Ç A J U P I

Hyrje


Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç'arsye ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Lindi në Sheper të Zagorisë më 27 mars 1866. Mësimet e para i mori në vendlindje ku kreu dhe një shkollë gjysëm të mesme greke. Po shkolla më e madhe e vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së jetës dhe të shpirtit të popullit, të gëzimeve dhe të brengave të bashkëfshatarëve të tij. Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepëse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekurnjë kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studjoi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur po dhe fatkeq, sepse i vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronidi thellë poetin dhe i la vragë të thellë.
Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh, të shkruante elegjinë "Vaje", një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë.
Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një proçesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare.
Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me "Shoqërinë e Stambollit". Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit. Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare.
Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë "Duke kërkuar një alfabet", në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike "Baba Tomorri" (1902) ku përfshiu komedinë "katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr". Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.
Vjershat patriotike dhe luftarake të "Baba Tomorrit" frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet e mëdha që i sollën pavarësinë Shqipërisë më 1912. Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim, u duk se iu hap udha për t'u kthyer në mëmëdhè, por, Lufta e Parë Botërore dhe trazirat e mëvonshme e shtynë larg këtë shpresë. Megjithatë ai i ndiqte nga afër ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë në krah të forcave përparimtare e demokratike. Më 1919 Çajupi ishte në ballë të përpjekjeve të shqiptarëve të Misirit, për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes që mblidhej në Paris. Ai dënoi qeverinë e Durrësit, që ishte vegël e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi përpjekjet e feudalëve tradhëtarë për ta bërë Shqipërinë çiflik të tyre e për ta nxjerrë në ankand sipas interesit. Me këto qëndrime ai thelloi demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në letërsinë shqiptare. Kjo u shpreh në frymën antifeudale të veprës së tijdhe në vendin që ai u dha problemeve shoqërore në krijimtarinë e tij letrare e publiçistike. Në këto vite Çajupi , si shumë atdhetarë të tjerë, përjetoi krizën e idealeve të bukura të Rilindjes. Në krye të punëve në Shqipërinë e pavarur, në vend të atdhetarëve të ndershëm po vinin njerëz që i binin pas interesit të tyre, pa menduar për fatet e kombit. "Në Shqipëri, -shkruan ai më 1922- një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtar, takon të bëhet … regjent, ministër, prefekt, faqe me nder dhe mbret".
Çajupi ishte për demokracinë dhe qytetërimin, prandaj e përshëndeti Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924, frytet e të cilit nuk arriti t'i gëzonte populli shqiptar. Demokracia e pati jetën e shkurtër dhe, në vend të saj, u rikthye pushteti i feudalëve me ardhjen e A.Zogut në fuqi. Kur u mor vesh se ky do ta shpallte veten mbret, Çajupi që ishte në krye të "Shoqërisë së miqve", të themeluar në Kajro, i drejtoi Qeverisë së Tiranës një protestë, midis të tjerave thuhej se koha e mbretërve shkoi, "kurse edhe ata që i kanë, po vështrojnë t'i përzënë", Ky qëndrim i vendosur antimonarkist ia mbylli përfundimisht poetit rrugën për t'u kthyer në Shqipëri, që të tretej në "baltën më të ëmbël se mjalta" të mëmëdheut. Vdiq në Kajro më 11 korrik 1930. Shtypi zyrtar në Shqipëri e kaloi vdekjen e tij pothuajse në heshtje.
La në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, poemën "Baba Musa lakuriq", një parodi e biblës, tragjedinë "Burri i dheut", që u botua pas vdekjes më 1935, komedinë "Pas vdekjes" që u botua më 1937, përmbledhjen poetike "Këngë e vome", fati i së cilës nuk dihet. Me gjallje, përveç "Baba Tomorrit" botoi Përrallat e La Fontenit (1921) përshtatur prej tij nga frengjishtja dhe "Lulet e Hindit" (1922), një tufë vjershash të letërsisë sanskrishte, nga artikujt e paktë që botoi në shtypin e kohës duhet përmendur pamfleti "Klubi i Selanikut" (1909), një nga kulmet e publiçistikës së Rilindjes. Në këtë pamflet Çajupi demaskoi demagogët e xhonturqve dhe të veglave të tyre, që kishin hyrë në lëvizjen kombëtare për interesat e ngushta të kastës së bejlerëve turkoshakë e fanatikë, të zellshëm për t'i zgjatur jetën të "sëmurit të Bosforit", perandorisë së kalbur të sulltanëve osmanë.



