 |  |
Familja
Familja, në trevën Vuthjane, ka qenë dhe është
e shenjtë. Marrja më
të ka qenë e paprenushme. Nderi i familjes, i shtëpisë
kanë qenë dhe
mbeten të shejta, të paprekshme. Prandaj, secili
vuthjan është përpjekur,
ka punuar dhe luftuar të jetojë "me ner e faqe
t' bardhë " se " bukë e marre,
asht kollaj me hangër". Për këtë
arsye e shmë të tjera, ruajtja e
traditave me të mira të të parëve tanë
ka qenë e mbetet detyrë.
Thuhesh ne Vuthaj: "N"pazar njeriu gjen shumçka
me ble, por nanë e babë jo,
besë e burrni jo, prandaj ruej ato çi ti kanë
lanë t'parët".
Vuthjanët kanë qenë dhe janë familjarë
të mirë. Shumë rrallë në të
kalueren janë takuar
vuthjanë të infektuar me vese të këqija.
Prandaj nderi i shtepisë, familjes,
burrnia, mikëpritja e besa kanë qënë e
janë veçori dalluese e banorëve të
kësaj treve të lashtë arbërore. Edukata
familjare si dhe ajo e marrë në
Odën e Burrave, e ka përjashtuar vesin e keq, sidomos:
"Rrenën, hajninë,
kurvinë, pabesinë, hjeksinë". E gjithë
kjo ide, përmblidhet në shprehjen
e urtë popullore: "Ma mirë dekë e me faqe
t' bardhë se sa gjallë e me
faqe të zezë". Pra, jeta duhet vetem e ndershme,
sepse " i keqi se ka as kte as at jetë".
Në të kaluarën, në Krahinen e vuthaj kemi
pasë: Familje të madhe patriarkale,
familje të mesme dhe familje të vogël. Por,
pér familjet e
mëdha është përdore edhe termi "Shpi
e madhe". Dhe shtëpi të tilla ka
patur deri vonë, deri pas Luftës së Dytë
botërore. Në këtë periudhë
krijohen rrethana të reja, hapen shkolla në gjuhën
amtare, më vonë hapet
dhe rruga e emigracionit. Prandaj këta dy faktorë
ndikuan në mënyrë Të
drejtperdrejtë në shpërbërjen e familjeve
patriarkale. Kuptohet, të rinjtë
që vazhduan shkollén larg vendit të tyre,
u punësuan në rrethet të tjera
dhe në këtë mënyrë krejt natyrëshëm
krijohen familje të vogla: Burri,
gruja,bashkëshortët dhe fëmijët. Padyshim
me koncept të reja mbi
familjen dhe mënyrën e jetesës. Megjithatë,
shpërbërja e familjes
patriarkale tradicionale nuk është një proçes
i lehtë, i cili kalohet pa
dhimbje. Përkundrazi, ky proces, drejt familjes moderne,
e hap rrugën me shum vështirësi.
Me këtë rast theksojmë se jo të gjitha
fshatrat patën të njajtën mundësi,
vullnet dhe dëshirë për shkollim dhe emigrim.
Dëshirë më të madhe për
shkollim patën të rijt nga Katuni Epërm, Gjonbalajt,
Qosajt, ndërsa nga
fshatrat e tjera nuk i patën as këto mundësi
as dëshirë dhe vullnet.
Organizimi i Brendeshëm i Familjes në Këtë
Trevë
Në familjen e madhe patriarkale njeriu i parë
ose kryefamiljari është quajtur
"Zot i shpisë", ose "I zoti i shpisë",
nga i cili në rradhë të parë dhe mbi
çdo gjë është kërkuar drejtësi
dhe barazi për të gjithë anëtarët
e familjes.
Kuptohet, se në familje të tilla të mëdha
elementi kryesor që e mban atë si
të tillë, është lidhja e gjakut me linijën
mashkullore, prandaj edhe
padrejtësia më e vogël, është shumë
e ndjeshme.
I zoti i shtëpisë organizon dhe drejton të
gjitha punët e familjes.
Të gjithë anëtarët e tjerë i binden.
Në familjet e mëdha e zoti i shtëpisë
merret vetëm me organizimin dhe drejtimin e punëve,
ndërsa ne familjet
e mesme dhe te vogla ai edhe punon në bujqësi dhe
në veprimtaritë e tjera
të dobishme për familjen fshatare.
---Detyra e madhe dhe e rëndë që ka "
I Zoti i shpis" në familjen
patriarkale në krahinën në fjalë shprehet:
"Burra e madhe me ken zot shpie
asht e ranë e besé kërkush s' ka qef me e
pas n' shpin, por atij çi i bjen
duhet me majt me ner".
Familje të tilla të mëdha përbëheshin
nga vëllazër, kushërij të parë, të
dytë,
madje edhe të tretë e të katërt.
