 |
 |
Pashko
Vasa
Hyrje
Pashko Vasa, i njohur sidomos me
emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit
më të hershëm e më të njohur të
lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në
historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi
në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë
të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë
shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit
1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë
në dorë në revolucionin e Venedikut kundër
pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake.
Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa
u vendos në Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në
shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore.
Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut,
ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit. Gjatë
gjithë jetës së tij P.Vasa s'ka rreshtur së
menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar
ta shohë të lirë, të pavarur, e të
kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet
`60 në Stamboll, ku bashkpunoi me K.Kristoforidhin, Ismail
Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në përpjekjet
për oragnizimin e shoqërive patriotike e kulturore,
për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe
bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë
së të Shtypurit Shkronja Shqip. P.Vasa qe një
nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare
të Prizerenit dhe mbrojti me forcë çështjen
kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike
jashtë perandorisë.
Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht në
vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria
e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe
lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të
drejtave të tij si komb. "A mos është
krim ta duash vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që
është një cilësi, një virtyt për
të tjerët, nuk mund të jetë tjetër
gjë për ne. Shkroi poezi, prozë artistike,
publiçistikë dhe libra gjuhe.
Veprat më të rëndësishme të P.Vasës
janë: përmbledhja me vjersha "Trëndafila
dhe gjemba(1873), ku flet me zjarr e mall për vendlindjen
dhe dëshiron lirinë e Shqipërisë. Më
1879 botoi frëngjisht trajtesën: "E vërteta
për Shqipërinë dhe shqiptarët, në
të cilën argumenton lashtësinë e popullit
shqiptar, tregon vetitë e tij dhe mbron të drejtat
kombëtare. Botoi më 1890 romanin "Bardha e
Temalit të shkruar frëngjisht, ku përshkruan
zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin
e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi
edhe një "Gramatikë të shqipes për
të huajt(1887). Por kryet e vendit në krijimtarinë
e tij e zë vjersha "O moj Shqypni
Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme të
Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe qarkulloi gojë
më gojë, ngandonjëherë edhe si këngë.
Në të ndihet jehona e ngjarjeve dramatike që
kalonte vendi ynë, kur shqiptarët mbronin me gjak
trojet e tyre nga lakmitë e shovinistëve fqinjë
dhe nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit.
Vjersha sintetizon në mënyrë poetike gjithë
idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare
dhe me patosin kushtues, shërben si një manifest
poetik i saj.
Vjersha është ndërtuar mbi bazën e antitezës.
Për nga brendia ajo përmban dy pjesë, dy tablo
të Shqipërisë. Në të parën,
si gjithë rilindësit, me nota romantike e idealizuese
autori prezanton të kaluarën, kurse në pjesën
e dytë përshkruhet me ngjyra rrëngjethëse
gjendja e mjerë e atdheut të robëruar.
Vjersha fillon me ton elegjiak, me një pyetje plot dhembje
sdrejtuar Shqipërisë, që e kanë "qit
me krye n'hi, që s'e ka më forcën dhe
lavdinë e mëparshme.
Me një ndjenjë krenarie, poeti na jep përfytyrimin
e dikurshëm, të Shqipërisë si një
zonjë e rëndë, plot begati, trimëri e
dinjitet e, mbi të gjitha, plot vlera njerëzore:
me armë të bardha, me
pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira,
ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira.
Poeti evokon me pak vargje edhe
traditat luftarake e lavdinë e së kaluarës,
ato vite kur besa dhe lufta e trimave shqiptarë bënin
të dridhej qiell e dhè, të dridhej armiku
otoman gjer thellë në strofkullën e tij. Këto
vlera frymëzonin respekt të pakufijshëm të
të gjithë burrave ndaj Shqipërisë, duke
pasur për nder ta quanin "nënë.
Poeti, si mjaft rilindës të tjerë, krijon raportin
nënë-bir dhe e përdor si mjet themelor simbolin
e figurës së nënës. Edhe më pas,
thirrjet që u drejton bashkatdhetarëve, ua drejton
në emër të kësaj lidhjeje, në emër
të detyrës që ka çdo bir ndaj nënës,
ndaj atdheut.
Toni elegjiak rishfaqet në fillim të pjesës
së dytë, përzier me mllef të papërmbajtur,
kur i drejtohet zemërcoptuar Shqipërisë:
Po sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrzuem përdhe!
Poeti zbulon edhe shkaqet e kësaj
gjendjeje: shqiptarët kanë harruar "besën
e të parëve dhe janë përçarë
në Fè të ndryshme. Dhe si ideolog dhe militant
i lëvizjes kombëtare, autori u drejtohet bashkatdhetarëve:
Po jeni vllazën t'gjithë,
more t'mjerë
Megjithëse toni elegjiak ndihet
edhe në vargje të tjera të pjesës së
dytë, poeti nuk bie në dëshpërim, madje
me këtë mënyrë ai kërkon të
prekë në sedër gjithë shqipëtarët.
Kujt i bën zemra të shohë të poshtëruar,
të coptuar e të dobët nënën e dashur.
Me besim të patundur në forcën dhe shpirtin
patriotik dhe luftarak të tyre, poeti i jep tone burrërore
vargut dhe ngre zërin për luftë të armatosur,
si e vetmja rrugë për ta shpëtuar atdheun nga
shtypja e mjerimi. Është nder që jetën
t'ia falësh Shqipërisë.
Vjersha që nis me një pasthirrme tronditëse,
elegjiake, mbyllet me një apostrofë kushtruese:
Coniu, shqiptarë, prej gjumit,
çoniu,
të gjithë si vllazën n'një besë shtrëngoniu,
e mos shikjoni kisha e xhamia,
feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Vetëm një atdhetarizëm
i flaktë mund te krijonte vargje me një forcë
të tillë, vargje që shpallën parrullën
e madhe rilindase se kombi është mbi çdo
fè, se shqiptaria, atdheu, e ardhmja e tij janë
gjithçka. P.Vasa është një nga të
parët që lëshoi kushtrimin për t'u bashkuar
pa dallim feje.
Vërtet në pikpamje të kompozicionit vjersha
përbëhet prej dy pjesësh dhe theksi vihet më
tepër tek e dyta, por patosi i saj i drejtohet edhe së
ardhmes. Ajo u shkrua e frymëzuar nga aspiratat për
ta parë Shqipërinë të lirë, të
përparuar e plot dinjitet. Vjersha "O moj Shqypni
është një nga krijimet më të frymëzuara
të poezisë shqiptare. Figuracioni i pasur e shprehës,
epitetet, krahasimet, pyetjet retorike plot ngarkesë
emocionale, shkodranishtja e kuptueshme dhe e ëmbël
e bënë atë aq ndikues tek masat. Vargu dhjetërrokësh
(pesërrokësh i dyzuar) i jep poezisë një
ritëm marshi, në përputhje me përmbajtjen,
duke sintetizuar thuajse gjithë idetë e lëvizjes
kombëtare: krenarinë për të kaluarën,
dashurinë për vendin, urrejtjen për robërinë,
thirrjen për bashkim, vjersha "O moj Shqypni
u bë një nga kryeveprat poetike të Rilindjes.
|
 |
 |