 |  |
Dara
qe një njeri i gjithanshëm. Ai dha ndihmesa në
fusha të ndryshme si: drejtësi, filozofi, arkeologji,
gjuhësi, histori, kritikë, po kryesisht shkëlqeu
si poet. Në letërsinë tonë ai ka hyrë
me "Këngën e spasme të Balës",
të cilën me modesti e paraqet si të popullit,
po që, për nga fryma aktuale, uniteti i brendshëm
e tiparet e stilit, si dhe romantika që e përshkron
duket që është fryt i talentit të Darës.
Vepra shoqërohet nga një parathënie e një
pasthënie, ku autori, shpreh synimet e veta patriotike,
duke hedhur zërin e kushtrimit për shqiptarët.
Poema doli në dritë më 1906 si libër më
vete, pasi ishte botuar pjesë-pjesë në shtypin
arbëresh. Aty trajtohen probleme aktuale të kohës,
duke iu drejtuar së kaluarës historike, kohës
së Skënderbeut. Fryma aktuale është edhe
më e ndjeshme sesa në veprat e De Radës.
Vepra ka në bazë dy ide qëndrore: njëra
ngjan me idenë e shprehur nga De rada te "Këngët
e Milosaos" se nuk mund të ketë lumturi vetjake
kur vuan atdheu, dhe ideja tjetër është se atdheu
mund të çlirohet vetëm me luftë të
armatosur. Ideja e parë shtjellohet nëpërmjet
linjës së dashurisë. Së dytës i kushtohet
një linjë e veçantë me tablo të gjalla
nga betejat e shqiptarëve me osmanët. Ide të
tjera që rrezaton ideja qendrore, janë ideja e domosdoshmërisë
së një udhëheqjeje të fortë dhe ideja
e bashkimit të shqiptarëve, ideja e vitalitetit të
kombit, e virtyteve të larta që e dallojnë atë,
ideja e luftës për ta ruajtur të pastër,
duke e mbrojtur nga rreziku i asimilimit prej kombeve të
tjera.
Këtë tematikë dhe problematikë, këto
ide i patëm ndeshur edhe te De Rada. Elementi i ri që
sjell në këtë drejtim Dara është forcimi
i frymës aktuale, e cila jepet në mënyrë
shumë më të drejtpërdrejtë sesa te
De Rada në pjesët lirike, kryesisht rritja e frymës
luftarake e karakterit aktiv militues. Ndonëse pasqyron
në poemën e vet edhe tragjizmin e luftës së
pabarabartë të shqiptarëve me një fuqi të
madhe ushtarake si Turqia, përmes përshkrimit të
tablove rrënqethëse të betejave dhe fati tragjik
të herojve kryesorë, poeti e vë theksin te qëndresa
e madhërishme e atdheut, te fitorja. Heroikja këtu
jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat
kanë edhe bazë objektive historike , si beteja e Beratit,
dhe ajo e Valkalit. Dhe mbirja simbolike e pemëve në
fund të veprës mund të kuptohet si pohim i një
vitaliteti të pashtershëm, vitalitetit të një
populli në luftë të përhershme me ata që
duan ta shuajnë. Dara shpreh dhe tragjedinë e arbëreshëve
të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë
letërsisë sonë përmes figurës së
plakut Balë një tip të ri, tipin e arbëreshit
të mërguar në dhè të huaj. Idetë
e veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet
kryesore, Niku dhe Pali, te personazhet e Balës dhe të
Darës si dhe te Skënderbeu, i cili, megjithëse
personazh episodik, luan një rol të veçantë
në poemë. Niku dhe pali janë heronj të frymëzuar
nga folklori, që kanë marrë veçoritë
e heronjve romatikë atdhetarë. Që të dy
janë trima dhe patriotë. Kështu, Niku i thotë
Darës me vendosmëri:
Sa shpalosur
në er' mbi kodrat
Të valoj' flamur i Arbrit
Gjersa n'vesht e mi të mbrijë
Hingëllima e kuajve t'huaj,
t'i o pris i moçëm luftrash
k'tu t'vendosur do më gjesh.