Prandaj, lidhja e gjakut ka detrminua ruajtjen e familjeve
të tilla, mbasi ajo
është çmuar dhe vlerësuar mbi çdo
gjë. Ndërsa ne vijën femërore ky
unitet është siguruar krejt ndryshe. Dihet se në
familje të tilla të mëdha
ka patur gra nga fisi e krahina të ndryshme, të
cilat padyshim kanë prurë
aty edhe doke e traditat e veta. Prandaj, ajo i është
nënshtruar vullnetit
të burrit dhe fjala e tij ka qenë ligj për
të. Por, gjithsesi, duhet thënë se
Koha ka bërë punën e vet dhe burrat në
familjet e mëdha kanë filluar "
"m' u prish". Si është prishë burri?
"Kur zogu rrin tue knue të tan natën
te veshi i burrit, ky fillon m' u prish, m' u largue prej
t' vetve".
Një veprim i tillë edhe justifikohej me një
shprehje të tillë: "Nimeti i Zotit,
s' muj përbuzet e qitet jashtë se t' vret ai çi
ta ka dhanë".
---- Pse kanë ekzistuar familjet e mëdha patriarkale?
Është fakt se familje
të tilla kanë ekzistuar në të gjitha trevat
shqiptare pa përjashtim, porse
dikur ka filluar shpërbërja me shpejt ndërsa
dikur me vonë. Dihet se vendi
ynë ka qënë i pushtuar gjatë shekujve
nga pushtues të ndryshëm romakë
e bizantin, sllavë e osmanë. Por, gjithashtu dihet
se raca jonë kurr nuk u
nënshtrua, nuk ju bind të huajit, nuk i prenoi ligjet
e doket e tij.
Prandaj ka qenë i detyruar ti ruaj dhe ti zhvillojë
doket e traditat e veta më të
mira, të zgjidhë shumë konflikte e marrëdhanie
në bazë normave kanunore.
Prandaj, duhet prenuar, si një ndër kushtet që
e ka imponuar
ekzistencën e familjes së madhe, ka qenë kushti
historik. Por jo vetëm
ky, gjithashtu ekzistencën e saj e kanë kushtëzuar
edhe nevojat
ekonomike. Një gjë e tillë shprehej "ku
ka rob shumë ka edhe bereqet shumë".
Kuptohet se familje te tilla kanë pasë shumë
tokë dhe shumë
bagëti, madje shpesheherë të shpërdarë.
Prandaj, për punimin e tokës,
ruajtjen e bagëtisë dhe shtimin e tyre, janë
nevoitur shumë meshkuj.
Por në familje të tilla të medha veprimtarë
bujëqsore,blektorale etj
kanë qënë shumë më të mëdha.
--- Një faktor tjetër, jo më i rendësishëm,
që ka ndikuar në ruajtjen e
familjes së madhe patriarkale, ka qénë dhe
tradita, që shprehet "me
pas shpin plot me mashkuj ", "me pas shpin plot
me rob".
Gjithashtu një nga faktorët, ka qenë edhe jeta
e mbyllur në vetvete,
duke u ruajtur nga ndikimet e huaja për shkak të
robërisë
shumëshekullore. Shqiptari nëpër shekuj ka
ruajtur traditat e doket që
i kanë lënë të parët.
Shumë vështirë është ndarë dhe
ndahet prej tyre. E një ndër to ka qenë edhe
familja e madhe.
Po,a duhet hapur dorë prej atyre? Kur doket dhe traditat
janë të mira,në asnjë
mënyrë. Përkundrazi, ato ruhen dhe zhvillohen
më tej duke u pasuruar vazhdimisht
me doke të mira.Ndérsa, kur janë të
këqija pa hezitim duhet hequr dorëprej tyre.
Në të gjitha rastet duhet të ruhet çdo
gjë mirë dhe e mira të mirret nga kushdo
qoftë ndërsa e keqja në asnjë rast.
Ndarja e punëve në familjet e mëdha
Ky veprim është bërë nga i zoti i shtëpisë
dhe në vartësi nga stinët e motit
dhe punët që duhet bërë në sejcilën
prej tyre. Kështu, në pranverë duhet të
pastrohet, të punohet,të lëvrohet toka, pa
harruar të gjitha punët e dorës
së dytë dhe të tretë që lidhen me
këtë problem. Poashtu, kujdes tregohet për
kullosën e bagëtive e tjera punë bujqësore.
vera, ka punë e probleme të tjera.
Prandaj i zoti i shtëpisë duhet ti organizojë
ato në kohë, duke mos harruar asgjë.
Po kështu janë dhe vjeshta e dimrit. Prandaj, drejtimi
i mirë e me drejtësi i
familjes së madhe, ka qënë themel. Vetëm
bariu e ka ditë punen e vet në
katër stinët e motit. Ai e ka dit çdo ditë
detyrën qe ka. Kur duhet qëndruar
në vrri e kur duhet të dalë në bjeshkë,
kur duhet kullotë një vend e kurnjë tjetér.
