M A R T E S A
Nye i 11.
Percaktimi e mëndyrët e Martesës.
§. 28. Percaktimi i Martesës
në Kanû.
M'u martue më kanûn do'me thânë
m'u bâ shpí, me i a shtue shpís nji rob mâ
teper, sá per krah të pûnve, sá per të
shtuem të fmive.
§. 29. Mëndyrët e Martesës
(1):
a) Martesa me kunorë, e pelqyeme
kah Feja e kanuja e Lekës;
b) Grueja e mbajtne mbí kunorë, kundra Fejet e kanujet
të Lekës;
c) Grueja e vajza e grabitme, e jasht - zakonshme kahë Feja
e kanuja ( 2 )
ç) Martesa me provë kundra Fejet e kanunit.
Nye i 12.
Tagri i djalit e i vajzës.
§. 30. Tagri i djalit.
"Djali ká tagre me mendue
per martesë të vet, po s' pat prind".
Djali sá të két prind s' ká tager:
a) me mendue per martesë të vet;
b) me shênjue shkuesin;
c) m' u perzie në fejesë të vet;
ç) as në shêj, as në petka, as në këpucë,
e as në të prém fejet.
§. 31. Tagri i Vajzës.
a) me zgjedhë fatin e vet; do të
shkojë per atë, per të cilin t' a fejojn (1);
b) m' u perzie në shkuesi as në fejesë.
c) as në këpucë as në petka.
Nye i 13.
Detyrët e burrit e të grues.
§. 32. Detyrët e burrit ndaj
gruen
Burri â' në detyrë:
a) me u perkujdesë per veshë e mathë e per gjithshka
të lypet per me mbajtë jeten;
b) me ruajtë nderen e grues e mos me e lânë me u
ankue per kurrnji nevojë.
§. 33. Detyrët e grues ndaj
burrin.
Grueja â' në detyrë:
a) me i ruajtë nderin burrit;
b) me i rrogue pá zhibla;
c) me i ndêjë nen sundim;
d) m'u pergjegjë detyrave të kunorës;
e) me rritë e me mkambë fmin me nderë;
f) me ndêjë gadi me të veshmen e të mathmen
( kah e qepmja);
g) mos me i u perzie në fejesë të të bijve e
të të bijave.
§. 34. Tagri i grues.
Gruja ká tager me lypë prej
burrit të mbajtmen, e veshen e mathen.
Nye e 14.
Tagri i burrit të vejë e i grues
së vejë.
§. 35. Tagri i burrit të vejë.
Burri i vejë, po s' pat prind, ká
tager me folë vetë per martesë të vet, (porse
burri i Malevet të Shqypnis s' e bân ket pûnë,
edhè në dijtë se do t' jesë pá u martue;
dokja âsht me qitë nji tjeter qi të flasë per
tê perkah martesa).
§. 36. Tagri i grues së vejë.
<< Gruja e vejë flet vetë.
-- Gruja e vejë i kthen krushqt m' udhë>>.
Gruja e vejë ká tager:
a) me folë vetë kah martesa;
b) me zgjedhë per fat atê, qi t' i pelqejë per sy;
c) me dá me gisht shkuesin, qi t' i a bjej shêjin.
Krye i Tretë
Shkuesija Fejesa
Nye i 15.
Shkuesija
§. 37. Percaktimi i shkuesit.
Shkues thirret njaj, i cilli rreket m'u bâ fjalë - mirë
a te prindja e djalit a te prindja e vajzës, qi të mârrin
a të napin vajzen per at djalë.
§. 38. Tagri e perlimi i shkuesit.
1. - Shkuesi âsht ndermjetsi te
dhandrri e te nusja ( te djali e te vajza ), të mos të
luajn fjalet as njana as tjetra lagje.
2. - Shkuesi ká tager mbí 50 grosh të shkuesís,
per kpucë, të preme prej kanuje.
3. - Kpucët e shkuesit e kan vaden ne ditë qi të
mirret nusja.
4. - Shkuesin e gjên a shpija e vajzës a shpija e djalit.
5. - Kpucët e shkues'ss i bân gjith - herë shpija
e dhandrrit, edhè ne e shênjoftë shkuesin shpija
e nuses.
6. - Shkuesi ká tager me folë sá per prindt e
vajzës, ashtu edhè per prindt e djalit.
7. - Perlimi i shkuesit âsht me hecë per të mârrun
vesht, per me çue paret me t' a' n a të vllán
e dhandrrit te prindja e vajzës.
8. - Shkuesi ká tager m' u perzie në çdo pûnë
ndermjet prindës së djalit e të vajzës, mje
në ditë të martesës.
Nye i 16.
Fejesa.
§. 39. Të ndaluemt e martesës
në Kanûn.
Në fejesë varzash do të
shikjohet:
a) Të mos të jetë gjak e gjiní;
b) Të mos të jetë të njij fisít;
c) Të mos të jetë mesë fisít të
djalit, qi do me e xânë;
d) Të mos të jetë gruja e lshueme;
e) Të mos të ketë kumarí:
1 ) në të peshuem në derë të kishës;
2 ) në Kunorë;
3 ) në të mârrun të flokvet;
4 ) të mos të jetë vllaznue me gjak të pím.
Kanuja s' e bán fejesen e martesen, kúr të ndermjetsohen
ndalimet e naltpermenuna, edhè në katerqind brêza
me kênë (1).
Në fejesë të lirë âsht kanú qi
të shkojë shkuesi e i ati -- a i vllaj -- i djalit te
prindja e vajzës, per me çue shëjin në nâtë
të dame.
Të hímit n'ânë, shkuesi do të perpushë
zjarmin, para se të lypë vajzen; si t' a perpushë
zjarmin, flet.
Si të ketë hânger darkë, i ati i dhandrrit
do t' i apë shkuesit në dorë si paret, si shêjin,
Shkuesi si të njehë paret më qêthit, do të
çohej më kambë, e lshon në dorë të
t' et të vajzës si paret, si shêjn.
