 |  |
Komeditë
Ky realitet historik, plot trazira e shqetësime u pasyrua me
forcë të madhe goditëse në komeditë e shkëlqyera
të Aristofanit. Sulmet e tij kundër shoqërisë
së kohës nuk duhen marrë si sulme kundër rendit
demokratik. Autori demaskon me satirën e tij të fuqishme
përfaqësuesit e padenjë të këtij rendi
që fshihen pas parullave demokratike; këta janë nënpunësit
e pandërgjegjshëm që grabisin arkën e shtetit,
demagogët(2) që shfrytëzojnë besimin e popullit,
oratorët e shitur, filozofët llafazanë që merren
me gjëra pa vlerë dhe me teoritë e tyre edukojnë
keq rininë. Duke u nisur nga këto vrojtime që nxjerr
nga realiteti i kohës së tij, Aristofani kujton me nostalgji
kohët e dikurshme të virtytit e të heroizmit, kur
qytetarët luftonin me vetmohim për të mbrojtur atdheun
nga sulmet e hordhive të huaja që vinin diku larg nga
Azia.
Degjenerimin moral të shoqërisë poeti e gjen me shumë
në qytetin grek, ku vërtitet turma e parazitëve,
mashtruesëve, demagogëve që orvaten të tërheqin
pas vetes për qëllimet e tyre politike njerëzit naïvë
ose edhe të tjerë që kërkojnë të nxjerrin
ndonjë përfitim nga rrethanat që u krijohen.
Problemi i edukimit të rinisë me normat e moralit të
shëndoshë tradicional zë vend të dukeshëm
në komendinë. "Retë", një nga veprat
më të bukura të Aristofanit. Fshatari Strepsiad,
i shkatërruar ekomomikisht nga i biri, i edukuar keq prej së
ëmës, shkon në "mendimtoren" e filozofit
sokrat për të mësuar artin e gënjeshtrës.
Fillon mësimi: plaku kërkon të mësojë mënyrën
si të mos të paguajë borxhet; por, meqë s'i
hyn asgjë në kokë, e dëbojnë nga "mendimtorja".
Dërgon atëherë të birin, i cili përvetëson
mirë dhe me lehtësi të gjitha mësimet. Kthehet
në shtëpi, i aftë tanimë të përcjellë
duarbosh të gjithë ata që i trokasin në derë
për t'i kërkuar borxhet. Por i biri duke menduar se arsyeja
qëndron gjithnjë në anën e tij, arrin deri atje
sa të rrahë të atin dhe të kërcënojë
të ëmën. Strepsiadi i zhgënjyer nga kjo lloj
edukate e të birit, me kurrizin që i dhemb ende nga dajaku,
shkon dhe i ve zjarrin "mendimtores" së mallkuar.
Komedia "Retë" është e pasur në personazhe
e situata komike, të përshkruara nga një ironi e
hollë qesëndisëse.
Vetë titulli i komedisë priret të tregojë se
doktrina filozofike e Sokratit u ngjan reve, që e ndryshojnë
formën sipas erërave që fryjnë.
Një çështje e mprehtë që shqetëson
Aristofanin është ajo e luftës dhe e paqes, që
e ka trajtuar në komedinë e tij "Kalorësit",
"Aharnianët". "Lisistrata" dhe "Paqja".
Në to është vënë në shenjë të
goditjes së tij satirike lufta e gjatë dhe e kobshme për
hegjemoni midis qyteteve shtete greke, Lufta e Peloponezit. Në
ndonjerën prej tyre ("Kalorësit") autori madje,
vë në një pozitë komike edhe Demosin (popullin),
i cili, i rrjedhur paksa nga trutë, hiqet për hunde nga
demagogë të tillë si Paflagoni, që me genjeshtra
dhe lajka, orvatet të nxjerrë fitime për vehte.
Në komedinë "Paqja" tregohet se si fshatari
Trigje i dëshiruar për paqe, hipën në një
lloj brumbulli shumë të madh dhe shkon në qiell për
të liruar Paqen (Irenën), që luftëzënësit
e kishin mbyllur në një guvë. Me ardhjen e paqes
në tokë, jeta fillon të çelet; fshatarët,
pjesa më e dëmtuar nga pasojat e luftës, nisin punën
e tyre në arat e braktisura për kaq vjet me rradhë,
dhe gëzojnë të mirat e prodhimeve që nxjerrin
me djersë e mund. Kohës së tij, të mbarsur me
luftra të vazhdueshme, Aristofani u kundërve kohët
e para kur gjindja jetonte e qetë, secili shikonte punën
e tij, nderonte dhe jetonte në harmoni me të tjerët.
