 |  |
Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit
Shtrirja gjeografike
Malësia e Kelmendit shtrihet në skajin verior
të Alpeve Shqiptare, në trekëndëshin e
formuar mes kufijve shtetërorë të Republikës
së Shqipërisë, Republikës së Kosovës
dhe Malit të Zi. Në kuptimin etnografik, fisi i
Kelmendit bën pjesë në malet e Malësise
së Madhe. Sipas shtrirjes fisnore Kelmendi kufizohet
me Hotin, Kastratin dhe Shalën në Jug, me Gash e
Krasniqe në Lindje, kurse me Vasojeviqët, Kuçin,
Triepshin dhe Gruden në Veri. Banorët e këtij
fisi, banojnë kryesisht rreth dy burimeve të lumit
Cem, Vuklit dhe Selcës dhe lumit të Vermoshit. Komuna
e Kelmendit sot ka 6344 banorë, të përqëndruar
në fshatrat: Vermosh, Lëpushë, Selcë,
Tamarë, Brojë, Kozhnja, Nikç, dhe Vukël.1)
Emri i fisit.
Emri këtij fisi vjen nga fjala latine clemens-(tis),
dmth. i urtë, i thjeshtë, i mirë.@2)
Këtë emërtim të natyrës së njeriut,
më vonë e gjejmë si emër personal, Clemens.
Ndër shkrimet e studiuesve të huaj e gjejmë
në forma të ndryshme fonetike "Klemnti"
"Klimenti", "Clementiner"etj. kurse në
gjuhën shqipe "Klmen-Klmente"@3)
gjegjësisht "Kelmendi". Për herë
të parë, në kuptimin e sotëm, si emër
personal, e takojmë tek zëvendësi i tretë
i Shën Pjetrit Papa Klementi e I-rë (90-101),@4)
cili duke predikuar fjalën e Krishtit ndër paganë,
u martirizua. Kelmendasit këtë e kanë mbajtur
për Shenjt, dhe mbrojtës të fisit në tërë
historinë e tyre duke ia kushtuar njëherit edhe
tempujt e lutjes ndër kisha. Për këtë
arësye kelmendasit në menyrë të veçantë
i nderonin papët e Romës. Këtë gjë
na e dëshmon në një relacion për kelmendasit
dërguar Selisë së Shenjte në vitin 1636,
nga At Bonaventura. Ai shkruan se kur se serbët e fesë
ortodokse, të ardhur në tokat kelmendase për
të shpëtuar nga barbarizmat e ushtrisë turke,
filluan ta fyenin papën, këta të fundit i kërcënuan
se do t´i përzinin nga territori i tyre fisnor.@5)
Si toponim, ky emër identifikohet me emrin e kështjellës
bizantine "Klementiana", të cilën e përmend
historiani i epokës Justiniana Prima (527-565), Prokopie
i Cezaresë. Sipas historianit serb Vladislav Popoviq,
kjo kështjellë duhet të këtë qenë
e vendosur ndër viset e Kelmendit, ose në veri të
liqenit të Shkodrës.@6)
Kurse për Sufflay-n kjo fortesë duhet të këtë
qenë në rrugën romake Shkodër - Prizren,
tek dogana e Shpëtimit Shenjtë (Svetog Spasa).@7)
Origjina
Origjina e fisit të Kelmendit, si dhe fiseve të
tjera të Malësisë së Madhe, sipas trajtimeve
shkencore, deri me sot është ende e paqartë.
Por e gjithë kjo nuk do të thotë se nuk duhet
të bëhen përpjekje për të plotësuar
apo shtjelluar sado pak atë çka albanologët
shqiptarë e të huaj, si Selami Pulaha, Rrok Zojzi,
Milan yfflay, Franz Baron Nopcsa, Georg Stadtmuller,
Giuseppe Valentini dhe në kohën e fundit, Peter
Bartl-i, kanë shkruar mbi origjinen e fisit në fjalë
si dhe për fiset e tjera të Malësisë së
Madhe.
