 |  |
Koja
Njëri ndër katër bajraqet e Malësisë
së Madhe, jashtë kufirit të shtetit amë
- Shqipërisë, është Koja që deri
vonë shumë e quenin edhe Koja e Kuçit. Koja
është bajrak në vehte. Është më
i vogli në këtë pjesë të Malësisë.
Ma i vogël se bajraku i Hotit, që është
bajraku i parë, se bajraku i Grudës që është
bajraku i dytë dhe se bajraku i Trieshit që është
bajraku i tretë. Gjendet nja 12 kilometra në verilindje
të kryeqytetit të Malit të Zi - Podgoricës.
Është e banuar vetëm prej shqiptarëve
malësorë dhe ata të gjithë të një
feje, të fesë katolike. Si të tillë ata
janë shqipfolës. Deri pas Luftës së Dytë
Botërore kojasit e kanë folë pastër gjuhën
shqipe, malësorishten, të pasur me fjalë,
(nocione) të lashta bujqësore e blegtoriale për
arësye se ata kryesisht janë marrë me bujqësi
dhe blegëtori. Ndërsa pas kësaj periudhe, pas
luftës, në shqipen e kojasve kanë vërshuar
me të madhe fjalët sllave duke e rënduar (bastardhuar)
gjuhën shqipe të kojasve dikur të pastër
si loti. Fjalët sllave (malaziase) u futën me anën
e kontakteve të shpeshta të të rinjëve
me sllavë, si në shkolla (pasi që menjëherë
pas luftës nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe,
sidomos të mesme dhe as të ciklit të dytë
të shkollës fillore). Pastaj në aksione, qytete,
manifestime kulturore, sportive e në mënyra të
ndryshme, gjatë shërbimit ushtarak e të tjera.
Por, rruga më e shpeshtë dhe më e lehtë
e depërtimit të sllavishtes në shqipen e banorëve
të Kojës madje, edhe te të gjithë banorët
e Malësisë jashtë kufirit të shtetit amë,
ka qenë me rastet e martesave të shqiptarëve
me sllave (shkina). Te kojasit e hershëm femrat sllave
nuk kanë mundur aq lehtë të imponojnë
sllavishten, por përkundrazi ato e kanë nxanë
(mësuar) gjuhën shqipe gjuhën e burrit,
përkatësisht gjuhën që flitej në
shtëpinë e re ku vinte nusja. Ndërsa më
vonë, pas Luftës ky raport ndryshoi, ndodhi e kundërta.
Nusja sllave (shkina) gjuhën e vet ia imponoi burrit
dhe tërë familjes së burrit. Edhe nëqoftëse
në shtëpinë e burrit kishte për shembull
njëzetë anëtarë të gjithë për
hatër të nuses flisnin sllavisht. Kështu
që fëmija që lindëte shkina rrallë
herë fjalët e para i folte, përkatësisht
i dinte shqip. Ajo jo vetëm kaq, por dukshëm ndikoi
edhe në dhënjen e emrave të fëmijëve
të lindur prej martesave të përziera. Kështu
jo rrallë herë fëmia mashkull pagëzohej
me emër sllav si: Momo, Veselin, Zoran etj. ndërsa
femrat me Lilana, Verica, Zorica, Danica e tjera. Këtu
priftërinjët nuk e kanë luajtur rolin e vet
në masë të duhur që e kanë pasur
për detyrë. Si metodë tjetër për
vërshimin e serbishtes në Kojë edhe në
mbarë Malësinë e Madhe jashtë kufirit
të shtetit amë ishte edhe hapja e shkollave në
gjuhën serbe. Kështu në Kojë menjëherë
pas fitores së partizanëve (komunizmit) u hap shkolla
në gjuhën serbe (siç ishte edhe në kohën
e Jugosllavisë së Versait). Përdorimi me të
madhe i sllavishtes menjëherë filloi me lanë
pasojat e veta. Këto shihen qart në shumë fusha
të jetës së kojasve e sidomos në mbishkrimet
e varrezave në gjuhën serbishte. Shumica e epitafeve
në varrezat e bukura familjare të kojasve janë
serbisht dhe aty ku janë shkruar shqip janë me përplotë
gabime dhe shumë sosh me alfabet cirilik apo edhe latin
si shkruhet në serbishte. Kjo dukuri është
evidente gjithnjë dhe në kohë të fundit
vjen si pasojë e mosdijes së mjeshtërve që
i punojnë varrezat.