 
Komedi

 

Poezi



Fabula

 

Krijimtaria


Krijimtaria e Çajupit si poet është e gjerë, por vepra e tij kryesore është "Baba Tomorri", një nga përmbledhjet poetike më të rëndësishme botuar gjatë Rilindjes. Interesi i gjallëqë zgjoi ajo, pritja që iu bë nga lexuesi e kritika e kohës, lidhet me forcën e fjalës poetike të Çajupit me rininë e frymëzimit të tij si poet që do të shprehte aspiratat, ëndërrat dhe idealet e një faze të re të lëvizjes kombëtare , e cila në fillim të shekullit tonë njohu një ngritje të përgjithshme që shpuri në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 dhe në fitoren e pavarësisë.
"Baba Tomorri" shënonte një nga kulmet e poezisë së Rilindjes, pra me "Baba Tomorrin" i hapeshin shtigje të reja poezisë shqiptare, frynte në të një flladi ri dhe hynte në të një notë e re, më e fortë dhe më konkrete nga fryma sociale. Prandaj "Baba Tomorri" si vepër qëndron në kapërcyell të dy epokave, me rrënjë të forta në traditën romantike të Rilindjes, si vazhdim i saj, dhe me vështrim nga horizontet e një poezie të ardhshme realiste dhe sociale. Fryma popullore, me të cilën janë gatuar vjershat e "Baba Tomorrit", u dha atyre një vulë origjinaliteti të veçantë, një tingëllim aq magjepës për veshin e lexuesve, sa ato u bënë shpejt popullore dhe pushtuan zemrat e tyre.
Përmbledhja poetike "Baba Tomorri" përbëhet nga tri pjesë që autori i titullon: "Atdheu", "Dashuria" dhe "Përralla të vërteta e të rreme".
Motivi atdhetar, dashuria për baltën dhe gurët e mëmëdheut dhe malli për ta, kujtimi i së kaluarës heroike dhe krenaria për traditat e të parëve, dëshira për ta parë atdheun të lirë dhe thirrja për të rrokur armët kundër pushtuesit, i japin poezisë së Çajupit atë tharm frymëzimi dhe atë patos luftarak që e bën të hyjë thellë në shpirtin e shqiptaritdhe ta trondisë atë.
Tema atdhetare fiton në poemën e Çajupit një përmbajtje konkrete e të prekshme, sepse ai shprehu ndjenjat dhe mendimet e njeriut të thjeshtë, të bujkut e të bariut, lidhur me baltën e mëmëdheut dhe me varret e stërgjyshëve. Mëmëdheu është si toka ku njeriu lind, mëson gjuhën e nënës, njeh prindërit, ku rron me ëndrra dhe me shpresa, ku dëshiron të ketë varrin. Ky vend për shqiptarin është Shqipëria.

Ku i duket balta
Më e ëmblël se mjalta,

shkruan poeti. Atdheu i jep njeriut nder, i jep kuptim dhe vlera morale jetës së tij. Poezia e Çajupit këto ide të Rilindjes i shprehu me një gjuhë të thjeshtë, me një një varg që rrjedh i çlirët, si në këngët e popullit, me një fjalor poetik konkret dhe me një ndjenjë aq të sinqertë e aq të çiltër, sa e bën aty për aty për vehte lexuesin dhe i ngulitet në mendje e në zemër.
Jeta është e bukur në atdhe kur njeriu gëzon lirinë, liria është gjëja më e shtrenjtë për njeriun, do të shkruante poeti, por shqiptarët e kishin humbur atë dhe kishin rënë në një robëri të rëndë shekullore:

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë këmb' e duar
me zinxhir!

Shkruante Çajupi në poezinë "Shqiptar", duke lëshuar kushtrimin:

Çvish rrobat e robërisë,
Mëmëdhè,
Vish armët e trimërisë,
se ke ne!