Albanologët e huaj si dhe ata shqiptarë, në
mungesë të dokumenteve të shkruara, prejardhjen
e këtij fisi e shpjegojnë sipas koncepteve të
gojëdhanave popullore. Kështu, sipas misionarit
françeskan Bernardo nga Verona, i cili për shumë
vite punoi në mes të këtij fisi, në relacionin
e dërguar "Kongragates për Ungjillzim"
në vitin 1663, në mes të tjerash shkruan: "nuk
është e lehtë të thuhet nga e ka origjinën
ky fis, por është bërë zakon me thënë
se kjo popullsi është pasardhëse e Kuçasve
ose e fqinjëve të tjerë";@8
, kurse Arqipeshkvi i Shkodrës (1656-1677) dhe më
vonë i Shkupit (1677-1689) Pjetër Bogdani, në
relacionin e vet të vitit 1685 dërguar Selisë
së Shenjte, ndër të tjera thotë: "sipas
gojëdhënës, i pari i kelmendasve ka ardhur
nga rrjedha e epërme e lumit Moraça"@9),
dmth nga fiset e vjetra shqiptare kodrinore, të cilat,
sipas Valentinit janë: Piperri, Kuçi, Vasojeviçi,
Bratonoshiqi, Palabardhet-(Bjelopavliqi) @10)
etj. Më pas, i pari i kelmendasve u martua me një
vajzë nga fisi i Kuçit dhe djalit të parë
të lindur ia vuri emrin Kelmend.@11)
Ndërsa albanologu i shquar Zef (Giuseppe) Valentini,
pas shumë versionesh, si më te besueshmin variant
mban atë se ky fis rrjedh nga fisi i vjetër Kodrinor
shqiptar i Kuçit, e ky i fundit rrjedh nga fisi Berishë,
të cilin në dokumente e gjejmë që në
vitin 1242.@12). Sidoqoftë,
një mbiemër të dokumentuar të këtij
fisi ne e gjejmë në vitin 1353 me emrin, Gjergji,
i biri Gjergj Kelmendit nga (vendi) Spasë, (dominus Georgius
fulius Georgii Clementi de Spasso)@13)
tek fortesa e lartpërmendur Clementiana, kurse si fis
të organizuar mirë, e takojmë në vitin
1497.
.Megjithatë, kur themi se zanafilla e fiseve sipas
konceptit shkencor dhe atij popullor zakonisht lidhet me emrin
e toponimit, ose me emrin e një antroponimi në patronim
(mbiemër njeriu), më vonë në emër
vllaznie dhe së fundi në emër fisi, dhe se,
mbeturinat e rendit fisnor në Shqipëri janë
të trashëguara nga kohët më të lashta
të historise sonë,@14)
d. m. th. nga trungu ilir, e kur në anën tjetër
mësojmë se sa i lashtë qenka prejardhja e këtij
emri, në mënyrë të natyrshme i bëjmë
vehtes pyetjen: Vallë, a mund të na tregojnë
gjë fjalët e enciklopedisë gjermane, të
botuar në Altenburg në vitin 1824, e cila këtij
fisi i kushtoi 22 rreshta, e ku ndër të tjera thotë:
" Kelmendasit, Arnautët, janë nga fiset e vjetra
ilire".@15) Pra, ndoshta
kemi të bëjmë me një fis të lashtë,
i cili gjatë invazioneve barbare sllavo-avare në
trojet tona mbeti krejtësisht nëndhe deri në
shekullin e XI-të (sikurse vetë emri i popullit
shqiptar dhe historia e kishës shqiptare), sepse, siç
e dimë, ky fis në rrjedhen e historisë kombëtare
shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm
në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe atij fetar
në Shqipërinë e Veriut, me çka shkurtimisht
do te njihemi në vazhdim.
Mbi historinë e fisit
Siç shihet në regjistrimet e hollësishme
të Defterit të Sanxhakut të Shkodrës të
vitit 1497, kelmendasit para pushtimit turk jetonin në
dy fshatra: fshatin Selçisha ku ishte vendosur katundi
Liçeni dhe fshati Çpaja-Spai-Ishpaja ku ishin
vendosur katër katunde dhe kishte 152 shtëpi @16).
Truallishta e përbashkët quhej Petersjan-Petershban-Bishtan,
dhe gjendet një orë larg Selcës, në veri
të Podgoricës.
Fakti se në vitin 1582 në Kelmend shënoheshin
vetëm 70 shtepi @17), tregon
qartë se me ardhjen e pushtuesit aziatik ky fis u detyrua
të bëjë lëvizje brënda Malësisë
dhe të shpërngulet në viset e Anamalit, fshatrat
Muriq, Shestan dhe Goljemadhë në Mal të Zi1
. Kurse sipas relacionit të providurit Marin Bolica,
procesi i organizimit territorial i këtij fisi si dhe
fiseve Hot, Piper, Kuç etj, @19)
në fund të shekullit të XVI kishte përfunduar
dhe ishte formuar tashme teritori bazë i Kelmendit. Në
relacionin e tij të vitit 1638 dërguar Selisë
së Shenjtë, ipeshkvi i Sapes Frang Bardhi, thotë:
"Kelmendasit banojnë ndër male shumë të
mëdha dhe me pozita të forta ndërmjet Bosnjës
dhe Shqipërisë. Ata janë me kombësi shqiptare,
flasin shqip dhe janë të përfshirë ndër
kufijtë e Shqipërisë, ushtrojnë besimin
tonë të shenjtë katolik romak".@20)
Përndryshe, sipas dokumenteve, që në vitin
1671 këtë fis e gjejmë të ndarë në
tri vllazní: Selcë, Vukel, Nikç dhe në
vitin 1688 edhe vllaun e katërt Bogë @21)
që në fakt paraqitnin katër degët e fisit
të shpërndarë nëpër katër lugina.
Sipas ipeshkvit te Sapes, Gjergj Bardhit, i cili më
8 korrik 1634 beri një vizitë baritore në malet
e Dukagjinit, Pultit e Kelmendit, në këtë vit,
ky fis kishte 300 shtëpi me 3200 shpirtëra @22).
