Liber
i Tetët.
Ndera
Krye i Shtatëmbdhetët.
Ndera Vehtjake.
§. 593. Kanuni i Malevet të
Shqypnís nuk e veçon nierin prej nierit. <<
Shpíert per shpíert, se duken e falë Zoti >>.
§. 594. I miri e i keqi kan nji çmim:
Kanûni i mban per burra: << Del i miri prej te keqit
e i keqi prej të mirit >>. << Në kandár
të vet se i cili peshon katerqind derhêm >>.
§. 595. N' i perkët kush kuej
në nderë, peng e plak per nderë të mârrun
s' ká; Kanûja thotë: në daç, fale;
po deshte, laje ballin e vrugnuem.
§. 596. Nderin seicilli e ká
per vedi e nuk mund t' i perzihet kush kuej as me e rrethue me pêgje
e me pleq. Dy gisht nderë në lule të ballit na i
njiti Zoti i Madh.
§. 597. << Ndera e mârrun
giobë nuk ká >>. - Ndera e mârrun s' falet
kurr.
§. 598. << Ndera e mârrun
nuk shperblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut,
a me të falun fisnikisht ( permbas ndermjetsís së
dashamirve të mirë ).
§. 599. I korituni ká deren
çilë perkah ndera: peng s' shtron, pleq s' mêrr,
gjýgj s' lypë; giobë s' mêrr. -- Burri i
fórt mêrr gioben vetë.
§. 600. Aj, të cillit i u muer
ndera, xêhet i dekun kah kanûja.
§. 601. Ndera i mirret burrit:
A ) - Me i thânë kush se rrên faqe burrave të
mbledhun në kuvend;
B ) - Me e pshtý, me i u matë, me e shtý a me
i rá kush;
C ) - Me i prishë ndermjetsín a besen;
D ) - Me i a dhûnue gruen a me i a ikun;
E ) - Me i a marrue armët e krahit a të brêzit;
F ) - Me i a dhûnue buken, tuj i a ngâ mikun a pûntorin;
G ) - Me i thye shpín, vathin, kotecin a çarranikun
n' oborr;
H ) - Me i a ndalë uhán a detyren;
I ) - Me i a luejtë rrasen e vegshit në voter;
J ) - Me njye kashaten perpara mikut - i mirret ndera e mikut.
K ) - Me koritë trevezen nder sý të mikut, kúr
i zoti i shpís e kruen fulteren a shîn e lpîn
kupen.
Krye i Tetëmbdhetët.
Ndera Shoqnore.
§. 602. << Shpija e Shqyptarit
âsht e Zotit e e mikut >>.
§. 603. Miku nuk mund të hîjë
në shpí, pá bâ zâ n'oborr.
§. 604. Si të bâjë
zâ miku, i zoti i shpís a kush i shpis i pergjigjet
e i del perpara.
§. 605. Falet me mik, armen i a mêrr,
e i prín në shpí.
§. 606. Armen i a varë në
krrabë, edhè e çon në krye të vendit
ke votra.
§. 607. Perprushet zjarmi, lypen
edhè drû. << Miku don drû >>.
§. 608. Mikut do t'i bâhet
nderë: << Bukë e krypë e zêmer >>.
§. 609. Buka e krypa e zêmra,
zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi
per mik në çdo kohë të natës e të
ditës.
§. 610. Mikut të lodhun do t'
i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët.
§. 611. Per çdo mik duhet
buka si han vetë.
§. 612. Per mik të mirë
duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndo 'i send mâ teper.
§. 613. Per mik zêmret duhet
duhâni, kafja e ambel, rakija e bukë e mish.
-- << Mikut të zêmres i lshohet shpija >>.
§. 614. << Tuj hî në
shpí, mikut do t' i mbajësh armen >>.
§. 615. E mbajtmja e armës âsht:
a ) - shêj burrnije e nderje, edhè knaqesh se t' erdh
miku;
b ) - âsht roje, sepsè tuj i thànë: <<
Mirë se erdhe >>, aj do të rrîjë zot
per çdo rrezik;
c ) - âsht shêj urtije per vedi, pse, 'si t'i mârrish
armen, edhè në pasët ndo 'i mende te keqe miku,
nuk ká shka të bân, 'si t' a çarmatosish.
§. 616. << Mikut i lshohet
kryet e vendit >>.