Pa asnjë ngurrim (dhe këtu
paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon
e De Radës) ai flijon lumturinë e vet familjare
për hir të atdheut. Kurse në prag të vdekjes,
gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për
rininë që po i këputet në lulëzim
e sipër. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë
në betejën e Valkalit, ku ai futet thellë në
prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të
zmbrapsë turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht
në amanetin kuptimplotë që ai i lë Darës
duke kërkuar që armët e tij të varen në
një pemë dhe të vazhdojnë t'u kallin tmerrin
osmanëve.
Të dy heronjtë kanë veçori që i
dallojnë. Niku del më i plotë si personazh.
Ai është i ndjeshëm dhe ëndërrimtar,
poet dhe këngëtar i talentuar, fizikisht i pashëm,
i aftë për një dashuri të madhe e të
thellë, siç e shohim në marëdhënie
me Marën, krenar dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe
gjaknxehtë është edhe Pali, tek i cili deri
diku shfaqet sedra klasore e feudalit. Kjo ndjenjë e
fundit gjen shprehje në qëndrimin e tij përbuzës
ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur
"zot i dy zallishteve", "ushtarth ballukedredhur".
Këto dy personazhe i plotëson Bala që nuk është
vetëm zëdhënës i autorit, po ka edhe një
jetë të vetën. Në luftë ai është
i pamëshirshëm me armiqtë, po pas betejës
është plot ndjenja të buta njerëzore.
Qëllimi patriotik i poetit shprehet edhe te figura e
luftëtarit Darë, i cili e qorton Nik Petën,
që kërkon të martohet me një të huaj.
Ideali atdhetar i Darës spikat veçanërisht
tek figura e Skënderbeut. Heroi përshkruhet kryesisht
si prijës ushtarak, strateg e luftëtar, prandaj
vendoset në skena të tilla që i bëjnë
të dalin në dritë më qartë këto
anë të figurës së tij; në këshillin
e luftës dhe në betejë. Gjithashtu, ai zbulohet
në marrëdhënie me të tjerët, duke
theksuar ndikimin e fjlaëve dhe veprimeve të tij
mbi këta të fundit. Skënderbeu i Darës
del njeri më tepër i veprimit sesa i fjalës,
vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës
për të kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj
plakur Harun, të cilin nuk e lë të ikë
menjëherë, duke dyshuar për ndonjë pabesi
nga ana e tij, po ia dorëzon Pal Golemit që ta ruajë,
fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të
shkojë për të çliruar Marën); që
di të falë edhe gabime kur e kërkon e mira
e atdheut (skena me Moisiun). Në luftë me armiqtë
ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse
në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe
i kujdesshëm. Dara nënvizon autoritetin e e madh
të Skënderbeut përmes një skene kuptimplotë
(që ka analogji me një skenë të ngjashme
te "Skënderbeu i pafat" i De Radës, po,
megjithatë është origjinale): mjafton një
vështrim i tij që t'i bëjë të ndahen
të turpëruar Nikun e Palin, kur po nisnin dyluftimin
për shkak të Marës; nënvizon dashurinë
e ushtarëve për heroin, dashuri e cila është
aq e madhe, sa i bën që edhe mendimet e fundit para
vdekjes t'ia drejtojnë atij. Megjithëse Dara nuk
thellohet në botën shpirtërore të heroit,
Skënderbeu i tij është i gjallë si karakter
dhe, ndoshta, më i afërt me realitetin historik
sesa paraqitet në veprat e rilindësve të tjerë.
Te Mara megjithëse e paraqet si të huaj. Dara ka
mishëruar disa nga cilësitë e gruas shqiptare.
Ajo është e bukur, e urtë, e mençur,
e zjarrtë dhe e qëndrueshme në dashurinë
e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë,
çka shfaqet në kohën kur, e dorëzuar
te Ballbani nga i ati i pabesë, mbrohet nga turqit me
thikë në dorë. Poeti jep edhe një portret
kolektiv të grave shqiptare, të cilat "tisi
i nderit i mbështjell
/kanë si dasëm luftrat/andej
syresh lindin trima."
Personazhet negative janë vizituar me vija të lehta,
po shprehëse. Kauri Balës është njeriu
që, për të kënaqur lakmitë, shkel
edhe mbi dashurinë prindërore; ai është
njeri i pabesë që të vret pas shpine.