Relievi
Koja është vend malor.Vet pamja e katundit të
Kojës i përngjan një tepsije të thellë.
Është një gropë jo e rrafshtë e rrethuar
me male rreth e përqark, kurse në mes të gropës
gjendet një rrafshinë pak si ma e thellë e
që quhet Leskofçi e krijuar me siguri nga akullnajat
në kohërat e hershme siç janë krijuar
edhe gropat tjera në përgjithësi në këto
anë. Afër Leskofçit, pak më lartë
në lindje gjëndet kisha e katundit, në oborrin
e të cilës janë varrezat e kojasve për
të cilat folëm më parë. Varrezat këtu
janë thonë qysh me zaman. Në jug të kishës
gjëndet një breg jo i madh por me rëndësi
në historinë e bajrakut të Kojës e që
quhet Gomila e Kojës. Ky vend deri vonë ka qenë
ventubimi i Këshillit të Pleqëve ku pleqnohej
për problemet e bajrakut dhe punë tjera të
ndryshme. Problemet e kojasve zakonisht zgjidheshin me mençuri
- mendjemprehtësi të pleqnarve të bajrakut
në fjalë. Gomila e Kojës është e
njohur se mu këtu një kojas e vret vojvodën
e Kuçit Çubrin. Ja çka thot një
pasardhës i vrasësit të Çubrit, Prelë
Gjekë Prenç Hasa, kojas i vëllazërisë
Kolçaj, i moshuar (87 vjeç me banim në
Vrella afer Podgorice):
Çubri i çon disa rrebela në Kojë
me plaçkit. Ata hasin në gjanë e Gjekë
Marashit me çrast ia marrin nja 100 e ma dele,
dhitë, disa lopë dhe bagëti tjera të trasha.
Kjo ndodhi diku në pranverën e vitit 1883. Por Çubri
në verë të po ketij viti, në muajin qershor,
vjen serbez në Kojë. Sipas një versioni me
lyp punëtorë me ia mih ("prashit") kollomoqin
në Medun, se ky ishte prej Meduni, Popoviç. Kurse
sipas versionit tjetër vjen me ia përhajrua kullën
"probatinit" Ulë Gjeloshit që ia kishte
ndërtua veziri i Shkodrës."
Fragment nga monografia ende e pa botuar, për Kojën.
Autor Mark P.Gjokaj, historian.
Prejardhja e emrit Koje
Lidhur me prejardhjen e emrit të Kojës ose Koja
e Kuçit është folur e flitet shumë,
sidomos në kohët e fundit (me rastin e zgjimit dhe
të aktivizimit të ndjenjës kombëtare,
ma konkret në dekadën e fundit të shekullit
XX-të) madje shumherë i iket edhe thënjes Koja
e Kuçit qellimisht, duke tentuar te injorohet se ajo
është e Kuçit. Mirëpo, megjithse është
folur shume në këtë temë, fare pak është
shkruar, ose mund të themi se aspak nuk është
shkruar për këtë çështje. Pra nuk
ka deri tash ndonjë shkrim apo punim shkencor se si është
drejtë te quhet, Koja e Kuçit apo vetëm Kojë,
megjithëse, në shkrimet e herëpashershem, kur
permendet ky bajrak (lexo katund) thuhet vetëm Kojë,
pa e kuçit e që mendoj se është
apsolutisht e drejtë (MPGJ). Mirëpo, as ata që
edhe sot e kësaj dite e quejn Koja e Kuçit, nuk
bëjnë ndonjë mëkat të pafalshëm,
duke pasur parasysh se me përemrin pronor në aspektin
gjeografik nuk e afrojnë kah Kuçi më tepër
se është. Aq më i falshëm është
gabimi kur dihet se i krejt Kuçi ka qenë i banuar
nga pasardhësit e ilirëve siç janë edhe
vet kojasit, trieshjanët e krejt shqiptarët. Siç
dihet, shkenca e ka vërtetuar se shqiptarët janë
pasardhësit e ilirëve. Pra edhe kuçasit poashtu
janë pasardhësit e ilirëve, por me kohë
janë sllavizuar e me këtë rast shumë adete
të mëparshme të trashëguara nga paraardhësit
e tyre (ilirët) i kanë tjetërsuar dhe fare
pak sosh u kanë mbetur deri më sot. Me rastin e
asimilimit në sllavë, kuçasit e humbin edhe
gjuhën duke marrë atë sllavishten1. Zakonet
më të theksuara të popullatës së
asimiluar (sllavizuar) me ato të shqiptarëve (malësorëve)
kanë qenë me rastin e martesave, lindjes, festive
e veçanarisht të vdekjes. Edhe ata i thërrasin
vaj (gjamë) të vdekurit, duke ia numëruar virtytet
pozitive të të vdekurit të shtrirë në
arkivol, por kuptohet serbisht. Këto adete janë
aplikuar edhe anasjelltas, por çdo kush në gjuhë
të vet. Pra nëse kuçasi i ka thirrë
vaj malësorit i ka thirrë serbisht e malësori
kuçasit shqip. Kuçasit (sllavë) iu thërrasin
vaj edhe grave, ndërsa shqiptari (malësori) jo.