Në këto vargje të përziera, katërrokëshi thyen rrjedhën e tetërrokëshit, duke i dhënë një ritëm të ri shprehjes poetike, kurse aliteracioni i jep një timbër të veçantë. E gatuar me frymën kryengritëse, poezia atdhetare e Çajupit ishte kështu një kushtrim lufte; në të shpirti luftarak dhe motivi atdhetar i poezisë së Rilindjes gjeti shprehjen e vet më të gjallë dhe më të hapur. Poezia atdhetare e Çajupit është kështu poezia e toneve të forta, një poezi e trazuar që vlon nga malli e dashuria për vendlindjen dhe nga zemërimi e thirrja për luftë.
Ajo shënoi kulmin e poezisë atdhetare të Rilindjes, prandaj dhe u bë himn atdhedashurie edhe vetëmohimi për çetat e lirisë, gjatë Rilindjes e më pas.
Një notë të re, të freskët solli poezia e Çajupit edhe në lirikën e dashurisë. Ai i këndon një dashurie tokësore, duke e zhveshur poezinë dashurore nga konvecionalizmi. Çajupi nuk përsiat për dashurinë, ai e pasqyron atë si një ndjenjë të jetuar, si një kujtim të gjallë a përjetim të sinqertë, të cilin e jep me thjeshtësinë dhe konkretësinë e lirikës popullore. Poeti i këndondashurisë së parë, i këndon vashës që i prish gjumin; i këndon mikes së jetës, bukurisë së saj, u këndon gëzimeve dhe brengave që i sjell njeriut një dashuri e përjetuar thellë, si një ndjenjë e bukur që pasuron jetën e njeriut.

Bukuria jote, leshërat e tua
Po si pendë korbi të gjata mi thua,
Ballëtë si diell, faqetë si mollë
Qafa jot'e gjatë, mesi yt i hollë.
…Gjithë më kënaqin, të tëra t'i dua
Po zemra jote u bë gur për mua!…

Shkruan poeti në një nga lirikat e ciklit "Dashuria", që është nga më të bukurat e poezisë sonë dashurore. Midis këtyre lirikave vend të veçantë zë tufa e poezisë me titullin "Vaje". Është një elegji e rrallë frymëzuar nga klujtimi i bashkëshortes së vdekur, një kujtim i thekshëm dhe cfilitës për zemrën e plagosur të poetitqë s'gjen shërim, një plagë që orë e çast e lëndon jetimi i mitur pa dashurinë dhe përkëdhelitë e nënës.

Ndë ç'kopshte me lule ke qëndruar vallë?
Stë vjen keq për mua? Stë vjen mall për djalë?

E gatuar me një ndjenjë të thellë njerëzore, e derdhur në modelet e folklorit, ajo u bë popullore dhe u këndua si këngë popullore.
Ashtu si në jetën e njeriut, gëzimi dhe hidhërimi janë pranë e pranëdhe në poezinë e Çajupit këmbehen shpesh, duke mbizotëruar në të notat optimiste , gazi që i sjell njeriut dashuria. Si një këngë plot dritë e ngazëllim tingëllon vjersha "Kopshti i dashurisë". Ky kopsht për poetin gjendet në atdhe, ku do ta sjellë miken që ti gëzojnë gëzimet e dashurisë, bukurisë dhe mirësitë e vendlindjes, të jetës së thjeshtë fshatarake e baritore të mëmëdheut. Çajupi e zbriti lirikën e dashurisë nga qiejt romantikë në tokë, në jetën e përditshme të njeriut shqiptar,
Me këtë frymë tokësore e jetësore do të emanciponte Çajupi mbarë poezinë e tij, sidomos poezinë me motive shoqërore, të cilat i trajtoi ndër të parat në letërsinë tonë, si një shkrimtar që i hap udhë realizmit.
Çajupi në poezinë e tij ngre zërin kundër pabarazisë shoqërore, ai është mik i demokracisë dhe armik i despotizmit politik. Poeti merr në mbrojtje të drejtat e vegjëlisë, tek e cila gjen vlerat morale që krijon puna e ndershme. Vjersha "Misiri" e pasuron poezinë e kohës me ide të reja, kundër shtypjes e arbitraritetit të klasës së bejlerëve, të sundimtarëve që e ngrenë lumturinë e tyre mbi djersën dhe gjakun e njerëzve të punës. Ai vuri gishtin në disa plagë të rënda të shoqërisë shqiptare të kohës, shkroi me dhembje për pozitën e gruas në këtë shoqëri ("Fshati im") dhe pasqyroi me realizëm dramën e kurbetit ("Kurbeti") si një fatkeqësi me pasoja tragjike në jetën e shqiptarit dhe për fatet e kombit.
Në poemën "Baba Musa lakuriq" që mbeti e pabotuar, Çajupi thelloi kritikën edhe ndaj moralit të shoqërisë së kohës dhe i zgjeroi shumë diapazionin tematik të poezisë shqiptare. Veprën e përshkon rryma satirike ndaj dogmës dhe klerit. Duke parodizuar biblën, poeti shprehu skepticizmin e vet edhe ndaj thelbit moral të njeriut dhe ndaj normave të marrdhënieve morale atje ku bën ligjin paraja dhe pasuria. Për poetin është e padrejtë ajo ajo shoqëri ku blihet e shitet njeriu, ku blihet e shitet dashuria.