Kelmendasit gjatë pushtimit
otoman
Pas rënies së Medunit më 1457, dhe më
në fund, të Shkodrës më 1479. @23)
ushtria pushtuese osmane ngadalë arriti tashmë që
pushtetin e vet ta shtrijë edhe në viset e Malësisë
(së Madhe). Kelmendasit në pjesen më të
madhe të tyre, përkundër njohjes së pushtetit
sulltanor në vitin 1497, me gjithë vështërsitë
e mëdha jetësore me të cilat ballafaqoheshin,
qendruan të panënshtruar duke mos paguar asnjë
lloj detyrimi ndaj pushtuesit deri në vitin 1664. @24)
Deshmi për këtë është fakti se kelmendasit
nuk ishin të regjistruar në Defterin e Sanxhakut
të Shkrodrës të vitit 1485. Pothuajse ekzistonte
traditë në të gjithë malësorët
të refuzohej dora e pushtuesit turk. Kjo mund të
vërehet edhe në relacionin e Marin Bicit (1608-1624),
arqipeshkvit të Tivarit, i cili në vitin 1610 i
shkruante Selisë së Shenjte, se malësorët
janë vetëm të besimit latin (katolik) të
ndarë në fise Kelmend, Grudë, Hot, Grise, Kastrat,
Tuz, Shkrel, etj. Përsa i përket Kuçit, gjysma
e tyre janë të fesë ortodokse, pjesa tjetër
të fesë katolike, e të gjitha këto fise
jetojnë në bjeshkë të papërshtatshme
dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar tuqve.
@25). Përndryshe, Bici në
këtë relacion emërtimin Kelmendi e përmend
për gjithë konglomeratin verior shqiptar, duke përfshirë
këtu edhe fiset gjysëm të slavizuara si, Bjelopavliqët
(Palabardhet), Piperët, Bratonozhiqet dhe Kuqasit. @26)
Organizimi i parë i malësorëve me përmasa
ballkanike, për t'iu kundërvënë turqve
me përkrahjen e aleatëve, të Selisë së
Shenjtë dhe spanjollëve, mbajtur në Kuç
në vitin 1614, bëri që Kelmendi të bashkojë
650 luftëtarë @27)
dhe të formohej aleanca ushtarake "Bashkimi i Maleve"
@28 për luftë çlirimtare
kundër osmanllinjve. Kështu, malësoret u bënë
një fuqi e rëndësishme, e cila përcaktoi
fatin e sundimtarëve të Sanxhakut në grindjet
e tyre për pushtet. Nuk kaluan shumë vite dhe pjesa
më e madhe e zonave malore duke udhëhequr kryengritje
të vazhdueshme hodhi poshtë si detyrimet e vitit
1497, ashtu edhe regjimin e timarëve. @29)
Kështu, në fillim të shekullit XVII,
spahinjtë u dëbuan përgjithmonë nga 11
krahina të Malësisë së Madhe, pra edhe
nga Kelmendi, i cili sipas relatorëve kishtarë,
bëri kryengritjet më të mëdha duke qenë
edhe i favorizuar nga shtrirja gjeo-strategjike. Shumica e
malësorëve, pas sakrificave të mëdha,
rrënimeve, dëmtimeve, marrjes së njerëzve
si skllevër, mbeti fshatarësi e lirë. @30)
Kelmendasit, të lirë nga armiku nëpër
malet e tyre, për shkak mungesës së tokës,
luftonin me armikun tjetër, varfërinë, e cila
ata i detyronte të grabisnin pronat e feudalëve,
karvanet tregtare dhe disa herë vetë qytetet. M
Bolica, në kronikën e tij të vitit 1614, thotë
se rajoni i Plavës dhe i Gucisë, të cilin e
administronin turqit, është shkatërruar shumë
herë nga plaçkitja e kelmendasve që jetonin
në fqinjësi direkte. Për këtë, Porta
e Lartë, në vitin 1612, u detyrua nën udhëheqjen
e pashait të Podgoricës, Cem Çaushit @31)
të ndërtonte një fortesë të madhe
mbi fshatin Gerçar, në vendin e quajtur Godilje,
fortesë që u emërtua Qytet i Ri. Përndryshe,
kelmendasit i quajnë njerëz të palodhur dhe
trima. Ipeshkvi i Sapës Frang Bardhi, për kelmendasit
sulmues, në një relacion të vitit 1638 thotë
se, ata u bënin sulme të pandërprera karavanave
në Shqipëri, Bosnjë dhe Serbi. @32)
M. Bolica, shkruan gjithashtu se sulmet e këtij fisi
si dhe fiseve të tjera, kanë arritur deri në
Filibe, qytetin e sotshëm Plovdiv në Bullgari @33).
Këtë gjë kelmendasit e bënin me siguri
edhe për shkak të grumbullimit të materialit
luftarak për të bërë luftë me turqit.
Kjo shihet në luftrat çlirimtare të udhëhequra
më vonë kundër Asllan Pashës së Podgoricës
në vitin 1613, Ibrahim Agës të Shkodrës
në vitin 1617, dhe Mehmet Beut në vitin 1633 etj.