Dara i jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe
herë pas here përmes zbulimit të portretit
të tyre fizik, siç është rasti i Nikut
ose i Marës. Ndikimi i poezisë popullore, e cila
është burim i pashtershëm për autorët
arbëreshë, në këtë vepër është
shumë i madh. Dara merr nga poezia popullore heronjtë
kryesorë, Nik Petën dhe Pal Golemin, mjaft veçori
të figurës së Skënderbeut dhe asaj të
Ballabanit, ndërthur në veprën e vet shumë
motive nga poezia popullore arbëreshe, si ndarja e dy
të dashurëve, që të kujton legjendën
e Kostandinit të vogël; motivi i rrëmbilit
të vajzës nga "qeni turk"; motivi i shkëmbimit
të unazës midis bashkëshortëve, kur burri
niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës
që e qorton nusen për parandjenjat e saj të
këqija; motivi i amanetit të trimit që e shoqja
të martohet; motivi i vdekjes së përnjëherëshme
të njerëzve shumë të afërt; motivi
i mbirjes së një peme mbi varr. Po tërë
këtyre motiveve ai u jep një formë origjinale,
duke i lidhur ngushtë me idetë e veprës dhe
duke plotësuar e forcuar ato tipare që u jep folklori
heronjve të vet. Pra, në thelb, Dara mori thjeshtësinë
dhe frymën e thellë patriotike të poezisë
popullore arbëreshe. Në formë ai merr vargun
karakteristik trokaik pa rimë larminë ritmike, figuracionin
e gjallë, stilin, muzikalitetin e rallë që
të tërheq dhe, nganjëherë, vargje të
tëra.
Dara është një poet
piktor në veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti
me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në përshkrimin
e tablove të ashpra të betejave, ashtu edhe në
vizatimin e skenave lirike. Mjeshtërisë së
poetit i shërben figuracioni i pasur dhe konkret.
Dara dallohet në përdorimin e antitezave, krahasimeve,
metaforave, epiteteve, E fuqishme është antiteza
e këngës së dytë midis trimave të
Skënderbeut, që gëzojnë pranë zjarrit,
dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë, "Te
hija e lisit të helmit". Me një antitezë
tronditëse flitet për trimat e rënë në
sheshin e betejës.
Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe
nga njomësia e ndjenjave, kurse epitetet-kompozita janë
konçize. Me një epitet të vetëm, ai
shpreh një karakter të tërë. Kështu,
p.sh., Moisiu është "ballëfshehur",
Vrana Konti "zemër e krah lisi" etj. Si të
gjithë romantikët, Dara ka një ndjenjë
të thellë për natyrën, të cilën
e përdor si element të gjallë, që shoqëron
veprimin dhe ndalet në anët e saj më të
të ashpra e më të rrepta, që përputhen
me madhështinë tragjike të epokës së
përshkruar. Ndikimi i poezisë antike dhe i poemave
kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar
vrullin e poetit romantik, dhe, nga ana tjetër, kanë
sjellë në vepër edhe disa shenja të veçanta
në ndërtimin e saj dhe në figuracion. Në
këtë poemë, në krahasim me veprat e mëparshme
të letërsisë arbëreshe, janë rritur
fryma luftarake dhe ajo aktuale në pasqyrimin e epokës
së Skënderbeut, ngjyra historike, epizmi dhe uniteti
i veprimit. Ky unitet është i dukshëm edhe
pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën si
popullore, mistifikim i zakonshëm ky romantik, përpiqet
që të krijojë me disa shënime iluzionin
e copëtimit.
Në krahasim me De Radën, Dara është më
i ekuilibruar, ndonëse di të shprehë tallazet
e pasioneve, sepse ka një përfytyrim më real
për botën dhe jetën.
"Kënga e sprasme e Balës", në të
cilën poeti derdh tërë diturinë e frymëzimin
e vet, mbetet një nga veprat më të mira të
letërsisë shqiptare
Pas Jeronim De Radës, Gavril
Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra
e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga
e sprasme e Balës" është një ndër
kryeveprat e letërsisë sonë.
Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare,
Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada,
edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga
e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në
art këtë epokë, duke e bërë shprehëse
të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më
mirë tokës mëmë dhe vëllezërve
të tij të përtejdetit.
Dara është mjeshtër i madh i artit të
fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike,
për gjuhë të gjallë e të bukur e
mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë
e të gjithanshme në folklorin arbëresh.
|
 |  |