I pasur të palltë varri,
ti që bleve dashurinë,

do të shkruante Çajupi. Ai aktualizoi edhe shumë ide morale të fabulave të La Fontenit, përmes përkthimit të tyre mjeshtëror në gjuhën shqipe.



 
Komeditë
Realizmi dhe fryma kritike ndaj bukurive të jetës shoqërore dhe politike të kohës shprehen, sidomos në komedinë e Çajupit. "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr" është një pjesë në vargje. Më shumë se një të tërë si komedi, Çajupi ka krijuar disa skena plot humor të këndshëm përmes të cilave vë në lojë mendësi të prapambetura dhe zakone anakronike të jetës së fshatit shqiptar. Janë probleme që Çajupi i pat rrahur dhe në krijime të tjera, por këtu ato tingëlluan në harmoni me një atmosferë humori popullor që përshkron tërë veprën dhe që përbën një nga veçoritë dhe meritat e saj.
Shigjetat e këtij humori godasin zakonin prapanik të martesave të të rinjve me moshë të papërshtatshme për njëri tjetrin, zakon që e kishin sjellë kushtet ekonomike të jetës në fshatrat malore. Tana do të martojë të birin katërmbëdhjetëvjeçar me një vajzë më të madhe se ai: ajo "nuk do nuse për sisë, po për punët e shtëpisë". Kjo bëhet shkak për një varg situatash e skenash komike dhe batutash plot humor që fshikullojnë mendësi të mykuara patriarkale e zakone të prapambetura. Dritëshkurtësia e një nëne, që është bartëse dhe viktimë e patriarkalizmit, dembelizmi i burrave të malësisë dhe kapadaillëku i tyre, grindjet e kota dhe thashethemet e një mjedisi të prapambetur, figura groteske e një prifti qejfli, të gjitha vihen në lojë me një ton hokatar që përshkron dialogun e personazheve.
Personazhi më i realizuar është Tana, tipi i gruas fshatare, të cilën kushtet e jetës e detyrojnë të ngulë këmbë për një martesë që nuk i sjell lumturi të birit, duke u bërë qesharake në sy të fshatit e të njerëzve me çiftin që sajon dhe me dasmën e tyre. Po këto kushte e shtyjnë nga ana tjetër, të shpotisë të shoqin dembel dhe indiferent për problemet jetike të familjes. Këto cilësi, të bashkuara në një personazh të vetëm, e bëjnë Tanën e Çajupit një tip interesant, të vizatuar me pak viza por të dhënë në mënyrë të gjallë, plot humor e kolorit, në sfondin e një jete tipike fshatare, të katundeve malore të Shqipërisë së Jugut.
Me "katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr" Çajupi krijon komedinë realiste të zakoneve; ajo ka hyrë në fondin klasik të veprave komike, për shkak të humorit të këndshëm, të gjuhës plot kolorit popullor, të personazheve dhe të shkathtësisë së dialogut. Situatat komike e ngjarjet që paraqet autori ngjajnë si skena të marra nga jeta e përditshme, me aq realizëm thjeshtësi dhe e natyrshmëri janë dhënë ato në këtë vepër.
Vepra tjetër dramatike e Çajupit "Pas vdekjes" është një komedi politiko-shoqërore. Demaskimi i demagogjisë së xhonturqve dhe i bejlerëve që u bënë vegël e tyre, problem që Çajupi e pat trajtuar edhe te pamfleti "Klubi i Selanikut", është vënë në qendër të kësaj vepre. Edhe ngjarjet zhvillohen në zyrat e gazetës "Liria" të këtij klubi, por kuptohet se përmbajtja e komedisë është shumë më e gjerë dhe më e thellë. Ajo zbulohet përmes një situate komike, të gjetur me mjeshtëri prej shkrimtarit. Doktor Adhamudhi vjen në zyrat e "Lirisë" t'i tregojë Skëndo beut abetaren e tij shqipe. Atje doktori sheh rastësisht një nekrologji për deputetin Haxhi Aliu, që ende s'ka vdekur dhe i lind dëshira të dijë edhe ai se ç'do të shkruhet për të pas vdekjes. Këtë dëshirë e shfrytëzon me zgjuarsi shërbëtori i klubit Zeneli, i cili fut në vrullin e shakasë së tij dhe të tjerë, mësonjësen Lulushe dhe gazetarin Vurko, që i vjen rrotull asaj. Por dy janë personazhet më të goditura të veprës: dr. Adhamudhi dhe Zeneli.