§. 40. << Nuse pá shkuesi
s'bâhet >>
Vajza e grabitne a e hikne, me gjetë
burrë, nuk mund të stoliset si nuse; do të shkojë
vajzënisht -- me petka vajzënijet -- per arsye, qí
u muer e shkoi jashtë kanujet pá shkues.
Nye i 17.
Sheji.
" Shéji, nje ke të hjekish
dorë, t' a bán nierin t' àndin"
§. 41. Percaktimi i Shêjit.
Shêji perbâhet prej njij unâzet
të rêmët a t'argjanët ( tash vonë ), se
arit s'i dihet fija nder malcí t' ona. ( 2 ) -- <<
Unaza e dhetë grosh >> jânë me kanún.
Shêji as ndrrohet as ktheht per të gjallët t' atij,
qi e zên vajzen.
Me shêj perdorohet vajza, e, po duelen fjalet, prindja e vajzës
shpís së dhândrrit i kan nji gjak.
§. 42. Tagri i djalit per me lshue
vajzen e zânun.
Njatë herë kúr t' i teket
djalit âsht i lirë me lshue vajzen e xânun, porsè
shêji e gjithsá pare te két lá per vajzë
i hupin; arsyja âsht: << Kush e leshon vajzen nder unazë,
kanuja i a bân gjobë hêm shêjin hêm
paret sá të két lá per tê. >>
Para se t' a leshojë vajzen djali. do të bâjë
me dije shkuesin e ky me dy shokë të katundit të
djalit do të shkojë te prindja e vajzës, e nder sý
të dy shokve të katundit të vajzës, u kallxon,
se djali, qi e pat xânë vajzen e tyne, â 'tue hjekë
dorë, e janë lirë me e martue njeti.
§. 43. Vajza nen unazë nuk ká
tager me lshue djalin.
Vajza e xânun nuk mundet me e lshue
djalin edhè në mos e pasët per sý.
Por s' ndigioi vajza me shkue m' at fat, qi e ká xânë,
e edhè prindja i perkrahen së bís, kjo s' mund
të martohet mâ per të gjallët e dhandrrit me
tjetrkend.
Prindja e vajzës jânë detyrue me i a kthye shpís
së dhândrrit mje në mâ të mbramin dýsh,
qi kan lá per at vajzë.
Shêji e dhetë grosh e kanús, qi i jânë
çue vajzës kúr u xû, do të jesin n'
arkë të sáj deri diten e dekës së dhandrrit;
e të dije si vajza, si djali, si prindja se aj shêj s'
i lên me lujtë.
Kah Kanuja, vajza jet e lidhun, e veç me lêje të
dhandrrit qi pat xênë e per në hjekët dorë
ky, se s' mund të martohet, e s'â' kanún qi të
shkojë tjetrkush me e lypë, si të dijë se gjindet
e pengueme.
Edhè po muer tjetr grue dhandrri vajza e xânun prej
tij jet e lidhun se e lidhun.
Me dekë të dhandrrit, kanuja e liron vajzen, e, po dasht,
mund të martohet, per arsye qi << me dekë të
dhandrrit, shêji xêhet i hupun>>.
-- Po s'ndigioi vajza me shkue m'at fat. qi e pat xânë,
edhè me perdhûni do t' i a apin atij, qí e ká
xânë me << Fishek më shinë >>;
e per n' i raftë per sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek
të prindës së sáj, e gjaku i vajzës shkon
hupës, per arsye qí me fishek të tyne e vrau.
Nye e 18.
" E premja e Fés ". Dita
më shêj. ( 1 )
§. 44. Percaktimi i "Fé
së preme".
<< Me pré Fén >>
do' me thânë me dá diten e vaden e kputme se kúr
me nisë krushqit per me mârrë nusen.
Si t' i << pritet feja >> vajzës, tuj kânë
ditë më shêj, krushqit do të nisen at ditë
pá tjera fjalë , e ket ditë as kanuja s'e shtýn,
as bán qi të shtýhet.
Krushqit do të shkojn me mârrë nusen at ditë,
edhè me dijtë se â'tuj dekë nusja zhargas
e rrshânas do t' a çojn në shpí të
dhandrrit.
Krushqve s' u ndalohet udha edhè me pasë të dekmin
në shpí prindja e dhandrrit a prindja e vajzës.
I dekni në shpí, krushqit do të nisen; nusja hínë
në shpí, i dekni del shpijet.
Andej të vajtohet, këndej të këndohet.
( Kjo thohet per me diftue se as deka ket ditë s' mund t' i
ndalë krushqit, se me këndue nuk këndohet. )
Nye i 19.
Çmimi, si nepej e nepet per grá.
Çmimi, si nepej per varza e grá,
tash 50 vjetë e andej, perbâhej prejë 50, 100, 200
mije 400 groshësh.
Çmimi i kanús së vonë perbâhet prej
1500 groshve, aq sá bân gjaku i grues.
Nyse i 20.
Trashigimi i grues Shqypatre.
Gruja shqyptare farë farë trashigimit
s' ká te prindja, as më plâng, as në shpí,
-- kanuja e xên gruen si nji tepricë në shpí.
Prindja s' mendon per pajë as per kurrnji send per vajzë
të vet; aj, qi e xên do t' i baje kujdesin
Prindja e djalit, qi e xên vajzen do të mendojn per gjith
shka duhet për martesë të saj.
Krye i Katert
Darsma
Nye i 21.
Gatimi i darsmes në Kanûn.
§. 45. Per darsem do të gatohen:
a ) - Kau i darsmes do të qesë
100 okë mish e vjamë;
b ) - nji barrë miell kallamoqit;
c ) - 4 babûne grûnë -- miell grûnit;
ç ) - 4 okë kafe;
d ) - 12 okë sheqer;
e ) - 8 okë oriz;
f ) - 4 okë mjalt;
g ) - 10 okë djathë;
h ) - 2 okë tlyen;
i ) - 3 okë voj të butë;
j ) - 70 okë rakí.
V. O. Heret në vend të rakís ishte vêna.
§. 46. Në darsem të Kanús
hîjn:
a ) - 12 Krushq e 1 Krushkë;
b ) - Thirca;
c ) - Strafuleca;
ç ) - Magjatore ( gatojce );
d ) - Sherbtorë;
e ) - Kcimtarë;
f ) - Desharët;
g ) - Kângë vallesh;
h ) - Djandrri e Nusja:
i ) - Dy dishmitarë ( Kumarët e Kunorës);
j ) - Kunora.