Në vitin 1638, pas një përgatitje të
gjatë, me direktivat e vetë Sulltan Muratit IV (1623-1640),
nën udhëheqjen e Vuço Pashës nga Bosnja
@34) dhe sanxhakbeut të
Shkodrës, Ali Çengiqit, ku morën pjesë,
sipas ipeshkvit të Sapës Frang Bardhit 15.000 ushtarë
(kryesisht me përbërje turq, dalmatinë, serbë
bullgarë dhe boshnjakë), qeveria turke bëri
një luftë masovike, vendimtare për shkatërrimin
e këtij fisi heroik @35).
Por edhe pas një lufte njëvjeçare nuk ia
arriti që t'i mposhtë trimat kelmendasit, të
cilët me një luftë vetmohuese ia arrtitën
ta mbrapsin në vitin 1639 armikun. Madje ata shpreheshin
se, vetë Papa i Romës është lutur për
ne qe të na ndihmojë Zoti në këtë
betejë. Kështu kelmendasit, edhe pse të dërrmuar,
ruajtën amanetin e të parëve: "fe dhe
atdhe".
Megjithatë, kelmendasve nuk iu desh të prisnin
shumë për luftën e tyre: në vitin 1645
filloi lufta 25 vjeçare për Kretën, një
ballafaqim ky veneciano-turk që e kishte arenën
e luftës në Ballkan. Kelmendasit gjatë kësaj
kohe hynë në marrëveshje me venecianet dhe
në muajin gusht të vitit 1648 nga paria e Kotorrit
morën ftesë, që së bashku t'u kundërviheshin
turqve për t'i çliruar tokat shqiptare deri në
Krujë. Si datë për të sulmuar Shkodrën
u caktua 27 shkurti 1649, por edhe pas përgatitjeve të
mëdha që u bënë në Budva, sulmi nuk
u realizua @36)
Mëvonë, për shkak të ruajtjeve të
pozitave të veta të cilat kërcënoheshin
gjithnjë nga hordhitë osmane dhe për arsye
të islamizimit të një pjesë të fisit,
Kelmendasit për një kohë u terhoqën nga
kjo marrëveshje veneciane, në trojet e veta. Por,
gjatë viteve 1686-1699, kur austriakët avancuan
deri ne Prizren dhe Shkup në luftë kundër osmanllinjve,
kelmendasit përsëri ndryshuan qëndrimin e tyre
dhe iu bashkangjitën gjeneralit austriak Piccolominit,
@37) i cili kishte përfshirë
në marreveshjen e 12 tetorit 1689. edhe fisin e Kelmendit.
@38 Dyshimi i shprehur nga autorët
serbë mbi pjesëmarrjen e kelmendasve në luftën
e madhe austriako-turke (1683-1699), është i pabazuar.
Këtë gjë shumë qartë e deshmojnë
burimet austriake në fund të XVII. Jo rastësisht,
Graf Luigi Ferdinand Marsigli (1658-1730), në një
promemorie, drejtuar mbretit Leopoldit I, @39)
më 1 prill 1690 për Shqipërinë
dhe kelmendasit thekson se, "Pikolomini bëri marrëveshje
me Kelmendasit dhe me ata që jetonin në Rozhajë
dhe përrreth saj" dhe, se "Kelmedasit jetojnë
në Shqipërinë Turke". "Ata - vazhdon
Marsigli - shtrihen nga afersija e Prishtinës, në
Pejë e Plavë deri në Shkodër" @40).
Këtë me siguri e thotë për arsye se Kelmendasit
kanë qenë të shpërndarë edhe në
këto vende, së paku në rrethin e Pejës.
Për një shtrirje të ngjashme na flet edhe harta
venedikase e Giovanni Giacomo Rossi-t, e vitit 1689 ku shihet
qartë se territori i këtij fisi është
i shtrirë deri në Hercegovinë.
@41) Graf Marsigli, këtë e shkruan për
të treguar rëndësinë e madhe që kishte
ky fis. Marsigli, i cili gëzonte një autoritet të
madh në shtabin e perandorisë austro-hungareze,
nuk mund të ishte i keqinformuar, gjë që e
pohon edhe Rajko Vaselinoviq.
Në vitin 1700, për t'i mposhtur kelmendasit,
Porta e Lartë angazhoi pashain e Pejës dhe të
Dukagjinit, Hodoverd Mahmutbegun, i cili me dredhi dhe pará
depërtoi në drejtim të Ulqinit dhe Tivarit,
pasi nënshtroi Malësinë e Madhe @42).
Sipas relacionit të vitit 1702 dërguar Selisë
së Shenjte nga arqipeshkvi Shkupit, Pjetër Karagaqit,
kelmendasit, pas një rezistence të spikatur, nga
dhuna e madhe 274 familje u detyruan të shpërngulen
dhe të vendosen në rrethin e Novi Pazarit, në
Peshtër, Rozhajë dhe Rugovë. @43)
Kështu, vazhdoi shpërngulja pakthim, tashmë
masovike e kelmendasve e cila kishte filluar më parë,
që në vitet 1661, 1667, 1669 në grupe të
vogla për në Plavë e Guci. @44)
Për gjendjen e tyre të mjerë ekonomike dhe
fetare, më së miri njoftoi Arqipeshkvi i Tivarit
Vinçenc Zmajeviqi (1701-1712) në letrat e tij
baritore dërguar Selisë së Shejtë që
nga viti 1702 e tutje,. i cili tashmë i kishte marrë
nën kujdesin e vet atëror @45).
