 |  |
Hyrje
Lindi në Shkodër më 1882. Atdhedashuria e dalloi
që në bankat e shkollës. Më vonë
ai merr pjesë bashkë me Luigj Gurakuqin me Hilë
Mosin në kryengritjen e Malësisë së Madhe
dhe bëhet këngëtari i saj. Pas shpalljes së
Pavarësisë, në vitet 1913-1914, bashkë
me Hilë Mosin boton në Shkodër gazetën
"Shqypnia e re". Dy poetët atdhetarë nëpërmjet
kësaj gazete me artikuj dhe vjersha të shumta luftuan
me guxim kundër propagandës antishqiptare, goditën
Komisionin Ndërkombëtarqë qeveriste qytetin
dhe përkrahte feudalët. R.Siliqi, gjithashtu, u
përpoq me të gjitha forcat për demokratizimin
e pushtetit dhe për vendosjen e arsimit laik dhe falas
në luftë me klerin reaksionar dhe të huajt.
Më 1915 poeti lufton për mbrojtjen e Shkodrës
kundër synimeve malazeze.
Më vonë largohet nga politika, punon si nëpunës
në Vlorë, Tiranë dhe si avokat në Shkodër.
Vdiq më 1936.
Libri i vetëm që nxorri në dritë R.Siliqi
është "Pasqyra e ditëve të përgjakshme"
(1913) kushtuar Kryengritjes së Malësisë së
Madhe ku mori pjesë edhe vetë. Përveç
kësaj, Siliqi botoi vjersha në organe të ndryshme,
la edhe dorëshkrime. Tematika e vjershave të tij
është atdhetare dhe shoqërore. Ai lëvron
edhe vjershën satirike. Krijimtaria e tij poetike shquhet
për idetë demokratike, për simpatinë ndaj
luftëtarëve të thjeshtë malësorë,
për dufin luftarak, thjeshtësinë, ndikimin
e frytshëm nga poezia popullore. Vlerën artistike
poesisë së tij ia zbehin notat retorike, që
vihen re herë pas here dhe gjuha e papërpunuar.
Megjithatë ka vjersha shprehëse si "Tradhtarëve
të kombit" dhe "Mehmet Shpendi" ku portreti
i trimit që i dha emrin vjershës, jepet me forcë
epike dhe ngjyra legjendare.
Kur' nuk gjendet zbathë e zdeshun
Por gjithmon' gatue për pritë.
N'zheg e n'shi e n'borë e breshën
shtati i tij gjithmonë vaditë.
Shpesh Siliqi i ndërthur motivin
atdhetar me atë shoqëror.
Poemthi "Luftëtari ynë"
është i afërt për nga tematika me vjershën
"Shpërblimi" të Asdrenit dhe "I mbetuni"
të Mjedës. Heroi i tij është një
fshatar i varfër që, për lirinë e atdheut,
rrëmben pushkën dhe jep jetën në luftë.
Poeti proteston kundër klasave të pasura që
i lanë fëmijët e këtyre luftëtarëve
pa mbrojtje:
Dyert të huaja të kërkojnë
Për një kojë bukë të thatë!
Protesta ndaj padrejtësive
shoqërore ndihet edhe në krijime të tjera të
fundit të R.Siliqit sidomos në vjershën e gjatë
"Burim poetik".
Vepra më e njohur e R.Siliqit dhe më e realizuara
është poemthi lirik "Mrika në shkangull".
Këtu gjejmë shfaqe spontane të realizmit, edhe
pse vepra në tërësinë e saj është
romantike. Mrika, një vajzë e re, e çiltër,
plot ëndrra, gabon në dashuri dhe i jep fund jetës.
Poeti e mbron forcën e dashurisë, dëshirën
për lumturi dhe proteston kundër shoqërisë
patriarkale e hipokrite, që me zakonet e saj të
egra bëhet e pamëshirshme ndaj të pafajshmëve.
Vepra, përveç mendimit tepër të avancuar
për kohën ka edhe vlera artistike. Poeti ka arritur
këtu një thjeshtësi dhe natyrshmëri, një
ngrohtësi ndjenje që u mungon krijimeve të
tjera. Poema spikat për vëzhgimet e holla psikologjike
që ndriçojnë botën shpirtërore
të heroinës. Tablotë e natyrës, plot ëmbëlsi
e hijeshi, me ngjyra romantike, janë në funksion
të ndjenjave të protagonistes. Poema është
e llojit shoqëror-psikologjik.
|
 |  |