§. 47. Detyra e të zot't të
Darsmes.
Kater javë para darsmet i ati i dhandrrit
a i zoti i shpís do të shkojë vetë me krye
me thirrë krushqit.
Mâ para thirren krushqit miq, mandej krushqit shokë.
§. 48. " Âsht Kanún,
qi mikut t' i shkohet në darsem me dash. "
Dash do të çojn
a ) - Nipa e sternipa, edhè në djep me kènë
e âma do t' a két dashin per doret e djepin më
shpînë;
b ) - i ûngji i dhandrrit.
§. 49. Rendi kúr do të
shkohet në darsem.
a ) - T'êjten shkojn bijat e nipat;
b ) - Të Prenden mbrâma shkojn Thirrca, Strafuleca, Magjatore,
Ujatore, Deshtarët, e Krushqit miq.
Deshtarët, të mrrijtmit n' oborr të dhandrrit, do
të qesin ka 'i pushkë per krye.
c ) - Të Shtunden nadje shkojn Krushqit shokë.
Të Shtundën, si të nisen Krushqit, do të theret
gjedhi i darsmes.
Nye i 22.
Prija e Krushqvet
§. 50. << Príjen e krushqve
lype e pvete e veç atij qi i perket, se s' ká burrë,
qí mund të príjë>> -- Äsht e
rrebët kjo Kanû.
Príja e krushqve s' luhet as ndrrohet.
Me bâ me hutue i zoti i darsmes, e me shênjue per krushk
të parë atê, të cilit s' i shkon príja
e krushqís, posë qi bjen në giobë, edhè
krushkparin, qi aj e shênjoi, kanuja s' i xên.
Krushkpari s' mundet me kênë:
a ) - Mik, por shoq i katundit të dhandrrit;
b ) - nuk do t'jét prej vllaznijet a fisit të dhandrrit,
por prej fisit tjeter.
Krushkparin kanûja s' e shikjon per dukë, por të
cillit i perket príja, e edhè fmí e shemtim
per sý me kênë, shpija e dhandrrit do t' a pelqeje.
§. 51. Vargu i Krushqve m' udhë.
Rreshti i krushqve kúr të
nisen me mârrë nusen, e tuj u kthye me tê, mbas
kanûnit âsht njeky:
1. - Krushkapari, shoq, prîn
2. - Krushku mik
3. - Krushku shoq
4. - Krushku mik
5. - Krushku shoq
6. - Krushku mik
7. - Krushku shoq
8. - Krushku mik
9. - Krushku shoq
10. - Krushku mik
11. - Krushku mik
12. - Krushku shoq me dash per doret.
13. - Krushka tuj e reshtë dashin.
Mâ i mbrami do të shkojë i ati a i vllai i dhandrrit
me kál per doret.
Krushqit, tue nisë per nuse, do të qesin ka nji pushkë
per krye n' oborr të dhandrrit.
Nye i 23.
" Krushqit pá e me nuse,,
e percjellsat me të deknin, s' mund t' i kalojn kuj per derë,
posë me kénë shteku a udha e katundit a udha e
madhe".
§. 52. Udhen e katundit e udhen e
madhe, s' ká burrë qi mund t' i a ndalë kuej, edhè
me kênë se i kalon para derës së shpís.
Aty, kû kalon nieri, kalon edhè
bagëtia kalon i gjalli, e kalohet me të dekunin.
M' u bâ rrênim m' udhë të madhe, zhyt e mbyt,
aty do të kalojë shtektari e bagëtija, nusja me krushq
e percjellsa me të deknin.
Zâmêja e të zot't lypet -- pá ndryshim --
per me i kalua rrâzë shpijet, e ky mundet me lirue shtekun,
porse me fjalë, të mos t' i jesë aty udhë, e
mos t' i bâhet ndera dhûnë.
Me bâ me u trimnue kush, a krushqit a percjellsat me te të
deknin, me i kalue per derë, kanuja e ep me i këthye dalë,
per arsye qi shtekun e shpís e të pronvet të veta
e ká per vedi e jo per udhë të madhe.
Me qillue se shtýhen me bart ( forcade ), ká ndollë,
qi i jânë bâ shokë të deknit, e nuses
i a vû futa më krye.
Nye i 24.
" Krushku i vendit t' i a lshojë
udhen krushkut mik ".
Krushqit m'udhë, tue shkue per nuse
s'mund të qesín pushkë, e kanuja vên leçi
mos me i nga kush.
Shtektarét, çfarëdo kâmbet e nderjet të
janë, qi ndeshen më krushq, do të shmangen udhën
sá të kalojn krushqit.
Krushku i vendit do t' i a leshojë udhen krushkut mik; kjo
âsht kanû detyret e burrnijet, qi e kan pasë malet
t' ona që se mbahet në mend.
M'u ndeshë me krushq miq në katund a në Flamur t'
êm, kanuja më vên detyrë m'u shmângë
me krushqt e mí, sá të kalojn krushqit miq.
M' u ndeshë dý lagje krushq në katund a në
Flamur të huej, kanû detyret âsht të shmangen
sá njâna sá tjetra lagje, e të dahen me
nderë e pá fjalë.
Nye i 25.
"Krushku - Krushk, Miku - Mik".
§. 53. Kanuja s'na vên leçi
mos me ngá mikun në shpí t' onë.
<< Krushku à' krushk >>
e kanuja na lèn shtekun të lirë me e ngá,
edhepsè na xên carânin e votres. - Me ngá
krushkun s'i quhet kuej per marre.
Qe arsyeja:
Krushqit vijn edhè biejn me vedi mish, meze, rakí
( venë ) paret e së bûjtmes e tjera; kah kanûja
krushqit hán buken e vet në shpí t' ême.