Kojën serbisht e quajnë Koqi. Edhe në shqipe
(lexo në malësorishte) jo rrallë i kanë
thane Koqë. E banorëve të saj koqas, koqase.
Si për shembull:" E kemë gjetë nusen në
Koqë; Erdhën koqasit-set në festë, darsëm,
hatër; I kam dhënë berret të bërzana
për bjeshkë në Koqë të Kuçit
e tjera. Eshtë interesant se në serbishte kurrkun
nuk e gjejmë në shkrim as në të folur
Koja e Kuçit, Kuçke Koqi
(siç është në Shqip), por vetëm
Koqi-Koja.
Për prejardhjen e emrit Kojë (Koja e Kuçit)
ekzistojnë disa verzione. Njëra nga to janë
se: -Koja e Kuçit vjen nga Goja e kuçit,
kinse kjo u gjetka si në gojë të Kuçit
ose i përngjaka gojës së Kuçit. Ky version
është lansuar me hamendje, nga të pa informuarit
sa duhet. Duket se shkak I supozimit të tillë ka
qenë ngjajshmëria e fjalës Kojë me fjalën
gojë? Kjo hipotezë, ky version kategorikisht bie
në ujë, si i papranueshëm, si i pa argumentuar,
si jo shumë i njohur dhe si jo i vertetë. Në
versionin tjetër thuhet se emri Kojë vjen prej emrit
"Korçë" qyteti në Shqipëri.
Ky version është më pak i njohur se versioni
i parë dhe jo shumë kojas, përkatësisht
persona kanë ndëgjuar për këtë version.
(Edhe unë, MPGJ mendoj se nuk ka baza për tu besuar
se është i vërtetë). Versioni tjetër
edhe më pak i njoftun se dy të parët, të
sipërpërmendur, është se emri Kojë
rjedhë nga sllavishtja ko je që do të
thot kush është ? Sipas tregimit të
ruajtur brez pas brezit, grupet sllave kur paskan pas ardhur
në territorin e Kojës, paskan pas thirrë nga
kodrat për rreth vendbanimit koje tamo -
kush është atje? Dhe kështu kinse ky vendbanim
e merr emrin Kojë. Sipas të gjithë argumentave
as ky version nuk qendron. Një version tjetër (që
edhe shkruesit të këtyre rreshtave i duket më
i besueshëm dhe ma bindës) është se emri
Kojë vjen prej emrit "Kodex" fjalë latine
që do të thotë kushtetutë, ligj. Pas okupimit
të ilirëve nga romakët, përsëri avansohet
Meduni, që gjendet jo larg territorit të Kojës
(fundi i shekullit të II para Krishtit)2. Poashtu aty
vendoset administrata romake, pasi që Meduni ishte qytet
me rëndësi edhe në kohën ilire. Pasi që
romakët vazhdimisht benin luftëra të shumta
kishte edhe dezerterë luftërash (ushtarë që
dezertonin, iknin prej ushtrie - sherbimit ushtarak). Ushtarët
që i nxenin i denonin në Medun, sepse aty ishte
edhe gjyqi ushtarak. Këtu aplikoheshin rregullat nga
kodexi, e të dënuarit dergoheshin me vuajtur burgun
në vendin ku sot gjendet Koja, se aty ishte edhe burgu
për të dënuarit sipas kodexit. Mendohet se
në germallat e burgut më vonë u ndertua kisha,
e në oborr të saj varret. Diku kah vitet e 60-ta
të shekullit XX-të, këtë kishë e
rrënojnë, duke mos pasur parasysh rëndësinë
e saj historike, apo ndoshta dikush qellimisht e ka bërë
këtë?! Në vend të saj ndërtohet një
kishë e vogël. Arsyetimi për rrenimin e kishës
së vjetër ishte, kinse zinte shumë vend dhe
nuk kishte vend për ndertimin e varreve tjera për
popullatën e Kojës. Kojasit qysh me zaman varret
e tyre i ndërtuan në oborr të kishës.