§. 617. Mikut i lshohet kryet e vendit,
po kje në shpí si edhè po kje në kuvend
burrash, porsè në kuvend nuk ká zâ.
§. 618. Mikut i lshohet kryet e vendit
si per nderë, si edhè si të jét mâ
në të pám e në shêj, si edhè
të mos të perzihet nder robët e shpís.
§. 619. Si hîjë miku në
shpí, të ká lá detyren.
§. 620. Po të hîni miku
në shpí, gjak me të pasë, do t' i thuajsh:
<< Mirë se erdhe ! >> -
§. 621. << Miku do të
percillet deri kû të lypë me e percjellë >>.
§. 622. << Miku, edhepsè
xên kryet e vendit në shpí a kûdo, kurr
s' prîn, por do t' i prîjsh >>.
§. 623. Miku percillet edhè
me nji fmí, po kje djelë a vajzë, gjithnji si nji
burrë a grue.
§. 624. Sí t'a percjellish
mikun deri kû desht vetë me shkue, e solle shpinen me
shkue në pûnë t' ande, krisi pushka n' at hov e
edhè e vrau, tý nuk të pritet mik.
§. 625. Mbas mikut do të hupish
pûntorët, e me bukë t' ande, të mos fikesh
e të mos koritesh.
§. 626. << Si t' i prîsh
mikut, çdo dhûnë t'i bâjë kuej ky,
lypet mbë tý >>.
§. 627. Mikut mos i prîjshë,
do të hapsh sýt si mos t'i bâjë kuej ndo'i
dhûnë a pûnë të ligë.
§. 628. Kanûja urdhnon si të
percjellet miku sá mos t'a gjêjë ndo'i pûnë
e ligë, sá edhè mos t' i bâjë kuej
ndo'i dâm me bukë t' ande.
§. 629. Po bâni ndo 'i pûnë
të keqe miku në bukë t' ande, arsyeja lypet prej
teje.
§. 630. I dhûnuemi e i dâmtuemeni
s'âsht në detyrë me ndjekë atê, si e
dhûnoi e si e dâmtoi, por i kerset në derë
atij, si e mabjti në shpí e i dha bukë.
§. 631. << Buka e lán
dâmin >>.
§. 632. Kanû âsht prá,
si t'i prîhet mikut, sepsè xêhet se nuk din rrugë
e nuk din a do të ndeshet në mik a n' anmik.
§. 633. Do t'i prîjsh, pse
jé rojsi i mikut, si me i a largue rrezikun, si edhè
me e ndalë prej pûnet të keqe.
§. 634. << Buka të nderon,
porsè të qet edhè në pûnë >>
( Buka m'u gjet dreq pat thânë dikush. )
§. 635. Po t' a dhûnoi buken
miku do t'epsh arsye në kanû per shpí e vath të
thyem, per tufë të mârrun e pretime tjera.
§. 636. Do të lajshë dâmet
e bâme prej mikut t' and a tuj vû kumbonen e tufës
s' ate në trá, a me të hjekun të kaut të
hullís, a me të shitun të rendit t' ujit.
§. 637. Nderen e dhânun do
t'a dajshë me mikun e të dâmtuemin do t'a ndreqish.
§. 638. Ti do të lajshë
e , po mujte me xjerrë gjâ te miku, e ké per vedi;
perndryshej të pastë mbetë ngiat: Paç e dhaç
thotë kanuni.
§. 639. Sikursè jé
në detyrë me lypë mikun e prém ashtû
jé në detyrë me dhânë arsye, në
prefët kend miku në bukë t' ande.
Nye i 97.
Të prémet e mikut.
" Ndorja nuk lshohet ".
§. 640. << Miku mik; shoqi
shoq >>.
§. 641. << Veç nji gacë
me t'a lypë kush tedera per me kallë çubukun, i
a dhe, e ngau kush, të pritet mik >>.
§. 642. Po të rá ndore
kush, edhè tuj t'a xânë vetem êmnin : <<
Jam miku i njatij >> e edhè pá të pasë
kênë kurr te dera, po e nga kush, të jet mik në
derë e ftyra t'u vrugnue.
§. 643. Po t' a vûni kush mikun
në lojë a t'a shau, ti do t'a mkâmbish nderin e
mikut me rrezik të jetës s' ate.
§. 644. Po i u pré kuej miku,
kanûja e ká lânë dý udhë : a
të fiket, a të koritet.