Po ashtu bariu në vjeshtë ka ditur dhe ka bërë
selekcionimin e
bagëtisë duke hequr ato që nuk duhen dimëruar,
duke pasur parasysh me këtë rast
edhe sasinë e ushqimit të siguruar dhe dobinë
që ka nga secila bagëti.
Dhe, është e vërtetë, se fjala e bariut
në lidhje me bagëtinë është dëgjuar
dhe rrespektuar. Prandaj, dhe themi se i zoti i shtëpisë
nuk ka qenë diktaor absolut ne familje. Megjithëse
ai ka pasë pushtet të plotë në administrimin
e pasurisë. Ka kryer të gjitha veprimet e shitblerjes,
të pasurisë, të ushqimit e veshmbathjes. Pra,
ka qenë i plotfuqishëm.
Megjithatë, edhe në familjet e mëdha ka
ardhë koha e ndarjes dhe janë ndarë kur "s'ka
pas razi, se aty ku s' ka razi s' ka as beriqet" ose
"kur hup razija hup edhe beriqeti". Ndarja e familjes
së madhe është bërë në disa
menyra, por kryesoret që duhet theksuar janë: Ndarja
me razi dhe ndarja pa razi.
-- Kur ndarja bëhet me razi është e lehtë,
me mirëkuptim dhe pa pasoja hidhërimi e mërie.
Atë si veprim, mund ta bëjë i zoti i shtëpisë
në marrëveshje me mashkuj e tjerë, ose duke
patur si pleqnar të afërm ose burra te njohur si
të tillë. Ndërsa kur ndarja bëhetpa razinë
e mashkujve është e vështirë. Ndarja të
tilla zakonisht janë bërë duke patur secila
palë, pleqnarët e vet.
-- Në lidhje me familjen, duhet theksuar edhe disa shprehje
që përdoren në këtë krahinë
dsi: "shpi e mirë, shpi mje bereqet, oxhak i mirë,
derë e madhe,derë e fortë, derë n'za,
shpi bukdhanë, shpi bujare,shpi mikpritëse",
etj. Por, ka edhe shprehje të anës tjetër,
si:"" shpi pa beriqet, shpi e mrapsht, shpi fisnike,
shpi e pabesë, shpiqyqanash, shpipër gjunah, shpi
dallaveresh, shpi ku ska ç'ka han gja as dreqi as i
biri, shpi çi preftja gja rrugën"etj.
--- Në lidhje me familjen, shtëpinë, të
zotin e shpisë,burrin e mirë shpeshherë nga
të moshuarit vuthjanë kam dëgjuar: "Burri
i mirë duhet me kjen i mirë për vete, se pa
kjen i mirë për vete, s' mune me kjen i mirë
as për të tjerët", e çi t' jesh
i mirë për vete duhet me pas nji shpi t' mirë
ku të mblidhesh me grua e thmi, me robt e shpisë,
ku t' kesh munsi me prit miq e dashamirë, por edhe hallaxhi
çi i qet rruga. Por duhet t'kesh edhe nji grue t'mirë,
se gruja e mir neron konakun, neron familjen e vet, bab e
nan çi e kan rrit. Burri i mirë, me majt shpin
e mir e gruan e mir, duhet me kan puntor e puna me i pas bereqet
çi t'ket me çka me majt shpin, me nerua veten
e shpin, tue prit ata çi t' presin e t' nerojn.
Të dy bashk burr e grue, duhet me rrit thmi t'mir, se
burri i mir duhet me lan mrapa djal t'mirë.
--Prandaj, Familja e mirë ka rritur dhe edukuar fëmij
të mirë, të cilët kanë rrespektuar
prindrit, të afërmit, dashamirët, kanë
rritur fëmijë të nderëshem e punëtorë,
pa harruar edhe kultivimin te këta të traditave
të tjera si, guximi,trimërija,atdhedashurija,besa;ndershmëria.
Person tjetër i rendësishëm në familje
të madhe ka qenë e zoja e shtëpis, ose siç
e quajn edhe ndryshe baçica, ose baxhija, Zojë
shtëpije zakonisht në këtë trevë
ka qënë një grua e moshuar, me përvojë
të gjatë në drejtimin e punëve të
brendshme të shtëpisaë. Por, ka pasur edhe
rste të tilla kur e zoja e shtëpisë ka qënë
gruja e të zotit të shtëoisë. Në
familjet e mëdha, ashtu sikurse burrat i kanë punët
e ndara edhe gratZë i kanë të ndara. Secila
prej tyne e din se çfarë duhet të bëjë
në shtëpi, kush duhet të gatuaj, kush duhet
të pastroj, kush duhet të mjelë bagëtinë,
kush duhet të rrij në vrri, dhe cila duhet të
dalë në bjeshkë. Po ashtu, ato e kanë
ditur se në cilat punë bujëqsore duhet të
japin kontributin e tyre. Dhe dihet, se në këtë
trevë, gratë kryesisht kanë marrë pjesë
në punë bujqësore: "Mbledhjen e barit
të thatë, mbledhjen e misrit, korrje e çveshje,
etj".