Gjatë luftës ruso-austriake kundër turqve
(1735-1739), austriakët përsëri u përpoqën
si shumëherë më parë ta çlirojnë
Balkanin nga hordhitë turke dhe arritën madje deri
në brendësi të Serbisë, ku më 28
korrik 1737, pa luftë, morën Nishin dhe Novi Pazari.
Patriarku serb i Pejës Arsenije IV. Shakabenda, arqipeshkvi
i Shkupit Mëhill Suma, ai Ohrit Joasaf, hynë në
bisedime të fshehta me Vjenën, @46)
për të organizuar një kryengritje. Kelmedasit,
së bashku me fiset e tjera të Malësisë,
me këtë rast i dhanë një mbështetje
të fortë këtij organizimi. Në anën
tjetër, shtabi perandorak u kishte premtuar shqiptarëve
se në rast të vendosjes së paqës dhe nëse
rajonet e tyre nuk çliroheshi nga sundimi turk, malësorët
do të mund të emigronin në rajonet perandorake,
d.m.th. në brendësi të Serbisë. Por, fatkeqësisht,
shkatërrimi ndodhi më shpejt se sa kelmendasit dhe
kryengritësit e tjerë kishin imagjinuar. Kështu,
austriaket u detyruan të zbrapseshin e të hiqnin
dorë edhe nga Prishtina. Me 24 gusht ra Novi Pazari,
ku kishin përparuar 200 kelmendas, 200 nga Hoti e 100
nga Gruda. Kryengritësve shqiptarë dhe serbë,
së bashku me trupat austriake nën komanden e kolonelit
Lentulus, iu desh të tërhiqeshin për në
Kryshevc47). Pas këtij dështimi më 4 tetor
kelmendasit dërguan një përfaqësues në
shtabin austriak tek feldmarshali Sekendorf për të
kërkuar si mjet shpëtimi, emigrimin në Banat-Vojvodinë.
Kështu, në nëntor të vitit 1737, një
grup i madh i këtij fisi, së bashku me disa nga
fiset të tjera të Malësisë së Madhe,
rreth 4000 vetë, @48 u dërguan
në rajonet e Rudnikut, Nishit, Mitrovicës, Sremit,
Karlovcit. Në vitin 1738, për shkak të sulmeve
barbare turke në Valjevë, u masakruan dhe robëruan
3000 shqiptarë dhe serbë. Kjo bëri që
disa nga malësorët të kthehen në trevat
e veta të okupuara, një grup t'i bashkangjitej ushtrisë
austro-hungareze, kurse një pjesë tjetër të
mbetet në Serbi, ku më vonë në vitet 1749-55
u përqëndruan në banim të përhershëm
në fshatrat Hritkovci, Nikinci dhe Jarak. @49)
Në këto vende kelmendasit qëndruan dhe ruajten
deri në gjysmën e dytë të shek. 19 gjuhën
dhe etninë e tyre. Megjithe ambientin orthodoks serb
përreth, ata mbetën katolikë. Sipas regjistrimit
të vitit 1900 këto fshatra numëronin 4438 banorë
shqiptarë, @50) kurse sipas
një kronike në vitin 1921, në Hritkovc flisni
akoma 5 vetë shqip dhe në Nikince vetëm 4 vetë.
@51) Por në këtë
popullatë tashme të sllavizuar edhe sot e kësaj
dite mbetet e pashlyer vetëdija e origjinës.
Kelmedasit që mbeten në Shqipëri nga viti
1737, (bëhët fjalë për më shumë
se gjysmen e fisit) vazhduan revoltën kundër turqve
edhe pas tërheqjes së austriakëve, ashtu si
dhe fiset e tjera kodrinore. Ekspedita ndëshkimi për
nënshtrimin e kelmendasve u zhvilluan edhe në vitet
1739, të udhëhequra nga Ibrahim pasha i Trebinjës,
dhe në vitin 1740, nga Sulejman Pasha i Shkodrës,
i cili kishte superioritetin absolut, por nuk e përjetoi
gjatë këtë sukses, sepse po në këtë
vit vdiq @52).
