të cilët ajo sapo kishte krijuar lidhje miqësore
pas kryengritjes së lynkestëve (433 p.e.sonë).
Nga ana tjetër, me këto marrëdhënie Athina
synonte të kishte edhe përfitime ekonomike. Se sa
rëndësi i jepte Athina lidhjeve me shtetin molos,
këtë e tregon dhe fakti se ajo në këtë
kohë merr përsipër edukimin e Tharipës
së vogël në një nga shkollat e Athinës
dhe e pret atë më vonë në Athinë
me nderime të veçanta duke e regjistruar si qytetar
nderi.
Për vendosjen e marrëdhënieve të mira
me Athinën ishte i interesuar gjithashtu edhe vetë
shteti i molosëve, i cili kërkonte të siguronte
përkrahje për politikën e zgjerimit territorial
që projektoi Tharypa, të cilën ai filloi ta
realizonte në vitet e fundit të jetës së
tij.
Këto marrëdhënie të ngushta ekonomike
dhe politike me Athinën i hapën rrugë depërtimit
të ndikimit të qytetërimit helen, i cili u
shfaq në strukturën organizative të shtetit,
në ndërtimet, në përdorimin e gjuhës
dhe të shkrimit grek në rrethet e aristokracisë
dhe të administratës shtetërore, në trajtimin
tipologjik dhe metrologjik të monedhave të para
molose sipas prototipave të monedhës atike të
fundit të shek.V dhe fillimit të shek. IV p.e.sonë.
Ky ndikim do të shfaqet gjithashtu dhe në jetën
kulturore e artistike, qendra e së cilës bëhen
qytetet. Në Passaron, p.sh., mendohet të jetë
ftuar dramaturgu i shquar grek Euripidi, për të
vënë në skenë tragjedinë e tij Andromaka,
ku lavdërohej origjina dinastike e mbretërve molosë.
Kjo vepër ndikoi shumë në kultivimin e mitit
gjenealogjik të molosëve, sipas të cilit zanafilla
e tyre i referohet tani Molosit, biri i Neoptolemit të
Akilit dhe i Andromakës, të vesë së Hektorit,
që pas shkatërrimit të Trojës erdhën
dhe u vendosën në Epir.
Lidhja Molose (çereku i parë i shek. IV p.e.sonë).
Struktura e saj organizative
Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës,
shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk
është përcaktuar me saktësi se në
çkohë dhe në çrrethana
e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë
ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës.
Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë
Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që
ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës
me Athinën, në një kohë kur kjo kishte
pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga
Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin
e partisë filospartane. Në këtë kohë
kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve
të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë),
që i hapën rrugën Spartës për të
shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë
Veriperëndimore, por edhe në Epir.
Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht
për të vendosur një kontroll efektiv në
detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin
për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e
ndihmoi atë që të rikthehej në fronin
e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës
synonte të siguronte një aleat të ri, që
do të përkrahte pikësynimet e tij politike
dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit.
Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë,
Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën
për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin
e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë
efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm
i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u
shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas
Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u
dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen
e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk
u angazhua aq shumë në këtë luftë,
pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt
me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të
Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen
e Alketës në krye të shtetit molos.
Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë,
Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të
shtetit të tij të filluar që në kohën
e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera
për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377
ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës,
duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës
në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa
i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh
të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin
molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes
bregut të Epirit.
Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të
shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të
konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi
dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë
e Mbretërisë Molose që trashëgoi në
këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin
në lindje deri në Hestiotiden perëndimore,
në verilindje deri në kufijtë e Orestides në
luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në
veriperëndim përmes një rripi toke deri në
kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të
Vjosës. Molosët dolën në det siç
duket në zonën e Kestrinës, në veri të
lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të
Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët
e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme
e Aheronit.
Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në
kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht
me cilësimin që i bën këtij sundimtari
Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar
nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë
sundimtar suprem të Epirit.
Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë
se në kohën e këtij sundimtari dhe të
pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi
i bashkimit politik të popullsive të veçanta
të Epirit, proces ky që çoi në krijimin
e organizimit më të gjerë shtetëror që
njihet me emrin Lidhja e Molosëve.
Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të
kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç
molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi
të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët,
paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët,
etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin
pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes
përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të
cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë
ose synarhontë.
Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte
këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ,
por nën hegjemoninë e molosëve.
Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e
parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit
progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte
një strukturë organizative të brendshme të
përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe
ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve
qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti
i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar.
Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar
të bënte fli në altarin e hyut të luftës
në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve
të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas
ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e
tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë
gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis
mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë
e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që
tani merr një përmbajtje të re duke siguruar
me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin
e kësaj lidhjeje shtetërore.
Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes
Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm
në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i
lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një
magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit
nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në
këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e
thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet
për tu miratuar etj.
Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet
edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht
nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati.
Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të
gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin
këta molosë apo anëtarë të bashkësive
të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e
Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin
të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të
tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të
merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë
për të mbajtur armë të të gjitha
komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen
e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë
në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme.
Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse
ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh.
në Dodonë etj.
Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi,
përgatiteshin siç duket nga një institucion
tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta
ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia
atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë.
Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte
dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve
të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë
të të cilëve ato merrnin pjesë në
drejtimin e përbashkët të punëve të
shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte
mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët
e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të
cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë
ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që
përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin
më të fuqishëm në Epir deri në çerekun
e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një
shteti federativ monarkik.
Marrëdhëniet politike të Lidhjes me Maqedoninë
Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën
e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të
dukshme, që çuan në zgjerimin territorial
dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të
saj.
Në këtë kohë në kufijtë verilindorë
të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi
shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia
u shndërrua në një monarki të fuqishme
të centralizuar, në një forcë kryesore
politike dhe ushtarake në Ballkan.
Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi
pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të
ndërhynte edhe në çështjet e brendshme
të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente
hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri
duhet të shërbente si një mbështetje për
të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore
të Greqisë, për këtë qëllim
Filipi II i dha një rëndësi të veçantë
vendosjes së një aleance të qëndrueshme
me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte
interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia
do ti linte dorë të lirë për ta
çuar më tej politikën e zgjerimit të
mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht
Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë
Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke
i dhënë këtij të fundit në vitin
357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për
grua.
Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon
një zgjerim të mëtejshëm të territorit
të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të
largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë
në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët
në luginën e sipërme të Haliakmonit.
Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të
heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi
II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina
nisi të përzihet në çështjet e
brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë
në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë
duke kaluar nëpër territorin shtetëror të
Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë
helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë
dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur
dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi
strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes
Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të
mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet
që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe
më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit
për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu
atë në politikën e zgjerimit territorial të
shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331
p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë
e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore
të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani
jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë
Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë
të saj (symnatios), duke gëzuar një farë
autonomie dhe të drejtën që të prisnin
monedhat e tyre.
Aleksandri arriti ti imponojë pushtetin e tij dhe
Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur,
megjithëse territorialisht në përfitim të
Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të
vazhdueshëm, për të dalë në det.
Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në
këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi
të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial
në drejtim të pjesës më të zhvilluar
nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në
mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht
në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht
dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për
një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet
perëndimore të Mesdheut.
Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri
molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia
e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët.
Aleksandrit do ti jepej mundësia që të
përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet
e tjera të Italisë së Jugut, për të
cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të
vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë
të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje
që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në
çështjet e qyteteve greke të Italisë
së Jugut.
Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së
vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri
u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas
Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare.
Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën
e ushtrisë së tij relativisht të vogël,
me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë
të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë
në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara
nga fiset italike.
Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh
kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në
dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin
e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi
veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë,
ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera,
madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij
dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara
si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët
e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara,
filluan të ushtrojnë përherë e më
tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve
të saj numerikisht më të pakët, derisa
në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një
beteje të përgjakshme pranë Pandosisë,
jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas
dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë.
Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në
Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të
shtetit federativ epirot.
3. ALEANCA (SYMAHIA) EPIROTE
Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi
politik i tij
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë
ndodhën ndryshime të një rëndësie
të veçantë në organizimin shtetëror
të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani
në një formë të re shtetërore të
një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më
parë, por me një emërtim të ri kushtetues,
të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të
dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua
nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët
(symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje
me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.
Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në
konsolidimin juridik të këtij organizimi të
ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime
të ndryshme rreth saktësimit të datës
së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në
kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij
kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë
se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të
re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara
se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali,
atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë
e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë
Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë
ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim
duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së
autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë,
është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje
të re në organizimin shtetëror të vendit
qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të
territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes
Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së
qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ
me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta
të të gjithë pjesëmarrësve në
të. Në kuadrin e kësaj federate çdo
bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin
e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin
e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen
e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve
(damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo
komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin
nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose.
Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot,
nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve
shtetërore. Në këtë drejtim mund të
thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa
u dobësuar, në një formë të re, në
atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili
zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve
të dinastisë tradicionale të Eakidëve,
por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë,
pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati,
i cili megjithëse ruante titullin i molosëve
ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin
e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante
ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të
nënshtetasve epirotë, ti drejtonte ato, të
bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në
këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit
Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një
asambleje të re më të gjerë ku merrnin
pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo
asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe
dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak
merrej edhe me çështje të veçanta
ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të
saj. Kështu p.sh. në bazë të një
mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë,
gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të
ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për
llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi
dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve,
të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat
qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha
autonome, zëvendësohen tani me një prerje të
përbashkët për të tërë Epirin,
gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën
e tyre, e epirotëve. Nuk dihet me saktësi
se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë.
Mund të mendohet të ketë qenë Dodona,
ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e
një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton
mundësinë që ato të jenë prerë
dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në
Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të
ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht
vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në
vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga
Lidhja Republikane Epirote.
Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të
shek. IV p.e.sonë
Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet
përpara vështirësive serioze, të shkaktuara
nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike
të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave
të jashtme të jo të favorshme, që çuan
në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet
midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë
u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait,
qe kthyer në vendlindje për tiu kundërvënë
Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin
ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi
nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi
të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit
të mitur, Neoptolemit II për një kohë
dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.
Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë
për të marrë pushtetin në Maqedoni, u
kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë,
pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni
ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit.
E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më
kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një
pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi
vendimin për të hyrë në luftë me
Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi
në prapavijë elementët promaqedonë, të
cilët e detyruan këshillin e aleancës më
në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe
të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia
e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e
pareshtura të armikut, u dorëzua më në
fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë
në frontin e luftës, i dha shkas një vale të
tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të
Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të
birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi
njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir
Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në
vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi.
Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim
që të ishte i lirë në zbatimin e politikës
së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të
Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe
shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë
të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë
epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur
me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë
pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u
kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën
e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të
organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe
sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm
dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë
kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër
etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë
e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë
në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur
në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i
biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për
tu shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht
nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në
fund të pranonte paqen me kundërshtarin në
kushte të favorshme për këtë. Alketës
II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe
të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim
krijoi një opozitë të fortë në Epir,
kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi,
por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan
zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në
një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi
me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të
ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë
fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me
forcë në punët e brendshme të tij dhe
vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar
dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk
zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi
me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në
një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë
pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I
ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit,
Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve
helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të
Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto
vende ai pati rast që të shohë e të mësojë
shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti
luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi
duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të
rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë
dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit
arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që
të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim
ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të
kishte në personin e Pirros një mbështetje
efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi
në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të
sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit
që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur
me mbiemrin Shqiponjë, Pirroja u vendos më
në fund në fronin e Mbretërisë Epirote.
Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat
e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim,
duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin
II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet
sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi
mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit
e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj
shpejtoi të përqendronte të tërë
pushtetin mbretëror në duart e veta.
Epiri në kohën e sundimit të Pirros (297-272
p.e.sonë)
Në fillim të shek. III p.e.sonë, Epiri del
nga kriza e vështirë dhe me pasoja të rënda
politike që e kishte mbërthyer pas vdekjes së
Aleksandrit Molos dhe vihet në rrugën e zhvillimit
të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror dhe politiko-kulturor.
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur
nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë,
shteti epirot kalon tani në një politikë energjike
të pavarur, me një perspektivë të gjerë
në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror
dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan
me një shpejtësi dhe me një mënyrë
të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit
të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese
e kohës me një pushtet të fortë mbretëror,
me një potencial të madh ushtarak si dhe me një
autoritet politik të shquar në botën mesdhetare
të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa
shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet
me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve
të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut
I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën,
më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të
bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së
cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai
kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve
ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit
të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme
organizimit të ushtrisë, përpunimit të
një strategjie efektive luftarake, për të cilat
kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes
së aftësisë luftarake të ushtrisë.
Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor
të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në
intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të
Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese
në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki
apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të
cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni,
të cilët mbajnë emra që kanë të
bëjnë me siguri me kohën e sundimit të
Pirros. Për një nivel të lartë të
artit të ndërtimit në këtë kohë
dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të
bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në
Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja
antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive
ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet
e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike
me mendimin që të krijonte një shtet të
madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe
përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia,
ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira
për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje
të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi
për të ndërhyrë në punët e brendshme
të saj si përkrahës i Aleksandrit, të
birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i
shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin
në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht
Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga
Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë,
të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë
së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë
me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën
në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi
zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat
e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë
Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë
lindorë të mbretërisë së tij, u vu
në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon
dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua
pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë,
Demetri duke dashur tu imponohej kundërshtarëve
të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja
kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët
në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të
mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga
Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të
veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve
helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë
të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë,
kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese
të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë
Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në
lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë
nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë
pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe,
meqë forcat më të rëndësishme të
ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri
kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte
pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve
dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo
gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar ti ndante
zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili
pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në
sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë
forca të shumta të Demetrit në kufirin verior
të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros
mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por
nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit
epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më
të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë
Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të
Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje,
mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin
pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet
e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël
të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit
ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë
territoriale, megjithatë, nuk përbënte një
organizim të qëndrueshëm politik rreth një
bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një
komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me
interesa të përbashkëta, por një konglomerat
popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social,
ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria
epirote në krye të së cilës qëndronte
si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto
zotërime, në rastin më të volitshëm,
u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast
u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit
në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të
lirë dhe kohën të përshtatshme për
të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua
me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi
atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni
dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje,
të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen
e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë.
Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të
cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare,
të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet
tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat
e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis
tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e
cila ndërhyri për ti zgjidhur këto kontradikta
në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi
tek Tarentinët, që hynë në konflikt të
hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë
e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë
edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan
ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë
mundësia që të ndërhynte aktivisht në
punët e brendshme të qyteteve të Italisë
së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën
këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në
Itali do tu sillte përfitime të mëdha.
Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj
thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të
bërë hapin e rëndësishëm në
formimin e një perandorie të madhe në perëndim.
Pirroja në Itali
Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një
ushtrie të madhe të përbërë kryesisht
nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh
(20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000
varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për
në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi
arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për
ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë
nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të
bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që
po përparonte në drejtim të qytetit. Të
dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë
Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në
të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer,
që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në
sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani
dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si
edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë
së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin
e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi
forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron
të hynte përsëri në luftë me të.
Por në një betejë të ashpër dhe të
përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja
arriti ti thyente për të dytën herë
romakët. Ata nuk mundën ti qëndronin
manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak
sulmit të tërbuar të elefantëve, të
cilët sollën panik në ushtrinë romake.
Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi
atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë
fitore të tilla me humbje u bënë zakon të
quhen fitore pirrike ose fitore e Pirros. Pavarësisht
nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të
Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej.
Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre,
vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar,
ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale
e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja,
megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në
Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët,
ai u nis për në Sicili për ti shkuar
në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin
sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen
në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke
dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan
keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë
Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e
rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë
siciliasit e deklaruan atë prijës dhe mbret të
tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në
aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë
të ushqejë mendimin për tu hedhur në
Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen
në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu
vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të
ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të
mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siciliasit
e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur
vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund ti siguronin.
Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në
punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë
dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri
që Pirroja të humbiste dita-ditës e më
shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt
sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën
e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë
të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi
menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri
të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të
përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit
arritën me lehtësi ti shkaktonin humbje mbretit
epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por
edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse
në këtë kohë romakët kishin rifilluar
sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij
në Itali. Me tu kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi
forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u
drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë,
të cilët me legjionet e tyre po vepronin në
drejtime të ndryshme. Në këtë situatë
ai vendosi ti thyejë ato veçmas, sa kohë
që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin
romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua
edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në
Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi
qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent,
Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon
Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën
kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur
ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm
qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye
në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur,
duke lënë në Tarent vetëm të birin
e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi
forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin
mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi
me sukses për një kohë në operacionet
luftarake, duke vënë në përdorim një
sistem taktik luftimi nga më të përparuarit
e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja,
ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga
ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë
e ushtrisë romake të përbërë nga
nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më
tepër mercenarësh, të armatosur më së
miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar,
por që kishte hyrë në një aventurë
ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja
u përpoq të shfrytëzonte në favor të
tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi
të shtinte në dorë Maqedoninë. Në
vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin
e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja
luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin
e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë
dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti
të pushtojë një territor të gjerë
të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa
në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se
epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë
Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma
në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët
e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja
vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez,
i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272
p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në
tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në
Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin
e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër
rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh
të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën
dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra,
por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët
e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar,
ra në duart e kundërshtarëve, të cilët
e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar
dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe
në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike
të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën
mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti
të bëhet një nga shtetet më të fuqishme
të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen
e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve
epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime
e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet
të stërvitur mirë, të përbërë
kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm
për të luftuar, meqë lufta për ta ishte
një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në
këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe
situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht
turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here
në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse
jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një
farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur
për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë
luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive
të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar
në beteja të shumta, e rritën së tepërmi
autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve
të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa
që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë
nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote
mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim
ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët
e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali
dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim
me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e
argjendi personale me legjendë Mbreti Pirro;
por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat
e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin
brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të
kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të
Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja
sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej
ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës
me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj
të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin
nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se
kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj:
Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë.