Në mbarëvajtjen harmonike, pa grindje e zënje
midis anëtarëve të familjes , kanë dhënë
kontributin e tyre të gjithë anëtarët
duke punuar dhe duke u sjellë me rrespekt ndaj njari-tjetrit,
pavarësisht nga numëri i anëtarve që ka
patur ajo. Por, në veçanti duhet theksuar, se
kontribut vendimtar kanë dhanë drejtuesit e familjes,
"i zoti i shpis " "dhe "e zoja e shpis".
Prandaj, nga "i zoti i shpis ", është
kërkuar, si domosdoshmëri për ekzistencën
dhe mbarëvajtjen e familjes së madhe në veçanti,
drejtsi në secilin veprim, si në ndarjen e punëve,
ashtu dhe në furnizimin, në plotësimin e nevojave
që ka sejcili anëtar i familjes. Jo më pak
e rendësishme ka qenë dhe detyra e "zonjës
së shpis ". Ajo ka pasë peshë dhe ndikim
të madh, në ruajtjen e bashkësisë dhe
harmonisë familjare, sepse të gjitha veprimet e
saj kanë qenë shumë të ndjeshme dhe nën
kontrollin e të gjthëve, por sidomos të grave,
të cilat, duke qenë gjithë kohën në
shtëpi, kanë vënë re çdo gjë.
Pra, ata duhet të veprojnë ndërshmerisht, pa
bërë dallime: "ky asht imi, e ai asht i yti
", "kte e kam ma gjat se at tjetrin", të
jenë të pa anshëm, të mos ja mbajnë
hatrin asnjarit.
Ruajtja e harmonisë, mirëkuptimit, marrëveshjes
familjare, ka ndikuar drejtëpërsedrejti në
mbarrëvajtjen e punëve, në shtimin e pasurisë.
I zoti i shtepisë, nga përvoja, e ka ditur se aty
ku nuk ka harmoni e mirëkuptim, rrespekt për njeritjetrin,
ku nuk punojnë të gjithë pjesëtarët
e familjes me drejtësi e përkushtim, punët
nuk shkojnë mirë, nuk mund të ketë përparime
begatim, nuk mund të ketë jetëgjatsi të
bashkësisë familjare. Thuhej në Vuthaj, se
" kur në familje hyn perçamja, edhe të
tjerët ta nojn kamen ". Prandaj,kanë ruajtur
nderin e familjes në rradhë të parë ,
dhe të vetin duke mos lejuar "me jau vu kamen të
tjert", mu ba gazi i dynjas". Madje, thuhej se "aty
ku nuk ka razi as Zoti nuk nimon".
LINDJA e DJALIT
 |
Një ndër gëzimet më të mëdha,
ne mos maë i madhi,në trevén Vuthjane ka
qenë lindja e djalit, lindja edhe e një mashkulli,lindja
edhe e një pushke. Këtë gëzim, e kanë
përjetuar të gjthë pjesëtarët e familjes.
Madje , jo vetëm ata, por e kanë përjetuar
edhe të gjthë miqtë e dashamirët. Gëzimi
ka qënë më i madh, kur fëmija i parë
ka lindur djalë, kur djali lind mbas një, dy ose
më shumë motrave, kur djali lind në familje
me pak mashkuj. Kuptohet, se shumë se kushdo tjetër,
lindjes së djalit i gëzohen prinërit, nëna
dhe baba, motrat kur ka,
Në të kaluerën, lindja e djalit, lajmërohej
me të shtëna pushke. Mashkulli i shtëpisë
që dëgjonte i pari lajmin e gëzueshëm
të lindjes së djalit, dilte në oborr, ose në
dritare dhe qite 5 herë pushkë. Në rast se
burrat nuk ndodheshin në shtëpi, lajmin e gëzueshëm
me të shtëna pushke, e ipte edhe një grua,
sidomos motra për vëlla ose halla për nip.
Por, me këtë rast konsiderohej motër. çdo
grua qi dinte të përdorte armën dhe me të
të ipte lajmin egëzueshem. Ka qenë zakon që
njerëzit kur dëgjonin të shtëna me armë,
sipas traditës pyesnin: Öu, ç'asht pushka,
more?!" Përgjigja dot ishte: "O, i ka le djal
Agimit"ose "O, i ka fal Zoti djal Agimit",
etj, shprehje të ngjashme që përdoren në
raste të tilla. Urimin e jetëgjatësisë
ata që e dëgjonin lajmin mbi lindjen e djalit, mund
ta bënin duke e shoqëruar me të shtëna
me armë, ose pa të shtëna. Zakonisht ata uronin:
"O, e past me jet t' gjat, more!", "O , zoti
ja ruejt, more, e u rrit me nan e me bab!". Kuptohet
se, dhënja e lajmit me të shtëna pushke është
bërë kur ka qenë e lejuar mbajtja e armëve.