Gjatë luftës austro-ruse me turqit 1787-1792,
ku merrnin pjesë edhe malazezët, me përjashtim
të Piperit, fisi i Kelmendit nuk i mbeshteti. Kjo mospërfshirje
erdhi vetëm nga antagonizmi i tyre kundrejt malazezve
@53). Këta, së bashku
më banorët e Kuçit, me të cilët
pothuajse gjithmonë qëndronin së bashku, kësaj
herë qëndruan në anën e Mahmut Pashë
Bushatliut, i cili duke manovruar mes Austrisë e Rusisë,
donte të krijonte një pozicion të pavarur kundrejt
Portës @54)
Në kohën e Rilindjes Kombëtare, në
mesin e atyre burrave të Malësisë së Madhe
të cilët moren pjesë në Lidhjen Shqiptare
të Prizrenit në vitin 1878, ishte dhe seljani Ujke
Gila, @55) si vëlla më
i madhi i katër bajraqeve që kishte Kelmendi: Selca,
Vukli, Nikçi dhe Boga. Sidomos gjatë dhe pas Lidhjes
Shqiptare, kelmendasit ishin nga ato fise që u ngriten
kundër dhënies së territoreve shqiptare, Malit
të Zi. Të fuqishme ishin edhe protestat e tyre kundër
të ashtuquajturit kompromisi "Corti" mbi shkëmbimin
e territoreve. @56)
Më 24 mars të vitit 1911, Turgut Pasha, komandanti
i ekspeditës turke kundër kryengritësve malësorë,
shpalli tradhtarë disa prej burrave më të nderuar
të Malësisë së Madhe. Në mesin e
tyre ishin edhe Fran e Mirash Pali, Lucë Mark Gjeloshi
nga Selca @57). Por e gjithë
kjo, si dhe shumë kercënime e vrasje të tjera
që iu bënë këtij fisi nga pushtuesit,
nuk i zbrapsen këta trima që të marrin pjesë
në gëzimin shumë të pritur, krah për
krah me Hot, Grudë Kastrat, Shkrel e Shalë në
majën e Bratilës së Deçiqit, më
6 prill 1911, ku me urdhërin e trimit legjendar Dedë
Gjo' Luli, Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe
Pjetër Zefi ngriten flamurin kombëtar shqiptar @58
. Kelmendasit nuk mbetën prapa as në Kuvendin e
Gërçes, i cili u mbajt më 10-23 qershor të
1911, në kulmin e kryengritjes së Malësis së
Madhe, duke dërguar si përfaqesues të vetin
Lule Rapuken nga Vukli, Col Dedën nga Selca, Llesh Gjergjin,
bajrakatarin e Nikçit @59).
E kështu, malësorët kelmendas, tashmë,
luftë pas lufte ishin të molisur dhe të shperndarë.
Numri i tyre në vendlindje në vitin 1916 ishte:
Selca 852 banorë, Vukli 712, Nikçi 685, Boga 228,
gjithsejt 2475 banorë. @60)
Po kaq e rëndësishme në historinë
e ketij fisi ishte koha kur nga shtetet fqinje bënë
përpjekje si shumë herë më parë t'i
zaptonin trojet tona. Kështu Kelmendi, përkatësisht
paria e Bogës së bashku me fiset e tjera, më
2 korrik 1919 nënshkruan Memorandumin që do t'i
dërgohej Konferencës së Paqës në
Paris @61), ku shprehën
qartë kundërshtimet për cungimin e trojeve
stërgjyshore. Po kështu, këtë pakënaqësi
e shprehën së bashku me malësorë të
tjerë edhe me grykën e pushkëve në vitin
1920, duke i dëbuar ushtritë grabitqare serbo-malazeze
nga këto vise njëherë e përgjithmonë.
Më në fund, pas marrjes së pushtetit në
Shqiperi nga forcat komuniste në vitin 1944, për
Malësinë e Madhe si një zonë atdhetare,
liridashëse dhe fetare, nisi një epokë e re
e vërtetë zie e ideuar prej forcash qartësisht
antishqiptarëve @62). Kështu,
më 27 dhjetor 1944, në fshatin Ivanaj të Bajzës,
burrat e mbledhur në shtëpinë e Gjokë
Tomë Kokajt @63), bënë
besëlidhjen e tyre për dalzotje kundër komunizmit
të kuq, të cilin në Shqipëri e kishin
sjellë agjentët sllavë. E gjithe Malësia
pothuajse u ngrit në këmbë dhe u organizua
për rezistencë. Kështu Kelmendit i printe seljani,
Prekë Cali, i cili më 1 janar të po këtij
viti, mblodhi të tri bajraqet e veta: Selcë, Nikç
e Vukel, dhe me 150 burra zuri vend në bregun e djathtë
të Urës së Tamarës @64).
Për rreth një muaj, ai ndaloi hovin e e të
ashtuquajturës brigadë e parë partizane shqiptare,
e cila, së bashku me forcat aleate komuniste serbo-malazezë,
dëshironin ta pushtonin pendën e hekurt të
racës shqiptare - Malësinë. Por trimat malësorë
të zbathur e të zhveshur, pa ngrënë e
pa pirë, pa armatimin e duhur, nuk mundën t'i bënin
ballë gjatë, betejave të hordhive të kuqe
prosllave. Kështu, pas betejës së përgjakshme
të janarit të vitit 1945 te Ura e Rrjollit ku morën
pjesë trimat e Kastratit, të Hotit, Shkrelit dhe
Bajzës @65) etj, e ku malësorët
pësuan disfata të renda, për ta filloi një
kalvar i ri ku me qindra u pushkatuan me gjyq e pa gjyq, nga
Kopliku, Bajza deri ne majat e Vermoshit. Si shenjë hakmarrje
për t'i gjunjëzuar deri në fund malësorët,
po këtë vit, në Shkodër, pikërisht
në Zall të Kirit u pushkatuar trimi i Kelmendit
burri 78 vjeçar Prekë Cali. Sipas raportit të
shefit së Mbrojtjes Shkodrës, Zoi Themeli, gjatë
kësaj vale, 44 Kelmendas u vranë, 21 u plagosën,
3 të tjerë u pushkatuan, sepse qenë bashkëpunëtorë
të Prekë Calit; 34 shtëpi u dogjen. Pra, ky
fis kësaj here u dogj nga vetë shqiptarët @66).