§. 54. Krushqit do të bijn me
vedi:
1. - Dashin 12 okësh rrûmull;
po erdh mengut, i ati i nuses ká tager me ngushtue Krushkaparin
qi të blejë 'i dash tjetr si e lypë kanuja;
2. - Në ditë krezhmijet do të bjejn 8 okë peshk
thát;
3. - Djathë 2 okë;
4. - Vênë 8 okë;
5. - Rakí 2 okë;
6. - 12 grosh pare të s'bûjtmes; -- këto pare jânë
per bukë, qi u qet krushqve shpija e nuses okë e grosh;
7. - Djalit, qi del krushqve perpara 5 grosh;
8. - Grues, qi e vwsgë nusen 5 grosh.
9. - 10 grosh ungjit të vajzës -- vllaut të s' amës.
a ) Krushqit vijn si grabitçarë e si nji tubë cubash
at natë, per me rá pré e me mârrë
nierín si rob të xânun, e s' vijn si miq;
b ) Edhè i zoti i shpís, prá, e ká shtekun
çilë me i ngucatë, m' u râ pré tuj
u ndalë armët, e peng me të s' mund të qesín,
se kanuja s' jau gjegjë vajin.
§. 55. Darsma në shpí
të nuses.
Në shpí, prejë së
cilës del nusja, s' â'kanûn me kendue, as me qitë
pushkë.
Krushqit edhè në mrrijshin heret në katund të
nuses, s' â'kanú m 'u nisë kah shpija, pâ
prendue dielli e pá u muzgë.
Nji hollí kaut larg' shpi's së nuses, nji prej shokësh
të katundit të nuses, i cilli s'do të jét
as gjak as fis me nusen, do t' u dalë perpara krushqve.
Krushqit, tuj mrrîjtë n' oborri të nuses do të
qesin ka nji pushkë per krye, ashtû edhè kúr
të dalin m' u nisë me nusen.
Krushkapari vetem flet, krushqit tjerë s' â' kanû
qi të flasin, posë n' u thirrët a n' u pvetët
kush me êmen.
Krushqit me krushken do të hajn bukë zbashkut më
nji tryezë; s' â'kanû me i dá dyzash.
Si të kryhet buka, do të lshojn darsmorët dhântít
per nusen mbí bukë të pathyeme më tryezë.
Dhântija perbahâhet prej nji groshit per krye, s' â'
kanû me dhânë as mâ teper as mengut.
Krye i Pêsët.
Kanuni i Dhandrris.
Nye i 26.
"Me dekë dhandrri, prindja e
nuses jânë në detyrë me i a kthye gjysen e
çmimit shpís së dhandrrit ".
§. 56. Tagri i shpís së
dhandrrit e detyra e mikut.
Me dekë dhandrri pá e mârrë
nusen, mikut i jet në dorë Shêji (unaza) e dhetë
grosh të kanús, se paret tjera do t' i a kthejë
prindës së dhandrrit deri në mâ të mbramin
dýsh.
U martua dhandrri e veç nji natë e kaloi me nusen e
diq, gjysen e çmimit do t' i a kthejë miku prindës
së dhandrrit.
Me dekë dhandrri n' at vjetë qi u martue, gjysen se gjysen
e çmimit i a kthen miku prindës së dhandrrit.
Me dekë dhandrri në krye të dý vjetve mbas
marteses, dý pjesë të çmimit miku i ndalë
per vedi, të treten i a kthen prindës së dhandrrit.
Me dekë dhandrri edhè vjetin e dytë, por tuj lânë
fmí në carâ të voters, miku s' i ká
farë detyret prindës së dhandrrit, per arsye qi bija
i a la shpín të perzime e çmimin e a lau me fmí
qi i a la në plâng.
Me dekë dhandrri në krye tê trí vjetve, prindës
së këtij s' i jet gjâ me mârrë te miku,
per arsye qi bija e ketij i a bâni rrogen në derë.
Nye i 27.
Deka e nuses
§. 57. Tagri i prindës së
nuses.
Me dekë nusja në krye të
trí vjetve mbas marteset, pá lànë fmí
në plâng të burrit, prindja e kësaj kan tager
me marrë petkat e rrgjânet, porsé arka me drý
me nji palë petka do tê jesín ke prindja e burrit.
Me dekë gruaja, tuj lânë nji djalë a vajzë
te burri, prindja e kësaj kan tager mbí rrgjânet
e fylit, se tjetra sende do të jesin në shpi të burrít.
Nye i 28.
"Gruja s'bjen në gjak".
- "Gruja lshon më gjak prinden".
Njimend se mbas kanunit t' onë <<
Gjaku shkon per gisht >>, porsè kjo kanû s' e
pershin gruen, per arsye, qi << Grueja s' bjen në gjak
>> edhè me qillue se vret kend.
Me vrâ grueja burrin e vet a kêdo, prindja e kësaj
do t' apin arsye per at gjak.
Burri e blén mundin e të jetuemt e grues, por jo jeten
e saj.
Me e gjetë gjâ gruen per faj të burrit, prindja
e kësaj i lypin arsye më kanû.
Me rrahë burri gruen, nuk bje në faj kah kanuja, e as
prindja s' mund t' a kerkojn të rrahmen.
Me plyrë burri gruen, e po bâni váj kjo ke prindt,
burri do t' u apë arsye.
Me mbytë gruja burrin, e m' u çue i kunati me vrâ
të kunaten, pse i a vrau të vllân, kjo s' âsht
e perligjme më kanûn. -- Gjaku i grues s' bâhet
krahas me gjak të burrit; prá, tepricen e gjakut të
burrit do t' a perligjin prindja e grues.
Sikursè jânë në detyrë prindja me dhânë
arsye per çdo pûnë të ligë qi të
bâjë në derë të burrit a kuejdo bija e
tyne, ashtû çmimin e gjakut të saj e bán
prindja e jo burri as djali i saj.
Nye i 29.
"Gruja âsht shakull per me
bajtë ".
Gruja njifet si nji calikë per me
bajtë sá të jetë në derë të
burrit, se prindja së hjekin dorë prej sojet, e ndalin
per vedi e mbi vedi të pergjegjmen per tè, por edhè
me lypë arsye, me bâ me e gjetë gjâ.
Nye i 30.
Gruja e vejë.
