1846 - 1900

Bagëti e Bujqësia (analizë)


Poema "Bagëtia e bujqësia" u botua më 1886. Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një patos aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur.
Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për bashkatdhetarët, por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas.
Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s'është aspak një vepër për këto fusha të jetës.
Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij.
Poema hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri.

O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit `natë,
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar,
do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.

Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall zhuritës për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t'u kthyer është e papërmbajtur.
Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar:

Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.

Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:

Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet.
Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij.
Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet", nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t'i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në punë .
Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesëve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të Naimit.
Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t'ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.

Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.

Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjihtëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë.
Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që sjellin aq ngrohtësi:

Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…
në sythit tënd shoh gazë…,

Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh.
Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
"Bagëti e bujqësia" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.





Lulet e Verës (analizë)


Këtë përmbledhje me poezi lirike Naimi e botoi më 1890. Aty ai shfaqet më i plotë si poet. Talenti i tij lirik shpërthen në një rreth të gjerë ndjenjash tepër të holla dhe mendimesh të thella.
Motivet kryesore që trajtoi Naimi në përmbledhjen "Lulet e verës" janë tri: motivi patriotik, motivet filozofike dhe motivi i dashurisë(erotik).
Vjershat e motivit patriotik:
("Shpreh", "Përse", "Gjuha jonë", "Korça", "Tradhëtorët" e ndonjë tjetër) janë lirika që shprehin ndjenjat qytetare të poetit ndaj Atdheut, vlerave të tij dhe fateve të tij.
Një nga përjetimet më të fuqishme të këtij motivi është besimi i palëkundur në të ardhmen e Shqipërisë, ndonëse dita e lirisë ishte ende larg. Por, duke u nisur nga fakti që lëvizja komëtare kishte përparuar, ishin hapur shkolla shqipe, ishin botuar libra e gazeta shqip, ndërgjegjja komëtare ishte forcuar, poeti shpërthen plot ngazëllim:

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vijnë,
shkoi errësira;
lum kush do të rronjë,
ta shohë zonjë! ("Shpreh").

Padurimi i poetit për të parë ditën e bardhë të lirisë është i madh. Kjo shpresë, kjo dritë e mban gjallë poetin, i cili, edhe pse me shëndet tepër të tronditur, ka besim se do ta arrijë:

As hidhe gardhë
Dhe shpejto pakë,
o dit' e bardhë,
dhe jakë, jakë,
se të pres,
nukë vdes ("Përse")

Dy vjersha që lidhen ngushtë nga idetë dhe patosi që i përshkron, janë "Gjuha jonë" dhe "Korça". Në to ai i ka thurrur gjuhës shqipe vargjet më të frymëzuara. Është ndër të parët poetë që i kënoi bukurisë dhe ëmbëlsisë së gjuhës sonë, është ndër të parët që kuptoi vlerat dhe mundësitë e saj të shumta për të shprehur mendimet dhe ndjenjat më të thella njerëzore:

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
Sa e lehtë! Sa e lirë!
Sa e bukur! Sa e vlerë! ("Korça")

Naimi shkruan plot entuziazëm për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887 dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të hyjnë me guxim në rrugën e diturisë e të kulturës. Kur ai thotë: "Të marrim diturinë…, tani lipsetë dritë ("Gjuha jonë"), kemi prirjet e tij iluministe dhe konceptin se liria nuk shkëputet nga progresi, nga "qytetërimi". Me një informacion krejt tjetër, plot mllef dhe urrejtje shpërthen ai në vjershën "Tradhëtorët". Ai u vë damkën e turpit atyre që tradhëtojnë kombin dhe bashkatdhetarët, atyre që harrojnë mëmëdheun dhe punojnë për të huajt. Vjersha tingëllon si një mallkim për tradhëtinë, kur poeti shkruan plot zemërim:

Buk' e mëmëdheut i zëntë
Tradhëtorët e pabesë!