Në fund të bie në sy se, ne vitin e pavarësisë
së Shqipërisë më 1912, Kelmendi tashmë
numëronte 2.475 frymë, dhe se 3% kishin pranuar
islamizimin. Më se shumti ndër vllaznitë kelmendase
u islamizue Nikçi, deri në 10 %. @67).
Kundrejt atyre luftrave të përgjakshme pesëshekullore,
dhe presioneve të ndryshme: tatimeve të mëdha,
dërshirmes-jeniçerizmit, marrjes skllevër,
torturave çnjerëzore, likuidimeve fizike etj,
ky fis, si dhe fiset e tjera shqiptare edhe pse të dërmuar,
arritën te mbijetonin, ndokush më pak e ndokush
më shumë, duke ruajtur etninë e pastër,
fenë stregjyshore, e cila kombit i dha dritë e jetë.
Në fund, themi se fisi i Kelmendit si një gjymtyrë
e rëndesishme e popullit tonë me një organizim
dhe vet flijim të mahnitshëm gjatë tërë
të se kaluarës, edhe kundrejt demtimëve te
popullatës qe pati, luftoi dhe rreshtoi fitorët
të panumërta duke ndërkombëtarizuar edhe
më shumë çeshtjen tonë dhe duke i treguar
qeverisë osmane si dhe fuqive ballkanike se trojet e
stërgjysherve dhe etnia do të ruhen me çmim
jete si sytë e ballit.
Referencat
1. - Gj. Gruda, S. Sheme, Kelmendi,
Vështrim Gjeografik e Turistik, Tiranë, 1998, fq.
59.
2. - M. Divković, Latinsko-Hrvatski Rječnik,
Zagreb, 1900, fq.195.
3. - M. uflay, Srbi i Arbanasi, knj.1, Beograd, 1925,
fq. 60.
4. - A. Franzen, Pregled Povjesti Crkve, Zagreb,1970, fq.22.
5. - P. Bonaventura, Ascpf, Socg,Vol.263,f,43r-45v.Roma,1636
6. - V. Popović, Albania u Kasnoj Antici, në:
Iliri i Albanci, ASHAS, lib.XXXIX, Beograd,1988, fq.206.
7. - M. uflay, vep. e cit.,fq.60.
8. - Bernardo, Socg, Vol,302, f 310r-313v, Roma, 1663, në:
Marko Jačov, Le Missioni Cattoliche Nei Balcani Durante
La Guerra Di Candia (1645-1669),Vol.II, Citta Del Vaticano,
1992, fq. 353.
9. - A. Theiner, Vetera Monumente Slavorum, Meridionalium,
II. Zagarbriae, 1875, fq.217-221, në: Marko Jačov,
Spisi Tajnog Vatikanskog Arhiva, XVI-XVIII-veka, Beograd,1983,
fq.136.
10. - G. Valentini, Il Diritto delle Comunita, Firenze, 1956,
246.
11. - A. Theiner, vep. e cit., fq. 136.
12. - G. Valentini, vep. e cit.,fq. 284.
13.- M. uflay, vep. e cit., fq.6O
14. - Ibidem, fq.74.
15. - P.Bartl, Die Kelmendi Zur Geschichte eines nordalbanischen
Bergstames, Shejzat, Romë,1977, fq. 123.
16. - S. Pulaha, Kontribut Për Studimin e Ngulitjes së
Katundeve dhe Krijimin e fiseve në Shqipërinë
e Veriut në Shekujt XV-XVI, Studime Historike, nr.1,
Tiranë, 1975, fq.102.
17. - Ibidem.
18. - Ibidem
19. - I. Zamputi, Relacione Mbi Gjendjen e Shqipërisë
Veriore e të Mesme në Shekullin XVII, Vol. I, Tiranë,
1963, fq.265-273
20. - Ibidem, fq.465.
21. - G. Valentini, vep. e cit,.fq .286.
22. - I. Zamputi, vep. e cit,. Fq. 465.
23. - F. Cordignano, Geografia ecclesiastica dell`Albania
dagli ultimi decenni secolo XVI alla meta del secolo XVII,
Pont. Institutum Orientalium Studiorum, vol. XXXVI, 4, dicembre,
Roma, 1934, fq. 229.