§. 645. Atij, si i u pré miku,
çdo send do t í epet me dor të mâjtë
e per nen giû mje si t' a paguej mikun.
§. 646. Dora e mâjtë me
kanû quhet e pandershme, e cilla mêrr e nuk ep; me miq
nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me 'tê.
§. 647. Me kanû të hershem
gjygji'e karmote më hû të pabesin, e s' e lite në
kuvend burrash.
§. 648. I pabesi, si pret kend vetë
a shet kend në besë, grîhet katundisht e shkon gjak
- hupës.
§. 649. Me gojë të kanunit:
baba, vllau e deri kushrinija e dalun fare falet, porse miku nuk
falet ( posè me të hîm ndermjet të dashamirvet
të zêmres ).
§. 650. Per mik të prém
rrallë se e pet besa; ndermejtsia epet sá të mârrin
e t' apin, në hîfët pûna në të ndrequn.
§. 651. Katundi shoqi - shoít
i presin mik:
a ) - Kúr nji shoq shmanget te nji shoq e, tuj dalë
prej shpije të këtij, e vret a shoqi tjetr a kushdo;
b ) - Edhepsè shoq a kushrî me të vramin mik -
prém, detyrë âsht me lypë shoqin - mikun
e vrám;
c ) - Po s' e lypí mikun e vrám, edhepsè shoq,
s' ká pse del në kuvend burrash, pse jet i koritun e
i marruem pergjithmonë e jetës.
§. 652. Me ndeshë n' udhë
të madhe dy shokë, e, 'si të bâjn do rrugë,
kerset pushka edhè vritet njani sish, këtij tjetrit
nuk i pritet mik.
Oroe.
Njimend, se s'i pritet mik, porsè
jet i koritun mos me qitë mbë dorërasin.-- Shqyptari
edhepsè bjen në gjak pá gjak, tuj e pague me
vrasë mikun e prém, aj s'e mêrr ndore at pûnë;
fiket me lang e plang porsè merre s'bán. --
Nye i 98.
Të sjellunit e të zot't të
shpis me miq në shpi.
§. 653. Miku xên kryet e vendit
në trevezë ( sofer ), mandej i hîn ndorja.
§. 654. Flamurtarit nuk i takon
kryet e dashit e mikut shpatulla.
§. 655. Po s'ndolli Flamurtari, por
Kreu i njij Flamuri, shpatulla i tokon këtij e mikut kryet
e dashit.
§. 656. Miku do të hjekë
rakín e mà i pari do t'u biej duerve në travezë.
§. 657. Me ndodhë në trevezë kush i Gjomarkaj
e nji mik i largët, Flamurtarí e dán pergjymës
me të Gjomarkain kryet e dashit e shpatulla i jet mikut.
§. 658. Flamurtari do t' a thejë
me grusht kryet e dashit e mikut, 'si t' a két lpí
shpatullen, do t'i a thejë sumbullen.
§. 659. Me ardhë per mik i Ohërnjani
( i Thkallas ) a në Mirditë a në Malcí të
Lezhes e me ndodhë aty edhè kush e Gjomarkaj, kryet
e vendit e xên i Ohërnjani, mandei i Gjomarkaj. ( Ket
pûnë s'e bân kush prej ndrejet. )
Oroe: K;eto sjellje duken si lojë,
porsè kan shkaktue vrasë të pergjegjme shi në
travezë.
§. 660. Kafen e mêrr miku, mandej i zoti i shpís.
§. 661. Duert në travezë
i lán i zoti i shpís, mandej miku.
§. 662. Goten e rakís e pin
i zoti i shpís e të dyetn miku.
§. 663. Kashaten e njyen miku, mandej
i zoti i shpís.
§. 664. Aj zot shpije, si e njye
kashaten perpara mikut, late 500 grosh giobë.
§. 665. Aj zot shpije, si koritte
travezen e vet nder sý të mikut, late 500 grosh giobë.
§. 666. Pushka e shitme per mik
të prém nuk ká giobë.
Nye i 99.
Ndermjetsia.
§. 667. Ndermjetsi, si lajmtari,
nuk bán faj as nuk xêhet.
§. 668. Ndermjetës thirret aj, i cilli hîn per me
dá fjalët e kqija, me shmangë rragen, prej të
cillvet mund të shkaktohet vrasa a ndo 'i rrênim tjeter.