Ndërsa më vonë Hanibali, një ndër
komandantët më të përmendur të botës
antike, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse
vetes vendin e tretë. Pirroja qe njëkohësisht
dhe teoricien i madh në artin ushtarak, por planet e
tij të gjera nuk ishin gjithnjë të studiuara
dhe kishin karakterin e aventurave ushtarake. Talenti i tij
ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani
të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze
u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit
të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit
të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si
dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore
të Aleancës Epirote. Për këtë arsye
dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë
ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një
përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.
Fundi i sistemit monarkik në Epir
Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht
të humbiste fuqinë e saj të mëparshme
politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra
për të ruajtur zotërimet e mëparshme në
Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar
më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit
të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua
një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve
Mytili, të cilën më vështirësi mundi
ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë
të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për
një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin
vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me
ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe
një herë që të rimëkëmbte fuqinë
e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot,
pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria
Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës
së saj, e mbërthyer në një krizë
të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri
në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi
gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë
në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte
përherë e më shumë prodhuesit e vegjël
të lirë fshatarë, që dikur përbënin
masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë
federative epirote dhe çoi në dobësimin e
fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake.
Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër
nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën
Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla
të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir,
të cilët kërkonin secili të fusnin nën
kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë
kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese.
Në këto situata sundimtarët epirotë u
treguan të paaftë të qeverisnin vendin. Aristokracia
epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin
më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin
si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë
e popullit për ti dhënë fund njëherë
e përgjithmonë regjimit të vjetëruar monarkik
në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në
vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës
Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh
e dinastisë së Ajakidëve.
4. LIDHJA EPIROTE
Organizimi i Lidhjes Epirote dhe karakteri i saj
Kur kontradiktat e thella politike çuan në përmbysjen
e regjimit monarkik në Epir, Aleanca Epirote që
deri në atë kohë ekzistonte si një formë
shtetërore federative nën hegjemoninë e mbretërve
molosë, reformohet tani mbi një bazë të
re republikane, pak a shumë sipas modelit të Lidhjes
fqinje etole, duke u quajtur dhe Lidhja Epirote. Kjo ishte
një lidhje politike që u siguronte të drejta
të gjitha bashkësive të veçanta epirote
që bënin pjesë në të dhe që
ruanin, në kuadrin e kësaj federate, vetëqeverisjen
e brendshme të tyre. Pra, edhe këtu si më parë
mbetej parimi federativ i shtetit, por tani i bazuar mbi një
konstitucion të ri, që nuk njihte më privilegje
apo hegjemoni të ndonjërit prej anëtarëve
të saj, siç ndodhte në Aleancën e mëparshme,
ku kryesonte mbreti i molosëve. Në këtë
aspekt Lidhja paraqitej si një formë më e lartë
shtetërore, më kompakte dhe operative. Të gjithë
anëtarët e saj kishin një shtetësi dhe
njiheshin zyrtarisht me emrin e përbashkët epirotë.
Lidhja, ashtu sikurse dhe aleanca epirote ruante të drejtën
të merrte vendime në emër të të gjithë
epirotëve, pavarësisht se kishte edhe bashkësi
që qëndronin ende jashtë saj, siç ishin
p.sh. kasopiasët dhe athamanët.