Kjo është rregull në gjithë Malësinë
e Madhe. Pra prejardhja e emrit (toponimit) Kojë rrjedh
nga fjala Kodex e jo prej ndonjë emri tjetër. Fjala
Kodex është evoluar dhe gradualisht është
transformuar në toponimin Kojë. Ky emër-toponim,
për herë të pare, i plotë, përdoret
në shekullin e XIV- të (1317). Për këtë
ekzistojnë shkrime në biblioteken e Vatikanit.
Historikisht dihet se Kuçi, para se u sllavizua, ishte
një nga Nentë Malet e Malësisë së
Madhe (se dikur ishin 9 Male të Malësisë e
jo 7 si llogariten më vonë). Ndoshta në atë
kohë Koja quhej Koja e Kuçit se atëherë
ishte në kuadër të Malit të Malësisë
së Madhe.Ky mbetet supozim... Mark Paloka Gjokaj - Profesor
i historisë
Shenim i rrallë dhe i vlefshëm për historinë
e Kojës
Të dhenat i rrëfeu Palokë Smail Uci, babai
i të cilit (Smajl Uc Gjoka) ishte pjesmarrës në
Kryengritjen e Malësisë, të vitit 1911 dhe
luftoi në Deçiq, ku e muer edhe Manzerren e turkut,
per çka në atë kohë merreshin nishanat
(dekoratat). Në këtë luftë, më 6
prill të vitit 1911, nga Koja për një ditë
u vranë shtatë luftëtarë kojas. Ata ishin:
1.Dokë Prëçi Kërcaj (babai i Zef Dokës)
2.Tomë Uci Ivanaj (axha i Dokë Marashit)
3.Cak Uci Ivanaj (axha i Dokë Marashit)
4.Gjeto Gjeka Ivanaj (vëllau i Nikë Gjekës)
5.Marash Luca Gjokaj (vëllau i Prelë Lucës)
6.Gjeto Toma Ivanaj (axha i Lucë Prelës)
7.Kolë Doka Marashaj (axha i Nikollë Lucës)
Perjetuesit e kësaj ngjarjeje tregojnë se ishte
tmerr i madh kur shtatë vigje u ulën Lugusirmë
para Kishet të Kojës dhe i rrëmuen (varrosën)
në varret e katundit,në varret familjare apo ndonjeri
edhe në varr të ri. Koja deri këtë here
nuk kishte përjetuar çaste më të renda
se këtë here. Ushtonte vaji e gjëma anë
e mbanë katundit duke u përplasur në kodrat
akustike për rreth si për Sjevikun, për Rasohaçën,
për Krijesnikun e të tjera maja që e rrethojnë
këtë katund malorë. Kështu e rrëfeu
Paloka këtë ngjarje të tmerrshme, që ai
atë here ishte 13 vjeç. Të gjithë këta
të vrarë janë prej Anës së Osojnës,
megjithse në luftë shkuan edhe luftëtarë
nga Ana e Shullanit. Mirëpo, siç u fol u inatosen(gjë
që kurrë nuk u vertetua). Shullajasit nuk deshtën
me ia nis luftën Osojnasit, gjoja se Shullajasit kanë
përparsi, se ata e kanë bajrakun (flamurin), dhe
kështu bajraku i Kojës duhet me pri në luftë
dhe gjithkund. Osojnasit duke ndier vehten inferiorë
në këtë rast, shpejtuan dhe nuk deshtën
me ndie për Shullajas dhe e filluan luftën kunder
turkut në Deçiq. Shullajasit duke pare këtë
se lufta u fillua, u zemëruan dhe thane: -e marrshi
krye! dhe fakt është se atë ditë
prej Anës së Shullanit asnjë nuk u vra. Për
trimërine e tyre (që mbetën të vrarë)
populli nuk u mbeti borrxh por thurri dhe kendoi këngë
të shumta si për shembull kjo:
Malet tona në flake janë mblua,
Djemtë sokola në kamë janë çua,
Me armë në dorë me luftua.