§. 669. Ndermjetes mund të
jét burrë a grue, djalë a vajzë a edhè
Prift.
§. 670. Ndermjetës mund të
hîjë per shpí me shpí, per katund me katund,
per Flamur me Flamur.
§. 671. Me i u pré ndermjetsia
njij shpís së veçanët, vetë e kerkon
mikun.
§. 672. Me i u pré ndermjetsia
njij katundi, katundisht u lypë mikun.
§. 673. Me i u pré ndermjetsia
njij Flamuri, Flamuri mbarë e lypë mikun.
§. 674. Me i u pré ndermjetsia
Priftit, mikun e lypë Famullija, në të cillen gjindet,
a se Flamuri e lypë, po hîni ndermjet n'êmen të
flamurit.
§. 675. Prifti, per me dá
të keq, hìn ndermjet jo n'êmen të vet, por
a n'êmen të Famullis a n' êmen të Flamurit;
por vetem atbotë, kúr mos t'i pûnojë fuqija
e fjalës fetare.
§. 676. Po s' u muer para sýsh
fuqia e fjales fetre, atbotë Prifti hîn ndermjet si çdo
qytetas, por, tuj mos bajtë zyrja e tij shpatë e litár,
po i u bâ n' asgjâ ndermjetsia si e çdo qytetasit,
katundi a Flamuri do t'a mekambin nderen e tij, tuj e lypë
mikun e prém.
§. 677. Me kênë të
vramë njiqind vetë në njanin krah e në tjetrin
kurrnji, 'si të hîjë kush ndermjet, pushka do të
prâjë zjarmi do të shuhet.
§. 678. Me bâ me u qitë
poshtë fjala e ndermjetsit, ajo lagje, si të fillojë
pushken, i a pret mikun ndermjetsit. ( Po s' prâni pushka
e fjala e gergasa permbas ndermjetsís, perzihet lamshi per
mnerë, kryqzohet pushka, e grihen aty per aty. )
§. 679. Fjalët e dokshme të
ndermjetsís jânë: << L6eni fjalët,
or juni, jam ndermjet une ! -- Prâni pushken, burra, un jam
ndermjet mje ke të mirremi vesht. -- Prâni pushken, se
katundi ..., Flamuri ... âsht ndermjet !>>
§. 680. Ndermjetsí u mêrr
pêgjet të yja lagjeve, tuj u a dá diten se kúr
e kû do të mblidhen në kuvend, per me u mârrë
vesht.
§. 681. Po nuk muejt me i ndreqë
ndermjetsi, p6egjet e të dý lagjeve u lshon në
dorë burrave t' urtë, e ky atbotë lirohet e del prej
ndermjetsie.
§. 682. Ndermjetsia mbaron gjitherë
a me të ramë diellit a me të mârrun të
diellit ( me të lém a me prendim të diellit ).
Nye i 100.
Dorzanija.
§. 683. Dorzânë thirret
aj, i cilli i lidhet kuej per të pergjegjun të njij detyre,
të cillen, po s'e lau në vade të caktume detyrsi,
ky bâhet dordhânës.
§. 684. Uhasi, 'si të két
dorzânë, s'ká nevojë me i shkue në derë
detyrsit; dorzâni do të pergjigjet per 'tê: <<
Dorzânë, dordhânë >>, thotë kanûni.
§. 685. Edhè në dekët
detyrsi, uhasit s'i prishet gjâ; per detyrë, si aj i
pat këtij, do të pergjigjet dorêzani: << N'
dekët detyrsi, rrnofët dorêzani, >> thotë
Kanûni.
§. 686. Me bâ me u pendue
dorzâni e me dashtë me dalë dorzânije, Kanûja
nuk e lân, sepsé: << Dorêzani nuk hîn
per me mbajtë në mend, por per me lá>>.
§. 687. Dorzâni hín
me mirvet, e prandej nuk ká tager me lypë kpucë
as te detyrsì as te uhasi: << Dorzânë e
bestár nuk hîn kush me të holla >>.
§. 688. Detyrsi, kúr lypë
kend per dorzânë e, per n'i hifët ky, faqe burrave
i thotë: Un po të hî dorezânë, por shikjo,
se, po s'e pate nder mend me i bâ gadi të hollat në
vade të caktume, më kallxo prej tashti e të bâhem
gadi me lá per tý . T' a dijshë, se shnjerzim
nuk duroj!