Ndërsa kur lajmi nuk mund të ipej në mënyrë
të tillë, dërgohej një i ri për ti
lajmëruar të afërmit. Ai, atje ku shkonte,
thoshte: "Myzhde, se i leu djaln Agimit"! ose "Myzhde,
se Agimit i fali Zoti djal!". Kurse ai që mirrte
lajmin e gëzueshem domosdo, duhej t'i ipte diçka
lajmëruesit. Në këtë mënyrë,
bëhej lajmërimi për të poraslindurin.
me qëllim që në këtë gëzim të
mirrnin pjesë të gjthë të afërmit,
miqtë e dashamirët. Bijat, zakonisht,lajmin për
lindjen e vëllait e mirrnin vesh më vonë mbasi
ato, në ato kohra, martoheshin larg. Dhe ato duhej ti
ipnin diçka atij që ju sillte lajmin e mirë.
Në veprimet e mëtejshme, të këtij gëzimi,
marrin pjesë gratë.Në rradhé të
parë për të parë leohën, vijnë
gratë e shtëpis dhe ato që janë më
afër, por në asnjë rast nuk harrohet pa lajmëruar
"gruja çi din me nimua lehonën", që
është me dhimbjet e lindjes e "ka nevoja për
ni çi e ka dorën e leht e fjalën e amël".
"Pamja"për lindjen e djalit është
veprim tjetër pasues. Ky veprim fillon disa ditë
mbas lindjes së djalit. Sikurse thamë fillimisht
shkojnë të afërmit, dashmirët, fqinjët
për t' i uruar nënës shëndet të mirë
e djalit jetë të gjatë e të shëndetshëm,
të rritet me nënë e babë.
Kështu pra, "me pa" shkojnë gratë
e vëllazërisë, kumarisë dhe gra të
tjera. Dhe eshtë e vërtetë, se në të
kalueren për të uruar në raste të tilla
shkonin shumë gra. Bijat, të cialt, sikurse thamë,
në të kaluerën martoheshin larg, vinin më
vonë. Por ato duhej të përgaditeshin më
mirë me peshqeshe. Gjithashtu me peshqeshe të mira
shkon "me pa"edhe nëna e nuses me gratë
që ajo e gjykon të udhës. Duhet theksuar se
në ceremoni të tilla gratë që shkojnë,
vishin me rroba të mira, shumica e tyre, me rrobat më
té mira që kanë. Po ashtu, gratë që
shkojnë "me pa", nuk mund të shkojnë
"me duar thatë". Peshqeshet pérgaditen
sipas afërsisë dhe lidhjeve të gjakut si dhe
të mundësive ekonomike që ka sejcili. Ndër
peshqeshet më të zakonshme kanë qënë
çarapë, këmisha, peshqira për të
rritur, copë e shmë sende të tjera. Pjesa më
e madhe e peshqesheve janë të punuara me dorë.
Gjitashtu, secila grua që shko "me pa"duhet
të çojë të pakëten edhe një
"sahan" petulla, llokum, një tepsi me pite
ose ëmbëlsirë.
Por, me këtë rast, nuk mund të harrohet
dhe té mos përmendet puna që bëjnë
plakat bestyte për të shpëtuar të porsalindurin
nga "syni i keq". Prandaj ato marrin masa té
shpejta duke përdorë elemntë të traditës,
por edhe të besimit fetar pér ta ruajtur djelin
nga dashakeqët. Ka ekzistuar bindja tek bestytet, se
ka njerëz "me sy të keq" dhe se një
gjë e tillë trashigohet. Për këtë
arsye, këtyre njerëzve, nuk duhet t' u mundësohet
shikimi i djalit, mbasi ata "mun e çartin ".
Plakat e tilla për ta ruajtur djalin nga syri i keq,
përdorur hajmeli dhe objekte bimore.
Lindjes, në përgjithësi kudo, të gjithë
popujt i gëzohen, por disa prej tyre veçanaërisht
gëzohen për lindjen e djalit. Ne jemi një nga
ata popuj që në bazë të traditës,
gëzohemi shum për lindjen e djalit. Kjo nuk don
të thotë se nuk i duam varzat, përkundrazi
i duam shumë.