Pra në këtë luftë e në këtë
vjet,
Me njëmijë e nanqine e njimlletë.
Kjo krahinë,në këtë Malësi,
Eshtë e njoftun për trimni,
Si drakoj këtu trimat kishin pasë lindun,
Dhe kudo thirreshin në luftë për Atdhe,
E bashin dekën si me le.
Nga këto bjeshkë,çdo shkrep dhe kodër,
Qe mi thane, Koja e Vogël.
Janë betua trimat me Besë shqiptare,
Tue marrë armët dhe taganet,
Dhe furishëm i kaluen malet.
Ushtrisë turke i duelën për ball,
Dhe bertitën: dalë kadal turku i Stambollës,
Se këta janë o djeltë e Kojës.
Se durojmë Turqinë mixore,
Se këtu ashte truelli i tokës arbënore.
Njaj Dokë Preçi nji shqipe malit,
Në llogor të turkut hyn i pari.
Për krye të turkut i siell taganin.
Djali i ri ra si luani.
Metka trimi i Ucit Caku.
Me trima të forte,në ato qeta, met Tomë Uci
e Gjeto Gjeka.
Në këtë luftë me pushkë e topa, Marash
Luca e Kolë Doka.
Dhe kudo që bahej nami, Gjeto Toma azgan, azgani*
E kur Koja flamurin e mori,
Faqe të bardhë vendit i solli.
Azgan-njeri që ka shtat të lartë,të
lidhur e të fuqishëm.
Që është trim e sypatrembur,guximtar etj. Këtë
këngë e shenova në një dasëm. E kendoi
këngëtari me emrin Rrok. Më 9 gusht 2008. Rochester
Hills, SH.B.A. M.P.Gj
Siç dihet, lufta nuk muar fund me kaq, ajo vazhdoi
edhe më tutje, e kojasit marrin pjesë në luftë
edhe ma. Ata luftuan duke sulmuar edhe fortifikata tjera ku
ishin nizamat turq si në Pllanicë, majë më
e ulët se Deçiqi etj. Pasardhësit e këtyre
luftëtarëve stoik nuk i harruan të parët
e tyre që heroikisht e dhanë jetën në
ball të llogorit duke luftuar për liri, të
cilën, fatkeqsisht nuk e fituan por në vend të
turqve i okupuan sllavët. Në shenjë mirënjohjeje
kojasit në mërgim, në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, deshmorëve të rënë në
"Luftën në Deçiq " më 6 prill
të vitit 1911 ndermorën aksion dhe mblodhën
më se 130 mijë dollarë dhe në Gomilë
të Kojës (të cilën e kam permendur në
Kuvend numër 12 dhjetor të vitit 2004,
faqe 156,157 dhe 158, duke shkruar shkurtimisht për rëndësinë
e saj historike) e ndertuan pllakën perkujtimore për
shtatë kojasit që ranë deshmorë në
Deçiq. Aksionin në fjalë e ndermorën
kryesisht kojasit e Diasporës në Detroit, ku edhe
janë më së shumti të përqendruar.
Paraprirës të aksionit ishin aktivistët nga
vëllazëria Ivanaj. Pllaka përkujtimore u inagurua
më 21 gusht të vitit 2005.