Organi më i lartë i Lidhjes ishte Kuvendi i Përgjithshëm
me fuqi të mëdha këshillimore dhe vendimore,
që nuk ishte i pranishëm, (të paktën nuk
është provuar ende), në federatën e mëparshme
monarkike. Këtu mund të merrnin pjesë të
gjithë nënshtetasit e saj të lirë. Kuvendi
zgjidhte magjistratët federativë dhe vendoste mbi
çështje të karakterit politik, ushtarak,
ekonomik e shoqëror. Kështu ai vendoste për
luftë ose për paqe, për thirrjen e popullit
nën armë, për aleanca me shtetet e tjera, për
të zgjedhur dhe për të ftuar delegacione, për
tu dhënë të huajve të drejta qytetarie,
pronësie etj. Ai ushtronte dhe funksionet e instancës
më të lartë gjyqësore. Organi më
i lartë ekzekutiv ishte Këshilli i Lidhjes, që
përbëhej nga përfaqësues të zgjedhur
të anëtarëve të saj. Në krye të
këshillit qëndronte kolegji prej tre strategëve
që duhet të përfaqësonin ndoshta të
tri grupet më të mëdha etnike të Epirit:
molosët, kaonët dhe thesprotët. Por mbi ta
dominonte vetëm njëri, i ngarkuar me funksionin
e komandantit ushtarak, funksion të cilin e ushtronte
më parë mbreti i molosëve. Nëpunës
të tjerë të Lidhjes ishin dhe sekretari i këshillit,
hiparku, komandanti i kalorësisë etj.
Kryeqyteti i Lidhjes tani u bë Foinike, kryeqendra e
Kaonisë. Këtu mblidhej zakonisht dhe Këshilli
i Lidhjes, megjithëse të tilla mbledhje, siç
duket, organizoheshin edhe në qytete të tjera të
Epirit.
Zhvillimi ekonomik dhe politik i Epirit në kohën
e Republikës (234/233 - 168 p.e.sonë)
Që në fillim të veprimtarisë së saj
Lidhja u ndodh përpara vështirësive të
mëdha të shkaktuara nga situata të brendshme
dhe të jashtme jo të favorshme për të.
Territorialisht ajo qe rrëgjuar afërsisht në
kufijtë e shtetit epirot përpara sundimit të
Pirros. Kështu nuk bënin më pjesë në
të: Ambrakia, Kasopia dhe Athamania. Megjithatë,
ajo mori një sërë masash për riorganizimin
administrativ dhe ushtarak të vendit. Lidhja vuri dorë
në sistemin e mëparshëm monetar të vendit.
Të gjitha këto pasqyrojnë qartë ndryshimet
që u bënë në organizimin e brendshëm
politik dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Në
periudhën e Republikës së Epirit u vu në
qarkullim një masë e madhe monedhash, më e
madhe se asnjëherë tjetër në Epir, prej
bronzi dhe prej argjendi. Disa tipa të këtyre monedhave
u përmbahen simboleve të vjetra të përdorura
që më parë nga Lidhja Molose apo Aleanca Epirote,
megjithëqë ishin në përshtatje edhe me
një varg simbolesh të Aleksandrit dhe të Pirros
të prera jashtë Epirit. Por, në monedhat e
federatës republikane të Epirit shënohen për
të parën herë edhe emrat e nëpunësve
të lartë, që ka mundësi të lidhen
dhe me strategët eponym të Lidhjes. Nuk dihet gjithashtu
me saktësi se ku mund të jenë prerë këto
monedha; supozohet të jenë prerë në Dodonë
ndoshta dhe në Foinike, por nuk përjashtohet mundësia
që një nga vendprerjet e tyre të ketë
qenë dhe Antigonea, ku janë zbuluar tani së
fundi monedha të pavulosura si dhe shufra bronzi për
nxjerrjen e tyre. Përsa i përket zonës së
qarkullimit të monedhave të Lidhjes Epirote, ato
përhapjen më të madhe e kanë pasur brenda
trevave të Epirit dhe sidomos në zonat veriore të
tij. Pak prej tyre janë gjetur në Greqi e në
Maqedoni, por kanë qarkulluar në sasira të
konsiderueshme në qytetet dhe krahinat e Ilirisë
së Jugut, sidomos në ato kufitare me Epirin. Kjo
tregon se midis këtyre trevave fqinje në çerekun
e fundit të shek. III dhe në fillim të shek.
II p.e.sonë ekzistonin marrëdhënie të
rregullta dhe intensive tregtare, që shprehen edhe në
afërsitë stilistike dhe tipologjike të disa
monedhave republikane epirote me ato të Amantisë,
të Orikut, të Apolonisë etj.
