 |
 |
Hyrje
Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është
pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të
shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes
në Shqipëri, një nga ata që u hapën
udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.
N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës.
Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë
e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit,
mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821
kundër Turqisë, revolucion që pati karakter
jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal.
Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen
tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë
në ato çaste historike shtronte para popullit
të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të
shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri
kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program
kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar.
Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi
i pari kërkesat themelore të Rilindjes.
Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin
e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe,
të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë
alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes.
Të parin libër, që është e para abetare
për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e
botoi më 1844 me titullin "Evëtar. Një
vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar
e të zgjeruar, me titullin "Fare i ri evëtar
shqip për djelm nismëtar, të shoqëruar
me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë.
Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm
nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin
e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare,
Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në
parathënien e botimit të dytë të Evëtarit,
në një letër dërguar nipit të tij
dhe sidomos në një "Enqiklikë(letër
qarkore).
"Enqiklikën ai ua drejtoi më 1846 bashkadhetarëve
të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti
i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një
program pune për të. Ai flet me dhembje për
gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar.
Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të
të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me
"lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës
sonë kombëtare. Ata shqiptarë që
shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja,
shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të
ishin "mirëbërës, etër e mësonjës
të atheut e të kombit tonë.
Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën
thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim.
Me një stil të shkathët, të figurshëm,
e plot optimizëm ai shkruan: "Le të hedhim
farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë
e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin,
mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë
të ëmbla të së cilës do t'i korrë
padyshim brezi i ardhmë që do të bekojë
ata bujq dhe ata mbjellës të mirë. Cila
është kjo "farë e mirë dhe pemët
e ëmbla që do të japë ajo? Veqilharxhi
mendon se, që të dalim nga gjendja e rëndë,
duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të
përhapim arsimin shqip, të përhapim farën
e diturisë, e cila do të sjellë gjithë
të mirat më pas. Padituria është fatkeqësi,
mendon autori, një e keqe e madhe, që barazohet
me skllavërinë. "Ato kombe që kanë
mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht
skllevërve. Një komb mund të dalë
nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të
lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën
tonë ne duhet ta shkruajmë me "shkronja të
veçanta kombëtare, na mëson Veqilharxhi.
Kështu, shpreson ai, edhe ne do të vihemi në
rradhën e kombeve të qytetëruara.
Në këtë mënyrë e formulonte ai njërën
prej kërkesave të mëdha të lëvizjes
sonë kombëtare, duke u nisur nga parimi i drejtë
se një popull mund të kulturohet vetëm me anë
të gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit
luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit
e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të
një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe
dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit
e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë
dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe
mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht
te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët
e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm
i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.
|
 |
 |