Motivi filozofik zë vend të gjerë në "Lulet e verës" dhe mund të themi se Naimi themeloi në letërsinë shqiptare traditën e poezisë së mendimit.
Në lirikat filozofike gjejmë përsiatjet e poetit për botën, për jetën dhe vdekjen, për njeriun, perëndinë, për kohën që shkon pa kthim. Për herë të parë në letërsinë shqiptare trajtohen kaq gjerë koncepte të tilla filozofike, një botë përjetimesh që kanë në qendër njeriun. Me sinqeritet e me gjuhë plot emocione Naimi shpreh ide humane, dashurinë dhe besimin e tij ndaj njeriut. Në disa nga vjershat filozofike si "Jeta", "Zemra" e sidomos "Perëndia", spikat qartë një nga elementet bazë të botkuptimit të Naimit, panteizmi. Shfaqet aty nga ana mistike e këtij botëkuptimi, por nga ana tjetër, edhe mohimi i riteve të tepruara fetare. Ai pohon se perëndia është kudo, e shkrirë, e trupëzuar te çdo send a gjallesë e botës:

Ç'sheh, është zot' i vërtetë,
Ç'dëgjon, është zër' i tija,
Gjithë ç'ka e s'ka në jetë,
Është vetë perëndia ("Perëndia")

Në panteizmin e naimit depërton edhe humanizmi, besimi i madh i poetit te njeriu, që është qënia më e lartë e gjithësisë, sepse tek ai, sipas poetit, personifikohet vetë hyjnia:

Zemr' e njeriut në jetë
Është vend i perëndisë.

Te vjersha "Fyelli" (ashtu si te "Fjalët e qiririt", botuar më 1884) Naimi ngre lart misionin e poetit në shoqëri, idealet pozitive e humane të tij, të poetit që bëhet zëdhënës i shpirtit njerëzor.
Motivi erotik është trajtuar në një cikël të tërë vjershash me titullin e përbashkët "Bukuria". Lirikën e dashurisë e kishin lëvruar edhe bejtexhinjtë, por Naimi e ngriti në një nivel artistik të ri. Shpesh përcolli edhe koncepte etike e filozofike.
Poeti i këndoi bukurisë së vashës, para së cilës mrekullohet edhe në të zbulon një pjesë të bukurisë universale. Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale të asaj poezie. Ndjenja e poetit është platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje konkrete si në lirikën popullore ose më vonë si në poezinë e Çajupit. Si romantik, Naimi këndoi më shumë vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, shumë njerëzore. Dashuria për poetin është gjithmonë një ndjenjë e lartë, fisnike dhe e pastër.
Në ciklin "Bukuria" afrimi me poezinë popullore është mjaft i dukshëm. Poeti mori prej saj mjete artistike e teknika vëzhgimi dhe krijoi vargjet plot spontanitet e bukuri të rrallë:

Bukuroshe, sy mëshqerrë,
shikomë njëherë mua,
trëndafil i kuq me erë
e di, vallë, se sa të dua?
E mora vdekjen në sy,
do të vdes, të vdes për ty.

Me "Lulet e verës" Naimi arriti pjekurinë e plotë si poet lirik Larmia e motiveve, pasuria dhe thellësia e ndjenjave kanë përcaktuar edhe përdorimin e një gjuhe poetike të larmishme e me shprehësi të lartë. Sa optimist e i ngazëllyer është kur shpreh besimin tek e ardhmja, aq i përmbajtur e meditues është kur flet për probleme të qënies, të filozofisë, sa i trishtuar paraqitet kur kujton djalërinë e perënduar, kohën e ikur, dhe të vdekurit, aq i përndezur është në urrejtjen e tij kur mallëkon tradhëtarët. Naimi përdori mjete të shumta stilistike. Epitetet e goditura për gjuhën, anaforat tek vjersha "Fyelli", shpërthimet në formë pasthirrmash "Lum kush të rrojë…", krahasimi i Korçës së Mësonjtores së parë me trimin që sulet në ballë etj., etj, mbeten të pashlyera në kujtesë. Me shumë efekt poeti përdori edhe antitezat, veçanërisht ndërmjet disa fjalëve të caktuara me kuptim të përgjithshëm, por që ai i shënoi me një përmbajtje të qartë e me ngarkesë emocionale (drita-errësira; fatbardhësia, mbarësia, qytetëria, - ndarja, marrëzia) e që përfaqësojnë të parat: lirinë, emancipimin, kurse të dytat: zgjedhën, paditurinë, si plagë të pushtimit. Tërheq gjithashtu vëmendjen pasuria e rimave, e vargjeve e strofave me skemat AB, AB, A, AA, BCCB, ABAB, CC, të përdoruara rrallë ose aspak në poezinë shqiptare.
"Lulet e verës" (me "verë" Naimi quante pranverën) ishin simbol i së resë që po lindte, i lirisë, i asaj shprese dhe force të madhe që lindi poetin e madh dhe poezinë e madhe.