Qytetet epirote, nga pikëpamja e sistemit të fortifikimit,
urbanistikës, strukturës së ekonomisë
dhe tipareve të kulturës ngjanin shumë me qytetet
bashkëkohëse ilire; puna e skllevërve zinte
një vend të rëndësishëm. Historiani
grek Polibi duke përshkruar me hollësi pushtimin
e Foinikes nga ilirët në vitin 228 p.e.sonë,
thotë se sipas marrëveshjes së paqes, epirotët
e lirë qenë liruar me anë shpërblimesh,
ndërsa skllevërit e qytetit, ilirët i morën
me vete së bashku me pasuritë e tjera, prej të
cilave Teuta mbeti shumë e kënaqur.
Të dhëna të shumta për format klasike
të skllavopronarisë në qytetet epirote të
kohës helenistike, ofrojnë dhe materialet epigrafike
të zbuluara kryesisht në Dodonë e në Butrot.
Vetëm në hyrjen perëndimore të teatrit
të Butrotit janë afishuar të skalitura në
blloqet e gurëve, 29 akte lirimi. Sipas këtyre dekreteve
shpallen të lirë rreth 400 skllevër, pjesa
më e madhe e të cilëve vinte nga sferat e prodhimit,
midis të cilëve gjysma ishin gra.
Në kohën e Republikës një rol të
madh në jetën ekonomike dhe politike të vendit
filluan të lozin qytetet e trevave veriore të Epirit.
Foinike, sipas Polibit, dallohet në këtë kohë
si qyteti më i fuqishëm dhe më i pasur i Epirit,
ndërsa të dhënat arkeologjike të fituara
në këto vitet e fundit në Antigone e paraqesin
këtë qytet të madh, me një sistem të
fuqishëm fortifikimi dhe me një planimetri shumë
të rregullt urbanistike (sistemi hipodamik). Në
këtë qytet funksiononin punishte të veçanta
të specializuara në degë të ndryshme të
zejtarisë dhe zhvillohej një veprimtari e gjerë
tregtare, rrezja e shtrirjes të së cilës arrinte
deri në brigjet e Mesdheut Lindor dhe Perëndimor.
Në politikën e jashtme, Lidhja Epirote që në
fillim u tregua e paqëndrueshme dhe nuk kishte fuqi të
mjaftueshme për të përballuar presionin diplomatik
dhe ushtarak të shteteve fqinje dhe konkretisht të
lidhjes etole në jug, të Maqedonisë në
lindje, shtetit ilir në veri dhe atij romak në perëndim.
E ndodhur në një pozitë tepër kyçe
midis këtyre shteteve rivale, me një potencial të
madh ekonomik dhe ushtarak, ajo u tërhoq më tepër
pas politikës së aleancave dhe të qëndrimit
asnjanës, që e çuan më vonë Epirin
në humbjen e pavarësisë së tij të
plotë ekonomike dhe politike.
Në fillim Lidhja Epirote pati marrëdhënie të
mira me etolët. Në vitin 230 p.e.sonë, kur
asaj iu imponua një luftë e rrezikshme nga ilirët,
të cilët për një kohë e pushtuan
dhe kryeqytetin Foinike, qenë pikërisht etolët
ata që bashkë me akejtë e ndihmuan aleaten
e tyre që të përballonte këtë provë
të vështirë. Por kjo ngjarje e tronditi aq
shumë Epirin sa bëri që Lidhja të ndryshonte
menjëherë politikën e saj kundrejt etolëve,
duke hyrë në aleancë me kundërshtarët
e tyre, me shtetin ilir, të kryesuar nga Teuta dhe pak
më vonë me atë maqedon, në krye të
të cilit qëndronte Antigon Dosoni. Madje në
vitet 219-217 p.e.sonë, epirotët e ndihmuan aktivisht
pasardhësin e Dosonit, Filipin V kundër etolëve.
Por këtë veprim ata e paguan shtrenjtë, pasi
etolët duke kundërvepruar, hynë në Epir
dhe shkretuan pjesë të tëra të tij duke
mos kursyer as vetë Dodonën që ishte qendër
e rëndësishme kulti. Edhe pas këtyre ngjarjeve
Epiri e përkrahu Maqedoninë, madje edhe atëhere
kur Roma hyri në luftë e vendosur për të
zhdukur këta rivalë të fuqishëm të
saj në Ballkan. Në vitin 205 p.e.sonë, Lidhja
bëhet ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese
për vendosjen e një paqeje, që u nënshkrua
në Foinike, për të cilën më tepër
ishte e interesuar Maqedonia.