Gruja, qi mbet e vejë e pá
fmí, tuj u dá me shpí të burrit , petkat,
qi pat prû si nuse e arken me drý i mêrr me vedi.
Gruja e ré, qi mbet e vejë, por me fmí, po desht
me ndêjtë në plang të burrit me fmí,
do të dorzanitet me dý lagje dorzânë; dy
dorzânë do të janë të katundit kû
mbet e vejë, se s' ká me pasë kush pûnë
me tê, e se s' do t' i a korisin êmnin prindës
as burrit të dekun; dy tjerë do të qesë prindja
a kushrinija e saj se s' do t' a dajn prej fmive, veç në
lypët vetë m' u dá e m' u martue.
Grueja, qi mbet pá burrë e pá fmí, e,
pse e shtýme në vjetë, i lutet prindës me
e lênë në plang të burrit, s' guxon me e trazue
kush prej vllaznis a fisit të burrit.
Grueja e vejë e pá djelm, per në pasët varza
të martume, ká tager me ndêjtë e me jetue
në plang të burrit. Mundet me shkue edhè ke prindët
a ke ndonjâna bijë e martueme me gjallitë, e toka
e burrit do t' i qesë buken e gojës -- trí barrë
drithë per vjetë deri në dekë.
Po u martue grueja e vejë, atbotë rrnesen e vet e gjênë
te burri i dytë, se toka e burrit të parë s' qet
bimë mâ per tê.
Nye i 31.
Theku i Prém ( * )
" Me lshue gruen "
Po s' u prû grueja si duhet te burri,
kanuja i nep lêje me i prë thekun a flokun e me e lshue.
Kunora jet, e as burri as gruja nuk mund të martohen per të
gjallët. -- Po u qortue gruja, mbas së lutmes së
dashamirve, qillon qi burri e mêrr perserí.
Per dý pûnë e ká fishekun në shpinë
grueja e per nji p^në i pritet theku e lshohet.
a ) Per kurvní;
b) Per mik të prém.
Per këto dý pûnë të pabesijet i shoqi
e vert të shoqen, e rrîn pá ndore, pá pse
besë e pá kénë i ndjekun per gjak, se prindja
e grues së vrame mârrin çmimin e gjakut, e këtij
do t' i napin fishekun e do t' i qesin dorëzânët.
Per bracní a cubní burri e lshon gruen, porse tjetr
dhûnë s' ká tager me bâ grues.
Grueja, qi lshohet, tuj dalë shpijet të burrit, kurrnji
send s' ká tager me mârrë me vedi posë petkash,
qi ká në shtat. I hupin petkat grues së lshume,
persé çmimi, qi ká pasë lá burri
per tê, i jet ke prindt.
Me pasë djalë prej gjiut grueja e lshueme, i shoqi, edhè
pse e dán kathedret, âsht në detyrë me i
a shênjue nji vend rreth plangut të vet, me i a dhânë
djalin e me e mbajtë me veshë e mathë e me bukë.
Nye i 32.
Grueja e pâ - kunorë.
Aj, qi të mârrë gruen
pá kunorë, jet i lidhun kah Feja edhè kah kanuja.
Grueja e pá - kunorë farë tagrit s' ká në
shpí të burrit.
Kanuja i nep këto ndeshkime burrit, qi mèrr grue pá
kunorë:
a ) shpija i digjet e toka i jet djerr;
b ) xieret prej vendit, e s' mund t' a shklasë token e vet
mje qi t' a largojë gruen e mbajtne pá kunorë.
c ) në pasët fmí me grue të pá kunorë,
njihen të pá - ligjë e prandej s' mund të
bâhen kurr perkaes ( trashigimtar ).
Krye i Gjashtët.
Prindja. ( Baba - Nêna - Djelmt
)
Nye i 33.
Baba - Burri.
§. 58. Tagri i burrit mbí
gruen.
Burri ká tager:
a ) me kshillue e me qortue gruen;
b ) me rrahë e me lidhë gruen e vet, kúr të
mbrríjë me i a perbuzë fjalen e urdhnit.
§. 59. Tagri i babës mbí
të bijt.
Baba ká tager:
a ) mbí jetë e mbí gjallnim të të bijve
b ) me rrahë, me lidhë, me burgosë a edhè
me vrá të birin e të bín, kanuja s'i lypë
arsye, edhè i a xên se vret vedin: << Kush vret
vedin shkon gjak - hupës >> (2)
c ) me njitë të birin në rrogë sá herë
të duej, per arsye, qi << Sá të jët
i ati gjáll, i biri njihet si bulgë (3)>>.
d ) mbí fitimet e të birit, të rrogës a sido
kjoshin (4);
e ) me shitë e me blé, me dhânë e me mârrë;
f ) me karmue të birin shpijet pá pjesë, kúr
mos t' i rrije nen sundim e ndigiesë (5); --- porsé,
si të desë i ati, i biri vjen në trashigim të
t' et.
§. 60. Detyra e babës.
a ) Baba âsht në detyrë
m' u rrekë per të mirë të të bijve si kah
ndera si kah pasunija;
b ) m' u blé armë djelmve, si të bâhen per
'to;
c ) mos me bâ testamende, si të két të bijt;
d ) trashigimin paraz m' u lânë djemvet.
Nye i 34.
Nana - Grueja.
§. 61. Paperlimsia e grues. *)
a ) Burri, nuk ká tager mbí jetë të grues;
b ) Grueja farë tagrit s' ká as mbí të bijt
as shpí;
c ) Me vrá i biri t' âmen, bjen ne gjak me prindt e
s'âmës;
d ) Me rrahë, me plyrë e me vrá gruen e burrit
dora e huej, nderen i a kerkon burri, varren e gjakun prindja;
e ) Me rrahë kunetija gruen e burrit, prindja e grues i a lypin
nderin, në mos i raftë mbrapa i shoqi;
f ) Me kênë nâna gergase ( qi perzien shpín
), i biri e qet t' âmen prej shpijet pâ pjesë e
pá gjâ, veç se vjetin e parë do t' i apë
buken e gojës ( trí barrë drithë ) e tjetr
s' i ká.
Nye i 35.
Djelmt.