Komedinë e përshkon ndjenja e një malli të ëmbël
për qetësinë fshatarake dhe gëzimin e punës
paqësore, të cilat në kohën e tij i ka përpirë
në vorbullën e saj ligësia:
Kujtoni ato kohë,
o miq,
Kur paqja u falte begatinë,
Ato kepele varg me fiq,
Mushtin e ëmbël dhe mirsinë,
Lëndinëzën e lulëzuar,
Me vjollcat plot anës rrëkesë,
Ato ullinjtë e bekuar
Në qendër të vëmendjes së komediografit
të madh janë gjithnjë problemet politike. Ai shpërthen
me një furi të pashembullt kundër gjithë shkaktarëve
të luftës së Peloponezit, ku përplaseshin interesat
e klasave sunduese të Spartës dhe Athinës. Shkaktarët
kryesore të luftës për Aristofanin ishin demagogët
që qëndronin në krye të partive politike, ku
kishin arritur me dinakëritë e premtimet e bukura që
i bënin popullit. Një nga këta kundër të
cilit autori shfryn mllefin e tij satirik, është Kleoni,
udhëheqësi i partisë radikale në Athinë.
Te Kleoni, Aristofani sheh në rradhë të parë
luftënxitësin dhe mbrojtësin e flaktë të
prirjeve hegjemoniste të Athinës në rivalitet me
Spartën. Në këtë vështrim e ka paraqitur
autori Kleonin në komedinë e tij, "Kalorësit",
"Grenzat" etj. Në "Kalorësit" tehun
e satirës së tij Aristofani e drejton edhe kundër
parlamentit të Athinës për paaftësi në
drejtimin e jetës së vendit, për prirje luftënxitëse,
duke u bërë kështu vegël, në duart e demagogëve.
Me ngjyra të karikaturës dhe të groteskut e ka paraqitur
poeti parlamentin edhe në komedinë "Aharnianët"
dhe sidomos te "Gratë në parlament". Meqënëse
burrat u treguan të paaftë të drejtojnë jetën
e vendit, këtë radhë janë gratë që
marrin fuqinë në parlament dhe bëjnë reforma
që synojnë të zhdukin dallimet sociale dhe t'u vinë
në ndihmë të varfërve. Por edhe këto reforma,
të paraqitura në vepër me situata dhe efekte komike,
mbetën në rrafshin e një ëndrre të bukur,
se nuk zgjidhen asgjë. Gjendja mbeti po ajo që qe.
Aristofani është një komediograf thellësisht
realist, por shpesh mban dhe qëndim romantik, ëndërrues
për të gjetur zgjidhje qoftë dhe në fantazi
apo në mënyrë utopike(3),
Për tërë ato probleme që e shqetësojnë
lidhur me fatin e shoqërisë njerëzore, për tërë
ato probleme që e shqetësojnë lidhur me fatin e shoqërisë
njerëzore.
Në këtë frymë ka shkruar komeditë "Gratë
në parlament", "Zogjtë", "Pluti".
Në komedinë "Zogjtë" dy qytetarë athinas,
shkojnë të ndërtojnë një qytet midis qiellit
dhe tokës për të jetuar në mes të zogjve
që bëjnë jetë të qetë të shkujdesur.
Poeti në këtë vepër është futur i
tëri në botën e fantazisë, përmes së
cilës ai vë në lojë një realitet konkret,
Athinën dhe qytetarët e saj, disa prej të cilëve
vrapojnë për në qytetin e ri për të ngatërruar
e për të nxjerrë fitime.
Problemin e mprehtë shoqëror të ndarjes së padrejtë
të pasurisë dhe të kontrasit midis të pasurve
dhe të varfërve, Aristofani e ka trajtuar në komedinë
"Pluti". Fshatari i varfër , Kremili, e shpie perëndinë
e pasurisë Plutin, që ishte i verbër , te Askelepi,
perëndia e shëndetit, i cili e shëron dhe i sjell
pamjen. Pluti tani i sheh gabimet e rënda që kishte bërë
dhe premton se këtej e tutje do të shkojë vetëm
te njerëzit e mirë, punëtorë e të virtytshëm,
Zgjidhja utopike e problemit nuk e ka penguar Aristofanin të
shohë veset dhe anët e errëta të shoqërisë
së kohës, prirjen për t'u pasuruar me çdo
lloj mënyre, pa marrë parasysh dëmin dhe të
këqijat që ju shkaktojnë të tjerëve.
Aristofani, që për dyzet vjet me radhë dha me veprat
e tij një pasqyrë të gjallë të jetës
politike, shoqërore e ideologjike të Athinës midis
shekullit V dhe IV para erës së re, është komediografi
më i madh i antikitetit dhe një nga më të mëdhenjtë
e të gjitha kohëve. Arti i tij shkëlqen nga fantazia
e jashtëzakonshme në krijimin e situatave komike të
trashura të karakterit të tyre deri në hiperbolë.
Përdorimi i subjekteve dhe i situatave përrallore fantastike
i ka dhënë dorë poetit që të verë
në lojë e të satirizoje më me forcë, për
të gjetur rrugëdalje të papritura me efekte komike.
Në komedinë e Aristofanit spikatin shpesh nota të
theksuara të një lirizmi të hollë, dashuria
për të bukurën, nostalgjia për natyrën
e virgjër e të pamolepsur nga prapësite, për
gëzimin e punës së bujkut, kontrasti midis realitetit
dhe ëndrrës, midis asaj që është dhe asaj
që duhet të jetë.(4)
|
 |  |