Kanuni

.

simbas botimit
SHKODER
SHTYPSHKROJA FRANÇESKANE
1933

 


Libri i Nandët

Dâmet.

Nye i 109.

Percaktimi i dâmevet.

§. 735. << Dâmi ká çmim. por jo giobë >>.

§. 736. Dâmi lahet permbas çmimit të pleqve a të dy shokve.

§. 737. Po u gjet gruja tuj vjedhë drû në mal të huej, me dorë s' perkitet, porse kmesa e terkuza ( teja ) i mirret; drût e bâme jesin aty.

§. 738. Kmesa e teja e mârrun xêhen per shperblim të dâmit e tjeter detyrë s'ká.

§. 739. << Dâmi ká çmimin por jo pushkë >>.

§. 740. Per çdo dâm i lahet dâmi të dâmtuemit, po kje per arë e livadh, per kopshtë a vêshtë.

§. 741. S'ndeshkohet kush me giobë per dâm të gjâs.

§. 742. Po u gjet në dâm kau a lopa, kali, mushku a gomari, delja a dhija, nuk mund të vriten, por do të çmohet dâmi i bâm prej 'tyne.

§. 743. Povrau kush në dâm kán, lopen, kalin, mushkun, gomarin, dhin, e delen, lán gjân.

§. 744. Gjâja e gjetun në dâm, a kapet e i çohet të zot't te dera, tuj i thânë se e gjete në dâm e të vîjë me e pá, ase e vên perpara edhè e çon te shpija e jote edhè e drýn në burg e, si të pleqnohet dâmi, i a kthen gjân.

§. 745. << Nji dhí thán nji vrrî >>. - - Dhuja âsht frymë e keqe; shka të perkasë me gojë, e thán.

§. 746. Po u gjet dhija tuj bâ dâm në vêshtë, sá cûgj hardhije të ketë verbue, kanûja ká pré këto dâme:
a ) - Cungu i hardhís i verbuem prej dhije nuk bân rrush per trí vjetë;
b ) - Nji cung hardhije bân rrush sá per dý okë vênë e per nji okë rakí në vjetë;
c ) - Hardhija e verbueme prej dhije prá ká gjashtë okë vênë e trí okë rakí per dâm.

§. 747. Sá per dâm t' arës, çmimi i kanunit âsht:
<< Njiqind kallzë kallamoqi: nji babûnë drithë >>. ( Per njiqind kallzë a bîmë të damtume, do të lajë i zoti i bagtis nji babûnë drithë. )

Nye i 110.

Thiu në Dâm.


§. 748. Thiu në dâm ká pushkë. - Po e gjete thín në dâm, bjeri pushkë >>.


§. 749. Po u gjet thiu në dâm pá verza ( kulár - krrabza ) në qafë, vritet.

§. 750. Me nji të shtîme a me nji të sjellme, gjith sá thí të vriten, dâmi âsht i të zot't të thive.

§. 751. Pushka e dytë a edhè e sjellmja e dytë lán thín.

§. 752. Porsá t' a vrasë kush thín në dâm, do t' i lshojë zâ të zot't si të shkojë me e mârrë, pse misht i a han aj.

§. 753. Po e vrave thín në dâm e nuk e bâne me dije të zo'n n' at hov, si të shkojë me e mârrë, e mbet thiu aty, sá të fillojë me u prishë do të lahet thiu.

§. 754. Si të vritet thiu në dâm, dâmin e bâm e lán me krye e i dâmtuemi nuk ká shka lypë mâ, pse vaji nuk i gjegjet në kanû.

§. 755. Po hîni në dâm thiu me verza, ká dâmin e jo pushkën. Po e vrave, lán thín.

Nye i 111.

Kurtha e ngrefun a laku në kopshtë.

§. 756. << Në kopshtë t'êm a ngrefa kurthin a lakun, nuk mund të më ndalë kush >..

§. 757. Në kopshtë të thurun mirë po ngrefi kush kurthen a lakun, nuk âsht në detyrë me i u pergjegjë dâmit.

§. 758. PO e ngrefi kush kurthen në kopshtë të shthurun e rá në tê berri, lán berrin.

§. 759. Në katund e rreth 'tîj, po e ngrefi kush kurthen, - mje kû kapen gjâja per kullosë - e rá në 'të ndo'i kambë berrí, i zoti i kurthës lán berrín.

§. 760. Kurtha shtrohet ( ngifet ) me të mârrme të diellit, e shkrefet a mblidhet a mblohet mirë me të rame të diellit.

§. 761. Gjâja e dame e e mbetun në mal nâten, po rá në kurthë, rreziku âsht i të zot't të gjâs; i zoti i kurthës nuk lân gjâ.

§. 762. Po u la shtruet kurtha diten, çdo gjâ, si biej më 'tê, i zoti i kurthës do t'i pergjigjet dâmit.

§. 763. Po rán në kurthë nâten qêni e mica, shkojn hupsë, sepsè kerkojn dhén.

§. 764. Kurtha e ngrefun në mal, porsè neper shtigje kah kalon gjâja, në rafët ndo 'i kambë berri në 'tê, bariu ká tager me coptue kurthen, e i zoti i saj nuk mund t'i lypë arsye.

§. 765. Po e ngrefi kush kurthen në rrethinë të shpijave të huja e rá në 'tè gjâja e të zot't të vendit e mbet a me kâmbë të thyeme a edhè cofi në kurthë i zoti i kurthës do të lajë dý per nji.





 

 

       
E Maili yn

na shkruani

   

© gusht.2004 by " www.malsia.eu®