§. 62. Detyra e perlimi i djelmvet.
a ) Bijt jau kan detyrë prindës
bindjen e ndigjiesen;
b ) do të rrîjn nen sundim të t' et mjeqi të
desë ky;
c ) s' mund të sjellin doren më 'at, as m' u rá
ndesh fjalës;
d ) per çdo pûnë do të mêrren vesht
me t' anë;
e ) pá lêje të t' et s' mund të shkojn kund;
f ) pá zamê të t'et s' mund të blejn as s'
mund të shesin gjâ, e as farë mârrdhânjet
s' mund të kanë me kend;
g ) s' munden me hi dorzânë, posë per aq , sá
u bâjn armët e brêzit;
h ) s' munden me qitë t' anë më rrugë të
madhe edhè pse à' plakë jetòs,
i ) me pretue ( me mârrë pré ), me vjedhë
a me vrá kend i biri i ati do të pergjegjet per arsye
qi << Fitimi e rreziku i të bijve i perpjesnohet t' et
e vllazenve>>;
j ) me vrá i biri t' anë, fisi a grîn dorërasin
ase e xjerré vendit per gjith herë (1);
k ) me i u mbushë mendja ndonjênit nder djelm me u dá
prej t' et, del pá pjesë e pá gjâ.
§. 63. Tagri i Parbínis (
djalit të parë ).
a ) Djalit të parë i perket
sundimi i shpís mbas dekës së t' et;
b ) Vllau i parë do të pvetet per gjithshka mbrenda e
jashta shpijet;
c ) Me kênë derë Flamurtari, djalit të parë
të vllaut të parë i perket Flamuri;
d ) Me kênë derë Vojvodet, djalit të parë
të vllaut të parë i perket prîja;
e ) Me kânë Plak katundit, djalit të vllaut të
parë i perket strapleqnija.
Ose: Sá të jét pá u dá shpija,
i ungji i të bijve të vllaut të parë del nder
zyre të katundit e të Flamurit; si të dahen, s'kan
tager m' u perzie nder zyre të naltpermenduna as i ungji as
të bijt e tij, pse jânë të bijve të vllaut
të parë.
Krye i Shtatët
Të Dámt.
§. 64. Né Kanû të damit pershihen:
1. - Shpija, troje e vathina.
2. - Toka:
a ) arë,
b ) vneshta;
c ) livadhe;
d ) xâna, ograja;
e ) prozhme - zabele;
3. Vada ( vendi i ujit );
4. Mullini;
5. Fitimi i të prishuna;
6. Armët;
7. R6emet, hekurishta, almistra qésh;
8. Rraqe shpijet -- shtroja e mbloja --;
9. Gjâja e gjallë: lopë qé, kual, dele e
dhì;
10. Drithi e çdo bimë aret;
11. Bletët;
12. Djathi e tlyeni;
13. Vêna e rakija;
14. Pleqt e të damit.
§. 65. Shpija, troje e vithna.
1. Shpija me tokë, qi të ketë per rreth, i perket
vllaut té mbramë.
2. Prroje e vithna dahen per vllá - aq pjesësh, sá
zjarmijesh të dahen vllaznit. --
§. 66. Toka
1. Toka e të parve do te dahet me terkuzë -- per vllá
--.
2. Toka e bléme pprej djelmve -- mbas dekës së
prindës -- do të dahet per pushkë.
3. Vllau i ndermjemët ká tager me zgjedhë tokë
kû të duej.
4. Ara, vneshta, livadhi, xâna - ograja, prozhme e zabele
do të dahen me terkuzë -- per vllá, sá njani
tjetri.
5. Kujria, mali e bjeshka s' dahen; do t'a kenë zbashkut, si
per drû si per kullosë.
§. 67. Vada.
Rendi i ujit do dahet me kerçik mbas toket.
§. 68. Mullini.
Mullini, si toka, dahet per vllá.
§. 69. Fitime e të prishuna.
1. Fitimet e të prishunat jânë të plangut:
shpija i gzon e , pá u dá shpija, do të lahen.
2. Fitime të posaçta kanuja së veçon: <
Shka të xênë të damit në shpí,
jet mrendë.>
3. Paja e grues nuk hîn në pleqni të të damit.
4. Dhantít, qí i mblidhen nuses në ditë
të martesës, si te prindja, si te burri, kanuja e të
damit nuk i prishîn; jânë të grues.
§. 70. Armët
Armët do t'i epen vllaut të parë.
§. 71. Rême
hekurishta, almistra qésh Rêmet do të dahen
per vllá, si edhè hekurishtat: spata, sheten, kosa,
kmesa, kiza, sharra, thadra, dalta, etj; shtû edhè
almistra qésh.
§. 72. Rraqe shpijet.
a ) Shtroja e mbloja do të dahen per vllá:
b ) vozga, govixha, fuçija, sheka, per vllá:
c ) lugë, qêtha, vjedra ( mjelca ), mtij turren e drûve,
vegsha, vorba, kuça, e shka të jenë ênë
drûnit e dheut, i dán e zoja e shpís per mbas
msimit të pleqve, ashtû edhè puplishtat.
§. 73. Gjâja e gjallë.
< Berret dahen per pushkë >. -- Në të dam
të berrevet, të lopvet, të qevet e të kuajvet
mârrin vetun ata, qi jânë të zot me bajtë
armë.
§. 74. Drithi.
1. < Drithi dahet per gojë >. Burravet, gravet e
fmive do t' u epet buka e gojës në ditë të të
damit.
2. Fmija -- djelë e vajzë -- pá e mbushë vjetin,
s' kan tager në bukë të gojës. Si të mbushin
vjetin, do t' u dahet pjesa e bukës si tjervet.
3. Jo veç drithi, por edhè çdo bimë tjeter
e arave a e kopshtijeve, do të dahet per gojë.
§. 75. Bletët.
1. Zgjojt e bletve do të dahen per vllá.
2. Mjalti dahet per gojë.
§. 76. Djathi e tlyeni.
Bylmeti e çdo melmesë do të dahet per gojë.
§. 77. Vêna e rakija.