Mark Paloka Gjokaj - Profesor i historisë
Referencat
1.)Historijani Sllav, Marjan Gërbiçiqi
Bollica; shkruen se në fillim të shekullit 17-të
(1614) të gjithë Kuçasit kanë qenë
shqiptarë të besimit katolik. Ai shkrou kujtimet
për eprorët e fisit të Kuçit, si dhe
për princat: Lalën e Drekalit dhe për Nikën
e Raiçit. Ai në shkrimin e ti konstaton se në
vitin 1614 i tërë Kuçi kishte 490 shtëpi
me 1500 luftëtarë të gatshëm për
çdo luftë. Dr.J.Erdelanoviq Kuçi,Bratonozhiqi
dhe Pipri faqe 60.
2.) Sipas Tit Livie, Meduni ka ekzistua me emrin Medeon ose
Meteon qysh në shekullin e II-të para Krishtit.
Ka qenë tokë e fisit Ilir Labeat dhe në vitin
168 p.K.e kanë pushtua Romakët.
Kuçi
Në vazhdim të shkrimeve enciklopedike të
gazetës tonë për trevat veriore shqiptare,
sot do të kemi në fokus Fisin e Trevën me historinë
më të trishtueshme të krejt Shqipërisë
Etnike, atë të Kuçit, e cila tani ndodhet
si pjesë territoriale e Republikës së Malit
të Zi...
... ku mjerisht ajo tashma është tërësisht
edhe e sllavizuar, madje edhe e ndërgjegësuar me
fatin e saj, të tjetërsimit pa kthim. Por le të
shohim më poshtë çfarë na servirin shkrimet
e ardhur nga shekujt...
Kuçi, fis, emri i të cilit përsëritet
shpesh në hisotrinë e toponomistikës shqiptare
në shkrime të ndryshme që vijnë nga historia
e hershme, të cilët janë: Kuç, Chiuchi,
Chuci, Chucchi, Cucci, Cuchi, Cuchii, Cucçi, Cusi,
Cussi, Cuzi, Cuzzi, Cuycia, Chuchovich, Cucouich, Kusich,
pra në përgjithësi paraqet vështirësi
në shqiptimin nga mbiemri i "Kuçi",
gjithsesi këto emërtime ose kanë kaluar përmes
evolimit të vetë shqipes, ose gjuhëve të
fqinjëve sllavë e pushtuesve të tjerë
(Turq e Austro-Hungarezë).
Pamje nga Malësia
Ky emër për herë të parë gjindet
i shkruar si mbiemër "Petrus Kuç", pranë
Tuzit. Në vitin 1335 por edhe në vitet 1416-1417
shfaqet si komunitet me emër të preferuar "Cuzi",
Kuxi, në përbërje të Zetës superiore
(Lartë) që deklaronin besnikëri ndaj Venezies,
edhe në vitin 1455 me vojvodën Stefano Çerriei.
Ndërsa në vitin 1467 gjejmë të shënuar
një Pietro Kuçia (Cucia) në mes kryetarëve
të kolonisë shqiptare, të kaluar në Sicili
(itali), ku mbiemri Kuçia (Cucia) paraqitet i pëerhershëm
edhe ndër kolonitë e zgjeruara në 19 më
të përmendurat, e në mes tyre një Gjini.
Në vitin 1482 deri me 1547 nga gojëdhënat
e mbledhura, Kuçi është një degë
e Berishajve (fisit), duke formuar pastaj fisin më të
fortë të Shqipërisë së Lartë
(veriore) që më vonë në mënyrë
progresive erdhi duke u sllavizuar, si rezultat i lidhjeve
të ngushta e të vazhdueshme me malazezët (Sllavë).
I shumtë është dokumentacioni historik që
e vërteton këtë, në shekujt e 17-të
e 18-të.
Sipas disa albanologëve, në vitin 1610-1614
fillojnë të duken zëvendësimi i riteve
shqiptare me disa rite mMalazeze, në mënyrën
e jetesës, ku në këtë kohë, ky fis
shqiptar autokton ishte i konsiderueshëm, pasi kishte
490 shtëpi, me rreth 4000 banorë dhe 1500 burra
të aftë për armë. Në vitin 1616 kuçasit
me fqinjët e tyre sllavë, për t'u mbrojtur
nga reprazaljet e pushtuesit osman, krijaun një "Asamble"
të përbashkët anti-turke me në krye një
kont shqiptar vendas, me emrin Lala Drekali.