§. 689. Po nuk i u pergjegj detyrsi
dorzânit, edhè e lân të lidhë si të
lajë ky prej vedit detyren e tij, dorzâni do t'i a apë
pengun uhasit.
§. 690. Uhasi ká tager me
i a dorzue kujdo at peng, per me xjerrë detyren e vet.
§. 691. Dorzâni ká
tager me bâ váj në katund kundra detyrsit të
keq, e katundi do t'a ngushtojë detyrsin si t'a shperblejë
pengun e dorzânit e t'i a dorzojë të zot't.
§. 692. Po s'i bâni gadi të
hollat detyrsi vetem prej dhûnet e kasnecijet, katundi e giobitë
permbas randsís së fajit per presë të bâme.
§. 693. Po i bâni gadi të
hollat detyrsi në vade të caktume, para se t'i a dorzojë
të zot't, do t' a bâjë me dije dorzânin.
§. 694. Po kje se detyrsi nuk muejt
me i bâ gadi të hollat në vade të caktueme
vetem prej skamit, dorzâni do të rrîjë gadi
me lá per 'tê, e këtê me pritë, se
<< Dora e thatë s' ká uratë >> e s'ká
pse e qet në katund, pse vajin nuk i a veshtron: t'a kishte
matë vedin para se t'i hîte dorzânë.
Krye i Nandëmbdhetetët
Gjaku e Gjinja, Vllaznimi e Kumbarija
në Kanû të Malevet.
Nye i 101.
Gjaku e gjinja e brêza Shqyptarësh.
§. 695. Vargu i brêzavet të
gjakut e të gjinís, shkon në të pasosun per
Shqyptarin e malevet.
§. 696. Mahet vllá e fis
me të gjith ata, prej së cillësh të parët
e tij jânë dá heret a vonë.
§. 697. Katerqind zjarmesh me u
dá Shqyptari, aj as mêrr as ep, do me than, nuk bân
krushqní.
Nye i 102.
Lisi i Gjakut, Lisi i Tâmlit, Nip
Trungut e Nip Bijet.
§. 698. Brêzat rrjedhin a
prej gjakut a prej gjínîs.
§. 699. Brêzat e gjakut rrjedhin
prej ânet të babës; brêzat e gjinis rrjedhin
prej ânet të nanës.
§. 700. Rrjedhja e brêzavet
prej ânet të babës thirret << Lisi i Gjakut
>>.
§. 701. Rrjedhja e brêzavet
prej ânet të nânës thirret << Lisi i
Tamblit >>.
§. 702. << Nip Trungu >>
a << Mesë Trungu >> thirret aj varg mashkujsh a
fêmnash, si rrjedhin prej plangut të babës.
§. 703. Nip a mesë bijash thirret
aj varg mashkujsh a fêmnash, si rrjedhin prej bijave të
martueme.
Nye i 103.
Vllaznimi.
§. 704. Vllaznimi, si bâhet
tuj pí gjak e ndalin krushqnín pergjithmonë ndermjet
të vllaznumve, shpís së tyne e zjarmit të
tyne.
Nye i 104.
Kumbarija ( Shengjonija ).
§. 705. Çka âsht gjaku
e gjinija per kah krushqnija, ashtû âsht edhè
kumbarija.
§. 706. Kumbarija e Shqyptarit te
malevet âsht trí nduersh:
a ) - kumbarija e Pagzimit;
b ) - kumbarija e Kunorës;
c ) - kumbarija e Flokve.
Nye i 105.
Kumbarija e Pagzimit.
§. 707. Kumbarija e Pagzimit e ndalon
krushqnín brêz mbas brêzit jo veç nder
të pagzuemin, prinden e të pagzumit e nder ata, si e peshojn
në derë të Kishës, por edhè nder sá
rob të két shpija e njanës e të tjetres lagje
e të zjarmit të tyne mbarë.
Nye i 106.
Kumarija e Kunorës.
§. 708. Kumbarija e Konorës
e ndalon krushqnín nder robët e shpís së
kumbarve e të shpís së dhandrrit e, si të
plangsohet kumbarija e kunorës nder dý vllazni e të
pershîjë edhè zjarmet e tyne, kjo pûnë
shkon me kumbari të Pagzimit.
Nye i 107.
Kumbarija e Flokvet.
§. 709. Kumbarija e ndrikullija,
si bâhet në të rruem e në të mârrun
të flokvet hîn në lidhje kanunore, si s'e luen gjâ.