Vêna e rakija, me nji fjalë, gjithshka hahet e pihet,
do të dahen per gojë.
§. 78. Pleqt e damit.
1. Pleqt e të damit do të jenë dy a kater, a
si t' a lypë nevoja e shpís, qi dahet.
2. Pleqt e të damit kan tager me mârrë ka nji berr
per krye plakut.
3. Kpucët e pleqve të të damit do t' i apin zbashkut
vllaznit, qi dahen.
Oroe.
§. 79.
a ) Plakut të shkretë do t' i epen të prishunat
e drekve pá u dá shpija.
b ) Vllaut të pamartuem do t' i epen të prishuant e martesés
pá u dá shpija.
c ) Granija s' hijn në pjesë të të damit, posë
per bukë të gojës -- në të gjitha sendet,
qi hahen e pihen --.
d ) Grazhdi -- sâna e kashta -- dahen mbas gjâjet.
§. 80.
Po u mbush mendja vllaznve me u dá per të gjallët
e t' et, këta nuk kan tager me u perzie as në tokë,
as në pasuní, e do të shkojë seicilli n' at
pjesë, qi t' u a shênjojë i ati.
§. 81.
Mbas deket të t' et, kanuja e të damit nuk i veçon
vllaznit, por, sá të janë, aq pjesësh do t'
a dajn pasunín e t' et, si të tundshmen sí edhè
të patundshmen.
§. 82.
Me kênë kater vllazen, e per në qitshin Pleqt
per m' u dá, token e të parve do t' a dajn me terkuzë
per vllá.
§. 83.
Me u dá dy vllazen më nji krah e dy tjerë më
nji tjeter , token e të parve e dajn per gjymës, token
e bleme prej sish per pushkë.
§. 84.
Me dekë njani vllá prej dy të damve, pá
lânë djalë në voter, toka, qi i pat rá
në pjesë, do të dahet trísh, posë tokësh
të bleme mbrapa e posë gjâsë së gjallë
të pertrîme mbasi jânë dá.
§. 85.
Paragrafi 83 dhe 84 pershîn edhè vllazen dý
nanash.
§. 86.
Vllaznit e dám nji herë me gúr e kufi. po
u perzien perserí, e mbas do kohe u mbushet mendja me u sterdá,
tokët i dajn mbas kufinit të së dames së parë.
Per në paçin blé tokë të reja e pertrî
gjâ të gjallë permbasi u perzien, do të qesin
në pûnë §. 83.
§. 87.
Me kênë dy a mâ shum vllazen, e me dekë
njani tuj lânë djalë mbrapa, kur të dahen,
djali i vorfen dahet me t' ungjin si vllá, mêrr pjesen
e t' et.
KRYE i TETËT
Trashigimet.
Tagri i trashigimit në Kanu
§. 88.
Kanûja njef per trashigues djalin e jo vajzen.
§. 89.
Djalin të pakunorë kanûja s' e njef per trashigues.
§. 90.
Nipit të trungut a të gjakut i perket trashigimi,
e jo nipit të tamblit a nipit bijash.
§. 91.
As te prindja as te burri grueja s' hînë në
pjesë të trashigimit:
a ) të mos të dyndet nipnija me ngûlë në
plang t' ungjit të dalë fare;
b ) të mos ngrehen prindja e grues me ngulë në plang
të dhandrrit të dalë fare;
c ) të mos perzihen fiset e nji flamurit me fise të tjetrit
flamur.
§. 92.
Me dalë fare mashkullimi i njij shpije e njiqind bija me
pasë dalë aso dere, s' kan tager me u perzie në trashigim
të prindës as këto, as bijt e bijat e tyne < Nip
bije nuk mund të varet në krrabë t' ungjve. >
§. 93.
Me mbetë nji djalë ferishte djepi, i pá tatë
e i pá vllá e moter, kushrinija e ngiatë jânë
në detyrë me e rrîtë, gjânë e token
me i a ruejt, porsè s' kan tager as me shitë e as me
ndrrue gjâsend.
§. 94.
Kushrinija edhè pse jânë në detyrë
me rritë e me mkambë djalin e vorfen, me i a rujtë
gjânë e tokët, mundin e djersve të veta kan
tager me e mârrë: < pûntori do rrogen e vet.
> Bímët i gëzon, e shtojet e gjâs do t'
i dajnë mbas kanûnit si të bâhet i zoti i
vedit djali.
§. 95.
Si të bâhet 15 vjeç djali, kanûja e
njef per burrë e per të zo' n e krahve të vet, atbotë
edhè do t'i dorzohen pronet e pasunit e sundimi i shpis së
vet.
§. 96.
Me kênë shpija kushrijsh, si kan sá njana
tjetra, plangun e shuem do t' a dajn zbashkut.
§. 97.
Po s' pat kushríj të ngiatë plângu i
shuem, vllaznija e fisi edhè më njiqind brêza
në kojshin, kan tager mbí gjâ, prone e pasuní
të këtij plangu.
§. 98.
Me mbetë plangu në bija, kushrini mâ i ngiati,
a shkon te ato, a i mêrr në shpí të vet,
e aty e m' at hov mêrr sundimin mbí gjâ, pasuní
e prone.
Nye i 37.
Detyra e Kushrijve e tagri i Bijave:
§. 99.
Me mbajtë në shpí varzat e plangut të
shuem, me i a bajtë kujdesin per kah vesha e mbatha.
§. 100.
Me martue varzat e vorína.
§. 101.
Me i pritë në të pám e me i percjellë
mbas kanûnit.
§. 102.
Me u bâ drekët bijave, po diqne në shpí
të vet para a mbas martese.
Nye i 38.
Vllau i Shpifun.
§. 103.
Vllá i shpifun, mbas kanûnit, thirret njaj, i cilli
i lén nànës me burrë të dytë.
§. 104.
Vllau i shpifun s' ká tager trashigimi as perkasije në
plâng të burrit të parë të nânës.
KRYE i NANDËT
Të Lânunat
testamendet
Nye i 39.
Percaktimi i Testamendeve
Oroe: Kanûni i Lekës nuk njef testamende; e , per
në dashtë kush me lânë gjâ prej pasunísh
të veta per shpírt, duhet doemos pelqimi i kushrijve.