Kjo pra tregon se kushtet historike pas ardhjes së
pushtimeve turke edhe në Ballkan, shqiptarët e Kuçit,
por edhe të viseve të tjera shqiptare veriore, shpesh
krijuan lidhje e bënë aleancë me popuj e vende
të ndryshme, që natyrisht për momentin kishin
një armik të përbashkët, pushtuesin barbar
osman, që u kishte marrë disi lirinë, por kërkonte
t'u asimilonte edhe gjënë tjetër të shenjtë,
fenë, ku natyrisht, qofshin martesat apo afrimi i besimit
kristian ortodoks ishte më i lehtë se besimi Islam.
Duhet theksuar se në këto vite përpjekje të
kësaj popullsie tërësisht shqiptare, Venecia
që kishte influencat e veta me anë të Kishës,
por edhe si fuqi ushtarake për kohën filloi t'i
ndihmonte me pretekstin se po mbron "vëllezërit"
e saj kristianë.
Për këtë në vitin 1692, e këshillon
Fisin e Kuçit të paqësohen e afrohen me fisin
tjetër të fuqishëm shqiptar Piper, që
në ato vite invazioni, këta dy fise kishte arritur
t'i armiqësonte. Në vijim të kësaj, në
vitin 1717 këto dy fise së bashku i ofrojnë
Venecies 3000 burra nën armë, të drejtuar nga
4 kryetarë (që Venecia i quan Kontë), dy vojvodë,
që në dokumente shpesh përmenden si Serdarë
(komandantë luftarakë). Të tilla lidhje vazhdojnë
deri në vitin 1723. Për të parë rëndësinë
ë këtye shqiptarëve trima në luftën
anti-turke, më poshtë po citqjmë një shkresë
të dërguarit të Austrisë në Serbi:
Pak kohë pas mbarimit të luftës Ruse, në
vitin 1773, Mitropoliti Serb dhe disa Murgj shkruan një
plan për rindërtimin e Serbisë së Vjetër,
që përfshinte përveç Bullgarisë,
Serbisë, Shqipërisë Veriore, Dalmacisë,
Bosnjes edhe Banatit Kralstadit dhe Sllovenisë. (Pra
siç shihet afërsisht rindërtimi i perandorisë
së Stefan Dushanit). Në një çast të
caktuar Ortodoksve u duhej t'u binin turqve në shkallë
të gjerë në të gjithë territorin.
Thuhet se me këtë plan ishte dakord peshkopi i Karlstadit
Jaksiç, i cili mbajti letërkëmbim me mitropolitin
e Malit të Zi. Megjithëse ky projekt ishte i vështirë
për kohën, ai merrej në konsideratë, pasi
siç shihet, ambicja e Petroviçëve për
të formuar Serbinë e madhe ishte shumë më
e hershme , pra kohë para se Serbia të fitonte pamvarësinë,
madje shumë kohë para se të dilnin në
skenë Karagjeorgjeviçët...
Në vitin 1788 Rusia dhe Austria arritën një
marrëveshje dhe i shpallën luftë Turqisë,
ku qëllimi i tyre ishte t'i jepnin fund sundimit të
Sulltanit. Së toku, ata nxitën malazezët të
krijonin incidente kufitare me Turqinë, mirëpo meqë
nuk u besonin shumë malazezëve, i dërguari
austriak shkruante: "Ne mund të mbështetemi
shumë fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë
të Berdes, tek ata që janë shumë me numër,
si Palbardhi Piperit, Kuçët e Vaset (sot të
gjitha të sllavizuara, me emrat përkatës Bjelopavliçët,
Piperët, Kuçët e Vasojeviçët)
ku këta malësorë së bashku me ata të
Kelmendit, Hotit e Grudës etj., mund të nxjerrin
20.000 luftëtarë fort më trima se malazezët."
Pra, kjo tregon se sa rëndësi kishin trevat
shqiptare veriore (malësore) në luftën e "përbashkët"
kundër armikut shekullor barbar, perandorisë së
të keqes më të madhe të atyre viteve,
ku këto cilësi madhështore, fqinjët tanë
i shfrytëzuan për qëllimet e veta të mbrapshta,
që për fat të keq shpesh u arritën. Kuçi
në vitin 1840 formohej si një Komunë (Nahije)
e përbërë nga katër fise kryesore: Drekalorët,
Orahovo, Bratosiçi dhe Zatrijebaç, ku sipas
këtyre emrave tregon se Serbizimi i kuçasve vazhdon.