§. 710. Kumbarija e flokvet e ndalon
krushqnín brêz mbas brêzit ndermjet shpís,
vllaznís e zjarmit të kumbarës e të ndrikulls.
§. 711. Ndrikullija âsht si
nusija:
Si shkon nusja ke prindët të caktuem prej Kanûnit,
ashtû shkon edhè ndrikulla në kohë të
caktueme të kumbara.
§. 712. Koha e ndrikullís
e caktueme prej kanunit âsht nji muej para së Lidhunash.
§. 713. Ndrikullija nuk mund të
shtýhet mbí pêsë ditë:
Ditët e ndêjës së ndrikulles te kumbara do
të janë gjitherë cub e jo kurr parë, tri a pêsë.
Nye i 108.
Sjelljet Kanûnore në mârrun
të flokvet.
§. 714. Nun a kumbarë thirret
aj, si mêrr flokët.
§. 715. Ndrikull a nunë thirret
e âma e djalit a e vajzës, të cillvet u mirren flokët.
§. 716. Famull a famulleshë
thirret djali a vajza, të cillvet u mirren flokët.
§. 717. Nuni e ndrikulla jânë
si vllá e moter e nuk veçohen prej gjindes së
shpís.
§. 718. Po e mbushi vjetin djali
e vajza, nuk u mirren flokët.
§. 719. Me dekë fmija pá
i u mârrë flokët, nuk do të shtîhet në
dhé:
Do të thirret kumbara i shênjuem; po kje larg kumbara,
do t'i mârrë flokët nji tjetr, i cilli nuk do të
jét prej vllaznijet e fisit të fmís.
§. 720. Per të mârrun
të flokvet të djalit të jét burrë, e
grue per vajzë.
§. 721. Prindja e djalit a të
vajzës, të cillvet t'u mirren flokët, do të
bàjn gadi buken sá mâ mirë si të munden,
per me nderue kumbaren.
§. 722. Kumbara do të vijë
me nji prej dashamirësh të vet.
§. 723. Thirren nja tre - kater
shokë per me mârrë pjesë në gzim të
shpís.
§. 724. Si të kenë pí
kafe, goditet vendi, kû do t'ulet Nuni e do të gjindet
aty veglat per të mârrun të flokvet.
§. 725. Lypet karriga, kû
do t'ulet Nuni; kupa me ujë, në të cillen Nuni do
të lshojë nji asper të rrgjanët; msalla, si
do të shtrohet per të pritun të flokvet; gershanë
a brisk rrues per të qethun a per të rruem të famullit
a të famulleshës.
§. 726. Si t'ulet në karrigë
Nuni, nji djalë i fisit i a pshtetë Nunit në prehën
famullin a famulleshen.
§. 727. Nuni do t'i mârrë
flokët me ket rend:
a ) - nji çubë në báll;
b ) - në tamza ká nji çubë;
c ) - mbas kreje nji çubë.
§. 728. Si të miren flokët,
Nuni i bjen ballit të famullit a të famulleshës me
gershan trí herë, tuj thânë: << Me
shndet e jetë të gjatë ! >> E puthë famullin
a famulleshen e, tuj e hjekë prêhnit i a ep s' amës
- Ndrikulls, -- e cilla edhè mêrr kupen me asper të
rrgjanët.
§. 729. Nuni i ep Ndrikulls 50 -
150 grosh e jo mâ teper.
§. 730. Çubat e flokvet i
mêrr e âma edhè i ruen n' arkë.
§. 731. Ndrikulla do t'i apë Kumbarës:
gjurdî, brekë e mangore, e gjindes së shpís
së kumbarës - sá të janë - do t'u çojë
kuej msallë, kuj ride a kollçikë.
§. 732. Pá i u mârrë
flokët fmís, gershana nuk do t'i aperkasë kryet;
po i u rrten teper flokët, i percullohen me flakë t'ûnës
së píshës.
§. 733. Si t'i mirren flokët
fmís Kumbara bûen at natë në shpí
të famullit a të famulleshës; ne e neser çohet
e mêrr me vedi ndrikullen e famullin edhè i çon
në shpí të vet, kû rrín trí
a pêsë ditë, si mbas Kanûnit.
§. 734. As mort as darsem e as të
kremet s' luten pá ndrikull e kumbarë, pá famull
e famulleshë.
|