§. 105.
Percaktimi i të Lânunave ( i testamendeve ).
Per të lânunat e të falmet a, si thotë goja
e kombit t' onë < me lânë gjâsend per shpiert
> mêrret vesht me lânë gjâ per kishë,
si arë a livadh, kopshtë a vêshtë, prozhem
a zabel, rendin e ujit, a edhè lang e plang me t' eger e
të butë, do të két:
a ) mendt e shendosha në krye;
b ) të jét i lirë kah e lâmja;
c ) mos të jét i tutun prej kercnimit të ndokuej;
d ) të két tager me lânë.
Nye i 40.
Mëndyrë të Lânunash.
§. 106. Të lânunat jânë dý
mëndyrësh: me barrë e pá barrë.
a ) Të lânunat me barrë ( me detyrë ) jânë
ato kúr lânësi i cakton kishës nji detyrë,
b. f. me thânë nji a dý Meshë në vjetë
per shpírt të tij a të parvet të tij, per
at pasuní, qi po lên.
b ) Të lânunat pá barrë jânë ato,
kúr lânësi lên gjâsend per kishë
pá i caktue detyrë, e xêhet si e falun.
c ) L6anësi âsht në detyrë me mbledhë
kushrinín e vet e Pleqt e fisit me dishmitarë, e, si
lânësi si këta, do të vêjn gisht në
leter si e lypë Kanûni.
Nye i 41.
Tagri i të dalunit fare.
§. 107.
Gjithkush âsht i zoti i pasunís së vet, e
aj, i cilli don me lânë gjânë e vet per kishë,
âsht i lirë e nuk mund t' a ndalë kush.
§. 108.
Baba edhè në mos pastë djelm, nuk mundet me
u lânë bijave as tokë as plâng as shpí.
§. 109.
Baba, per të gjallë të vet, ká tager me
u falë bijavet të holla, rraqe, çakla; permbas
deket të t' et s' ká tager bija me lypë të
falmet e të folmet e t' et.
Nye i 42.
Tagri i Kushrinis.
§. 110.
Kushrinija e të dalunit fare kan tager me shperblye token
e gjânë e të dalunit fare; porse çmimin e
kësaj pasunije do t' i a dorëzojn kishës, mbas mendes
së të dalunit fare.
§. 111.
Me pasë lênë uhá e detyrë gjaqesh
i daluni fare, do të lahen prej pasunísh të shperblyeme
prej kushríjsh, e tepricen do t' i a dorëzojn kishës
per shpirt të të dalunit fare.
§. 112.
Me dekë në të papritun i daluni fare, kushrinija,
kan tager mbi gjâ e pasuní të tij.
§. 113.
Edhè në mos lashtë gjâ me shkrim i daluni
fare, kushrinija jânë në detyrë me mendue per
shpírt të tij; po s'e mueren në kujdes ket pûnë
kushrinija, fisi e Pleqt e katundit, kúr t' a dajn pasnín
e tij, u caktojn se shka do të lânë per kishë.
§. 114.
Në pasët bija të martueme i daluni fare, e per
ne e shperbleshin pasunin e tij kushrinija, në detyrë
jânë me i pritë e me i percjellë mbas kanunit.
§. 115.
Po pat djelm, i jati nuk mundet me bâ testamend.
§. 116.
Po diq i ati në të papritun, tuj lânë djalin
ferishte djepi, kushrinija do t' a mârrin në kujdes pasurín
e djalin mje qi të bâhet 15 vjeç.
Nye i 43
Rrogtari.
§. 117.
Zotnija ká urdhnesen, rrogtari ndigjesen.
§. 118.
Rroga lahet mbas vendimit, qi të bâhet ndermjet zotnis
e rrogtarit.
§. 119.
Per ndo 'i faj, qi të bâjë rrogatri zotnija
s' mund i a bâjë giobë rrogën.
§. 120.
Po vodh a vrau kend rrogtari me bukë e me fjalë të
zotnis, rrogtari bjen në faj e në gjak, porsè dâmi
âsht i zotnís, e ky do t' a xjerrë së keq
rrogtarin.
§. 121.
Po ndolli cubnija a vrasa në katund të zotnís,
do t' a largojë rrogtarin, porse do t' a percjellë me
rrogë të motmotit per arsye qi faji kje i zotnis e jo
i rrogtarit.
§. 122.
Po bâni ndo 'i mbrapshtí rrogtari a në katund
të zotnís a jashta këtij, porsé në
mende të vet e pá dije të zotnís, dâmin
e gioben do t' a hjekë rrogtari, e në dashtë zotnija
me e percjellë, rrogen deri n' at ditë do t' i a apë.
§. 123.
Me vrá kend rrogatri në mende të vet, gjakun
e çon te shpija e vet.
§. 124.
Me vrá kush rrogtarin, bjen në gjak me shpí
të tij, por zotnís i pritet mik.
§. 125.
Me i u mbushë mendja zotnís me e dá rrogtarin,
veç pse nuk i pelqen e pá e gjetë në faj,
rrogen e vjetit do t' i a lajë.
§. 126.
Me u dyndë zotnija me plang prej nje krahine në nji
tjeter, po s' e muer rrogtarin me vedi i a ká detyrë
rrogen e vjetit; po s' u gjegj rrogtari me i shkue mbrapa, i a ká
rrogen deri n' at ditë.
§. 127.
Po i kcej rrogtari me u dá prej rroget para vadjet, veç
pse i merzitun, zotnija do t' i apë rrogen mje m' at ditë.
§. 128.
Po s' heci mbas andes së zotnís rrogtari, mund t'
a dajë, 'se me vû gojë keqas mbë tê e
me vû dorë nuk mundet.
§. 129.
Me shá keqas a me rrafë rrogtarin zotnija, e per
n' u daftë ky para vadjet, per të rrafme e per të
shame do t' i ligjohet.
§. 130.
Brimen e qortimin e zotnís do t' i kaperdije rrogtari.
§. 131.
Me rrafë rrogtarin dora e huej, ky lypë gjýgj
e zotnija buken e dhûnueme.
|