Shkaqet kanë qenë të shumta, por ne do
të veçonim: - Në të kaluarën, në
kushtet e ekonomisë primitive, mashkulli, madje jo një
, ka qenë domosdoshmëri për të përballuar
jetën e vështirë, sidomos në krahinat
e thella malore me dimër të gjat dhe të egër,
të veçuara nga krahinat etjera. Një shkak
tjetër shumë madhorë kanë qenë luftrat
mbrojtëse, që ju imponuan popullit tonë nëpër
shekuj nga pushtues të ndryshëm si romakë sllav
e osmanë. Prandaj, edhe banorët e këtyre trevave
shpeshherë u ndëshen me këta pushtues dhe dihet
se nuk ka luftë pa humbje në njerëz. Edhe në
kohën tonë, është po aq evident dhe i
domosdoshëm shtimi i popullsisë dhe edukimi i të
rinjve me traditat më të mira atdhetare, të
cilët nuk duhet ta lëshojmë truallin e vet
vullnetarisht, duke e ditur se armiku shekullor do të
instalohet në truallin e tij. Prandaj, duhet më
qenë të vetëdijshëm, se pa djem e vajza
shqiptare në truallin tonë nuk mund të ketë
vazhdimësi etnike. Duke ju përgjigjur kërtij
amaneti të trashiguar nga brezat e kaluar nënat
shqiptare lindin shumë djem e vajza në truallin
shqipatr, i mëkojnë me qumështin dhe ndenjën
e dashurisë së përjetshme ndaj atdheut mëmë
dhe në këtë mënyrë, kudo e mbushin
me lule të jetës.
Një shkak tjetër, që ka kushtëzuar
lindjen e shumë fëmijëve, shtëpitë
e mëdha me shumë mashkuj, ka qenë vrasja për
hakmarrje. Eshtë e vërtetë se ky zakon primitiv
ka ekzistuar edhe tek popujt tjerë, por ata, shumica
e popujve të qtetëruar, kanë hequr dorë
nga zakone Té tilla të së kalurës, ndërsa
ndër ne, për fat të keq, edhe në ditët
tona, ndodhin raste të tilla. Në lidhje me këtë
fenomen negativ, nga i cili nuk mund të shkëputen
disa elementë primitiv, në shërbim të
armiqëve shekullor, duhet theksuar se, hakmarrja ose
me mirë të themi vëllavrasjen ndër ne
, e kanë ushqyer dhe e ushqejnë armiqtë e kombit
tonë, "zagarët e mretit e çdo të
huaj tjetër".
Prandaj, duke patur parasysh këto që thamë
dhe shumë rrethana të tjera, theksojmë se,
se gëzimi për lindjen e djalit ka qenë dhe
është i justifikuar sepse është gëzim
për vazhdimësinë në trojet stërgjyshnore,
burimi rinor, forcë për të përballuar
furtunat e jetës, të cilat për këtë
krahinë, si për të gjitha krahinat shqiptare
të paçliruara, kanë qenë e janë
të shumta, duke filluar që nga lashtësia e
deri në ditët tona prej nga koha kur Vajza e Vuthit
u ndesh me Harapin e Zi, deri tek plaka Vuthjane, e cila për
të mos rënë e gjallë në dorë
të serbit, u mbyt në Gërlë. Prandaj djali
është shpresë për një të ardhme
më të mirë....
EMRI (Emni)
Personifikon mbartësin e tij. Për këtë
aryse emri duhet t'i vihet sa më shpejt të porsalindurit.
Thuhet ndër ne: "me ja vu emnin djalit", "me
ja qit emnin", "kush ja qiti emnin djalit",
"me ja vnue emnin", me ja dhanë emnin se Zoti
ja ka shkrua ". Tek Katolikët përdoret edhe
termi "me pagëzue te prifti", "Pagëzim
". Zakonisht emrin te porsalindurit ja kanë vënë
baba, nëna, motra, halla, gjyshja, gjyshi, ndonje mashkull
tjetër i shtëpisë si mixha ose daja.
Emri ka shumë rëndësi, jo vetëm për
faktin se e mëriton bartësin, por edhe për
shkaqe të tjera. Në nJë farë mënyre
emri tregon shkallen e zhvillimit kulturor të një
mjedisi të caktuar, të zhvillimit ekonomik, po ashtu,
në rrethana të caktuara ka qenë dhe mbetet
déshmi historike e pakontestushme. Pér këtë,
dmth për rëndësinë që ka emri si
i tillë, bindemi se vetëdija kombëtare tek
banorét e këtyre trojeve, tani është
pakrahasimisht më e fortë dhe me e ndërsgegjësuar
se në të kaluerën. Né të kaluerën
e largët në këtë karhinë kanë
qenë prezent emrat Katolik. Ndërsa pas pushtimit
osman dhe me prenimin e besimit islam u morën edhe emrat
e kuptimit islam. Ndërsa tani kudo predominon emri me
kuptim shqip. Prandaj themi se emrat në këtë
krahinë janë të kuptimit fetar ose laik. Të
kuptimit fetar Gjoni, Mrika, ndërsa pasardhësit
e tyre kanë emra me kuptim mysliman si Ahmet Hasan, Hysen.