24. - S. Pulaha, Defteri i regjistrimit të Sanxhakut
të Shkodrës 1485, Tiranë, 1974, fq.4.
25. - I. Zamputi, vep. e cit,.fq. 196.
26. - Ibidem, fq.198.
27. - Ibidem, fq. 182.
28. - S. Naçi, Pashalleku i Shkodrës nën
Sundimin e Bushatlive 1757-1795, Tiranë, 1964, fq. 26.
29. - Ibidem, fq. 25.
30. - Ibidem.
31. - I. Zamputi, vep. e cit,. fq. 275.
32. - I. Zamputi, Relacione Mbi Gjendjen e Shqipërisë
Veriore e të Mesme në Shekullin XVII, Vol. II, Tiranë,
1963, fq.161.
33 .- I. Zamputi, Relacione Mbi Gjendjen e Shqipërisë
Veriore e të Mesme në Shekullin XVII, Vol. I, Tiranë,
1963, fq. 277.
34. - I. Zamputi, Relacione Mbi Gjendjen e Shqipërisë
Veriore e të Mesme në Shekullin XVII, Vol. II, Tiranë,
1963, fq.163.
35. - Ibidem.
36. - P.Bartl, Die Kelmendi Zur Geschichte eines nordalbanischen
Bergstames, Shejzat, Romë,1977, fq. 131.
37. - Ibidem ,fq. 132.
38. - R. Veselinović, Ko su " Albanci"
i "Klimenti" u Austrijskim izvorima s kraja XVII
veka?, Zbornik Matice Srpske za drutvene nauke, nr,
25, Beograd, 1960, fq. 107.
39. - Ibidem, fq. 100.
40. - Ibidem, fq. 104.
41. - G. Cantelli, Alabaia Propria Overo Superiore, Roma,
1689, në: Albania, Instituto Italiano di Cultura, dhe
Biblioteca Nazionale, Tiranë, 1998, fq.46.
42. - J. Tomić, O Arnautima u staroj Srbiji i Sandjaku,
Beograd, 1913, fq. 81.
43. - F. Zefiq, Shqiptarët Kelmendas në Hrtkovc
e Nikinc, (1737-1997), Zagreb, 1997, fq.10
44. - Ibidem, 11.
45. - V. Zmajević, Apf, Sc (Albania) Vol. 5,f. 504-508v.
Perast, 1702, në: P. Bartl, Quellen und Materialien zur
Albanischen Geschichte im 17. Und 18. Jahrhundert, Albanischen
Forschungen 15, Otto Harrassowitz . Wiesbaden, 1975, fq. 41.
46. - P.Bartl, Die Kelmendi Zur Geschichte eines nordalbanischen
Bergstames, Shejzat, Romë,1977, fq. 133.
47. - M. Kostić, Ustanak Srba, i Arbanasa u Staroj
Srbiji protiv Turaka 177737-1739, i seoba u Ugarskoj, Glasnik
Skopskog Naučnog Drutva 7-8, 1929, fq. 217-219.
48. - Ibidem, fq. 222.
49. -P. Bartl, Die Kelmendi...,fq. 135.
50. - L.Thalloczy, Die albanische Diaspora, në: Illyrische-albanische
Forschungen, I München. Leipzig, 1916, fq. 321.
51. - P. Bartl, Die Kelmendi...,fq. 135.
52. - Ibidem, fq.136.
53. - G. Stojanović, Crna Gora pred stvaranje drave,1773-1796,
Beograd, 1962, fq. 176.
54. - Ibidem, fq. 191.
55. - Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912,
përgaditur nga S. Pollo dhe S. Pulaha, Tiranë, 1978,
fq.57.
56. - Bartl, Die Albanischen Muslime zur zeit der Nationale
Unabhängikeitsbewg (1878-19129), Otto Harrassowitz. Wiesbaden,
1968, fq. 121.
57. - Kronik e Agimit të Liris Leka, 1937,28 nedur, vjeta,
IX, nr. VIII-XII, fq. 376.
58. - D. Kurti, Flamuri Komtar në Krahinen të Shkodrës,
Hylli i Dritës, Vjeta XIII, nr. 11, nanduer, 1937, fq.521.
59. - Leka, vjeta IX, 1937, 28 nedur, vjeta, IX, nr. VIII-XII,
fq. 9-13.
60. - F. Seiner, Ergebnisse der Volkszählung in Alanien
in dem von den österr-ungarischen Truppen 1916-1918 besetzen
Gebiete. Schriften der Balkankommission, Wien und Leipzig
1922, fq.108.
61. - Shqipnia përpara Konferencës së Paqës,
ble i dytë, Shkodër, 1921, fq. 41.
62. - N. Ukgjini, Shkreli, një veshtrim historiko kuluror,
Shkodër, 1998, fq. 53.
63. - U. Butka, Ringjallje, Tiranë, 1995, fq.117.
64. - Ibidem, fq. 118.
65. - N. Ukgjini, vep. e cit., fq. 54, 56.
66. - U. Butka, vep. e cit., fq. 120.
67. - P. Bart, Die Albanische Muslime..., vep. e cit., fq.
41.
|
 |  |