Përmes doktor Adhamullit Çajupi ka demaskuar tipin e politikanit sharlatan që bën lojën e xhonturqve dhe hiqet si atdhetar. Por, përmes këtij personazhi, shkrimtari ka vënë në lojë edhe një mendësi të caktuar, mendësinë e atyre njerëzve mendjemëdhenj që, ndonëse e kanë kokën e zbrazët dhe shpirtin e varfër, kujtojnë se asnjë punë atdhetare ose punë tjetër, nuk vlen se s'kanë qenë ata të pranishëm në të. Ç'është fjala vjen; Kongresi i Manastirit për doktor Adhamudhin kur s'ishte ai atje? Asgjë, sipas tij. Ky kompleks nuk është bërë rastësisht objekt satire në komedinë e Çajupit, por sepse ishte një mendësi e përhapur që dëmtonte lëvizjen atdhetare e kulturore të shqiptarëve gjatë Rilindjes e më pas.
Zeneli është një tip molieresk, që përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me zgjuarsinë e tij karakteristike dhe me shpirtin praktik. Ky shërbëtor hokatar, që vë në lojë njerëzit e tipit të Adhamudhit, sjell në vepër mençurinë dhe humorin popullor.
Çajupi si poet lirik i solli lirikës shqiptare një ndjesi të re poetike, në këtë vepër i hapi udhën komedisë politike në letërsinë shqiptare. Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit, dhe u bë një nga pjesët e repertorit të qëndrueshëm të teatrit shqiptar.
A.Z. Çajupi zë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare. Pas Naimit, ai është një nga figurat më të rëndësishme të epokës së Rilindjes Kombëtare dhe një nga përfaqësuesit e epokës së re që po niste për letërsinë shqiptare. Realizmi fryma kritike, lidhja e ngushtë e frymëzimit të tij me folklorin janë disa nga tiparet që e përshkruajnë veprën e tij.
Çajupi si poet lirik i solli lirikës shqiptare një ndjesi të re poetike, një ndjenjë të freskët e të çiltër, të shprehur me një thjeshtësi që të magjeps. Kur shkruan për bariun që i bie fyellit mbas stuhisë, ose kur bie në mendime për shkurtësinë e jetës dhe pashmangshmërinë e cdekjes , shkruan Konica për lirikën e këtij poeti të pavdekshëm, vargjet e tij të bëjnë për vete me ëmbëlsinë dhe ritmin e tyre.
Si dramaturg Çajupi i dha përmbajtje e vend të ri komedisë në letërsinë shqiptare; fryma e kritikës sociale e politike dhe humori popullor e pasuruan ketë zhanër pak të lëvruar më parë. Dy veprat e tij "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr" dhe "Pas vdekjes" qëndrojnë në themelet e komediaografisë shqiptare.
Si publiçist, ndonëse botoi pak në shtypin e kohës, Çajupi është nga krijuesit e stilit satirik në publiçistikën shqiptare.
Si përshtatës Çajupi hapi udhën e krijimit të vërtetë, në gjuhën shqipe të vlerave të letërsive të tjera, sidomos përmes fabulave të La Fontenit dhe disa lirikave nga poezia gjermane e sankritis






 

 

       
E Maili yn

na shkruani

   

© gusht.2004 by " www.plaveguci.eu®