Kurse emrat me kuptim shqip, kombëtar janë Agim,
Burim, Blerim,Dardan,Ilir,Drita Vlora, Elabasan etj. Duke
patur parasysh sa sipër, rezullton se emrat laik kanë
kuptim historik: Nika i besimit katolik, Ahmeti, i biri i
tij, i besimit mysliman. Duke llogaritur brezat afërsisht
përcaktohet periudha e kalimit të këtyre banorëve
nga besimi katolik, në atë mysliman. Po ashtu emrat
laik mund të kenë kuptim gjeografik si Dardan. Dardana,
Valbona, Vlora etje. Mund të jenë emrat me origjinë
bimore, si Lule, Vjollca, Manushaqe, ose me origjin shtazore
si Dash, Sjap, Mushk, Plesht etj. Prandaj, theksojmë
se në vënien e emrit kanë ndikuar shumë
rrethanat e caktuara të zhvillimit Kulturor dhe ekonomik,
rrethanat politike dhe fetare, madje në të kaluarën
pak më te largët edhe bystianitë.
Pra çdo njeri ka emrin e vet dhe vetëm ai përgjigjet.
Por, ne disa raste, sidomos në të kaluarën,
emri edhe nuk është përmendur, madjeemri i
dy njerëzve më të dashur, burrit dhe grues,
bashkëshortet nuk i kanë thirrur njëri - tjetrit
me emër por emrin e kanë zëvëndsuar me
fjalet tjera si, "a nieve ti?", "a Nieve ti,
more?""a nieve ti, mori?" "fisnike",
"Fisnik", "Sojnike", "baxhi",
"ky", "kjo", "ai", "ajo",
"im shoq ", "gruja", " burri",
etj.
Por nuk janë përmendë as disa emra të
tjerë si " kjoft lavdua!" (Zoti), "i lumi
", "i madhnuemi", " i gëzuemi",
"i madhi ", äi çi i kjofshim falë"",
" ai çi kjoft i lavduem", por ka edhe të
tjera si "kjoft larg nesh" "ai çi kjoft
tretë ", "ai çi ja preft gja rrugën",
" ai i sheut" (djalli), "toksi" (gjarperi),
"ajo çi hangërt gërhan e gërshan"(shtriga),
"rahmetliu ", "ai çi past shpiert rahmet",
" ai çi i kjoft toka e let" (i vdekuri).
Emri në traditën Vuthjane ka qenë dhe mbetet
i shejtë, i paprekëshem, sepse gjithmonë, ai
ka nënkuptuar karakteristikat thelbésore të
mbartësit té tij si burrërinë, fisnikërinë,
besén, trimërinë, e virtyte të tjera
qofshin këto të mira apo të liga. Pér
rëndësinë që ka patur emri në rrethana
të caktuara, mjafton të përmendim një
nga ngjarjet e shumta që realisht kanë ndodhur me
udhëtarë, të cilët duke përmendur
emra të caktuar u kanë dalur përpara dhe kanë
parandaluar të papriturat e padëshirueshme.
Kështu udhëtari, për të evituar një
të keqe që ai ka menduar se mund ti ndodhë,
ka qenë e mjaftushme që të shqiptojë fjalën:
Öu, more Dash Ujkani, jam në besë tane, more!".
Në këtë mënyrë udhëtari ka kërkuar
besë nga një burrë i fortë, prandaj në
qoftëse në atë vend është ndodhur
dikush në pritë, ai domosdo duhet të marrë
parasysh faktin se tanimë, do të vrasë një
njeri në besë të tjetërkujt. Për
këtë arsye, burri trim që i ka njohur doket
dhe traditat e atyre anëve e ka ditur se nuk vritet njeriu
në besë, prandaj është tërhequr nga
nje veprim i tillë. Por, për rendësinë
që ka emri, ka dëshmi të shumta në shkallë
kombëtare dhe krahinore. I përjetëshem në
ndërgjegjen kombëtare shqiptare ka mbetur emri i
heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Po ashtu janë simbole të luftës për pavarësin
dhe Liri emrat Ymer Prizreni, Ismajl Bej Vlora, Hasan Prishtina,
e shumë të tjerë. E simbole të tillë
ka çdo krahinë, pra edhe krahina Vuthjane, sikurse
janë Nrel Bala, Tuç Gjoni, Kurt Lula, Sadik Rame
Vuthi, e shumë të tjerë në rrjedhën
e kohës dhe në lidhje me ngjarje madhore. Prandaj
deri në ditët tona janë ruajtur edhe shprehje
të tilla: öu n'bes, more!", "emni i tij
a i nigjuem n' shtat krali!", "i ka shkue emni n'Stamboll!",
" mos e korit emnin e babës!", "mos e
korit emnine t'parve!", "kur ja nien emnin, ik n'
pikë t' vrapit!", "siç e ka emnin asht
edhe vet", " emni i tij ka kjen nera e shpis, vllaznis,
fisit, nera e bajrakut!", "thujem se i kujt je,
se t' thom se kush je", "thujëm se me ke rri,
se t'thom se kush je", "emni i mirë s'harrohet
kurr", "lumi aj çi le emën t'mir mrapa".