Në luftën e dytë maqedono-romake, Epiri u përpoq
të ruante asnjanësinë midis Maqedonisë
dhe Romës dhe të ndërmjetësonte rishtas
në vitin 198 p.e.sonë për një paqe midis
tyre, por kësaj radhe pa dobi, meqenëse kërkesat
romake qenë të rënda për Filipin. Në
këtë kohë tek një pjesë e epirotëve
filluan të shfaqeshin tendencat e para për të
përkrahur hapur Romën. Ndihma që u dha romakëve
Karopsi, një prijës i kaonëve, për të
thyer qëndresën e ushtrisë maqedone, e cila
kishte zënë grykën e Vjosës midis maleve
të Trebeshinit dhe Dhembelit, qe mjaft domethënëse
në këtë drejtim dhe i kushtoi humbje të
mëdha Filipit. Këto tendenca proromake u shfaqën
më qartë, në prag të luftës së
tretë maqedone. Të deleguar nga Roma erdhën
në Epir dhe kërkuan nga Kuvendi i epirotëve,
që ishte mbledhur në qytetin bregdetar Gitana (akoma
i paidentifikuar), të përkrahte Romën në
luftën e saj përfundimtare me Maqedoninë. Ky
presion diplomatik i vuri në lëvizje përkrahësit
e Romës në Epir. Mirëpo këta duke dashur
ti imponojnë këshillit të Lidhjes politikën
e aleancës me Romën, ngjallën kundërshtimin
e një pjese të anëtarëve të saj dhe
në mënyrë të veçantë të
molosëve, të cilët kërkonin të ruhej
si dhe më parë politika e ekuilibrit midis palëve
ndërluftuese, në sajë të së cilës
Epiri kishte shpëtuar deri tani pa u dëmtuar. Më
vonë këto kundërshtime dhe intriga të
brendshme, çuan në dobësimin e unitetit të
veprimit të Lidhjes. Në vitin 170 p.e.sonë
molosët qenë hedhur më në fund definitivisht
nga ana e Perseut, ndërsa kaonët e thesprotët
u radhitën në luftë përkrah romakëve.
Në këto veprime arbitrare dhe të kundërta,
Lidhja Epirote në fakt e humbi pavarësinë dhe
funksionin drejtues të saj. Fatin e Epirit duhet ta vendoste
tani lufta dhe rrjedhimet qenë katastrofike sidomos për
krahinat që gjatë saj mbajtën qëndrim
antiromak. Në vitin 169 p.e.sonë krahina të
tëra të Epirit u shkretuan, rreth 70 qytete të
tij u plaçkitën dhe u dogjën nga pushtuesit
romakë, ndërsa 150 000 veta u kthyen në skllevër.
Një numër i madh epirotësh të shquar u
dërguan në Itali.
Pas vitit 168 p.e.sonë, vetëm disa krahina që
përkrahën Romën në luftën e saj kundër
Perseut ruajtën një farë autonomie formale;
ato u riorganizuan në një Lidhje të re epirote,
gjeografikisht të kufizuar, të quajtur sipas të
dhënave epigrafike Lidhja e epirotëve përreth
Foinikes, por që më vonë do të përmendet
vetëm si Lidhja Epirote.
Qendra e jetës ekonomike dhe politike e kësaj Lidhjeje,
qe përqendruar kryesisht në Foinike, por përveç
Foinikes kishte edhe qendra të tjera të rëndësishme
si Pandosia e Dodona, të cilat prenë në këtë
kohë monedhat e tyre me legjendën e Epirotëve,
por pa emra nëpunësish, siç ishin, p.sh.
ato të prera nga Lidhja republikane para vitit 168 p.e.sonë.
Lidhja Epirote përreth Foinikes u krijua si një
njësi kinse autonome politike-administrative dhe ekonomike,
por ndër rrethana pushtimi dhe nën kontrollin drejtpërdrejt
të Romës, të cilin ajo e ushtronte përmes
njerëzve të besueshëm në Epir. Kjo Lidhje
e vazhdoi ekzistencën e saj, pavarësisht se politikisht
nuk pati ndonjë rëndësi, deri në vitin
148 p.e.sonë, kur, bashkë dhe me pjesën tjetër
të Epirit që kishte mbetur jashtë kësaj
Lidhjeje, hyri më në fund në sferën e
administrimit të provincës maqedone të porsakrijuar,
ashtu sikurse dhe krahinat e tjera të Ilirisë të
Jugut, në jug të lumit Mat.
|
 |  |