 

Pikëpamjet Patriotike dhe Botëkuptimi


Vepra e Naimit shprehu në mënyrë të plotë e me forcë artistike idealet më të përparuara të Rilindjes, idetë patriotike, demokratike e iluministe që do ta udhëhiqnin shoqërinë shqiptare për të dalë nga errësira mesjetare në dritën e lirisë e të përparimit. Poet e mendimtar, Naimi qëndroi me dinjitet në lartësinë e këtyre kërkesave historike.
Tipari kryesor, ajo që përbën thelbin e gjithë krijimtarisë së Naimit, është patriotizmi. Gjithçka në veprën e tij lidhet me atdheun, me dashurinë e pakufishme për të, për gjuhën, për popullin, për historinë e për gjithçka shqiptare, me detyrën për t'i shërbyer atdheut me devotshmërinë më të lartë. Vargjet më të bukura poetit ia frymëzoi pikërisht ky atdhetarizëm i flaktë.
Çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha osmane ishte një nga idealet më të larta të Naimit. Për të arritur këtë, poeti hedh idenë e bashkimit të gjithë shqipëtarëve, si kusht për çlirimin dhe përparimin e tij. Veçanërisht te "Historia e Skënderbeut", poeti pohon se liria mund të vijë vetëm me anë të luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Besimi i Naimit në të ardhmen e Shqipërisë së lirë është i madh. Ai mendon se populli ynë, me virtyte të çmuara e me tradita luftarake i ka të gjitha të drejtat të jetojë i lirë. Naimi shpreson se kjo liri do të jetë pak a shumë e shpejtë.
Naimi pati pikëpamje demokratike të përparuara për kohën. Ai mendonte që njeriu lind i lirë. Kulti i lirisë së njeriut përshkon gjithë veprën e tij, ndonëse në kushtet e atëhershme ai tingëllonte abstrakt. Admirues i Revolucionit Francez dhe i ideologëve të tij, Naimi ëndërronte një Shqipëri të lirë dhe demokratike, sipas tipit të demokracive borgjeze të kulturuar e të emancipuar. Edhe Naimi, ashtu si Samiu, ishte për republikën dhe nuk e pranonte formën e monarkisë.
Ai gjithashtu ishte për barazinë midis burrit dhe gruas dhe për të drejtën e arsimimit të të dyve.
Botëkuptimi i naimit u kultivua në klimën e kërkesave për një Shqipëri që do të hynte në një epokë të re historike, që do të qytetërohej e kulturohej. Natyrisht, koha kur jetoi poeti, la gjurmët e veta në botëkuptimin e tij, i cili nuk mundi t'u shpëtonte edhe kundërshtive.
Naimi ishte iluminist, dhe kishte besim të madh në rolin që luajnë shkenca dhe dija për zhvillimin e shoqërisë. Ai çmonte tepër iluministët francezë, Volterin, Rusonë, e të tjerët. Sidomos në veprat diturake ai pranoi dhe propogandoi edhe disa arritje të shkencës së kohës, si teorinë e Darvinit për prejardhjen e qenieve të gjalla, teorine e Kantit e të Laplasit për origjinën diellore të tokës etj. Por në thelb, veçanërisht në veprat poetike, ai pranon qënien e një fuqie të mbinatyrshme. Megjithatë, idealizmi i Naimit u shfaq në formën e panteizmit. Ai e mendon zotin të shtrirë kudo, te njeriu dhe te natyra. Si patriot e iluminist, ai ishte kundër përçarjes fetaredhe kombësinë e vinte mbi fenë, ashtu si edhe rilindësit e tjerë.
Naim Frashëri, si figura qëndrore e letërsisë së Rilindjes, krijoi një traditë të re, që u ndoq nga shumë shkrimtarë të tjerë, dhe u bë themeluesja e letërsisë sonë të re kombëtare.





 

 

           

© gusht.2004 by " www.plaveguci.eu®