Në vitin 1878 në një relacion të kohës
thuhet se serbizimi është shumë i madh, madje
këtu vazhdojnë jo vetëm lidhjet ekonomike,
interesat në luftën kundër Turkut, por edhe
lidhjet e shumta martesore, duke bërë që serbishtja
të përdoret si shqipja, si gjuhë e barabartë.
Në vitin 1901-02 misionarë Jezuitësh shkruajnë
se Kuçi ishte me nënndarje të tij në
vëllazëritë Sinica. Orohovo e Drekaloviçi,
ku tashmë thuajse ishte pjesa e Malit Zi.
Në fakt mbas vitit 1913, kur Shqipëria u coptua
nga fuqitë e mëdha të asaj kohe edhe Kuçi
mbeti si pjesë Malit të Zi, ku realizimi përfimdimtar
i këtij aneksimi u bë në vitin 1914, së
bashku me fiset (e një dege me fisin kryesor të
Hotit) Piperët, Vasot (Vasojeviçët). E kjo
u realizua gradualisht që në shekujt e parë
të invazioneve Osmane në Ballkan, që shqiptarët
e gjorë për t'u mbrojtur nga një e keqe e madhe,
siç ishte pushtimi osman, ra në një të
keqe akoma më të madhe (ndoshta nga shiu, në
breshër) në dorë të armiqve shekullorë
sllavë, që erdhën në fqinjësi rreth
shekullit VI-IX-të.
Gjithsesi, asimilimi i këtyre trevave tërësisht
shqiptare, nuk është kaq i thjeshtë sa e paraqet
dokumentacioni shpesh jo i saktë, që vjen nga shekujt.
Pasi vetë emigrimet jashtë Shqipënsë (në
Siçili, Itali), si dhe migrimet brenda Shqipërisë
tregojnë presionin e pashoq moral e ushtarak nga pushtues
armiq të ndryshëm, por mbi të gjitha nga vetë
fqinjët serbo-malazezë, që kishin qëllimet
e veta të asimilimit. Natyrisht shpesh shqiptarët
e këtyre trevave, duke qenë mes dy zjarresh, që
rrinin ndezur, pa u shuar kurrë, zgjodhën rrugën
e largimit nga këto troje, që u kishin lënë
të parët, për në vise të tjera, që
kishin vetëm një zjarr...
Sot, emra fshatrash e prejardhje fisesh ka në të
gjitha pjesët kryesore të Shqipërisë,
ku më shumë janë në veri si në Kastrat,
Lohe, Rrjoll, Reç, Kelmend, Shkodër, në Bregun
e Drinit, etj. Por ka në Seman të Fierit, në
Tomorricë, Kurvelesh, Sushicë, në Bilisht,
Roskovec e deri në rrethin e Korçës, që
u thirrin Kuçaj e deri në Suharekë etj. Këto
emigrime, sipas dokumenteve, kanë ndodhur më të
shumtat në vitin 1878 (me siguri pas kongresit të
Berlinit).
Gjithsesi, kjo është një pjesë e tragjedisë
të këtij fisi të madh shqiptar, që tashmë
ka degët e tij thuajse në të gjithë Shqipërinë,
por që mjerisht vëllezërit e tyre, që
banojnë në trojet e tjera, në Kuçin
tashmë të Malit Zi, janë të sllavizuar
tërësisht e këtë fat nuk e pat vetëm
kjo pjesë e paklcës kurrizore të Shqipërisë,
por mbesin me shpresë se planet ogurzeza të armiqve
tanë shekullorë, të mbetura në synduqet
e tyre të mykura, të mos realizohen kurrë më,
e për këtë tashmë në dorë e
kemi vetë ne, shqipëtarët, që çdo
ditë kërkojmë jo të shkojmë në
Europë siç themi përditë, se këtu
na ka falë Zoti, por të bëhenmi të barabartë
në mes Europës siç na takon, madje edhe e
meritojmë, se kemi dhënë prova gjatë shekujve.
|
 |  |