Por, emrin në forma e trajta të ndryshme nëpër
shekuj, e ka përjetësuar edhe rapsodi popullor në
epikën legjendaree historike si dhe në këngëte
tjera. Kështu i thotë djali vajzés; kur ajo
e qorton pse ja ka permendur emrin:
S'kam dasht çikë me
t' korit,
Deshta zanin me ta qit,
Me ta çue o zanin peshë
s' ma ka kush ket jaraneshë!...
Kurse në një kangë tjetër vajza i
thotë djalit:
Sa t' jetë jeta me jetue
Emnin tan s' kam me harrue
Prandaj, vërtetë emri ka randësi dhe domethënie
të madhe për mbartësin e tij.
Në kohën tonë lidhje me emrin, vihet re vetëm
një dukuri pozitive në karhinën në fjalë.
Emrat vihen me kuptim shqiptar, në shumicën e tyre
laik. Dukurija tjetër, e përhapur shumë në
krahinat e tjera në shtetin shqipatr për të
vënë emra të kuptimtë, të huaj sipas
konjukturave politike, në këtë krahinë
as ka ekzistuar as ekziston.
Mbiemrat ndryshojnë nga emrat vetiakë.Megjithëse
duhet thënë se në këtë krahinë
mbiemri në kuptimin e përdorimit të sotëm,
ka hyrë shumë vonë, mbasi në të kaluerën,
djali thirrej në emër të babës si Rexhep
Buti dhe jo Rexhep Ahmetaj. Gjithashtu mbiemri nuk i përket
vetëm një ose disa personave, por tregon diçka
me shumë, trungun, prejardhjen e vëllazërisë,
fisit, vendin prej nga vjen një person ose familje. Kështu
sot në shumë vende e krahina të ndryshme kemi
familje me prejardhje nga treva Vuthjane, të cilat në
kujtim të prejardhjes kanë ruajtur mbiemrat Vuthi
Kelmendi, duke qenë të vetëdijëshem se
treva Vuthjane është trevë Kelmendase dhe se
Vuthjanët, janë Kelmendas në trevën e
tyre autoktone. Të dy këta mbiemra janë të
përhapur shumë në familjet me origjinë
Vuthjane me banim në rrethe të ndryshme të
Kosovës, por që i takojmë edhe në Tiranë
e Vlorë.
Në treven Vuthjane sot takojmë këto mbiemra:
Gjonbalaj ------ ---- qe vjen nga bashkimi Gjon dhe Bala.
të cilin e mban edhe fshati, Pra, njëkohësisht
tregon prej ardhjen dhe vendbanimin. Mbiemrin Gjonabalj aktualisht
sot e mbajnë të gjthë banorët e fshatit
pavarësisht nga fakti se ata ju përkasin vëllazërive
të ndryshme;
Qosaj ---- ---- mbiemër që tregon fshatin prej
nga janë banorët që mbajnë këtë
mbiemër; pastaj kemi mbiemrat e vëllazërive
si:
Ahmetaj
Dedushaj
Ulaj
Vuçetaj
Bruçaj
Kukaj
Goçaj
Selimaj
Tek banorët Vuthjanë, në trevën e
tyre autoktone si dhe tek ata qe kam takuar në vende
të tjera, kam takuar edhe me mbiemra që tregojnë
profesionin e tyre, por nuk kam takuar mbiemra që tregojnë
mjeshtërin ose difekte trupore.
Theksojmë, se në periudhën e pushtimit të
kësaj krahine nga Mali i Zi në vitin 1912, u bë
ndryshimi i dhunshëm i emrave dhe mbiemrave Pas kthimit
në fenë e tyre u lejua edhe mbajtja e emrit të
mëparëshem, por tek mbiemri mbeti shtesa - viq,
e cila u ruajt deri në vitin 1941 kur kapitulloj mbretëria
jugosllave. Por, megjithëse gjatë perudhës
1941 - 1945 mbiemrat në këtë krahinë u
pastruan nga shtesat e dhunëshme jugosllave, mbas ripushtimit
në vitin 1944, përseri rivehen prapashtesat jugosllave,
mbas ripushtimit në vitin 1944, përseri rivehen
prapashtesat e dhunshme tek mbiemri. Sot shumë Vuthjanë
kanë mbiemrat e tyre në trajtën shqipe, por
ka dhe mbiemra me prapashtesën e dhunëshme.
|
 |  |